Reklama

RRETH PËRKTHIMEVE QË “VININ” NGA KOSOVA

Ky shkrim i referohet debatit në temën tjetër*; nuk duhet marrë në vështrim, veçse në vazhdim të atij debati, dhe pikërisht në lidhje me palexueshmërinë e supozuar të përkthimeve shqip të autorëve Perëndimorë, që hynin në Shqipëri nga Kosova, në vitet 1970-1980.

Nuk kam asnjë nga ato përkthime në duar sot, që të jap një gjykim më profesional për cilësinë e tyre; por po sjell disa kujtime personale nga ajo kohë.

Ishin vitet 1970, kur në institucionet kulturore të Kosovës kishte vërshuar paraja, dhe po bëheshin botime shqip me shumicë; në një kohë që në Shqipëri kishte shenja të hapjes ndaj Perëndimit dhe liberalizimit. Ne në Tiranë e shihnim Kosovën edhe si burim të dritës intelektuale, dhe mezi ç’prisnim të hidhnim në dorë ndonjë nga botimet e atjeshme, sidomos përkthime të autorëve të ndaluar. E them këtë, për të shpjeguar se pritja e atyre librave ishte jashtëzakonisht pozitive, madje e shoqëruar me një etje në shpërpjesëtim me vendin e tyre në historinë e botimeve shqip.

E megjithatë, zhgënjimi ynë (i brezit tim) ishte total – meqë përkthimet që vinin nga Prishtina nuk i lexonim dot. Megjithë përpjekjet, disponimin e mirë, etjen për subversion dhe interesin që kishim për autorët e përkthyer, nuk arrinim të lexonim – sepse tekstet ishin të palexueshme.

Tani mund të supozoj se ky moskomunikim vinte edhe nga fakti që shqipja e shkruar në Kosovë i përkiste një fillese kulturore tjetër nga e jona; por në fakt, bash në ato vite, kishim lexuar dhe me shumë ëndje disa vepra të Kapllan Resulit: “Ushtima e Korabit”, “Tradhtia” dhe “Gjarpni”, që ishin në gegnishte, por që megjithatë rridhnin bukur. Dhe sa për gegnishten, unë mbaj mend që isha ende gjimnazist, kur lexoja “Iliadën” në versionin gegnisht të përkthimit të Gjon Shllakut, dhe që më tingëllonte e vështirë, por kurrsesi e palexueshme (pa folur për tekste më të lehta, si “Kalorësi i Skënderbeut”, i Haki Stërmillit, i shkruar në gegnishte dhe një nga librat e dashur të fëminisë sime).

Më pas, kur në fund të viteve 1970 do të shkoja të studioja filologji sërish në Tiranë dhe kur do t’i ekspozohesha shumë më gjerë teksteve në gegnishte, përfshi edhe sërish “Iliadën”, me të cilën rashë totalisht në dashuri, përkthimet nga Kosova prapë nuk do t’i shtyja dhe përtypja dot. Kish të tillë që qarkullonin dorazi – të Sartrit, Kafkës, Dostojevskit – por që mua nuk më thoshin asgjë; ose më mirë, shqipja aty më ngjitej në gojë, si të ishte baltë, duke ma hequr krejt kënaqësinë e leximit, ose atë që Barthes-i e ka quajtur le plaisir du texte.

Nuk e them dot me siguri pse mund të ketë ndodhur kështu. Një arsye do të ketë qenë mungesa e traditës në përkthime; një tjetër, mungesa e traditës në Kosovë për marrëdhënie kulturore me Perëndimin; një e tretë kontrasti midis parasë të vënë në dispozicion nga Beogradi dhe nevojës së ngutshme për botime nga njëra anë, dhe nivelit modest të intelektualit kosovar të kohës nga ana tjetër. Për shkak të shkëputjes dhe izolimit, sundimit serb dhe diskriminimit brenda Jugosllavisë, Kosova shqiptare ishte katandisur në një periferi të dyfishtë; dhe nuk ishte në kushte ideale për të përpunuar një shqipe të tillë që t’u përgjigjej klasikëve të letërsisë botërore, të vjetër dhe modernë. Ndërkohë, në Shqipëri kishte një traditë përkthimi shumë më të pasur, që u ruajt madje edhe gjatë viteve të totalitarizmit; dhe Universiteti i Tiranës, me gjithë represionin ideologjik që mishëronte, prapë kishte përfshirë, në profesorat, figura të formuara në Perëndim dhe me ndjeshmëri kulturore të lartë, të cilët ishin në gjendje ta përpunonin shqipen në mënyrë mjeshtërore, pavarësisht nga orientimi ideologjik.

Për mua, shqipja relativisht e dobët, e cunguar, e çalë, e sforcuar e përkthimeve që vinin nga Kosova do të ketë qenë shenjë e papjekurisë, ose e një fillese kulturore ende të pakristalizuar; por jo kurrsesi e vdekjes. Përkundrazi. Diskursi letrar kulturor, i nivelit europian, nuk mund të lindte në Kosovë siç lindi Athina nga koka e Zeusit; kërkonte kohë dhe komunikim me miset e tjera të shqipes.

Të mos harrojmë se diskursi shqip i kulturës, letërsisë, etj. në Tiranë, u përpunua nga një elitë e shkolluar kryesisht në Perëndim, por që arriti të vijojë traditën e përkthimeve të Kristoforidhit dhe të Nolit; kur kjo elitë doli nga skena, për arsye të moshës, la një boshllëk i cili ka ardhur duke u thelluar me kalimin e viteve, megjithë një brez të ri përkthyesish që janë shquar në vitet 1980-1990, të tillë si Plasari, Çuçka, Koçi, Meksi, Klosi, Muçi e ndonjë tjetër. Përkundrazi, sot problemi më i madh, me shqiptarët që duan t’i shërbejnë komunikimit ndërkulturor, është njohja e pamjaftueshme e shqipes. Në një kuptim, krejt kultura e përkthimit shqip sot po vuan nga ato simptoma dhe sindroma që 30 vjet më parë ua dallonim përkthimeve që vinin nga Prishtina. Ç’mënyrë e mbrapshtë, për të synuar bashkimin!

*Shënim: çdo rimarrje e këtij teksti dhe botim i tij më vete, nga ndonjë faqe mediash online, i shkëputur prej debatit të filluar në temën e mëparshme, është i paautorizuar prej meje dhe i paligjshëm.

Reklama

Nuk ka komente

  1. Për individë të mbieksituar mbase është rasti të vitet në dukje se mendimet që u shfaqën për këtë temë prekin kryesisht letërsinë artistike të përkthyer dhe Dervishi e vdekja nuk ishte rasti i vetëm, as Ura mbi Drina nuk shkëlqente si shembulli më i mirë i përkthimit, madje as dramat e Kërlezhës, te cilave qeshe i detyruar t’u kthehsha nga shtate here per te kuptuar gjesendi, pa llogaritur autorë të tjerë bashkëkohorë evropianë, por jo rrallë një përshtypje të tillë të linte edhe ndonjë vepër filozofike apo studim letrar. Problemet më të mëdha nuk shfaqeshin në leksik por në sintaksë (natyrisht pasi qeme mesuar se vetures i thonin kerr dhe me nje numer fjalesh te tilla, ku nuk ka gjesendi te kritikueshme sepse ne te dy anet e kufirit ishte fjala per huazime dhe nuk ka arsye qe nje huazim te kete perparesi ndaj nje tjetri) .

    Mbaj mend një vëllim me kritikë letrare nga personalitete botërore që diskutonin për natyrën e romanit postmodren, ku kujtoj një intervistë të gjatë të Allain Robbe Grillet, që nuk ishte trajtuar me shumë dashuri (por qe kujtoj se tridhjete vjet me vone me sherbeu kur takova vete autorin ne fjale sepse ishte i vetmi informacion qe kisha per idete e tij estetike). Kjo qe arsyeja e padurimit tone per vepra te tilla qe botoheshin ne Prishtine dhe ishte e paimagjinueshme qe ato te shfaqeshin ne botimet e Tiranes, siç shpjegon 2xh.

    Këtu askush nuk mori neper goja punimet e Insitutit Albanologjik, dhe kam parasysh studimet dhe monografitë e shkëlqyera si edhe parathëniet në botimin e veprave të plota të autorëve të Rilindjes.

    Bashkë me veprat e shumë studiuesve të njohur por edhe të historianëve si Hadri, ndaj veç po ashtu edhe punimet e Rugovës dhe veçanërisht librat e R. Qoses. Panteonin e rralluar e mbaja poshtë jastëkut dhe në të shkruarit e as qe kishte gjesendi qe te me kujtonte se autori nuk jetonte e nuk shkruante ne Tirane (gje qe besoj se ishte fatkeqesi per te sepse ndikoi qe te ruante per ate kohe nje lloj imazhi qe nuk ishte real).

    Në rastet e perkthimeve te mesipërm e ndjeja se mbetesha peng i një rrjete që nuk më linte të shkoja më tej në idetë e autorve. Me vone kuptova se fjalet ishin shqip por sintaksa serbo-kroate.

    Mjaft gazeta bënin përpjekje të mëdha për një mënyrë korrekte të shkruari (me aq sa mund të gjykohej nga Tirana), Zëri nuk është se ai dilte mbanë gjithnjë me sukses, por nga fundi i viteve shtatëdhjetë lexoja te Rilindja botimin në seri të Kujtimeve të Hrushovit. Në të kishte ndonjë problem drejtshkrimi, por jo më shumë se gazetat që botoheshin në Shqipër
    Ne fakt, pak me shume, por asgje dramatike.

  2. Meqë po tregojmë anekdota, ta tregoj edhe unë një:

    librin e parë e kam blerë me pare të mia në moshën 6 vjeçare, kurse librin e fundit diku në qershor a korrik të vitit 1998 (ka qenë libri i Blagojeviqit Gravitacija i lokalne simetrije, libër që kishte një kundërmim të këndshëm dhe një teksturë të lëmuar, si lëkurë foshnjeje). Në ndërkohë, e kisha ndërtuar një bibliotekë personale me rreth 5000 libra. Kryesisht kanë qenë botime të Rilindjes, përfshirë bibliotekat (seritë e botimeve) Ura, që ishin përkthime të literaturës jugosllave, botuar me një kopertinë me skaje të kaltërta, Atlas, që ishin përkthime të letërsisë botërore, me kopertinë ngjyrë portokalli, pastaj bibliotekën filozofike, me kopertinë të verdhë të ndezur, e të këtilla. Këta librat e verdhë filozofikë kanë qenë me kore të butë, se ata me kore të trashë kanë qenë ngjyrë hiri në të kaltërt. Kam pasur edhe libra të Entit të Mjeteve Mësimore, të cilët më duket se gjithnjë kanë pasur kopertinë të bardhë. Nuk kam pasur shumë nga librat e botuar në Tiranë, por edhe ata që i kam pasur, kanë qenë libra profesional ose përkthime (te daja kanë pasur dhe kanë hala shumë libra të Shtëpisë Botuese Naim Frashëri). E veçanta e librave të Tiranës ishte se nuk kishin kore: letra me të cilën ishte bërë kapaku i librit, si i thuhej, nuk dallonte shumë nga ajo e fletëve. Si dhe, për dallim nga botimet e Rilindjes, kopertina gjithnjë ishte e ilustruar.

    Në Kosovë, t’i vësh kapak një pune do të thotë ta përfundosh, ta mbyllësh. Meqë kapak kanë tenxheret e kusitë, u habita kur mësova që kapak kanë edhe librat. I mësuar me leksikun kosovar, ku libri kishte kore, si pitja, pra ishte i butë, me erë, i ngrohtë, ushqyes, e kisha problem t’u qasesha librave të ftohtë e metalikë nga Tirana, librave me kapak. Bile, edhe formati ishte i ndryshëm: përderisa librat e Prishtinës ishin më të ngushtë e më të gjatë, ata të Tiranës ishin më të gjerë e më të shkurtë. Por, gjithnjë ishin më të trashë, pra rrinin mirë në dorë, dhe nuk kishin letër të bardhë, por të kaftë, që ishte më e butë për sytë. Me kohë u mësova edhe me libra të Tiranës.

    Librat profesional, nga ana tjetër, ishin mizerie. Më kujtohet si sot kur nisa të lexoj një libër petrologjie për të punuar një temë rreth vullkaneve (s’ja mbaj në mend emrin as autorit as librit, të më falni në këtë pikë, por e di që fjala petrologji ka qenë në titull). Trandjen e parë e pësova kur pashë që në krye të librit përmendej Lenini e Enveri dhe citoheshin për probleme të fizikës gjeografike, për tërmetet dhe shkëmbinjtë. Isha mësuar t’ju pranoja prezencën në libra filozofie, arti, e diturish të buta, andej kah silleshin Marksi, Engelsi, Tito shumë më pak, e çifti i tyre në bibliotekën time. Por, jo në shkenca ekzakte! Në komodinën e librave të shkencave ishin Ojlleri, Ajnshtajni, Arkimedi, Gausi, bile edhe Zhyl Vernit ndonjëherë mund t’i bëhej vend, por kurrë s’e kisha menduar se aty do t’i gjeja Leninin dhe Enverin.

    Sidoqoftë, tema për vullkanet duhej bërë, kështu që vazhdova ta lexoj librin. Por, leximi nuk rridhte. E mora librin dhe shkova te arsimtari për konsultim. “Ah, qenke duke lexuar nga këta librat e bërë me mbështjellës byreku”, më tha. Kjo ishte trandja e dytë, sepse libri me të vërtetë dukej thuajse ishte përdorë për të mbështjellë byrek. Letra e kaftë dhe teksti i shtypur me makinë seç kishin një dyll që të bënte t’i lash duart pasi që ta kesh shfletuar librin. Ishte hera e parë që dëgjova t’i referohej librit një punë aq jofisnike, dhe ky libër njëmend e meritonte këtë poshtërim; jo vetëm për çështje dukjeje, por edhe meqë s’e kuptoja. Ja që edhe metafora e librit si pite menjëherë m’u pështiros (edhepse, kur shokët e shoqet kishin datëlindje, prapëseprapë prej meje nuk merrnin sheqera e ëmbëlsira, por libra) dhe mësova të shikoj edhe më përtej se fiziku i librit, duke kërkuar që me lexim të dal drejt e te ideja. Arsimtari m’i shpjegoi shul shqip ato koncepte e atë leksik që nuk e kuptoja dhe tema në të cilën punoja u krye disi. Por, shijen e keqe nuk e largonte kënaqësia e titujve me fjalë aliene – të përtejme, por të dashura – si problema për probleme, arithmetika për aritmetikë, mësonjës për mësues, e të tjera.

    Edhe librat profesional të botuar në Prishtinë ishin plot gabime. Por, këto gabime i kuptoja dhe mund t’i përmirësoja me mendjen time. Kujtoj kur lexoja një libër matematike që tërë kohën fliste për funksione të pakuptuara, gjë që ishte me të vërtetë e pakuptimshme. Tek pas dy njësish e kuptova që fjala ishte për funksione të pakëputura dhe libri përsëri kishte kuptim. Përndryshe, vjet jam takuar për herë të parë me një rradhitës teksti në Prishtinë, një plak babaxhan i kërrusur që mezi mbahej. S’mund ta merrja me mend se dikur ky kishte pasur fuqi t’i vendoste bocat e plumbit për shtyp. Desha ta falënderoj për gabimin simpatik, sidomos meqë isha bashkë me autorin e librit, por nuk e bëra. Mbase edhe se mendoja se ndoshta gabimi nuk ka qenë mu i tij.

    Ndodhi që në maj të 1999 fronti i luftës kaloi përgjatë lagjes sime, dhe të gjithë librat, bashkë me disa fqinj, u bënë shkrumb e hi. Pas luftës, më qiti puna në një shkollë fillore të një katundi të humbur të rrethit të Gjakovës. Në bibliotekën e shkollës, në mesin e disa librave, e gjeta Krimin e Dënimin e Dostojevskit, atë në dy vëllime të Rilindjes me kopertinë të portokalltë të bibliotekës Atlas. “Po ta vjedhi këtë libër”, i thashë arsimtarit që na shoqëronte dhe e mora librin. Për gati një vit, ky ka qenë titulli i vetëm në shtëpinë time. Ndodhi që dikur – në kohë pashkësh më duket – erdhi për vizitë një axhë i imi. Edhe sot ja mbaj në mend një thënie legjendare: thoshte se të plotësosh fjalëkryqet e botuara në Rilindje (më vonë Bujku) është sfidë e dyfishtë, sepse së pari duhet ta marrësh me mend se çka ka dashur të thotë autori, e pastaj ta zgjidhësh problemin. Rrjedhimisht, edhe kënaqësia e suksesit ishte e dyfishtë. Ky axhë ka punuar në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe Tiranën, ku ndodhej asokohe. Kur e pa Krimin e Dënimin, e mori dhe më tha “po ta marr këtë librin e Fadil Bujarit, se s’po mund t’i lexoj ata të botuar në Tiranë”. “E kanë deformuar librin,” shtoi duke shfletuar. Nuk mund t’ia pranoja që atje, në Tiranën shembullore për gjuhë sipas meje, do ta deformonin librin. “Ti je shkolluar moti”, i thoja, “kur gjuha ka qenë ndryshe”. “S’është çështja te gjuha, por te mendimi që përcillet” ma kthente.

    Nuk i kam dhënë të drejtë deri vonë, deri kur e pësova edhe vet me një shkrim minor në internet: shkrimi u botua me dy autorë, pa konsultim paraprak për ndryshimet. Meqë nuk e durova, thashë më mirë të mos shkruaj. Kështu ashtu, edhe libra më nuk bleja, edhe Tiranën e fajësoja për “tradhtinë” që ja kisha bërë vetes: e kisha bindur me zor veten që në Tiranë gjuha dhe mendimi respektohet, por në fund dyshimi fitoi.

    Ndërkohë, Krimit dhe Dënimit i humbin gjurmët në Tiranë.

  3. Lyss-i eshte kontradiktor,ne njeren ane thote se e ka te pamundur te lexoje perkthime ne shqipen kosovare,ndersa ne anen tjeter vlereson individe e institucione kosovare qe shquhen ne fushe te kultures.Dua t’i rikujtoj se edhe vete Rugova qe perkthyes nga frengjishtja dhe anasjelltas….Po ashtu ne Universitetin e Prishtines ka qene dhe eshte dega e Orientalistikes,ku pergatiten kuadro jo vetem per gjuhen turke,por edhe per osmanishten.
    Intelektualet e Tiranes,ne pamundesi,gjate diktatures, per te shijuar modernitetin letrar europian e boteror,per ta e vetmja dritare ka qene Kosova,nga furnizoheshin me literature boterore te perkthyer…
    Dhe eshte e vertete se brezi i perkthyesve te viteve 60,ka qene i dobet,per shkak se nuk kishin nje formim te duhur as ne gjuhen amtare…Per kete pajtohem,por kjo nuk ben te pergjithesohet,pra nuk mund te merret vetem nje brezni intelektualesh si shenjues te kultures se nje vendi…
    Ajo qe me indinjon eshte se te gjithe flasim kuturu pa dhene emra e referenca te tjera.

  4. Nuk kam lexuar shumë libra që vinin nga Kosova në atë kohë. Nuk ishte e lehtë t’i gjeje. Megjithatë, kur më binin në dorë, i prisja dhe i trajtoja me kërshëri të jashtëzakonshme. Edhe unë mbaj mend se shqipja e atyre librave më dukej ndryshe nga “e jona”, sikur i tërhiqte këmbët zvarrë, sikur ngatërrohej me fjalët e veta. Shqipja e atyre librave, me atë gramatikë e sintaksë, më ngjante pak e largët, e distancuar, “e huaj”. Në një farë kuptimi ishte e lodhshme në lexim.
    Por në atë kohë unë ia vija gjithnjë fajin vetes, paaftësisë sime për të kuptuar të shkruarin e lartë, aq i madh ishte miti dhe interesi për kulturën që vinte nga jashtë, sidomos nga Kosova.

    1. edhe une si ti, Pishak, mendoja se problemi ishte i imi. Dhe edhe sot besoj se kjo eshte e vertete. Pervec sintakses dhe leksikut problematik te perkthimeve (problematik jo se i perngjante gegnishtes, por sepse shkruesit nuk kishin natyrshmerine e shprehjes dhe eksperiencen e duhur me shqipen e shkruar), ato botime futen ne Shqiperi koncepte e veshtrime te teorise se modernes evropiane qe ne Shqiperi mungonin totalisht. Dhe kjo pjese ishte e natyrshme te krijonte veshtiresi ne te kuptuar.

  5. “Lyss-i eshte kontradiktor,ne njeren ane thote se e ka te pamundur te lexoje perkthime ne shqipen kosovare,ndersa ne anen tjeter vlereson individe e institucione kosovare qe shquhen ne fushe te kultures…”

    Bashkim me qellon te jem edhe kontraditor, por ne kete rast nuk po e gjej se ku eshte kontradita. Nderhyrja kishte per qellim te thote se perkthimet qe kercisnin ne syte tane preknin kryesisht letersine e perkthyer (dhe u suall ndonje shembill). Por duke qene se prisja hungërima dhe reagime te eksituara, krejt skematikisht (dhe qe nuk eshte ne natyren e ketij blogu), shtova edhe se nje gje te tille nuk e konstatoje ne botime te tjera si ne ato te Akademise apo te personaliteteve qe permenda.

    Me ndihmo te lutem te kuptoj kontraditen time ketu.

    Ne mos me duhet te besoj se politika serbe per moszhvillimin e gjuhes shqipe ne Kosove ne ate kohe, po jep frutet e saj sot duke na vene para konceptesh linguistike qe i interpretojme ne menyra te ndryshme dhe qe kane si pasoje moskuptimet qe lindin gje qe do te kete qene edhe qellimi i tyre final,them une.

  6. Pikerisht institucionet dhe intelektualet qe ju permendni kane qene filtrat kryesore neper te cilet ka kaluar e gjithe prodhimtaria kulturore e Kosoves,perfshire edhe perkthimet.P.sh.,po me bie ndermend perkthimi i Kuranit ne gjuhen shqipe nga Sherif Ahmeti,diku ne fillim te viteve 80,thote se per t’i dhene doren e fundit,e dergoi ne Fakultetin Filologjik te UP-se.
    Sa i perket moszhvillimit te gjuhes shqipe,me vjen keq,te konstatoj se Ju nuk mund te dalloni se fjala “kerr” eshte shqip dhe jo huazim,per me teper eshte ekuivalent i fjales “qerre” ne toskerishte,vecse i perdorur ne njejes per te shenuar mjetin bartes dhe per ta zevendesuar kalkun “veture”.
    Sidoqofte,ne ketu,vetem po diskutojme,mos e merrni asgje personale.Une mund te jem me i prapambetur se ju,por ai qe eshte lart,duhet t’ia zgjat doren vellait te vet qe eshte buze gremines…

  7. Bashkim, askush nuk foli per prapambetje, por per nje problematike qe ka nje prapavije politike e qe lidhet me historine e Kosoves.
    Po problemet lindin kur beni interpretim me shume se sa duhet.
    Po te ishit treguar me i hapur do te vinit re se une thashe se m’u desh te mesohem se “vetures” i thone “kerr” (nuk e dija me pare kete, madje per shkak se ne Shqiperi nuk flitej kurre per Kosoven, njoh njerez qe edhe ne vitet ’70 pyesnin se çfare gjuhe flasin kosovaret), por ne asnje rast nuk thashe se vetura ime eshte me i mire se kerri tend.
    Se nje mendje e tille që ju shtyu te deformoni thenien time ju shpie ne perfundime edhe me te marra e te thoni se fjala “kerr” eshte ne shqip, per pasoje ti je “patrioti” dhe une vetem se po sabotoj gjuhen shqipe me ndihmen e agjenteve te huaj.

    Ne kete rast nuk me mbetet te them veçse kur nuk ke çfare t’i shtosh muhabetit, puna me e mire qe mund te besh eshte te heshtesh.

  8. Edhe unë kam lexuar ndonjë botim nga Kosova në atë kohë dhe, në lidhje me temën, dua të përmend “Princin” e Machiavelli-t.
    Si libërth me plot kuptimin e fjalës “i ndaluar” në atë kohë, botimi me kapak të gjelbërt i Rilindjes së Prishtinës ishte si një gjethe shelgu mbi togun me bar të thatë.
    Por përtej kopertinës simpatike, libërthi si përmbajtje ishte tejet i papërtypshëm.
    Machiavelli vetë don përqëndrim të veçantë që të shijohet dhe kuptohet në silin dhe përmbajtjen e tij, mirëpo përkthimi i Rilindjes nuk ndihte fare.
    Ndryshe nga mangësia në cilësinë e përkthimeve, botimet e Kosovës i dhanë një thesar tjetër të paçmuar shkencës së gjuhëtarisë shqipe, dhe pikërisht Përmbdhjen e Opusit të botuar të Çabeut.
    Në këtë fushë akademikët dhe studiuesit e Prishtinës mund të thuhet me gojën plot se i lanë pas kolegët e tyre të nderuar në Tiranë…

    1. Ato gjashtë vëllime të Çabejt kam pasur fatin t’i blej që herët, dhe nuk ka pasur libër në bibliotekën time që ta kem lexuar e studiuar më shumë e më shpesh.

      E megjithatë, nuk rri dot pa shtuar këtu se ai botim është i një cilësie shumë të ulët – me të paktën 2-3 gabime (typos) për faqe, të cilat do ta kenë zanafillën në punën joprofesionale të daktilografëve, që i kanë kopjuar tekstet nga origjinali.

      Në një vepër me natyrë linguistike gabimet e shtypit janë të pafalshme, sidomos sa herë që prekin elementin e cituar; është njëlloj si të ketë gabime llogaritjeje në një libër të kontabilitetit; ose gabime të shumëzimit e të pjesëtimit, në një tekst të aritmetikës.

      Të gjashtë vëllimet e Çabejt janë shtypur keq dhe redaktuar edhe më keq. Niveli është i tillë, që t’i bëjë të pavlefshme, si botime shkencore.

      E megjithatë, ishin ato vepra që përcaktuan, njëfarësoj, drejtimin tim profesional; së bashku me Gramatikën historike të Shaban Demirajt; por kjo e fundit, me sa më duket mua, praktikisht e pastër nga gabimet.

      Botimet studimore gjuhësore në Shqipëri kalonin në shumë duar, redaktoheshin me kujdes të madh dhe, në përgjithësi, nuk kishin gabime.

      Kam punuar vetë në një institucion që merrej edhe me botime, dhe mund të dëshmoj personalisht për filtrat e shumtë që i duhej të kalonte një teksti, para se të dërgohej në shtyp.

      Për këtë arsye, cilësia e Veprës së Çabejt të botuar në Prishtinë nga Rilindja më është dukur gjithnjë skandaloze.

      Faji për këtë do t’u mbetet redaktorëve: Ahmet Kelmendi, Sulejman Drini dhe Mehmet Gjevori – të cilëve ua shoh emrat në hyrje të çdo vëllimi; sikurse edhe redaktorit teknik Shyqri Kushevica.

      1. Nuk jam i sigurtë nëse profesori i madh arriti ta shohë botimin e Prishtinës?
        Po ashtu, mbaj mend se më vonë u botua edhe bleu VII, kurse Fjalori Etimologjik vazhdonte të vonohej nëpër redaksitë e Tiranës…

    2. Biblioteka filozofike me kopertine te gjelbert me dy vija te bardha (apo bezh) horizontale eshte biblioteke qe eshte botuar vone, rreth viteve 90 e kusur. Edhepse nominalisht te ndaluar, ma merr mendja qe keta libra kane hyre ne Shqiperi pa problem, sepse shteti ishte ne fillet e ndryshimit dhe nuk e kishte ngene te kontrollonte librat. Kam kete bindje, sepse asokohe kusherinj nga Shqiperia vinin e shkonin pa problem.

      Libri i Makiavelit eshte perkthyer si “Sundimtari” dhe me duket se e gjithe parathenia i kushtohet shpjegimit se pse eshte zgjedhur ky titull ne vend te atij “Princi”. Perpos ketij libri, mbaj mend nga ajo biblioteke edhe “Ligjerate mbi metoden” te Dekartit dhe “Mbi te bukuren dhe te madherishmen” te Kantit. Dekarti ka qene me i zorshem, por s’ma merr mendja qe kjo ka qene aq per arsye te gjuhes (perkthimit), se sa per arsye te tematikes. Perndryshe, nuk mbaj mend qe kam vujatur gjate leximit te ketyre tre librave.

      Nje liber te cilin nuk e kam perfunduar se lexuari eshte Don Kishoti; vellimin e pare, te perkthyer nga Noli, e kam lexuar me nje fryme, kurse te dytin (nuk e mbaj mend se kush e ka perkthyer), e fillova menjehere sapo e kreva te parin, por nuk arrita te lexoj me teper se 30-40 faqe. Ka pasur nje tranzicion, nje thyerje nga njeri vellim ne tjetrin, qe me eshte dukur se behet fjale per dy libra te ndryshem, te cileve gabimisht ju kam qasur me te njejten fryme. Ndoshta eshte dashur te pres edhe une nja 10 vjet, si Servantesi, per te lexuar vellimin e dyte.

  9. Xha Xhai shkruan:

    “Përkundrazi, sot problemi më i madh, me shqiptarët që duan t’i shërbejnë komunikimit ndërkulturor, është njohja e pamjaftueshme e shqipes.”

    Per mua eshte e qarte se ka nje korrelacion te drejtperdrejte mes ketij konstatimi dhe temes qe po diskutohej tek shkrimi “Bursa e diplomave”. Heqja e gjuhes shqipe si lende nga niveli universitar i arsimit eshte nje faktor kontribues ne kete zallamahi gjuhesore te trevave shqiptare sot. Ketu e kam fjalen per arsimin universitar ne Shqiperi, se ne Kosove nuk e di si qendron problemi ne lidhje me kete aspekt.

    Por, seriozisht, pse duhej pare gjuha shqipe si element shkollor i ezauruar ne nivelet parauniversitare te arsimit? Perderisa gjuha e huaj fillohet prej nxenesit qe ne shkollen fillore tashme dhe vazhdon ne nivele te avancuara edhe ne universitet, pse atehere studimi i gjuhes meme duhet nderprere me te mbaruar nxenesi gjimnazin? E kuptoj qe paralelizmi qe sapo bera calon, deri diku, pasi gjuha e huaj dihet qe ka nevoje te mbahet gjalle, te themi, permes praktikes dhe duhet te perfeksionohet ne vazhdimesi. E megjithate, nje nevoje e tille e perfeksionimit dhe zoterimit, ne nivele te larta te ligjerimit dhe shkrimit, eshte e pranishme edhe ne aspektin e gjuhes se nenes tek folesi a shkruesi i rritur. “Njohja e pamjaftueshme e shqipes” qe evidentohet haptazi dhe gjeresisht ne ligjerimin publik sot eshte prove e kesaj.

  10. Kam pasur fatin, që në kanale private të kem pasur në zotërim dhe kaluar në dorë libra të ndryshëm të botuar nga enti botues Rilindja, Prishtinë. Ndër to, vepra e plotë e Migjenit, Nolit, Frashërit, etj.

    Megjithëse e kam shfletuar edhe veprën e plotë të Çabejit, nuk kam pasur as njohjen dhe kualifikimin për ta lexuar ngulitshëm, kështu që vlerësimi imi në gjykimin e përmbajtjes së veprës është krejtësisht i mangët, jo profesional.

    Por mendoj se kam një opinion timin (të bazuar në njohje) që gabimet të llojit “typo” (po flasim për kohën kur nuk ishte kompjuterizuar industria e botimeve) vinin nga dy burime: daktilografistet dhe radhitësit në shtypshkronjë(kryesisht me shumë nga këto të fundit).

    Njoh shumë histori, eksperienca(të kthyer në barsoleta që përflasin autorë, korrektorë, redaktorë, etj) daktilografistësh dhe radhitësish, bile mbaj mënd që në shtëpitë e tyre, mund të gjeje një inventar të pasur librash gramatike dhe drejtshkrimi.

    Por çfarë mund të mësojmë më shumë rreth mekanizmit, rrugëtimit, përpjekjeve të çmuara në Kosovë, të bëra për të nxjerrë në pah e cilësisht veprën e studiuesit e kontributit të tij të paçmuar?

    Një reference e mirë na shërben studiuesi kosovar Begzad Baliu, i cili ka njohje të konsiderueshme rreth veprës se Prof. Çabejit, punës për botimin e saj, bibliografisë së pasur(duke përpiluar ai vetë atë) rreth punës të autorit nga studiues të ndryshëm.

    Ja çfarë shkruan ndër të tjera B. Baliu në lidhje me historinë e botimit:

    “…Rrahman Dedaj (kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve), i cili më 6. X. 1975, e njofton Profesorin e nderuar se vepra e tij ishte kryer së radhituri dhe ishte dërguar në shtyp, me mundësi që në vëllimin e fundit (VI) të përfshiheshin edhe studime të tjera.

    Ky fakt del edhe mbështetur në letrën e njërit prej redaktorëve kryesor të “Rilindjes”, Mehmet Gjevorit, më 26 tetor 1971, të cilën ai e ka shkruar në emër të Redaksisë së Botimeve “Rilindja”, për të marrë mendimin rreth mundësisë së botimit të veprave të plota të tij. Në mesazhin e tij nga Prishtina, të datës 26. X. 1971 Mehmet Gjevori e njofton Profesor Çabejn se Redaksia e “Rilindjes”, “mendon që në planin botues të vitit 1972, të cilin është duke e përpiluar, të parashohë botimin komplet të veprave tuaja me një përgatitje shumë të mirë teknike.

    Për këtë punë, dmth. për mbledhjen e materialit dhe sistemimin e ndarjen e tij në disa libra, Redaksia mendon të ngarkojë 2-3 bashkëpunëtor të jashtëm si dhe një redaktor të Shtëpisë sonë botuese”. Njëkohësisht Gjevori e njofton Profesor Çabejn se në këtë punë kaq serioze e me rëndësi, ndihmën më të madhe do ta kishim drejtpërdrejtë prej Tij si autor. Njëkohësisht, kujton Gjevori, disa punimeve të mëparshme, do tu bënte “tani diku – diku ndonjë përmirësim a redaktim i nevojshëm”. Në mesazhin e tij Gjevori dëshironte të marrte pëlqimin e mendimin e tij, e njëherë edhe sugjerimet rreth gjetjes dhe sistemimit të tërë punimeve shkencore të Profesor Çabejt.”

    Me vonë Baliu sqaron se cili ishte roli i vet Çabejit dhe emrave të tjerë në përgatitjen e volumeve:

    “Lajmin për fillimin e përgatitjes së gjashtë vëllimeve të veprave të Çabejt e gjejmë tri vjet më vonë, në një letër të Mehmet Gjevorit. Letra sqaron edhe disa gjëra të diskutueshme shumë vjet me radhë pas vdekjes së Çabejt: kush përgatiti veprën e tij, në të vërtetë kush ndërtoi konceptin e radhitjes së temave dhe vëllimeve të veprës së tij, Jup Kastrati (i cili propozohej në fillim nga Prishtina), vetë Eqrem Çabej, Ahmet Kelmendi, për të cilën ai shpesh ka deklaruar se e ka bërë apo Redaksia e Rilindjes.

    …Në letrën e tij dërguar Profesor Çabejt, Gjevori, së pari na njofton se tekstet e tij Profesor Çabej i dërgonte në rrugë të ndryshme, kryesisht dora dorës: “artikujt që na keni dërguar me Rrahmanin (Dedajn, v.j) dhe Din Mehmetin i kemi marrë” dhe së dyti, ai vetë është përgatitës dhe sintetizuesi i veprave të tij (“Ju e keni kopjen e listës së punimeve, ndarë në gjashtë libra. Prandaj ju kisha lutur që t’i hidhni një sy e të na shkruani mos është shënuar me tjetër titull”; dhe se treti, sepse në këtë kohë “libri i parë dhe i dytë janë radhitur. Korrekturën e tyre po e bën Sulejmani (Drini, v.j.). Mbështetur në kërkesat e Mehmet Gjevorit, vetëm vëllimi i gjashtë nuk ishte kompletuar, sepse “Për librin VI na duhet material edhe më”.”

  11. Nji gja asht e sigurt: pakkush prej shqipnitareve kish me u sforcue sot me shqipen e perkthimeve t’asaj kohe ne Kosove. Kjo edhe per arsye se edhe vete shqipnishtja nuk asht ma jo hermetikja e viteve te diktatures dhe sintaksat, shprehjet e fjalet qe mund te kene kumbue te hueja e te pakuptueshme dikur, sot, ne trafikun e nji shumsie varietetesh qe nderveprojne, nuk para ngjajne aq te percudshme.

    1. Nuk besoj të jetë kështu – meqë shqipja e cave nga ato përkthime ishte e keqe si shqipe, jo sepse ishte e ndryshme nga standardi. I mungonte harmonia e brendshme, jo afërsia me standardin. Një shqipe mund të jetë e keqe edhe kur e ndjek, në sipërfaqe, standardin deri në përsosmëri: mjaft të shohësh shumë nga përkthimet që botohen sot e që janë, përndryshe, të palexueshme; sikurse mund të jetë e mirë edhe pse nuk i afrohet standardit (prandaj përmendja edhe Gjon Shllakun, diku më lart).

      Më vjen keq që nuk kam në dorë një botim të atëhershëm të Prishtinës, për të sjellë ilustrime. Po mundem vetëm të them se ajo shqipe ishte e keqe sepse kishte ngecur në hapësirën që i ndan dy gjuhët, burimin dhe pikëmbërritjen; e kishte njërën këmbë në baltë, dhe tjetrën në rërë. Këtë lexuesi e ndien.

      Një shembull tipik: kur në një tekst të përkthyer nga frëngjishtja ose anglishtja, të gjitha fjalitë ndjekin rendin e fjalëve SVO (kryefjalë-kallzues-kundrinë), atëherë përshtypja e përgjithshme është e keqe, monotone, e huaj dhe vetë teksti ngec. Kjo sepse shqipja të jep mundësinë për ta nisur fjalinë me kundrinë, ose me kallëzues; dhe nuk ka nevojë të thuash: gabimi u bë prej teje, jo prej meje (SVO), meqë mund të thuash gabimin e bëre ti, jo unë.

  12. Asht edhe keshtu. Me kujtohet se shqipnitaret ne vitet e hershme ’90 me pyesnin rendom per kuptimet e fjaleve si ‘opsion’, ‘obsesion’, ‘aktrim’, (jane do qe me kujtohen tash) qe me sa duket shqipnishtja e kohes se hermetizmit nuk i kishte, e qe kosovarishtja i kish te rranjosuna edhe ne gjuhe bisedore. Mungesa e tyne prej fjaloreve shqipnitare te kesaj periudhe ma konfirmon kete besojme. E kuptueshme qe, i vume perballe teksteve qe permbajne gjithe ato njisi leksikore te pakuptueshme, lexuesit shqipnitar te kohes do t’i jete thartue shijimi i te lexuemit. Njilloj me strukturat, qe te ardhuna serbishteje, jane ngulite ne kosovarishte, kurse shqipnishtja nuk i njihte. Fundja, kosovarishtja e shqipnishjta vazhdojne me pase nji mal dallimesh sot e kesaj dite.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: