STREHA E FUNDIT VIRTUALE

Na ishte njëherë një forum shqiptar diskutimesh online, i quajtur Alb-Club, i cili që prej themelimit në 1999 e ndoshta deri në fund të 2005 ishte më i ndriçuari, më i gjalli dhe më liberali i forumeve të shqiptarëve në Internet, ku u kultivuan fryma e lirisë së fjalës dhe dialogut dhe ku pjesëmarrësit u bënë të ndihen krejtësisht të lirë për të shprehur vetveten.

Alb-Club tani nuk funksionon më prej muajsh dhe, nga pikëpamja praktike, mund të quhet si i kallur në dhé. Varrosja e një institucioni dikur protagonist të Internetit shqiptar fton gjithnjë për reflektim, sidomos për t’iu përgjigjur pyetjes se çfarë e shkatërroi atë forum pikërisht, çfarë i shtyu njerëzit të largohen e të heshtin dhe nëse kolapsi i këtyre vatrave virtuale të komunikimit duhet konsideruar apo jo si dukuri e zakonshme në Internet.

Për mendimin tim, Alb-Clubin e shkatërroi kalcifikimi i mendimit, identifikimi i pjesëmarrësve me personazhet që kishin krijuar, dhe sidomos konformizmi sipas emëruesit më të vogël të përbashkët. Duket e natyrshme që një forum shqiptarësh, kryesisht të mërgatës, të anojë nga notat kombëtariste dhe atdhetariste; por në rastin e Alb-Clubit kombëtarizmi me kohë u kthye në ideologji asfiksuese, dhe çdo kundërvënie ndaj katekizmit kombëtarist folkloristik që qarkullon në diasporën shqiptare, do të damkosej vetvetiu si antikombëtare dhe do të dënohej, ndonjëherë njëzëri.

Kombëtarizmin e kanë quajtur streha e fundit e maskarenjve – dhe me shumë të drejtë. Si pjesëmarrës nga më aktivët në Alb-Club, kam përshtypjen se e keqja fatale që e pllakosi këtë forum nuk ka të bënte me dashurinë dhe përkushtimin për Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare; por vjen nga konformizmi i shumë zërave të Internetit shqiptar, të cilët thjesht e kanë shfrytëzuar dhe e shfrytëzojnë kombëtarizmin për të goditur të gjitha ato mendime, refleksione dhe autorë që ua vënë në krizë bindjet, siguritë e tyre të vogla, sistemimin in extremis që i kanë bërë botës së tyre, komplekset që kanë zhvilluar për të përligjur dështimin e tyre dhe sidomos të filozofisë së tyre në luftën për ekzistencë dhe për afirmim.

Askujt nuk mund t’i kërkohet të provojë se e do atdheun, popullin dhe kulturën e vet. Po ashtu, të thuash se je kombëtarist dhe nuk të ze gjumi natën për fatet e shqiptarëve, nuk do të thotë se je vërtet kombëtarist dhe nuk të ze gjumi natën për fatet e shqiptarëve. Fare mirë mund të jesh gënjeshtar, hipokrit ose i marrë.

Alb-Clubi shkëlqeu si forum diskutimesh, dialogu dhe shkëmbimi informacionesh mes shqiptarëve; jo si parti politike, as si shoqatë atdhetarësh në mërgim, as si shkollë luftëtarësh të lirisë. Megjithatë, një grup i madh njerëzish që mblidhen bashkë, qoftë edhe virtualisht, për të shkëmbyer mendime dhe për të ndarë shqetësimet e tyre për Shqipërinë, shqiptarët dhe kulturën shqiptare herët a vonë fitojnë edhe një ndjesi të bashkësisë dhe fillojnë të besojnë se i lidh mes tyre diçka më tepër sesa dëshira për të komunikuar. Integrimi i grupit bazohet në këtë farë iluzioni dhe mishërohet sipas parimit të emëruesit më të vogël të përbashkët; me kalimin e kohës, grupi ashtu i përftuar fillon të identifikohet duke përjashtuar antikonformistët, ose të gjithë ata që ia vënë në krizë integritetin. Në rastin e Alb-Clubit, çka nisi si një tryezë dialogu dhe shkëmbimesh të pasura intelektuale, përfundoi në një kult të meskinitetit mendor, ku origjinaliteti dhe shpirti hulumtues gjithnjë do të gjykoheshin dhe, sipas rastit dënoheshin, në përqasje me dekalogun atdhetarist të kultit.

Kultura shqiptare e komunikimit është kulturë e re, e një populli të vogël, të mbetur për shumë kohë jashtë shkëmbimeve të mëdha emancipuese të informacionit dhe të dijes në Europë. Si shoqëri, shqiptarët janë formuar kryesisht nëpërmjet integrimit të komuniteteve fshatare, të mbizotëruara nga konformizmi, konservatorizmi, frika ndaj së huajës (ksenofobia), nënshtrimi ndaj të fortit, besnikëria brenda komunitetit dhe, mbi të gjitha, autoritarizmi, në rrafshin social dhe psikologjik. Të gjitha këto tipare vijojnë të karakterizojnë komunikimin edhe brenda komuniteteve të sotme shqiptare, reale ose virtuale qofshin – jetën politike, parlamentin, marrëdhëniet midis institucioneve, jetën e partive, jetën kulturore, debatet madhore. Kombëtarizmi, në format me të cilat ekziston dhe riprodhohet sot e kësaj dite brenda shoqërisë shqiptare, është edhe ai produkt i kësaj kulture konservatore dhe autoritariste, e cila në thelb i druhet lirisë – së mendimit, të fjalës, të individit; dhe si i tillë luan të njëjtin rol ruajtës si feja në shoqërinë europiane në Mesjetë.

Dashuria për atdheun, popullin, gjuhën, kombin dhe kulturën tënde është virtyt; prandaj problemi me kombëtarizmin e sotëm, në trajtat që ia sheh të ketë marrë kudo, ka të bëjë më tepër me rolin që po kërkon të luajë, si qen roje i statu quo-së intelektuale, pikërisht në një kohë kur shqiptarëve u duhet një përpjekje vërtet e jashtëzakonshme për t’u emancipuar si shoqëri, nëse duan të mbijetojnë kulturalisht në një botë që po shkon duke u globalizuar.

Mendimi ynë kombëtar është ende i papërpunuar; çka ofron Rilindja janë vetëm embrione projektesh romantike e të vjershëruara, dëshira të sistemuara në trajta programesh, ngrehina të cilat shpesh mbahen në këmbë vetëm e vetëm nga bindja e idealizuar e virtytit të vetvetishëm të shqiptarit. Faza e mendimit kritik, që filloi të kultivohej gjatë viteve të mbretërisë së Zogut, zgjati shumë pak, për të lënë gjurmë të trashëgueshme në kulturën kombëtare; në një kohë që gjysmë shekulli totalitarizëm e gjymtuan kulturën shqiptare aq rëndë, sa ende nuk është e sigurt nëse do të rimëkëmbet dot. Për këtë arsye, çdo model autoritarist dhe konformist që kërkon t’i imponohet kësaj kulture është vetvetiu asfiksues, sepse i kërkon të ruajë vlera të paqena, fiktive, produkte dëshirash fëminore ose skizofrenike; në një kohë që çka lypet urgjentisht është krijimi i vlerave të reja, në të gjitha fushat dhe aspektet, dhe nëpërmjet dialogut, debatit dhe konfrontimit gjithëpërfshirës.

Pas perëndimit të Alb-Clubit, u duk sikur Peshku pa Ujë – i cili funksionon sipas një formati tjetër, më të përshtatshëm për komunikim – do t’ia ruante frymën dhe do t’ia çonte përpara traditën e dialogut të hapur intelektual, jashtë skemave politike dhe, sidomos, larg fortifikimeve konformiste kombëtariste ose tjetërlloj. Për fat të keq, kam përshtypjen se edhe Peshku pa Ujë ka hyrë tashmë në një fazë të re, ku pozicionimi kombëtarist ekstrem dhe refuzimi brutal i mendimit antikonformist po vijnë duke u konsoliduar, në dëm të krijimtarisë intelektuale dhe dialogut të lirshëm.

Rezultat i menjëhershëm i këtij kalcifikimi është zbehja e debatit, sipas të njëjtit mekanizëm pervers që çoi në shpërbërjen e Alb-Clubit – sa kohë që vendin e kuriozitetit intelektual dhe guximit të shprehjes së lirë e ka zënë fryma verifikuese, gjykuese, përçmuese dhe poshtëruese, e mbështetur në kriterin absolut të kombëtarizmit. Pozicionimet populiste shpesh primitive bëhen edhe më absurde, po të kihet parasysh se e shumta e kontributorëve të rregullt të atij forumi janë njerëz me formim intelektual bashkëkohor, të diplomuar në universitetet më të mira të Perëndimit e që jetojnë të zhytur në kulturën më të ndriçuar që ka parë ndonjëherë historia – atë Perëndimoren.

E megjithatë, një vështrim i shpejtë i temave të trajtuara dhe sidomos i frymës ose patosit të diskutimeve mjafton për të parë njëpolarizimin e mendimit dhe sidomos shndërrimin e forumit nga tryezë e rrumbullakët në juri vleftësuese, me atribute kualifikuese morale të shkallës më të lartë. Praktikisht, Peshku pa Ujë tani është marrë peng nga një klikë llafazanësh të pasionuar, të cilët nuk kanë asnjë interes ndaj dialogut dhe shkëmbimit të mendimeve, por kërkojnë vetëm të konfirmojnë vlerat e identitetit të tyre vetjak, nëpërmjet përjashtimit të mendimit ndryshe. Me fjalë të tjera, edhe Alb-Clubi dje, edhe Peshku pa Ujë sot u asfiksuan nga e njëjta formë intolerante, populiste dhe arrogante e kombëtarizmit, e cila e identifikon dhe e disiplinon grupin duke ia përjashtuar elementin antikonformist, kryesisht nëpërmjet dhunës verbale. Kjo ka bërë edhe që, në përsëritje të çka ndodhi dy-tre vjet më parë me Alb-Clubin, një pjesë e madhe e kontribuesve më të vyer të Peshkut pa Ujë largohen që andej, të neveritur ose ngaqë ndihen … si peshku pa ujë.

Paradoksalisht, rezultati kryesor i histerisë konformiste të kombëtaristëve në forumet është kolapsi i forumeve vetë, ose shndërrimi i diskutimeve në teatër komik përbetimesh se kush e do më shumë atdheun, kush thërret më fort për bashkim kombëtar, kush çirret më shumë kundër grekëve, kush e don më fort Kosovën, kush e tund më bujshëm flamurin kuqezi, kush e këndon më bukur himnin kombëtar – ose në një liturgji mjerane të kombëtarizmit si fé surrogato. Çka del e dëmtuar në këtë mes është vetë kultura shqiptare, e cila nuk ka nevojë për këto angullima, por për krijimtari, mendim intelektual, dialog dhe debat në të gjithë spektrin.

A ka mundësi që të ndalet kjo prirje dhe të mos lejohet, bie fjala, që Peshku pa Ujë të pësojë të njëjtin kolaps si Alb-Clubi para tij? Për mendimin tim, e vetmja rrugë për të parandaluar kolapsin është që të gjithë përdoruesit (lexuesit) e rregullt të forumeve të ngrenë zërin dhe t’i kundërshtojnë haptazi e me forcë orvatjet për t’i shndërruar diskutimet në gjyqe popullore dhe populiste ose për të vënë me shpatulla pas muri antikonformistët, ose siç njihen ndryshe, “antishqiptarët”. Në kontekstin e komuniteteve shqiptare virtuale sot, nuk ka antishqiptarë më të mëdhenj sesa këta të vetëshpallur vigilantes kombëtaristë, sepse janë këta që, me hipokrizinë e tyre dhe me komplekset e tyre psikologjike, çojnë detyrimisht në kolapsin e komuniteteve që duan të ruajnë, riprodhojnë dhe disiplinojnë me hir a me pahir.

Higjienizimi i komuniteteve, ose pastrimi i tyre nga parazitët, do të kryhet edhe ai, detyrimisht, nëpërmjet dialogut. 

19 Komente

  1. Eh mer Xhaxha!

    Nuk e di nëse rreziku që mund t’i kanoset peshkut vjen nga llafazanët apo nga ata që nuk marrin pjesë në diskutime.

    Kritika si kjo e jotja, kanë bërë dhe Klosi e Tufa ndaj diskutimeve të peshkut, por asnjëherë nuk kanë ardhur, me gjakftohtësi dhe me integritet intelektual të paraqisin dhe të diskutojnë argumentet e tyre. Nuk është ndoshta kjo mungesë kuroajoje(ose indiferentizëm i tyre për të mos thënë mëndjemadhësi) që i bën llafazanët që të kujtojnë gjithnjë e më tepër se kanë të drejtë?

    Keni të drejtë që të na cilësoni si ata budallenjtë që hidhen të nxjerrin gurin që një i marrë (apo i mënçur) hedh në lumë, por mos na i nxirr kaq të përsosur dhe pa të meta e të pafajshëm ata që hedhin gurin.

    Ju thoni:

    rezultati kryesor i histerisë konformiste të kombëtaristëve në forumet është kolapsi i forumeve vetë

    Atëhere në këtë rast, jepni edhe spjegimin se pse u kall në dhe AlbClubi, por ndryshe nga AlbClubi, peshqit gjejnë kohë dhe për diskutime të tjera të ndryshme nga ajo që ju kishte mbyllur sytë tek AlbClubi… në këtë mizëri komentuesish gjen përzjerje nga më të ndryshmet të bindjeve politike, shijeve artistike, fetare, seksuale, nacionaliste etj etj, që sado të shikosh të vënat majë më majë në ndonjë diskutim të veçantë, të njëjtët persona mund t’i shikosh duke qeshur tek një temë tjetër… Ndoshta nuk egziston aq mëndjemadhësi tek llafazanët e peshkut që të pretendojnë se i dinë të gjitha.

    P.s: Kur u diskutua Klosi, nuk mbaj mënd që ndokush të jetë ngritur dhe ta ketë cilësuar tradhëtar i kombit… nëse Klosi jepte opinionin e tij, ç’dokush prej nesh thoshte të tijën… nëse për ishAlbClubsat këto diskutime duhet të vishen patjetër me një petk të caktuar… atëhere vërtet që mirë i është bërë AlbClubit.

    1. Edrus, kanceri i forumeve i ka rrënjët ne konformizëm. Për forumet e shqiptarëve, konformizmi logjikisht do të shprehet në trajta kombëtariste, sepse kombëtarizmi është emëruesi më i vogël i përbashkët atje. Megjithatë, konformizmi është njëlloj i neveritshëm edhe kur shfaqet në trajta të tjera – p.sh. në diskutimin e fundit për ekspeditat ndëshkimore të Izraelit në Gaza.

  2. Alb clubin se njoh fare, peshku pa uje eshte kenete neokomunistesh, nderkaq ne forumet e tjera ka renie per shume arsye.
    Arsyeja kryesore, meqe vete kam qene per ca kohe administrator nen le te themi pronarin, por mund ta thote edhe Julius qe ka qene ne nje forum tjeter ne te njejten ‘pozite’ apo te tjere ketu qe kane qene neper stafe te ndryshme, eshte grupazhi i nje pjese te stafit apo vete pronarit me nje pjese te anetareve, anetaret e vjeter, te cilet behen pengese per integrimin e te rinjve, flasin me njeri-tjetrin, snobojne te rinjte, i sulmojne sapo shikojne nje karakter te forte etj, apo keta te vjeter shkaterrojne temat me kunja ndaj njeri-tjetrit.

    Kombetarizmi eshte arsye anesore, ne disa forume ka bere kerdine islamizmi, si zeri yt, fsh,net , diskutime.com etj.

    Meqe ra llafi edhe ketu vihen re simptomat e snobimit te te rinjve prej te vjeterve, kunjat e te vjeterve me njeri-tjetrin e ndonje gje tjeter qe spo e them.

    Njerezia harron qe statusi forumor eshte i levizshem , kerkon shume energji, nuk eshte si ai i jetes reale e nuk mund te praktikohet, ketu ne internet ‘mosha e pleqerise’ vjen pas 12-18 muajsh, prandaj duhet hapur krahu.

    Nga ana tjeter te mos harrojme qe debatet kryesore te publikes shqiptare ndryshojne shume nga ato te perendimit. Ne kemi problematika te ndryshme nga perendimi.
    Ne Itali nuk gjen as edhe nje debat qe ka te beje me identitetin e tyre, me bashkimin kombetar, me futjen ne Europe, me kercenimin e ‘epirit te veriut’ italian nga ‘greket’, rritjen e fanatizmit islamik nga vendasit, cmitizime absurde etj, nderkaq keto jane problemet kryesore me te cilat perballet shoqeria shqiptare.
    Keto probleme kane me shume postime edhe tek ky blog, ndjellin me shume interes.

    Normale qe ne nje situate te tille, do krijohen 2 pole, e njera prej tyre detyrimisht do fitoje.
    Shoqeria shqiptare duhet ta kuptoje njehere e mire, se nuk ka normalitet pa u zgjidhur ceshtja kombetare, se ajo ceshtje kombetare do na mbaje jashte Europes(do futet serbi para nesh edhe pse avionet italiane e franceze bombarduan Serbine vec 9 vjet me pare), ajo ceshtje do e beje grekun te na vere shkopinj ne rrota e Rusine te hahet me Ameriken e ti njohe pavaresine minivendeve me emer te panjohur e te tmerrshem si Abkhazia, me justifikimin e pavaresise se Kosoves etj etj.

    Harxhuam vitet e fundit te shek 20 duke luftuar kunder Serbise se Madhe, tani do harxhojme shek 21 duke ndaluar perpjekjet per nje Shqiperi te Madhe- tha nje diplomat perendimor.

    E vertete,por persa kohe qe dinjiteti i nje kombi ngelet i shkelur me te dyja kembet, nuk duhet te cuditet askush qe ky komb pretendon dinjitetin e vet.
    Gjithsesi me mire maskarenj shqiptare se shqipfoles te mire.

    Fjala e lire eshte tager e atyre qe perpiqen per te miren e bashkesise, pavaresisht rrugeve te ndryshme, nuk eshte tager e kujtdo anetari te bashkesise, nuk eshte e drejte hyjnore, eshte e drejte qe jepet nga morali i bashkesise.

  3. xha xha, se pari te uroj gezuar vitin e ri. Une nuk jam ndonje “pjesemarres” aktiv neper forume, por me pelqeu shume ky shkrim. Eshte momenti (per te mos thene qe ka kaluar) qe te krijohen ca vlera te reja ndryshe nga ato qe ju flisni. Une e klasifikoj veten tek athetaret dhe me dhemb shpirti gjithmone kur preket atdheu yne, por nuk jam dakort absolutisht me menyren se si e mbrojne disa.
    Kjo qe nje nga arsyet pse me pelqeu shkrimi yt.
    Ju uroj te gjithe pjesemarresve ne kete forum gezuar 2009 dhe nje vit me prosperitet edhe per ceshtejet ( se nuk kemi vetem nje) kombetare.

  4. Disa vende ne bote jane te varfera sepse kane nevoje per investime te medha ne drejtim te shkolles,rrjetit elektrik,transportit,bujqesise,blegtorise….Nese ne shikojme harten e prodhimeve qe eksportojne keto vend te varfera dhe ta krahasojme me ate te vendeve te pasura,vendet e pasura kane nje shumellojshemri produktesh,ndersa ekonomia e te varferve eshte perqendruar ne prodhimin e pak gjerave ose te nje sektori te vetem.
    Studimet e ekonomisteve tregojne se nderlikueshmeria e ekonomise dhe ndryshueshmeria e prodhimit sjell mireqenien.
    Ne vendet e varfera,miliona njerez jane nen nivelin e varferise.Ne keto vende verehet njekohesisht nje ‘pabarazi” strukturore-si sistemi i ‘kastave’ dhe korrupsioni politik-qe pengojne zhvillimin.
    Komunikimi dhe teknologjia jane ne themel te zhvillimit ekonomik te çfaredo lloj shoqerie,ku pjese e saj eshte dhe interneti,sistemi modern e masiv i komunikimit.
    POR NEVOJITTET TE NISEMI NGA QELLIMI KRYESOR QE KETO INSTRUMENTA DUHET TE BASHKOJNE DHE JO TE NDAJNE E PERCAJNE POPULLIN.Kur vjen puna tek atdheu mendoj se nuk ka opcion demokratik,ta nderosh ose perbaltesh ate.
    Shume intelektuale shqiptare harxhojne energji te kota si ky i mesipermi,i cili niset nga e njejta llogore e ‘kombitarizmit’,por me emer te ndryshem ‘antikombitarizemi’.
    Energjite duhet te harxhohen ne tema te tilla;’sesa qeveria shqiptare impenjohet ne investimet,sesa qeveria shqiptare imponjohet per te dhena bursa studimi’ per te formuar ekspertet e rinj te drejtimeve qe i kerkon zhvillimi.Kjo eshte bile politika “kombetare” e gjiganteve te komunikacionit te sotem si Alcatel,Cisco me vendet e varfera.Cisco u jep vendeve afrikane 30 bursa studimi,prej 30 mije dollare sejcila,per te teknike dhe inxhiniere,te cilet do te kene per detyre qe pas studimeve te kthehen ne vendet e tyre per te zhvilluar dhe zbatuar struktura dixhitale te avancuara.Kete e bente Zogu,kete e bente Enver Hoxha.Kjo nuk eshte kombitarizem.Kjo eshte domosdoshemri objektive e zhvillimit.Nuk eshte normale qe keta “antikombetaristet” sulmojne cdo drejtim te tille,Kujtoni vetem fabrikat e çimentose te Fatos Lubonjes ose Vloren e Adrian Klosit.Nuk eshte normale qe keta ‘antikombetaristet’ nuk harxhojne energjite e tyre me korrupsionin i cili ka emra konkrete,me monopolizimin ekonomike,i cili ka emra konkrete,me deformimin e medias,e cila ka emra konkrete,me deformimin e sistemit arsimor,i cili ka emra konkrete,me deformimin e tere sistemit korporativ shqiptar…etj.Keto jane kombitarizmi i vertete dhe jo ngritja e topit kunder te pademshmve “atdhedashes” te cilet me shume jane jashte Shqiperise dhe nuk kane interesa te lidhura as me pushtetin,as me popullin dhe as me ‘antikombitaristet’.Atyre thjesht u vjen inat me bashkombesat e vete,shkaterrues ne vertikalitet e horizontalitete. U vjen inat kur sulmohet çdo iniciative investuese e brendshme dhe e jashtme.
    I vjen plasja me ata (qe quajne veten elite e ketij kombi) qe nuk merren me folete e verteta qe jane fillim-fundi i maskarenjve por merren me boshlleqet e “kombitarizmit” te vetvetes se tyre.Pse ndoshta ndodh keshtu?Mos valle jane korruptuar dhe te fundit mbrojtes gjithmonesisht te pamvarur te lirise,shkruesit?

  5. Ke të drejtë Xha Xha. Kjo rrymë vihet re kollaj, dhe është vështirë të mposhtet pasi edhe ata që janë më të hapur për të biseduar e kanë të vështirë të vihen në krah me ata që s’duken sikur janë “kombtaristë.” Çdo debat rritet në shkallë duke thënë diçka të tipit “po jam dakord në parim, por në praktikë duhet të jemi të gjithë të bashkuar, nuk shikon se ç’bën serbi e greku, si mund të mbijetojmë nëse zihemi me njëri tjetrin?” Kjo i ve vulën debatit dhe ata që kanë mendime të ndryshme tërhiqen sa të rrijnë e të merrem me kombëtaristët. Po të ishte ky lloj debati aq i mirë për kombin, do kishim dalë fitimtarët e botës.
    A nuk na ka mjaftuar deri tani?
    A nuk e kemi parë të dështojë si eksperiment ky lloj debati?
    Çfarë kemi fituar nga ky kombëtarizm?
    Çfarë kemi humbur?
    Deri sa duhet të presim për një debat të hapur?

  6. Une alb-clubin vetem me te degjuar e kam sepse nuk kam marre pjese ndonjehere ne diskutime atje dhe nuk e njoh kulturen e diskutimit te krijuar atje. Prandaj edhe mendimet qe do te hedh ne kete koment mund te mos jene shume afer realitetit.

    Sidoqofte per mua renia e alb-clubit eshte i ngjashem me ate te tjere forumeve interneti dhe nuk lidhet dhe aq me kombetarizimin e forumit por eshte fenomen me i pergjithshem. Per mendimin tim cikli i jetes se nje forumi ekskluzivisht online nuk i kalon 5-6 vjetet. Kjo nga njera ane sepse ne momentin qe nje forum behet masiv atehere ai nuk mund te ruaje me kulturen fillestare te krijuar nga baza besnike e perdoruesve. Nga ana tjeter lidhjet sociale online nuk jane te qendrueshme nese ato nuk mbeshteten nga lidhjet ne jeten reale. Pra lidhjet qe krijohen e mbahen vetem online jane te thjeshta per tu braktisur e ndryshuar. Forumet online per te mbijetuar me shume se nje gjysem dekade duhet te mbeshtesin perdoruesit ne mbajtjen apo krijimin e lidhjeve reale dhe jo te jene ekskluzivisht virtuale.

    Gjithashtu, nese nje faqe ka me te vertete per qellim te masivizohet, pra mos ti sherbeje vetem nje grupi shume te caktuar atehere ajo duhet te funksionoje ne formen e nje platforme qe lejon njekohesisht ngritjen dhe renien e grupeve apo kulturave te ndryshme e te vecanta pergjate kohes. Ketu eshte dhe gabimi i peshkut pa uje tek i cili une kam diskutuar me pare sporadikisht dhe e njoh disi. Atje nuk ka mundesi ndarje e vecimi social. Per cdo artikull duhet te argumentosh te njejtat gjera me kombetaristet, titistet, kucet e macet. Megjithese perplasja e mendimeve me grupe qe mendojne (shuuuuume :)) ndryshe eshte ne pergjithesi i dobishem ai eshte i demshem nese nuk te lejon ndarjen e qetesine brenda nje grupi me te cilin mund te identifikohesh. Perplasjet me ata qe mendojne shume ndryshe duhet te jene sporadike apo ciklike por jo te perditeshme. Cdo forum qe nuk e kupton dhe mundeson terheqjen e perdoruesve brenda zonave te tyre kultures eshte i destinuar te bjere pikerisht sepse konformizohet, sepse aty nuk lejon me hapesira me te cilat perdoruesit mund te identifikohen. Pra keto lloje forumesh behen padashur pre e suksesit te tyre.

    Keto probleme forcohen ne rastin shqiptar nese kemi parasysh qe aktualisht perdoruesit shqiptare te internetit jetojne pergjithesisht ne diaspore te ndare nga njeri tjetri prej mijera kilometrave e me pak shanse per te krijuar lidhje sociale reale te cilat do ta ruanin komunitetin virtual nga shperberja.

    Platformat e diskutimeve duhet te jene me afer jetes reale Kjo pasi ne jeten reale ne jemi te ndare e pergjithesisht te izoluar ne bashkeveprimin e perditshem social. Ne kemi te bejme ne pjesen derrmuese te rasteve me njerez me te cilet ne merremi vesh e ndajme disa vlera e mendime te perbashketa. Sporadikisht, le te themi ne 10% te rasteve ndeshim ne njerez me kulture e vlera te tjera me te cilet perplasemi apo shkembejme ide e vlera. Pikerisht kete duhet te lejojne edhe platformat virtuale te diskutimit.

    Pra sado paradoksale te duket si mendim per mua eshte mundesia e segregimit, e terheqjes brenda qetesise se grupit tend zgjidhja ndaj problemeve aktuale te forumeve shqiptare.

    p.s. gezuar vitin e ri xhaxha dhe pergezime per punen e madhe qe ben e shkrimet me vlere qe na dhuron bashke me koleget thuajse perdite.

  7. Mua më duket se ekzagjerohet pak kjo puna e “kombëtarizmit” në klubet virtuale.
    Klubet virtuale, sikurse edhe ato “me tulla dhe me llaç” e kanë një jetë të tyren: lindin, lulëzojnë dhe mbarojnë një ditë.
    Ky është një proces fare i natyrshëm, dhe aspak rrjedhojë e njëfarë fryme të konformizmit, cenzurës, “antiglobalizmit” siç e quan Berisha, apo miteve kombëtariste të shqiptarëve.
    Aq më tepër kur sot, më shumë se kurrë, “cilido, pa frikë, dhe me gërma të mëdha, mund të shkruajë ç’të dojë për punën dhe për njerëzit”, siç thoshte dikushi për Fletë Rrufetë. E kam llafin për internetin.
    Nëse nuk na pëlqen peshku apo peshkaqeni, hapim kollaj një klub tjetër gjetiu, tek delfini, për shembull. Dhe është falas, nuk ka nevojë as për të harxhuar për kartë a bojë…
    Sa për Lubonjën e çimentos apo Klosin e Vlorës, nuk do të thotë se të mençurit e kësaj dynjaje kanë të drejtë për gjithshka ashtu sikurse budallenjtë ia fusin kot për çdo gjë.
    Lubonja mund ta ketë krejt gabim kur merret me hebrenjtë, Skënderbeun apo Kadarenë. Por mund të ketë shumë të drejtë kur shkruan për Ed Ramën, për katastrofën urbane në Tiranë, për çimenton dhe TEC-et italiane e greke në bregdetin dhe ultësirën e Shqipërisë.
    Sikurse edhe Klosi, i cili mund t’ia fusë kot për Ivan Kastriotin, etj, por që mund të ketë shumë të drejtë për kundërshtimin e ardhjes së plehrave italiane në Shqipëri, apo për Vlorën. Meqë ra fjala, sikurse e tha dikush më përpara këtu, Klosi ka ndihmuar për ruajtjen e Gjirit të Vlorës, por ai nuk mund të identifikohet me përjekjet e mijëra vlonjatë që banojnë këtu dhe që do të vuajnë në kurriz ndotjet e Petroliferas, TEC-it apo edhe AMBO-s.

  8. JU UROJ
    Sot nuk e di se ku mbarojne lotet
    Dhe fillojne kenget
    As ku urrejtja ja le vendin dashurise..
    Sot nuk e di se ku fqinjerojne sinoret e paqes
    Me menxyren e luftes..
    As ku jeta ja le vendin vdekjes..
    Nuk e di por sot megjithmend e kam humbur…
    Rrathet e oreve shtyj me ngasjen e padurimit
    Drejt fundit te pakuptimte..
    Ndrsa mbi syprinen e shpirtit rreshqet ankthshem
    Deshira dhe urimi:
    “_E ardhmja me e lumtur per te gjithe..!”
    “_Sheshet e qiejve te mbushen me ballona shumengjyreshe
    Dhe britma te lumtura femijesh…!”

    _”Tempujt e vjeter te qyteteve te ndricohen
    Nga projektoret e paqes e miqesise.”
    …Sot nuk e di se ku mbarojne keta dete ..
    Dhe fillojne brigjet e atdheut tim..
    As keta qiej ku ndahen me kaltersite e mija..
    Sot ne te vertete kembehen vitet dhe nuk di c’tju them
    Sinqerisht nuk di….
    Vec fjales se shenjte; _”GEZUAR!”

  9. Hapja e forumeve, e dritareve virtuale që, për ne shqiptarët, të rropatur me mbyllje e keqkuptime, frikë dhe mos përvojë, ishte një arritje e madhe, nuk solli ndonjë ndryshim. Njerëzit e mbyllur në një bunker rrinë njësoj si në një dhomë, nga ku përcjellin mesazhe urimi, urrejtje, apo dhe tallëse.

    Kam patur disa përvoja me forumet, si dhe shumë të pranishëm këtu. Këto përvoja më kanë mundësuar të lexoj, të shprehem, të dridhem, të ulëras, të qeshem, të frikësohem përballë dijes së ndonjërit apo ndonjërës, të them majft! nuk duroj dot më. Kam shkruar sipas një praktike timen. Pa shumë para përgatitje siç përgatitet një provim apo detyrë shtëpie. Doja të ndaja me lexuesit disa bindje, disa krijime dhe dëshira. Shumë shkrime të mia janë lexua, pëlqyer, keqkuptuar. Dhe është mëse normale.

    Fola për një eskperiencë personale (kërkoj falje) që më ka mundësuar të njoh disa individë që kërkojnë dhe punojnë dhe janë të bindur për ato që thonë. Pra, megjithë të zezat që thuhen për forumet, disa kontakte janë krijuar. Dijet, shijet, preferencat ndahen dhe krijojnë një sipërfaqe të mirë, një membranë që të ruan nga i ftohti monstruoz i mos pjesamrrjes në debatin për jetën, kulturën dhe politikën drejtuese të disa shteteve.

    Kurse forumet (jo të gjitha sepse njoh shumë pak) me llafazanët, me psikopatët, me injorantët, me njerëzit problematikë që shtiren se po kërkojnë të thonë diçka, për mendimin tim nuk ia vlen të lexohen. Nuk e kam njohur Alb Club-in. Nga një anë më vjen keq. Njoha peshkun, mora pjesë (dhe mar pjesë) tek F SH, por shpejt lodhem. Ndoshta ngaqë të tjera alternativa (mundësi) dalin rrugës dhe që kanë nevojë për lëndë të parë: debatin, përgjigjen, sqarimin. Nuk dua të gjunjëzoj autorët e peshkut, por më duket një platformë me plot defekte, sidomos versioni i ri! Sidoqoftë, blogjet pjesmarrëse janë një sihariq i mirë që disa punojnë me seriozotet dhe jo thjesht për të kritikuar vend e pa vend.

    Ndoshta në këtë blog, autorët duhet të ftojnë të tjera pena të fushave të ndryshme, me qëllim që të preken probleme, të trajtohen tema, qoftë edhe për ato që kapërcejne malet e Ballkanit. Kjo do t’i jepte blogut më shumë ajër, më shumë frymë liberale dhe zgjerime interesash. Por ky është vetë një mendim i bazuar gjithmonë në modelin e një faqeje jo reale.

  10. “Blogu dhe pasqyra”

    Per derisa blogu do te perdoret si pasqyre, ai do te ket nji problem; Pasqyrimi eshte realitet, ne ndryshim. Pasqyra pasqyron, s’ka kujtes. Kjo pasqyre, pa kujtes, nuk seleksionon ne pasqyren e lendes, pra, pyetja eshte; A eshte blogu pasqyre?
    Apo blogu perdoret nga blogistet vetem me kujtesen seleksionuese.

    Sarkazma eshte se ashtu si s’ka moshe urtesia, blogu jashte deshires se blogueseve pasqyron vjeterimin mendor dhe jo ate fizik, i cili nuk eshte nen kontrollin e pasqyre mbjtesit-beresit (blogist).

    Pasqyra (blogu) nuk eshte per te ndalur “plakjen mendore” ajo pasqyron “ate qe eshte” fizike, ndersa eshte Mendimi dicka per tu pare dhe ate (mendimin) e sheh vet mendimi dhe jo pasqyra.

  11. Personalisht e kam vuajtur konformizmin e Peshkut. Kjo më ka bërë që para disa muajsh të rralloj komentimin deri në moskomentim dhe vizitat po ashtu. Kjo jo vetëm që më largoi nga Peshku, më bërë që të rralloj të shkruarin duke arritur në gjendjen aktuale kur kam disa muaj pa publikuar diçka. Edhe nja dy shkrime që i kam përfunduar, janë akoma draft prej muajsh.

    Për të mos e tepruar, gjithë kjo mund të jetë edhe për shkak të punës apo preokupimeve të tjera, por konformizmi ka qenë shkak kryesor për ftohjen time me Peshkun.

    Eh!

  12. Ka ca dite qe nje i quajtur Whisper shkruan tek “Peshku pa uje” disa here per te njejten ceshtje. Jo vetem volumi i te shkruarit eshte nje problem, se cfare nuk mund te shkruhet ne nje faqe A4, nuk ja vlen fare te lexohet, porse edhe menyra shume diletante dhe teper mediokre e trajtimit te ceshtjes. Kuptohet gjithkush ka te drejte te shfaqi opinionin e tij mbi psh. Kozmopolitizmen shqiptare, edhe nese perben nje shqetesim per te. Porse nje mesazh, dy ilustrime dhe nje gjykim mjafton. Porse asnje ilustrim, asnje lloj gjykimi, porse vetem opinione mbas opinionesh, dhe keto te shkruara ne carcafe, e te mendosh se sipas studimeve empirike eshte e veshtire te perqendrohesh me shume se 5-10 minuta mbi PC per te lexuar nje artikull. Jo me kot psh. gazeta te njohura kane futur konceptin e faqes (1-2-3, me link) ne shfaqjen e e faqeve te internetit, edhe pse “by default” eshte normale qe edhe nje liber te shkruhet vetem ne nje faqe interneti.

    Keshtu i bezdisur nga keto artikuj dhe qendrimi shume medioker i admineve, edhe pse elemente te vyer te blogut ishin shprehur kunder ketyre artikujve, une shkruajta nje lloj satire per kete mendesine tone. Ne daten 31.12.08, e shkruajta shpejt e shpejte, se edhe do ikja, e ja dergova ketyre cunave. Ky shkrimi jo vetem qe nuk u publikua, por u fshi fare nga profili im. Edhe pse per mendimin tim ishte cilesor si shkrim dhe jo si “budalleqet” qe kam shkruar here tjeter per te kaluar kohen.

    Por eshte e veshtire te mos mbash ane ne ato ambiente. Sidomos tek veshtron sesi behen miqesite atje. Ne fillim te bejne qejfin, ti ndihesh i lajkatuar, pastaj i detyruar te pranosh e te krehesh bishtra, edhe komente ose shkrime te shpifura, dhe kjo kalon ne ate qe me te drejte Xha Xhai e cileson “konformizem”. Dhe po keshtu shkon edhe ne ambiente pune. Por eshte e veshtire te gjesh vendin nese gjithmone i largohesh ketyre ambienteve, ku psikologjia e tufes eshte tashme realitet. Njeriu kerkon te tufezohet, te grupohet per t’u ruajtur jo nga “individi” porse nga tufa, edhe pse ne fakt eshte “individi” ai qe eshte problem, se tufa perbehet nga individe.

  13. Ky shkrim i Xhaxhait per nga toni e mjetet nuk ka ndonje ndryshim te madh nga ai i Kadarese qe u soll me pare per t’u kritikuar.
    Nga njera ane “..rimohues,te cmendur,veper shkaterruese, vulgare,ujra te zeza,..” dhe “..maskarenj,klika, hipokrite,kult meskiniteti, qen roje,..” nga ana tjeter. Ka te ngjare qe edhe qellimi te jete i njejte dhe ndofta edhe rezultatet.

    Te kualifikosh “kombetaristet” si shkaterrues klubesh virtuale per opinionin tim eshte e tepruar. Mund ta quaja edhe nje trill.
    Aq teper eshte pompuar artificialisht kjo ndarje kombetariste-jokombetariste( si mund te quhet kjo pale :globaliste,kozmopolite..?) sa eshte duke marre trajtat e nje miti. Fenomene lokale pergjithsohen me teper se sa eshte e mundur. Kurse per shume ceshtje sidomos te lashtesise mbetur pa sqaruar perfundimisht eshte e natyrshme te kete opinione te ndryshme, bile edhe te kunderta, ashtu sic ka te tilla edhe ne klasen e profesionisteve. Por vetem kaq, klasifikime te metejshme duken te paarsyetuara.

    Rrenimi i forumeve virtuale vjen kryesisht prej konformizmit, i cili nuk mund te eleminohet teresisht sepse edhe inteligjencat e kulturat nuk jane te barabarta.Me i merzitshem eshte ai konformizem qe shfaqet si duartrokitje sa here lideri mban ndonje fjale; por dhe me i demshmi sepse ushtron trysni ne kunderargumentonjesit.

    Por rrenimi me i thelle vjen nga kendveshtrimet politike,te cilat si rregull kane shume pasion e pak argument. Dhe qe , po ashtu si rregull, denjenerojne duke zevendesuar argumentin me autorin. Dhe demotivojne deri ne largim.

    1. Fatma shkruan:

      Te kualifikosh “kombetaristet” si shkaterrues klubesh virtuale per opinionin tim eshte e tepruar. Mund ta quaja edhe nje trill.

      Fatma, kur thashë që kombëtaristët e fundosën Alb-Club-in, këtë e mbështeta në përvojën time vetjake, si shumë vjet moderator i atij forumi dhe si një nga pjesëmarrësit më aktivë në diskutimet. Problemi me kombëtaristët nuk është se përbëjnë shumicën, as sepse duan t’i trajtojnë bashkësitë njerëzore si të ishin insekte (për të parafrazuar Orwell-in), por sepse këta i japin vetes jo vetëm të drejtën e arsyes, siç do të ishte krejt normale në një debat, por edhe të drejtën e superioritetit moral ndaj “kundërshtarit”. Pikërisht ky bullying moral i shkatërron forumet, sepse askush nuk ka oreks të rrijë e t’u shpjegojë të tjerëve se pse nuk është i shitur – preferon më mirë ta kalojë kohën e lirë me diçka tjetër më interesante. E njëjta gjë po ndodh me Peshkun – mu përpara syve tanë; sidomos me krijimin e një klike diskutuesish të cilët i kanë dhënë vetes atributet e një gjykate kombëtariste të shkrimeve të të tjerëve, të qëmtuara poshtë e lartë në gazetat dhe në blogjet; në një kohë që tjerët nuk flasin, sepse nuk duan t’i hapin punë vetes.

      P.S. Kur krahason tonin e shkrimit tim me tonin e shkrimit të Kadaresë, harron se shkrimi im ishte për kalimin nga autoriteti në autoritarizëm, dhe as pseudonimi im, as unë vetë, nuk e kemi autoritetin e Ismail Kadaresë mbi publikun shqiptar.

  14. Për mendimin tim, e vetmja rrugë për të parandaluar kolapsin është që të gjithë përdoruesit (lexuesit) e rregullt të forumeve të ngrenë zërin dhe t’i kundërshtojnë haptazi e me forcë orvatjet për t’i shndërruar diskutimet në gjyqe popullore dhe populiste ose për të vënë me shpatulla pas muri antikonformistët, ose siç njihen ndryshe, “antishqiptarët”.

    Shpresoj qe ky mendim te merret seriozisht si thirrje, por kur imagjinoj zellin me te cilin te kundervihen behesh dembel e dorezohesh se nuk ja del dot, fale konformizmit ne mase rreth teje. Eshte teper e veshtire te ngresh zerin e llogjikes ne nje pellg ku te duartrokasin per hipokrizi te hapur. Virtualiteti (PPU ne kete rast, por jo vetem) eshte bere han pa porta per nje realitet qe ka gjetur rehati te madhe ne anonimitetin meqe nuk te kerkohet te jesh dikush, as vetja jote; mjafton te ndjekesh turmen.

  15. Antikonformistet nuk kane te bejne me antishqiptaret.Eshte pikerisht mendimi ne vetvete ‘antishqiptar” si puna e asaj mizes nen kesule.Antikonformist nuk eshte ai qe vetem di te vjelle,nuk eshte ai qe kundershton.Antikonformistet nuk duhen ngaterruar me deformuesit e thelbit,te qellimit.Injorantet e “arsimuar” nuk duhen ngateruar me antikonformistet.
    Pikerisht une jam nje antikonformist prel lindjes.Ndersa ketu ne shume raste po mesoj se si te behem konformist.

  16. Per mendimin tim qe e shpreha dhe tek komenti im i meparshem ne menyre pak si kriptike 🙂 mbijetesa e peshkut si nje faqe tashme masive nuk varet nga mbrojtja me cdo kusht ndaj kombetaristeve apo grupeve te tjera qe pretendojne te kene te drejten morale sic propozon xhaxhai. Ne radhe te pare sepse nuk besoj se do te kishte shume njerez te gatshem te vigjilojne mbi peshkun per te perzene kombetaristet ne cdo rast qe ata nxjerin koken. E dyta sepse nese perzenia e kombetaristeve behet qellim ne vetvete ne emer te “shpetimit” te peshkut atehere nuk behet asgje tjeter pervecse zhvillimi i nje lloj kombetarizmi peshk-ian, ku kombetaristet peshk-ian 🙂 kane te drejten morale te perzene kedo qe ata e identifikojne si pjese te fares kombetariste. Pra ne emer te shpetimit te atdheut (ne kete rast te peshkut) perdoren te njejtat menyra si ato te kombetaristeve.

    Peshku eshte tashme faqe masive dhe si e till mbledh grupe nga me te ndryshmet rreth tij. Dhe konformizmi eshte pjese e pandashme e masivizimit. Nese peshku deshiron te jete faqe masive atehere duhet te siguroje nje strukture ndarjeje informacioni qe reflekton grupet e ndryshme te vizitoreve te tij. Masivizimi duhet te imponoje zhvillimin nga nje faqe me nje kulture te caktuar ne nje faqe qe permbledh e zhvillon shume kultura e grupe te vecanta. E thene me shqip grupeve te ndryshme te vizitoreve brenda peshkut ju duhet dhene platforma e vet private ne formen e nje grupi interneti me te mbyllur ku mund te zhvillohet nje kulture diskutimi e ndare nga ajo e pergjithshmja apo nga ato te grupeve te tjera. Vetem kjo ndarje e shpeton peshkun nga konformizimi dhe i le kohen per te zhvilluar mekanizma komunikimi midis grupeve.

    Problemi qe ka sot peshku eshte problem qe e kane te gjitha faqet masive te internetit. Problemi nuk eshte pra nga kombetaristet por nga konformizimi. Per tju dhene nje shembull se sa mire funksionon ndarja po ju permend rastin tim. Une kam ardhur ne kete blog para rreth nje viti pikerisht nga peshku. Terheqja ime graduale nga peshku erdhi paralelisht me vizitimin me te shpeshte te ketij blogu. Dhe ne kete menyre lidhja me peshkun qendron akoma sporadikisht pikerisht se pse ne kete blog peshku referencohet. Pra une tani kam nje blog me te cilin identifikohem me shume sesa me peshkun dhe lidhja me peshkun nuk eshte zhdukur fare.

  17. avantazhi i “peshkut” me albforumin eshte qe ka arrit te mbledhe emigrante “te vjeter” ne moshe. duke qene te tille, pra te mbetur pa tribune fjale, keta kane edhe me shume nevoje e “zjarr” te shprehen sesa emigrantet e rinj qe ne njefare mase duke u integruar me lehte tek shoqerite e huaja ku jetojne, energjite e tyre nuk ja konsakrojne vetem shkrimit 😉 .

    gjithashtu duke qene se tek “peshku” tematika eshte shqiptare. kjo e ben diskutimin konkret e te koncentruar.
    ne forume vdekjen e sjell shumellojshmeria e debatit (shqiptaret kane vetem forume gjenerale) qe e tille detyrimisht i tejkalon forcat dhe dijet e pjesmarresve ne diskutim. kjo i zhvlereson shkrimet aq shume sa ato behen te dobta e pa interes.

    gjithashtu tek albforumi, kryesia kishte dhe projekte te tjera ne dore, tek te cilat pak nga pak, kaloi prioritetet. moderatoret ishin edhe ortake leku e jete. tek letersia psh eshte akoma nje moderator qe ka vetem 200 shkrime, e nuk ka shkruar ne forum prej nja kater vitesh.

    ja thashe njehere Drinit ne forme replike, qe sikur te drejtonte ndermarrje ne vend te forumit, do te kishin marre fund edhe me heret.

    forumi i vetem i vjeter ne lulezim eshte Forumi Shqiptar (edhe disa forume kosovare me duket). ngaqe atje kryesia drejton ne forme anglo-saksone. moderatoreve ju hapen dyert e shtepise e kur nuk jane aktive nderrohen menjehere. ka gjithashtu ne shkrime moderim te forte. kjo mban njefare pastertie shkrimi e nje fare rregulli te pergjithshem.

    ndersa forumi me i mire eshte natyrisht forumi im. 😉

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin