RADIOJA NGA TIRANA

RTSH

Rastësisht ndesha në një album jazz-i italian, Espresso 443, nga Enrico Blatti, i etiketës Egea (mund të dëgjohet këtu, në iTunes), me nuanca mesdhetare elegante tipike, që zuri mirë vend në audiotekën time; por çfarë e dallon këtë album nga të tjerët gjithnjë të cilësisë së lartë të Egeas, është një tragë e titulluar Radio Tirana.

Çfarë do ta ketë frymëzuar klarinetistin Blatti t’ia kushtojë një kompozim të vetin radios shtetërore të Shqipërisë?

Meqë përgjigjen nuk e kam, po ia lejoj vetes të imagjinoj se pjesa evokon Radio Tiranën e djeshme, atë me valë të shkurtra, që pushtonte qiejt e netëve europiane, duke filluar që me notat lajmëruese të trompës (sinjali i intervalit, dëgjojeni këtu), që rimerrte vargjet e para të një kënge të njohur revolucionare të Prenk Jakovës: “Ndër ara, fabrika, kantiere…”

Ose më mirë – evokon mahnitjen e publikut përtej me zërin enigmatik, krejtësisht alien, si nga një dimension tjetër, botë alternative ose univers paralel, të Radio Tiranës në gjuhë të huaj.

Në vitet 1970-1980, eteri mbi kontinentin plak ishte shndërruar në fushë-betejë të valëve: propagandë, kundërpropagandë, zhurmues dhe kundërzhurmues; teksa antenat e radiofonisë i kapnin e i kontrollonin qiejt më shpejt e më efektshëm se raketat dhe avionët e NATO-s dhe të Traktatit të Varshavës.

Brenda asaj hapësire të pështjelluar, edhe Radio Tirana ishte superfuqi e llojit të vet.

Vizioni për botën i përcjellë nga njoftimet dhe emisionet e saj; shpjegimi dhe interpretimi që u bëhej ngjarjeve; vetë përzgjedhja e lajmeve, sipas një logjike krejtësisht idiosinkratike, që nuk përkonte as me atë komercialen të agjencive perëndimore, as me propagandën filosovjetike bishtdredhur dhe fjalëbutë të Lindjes, ofronte një alternativë.

“Zëri i Shqipërisë, zëri i së vërtetës”, më ka thënë njëherë, në greqishte të kulluar, një koleg athinas, në Napoli. Militant i PASOK-ut, i angazhuar seriozisht në politikë, i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj kauzës së vet, kolegu më tregonte se me ç’interes ndiqeshin emisionet e Radio Tiranës nga disa segmente të së majtës greke.

Nuk besoj që efekti i atëhershëm mund të krahasohet, sado pak, me efektin e kujt dëgjon sot radio Teheranin ose Phenian-in; ose kush shfleton sajtet e agjencive të lajmeve iraniane ose koreano-veriore.

Ndryshe nga Irani ose Koreja e Veriut sot, të cilat pikturohen nga propaganda perëndimore si prani “armiqësore” në skakierën globale, dhe që, në një mënyrë ose në një tjetër, janë ose në prag të luftës me Amerikën, ose përfaqësojnë pretekste madhore për t’i mbajtur të majme buxhetet ushtarake, Shqipëria nuk kanoste askënd, as kanosej prej kujt.

Por Radio Tirana pas gjase dëgjohej si jehona e një kërcënimi metafizik për rendin global, të Lindjes dhe të Perëndimit; sepse u provonte, atyre që merrnin mundimin ta dëgjonin, se ishte e mundshme të mbijetoje, edhe pse i përfshirë nga skizofrenia paranoide totale.

I datëlindjes 1969, Enrico Blatti do të ketë pasur mundësinë t’i dëgjojë edhe ai transmetimet nga galaktika fqinje, të cilat më bukur se gjithçka tjetër e kanë simuluar, në historinë e telekomunikacioneve, realitetin e një sinjali jashtëtokësor.

Nga pikëpamja muzikore, “Radio Tirana” i përngjan një tangoje me gjunjë të përthyer, kushedi për shkak të kohës kryesisht 5/8; një estetikë klezmer e transplantuar, si me magji, në një orkestër qytetare të Shkodrës në vitet 1960; ose edhe traga shoqëruese e titujve hyrës të një filmi përndryshe të pamundshëm, pak pikaresk e pak romantik të Fellini-t, me një Astor Piazzolla sa shqiptar aq edhe melankolik, që i bie bandoneonit në tavernën e hotel Dajtit në 1945.

Ajo pjesë e Enrico Blatti-t nuk transmeton lajme për oxhaqe që naltohen drejt resh dhe trase hekurudhash, a për dentistë pararojë, që realizojnë planin e dhëmballëve të shkulura; por vetëm burimi i muzikës shqiptare, po aq misterioze për publikun e Italisë përballë sa edhe bota brenda “kështjellës-fanar” në brigjet e Adriatikut.

Ose më mirë, një muzikë jo aq shqiptare, sa të frymëzuar nga muzika shqiptare; versioni world i një kolone zanore të Nino Rota-s, për një komedi me Alberto Sordi-n, inxhinier i huaj në Durrësin e viteve 1970, kushedi edhe drejtpërdrejt i përfshirë në ndërtimin e antenave të përbindshme të radiostacionit të Fllakës, që do t’ua torturonin transistorët radiove të pushuesve në plazhet e plogëta të dekadës.

Italianët, dhe dëgjues europianë të tjerë anembanë kontinentit, do të kenë vrarë mendjen për të gjetur një lidhje, sado të tërthortë dhe të pamjaftueshme, mes kësaj muzike që në thelb bashkon Perëndimin dhe Lindjen njëlloj siç e bashkon Mesdheu Veriun dhe Jugun e Botës; dhe mesazhit propagandistik flakëhedhës që shpërndanin derë më derë valët e Radio Tiranës.

Por asgjë përmbysëse e antikonformiste nuk gjen dot, në ritmet e thyera të muzikës së Ballkanit të përfytyruar nga Blatti, përveç hapit të shpejtë e të çrregullt të një zonje borgjeze në parkun e ndriçuar keq, në taka të larta e mëndafsh, e me frymën të parfumuar me konjak, që gatitet të tradhtojë të shoqin, kushedi për herë të parë; një Madamë Bovary pak ballkanike e pak adriatike, me erën e njelmët të detit në flegrat e ndezura.

Nuk ka komente

    1. E kisha harruar këtë këngë, të cilën megjithatë e njoh mirë. Edhe Battiato e përmend Radio Tiranën si burim “muzikash ballkanike” – atribuim i lezetshëm (të paktën), për një stacion që, në atë kohë, mburrej jo aq për mesazhin muzikor, sa për atë politik.

      Duke e interpretuar këtë në kontekstin e këngës (ku radioja jonë kombëtare gjendet në shoqëri të ciganeve në shkretëtirë, dervishëve dhe valltarëve bullgarë mbi thëngjij të ndezur), mundësisht edhe të amplifikuar me hashash, duket sikur Radio Tirana metaforizon diçka sa ekzotike, aq edhe gjenuine, instinktive, sensuale, të botës së tretë – nëpërmjet muzikës së saj.

      Në atë kohë kur këndonte Battiato ishte ende intelektualisht e mundshme ta shihje këtë botë Tjetër si vend gjeometrik të pafajësisë, ose të së vërtetës sensuale, e cila arrihet nëpërmjet çlirimit, edhe të trupit. Por sa e çuditshme, që kjo shpresë të përcillet duke metaforizuar radion e një regjimi politik, që predikonte se liria është njohje e domosdoshmërisë 🙂

      1. Ku i dihet : ndofta dhe ka qene vertet vend gjeometrik i pafajesise dhe i se vertetes sensuale, edhe pse ne vete shqiptaret, me te gjitha gjasat, nuk e kemi kuptuar a ndjere nje gje te tille. Robert Escarpit (http://fr.wikipedia.org/wiki/Robert_Escarpit) ka qene i ketij opinioni gjate gjithe jetes se tij : me eshte dhene personalisht rasti ta degjoj te mbeshtese nje hipoteze te tille. Jacques Lacan na paska bere vizite misterioze dhe te papritur, pikerisht kur nuk i interesonim askujt.
        Sikur po behen ca si shume keto sinjalet “me vale te shkurtra” por me “jehona te gjata”
        🙂

        1. Ja, edhe mua më intrigon kjo mospërputhje, kaq dramatike, mes mënyrës si na shihnin të tjerët dhe mënyrës si e shihnim ne veten… ose të paktën disa prej nesh veten.

          Pak a shumë pasi mbarova gjimnazin dhe fillova të lartën, unë e shihja veten si “perëndimor” të kapur peng në një rrjetë merimange. Jam i sigurt edhe se shumë të tjerë në Tiranë e konsideronin veten kështu – si njerëz që nuk i përkisnin realitetit, të cilit në fakt i përkisnin.

          Kjo vinte, besoj unë, ngaqë ne tërhiqeshim nga sirenat e përtejdetit, dhe ngaqë regjimi, njëlloj si ndonjë baba i sertë, komunikonte me shtresën tonë kryesisht duke na thënë JO.

          Ishte një rrethanë e tillë që na bëri, disa prej nesh, ta shohim Perëndimin si “vend gjeometrik” të lirisë së mendimit; pikërisht në një kohë kur disa në Perëndim e shihnin Shqipërinë si “vend gjeometrik” të gjenuinitetit.

          Kryqëzim i çuditshëm!

          Kushedi çdo shoqëri e stabilizuar herët a vonë do të përftojë një shtresë individësh që ndihen të jetërsuar, ose sikur nuk janë pjesë e saj. Me shqiptarët në Tiranë ndodhi vërtet kështu, nuk kam asnjë dyshim; por me sa duket kjo ka ndodhur edhe gjetiu.

          Por më duket qesharake që gjestet tona heroike të leximit të Sartrit ose të dëgjimit të BBC-së mund të krahasohen me Jane Fonda-n, që manovronte një top kundrajror të Vietnamit të Veriut!

          Gjithsesi, kjo shtresë njerëzish që nuk pajtohen me realen do të kërkojë alternativën – prandaj edhe s’duhet të na habitë dhe aq adhurimi i kosovarëve, në vitet 1970-1980, për një Shqipëri që kushedi atë adhurim s’e meritonte.

          Kam parë dikur, në një hotel në Durrës, një goxha burrë, nga Kosova, që po e shijonte një komedi të rëndomtë të Kinostudios, si të kish qenë e Fellini-t; me aq pasion dhe emocion, sa shoqëruesi i tij më thoshte “kam frikë se ky po tall bythën me ne.”

          Të kesh një alternativë, sado virtuale, sado të rreme, është më mirë se të mos kesh asgjë veç realitetit, ku mezi të lëshojnë vend.

          1. Robert Escarpit deshmon qe ideologjia t’i erreson syte, aq sa mund te jetoje edhe paranojen e nje diktatori si oazin e lirise. Shto ketu edhe karakterin apo personalitetin e personit.

            Ngjan te kem lexuar dicka te tij te perkthyer ne shqip vite me pare.

            Gjeta ne wiki nje kuote te tij per EH: Hoxha was a “man of luminous intelligence imbued with French humanist culture, he was the very opposite of a dictator.”(Hoxha ishte nje njeri me inteligjence ndricuese te mbushur(te penetruar nga) me kulturen humaniste frenge, ai ishte e kunderta e diktatorit”.

            Shqiperia e EH ne rastin e intelektualit stalinist terhiqte llojin e Escarpit, kurse njerezit me inteligjence te zakoneshme, kurioze, te prirur pozitivisht per Shqiperine socialiste e arritjet e saj, ndoshta ishin nje kombinim i vetmise, marxhinale shoqerisht, ndoshta me nje derrase mangut, endrrimtare marksiste te mbushur me urrejtje per shoqerine ku jetonin e te kompleksuar nga ndonje deshtim ne jete. Naivet duhet te ishin shume pak, por edhe ata pas nje vizite te shkurter turistike dilnin menjehere nga endra ne zhgjender.

            Megjithate c’ka mund te thuhet ne fund, eshte qe pothuajse te gjithe ata qe e vizitonin ishin turiste(disa dite ose ndoshta disa jave).

            Ata qe u ngulen pak me gjate, mezi priten te largoheshin dhe kujtimet e tyre ishin vecse diskretituese per Shqiperine socialiste, tregonin sa gabim i kishin imagjinuar gjerat.

          2. Ndofta eshte filozofia ajo qe mund te na vije me se tepermi ne ndihme per te kuptuar kete kryqezim : filozofia si “dhune qe krijohet nga mendimi me lidhje të pamundura”, ose filozofia qe ekziston “vetem kur ekzistojne lidhjet paradoksale, ose marrdhenie që nuk lidhen midis tyre, ose marrdhenie qe s’duhet të lidhen” – siç do thosh nje filozof te cilin po e citoj pa ia permendur emrin (dhe keshtu ja kursejme ndonjerit prej nesh kerkimin ne internet te kuotave te tij per EH).

            1. A prodhohet, krijohet absurdi(teti) nga nje pohim si i Escarpit? Pohimi hidhte sperkala vecse ne ate pellgun e tij te vogel.

              Nderkohe ne persiatjet tona po flasim per nje vdekur(pavarsisht se shume nga ne e perjetuam, kaluam nje pjese te jetes), Shqiperine e Enverit.

              Duke ditur shume pak, “our ignorance was a bliss” – padija ishte edhe bekimi yne.

              E solla citimin rreth EH per te illustruar ate qe quhen “reductio ad absurdum”, pohim qe duke e pranuar, e konsideruar per te mireqene, prodhon, rezulton ne paradoksin, te paverteten, fallsitetin.

  1. Mbaj mend para ca vitesh ne Itali, kur isha ne Pescara njoha nje kapiten anijeje qe kur mori vesh se isha shqiptar me tha se gjate udhetimeve ne Adriatik e Mesdhe degjonte here pas here Radio Tiranen. ” E prezantonin Shqiperine si nje kopesht me lule,por faktikisht e kishin shnderruar ne nje lager ” Fjale qe me ngacmuan e me ngelen te fiksuara.Fillimisht,ndjesia e pare ishte se nuk me erdhi dhe aq mire qe ma tha ashtu …troç fare pasi sapo e kisha njohur, sado qe kishte mese te drejte.Por me shume pershtypje me beri fakti se si kishte mundesi qe degjonte nje radio te nje shteti kaq te vogel e te parendesishem kur kishte zgjedhje plot.Kohe me vone mesova qe s’ishte i vetmi qe bente nje gje te tille !

    Radio Tirana ka simbolizuar tek te huajt (sidomos tek ata qe intelektualisht e politikisht anonin nga e majta) diçka vertet ekzotike per mos te thene mistike. Papenetrueshmeria,izolimi total dhe mungesa e informacionit viziv apo te shkruar nuk benin tjeter veçse i shtonin edhe me shume ate mbeshtjellje misteri qe e karakterizonte kete vend te afert kaq te larget !! Radio Tirana trasformohej keshtu ne te vetmin percjelles informacioni dhe kurreshtja e njerezve qe donin te dinin ndonje gje me shume rreth ketij vendi te veteizoluar qe simbolizonte purizmin marksisto-stalinist, ishte edhe me e madhe !

    I forte komenti i pare tek kenga e famshme e Battiato-s e postuar nga STALKER-i e qe ka marre edhe me shume “me pelqen” . Ne stilin tipik te komenteve ironike qe gjenden neper rrjetet sociale. Po e shkruaj siç eshte ne italisht duke shpresuar se nuk perben ndonje problem
    ” i 153 non mi piace sono quelli che ascoltano Radio Maria invece che Tirana! ”

    Ps: Fatkeqesisht nga 153,atyre qe s’u pelqeka, qenkan bere 169 🙂

  2. Me duket se ka pak interes, ose me sakte pak komente, ne kete blog, per diskutimet mbi muziken apo tema te tjera qe nuk jane te lidhura me politiken, historine, sociologjine dhe tema te tjera “terheqese” ku te gjithe shqiptaret ndihen pak-a-shume eksperte. Edhe kur behen komentet, me shume lidhen me elementet anesore te shkrimit – kujtoj p.sh. nje diskutim per te shkruar Moxart apo Mozart.
    Vecanerisht per muziken besoj qe kjo eshte e lidhur me mungesen e kultures muzikore ne pergjithesi dhe bombardimin me muziken komerciale. Besoj do ishte me interes qe te diskutohej me shpesh per artiste, gjini muzikore, tendenca, etj. Personalisht nepermjet ketij blogu kam zbuluar Elina Duni-n, nje grup muzikantesh afrikane dhe nga Lindja e Mesme, apo edhe kete Enrico Blatti-n.
    Nuk di dhe nuk besoj se ka tjeter website ne shqip qe te fokusohet ne muziken klasike apo jazz fjala vjen.

    1. Është për të ardhur keq, që nuk shkruhet më shumë për muzikën, online dhe në mediat.

      Kushedi do të ishte më mirë, për të gjithë ne, sikur të merreshim më shumë me art e kulturë, dhe më pak me politikë.

      Ndonjëherë më duket sikur obsesioni i njerëzve me “Salën” dëmton po aq shumë sa edhe vetë qeverisja e keqe e tanishme – edhe pse dëmi është i një lloji tjetër, më i thellë, më i pashlyeshëm.

      Duhet shumë kohë dhe mund për t’i qytetëruar njerëzit, por me sa duket jo dhe aq për t’i degraduar.

      Sa për muzikën, unë njoh shumë bashkatdhetarë muzikantë virtuozë, njohës të mirë të saj, njerëz me shije të hollë, produkte të një kulture muzikore disa brezash, që vjen sidomos nga Shkodra dhe nga Korça.

      Që këta nuk ndihen më shumë, kjo vjen, besoj unë, ngaqë janë lodhur, ose nuk ndihen mirë, në një kontekst ku emocioneve të rafinuara dhe jetës shpirtërore ua kanë zënë vendin pasionet e ulëta, pas gjërave që numërohen, duke filluar nga (e ndonjëherë duke mbaruar te) paraja.

      Unë mbetem amator në muzikë, por jam edhe aq i lirë mendërisht, sa t’i kushtoj kohë dhe të përballoj shpenzimet, gjithnjë minimale; të cilat muzika e mirë t’i shpërblen njëqindfish.

      Me gjithë qejf do t’i kisha kushtuar më shumë kohë muzikës së mirë, e cila fatmirësisht ekziston – në të gjitha llojet.

      Dhe meqë jemi në kontekst, do të rekomandoja të gjithë katalogun e etiketës Egea, që ka botuar albumin më sipër. Në Amazon (ShBA) gjen shumë tituj katalogu të formatit MP3, me çmime të arsyeshme (http://goo.gl/CmGHR).

      Idealisht, edhe në Tiranë e në Prishtinë duhej të kish pasur muzikantë aq të lirë, sa të shpreheshin kështu; muzikantët janë, por liria u mungon; ose vrazhdësia e së përditshmes ua ka devijuar përparësitë.

  3. Një mik italian (që në të ri dëgjonte edhe ai Radio Tiranën, natyrisht) më thotë që një pjesë të siglës të Radio Tiranës Battiato e ka përfshirë në një nga këngët e albumeve të tij të para (fillimi i viteve ’70, muzikë shumë ekperimentale, e ndryshme nga Battiato që njohim sot: duhet verifikuar nëse i përket albumit “Fetus”, apo “Polution”).
    Kjo puna e siglave (apo e sinjaleve që përdoreshin kur ndryshohej frekuenca, apo thjesht për të mbajtur gjatësinë e valëve) rimarrë në muzikë duhet të jetë një çikë endemike se di që edhe cicërima e zogut të Rai-t është vënë në këngë në Francë (“Le petit oiseau”, apo diçka e ngjashme, titullohet).

  4. Përveç një numri militantësh të dikurshëm antifashistë (që nuk e dinin që pjesa më e mirë e sivëllezërve të tyre shqiptarë, nuk u vra gjatë Luftës por pas Luftës), dëgjuesit e Radio Tiranës ishin po ata njerëz që pasi protestonin gjatë javës, për gjëra që nuk i kuptonin as vetë, i hipnin makinave në fund javë e çanin të argaliseshin si mundin, por kur vinin në Shqipëri mburrnin vendin që nuk kishte asnjë veturë private.

    Janë po ata që dje mallkonin e ngriheshin kundër « institucionit borgjez » të martesës dhe sot kërkojnë me këmbënguljen të drejtën e martesës për homoseksualët.

    Natyrisht, arrinin të ndikonin edhe artistë me sensibilitet të mirë, si Blatti, që viheshin të këndonin për diçka që për ta ishte po aq e huaj sa edhe unazat e Saturnit, madje i këndonin sepse nuk e kuptonin (Mos e prek idhudhin tënd thotë Floberi, se do të bëhen duart pis). Aspak më shumë. Në tërësi, ata nuk përfaqësonin të majtën e vërtetë evropiane (socialistet francezë, social demokratët suedeze e gjermane e ku ta di unë)

    Qenë një bandë adoleshentësh nevrastenike, edhe pse e kishin kaluar atë moshë. Tani që po përpiqem ta kuptoj këtë fenomen nga afër, sikundër nga afër njoha mekanizmin nga lëshoheshin valët (radio Tiranën), pamja del surrealiste.
    Në plan të parë të njohjes nuk ka qenë kurrë Shqipëria, port Kina, maoizmi. Lëvizja e ’68 u frymëza nga maoizmi. Enveri për një kohë të gjatë u cilësia se zgjatimi i maoizmit në Evrope, por pa konotacionin e sotëm të keq. Arsyeja qe e thjeshtë. Mbas Revolucionit hungarez reputacioni i Bashkimit Sovjetik qe lëkundur shumë, ndërkohë që goditjen përfundimtare ia dha romani Arkipelagu Gulag. Ata që nuk e njohin këtë histori nga afër e kanë të vështirë ta kuptojnë se çfarë roli ka luajtur ky roman. Nuk besoj se ka vepër tjetër botërore që të ketë ndikuar aq shumë rol politikisht mbi sipërfaqen e planetit.

    E megjithatë, ndodhi e keqja më e mundëshme. Në vend që t’i kthenin fare krahët një ideologjie të tillë të pafrytshme të pakënaqurit e përjetshëm lëvizën edhe më majtas, i kthyen sytë nga Kina. Diku, por kryesisht në Afrikë u fol edhe për hoxhizmin, por si copy past e maoizmit (fakt është që kur Hoxha denoncoi Kinën, Shqipërisë i mbeten vetë një grusht marksist leninistësh të papunë, apo agjentë të shërbimeve perëndimore, që deshën të mbanin nën kontroll mundësinë e përgatitjes së grupeve terroriste në territorin shqiptar).

    Për kureshtje po them, se armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë (hoxhiste) bëheshin përkthyesit e huaj të Radios, sapo iknin në vendin e tyre. Kam njohur një pjesë të mirë të tyre, kam biseduar gjatë me ta dhe e njoh zhgënjimin e tyre të thellë, vetëm dy javë pasi vinin këmbët në vendin e shqiponjave. Si më i besueshëm (fanatik marksist) mbahen një gjerman i vjetër, përkthyes i mirë, por këto ditë lexova prej tij se ishte dakord që Enveri ishte më i keq se Hitleri, sepse nën regjimin e këtij të fundit, siç thoshte, ai ekzistonte mundësia e një lëvizje opozitare. Teylori mbeti keq sepse thirri te gjithë familjen e tij të kompozuar në Shqipëri dhe per me teper, i kishte prerë të gjitha urat nga pas.

    Shkurt, për çfarë po flisnim? Ah, për rolin e Arkipelagut Gulag. Çudia është se jo çdo raman qe perkthehej ne ate kohe e Evrope denonconte po atë ideologji totalitare dhe po ato persona që denonconte ky roman monumental, qe nganjehere kthehej ne procesverbal krimesh qe te sensibilizonte opinionin boteror per krimet e stalinizmit, te cilin e mbronte me aq pasion Shqiperia e kohes (dhe shkrimtaret e saj), e qe per çudi gjente pasues per ate qe bente. Madje edhe kengetare!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin