PROMETEU NË FARMACI

Sot m’u kujtuan, për një arsye që do ta përshkruaj më poshtë, vargje nga një poezi e Kadaresë e viteve 1970, e titulluar “Shpjegim për librat Besianës së vogël,” ku poeti i tregon një fëmije për librat dhe autorët që ka në bibliotekë.

Shkruante aso kohe Kadareja:

Kurse këta janë xhaxhi Migjeni me Naim Frashërin,
Që nën jastëk besoj gjithmonë do t’i mbash.
(Sikur Zog e Sulltan të mos kishte atëherë
Dhe në vend të tyre penicilinë të kishte,
ata më shumë do të rronin dhe prej tyre së paku
ca ditë më të bukura ti do t’i kishe.)

Në fakt, edhe Naimi, edhe Migjeni kanë vdekur në moshë relativisht të re, nga tuberkulozi; sikurse shumë e shumë të tjerë në atë kohë – mjaft t’i hedhësh një sy kësaj liste të viktimave të sëmundjes në histori.

Ka pasë qarkulluar një legjendë urbane, në Tiranën e rinisë sime, se tuberkulozi vetë, duke shkaktuar një dobësi të trupit dhe kapitje të mendjes, i predispozonte viktimat ndaj poezisë, duke i ndihmuar, si të thuash, të bëhen artistë.

Te Illness and MetaphorSusan Sonntag ndalet gjatë te kjo simbiozë mes sëmundjes dhe personalitetit.

Fakti tjetër, njëlloj intrigues, është prania e bujshme e tuberkulozit dhe e vdekjes nga kjo sëmundje, si temë narrative, në letërsi, teatër dhe film.

Përndryshe, teoritë që i identifikojnë artistët si “të sëmurë” – p.sh. nga tuberkulozi, neurozat, depresioni madje edhe nga toksoplazmoza, nuk kanë munguar ndonjëherë.

Tani, numri i madh i artistëve të vdekur nga tuberkulozi nuk vihet dot në diskutim; por mund të diskutohet se ç’do të kish ndodhur me artin e tyre, nëse këta do ta kishin mposhtur sëmundjen; ose së paku sikur ta kishin ditur se tuberkulozi mund të kurohej relativisht lehtë, bie fjala, me nikotibinë.

Kush mund ta imagjinojë Migjenin të shëruar, dhe pastaj Kryetar Nderi të Lidhjes së Shkrimtarëve ose drejtor të Teatrit të Shkodrës (jo më “Migjeni”); ose Naim Frashërin ministër pa portofol në Qeverinë e Vlorës?

Vizatim nga Egon Schiele

Vizatim nga Egon Schiele

Ndërkohë, raporti mes krijimtarisë artistike dhe sëmundjes mendore nuk është thjesht legjendë urbane, por hipotezë serioze në psikologji dhe psikiatri, sidomos qëkur Freud-i e analizoi artin (krijimtarinë artistike) si manifestim ose produkt të neurozës.

Sot lexoja në The Guardian – dhe kjo ishte arsyeja pse m’u kujtua psherëtima e Kadaresë më sipër – një artikull të gjatë për ndikimin e një kategorie barnash psikotrope, të quajtura SSRI (kategori ku bën pjesë edhe Prozac-u) në personalitetin e artistit dhe krijimtarinë.

A i ndihmon Prozac-u artistët të krijojnë? (Does Prozac help artists be creative?) pyet autori i artikullit, Alex Preston, dhe pastaj përmend një numër artistësh që janë ndihmuar nga këto barna, të cilët i krahason me artistë të tjerë, të cilëve SSRI-të ua kanë bllokuar impulset krijuese.

Dy faktorë janë për t’u pasur parasysh në këtë diskutim: që janë të panumërt artistët me luhatje humori, pagjumësi, ankth dhe neuroza të tjera; dhe se shumë artistë, gjithashtu, përdorin lirisht e me tepri droga nga më të ndryshmet: stimulantë të lehtë (duhan, kafe, çaj), psikostimulantë (kokainë, metamfetamina), qetësues (benzo, hashash, opium, heroinë), alkool, absinth, kava; dhe psikadelikë (kërpudha, LSD etj.).

Disa prej tyre i kërkojnë këto ndihma “kimike” për të katalizuar procesin krijues; të tjerë për të luftuar demonët që ndeshin brenda vetes.

Dilema është e ngjashme, edhe pse më e drejtpërdrejtë, me atë të tuberkulozit më lart: nëse personaliteti artistik ka nevojë për një çarje ose të paktën një krisje, për të krijuar, atëherë çdo përpjekje e suksesshme për të shëruar ose mënjanuar ose riparuar krisjen, do të dëmtonte, në mos ndalte edhe krijimtarinë vetë.

Nëse arti artistit i dhemb, atëherë a duhet të marrë analgjezik?

Njëlloj dihet edhe, nga ana tjetër, se një numër i madh artistësh e konsiderojnë neurozën, veçanërisht depresionin, si murtajë për krijimtarinë; ose si diçka që nuk i lejon të bëjnë art, meqë ua shteron fuqitë dhe imagjinatën.

Për këta të fundit, një bar antidepresiv do të ishte shpëtimi; ose mundësia për të “nusëruar” sërish (me kusht që bari të funksionojë).

Kokëçarjen e shkaktojnë, në këtë mes, efektet anësore të barnave; bie fjala të SSRI-ve – mes të cilave mpirja, ulja e ndjeshmërisë, ose ajo që e kanë quajtur cektësim i emocioneve.

Sërish shfaqet dilema: nëse emotiviteti i tepruar, ose nderja e nervave deri në këputje, e pengon artistin të krijojë (p.sh. duke i shkaktuar ankth, ose pagjumësi, ose stres në marrëdhëniet me të afërmit), atëherë një bar që e topit këtë hiperndjeshmëri do ta bënte më të lehtë krijimin; por sa vlerë do të kishte një krijim, nëse do të energjizohej nga emocione të cekëta?

Po ashtu – Migjeni i “Vargjeve të Lira” është një shpirt i munduar jo vetëm nga dilemat filozofike, por edhe nga tuberkulozi që e gërryen përbrenda; madje ka një rrafsh ku sëmundja fizike, sëmundja sociale dhe sëmundja filozofike shkrihen në një.

Nëse është kështu, penicilina për të cilën flet Kadareja do ta kish shëruar Migjenin njeri, por kushedi do ta kish “vrarë” Migjenin poet.

Dhe meqë flasim për Kadarenë, e këtij është edhe një prozë minore, por për argumentin tim domethënëse, ku Prometeut të lidhur në shkëmb një ditë nuk i vjen më shqiponja për t’ia ngrënë mëlçinë. Tani, sipas mitit, titanit ky organ i ripërtërihej gjatë natës, në mënyrë që shqiponja të gjente ushqim të freskët çdo mëngjes; prandaj, kur mëlçia filloi t’i zmadhohej aq shumë, sa po ia zinte frymën, Prometeu zuri t’i lutej Zeusit që t’ia dërgonte shqiponjën sërish.

Ka një metaforë këtu që vlen edhe për artin; ku shqiponja paraqitet jo vetëm si ndëshkim dhe dhimbje, por edhe si condition de l’artiste, nëse mund të shprehem kështu.

Në fakt, një nga frikërat e mëdha të artistit është se mos një ditë shndërrohet në fat cat; ose, për ta thënë me Migjenin, nga Sokrat i vuejtunderr të kënaqun; ku ky i dyti s’është veçse forma tashmë e shëruar e të parit, që vjen dhe i përhihet këtij si nemesis.

Për Victor Hugo-në kanë thënë se gëzonte shëndet kaq të mirë, sa shumë prej kolegëve të tij e përbuznin; meqë artisti i atyre kohërave romantike duhej të dukej i zbehtë, i mekur, i pamundur dhe i pafuqishëm, duke e çuar jetën nga një kollitje me gjak a krizë nervash në tjetrën.

Shëndeti i mirë kështu vjen e bëhet metaforë për mirëqenien materiale të borgjezit, në armiqësi vdekjeprurëse me artin.

Dhe kështu kthehemi sërish te dilema e artistit, me shishen e ilaçit përpara: a do ta marrë, që të shpëtojë nga vuajtja dhe kushedi vdekja, por duke rrezikuar të humbë shpirtin e tij si artist, atë je ne sais quoi që e dallon prej vdekëtarëve të tjerë; apo do të preferojë vuajtjen që ia bren mëlçinë si shqiponja, e cila prapë ia rrezikon këtë esencë, duke ia bërë jetën burg?

Nuk mund të mos përfundojmë që këtej se arti është gjithnjë produkt i brishtë i një ekuilibri me përkufizim të paqëndrueshëm; sa kohë që artisti, me pak përjashtime, duhet të jetë i gjallë që të vazhdojë të krijojë – në një kohë që edhe sëmundja, edhe arti që ia shton botës, komplotojnë për vdekjen e tij; madje, në një kuptim, janë vdekja e tij.

Nuk ka komente

  1. të falenderoj Xhaxha, i dua artikujt pa komente!

    korrelacione të rrezikshëm, të dyshimtë, intrigues. “mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë” përmbyset keqas. ç’është kjo forcë që buron nga një dobësi? a kthehet dhimbja në forcë? apo është mit, rastësi, probabilitet, kjo alkimi e dhimbjes?

    sifilisi, tuberkulozi… sëmundje artistike, të fshira nga faqja e dheut. triumf i biopolitikës. jetëgjatësia, eliminimi i dhimbjes, bollëku. gjithçka që del për hundësh, pasi sapo ka hyrë nga goja. jemi shifra, kontribuojmë me jetëgjatësinë tonë të mërzitshme në lulëzimin e shoqërisë së kontrollit. kurth i dobishëm vallë?

    revolta e tuberkulozit, ironike. bakteri fiton imunitetit, 1.5 milion njerëz vdesin në vit. hakmarrje. ku është poezia? ku janë Migjenët? na duhen të tjerë ilaçe.

    game over. time over. transhistorike, transpolitike, transartistike. jemi gjallë apo kemi vdekur? po jetojmë vdekjen tonë brenda standardeve të normalitetit. të paktën po përpiqemi.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: