FYTYRA TË SËMUNDJES

eyeM’u desh, gjatë përkthimit të një teksti të sociologjisë mjekësore, të dalloja shprehimisht në shqip midis nocioneve kyçe të cilat, në anglishte, autori i kish dhënë përkatësisht me illness, sickness dhe disease, duke specifikuar se illness është sëmundja e përjetuar nga subjekti; sickness sëmundja e perceptuar nga të tjerët, komuniteti ose shoqëria; dhe disease sëmundja që përbën objekt të dijes dhe artit të mjekut.

Krejt teksti mbështetej në dallimin mes këtyre tre nocioneve, prandaj i njëjti dallim terminologjik duhej ruajtur edhe në gjuhën pritëse.

Shqipja shpesh të lë në baltë në raste të tilla; meqë thjesht fjala sëmundje nuk mjafton, madje jo vetëm nuk mjafton, por edhe e dëmton të përcjellët e kuptimit, sa kohë që ajo fjalë, duke shërbyer si ombrellë kuptimesh, anulon pikërisht ato dallesa të cilat teksti në fjalë kërkon të sqarojë.

Dhe që nuk janë dallesa pa rëndësi: unë mund ta përjetoj sëmundjen time (illness) krejt ndryshe nga ç’e perceptojnë të tjerët, në një kohë që është përjetimi nga të tjerët (sickness) që përcakton statusin tim, si i sëmurë, brenda familjes, komunitetit dhe shoqërisë; dhe më në fund, trajtimin e kësaj sëmundjeje (disease ose disorder) do ta vendosë mjeku, në bazë kriteresh që janë specifike për dijen dhe artin e tij.

Kështu, një skizofren mund të ndihet i lumtur në çrregullimin e vet mendor (të mos e ndiejë illness-in), por të përbëjë shqetësim të madh për familjen dhe komunitetin, të cilët mund të vendosin edhe që ta spitalizojnë (institucionalizojne); dhe çfarë ndodh me të në spital ose në institucion, këtë e vendos mjeku, i cili e shndërron sickness-in e pacientit në disease, duke parashkruar edhe trajtimin përkatës.

Po ashtu, unë mund të kthehem, bie fjala, nga Afrika, me një formë të lehtë të kolerës (që më përjetohet si dhimbje barku – illness), por sëmundja ime është shoqërisht e rrezikshme (sickness) dhe kërkon veçim nga komuniteti ose karantinë për të penguar ngjitjen, si dhe trajtimin përkatës (disease).

Përkundrazi, unë mund të kem probleme të mëdha me dhimbje kronike të shpinës ose të muskujve (illness), por megjithatë, komuniteti të mos e perceptojë fare këtë problem timin, ose ta shpërfillë si çështje “nervash”; në një kohë që mjeku ia vë një emër (fibromialgji – si disease ose disorder) dhe përcakton trajtimin përkatës.

Problemi është – si t’i japësh këto koncepte në shqipe, pa u kuturisur në neologji?

Natyrisht, konceptet janë vetvetiu të ngushtuara, në kontekstin e një diskursi biomjekësor që themelohet mbi dallimet e tyre; por e rëndësishme këtu është që anglishtja e ndihmon këtë lloj diskursi të shtjellohet lirisht, duke ia ofruar të gatshëm materialin gjuhësor, në mënyrë të tillë që autorit (subjektit të diskursit përkatës) veç i duhet të (ri)përkufizojë termin që do të përdorë, jo të krijojë termin vetë.

Në rastin e shqipes, fjalorët dygjuhësh nuk ndihmojnë shumë, meqë do të japin gjithnjë “sëmundje” si përkthim. Një fjalor sinonimesh do të sugjerojë lëngatë (kushedi edhe dergjë), te sëmundje; por lëngatë është “sëmundje e rëndë, kronike, që të mbërthen për kohë të gjatë në shtrat”, prandaj nuk i shërben përkthyesit, dhe aq më pak mund të de-specializohet.

Duke e sforcuar pak gjuhën, mund të përkthejmë disease si patologji (çrregullim) dhe illness si pamundje; duke e lënë sëmundje për sickness – por kështu kemi mëkatuar me neologji, çfarë kishim vendosur ta përjashtonim që në krye, sepse nuk është detyrë e përkthyesit të krijojë fjalë; dhe duke e tradhtuar formën e brendshme të fjalës vetë, sa kohë që si sëmundje, ashtu edhe pamundje i referohen fjalës mund, në kuptimin që sëmundja është pamundësi, ose një lloj pafuqie për të funksionuar normalisht, për arsye shëndetësore; patologji shënjon zakonisht ecurinë (progresin) e një sëmundjeje (kur nuk shënjon atë degë të mjekësisë që merret me shkaqet dhe efektet e sëmundjeve), ndërsa çrregullim është hiperonim, sa kohë që jo çdo çrregullim është sëmundje.

Për krahasim, një përkthyes nga anglishtja në italishte nuk do të kish veçse vështirësinë për të zgjedhur midis malattia, morbo, affezione, malessere, malanno, male, dhe malore.

Në krahasim me simotrat e saj europiane më të lëvruara, shqipja paraqitet njëkohësisht edhe më e varfër, edhe më abstrakte: më e varfër, për shkak të mungesës së sinonimeve; më abstrakte, sepse me një fjalë të vetme, sëmundje kërkon të mbulojë një spektër kuptimor përndryshe të pasur në dallesa.

Një fjalor sinonimesh që përdor zakonisht (Dhrimo, Tupja, Ymeri), më jep, për sëmundje, variantet lëngatë, mardhë, shkumë, ngordhje, ligështi, prej të cilave asnjë nuk i përgjigjet kuptimisht fjalës temë, në mënyrë të tillë që të lejojë të flitet për sinonimi. Në rastin më të mirë, kemi të bëjmë me forma të hiponimisë ose të varësisë kuptimore vertikale: lëngata, ngordhja, shkuma, mardha, ligështia etj., janë lloje të ndryshme të sëmundjes si të tillë.

Ironikisht, i njëjti fjalor përmban një listë të pasur sinonimesh për sëmundjen e tokës (konvulsionet – si rregull, por jo doemos, epilepsinë): sharrëz, havale, punëherë, e leshta, lodërz, puna e hënës, lëngata e hënës, sëmbim, ilet, bëtajë, fëtigë.

Ky zhbalancim, kjo vithisje leksikore, është simptomatike për shqipen e sotme – që i ofron përdoruesit një numër të madh fjalësh me natyrë etnografike, ose monedhash të cilat nuk shkojnë në tregun e komunikimit.

I gjithë katalogu i sinonimeve për epilepsinë, përveçse të tregojë që kultura shqipfolëse e njeh mirë këtë sëmundje, nuk i ndihmon diskursit të sotëm rreth kësaj sëmundjeje – por, shumë-shumë, ndonjë shkrimtari ose ndonjë antropologu. Mekanizmi që ka çuar në përftimin e këtyre termave paralele njihet si eufemizëm – dukuri në thelb e lidhur me besëtytninë dhe që pasqyron dëshirën e folësve për ta shmangur emrin e drejtpërdrejtë të një sëmundjejeje serioze, ose për ta quajtur atë në mënyrë të tillë, që vetë emri të “ndihmojë” (magjikisht) në zbutjen ose shmangien e saj.

Vetë fjala sëmundje, në gojën e një shqipfolësi çfarëdo, është më shumë mysafire se në shtëpinë e vet; ne zakonisht themi jam pa qejf, jam keq, jam si kështu, nuk jam mirë, kam një si siklet, nuk ndihem mirë, kam zënë shtratin, nuk jam në terezi, etj.; ose më ka mbërthyer keq, nuk po ngre kokë, etj.; (manifestime të illness), duke mos emërtuar sëmundjen, por mënyrën si e përjetojmë, ose si reagojmë ndaj saj (këtu nuk po cek emërtimet e drejtpërdrejta të ndiesive: më përzihet, më dhembin kryqet, s’e mbaj dot bukën, më sëmbon në ije, më djeg shurra, më mbahet goja, s’kam fuqi fare, kam ethe, më merret fryma, më merren mendtë, më dridhen duart). Përkundrazi, në një kontekst tradicional, komuniteti (familja, mëhalla, fshati, etj.) do të priret të përdorë zakonisht një eufemizëm, në rast se sëmundja identifikohet; dhe në kontekste të tilla, rolin e mjekut e luan zakonisht një person (një mjektar, një plakë, një barnatar, një hoxhë, etj.) i cili nuk kuron “sëmundjen” por personin vetë, ose simptomat.

Kështu, vështirësitë në përkthim nuk janë thjesht leksikore ose normative, por edhe konceptuale; shqipja ende i përgjigjet një kulture të paekspozuar ndaj diskursit racional analitik perëndimor, që, në lëmin mjekësor, i ndan sëmundjet nga të sëmurët, duke i trajtuar si “entitete” më vete, të organizuara sipas kategorive jo vetëm horizontale, por edhe vertikale. Të krahasohen, në këtë kontekst, më kruhet me dermatozë. Mjeku i sotëm jo vetëm shquhet profesionalisht edhe nëpërmjet zhargonit që përdor; por edhe ndikohet nga ky zhargon në masë kritike, aq sa të shpërfillë ndonjëherë që prapa simptomave gjendet një subjekt, jo një entitet abstrakt si “sëmundja.”

Nuk ka komente

  1. Artikulli mjaft interesant. Më pëlqen mënyra me të cilën autori bashkon përvojën personale me formimin profesional. Është e çuditshme pra se si specialistët e fushës së mjekësisë janë marrë vesh mes tyre deri më tani, kanë kryer kërkime profesionale dhe kanë dashur të depërtojnë në dijen universale , e cila duhet pranuar më së shumti prodhohet në gjuhën angleze.
    Te pjesa që i referoheni përkthyesit, më saktë detyrës së tij për të mos prodhuar terma të reja në shqipe, në mungesë të komiteteteve terminologjike dhe atyre normëzuese, unë mendoj se është pikërisht ky çasti, kur përkthyesi me anë të zgjedhjeve të tij (brenda lëvrimeve termformuese në shqipe ose edhe duke iu referuar klakut) të mund të propozojë për publikun (edhe nëse ky është i specializuar) një variant i cili me gjasa mund të ngulitet si formë në literaturën e mëtejshme.

    1. Shkruan:

      Është e çuditshme pra se si specialistët e fushës së mjekësisë janë marrë vesh mes tyre deri më tani […]

      Në fakt mjekësia, duke pasur parasysh këtu mjekësinë perëndimore, gjithnjë është mbështetur në një lingua franca, ose gjuhë të përbashkët: latinishten. Edhe pse latinishtja ka qenë gjuhë e dijes në Europë deri vonë, ajo mbeti e tillë për mjekësinë edhe shumë kohë pasi në fusha të tjera u zëvendësua nga gjuhët kombëtare.

      Me sa di unë, edhe te ne në Fakultetin e Mjekësisë studiohet latinishtja (së paku studiohej deri vonë).

      Ka një arsye praktike për këtë: raporti midis diagnozës dhe emrit, nëse biem dakord se diagnoza është vendosja e një lidhjeje midis një bashkësie simptomash (që shfaq i sëmuri) me një emër sëmundjeje (sindrome, çrregullimi, etj.). Që diagnoza të jetë e saktë, duhet që emri të mos lërë shteg për ekuivoke, sepse në bazë të diagnozës do të përcaktohet edhe mjekimi (në vija të trasha).

  2. A nuk janë illness e sickness sinonime? Nëse autori i tekstit ju jep këtyre fjalëve nuanca përtej atyre të që i shënon fjalori (po i referohem dictionary.reference.com), atëherë pse përkthyesi duhet të ngurrojë të merret me neologji?

    Më tepër se rasti konkret, po më intereson se si veprohet profesionalisht në situatat të tilla. Faleminderit!

    1. Në përgjithësi, në raste të tilla, neologjia nuk rekomandohet; ose duhet lënë për në fund. Specializimi kuptimor është më i pranueshëm. Sickness dhe illness janë fjalë që ekzistojnë në anglishte, duke e bartur specializimin kuptimor si potencial, në mos si realitet. Përfytyro sikur një përkthyes në anglishte të përdorte fjalën illnessless si një gjendje kur dikush nuk është i shëndetshëm ose healthy (p.sh. ngaqë është HIV+), por nuk i ka ende simptomat të tilla që ta vuajë sëmundjen si të tillë (si illness). Do ta gëlltiste dot kush këtë illnessless? E solla shembullin për të treguar sa të papranueshme janë neologjizmat në anglishte, dhe me të drejtë. Për mua, neologjia e sëmur gjuhën, është një lloj kanceri, sepse e prish ekuilibrin qelizor (leksikor) duke sjellë elemente të reja në një sistem si leksiku, që mbështetet mbi rimarrjen (dhe rekurrencën).

  3. Une nuk do ngurroja te perdorja “lengate” per “sickness.” Fakti qe “lengate” ka edhe nje kuptim qe eshte me specifik se sa si e percepton shoqeria semundjen nuk duhet te perbeje problem, pasi edhe “sickness” ka gjithashtu nje kuptim tjeter qe eshte me specifik se sa ky. Perderisa “sickness” ka nje kuptim te specializuar ne anglisht qe eshte “nausea” dhe nje kuptim te despecializuar, nuk ka pse perkthyesi te druhet nga kuptimi i despecializuar i termit “lengate” ne shqip. Mund te thuhet se i njejti argument eshte i vlefshem per cfaredo term me kuptim te specializuar, por me vesh “lengate” me tingellon si term qe e ofron veten me natyrshem se cfaredo term tjeter.

    Besoj se “se-mundje” perkon me sakte me “dis-ease” se sa me “illness” apo “sickness” jo thjesht per ngjashmeri ne strukture, por edhe sepse eshte term qe e ka fituar statusin e te qenit objektiv pavaresisht perceptimit. Madje edhe vete fjala shpreh perparesi te objektit ndaj subjektit: “i semuri” rrjedh nga “semundja” dhe jo anasjelltas.

    Tek “illness” ngec.

    1. Blog shume provokativ per nje gjuhetar… Per mua “lengata” lidhet me teper me nje gjendje te vazhduar semundjeje – dicka kronike apo e zgjatur. Fjalen “illness” ne e ekuivokojme me teper me togefjaleshin “s’jam mire” qe nuk lejon emerzim. Do te shtoja ketu grupin “i ligesht – ligeshti” si kandidat per “illness.” Me pelqen analiza “se-mundje” = “dis-ease.”

    2. Lëngatë mund të bëjë punë, edhe pse sot për sot perceptohet si arkaike. Vërej që e kanë përdorur shpesh në përkthimet moderne të Dhjatës së Vjetër dhe të Dhjatës së Re, çka pajtohet me tingëllimin e saj arkaik. Po ashtu, fjala sot nënkupton sëmundje që shoqërohet me qëndrim të gjatë në shtrat, meqë folësit e konsiderojnë si të prejardhur nga lëngoj, me kuptimin “dergjem, vuaj”. Në fakt, shoh se Oreli tani lëngatë e nxjerr nga një *ligatë (e rindërtuar), të formuar nga mbiemri i lig, me kuptimin “i sëmurë”; dhe ndryshimi në temë (nga *lëgatë në *lëngatë) është ndikuar pastaj, horizontalisht, nga lëngoj. Etimologjikisht, këtë të fundit Oreli e nxjerr nga latinishtja languere me të njëjtin kuptim, duke vërejtur edhe praninë në shqipe të fjalës lëngjyrë, të ardhur nga lëngoj, me kuptimin “tifo.” (Etimologjia e ofruar nga M. Ahmeti dhe E. Lala, që e afron lëngatë me lugat dhe, më tej, me latinishten legatus, “legat”, nuk mund të qëndrojë). Unë do të futja në këtë grup edhe lungë, ndërsa shumë autorë kanë gjetur një lidhje me lëng (sëmundjet qëmoti nuk bënin shaka). Përndryshe, në këtë kontekst, unë besoj se edhe fjala lëngim, si formim i rregullt prapashtesor nga lëngoj, mund të vijë në vështrim, për nevojat e tashme të shqipes. Edhe një vërejtje tjetër: kuptimi “që i përzihet, që vjell” i anglishtes sick ka të ngjarë të jetë prejardhur, meqë në gjuhët gjermanike rrënja ka zakonisht kuptimin “unwell”; dhe në vetë anglishten, ajo ndeshet më parë me kuptimin “i prishur mendsh”, dhe më pas me kuptimin tjetër “që i përzihet”. Përkundrazi, ill ka pasur në anglishte më parë kuptimin “moralisht i keq”, me të cilin ndeshet që në shekujt XII-XIII, në një kohë që me kuptimin “i sëmurë” shfaqet në mes të shekullit XV; në anglishte është huazim nga norvegjishtja e vjetër (të dhënat për anglishten i kam nxjerrë nga http://www.etymonline.com/index.php.)

      1. Une do te preferoja “lengim” meqe ka nje ton me modern (apo me pak arkaik) se lengate. Por, cili do te ishte mbiemri perkates apo folja e eliminon nevojen per mbiemer? I am ill = lengoj?

        Atehere disease = semundje?

        Cfare mbetet per sick?

  4. Një punim që lexohet me kënaqësi e ku në përfundim ndihesh më pak i varfër në të kuptuarit e proceseve që lindin kur përqasen dy organizma aq të komplikuara që janë gjuhët. Megjithatë mbetem tek dera e nuk gjej dot hyrjen për të kuptuar pothuaj neverinë e autorit për neologjinë. Në të vërtetë nga ajo që kemi, nuk është se mungojnë arsyet për të mbetur të paktën i zhgënjyer nga neoligjizma të ndryshme. Keto dite, më ra në dorë një përkthim i një libri të Platonit. Libri i famshëm GOSTIA që ashtu është quajtur që në vitet ’30 kur përkthehej pjesë pjesë, por edhe Banketi po ta linin nuk ishte keq. E para, dikush së fundi e kishte sjellë me emrin Bashkë-pirja.
    Nuk ka dyshim që gostia (nga gost mik) duhet të vijë nga sllavishtja e vjetër, por tashmë eshtë integruar në mënyrë perfekte në shqip. Po kjo marrëzi bashkë-pirje nga doli. Eshtë gati si të parapëlqejmë një prodhim bio ndaj një kimikati toksik.
    Po ta njihja autorin do te kisha qejf ta pyes si do ta përkthente fjalen orgji?

    E megjithatë, një provë e tillë e dështuar dhe aspak prodhimtare (e kam të vështirë të ftoj në bashkë-pirje një mik), nuk duhet të na tmerrojë sa t’i kthejme kurrizin neologjise. Duhet te kete arsye perderisa pas qindra vjetesh vazhdon te rezistoje ne kembe si dege e gjuhesise.

    Nuk e kujtoj këtë çast, por personi që në frëngjisht propozoi fjalën ordinator për computer, në Francë mbahet si hero kombëtar dhe emri tij është i pranishëm në të gjitha tekstet e fushës, po ashtu edhe ai qe propozoi logiciel per programme etj.
    Pa u zgjatur, modestish po kujtoj se në këtë blog duke diskutuar për këtë temë, jam shprehur (mbështetur të gjuhëtarë të mëdhenj botërorë), se pjesë e neologjisë është edhe ripërdorimi apo riciklimi i fjalëve të vjetra në funksion të sendeve apo fenomeneve të reja, moderne.

    Shembull ? Nuk po shkoj më tutje. Në temën pasardhëse, Radioja nga Tirana, xha xhai me mjaft sukses ka sjellë fjalën tragë për të zëvendësuar track (duket qartë që të dyja kanë origjinën te latinishtja, por rrugët që kanë ndjekur për t’u bashkuar këtu janë aq të ndryshme). Problemi i shqipes është se nuk ka komisione specialistësh, që jo të krijojnë, por të validizojnë, neologjizma të tillë si ky i mësipërmi, të gjejnë mënyrat për t’i propozuar për përdorim më të gjërë etj.

    Shkurt, abuzimet me neologjinë, nuk besoj se janë të mjaftueshme që ta shohim vetë neologjinë me dyshim.
    Meqë jemi në fushën e mjekësisë, kujtoj bisedat e gjata me dr. Bashën dhe punën e tij titanike për të gjetur terma të anatomisë, por edhe për të krijuar të tilla. Kujtoj bicepsin (ka qindra të tilla), për të cilin ai propozoi termin muskul dykrerësh (po qe se nuk kam harruar), dhe që sot vërej se është integruar nga të gjitha tekstet e mira të anatomisë në shqip…

    Ka edhe terma te tjerë që humbën rrugës, por përsëri e shoh të pamjaftueshme të thyejmë termometrin…

    1. Sajimi i fjalëve më duket art shumë i vështirë, dhe sidomos për shqipen është më shumë sëmundje, se bar shërues. E kuptoj që në terminologji ndonjëherë nuk ka rrugë tjetër – por unë gjithnjë do të preferoja huazimin ose përshtatjen, përkundrejt neologjisë. Megjithatë, këtu me neologji kam parasysh formimin e fjalëve të reja, jo përshtatjen kuptimore; p.sh. tragë për track është përshtatje ose specializim, meqë fjala tragë ekziston në shqipe. Nga ana tjetër, edhe fjala ordinateur, në frëngjishte, ka qenë në qarkullim të paktën një shekull para se të hynin në përdorim kompjuterët (shih këtu); përkundrazi, logiciel duket të jetë neologjizëm (njëlloj si anglishtja software). Shqipja sot ka pranuar softuer, edhe pse unë do të kisha pëlqyer më shumë logjiciel. E gjithsesi, kur i druhem neologjisë, unë nuk kam parasysh terminologjinë si të tillë – por diskursin intelektual në përgjithësi. Fjalë si sëmundje ose anglishtja disease nuk janë të barasvlershme me termat specifikë të fushës (khs. përkulshmërinë kuptimore të sëmundje me uniformën ushtarake të sindromë). E më në fund – një argument që e kam trajtuar më gjatë te libri Kundër Purizmit – ideologjia kombëtare ekzistuese i sheh me simpati të madhe autorët e fjalëve të reja; edhe pse, po të shohësh me kujdes, shumica e këtyre fjalëve nuk mbijetojnë, nuk hyjnë dot në gjuhë, mbeten të izoluara në tekstet ku janë mbjellë, vjetërohen që pa e shijuar rininë e tyre.

  5. “vjetërohen që pa e shijuar rininë e tyre” – po ta kisha lexuar qe ne mengjes kete shprehje do e kisha perdorur ne leksionin e sotem mbi fjaleformimin. Do te gjej nje menyre qe ta perdor ne seminarin e te premtes. Krijimi (apo me mire “shpikja”) e fjaleve te reja duket me teper si nje dembeli intelektuale. Sa te vrasim mendjen e te kerkojme (research) per te gjetur shprehjen/fjalen e sakte, le te krijojme nje… kushedi, ndoshta ngjit diku…

  6. Teme dhe trajtim mjaft interesant 2xh. Do lexoja me kersheri nje shtjellim tuajin ne nje artikull tjeter (nese) me shembuj dhe nga fusha te tjera, sesi varferia apo pasuria e shqipes (perkunder gjuheve te tjera) perkon me mendesite popullore dhe zhvillimet kulturore, e nese i ka ndikuar gjuha me shume keto te fundit apo anasjelltas.

    Ne rastin konkret te ketyre tre fjaleve, dhe une jam kurioz ta di si do vendosesh ti perkthesh, dhe, edhe pse e kuptoj shume mire ngurimin per neologjizma te mirfillta, nuk frenoj dot nxitjen tifoz-amatore per te te shtyre drejt fjaleve te reja, nese ajo ngelet zgjidhja e fundit (last resort).

    Tek e fundit, nese ka vend per te futur fjale te reja, ku me mire sesa tekstet shkollore/profesionale? Jo vetem ngaqe bartja sa me precize e kuptimit eshte me e nevojshme sesa ne nje tekst letrar, por dhe se audienca eshte me e vogel, por dhe detyrueshmeria (per ti pervetesuar keto fjale) eshte me e madhe, dhe keshtu pra kane me shume shanse per te mbijetuar sesa fjale vjen “nenkresa”, etj.

    1. Unë vendosa për pamundje (illness), sëmundje (sickness) dhe patologji (disease), por vendimi im ishte i kushtëzuar nga koha e paktë që kisha. Kushedi, pas diskutimit tonë, do të kisha marrë lëngim në konsideratë (edhe pse më pëlqen shumë edhe dergjë). Pamundje është doemos neologjizëm, edhe pse mund të merret si emërzim i mbiemrit i pamundur (në kuptimin ‘zaif, angl. under the weather).

      Meqë e hapëm prapë këtë muhabet, duke qëmtuar nëpër leksikun shqip të sëmundjes, vura re se disa fjalë, p.sh. sëmbim, ose e therur i përkasin fushës semantike të pamundjes (sëmundja e përjetuar nga subjekti), ndërsa të tjera, si grahmë ose aht (agoni) i përkasin fushës semantike të sëmundjes (sëmundja e perceptuar nga Tjetri). Arti i mjekut është, ndër të tjera, edhe të vendosë lidhje mes këtyre dy fushave semantike: asaj çfarë përjeton pacienti, dhe asaj çfarë perceptohet nga jashtë.

      Natyrisht, ka edhe shenja ose ngjarje, si të fikëtit ose fundja edhe vdekja, që perceptohen vetëm nga jashtë; subjekti përjeton afrimin e të fikëtit, por jo të fikëtit vetë.

      Këto nuk janë spekulime thjesht linguistike – por lidhen drejtpërdrejt me komunikimin e të sëmurit me të tjerët. Kështu, në leksikun popullor, ka një pasuri të madhe cilësimesh për natyrën e dhimbjes, të cilat nuk më rezultojnë të integruara në teknikat diagnostike. Ndonjëherë mjeku e ka më të lehtë t’i kërkojë të sëmurit të matë intensitetin e dhimbjes (ose ta kuantifikojë simptomën sipas një shkalle 1-10), edhe pse i sëmuri ngul këmbë ta përshkruajë dhimbjen si të thellë, mbytëse, shtrënguese, shpuese, therëse, djegëse, si turjelë, si thikë, si gozhdë, si pllakë, “sikur më ka rrahur njeri”, etj.

      I gjithë ky leksik, përshkrues në mënyrën e vet metaforike, i përket sferës së pamundjes (illness). Mjeku, nga ana e vet, do të shfrytëzojë edhe të dhënat laboratorike, radiografitë, ekografitë, matjet që kryen vetë (tensionin e gjakut, sheqerin, oksigjenimin, lëvizjet e syve, fundus oculi, pamjen e gjuhës, pulsin, reflekset, etj.), të cilat i përkasin fushës së tretë (patologjisë, ose disease).

      Kështu, e njëjta dukuri shprehet, bie fjala, si nxehtësi ose ethe (pamundje), skuqje e fytyrës (sëmundje), temperaturë (patologji). Mjeku i mirë arrin t’i shohë të treja këto pamje të kombinuara në një objekt të vetëm trepërmasor.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin