RIGJENDET HENRI IV

Në të vërtetë është fjala për kokën e mbretit Henri IV. Gazeta Le Monde njoftonte dje se, pasi kishte humbur prej më shumë se dy shekujsh, shkencëtarët arritën të autentifikojnë së fundi   kokën e mbretit Henri IV. Është mbreti me të cilin francezët ndihen më afër. Njerëzit e thjeshtë sepse është pikërisht ai që luftoi që i gjithë populli të hante një pulë në ditë (sic) dhe, mund të jetë i vetmi (nga sa kam vërejtur) që ka pasues edhe në politikën franceze të ditëve tona.  Një prej tyre është centristi François Bayrou, i cili jo vetëm që ka shkruar për të një libër që më ka pëlqyer, por gjatë gjatë fushatës presidenciale të disa viteve më parë, për të mbushur disi hendekun që përçante Francën ( në të majtë dhe të djathtë, fenomeni nuk është vetëm shqiptar)  propozoi një politikë « përtej së majtës dhe së djathtës » sipas modelit të Henri IV, i cili afërsisht në të njëjtat kushte (në fakt në kushtet e armiqësisë për jetë a vdekje midis katolikëve dhe protestantëve), krijoi një qeveri me ministra të të dy krahëve dhe ribashkoi francezët e përçarë.

Kjo sa për të thënë se është një nga mbretërit më të rëndësishëm të vendit. Pasi u vra në një atentat nga i famshmi Ravaillac, një fanatik katolik, Henri IV u varros ne bazilikën Saint Denis, ku prehen mbretërit e Francës. Më 1793 arkivoli tij u hap nga revolucionarët dhe u hodh në një gropë të përbashkët. Shkencëtarët mendojnë se pikërisht atë çast koka tij do të jetë  ndarë nga trupi.

Duke qenë se ishte balsamosur, gjendja e saj nuk ndryshoi shumë gjatë periudhës së gjatë të endjeve. Flitet se diku nga mesi i shek 19-të pati shenja se ajo ishte në pronësi të një konti gjerman. Gjurmët humbën për tu shfaqur më 1919, kur vihet në ankand në Drout, shtëpia e famshme e ankandeve në Paris. Thuhet se u shit për tre franga. Antikuari që e zotëronte deshte t’ia shiste muzeut të Luvrit dhe betohej për qiell e dhé se ishte e mbretit, por askush nuk e besoi.

Së fundi koka u shfaq në shtëpinë e një pensionisti 84 vjeç dhe menjëherë nisi t’u nënshtrohet analizave, që sipas British Medical Journal (cituar sipas Le Monde) provuan përfundimisht se ishte me të vërtetë koka e mbretit Henri i IV-të.

Pse e gjithë kjo histori me këtë kokë? Thjesht sepse m’u kujtua se ajo kokë për të cilën po flasim ka bërë të famshme në të gjithë Evropën e  kohës të vetmen pjesë veshjeje me të cilët shqiptarët kanë ndikuar në kostumografinë evropiane : Chapeau albanois,  kapelë shqiptare (është ruajtur ortografia e shk. XVI-të.)

Si u bë e njohur në oborrin francez  të kohës? Sipas historianëve kapelja ishte sjellë nga ushtarët stratiotë (fshtarë nga zonat e Sulit, Himarës etj., por edhe grekë, që quheshin kështu që nga koha e Bizantit ) të cilet përgjithësisht shërbenin pranë ushtrive evropiane të kohës. Që u bë shumë popullore, kjo vërehet se edhe Rableja e përmend desa herë te Pantarguel-i, por ka shenja se para Henrit të IV-të ajo përdorej si nga burrat ashtu edhe nga gratë që gjatë mbretërimit të Henrit të III-të. Njihej, por njihet edhe sot e gjithë ditën me emrin albanua ose edhe chapeau albanais.

Një e tille u fiksua edhe nga Rubens në një portret të Henrit të IV-pas betejës së Ivry-t (1590, betejë që lidhet me luftërat fetare në Evropë). Disa  specialistë e shohin atë të ngjashme me kapelen e disa personazheve të fiksuara në pikturat e Onufrit.

Është kapelja që Henri IV-të mban në krye, në portretin që kemi sjellë  këtu .

Nuk ka komente

  1. Lyss:

    ka bërë të famshme në të gjithë
    Evropën e kohës të vetmen pjesë
    veshjeje me të cilët shqiptarët kanë
    ndikuar në kostumografinë evropiane :
    Chapeau albanois, kapelë shqiptare
    (është ruajtur ortografia e shk. XVI-të

    Ne fakt nuk eshte vetem kapelja e stradioteve qe ka ndikuar ne kostumografine europiane, por edhe xhaketa qe ne perdorim sot eshte me origjine arbere. (te pakten keshtu thone historianet qe shkruajne ne revisten Osprey).
    Sipas tyre kjo xhakete eshte kopjuar dhe perdorur ne shek. XV nga Italianet dhe Turqit dhe me vone eshte perdorur gjeresisht edhe ne Europen perendimore. Po shtoj nje imazh te saj me poshte.

    http://img185.imageshack.us/i/albanianmercenary15thce.jpg/

    Nqs e gjeni reviten ne fjale (Ushtrite Bizantine ne shek. XIII-XV me duket) shikoheni me kujdes luftetarin Arber aty, pasi eshte krijuar sipas imazhit te nje heroi shume te dashur.

    Dy fjale per Henrin IV,
    Eshte nje nga personazhet me te dashur ne France, dhe pa asnje dyshim mbreti me i mire qe ata kane pasur. Gjetja e kokes se tij eshte me te vertete nje lajm shume i mire.

    1. Revisten Osprey nuk e njihja, por mu duk shume interesante, edhe pse veshje te ngjashme gjen ne te gjithe ikonografine bizantine, nga Bullgaria ne Armeni, e deri ne Siri. Desha te porosis nje qe fliste per riorganizimin qe u beri Napoleoni atyre qe u quajten provinca te Ilirise (qe iu dhane Jozef Fushé-së t’i qeveriste si guvernator ), por ishte mbaruar. Per te tjerat, me pak humor, do te beja pyetjen se çfarë paskëshin pasë veshur evropianet para se merecenarët shqiptarë te zbarkonin ne trojet e tyre? Kjo te le te shpresosh se kemi edhe te tjera vlera qe nuk ia dime vetes dhe tani qe u hapen perseri portat, do te ndergjegjesohemi per to kur te na i zbulojne ne trup mikpritesit tane te detyruar.

      1. Lyss ne kete rast eshte pak e veshtire te kundershtosh ato qe thote Ospry pasi me te bashkpunojne e shkruajne specialiste te historise nder me te miret qe mund te kete ne boten anglo-saksone dhe shkruajne me pergjejsi.
        C’fare vishnin europianet, turqit e bizantinet me pare.
        Me sa kam pare une, europianet kishin disa lloj tunika si fustane te shkurtra nje pale geta dhe çizmet, bizantinet disa fustane te gjate pak a shume si ato te prifterinjve ortodokse, ndersa turqit nga nje robe plot ngjyra si kostumet tradicionale aziatike qe i shohim ne filmat apo dokumentare me kineze dhe aziatike te tjere.
        Bizantinet mund te kene pasur edhe tunika te gjata te hapura ne mes qe ngjasojne me palltot apo xhaketet arbere, por ato te bizantineve ngelen gjithnje tunika prej rrobe, ndersa arberit i kishin tamam pallto te perbere nga nje material shume te forte.
        Sapo e hapa revisten per siguri dhe eshte ne faqen e fundit ku shkruhet pikerisht se turqit dhe italianet e me pas gjithe europa e kopjuan nga arberit kete veshje. Nuk e di si mund te vendosen foto ne kete blog, se kam disa qe me te mire per ate ç’fare po shkruaj.
        Per revisten mbi provincat Ilirjane, mund ta shkarkosh ketu ne pdf nqs nuk e gjen dot ne librari.
        http://rapidshare.com/#!download|75l32|198358850|Osprey_-_Men_at_Arms_410_-_Napoleon_s_Balkan_Troops.pdf|15435

        Gjithe te mirat

        1. Faleminderit per lidhjen. Besoj se fotoja mund te jete me interes per ata qe problemi u intereson me nga afer (kam parasysh nje studim te lashte te Andromaqi Gjergjit,ku ajo flet per kapelen ne fjale, por nuk me kujtohet ndonje etnograf qe te kete folur per kete lloj xhakete te gjate prej shjaku te trashe), ndekohe qe une, ndryshe nga vendosja ne post, nuk e kam idene si mund te futet nje e tille (foto) ne coment. Mbase xhaxhai mund te kete ndonje zgjidhje dhe po qe se ka me siguri do te te kontaktoje.

  2. Ja një ndodhi me atë mbret aq popullor dhe me albanois-in e tij:

    Henri IV kish dalë një ditë për gjah, mirëpo aty nëpër pyll se si u hutua pas ca lepujve dhe u nda nga shpura e tij. Ashtu u vu t’i kërkonte dhe tek ecte kaluar pa një të varfër që rrinte ndanë udhës.
    – Njatjeta or mik, i tha mbreti, ç’bën këtu zotrote?
    – Njatjeta or zotni, ja ktheu fshatari, ty të qoftë udha e mbarë, por s’e paske marrë vesh më duket se këtej nga anët tona ka ardhur për gjah vetë mbreti. Unë or mik, jam njeri i varfër siç më sheh, e s’e kam takatin të vete gjer në Paris e të shoh mbretin, por ama jam i sigurt se do të kalojë këtej, prandaj po rri këtu e po e pres. Se s’dua të vdes, or mik, pa e parë një herë mbretin tonë.
    – Jo more! – ja ktheu mbreti, – për këtë punë po ndenjke këtu? Këtë ta zgjidh unë fët fët, eja me mua se të shpie unë te mbreti.
    Ashtu e mori njeriun në vithe të kalit e u nisën përsëri, duke shkëmbyer llafe e muhabet gjatë udhës.
    Kur nje çast i varfëri e preu fjalën dhe i merakosur i thote kalorësit: – Ore mik, ti rrofsh e qofsh që po më shpie te mbreti, po unë kam një hall. A s’më thua se qysh do ta njoh unë i shkreti madhërine e tij kur të arrijmë? Atje me siguri do të ketë shumë njerëz e unë dua që të vete e t’i bëj nderimin e duhur vetëm mbretit….kam frikë se do më marrin për qojle….
    – As mos e ki atë merak, ja ktheu Henri, se ta them unë si t’ja bësh: ki parasysh se kur të vemë atje, mbaj sytë veç në kryet e njerëzve, të gjithë do jenë pa kapele, dhe i vetmi person me kapele në krye do jetë mbreti.
    Ashtu pas pak e gjetën më në fund shpurën e mbretit, dhe të gjithë oborrtarët kur panë mbretin, hoqën kapelet për t’i bere madhërisë së tij reverencat e rastit.
    – E or miku im, ju kthye mbreti pasagjerit në vithe të kalit, a e more vesh tashti se kush është mbreti?
    – Të them të drejtën or zotni, ja ktheu i varfëri, ose zotrote do të jesh mbreti, pa po në mos, do të jem unë, se vetëm ne të dy kemi kapele në krye!

    Më ndjeni se u zgjata ca, por burimet historike konfirmojne se qysh nga ajo ditë fama e kapeles albanois mori dhenë!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin