ZBRITJE

Demografia në zonat rurale shqiptare po ndryshon me shpejtësi. Këto njëzet vitet e fundit kahu i migrimit të brendshëm ka respektuar modelet e përhershme të lëvizjes së njerëzve: nga zonat e pazhvilluara drejt zonave më të zhvilluara. Nga pikëpamja grafike kjo mund të përkthehet me shigjeta në hartë, që tregojnë kahet madhore të largimit, ose më saktë drejtimin nga zonat rurale drejt zonave urbane, nga zonat urbane periferike drejt kryeqytetit.

Lëvizja e popullsisë shqiptare nuk ka qenë e njëtrajtshme. Nga një anë kemi pasur emigrimin jashtë shtetit, që jo gjithnjë ka kaluar nga migrimi i brendshëm, nga ana tjetër lëvizjen e popullsisë nga vendet malore, që shpeshherë përfundon drejt kryeqytetit, pa ndalime të ndërmjetme. Përbën temë tjetër hulumtimi, por nuk duhet harruar se emigracioni i jashtëm është i lidhur ngushtë me të brendshmin, sepse ndërveprojnë e kushtëzohen midis tyre.

Sipas Instat shqiptar vëmë re një rënie të ndjeshme të popullsisë rurale. Besoj se për këtë rast të dhënave mund t’u besohet, të paktën përsa i përket tendencës demografike. Po t’i konsultojmë tabelat e popullsisë rurale del se në vitin 2001 atje jetonin 1.774.191 vetë. Në fillim të vitit 2013 rezultonin 1.264.985. Pra për dhjetë vjet kemi pasur një ulje prej gjysmë milioni banorësh në zonat rurale. Po në zonat urbane ç’ka ndodhur gjatë këtyre viteve? Në 2001 atje jetonin 1.293.549 vetë, kurse në fillim të 2013-s numri shkoi në 1.522.630. Rritja me rreth 230 mije vetë tregon gjithsesi qartë lëvizjen drejt qyteteve. Pra popullsia rurale zvogëlohet, kurse popullsia urbane rritet.

Të dhënat e Instat që iu referuam marrin parasysh vetëm dhjetë vitet e fundit. Po të shikohen statistikat e viteve nëntëdhjetë me siguri shifrat do të jenë dramatike, tamam prej eksodi: nga vendet rurale drejt qendrave urbane, ose jashtë shtetit.

Le t’i hedhim një sy të dhënave. Të marrim si shembull qarkun e Kukësit. Popullsia e përgjithshme më 2001-n ishte 111.018, nga të cilët 27.225 jetonin në zona urbane, kurse pjesa tjetër (83.793) jetonte në zona rurale. Dhjetë vjet më vonë situata, gjithnjë sipas Instat-it shqiptar, paraqitej kështu: popullsia e përgjithshme 83.276 vetë, në zonat urbane 28.376 banorë, kurse në zonat rurale 54.899. Përtej numrave të mërzitshëm, çfarë mund të vërejmë? Popullsia në qarkun e Kukësit ka pësuar rënie të përgjithshme, që në pamje të parë duket se ka ndodhur gjithkund, por në të vërtetë është verifikuar kryesisht në zonat rurale.

Nga Jugu po marrim si shembull qarkun e Korçës, pa ndonjë pretendim të veçantë krahasimor. Më 2001-n popullsia e përgjithshme ishte 265.284 persona, nga të cilët 96.927 jetonin në zona urbane, kurse 168.358 banonin në zona rurale. Po pas dhjetë vjetësh si paraqitej situata në qarkun e Korçës? Sipas Instat-it shqiptar, më 2013-n popullsia e përgjithshme ishte 216.429 vetë, në zonat urbane 84.002 banorë, kurse në zonat rurale 132.427.

Çfarë del nga ballafaqimi midis qarkut të Kukësit e atij të Korçës? Ngjasojnë natyrisht në disa pika si p.sh. në uljen e popullsisë së përgjithshme, ose rënien e popullsisë në zonat rurale; por ndryshojnë në popullsinë urbane. Ndërsa popullsia urbane në qarkun e Kukësit është rritur, edhe pse me shifra në pamje të parë modeste (rreth 4,2%), në qarkun e Korçës popullsia është ulur me masën rreth 13,3%. Lidhur me popullsinë rurale shohim se në Kukës është ulur me 34,5%, kurse në Korçë me 27%.

Është e vështirë të nxjerrësh përfundime me këto shifra, aq më shumë në kuadrin e mosbesimit të përgjithshëm ndaj rezultateve statistikore, mungesave të të dhënave dhe vështirësive metodologjike. Megjithatë, si prirje të padiskutueshme mund të shohim largimin e njerëzve nga zonat rurale drejt zonave urbane. Popullsia e këtyre të fundit nuk rritet kudo, ndoshta për shkak të emigracionit drejt vendeve të tjera, ose drejt kryeqytetit. Tani, meqë Shqipëria kishte përqindje të papërballueshme midis banorëve në qytet e në fshat, është afërmendsh se fshatarët do të kalonin në qytet, si kudo në botë. Porse, nuk duhet harruar, ekonomia e qytetit ka pësuar një ndryshim të thellë pas kalimit në sistemin e ri.

Mirëpo, këto zhvendosje biblike brenda e jashtë Shqipërisë kanë ndodhur pa politika konkrete përshoqëruese. E nuk flas për një qeveri apo një tjetër, për një kryetar bashkie apo një tjetër. Përshtypja është se lëvizjet demografike më shumë ndiqen se sa paraprihen, ose më shumë pësohen se sa shoqërohen me shërbime e masa të ndryshme. Ndërkohë, lëvizja duket fotokopje e asaj që ka ndodhur në vende të tjera gjatë periudhës së industrializimit, kur zonat urbane thithnin krahë pune nga zonat rurale, sepse fabrikat kishin nevojë të ngutshme për punëtorë; ose në vendet që kanë ndërruar sistem politik, duke lejuar lëvizjen e lirë të popullsisë. Në këtë drejtim, sidomos po të kemi parasysh dukurinë e mbipopullimit, migracioni mund të konsiderohet jo vetëm i natyrshëm, por edhe i nevojshëm.

Po në rastin e moszhvillimit, të krizës, ose të stanjacionit ekonomik, përballë lëvizjeve demografike spontane, duhet të rrimë duarkryq? Nëse është e vërtetë që në demokraci njeriu është i lirë të lëvizë sipas dëshirës, është e vërtetë vallë që nuk duhet t’i shoqërojmë lëvizjet demografike me politika që ta ndihmojnë zhvillimin e ekonomisë si në vendet nga ku nisen migrantët, ashtu edhe në vendet e mbërritjes? Lëvizjet demografike lypin një sërë shërbimesh në favor të migrantëve, të ikurve ose të ardhurve. E kërkon, së pari, dinjiteti i tyre si njerëz. Sikurse e kërkon dinjiteti i atyre që jetojnë në vendet e mbërritjes dhe cilësia e jetës në bashkëjetesë.

Mirëpo çka thamë më sipër shërben vetëm si parathënie për një shqetësim që hë për hë nuk e ngacmon sa duhet opinionin publik shqiptar. E kam fjalën për shpopullimin. Ngaqë kryeqyteti shpeshherë na e monopolizon vëmendjen, ngaqë raporti midis banorëve në fshat me banorët në qytet ka qenë tradicionalisht i shpërpjestuar, ngaqë mungojnë sistematikisht të dhënat përkatëse, harrojmë se ka plot zona të Shqipërisë ku nuk ka dyndje, madje ato nuk shihen nga të rinjtë si vende ku mund ta ndërtojnë të ardhmen. Këtu duhet të përmendim patjetër çka nuk shihet nga të dhënat e mësipërme: zonat malore. Nëse popullsia rurale është ulur në përgjithësi, siç e vërtetuam me shifra, jam i sigurtë se ajo malore ka rënë në mënyrë katastrofike. E në rast se prirja do të vijojë e tillë, të njëjtin cilësor do të përdorim për pasojat socioekonomike.

Nga ana tjetër popullsia shqiptare nuk është e imunizuar nga plakja. Emigracioni i lartë dhe rënia e vazhdueshme e lindjeve të çon drejt asaj rruge. Mosha mesatare ka filluar të rritet. Mos janë vallë rrudhat e para të shoqërisë shqiptare?

Nuk ka komente

  1. Tek artikulli ketu me lart shkruhet:

    “Përbën temë tjetër hulumtimi, por nuk duhet harruar se emigracioni i jashtëm është i lidhur ngushtë me të brendshmin, sepse ndërveprojnë e kushtëzohen midis tyre.”

    Ketu me duket thelbi historik i ceshtjes: nese nuk do te kishim pasur eksode per jashte shtetit, nuk do te kishim pasur as dyndje te tilla brendaperbrenda vendit. Sidoqe te shihet migracioni i brendshem, ai eshte nje fenomen qe merr kuptim vetem ne kontekstin e hapjes se Shqiperise pas vitit ’90.

    Gjithsesi, shpeshhere tentohet te hidhet drite mbi gjera qe tashme kane ndodhur, zhvendosje qe jane bere fakt i kryer e qe ndoshta nuk mund te zhbehen me.

    Ndersa pak me poshte artikulli del ne nje teme me aktuale, nje perqasje rreth asaj se c’duhet bere sot, e jo thjesht se c’nuk duhej bere ne te kaluaren:

    “Nëse është e vërtetë që në demokraci njeriu është i lirë të lëvizë sipas dëshirës, është e vërtetë vallë që nuk duhet t’i shoqërojmë lëvizjet demografike me politika që ta ndihmojnë zhvillimin e ekonomisë si në vendet nga ku nisen migrantët, ashtu edhe në vendet e mbërritjes?”

    Pikerisht keto politika duhen kerkuar. Cilat jane zgjidhjet ndaj problemeve te levizjeve te popullates qe tani i kemi ne dere? Cfare ka ne programin e partive politike qe adreson keto halle? Cfare do beje konkretisht krahu opozitar qe ofron nje alternative ndaj asaj se c’eshte bere, apo nuk eshte bere, deri tani?

    Sigurisht se keto jane pyetje per te nxitur debatin pak me tej. Gjithsesi artikulli me lart nuk duket se shkon pertej parashtrimit te problemit, per te sugjeruar qofte edhe fillimin e ndonje pergjigje per pyetjet qe vete parashtron. E kuptoj kufizimin qe vjen nga natyra deri diku siperfaqesore e postimeve ne nje blog, por konkretisht cfare politikash mund te zbatohen per te menaxhuar mbipopullimin ne zonat urbane te Shqiperise sot? Ndonje ide konkrete?

    1. Kur flas për ndërveprim të emigracionit të brendshëm me atë të jashtëm, kam parasysh për shembull çështjen e shtëpisë. Shumë emigrantë jashtë shtetit, me prejardhje nga zona rurale ose nga qytete të ndryshme, i investojnë kursimet e tyre duke blerë shtëpi për familjen e tyre, shpeshherë në qytet e në kryeqytet. Një blerje e tillë “e detyron” familjen të zhvendoset në qytet, pra emigracioni i jashtëm nxit në mënyrë indirekte të brendshmin.
      Shpeshherë ndodh e kundërta. Qëndrimi në Tiranë shndërrohet në etapë drejt vendeve të tjera, sa për t’u fuqizuar ekonomikisht për të ndërmarrë hapin tjetër migrator.

      1. Ok, ju kuptova. Por desha po ashtu te ve ne dukje dimensionin kulturor te ketyre levizjeve, si te migracionit te brendshem ashtu edhe te emigracionit jashte. Kjo eshte deri diku ne vazhdim te ceshtjeve te ngritura ne shkrimin e Xha xhai-t “Te ardhur e te ikur”, ndonese une mendoj se lidhet, qofte edhe indirekt; me shkrimin tuaj ketu. Me lejoni ta shtjelloj pak kete teme.
        Sikurse ka nje vazhdimesi ekonomike mes dy llojeve te levizjes se popullates, brendaperbrenda territorit te republikes dhe jashte shtetit, sic ilustrohet dhe nga shembulli i “shtepise” qe keni dhene me siper, ashtu duket se ka edhe nje vazhdimesi morale e kulturore mes ketyre migrimeve. Shpesh shqetesimi ngrihet mbi problemin e ndertimeve pa leje dhe zaptimit masiv te tokave qe ndodhi kryesisht ne vitet ’90, ne nje kohe kaosi social e politik. Keto sigurisht se jane shkelje; shkelje te ligjit, qofte edhe kur ligj nuk kishte si ne ’97; por edhe shkelje te disa normave njerezore te pashkruara, pasi kur ti merr ne pronesi nje cope toke, edhe kur ajo s’eshte e askujt, pra eshte e shtetit, ti gjithsesi je duke marre ate qe s’eshte e jotja. Duket sikur ky fenomen ka qene nje nder “grushtet” e dhena moralit politik e shoqeror ne Shqiperine post-komuniste; dhe sigurisht qe qendron nje ankese e tille. Por, po ashtu, le te marrim ne konsiderate “shkeljet” e levizjeve te emigracionit, eksodet per jashte shtetit, te cilat, sic me duket mua, filluan reaksionin zinxhir te levizjeve. Ka qene shkelje e hapesires territoriale te vendeve fqinje levizja e mijera e mijera shqiptareve atje. Ndoshta atje ata nuk kane mundur te “zene toke”. Por kane “zene”, me ose pa dashjen e vendasve, vende pune, arsimi, mjete e kanale te mireqenies qe perndryshe do t’i kishin patur vendasit e atyre shteteve te huaja. Nje hulumtim interesant ne kete prizem do te ishte ky: cfare statistikash ka per emigracion te paligjshem dhe per emigrim te ligjshem ne keto dy dekada? Nuk e di pergjigjen e sakte, por ma merr mendja levizjet e paligjshme (them “te paligjshme” ne mungese te nje termi tjeter) qendrojne ne nje raport ku e ku me te madh se levizjet e ligjshme jashte shtetit, ne keto njezet e ca vjet.
        E pra, transformimet kulturore, perfshi dhe percudnimet e ligjit e moralit shoqeror, nuk duhen kerkuar vetem tek “te zbriturit” nga fshati ne qytet. Mendoj se nje faktor po aq i madh, ne mos me themelor, ne ndryshimin tone per mire e per keq si shoqeri ka patur emigracioni per jashte shtetit, qe ka qene fillesa e levizjeve masive te popullates ne vendin tone.

  2. Eshte e para here ne historine e Shqiperise qe popullsia urbane e kalon ate rurale ne raportin 53 me 47% duke marre keshtu tendencen qe kane vendet e zhvilluara. Tani migrimi i brendshem eshte ndaluar, ose eshte ne levizje te vogla jo masive sic ka qene ne fillim dhe ne kete kane ndikuar nje sere faktoresh, ku do permendja rruget e ndertuara, subvencionimi i fermerit shqiptar etj. Shikoni rastin e Kukesit qe eshte rritur ne banore si qytet dhe ndikim ka pasur pa diskutim rruga e re. Nje banor i nje fshati ne Kukes tani nuk shikon te vije ne Tirane me domosdo por zbret me afer, ne Kukes pasi Tiranen tani e kap ne me pak se dy ore dhe dikur behej ne nje rruge te keqe per 8 ore. E njejta gje mund te thuhet edhe per fshatrat ne jug te vendit qe tani kane rruge dhe ato prodhime qe bejne mund ti nxjerrin ne treg me kosto te ulet persa i perket transportit.

    Nuk ka asgje “biblike” ketu, ndoshta biblike jane vetem emigrimet ne trajta arratisjeje ne 90-91 per jashte Shqiperise dhe pas vitit 97 deri nga viti 03 por jo migrimet e brendshme. Migrimi i brendshem ka qene dicka normale megjithese shpesh kaotik per shkak se kishim nderrim sistemesh politiko-shoqerore, institucione ne ndertim e siper kshu qe shoqeruar me dobesine e pashmangshme ne ato fillime, problem me autoritetin e shtetit si ne 97 kur u kall flake gjithe ngrehina e shtetit etj.

    Problem mbetet planifikimi urban dhe kontrolli i territorit ne qytete si Tirana dhe qe eshte kopjuar edhe nga qytete si Vlora, Durresi etj. ku deri tani eshte ecur pa plan, pa nje orientim, pa nje objektiv, pa nje llogaritje, thjesht nderto ku te mundesh me leje dhe shume here edhe pa leje.

    Ka qene rruge e gjate per tu futur ne hullite e nje vendi qe rrit standardet per qytetaret e tij dhe qe njerezit te kene mundesi te perpiqen per lumturine e tyre, por me bilanc pozitiv.

    1. Nuk besoj se migrimi është ndalur. Në rastin më të mirë kemi të bëjmë me ngadalësim të procesit. E tregojnë edhe të dhënat. Përveç arsyeve të mësipërme, ku ndërtimi i rrugëve ka rolin e vet të posaçëm, duhet të përmendim edhe paaftësinë e thithjes nga ana e qendrave urbane ku, siç dihet, nuk është se kanë lulëzuar fabrika e kombinate. Tani që edhe sektori i ndërtimeve ka hyrë në krizë, zonat urbane nuk tërheqin si dikur. Në pamundësi për të gjetur vende pune, për të jetuar më mirë, shumë shqiptarë parapëlqejnë të mos e marrin rrugën e migrimit. Ndoshta e shtyjnë për një moment më të përtshtatshëm.

      Sa për migrimin e shqiptarëve, brenda e jashtë vendit, mua më vjen natyrshëm ta përdor mbiemrin “biblik”. Numrat atë tregojnë. Janë të pakundërshtueshëm. Sidomos po të mendosh për harkun kohor në të cilën ndodhi.

      1. Perderisa ti merr me rezerva per te mos thene qe nuk i beson edhe statistikat zyrtare, atehere ti nuk beson asgje. Migrimi i brendshem eshte ndaluar dhe kete ta konfirmojne shifrat bie fjala te qyteteve si Kamza. Ka ikur koha kur nje banor ne nje fshat te larget blinte nje cope toke diku ne periferi te Tiranes apo Durresit, jetonte ne nje barake per disa kohe deri kur arrinte te ndertonte nje shtepi. Sot levizin ne mase te vogel kryesisht ata qe kane mundesi financiare.

        Kombinatet e bukura te partise qe ty te pelqejne aq shume nuk jane, por ekonomia shqiptare, me shifra te konfirmuara, ka levizuar si ne aktivitetin prodhues si ne ate te sherbimeve. Numeri i bizneseve te mdha, te mesme dhe te vogla eshte shtuar. Industria fason per te permendur dicka, puneson masivisht grate e vajzat nga te ardhurit e ketyre viteve.

        S’eshte ndonje turp te pranosh ate qe eshte bere o Pishak. Mos u paralizo intelktualisht ne kete menyre. Shoh qe ke nje bllokim te pergjithshem, shkruan per te mos thene asgje, tjerr gjera te njohura pa marre nje qendrim. Kjo vjen per dy arsye, ose eshte e ngulitur fort metoda e sistemit komunist ku tirrej lesh ne gazeta pa thene asgje e pa marre qendrim (se pastaj duhet ta mbrosh me argumenta) ose nuk do te prishesh qejf e vije partie. Nese do mendimin tim, jane pak nga te dyja.

        1. Po përpiqem të arsyetoj qetësisht, larg fushatës elektorale shqiptare, e cila ka mjerimin se vazhdon në Shqipëri për katër vjet rresht dhe jo një muaj e gjysmë. Kjo nuk i bën mirë askujt, sidomos diskutimit e rrahjes së mendimeve.

          Nejse. Mënyrat e migrimit kanë ndryshuar këta njëzet vjetët e fundit. Si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Por kjo nuk do të thotë se lëvizjet janë NDALUR. Hallet e migrimit nuk mund t’i faturohen vetëm një partie, por të gjithë politikës shqiptare, sepse migrimi kaotik e pa shërbime ka vazhduar si fenomen gjatë periudhave të ndryshme. Kjo besoj se mund t’i qetësojë militantët e verbër të të dyja palëve. Por kjo s’më ndalon mua të rrekem të nxjerr disa problematika që mua më duken shqetësuese.

          Statistikave shqiptare unë u besoj me rezerva. Për këtë temë kemi diskutuar gjatë në blog. Por kur statistikat quhen “zyrtare” nuk është se marrin bekimin e hyjnisë e bëhen më të besueshme. Mund të jetë e kundërta. Megjithatë, të gjitha statistikat, zyrtare ose jo zyrtare, të besueshme apo të pabesueshme, thonë se popullsia në zonat rurale po ulet, edhe gjatë viteve të fundit. Unë i citova me kujdes të dhënat e Instat-it shqiptar.

          Migrimi i brendshëm, pra nga fshati në qytet, do të kishte qenë më i madh sikur qyteti të kishte përjetuar një zhvillim të atillë si industrializimi i disa vendeve perëndimore pasluftës, ose si vetë Shqipëria në atë kohë, pavarësisht se karakteristikat ishin të ndryshme. Nuk kam asnjë dashuri ideologjike me fabrikat e kombinatet e dikusrshme, ishte një referim ironik, për të treguar se qytetet shqiptare, megjithë përparimet e padiskutueshme në dy dhjetëvjeçarët e fundit, nuk kanë pasur mundësi të madhe të thithin krahë pune. Sikur të kisha pasur shifra të sakta të papunësisë, jo ato që qëllohen nga zyrat partiake, do t’i kisha dhënë.

          Kur unë shkruaj, nuk nisem nga premisat për të mbajtur qëndrim ndaj njërës ose tjetrës palë, as për të lavdëruar “arritjet” përkatëse. Mendoj se kur flitet për disa tema madhore, jemi të gjithë një palë. Pozicionin tim e shpreha duke nënvizuar një shqetësim qytetar, që e shpreha në dy paragrafët e fundit të shkrimit. Pjesa e parë ishte si premisë. E nuk më duket se tema si shpopullimi ose plakja janë tema që të bllokojnë intelektualisht…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin