PLEH

Gazeta “Shekulli” rrëmon në kazanë plehrash.

Gjej sot të botuar një shkrim me titull “38-vjeçarja mbetet shtatzënë me të vdekurin”, i cili pa frikë mund të merret edhe si nadiri i gazetarisë shqiptare trash.

marmaduke

Jo vetëm që lajmi është i pabesueshëm në vetvete, por edhe është i vjetër; i 11 nëntorit 2010; kur u botua nga një faqe online e quajtur Dead Serious News, e cila ka natyrë satirike dhe parodike, e ngjashme me The Onion, ose – meqë jemi në hapësirën e PTF – me Obobo News.

Kjo lloj gazetarie pastiche nuk synon të gënjejë kënd, por vetëm të qesëndisë teprimet e shtypit, duke i çuar deri në absurd. Si e tillë, ajo parakupton një lloj publiku në gjendje ta kuptojë absurdin – jo analfabetët funksionalë, të cilëve u drejtohet lajmi më lart.

Ka edhe më – lajmi është përgënjeshtruar tashmë Snopes.com, çka tregon se Shekulli nuk ishte as i pari që e bëri një mufkë të tillë; në fakt, budallallëkut nuk i mungon kurrë konkurrenca, brenda dhe jashtë vendit.

Mjerë publiku në Shqipëri, që mësohet të zbavitet me kësi lëtyrash.

P.S. Mos humbisni, nga teksti i lajmit, që policia e paska akuzuar gruan në fjalë edhe për përdhosje të… nekrologjisë së viktimës; kushedi ngaqë në këtë nekrologji nuk përmendej fertiliteti i tij formidabël.

P.P.S. Vëreni edhe që lajmi i botuar në Dead Serious News shoqërohet me një foto-kuadër nxjerrë nga seriali televiziv Lost, ku tregohet personazhi John Locke (Terry O’Quinn, në arkivol.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: