KAFKA E KISH DITUR

Te një lajm i botuar në Gazetën SI, për një bar të ri kundër COVID-it (lexojeni këtu) vura re se anglishten trial e kishin përkthyer si “gjyqi”, edhe pse qartazi artikulli fliste për clinical trials, të cilat janë, në thelb, studime paraprake për efektshmërinë e një preparati dhe që në shqip mund të përkthehen si studime klinike, prova klinike ose teste klinike, por natyrisht që nuk kanë të bëjnë me “gjyqin”.

Mediat shqip kurrë nuk zhgënjejnë për budallallëqe të tilla – dhe kur ua vë ndonjëherë në dukje, të thonë se e bëjnë “nga shpejtësia”, edhe pse tekstet e përkthyera zakonisht flasin për gjëra që edhe mund të presin. Por gabimeve në përkthim u duhet njohur edhe një aspekt, si me thënë, “poetik”, sepse ajo fjalë, në tekstin e lartcituar, më bëri menjëherë të përfytyroj një klinikë ku COVID-it po i bëhej “gjyqi”, për ta dënuar – detyrimisht – me vdekje; dhe ku fjala anglishte trial sakaq më çoi te fantazmagoria e romanit të Kafkës, të cilin në anglishte e kanë përkthyer zakonisht The Trial, nga origjinali gjermanisht Der Prozess.

Anglishtja trial bashkon, nën një ombrellë leksikore, edhe kuptimin e provës edhe atë të gjykimit formal të një çështjeje; tek e fundit, edhe prova a testi klinik bëhen për të “gjykuar” nëse një preparat ka apo jo efektin që kërkohet; me mjekun klinicist në rolin e gjykatësit, çfarë të paktën për mua, si bir mjeku, do të thotë se ky mjek-gjykatës, përveçse diagnostikon dhe shëron, e ka të pashmangshme që të angazhohet edhe në ndëshkimin e të sëmurit, duke qenë ky i fundit jo vetëm i sëmurë, por edhe fajtor; madje fajtor thjesht sepse është i sëmurë. Jo më kot spitalet i kanë krahasuar gjithnjë e më shpesh me institutet e korrektimit, madje ngjashmëritë mes tyre rezultojnë më të mëdha se çdo të dëshironim, pa u kufizuar vetëm me pizhamet me vija, dritaret me hekura dhe sillën pa shije; sidomos kur është fjala për sëmundje ngjitëse, karantina dhe zona të ruajtura me ushtri.

Kjo paranojë – sepse e tillë është – i ka fillimet në pafajësi: ti i mituri me dhimbje fyti dhe mjeku që të merr në pyetje, për të zbuluar se ku pikërisht je ftohur dhe pse. Duket sikur është raporti vetë, i mjekut me të sëmurin, si shembëllim dhe rimarrje e atij mes prindit dhe fëmijës, që e përfton këtë skenë arketipale prej hetuesie ose gjyqi, ku kalimi nga pyetja tek të marrët në pyetje ndodh vetvetiu. Të ka dalë testi i COVID-it pozitiv? Atëherë ja një fletë letër, ja edhe një laps, dhe shkruaj me nge emrat e të gjithë atyre me të cilët ke pasur kontakt, gjatë javës së fundit.

Emrat, numrat e telefonit, adresat. Si të mos ndihesh në faj? Infektimi yt mund të jetë thjesht simptomë, por kushedi mund të jetë edhe provë e pjesëmarrjes sate në një katastrofë sanitare publike. Shkruaj emrat e të gjitha lokaleve që ke vizituar, restoranteve, bareve, bibliotekave, qendrave të masazhit, hoteleve, moteleve, nevojtoreve publike, palestrave, rrojtoreve, dyqaneve ku ke shkuar të prishësh paratë. Kujto fytyrat e të gjithë atyre që kanë udhëtuar me ty në metro, në autobus, në tram, në ashensor. Ti ndien ndërkohë dhimbje, ethe, të përzihet, gjoksi të shtrëngon, të ka hyrë frika nga vdekja; e kupton se tashmë ke dalë nga realiteti yt, për të hyrë në realitetin kafkian të Prozess-it, ku faji nuk është rrethanor dhe as varet nga çfarë mund të kesh bërë; faji je ti vetë.

Më thuaj tani, mos të ka rrahur era gjëkundi, mos ke ndenjur gjë me kurriz nga dritarja, mos je djersitur në fizkulturë dhe nuk e ke ndërruar kanatieren, mos ke dalë nga shtëpia me mëngë të shkurtra? Ky është zëri i tim eti, i gdhendur në kujtesën time historike, kolona zanore e gjyqit primordial, dhe – në mënyrën e vet – imunizim ndaj çdo fajësimi të mëvonshëm, për shkak sëmundjeje. Por pavarësisht nga kjo “kalitje” psikologjike, gjyqi mjekësor nuk të shpëton dot përfundimisht nga dënimi me vdekje; në afat të gjatë, mjekësia nuk mundet veçse të ndihmojë që të vdesësh i shëndetshëm; ngaqë ty nuk të jep dot pafajësinë, të paktën do të synojë pafajësinë e vet. Çfarë të bën të mendosh se kush gjykon dhe kush gjykohet, gjatë këtij Prozess-i metafizik.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin