MUZGU I SZUKALSKIT

Këto muaj, rrjeti Netflix po transmeton një film dokumentar kushtuar artistit polak Stanisław Szukalski (Struggle: The Life and Lost Art of Szukalski), piktor, skulptor dhe monumentalist, që shkëlqeu në vitet 1930 por pastaj e mbylli jetën, gati gjysmë shekulli më vonë, krejt i harruar, në Kaliforni.

I ndikuar në krye nga Rodin-i dhe më pas nga art nouveau, por gjithnjë origjinal madje jashtëkohor në vizionet dhe fantazmagoritë e veta, Szukalski spikati edhe për radikalizmin e vet, arrogancën, anti-autoritarizmin dhe qëndrimet mospërfillëse ndaj establishment-it në art.

Një portret i zgjeruar i njeriut dhe artistit mund të lexohet këtu.

Që prej viteve 1940 deri në fund të jetës, Szukalski u mor kryesisht me përpunimin e një teorie shpjeguese të historisë botërore dhe të antropogjenezës (zermatizmi); të cilën e hodhi në letër, në një vepër dorëshkrim prej 42 vëllimesh, 25,000 faqesh dhe 14,000 ilustrimesh.

Siç e do adeti për teori të tilla, edhe në versionin e Szukalskit të gjitha gjuhët e sotme rezultojnë të rrjedhura nga një gjuhë e vetme e lashtë, të cilën ai e pagëzoi protong. Çuditërisht, kjo “protong” nuk paskësh qenë veçse një dialekt i moçëm i polonishtes. Gjuha amtare, polonishtja, e ndihmoi Szukalskin të etimologjizonte gjithfarë emrash vendesh anembanë botës – nga Babilonia, te Shumeri, Roma dhe Londra. Për t’u shënuar se skeletin e teorisë së vet paleo-gjuhësore ky artist i rizbuluar arkeolog fjalësh e montoi duke studiuar një atlas gjeografik të Europës, të cilin e pat siguruar në një bibliotekë lagjeje në Los Angeles: duke mos lënë emër vendi pa e zbërthyer nëpërmjet polonishtes.

Sipas Szukalskit, sa për të sjellë një shembull mes mijërave, emri Jesus shpjegohet si  ‘Jest z śmiertelnie uśpionej’ (“ai që vjen nga atdheu i vdekur i fundosur). I njëjti shpjegim do të vlente edhe për Zeusin.

Imazh nga dorëshkrimet “zermatike” të Szukalskit.

Vepra historike spekulative e këtij artisti të madh por fatkeq – që mbetet natyrisht e pabotuar – përmban një pasuri të frikshme imazhesh dhe vizionesh; krejtësisht e fantaksur, ajo ngjiz një realitet paralel, që mund të merret edhe si monumenti që arriti t’ia ngrejë Szukalski vetes së vet të vuajtur, por deri në fund gjeniale.

Në të njëjtën kohë, protong-u dokumenton trishtueshëm paranojën krepuskulare të një mendjeje të kancerizuar nga produktiviteti jashtë kontrollit.

Szukalski pati epifaninë që t’i shpjegonte të gjitha nëpërmjet polonishtes – e cila qëlloi të ishte edhe gjuha e vet amtare. Po të kish qenë ai turk ose japonez, teoria kushedi do të kish mbetur po ajo, por materiali i përdorur do të ndryshonte.

Ky lloj devijimi mendor, kjo lloj parafrenie, ky lloj deliri i butë skizofrenik i ka rrënjët – besoj unë – te paaftësia e disave prej nesh për të pranuar arbitraritetin e shenjës gjuhësore. Mendje të tilla e shndërrojnë gjuhën amtare në matricë të çdo gjuhe tjetër, të gjallë dhe të vdekur; meqë e kanë të pamundur ta pranojnë pluralitetin e gjuhëve, përveçse si rezultat të përçudnimit të një kodi origjinal.

Në vetvete, kjo premisë nuk është logjikisht e gabuar; është e mundshme, parimisht, që të gjitha gjuhët ta kenë prejardhjen nga një gjuhë e vetme e tejlashtë. Tek e fundit, edhe hipoteza indo-europiane postulon të njëjtën gjë, pa çka se në shkallë të reduktuar.

Prandaj paranoja e mendjeve të lënguara, si Szukalski, ka të bëjë më shumë me solipsizmin e tyre – bindjen patetike se gjuha ime është gjuha e botës; se fshati im është monada e qytetërimit galaktik; se kodi im gjenetik është shifra e universit.

Artisti polak iu fut analizës së gjuhëve dhe të toponimeve anembanë botës pa kurrfarë ekspertize paraprake: siç ndodh rëndom në patologji të tilla, subjektet përnjëmend kujtojnë se e vetmja ekspertizë që u duhet është të njohin e të zotërojnë gjuhën e nënës: për gjithçka tjetër, mjafton mendja e hapur.

Para se të humbiste në labirintet e mendjes së vet, Szukalski u pat shquar jo vetëm si artist vizual dhe vizionar monumentalizmash të përbindshme, por edhe si nacionalist radikal – pa çka se angazhimi i tij politik, me ngjyra fashiste, anti-katolike dhe anti-semite, pësoi katastrofë, kur Poloninë e pushtuan dhe e ndanë mes tyre Gjermania Naziste dhe Bashkimi Sovjetik i Stalinit. Pak para se të ndodhte kjo, Szukalski pat shkruar dhe vënë në skenë një dramë nacionaliste, Krak, ku personazhet flisnin një polonishte të vjetër, arkaike.

I mposhtur dhe i poshtëruar në realitet, deliri i Szukalskit gjeti një valvul të re shkarkimi në paranojë. I shkelur me këmbë nga superfuqitë e kohës, ideali hiper-nacionalist polak u ringjall në trajtën e një mega-fantazie historike, që të përqafonte botën mbarë.

Teoria e tij antropogjenetike – zermatizmi – dhe koncepti i Protong-ut sikur konfirmojnë që nacionalizmi, si pasion dhe si forma mentis, kanë gjithnjë natyrë totalitare, dhe nuk ndalen përveçse kur të kenë asimiluar gjithçka; po të mos i frenojë bon sensi dhe arsyeja.

Para se t’i vinte kjo epifani, Szukalski humbi jo vetëm atdheun e vet, Poloninë, dhe dheun ku i lulëzonte arti që po krijonte prej vitesh; por edhe praktikisht të gjitha veprat që kishte në një galeri në Varshavë – nga të cilat një pjesë u shkatërruan dhe humbën gjatë bombardimeve, pjesa tjetër u asgjësuan prej nazistëve.

Vetvetiu të vjen në mendje shpjegimi se kjo paranojë e materializuar në mijëra e mijëra faqe dhe ilustrime, shumë prej të cilave të një niveli artistik të habitshëm, shërbeu edhe një formë ngushëllimi megalomaniak, për humbjen e madhe; persekutimin; katastrofën.

Kjo edhe ngaqë veprat skulpturore të Szukalskit dhe modelet e tij për monumente madhështore (që nuk u realizuan dot kurrë) nuk mishëronin vetëm shpirtin e një artisti individual por edhe – të paktën për krijuesin e tyre – shpirtin polak, të zhveshur nga mbishtresat kulturore të mëvonshme dhe të huaja (si katolicizmi dhe krishterimi në përgjithësi).

Konstrukti (pseudo-)intelektual i Protong-ut, me lidhjet që vendoste mes gjuhëve të botës dhe mëmën e tyre, “polonishten”, do të përfaqësonte, në mënyrën e vet, rikthimin e kombit polak në qendër të universit.

Dokumentari i Netflix-it (në filmimet e viteve para vdekjes së artistit në 1987), na prezanton me një Szukalski të plakur, të mpakur, pothuajse të trembur; flokëbardhë, me sy të përqarë prej majmuni. Vendin arrogancës skuadriste dhe kryelartësisë ikonoklaste të viteve 1930 ia kanë zënë tani batutat prej tuhafi të padëmshëm, trishtimi i një shpirti të ndezur madje brilant, që tani përballet me pakthyeshmërinë e dështimit. Edhe pse gjithnjë krenar për bibliotekën e dorëshkrimeve të veta dhe për teoritë që ka parashtruar atje, Szukalski duket sikur ka hequr dorë deri edhe nga përpjekjet për të bindur të tjerët për çfarë ka qenë duke thënë prej vitesh.

Gati-gati sikur ka një obligim ndaj vdekjes, më shumë se ndaj atyre që ende tregojnë interes për të. Gati-gati, sikur kërkon të tregojë se mrrudhja dhe rrëgjimi i tij i ngadaltë, si imigrant polak në Kaliforni shëmbëllen, në mënyrë simbolike, tkurrjen dhe rrëgjimin e polonishtes primordiale dhe të njeriut të parë “polak”, në kontakt me principin destruktiv që gjarpëron në univers.

Prandaj edhe të kujton një luan të plakur, dhëmbëkrimbur, maskot veteran të një cirku shëtitës të falimentuar, që tani i lejon deri edhe fëmijët t’ia fërkojnë e t’ia shkulin krifën, dikur të flaktë dhe tmerruese, i sigurt se nuk ka entropi që t’ia ciflojë diamantet e ideve.

Dokumentarin e mbarova pa i gjetur zgjidhje dilemës që më ushqeu: të jetë nacionalizmi thjesht simptomë e kontrolluar, e domestikuar e paranojës linguistike dhe historike, apo vallë të jetë paranoja linguistike dhe historike simptomë ekstreme, e dalë nga kontrolli, e nacionalizmit?

Dilemë që po më duket si rimarrje, këtë herë e shëmtuar, e mëdyshjes së filozofit kinez Chuang Chou, për fluturën, ëndrrën dhe subjektin ëndërrues.

© 2018, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Ndoshta kjo puna e paranojës linguistike nuk duhet parë si e lidhur në mënyrë të pandashme me nacionalizmin – kujtoj se përpjekje për të zbuluar “gjuhën adamike” janë bërë qysh në Mesjetë, por atëherë, si rregull, gjurmët etimologjike çonin tek hebraishtja, jo tek ndonjë nga gjuhët ende të pakultivuara evropiane. Ndikimi i nacionalizmit, pra, më duket dytësor, më shumë i lidhur me formën e jashtme që merr mëtimi për të zbuluar “nënën e të gjitha gjuhëve” (gjuha që “zbulohet” prej hulumtuesit modern është, sigurisht, gjuha e tij amtare), sesa me shtysën psikologjike për të kërkuar lidhje të paqena mes fakteve gjuhësore apo me strukturën e brendshme që këto marrin. Paranoja linguistike, pra, më ngjan se është një formë e veçantë e mendimit paranojak, që prek, më shpesh, tipat intelektuale, pavarësisht orientimit të tyre ideologjik.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: