VEND DHE KOHË (I)

një përqasje filozofiko-historike

Kjo seri e vogël shkrimesh mbi dy të dhëna themeltare (vend dhe kohë) që na për-kufizojnë si individë, më shumë se shteruese, është një përqasje grishëse që synon të gjenerojë debat rreth çështjeve të parashtruara. Ngasja, apo ngacmimi për të shkruar diçka të tillë fillimisht ka qënë një kureshtje e kahershme e imja, për të hedhur më shumë dritë mbi kalimin e njerëzimit nga moduli i mendimit pagan, në atë monoteist. Për shtjellimin më poshtë, adoptoj përqasjen e Stelios Ramfos, filozofit të mirënjohur grek  – por idetë e tij i shikoj të vendosura në një kontekst më të përgjithshëm, dhe akoma më të përshtatshëm për lexuesit shqipfolës.

Kuptimi i konceptit vend, zëvendësohet në shkrim me fjalën territor. Pra, një hapësirë fizike e populluar që përmban burime jetësore të nevojshme për njerëzit që e banojnë. Por ndërsa vend ofrohet si koncept dhe e dhënë themeltare, fjala territor, nuk e zëvendëson dot këtë të fundit. Në shkrim do të flitet për territore, gjithnjë duke pasur parasysh përmasën themeltare dhe konceptin filozofik të kësaj fjale.

***

vendi

Që prej lashtësisë, janë të njohura konfliktet e ndryshme që kanë marrë shkas prej nevojës për të pushtuar dhe zotëruar një territor të caktuar. Klimë më e ngrohtë, burime më të mëdha natyrore, kanë qënë shkaqet e para që kanë sjellë konflikte midis fisesh, tribush, mbretërish, perandorish, etj. Karakteristika interesante që sugjeron Stelios Ramfos në këto lëvizje dhe pushtime, ka të bëjë me mënyrën sesi pushtuesi çdo herë e ka trajtuar territorin e pushtuar dhe popullatën përkatëse. Prej historisë së hershme, ai ofron dy shembuj klasikë sesi pushtuesi menaxhonte tokën e pushtuar. Atila Huni – thotë filozofi, mënyrën e vetme për të zotëruar territoret e pushtuara e kishte duke djegur qytetet që i përgjigjeshin një forme tjetër civilizimi. Ndërsa Aleksandri i Madh, përzgjodhi një tjetër mënyrë për zotërimin e territoreve të pushtuara prej tij; ai ngrinte qytete të reja, të famshmet Aleksandri, të cilat i shërbenin si kulla shpërhapëse të civilizimit që promovonte. Për shkak të kësaj veçantie, të pahasur ndonjëherë më parë në botën pagane, Aleksandri është quajtur ndryshe pararendës i krishtërimit.

Arsyet pse, shpjegohen me një mënyrë të veçantë sesi mbretërit dhe perandorët e krishterë, zgjidhnin të siguronin zotërimin e territoreve të pushtuara. Këtë e bënin nëpërmjet konvertimit të të pushtuarve në fenë e re të atëhershme. Se pse krishtërimi – dhe përgjithësisht fetë monoteiste – kishin këtë dinamikë përhapjeje, do të trajtohet tek pjesa e dytë e shkrimit, që ka të bëjë me kohën.

Kjo formë e re pushtimi dhe zotërimi, ishte një nga arsyet që i siguroi Perandorisë Romake të Lindjes, jetëgjatësinë e vet plot një mijë vjeçare. Shembuj karakteristikë të kësaj forme diplomatike të ruajtjes dhe zgjerimit të territorit, janë konvertimi i popullsive të ndryshme në krishtërim, si konvertimi i bullgarëve dhe rusëve të Kievit.  Nga ana e vet dhe Perandoria Romake e Perëndimit, në të njëjtën mënyrë konvertoi anglo-saksonët dhe popujt gjermanikë.

Unisioni shpirtëror dhe politik i pandashëm, siguronte unitetin absolutist të pushtetit, e dukshme kjo dhe karakteristike për Evropën deri në shek. XVIII. Akoma dhe një krijesë më shumë fiktive sesa reale si Perandoria e Shenjtë Romake, kërkonte bekimin papnor për të kurorëzuar perandorin e vet. Shenjë e absolutizmit dhe dualizmit politiko-fetar të atyre kohëve. Periudha e lindjes së kombeve, do të shënonte dhe fundin e kësaj hegjemonie (por kjo çështje meriton të trajtohet veç).

Një tjetër aspekt që vendoset nën këndvështrimin kritik të filozofit Ramfos, është cilësia e territorit të banuar. Dhe këtu filozofi vëren zhvillimin e qyteteve; kryesisht i referohet shek XII, në të cilin në Evropën Perëndimore zhvillimi ka qënë më evolutiv sesa në Evropën Lindore. Zhvillimi i qyteteve në Perandorinë Romake të Lindjes, pësoi stanjacion, thotë filozofi. Dhe kjo pati pasoja më pas në lindjen, kalitjen dhe stimulimin e individualizmit – proces i kryer në Perëndim, dhe i lënë në mes në Lindje. Në shekujt e mëpasshëm, nëse në Perëndim lindi klasa borgjeze, kjo u afirmua, madje zotëroi pushtetin, përmbysi feudalizmin – gjithnjë brenda entitetit të qytetit – ky proces në lindje nuk ndodhi. Qoftë për shkak të “vonesës” në perceptimin filozofik të kohës, dhe gjithashtu pushtimit prej Perandorisë Osmane.

Ramfos nuk analizon më tepër lindjen e qyteteve, por kjo temë meqë mu duk e rëndësisë së veçantë, më nxiti të shoh për lëvizjen e Rilindjes së shek. XIV që përfshiu përgjithësisht një pjesë të territorit të Italisë së sotme. Ndër karakteristikat se pse kjo lëvizje kulturore ndodhi pikërisht në këtë zonë, jepet forma e administrimit të qyteteve të atëhershme italiane si Firence, Genova, Venediku etj.

Burimet online tregojnë se kjo zonë ishte një nga më të urbanizuarat e Evropës së atëhershme. Qytetet-shtete kryesisht kishin marrëdhënie shumë të zhvilluara tregtare me botën e jashtme, dhe mjedisi stimulonte dhe nxiste artet dhe dijen. Karakteristika të ngjashme, kishte dhe Janina e XIX – siç u pa tek një shkrim i mëparshëm imi.

Se si këto të dhëna historike që ofron Ramfos, kanë ndikuar në veçantinë e individit shqiptar të sotëm, ka shumë gjëra për të thënë. Thuhet se pas qëndresës së atëhershme të Skënderbeut, Arbërisë iu shkatërruan qytetet. Gjithashtu, duke qënë në periferi të Perandorisë zhvillimi i qendrave urbane u limitua mjaft, qoftë për arsye strategjike. Do të ishin përsëri qytetet – kësaj rradhe brenda entitetit të Perandorisë Osmane – si: Shkodra, Voskopoja, Korça, Janina etj, ato që do të gjeneronin civilizim, dhe do të përcillnin idetë e zhvilluara në Perëndim, dhe do të mbrujtnin në këtë mënyrë ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve.

Veçantia tjetër dhe më interesantja, është një temë që vetëm sporadikisht e kam parë të trajtuar në shqip, mediatikisht dhe në studime: mungesa e klasës së hershme borgjeze. Pavarësia e gjeti Shqipërinë një vend feudal-tribal. Dhe mbarimi i Luftës së Dytë Botërore po kështu. Periudha e monizmit, nxiti zhvillimin urban, por jo individin e lirë brenda entitetit qytetës. Ky fenomen, apo kjo mungesë, duket është karakteristikë pan-ballkanike. Për të afirmuar këtë, më vjen në ndihmë një tjetër autor grek, Nikos Dimou kësaj rradhe, që ka folur mjaft në shtyp dhe ka botuar një libër madje me titullin: Klasa e humbur. E ka fjalën për klasën e mesme.

Nuk ka komente

  1. Pershendetje Julius
    Duket sikur dia nga shembujt apo shpjegimet historike qe sjell Ramfos per te mbeshtetur arsyetimet dhe perfundimet e tij nuk jane te duhurit.
    Ndoshta Aleksandri i madh mund te quhet pararendes i krishterimit, vec duhet gjetur ndonje lidhje tjeter dhe jo ndertimi i qyteteve. Ne fund te fundit te gjithe popujt qe kishin arritur stadin e urbanizimit ndertonin qytete ne vendet e pushtuara; keshtu vepronin edhe parardhesit kulturore te Aleksandrit, apo edhe popuj te tjere ne te njejten kohe ose ne kohera te ndryshme. Kaloresit e stepes nga ana tjeter ju perkisnin nje civilizimi te ndryshem, me pak urban.
    Po ashtu historia nuk verteton se me kalimin e bullgareve ne krishterim ata u bene me pak te rrezikshem per Perandorine e krishtere bizantine dhe se keto konvertime kishin rendesi ne mbijetesen e saj.
    Ne fund te fundit si bullgaret edhe popuj e mbreteri te tjera te krishtera kane synuar vazhdimisht pushtimin e tokave bizantine dhe kane rrethuar disa here Konstandinopojen. Ne fakt ate e moren perfundimisht turqit, por pasi latinet dhe ortodokset e Ballkanit – qe bizantinet vete i kishin konvertuar – e kishin demtuar rende. Nje shembull tjeter; perandoria romake e perendimit e mbajti sundimin mbi popujt e pushtuar per aq kohe sa secili prej tyre besonte ne fene e tij pagane dhe duket se me kalimin ne krishterim (ne mos gabohem ne shekullin IV) ajo dhe popujt e saj u demtuan.
    Gjithsesi keto jane detaje, qe mund te debatohen dhe me shume kenaqesi, nderkohe qa pjesa qendrore e arsyetimit duket shume llogjike

    1. Ke të drejtë Gjergj, shumë të dhëna ” i fsheh” prej shkrimit, për arsye se vetë formati i blogut ka tipare të tilla kufizuese.

      Nëse shkon jo më larg se faqja online e wikipedias për Aleksandrin e Madh, aty zbulon disa tipare të tjera që i japin pohimit të Ramfos më lart, vlerën e vet. Vër re sidomos lidhjen e “difusionit kulturor”, dhe njëzet qytetet me emrin e tij. Ky ishte tipar shumë inovator për kohën dhe fenomen me përmasa të papara më parë. Këtu duhet të kemi parasysh se Aleksandri kishte disa të dhëna të karakterit të vet, që nuk i përgjigjeshin kulturës pagane. E cila ishte e kufizuar, shumë herë introverse, ksenofobe dhe raciste. Do të ishte pikërisht një qytet i themeluar nga Aleksandri, Aleksandria e Egjiptit ku do të përkthehej Bibla në greqishten e vjetër. Dhe krishtërimi u shpalos në ato zona ku Aleksandri kishte ndërtuar qytetet e veta.

      Nga ana tjetër, po të klikosh tek linku për krishtërimin e bullgarëve, do të shohësh se kur ky u krye, Perandoria Bizantine siguroi me ta një “paqe të thellë” 30 vjeçare. Jo vetëm kaq, por konflikti bullgarë-bizantinë, u shndërrua në konflikt të brendshëm të të parëve, për shkak të rezistencës që elita pagane bullgare kishte prej fesë së re.

      Historinë mund ta shpjegojmë në shumë mënyra, por prej saj duhet të nxjerrim një konkluzion, si për shembull: Çfarë është Evropa e sotme?

      Për mua është një realm post-fetar, dhe jo anti-fetar. Anti-dogmatik, po. Anti-fetar, jo.

  2. Bibloteken e Aleksandrise e ndertuan greket pagane me sa di une dhe e kane shkateruar te krishteret ne fundin e shekullit IV. Eshte realizuar nje film shume i bukur mbi kete periudhe “Agora” qe rrefen jeten e filozofes Hypatia dhe perplasjet fetare atekohe ne Aleksandri. Ia vlen vertete dhe ja keshilloj kujtdo qe e lexon komentin.
    Nuk dua te them me kete qe feja e krishtere apo fete monotoiste ne pergjithesi jane fe shkaterruese biblotekash kulturash e civilizimesh qe kane sjelle shekuj erresire ne Europe etj, por vetem qe Ramfos po i jep ortodoksise dhe Aleksandrit (dy klishe greke, apo jo) atribute qe nuk i kane.
    E njejta vlen edhe per paqen tridhjete vjecare; kam lexuar disi per ate periudhe pasi me interesonte historia e njerit prej te burgosurve bizantine qe konvertoi princin Enravota ne krishterim, dhe mesa kam pare historianet shkruajne se paqja u vendos dhe zgjati per arsye se bullgaret dhe bizantinet perballeshin atekohe me armiqe shume te fuqishem; franket e Luigjit I pasardhesit te Karlit te madh per bullgaret ne veri dhe arabet e Harun el Rashidit per bizantinet.
    Faqja e wikipedies me duket e gabuar, pasi paqja eshte vendosur gjate mbreterimit te mbretit Omurtag qe ishte pagan dhe pasuesit te tij Malamirit gjithashtu pagan madje i njohur si persekutor i te krishtereve.
    C’fare eshte Europa e sotme? Serisht do te thoja se eshte padyshim me shume ekonomi dhe politike sesa fe, siç edhe ka qene gjithnje.

    1. […] por vetem qe Ramfos po i jep ortodoksise dhe Aleksandrit (dy klishe greke, apo jo) atribute qe nuk i kane.

      Cilat do të ishin atributet që nuk i kanë?

      Sot pas plot 11 shekujsh prej konvertimit të bullgarëve (dhe gjithë popujve sllavë) në krishtërim, kultura e tyre është ajo e krishterë. Feja e tyre është ortodokse, alfabeti i tyre është cirilik, periudha e artë e tyre kulturore, është ajo nën Simeonin e parë, pak dhjetëvjeçarë pasi u konvertuan.

      Kjo është kultura që ata pranojnë për veten – nëse zëmë dhe flasim prej konkluzioneve.

      Çdo periudhë përplasjeje kulture ka formën e vet të dhunës. Ka incidentet e veta, ka heronjtë, anti-heronjtë… Hypatia, apo çdo lloj përplasjeje e tillë kulturore e hershme, është tepër pak për të nxjerrë ndonjë përfundim.

      Ramfos nuk është filo-ortodoks, është filo-evropian. Madje e kritikon filozofinë i të cilës është mbartës në disa tipare të vetat, që do bëhen të ditura në pjesën e dytë të shkrimit. Por përhapja e kulturës helenistike prej Aleksandrit dhe hegjemonia e Perandorisë Romake të Lindjes, janë të vërteta të thjeshta, të mirëpranuara.

      Ramfos në shkrimet e veta, ndër të tjera, flet për një sinkronizim të vendit të tij – Greqisë, me kulturën e Evropës Perëndimore. Dhe çelësi i shpjegimit për këtë sinkronizim, është Evropa filozofike, Evropa etike. Forma e saj, mënyra se si kjo mendon, etika e vet, etj. Këto janë të pamundura të shpjegohen pa lidhjen e vet Evropës me krishtërimin.

  3. Dua te them qe krishterimi nuk eshte “kulle shperhapese e qyteterimit” ose nuk eshte me shume se fete e tjera. Krishterimi eshte thjesht nje fe sic ka shume dhe nuk ka ndonje rendesi kapitale ne zhvillimin e popujve dhe vendeve; fundja edhe mund te kete rendesi, por te dores se dyte. Me sa kam lexuar mbi filozofine (njw minum prej nje libri te Luc Ferry-t ) filozofia e meparshme greke ishte shume me perparimtare ne kete drejtim dhe ne shume drejtime, por feja e krishtere triumfoi mbi te, pasi permbante mesazhin e shpetimit te perjetshem. Qe ishte shume me interesat sesa agnostizmi i filozofise apo Hadi i grekeve te lashte. Vertete qe zhvillimi erdhi prej qyteteve por qytetet e medha nuk i lindi krishterimi, ato jane krijuar gjithnje si pasoje e zhvillimeve ekonomike dhe politike.
    Periudha e arte bullgare nuk na percolli asnje dokument te vetem mbi arberit qe patjeter aty ne perendim duhet te ishin, nen influencen e saj, apo te Bizantit, nderkohe qe prej grekeve te lashte kemi cdo detaj mbi popuj qe jetonin mijera kilometra larg. Per te mos thene qe pak a shume ne te njejten mesjete bizantinet nuk kishin gjetur argetim tjeter pervec shkaterimit te ikonave.

    1. Gjergj, po më vjen pak keq të të them se duhet të presësh të dalë pjesa e dytë e shkrimit, që flet për këto çështje që prek ti. Sidomos për mesazhin e shpëtimit të përjetshëm – Ramfos flet dhe për këtë, dhe është dakord madje me pohimin e Ferry-t.

      Ajo e kullave të qytetërimit, i referohet qyteteve që themeloi Aleksandri. Por ato u shndërruan në enë që mbartën filozofinë e re të krishterë – siç është rasti i Aleksandrisë. Nga qytet pagan, u shndërrua në qytet kristian.

      Krishterimi eshte thjesht nje fe sic ka shume dhe nuk ka ndonje rendesi kapitale ne zhvillimin e popujve dhe vendeve; fundja edhe mund te kete rendesi, por te dores se dyte.

      Për këtë pohim, marrim vetëm emërtimet e lëvizjeve kulturore që kanë ndodhur dhe i kanë dhënë formë Evropës së sotme, dhe të gjejmë lidhjet që këto kanë me krishtërimin.

      Në shek. XIV, kemi Rilindjen – A mund të qëndronte ky koncept, pa njohur Ngjalljen?

      Në shek. XVIII kemi Iluminizmin. Kjo i qëndron thënies – po nga Krishti: Unë jam drita e Botës. Gjithashtu si koncept, njohim humanizmin. A mund të ekzistonte ky, pa adresimin ndaj Krishtit si Bir i Njeriut?

      Do më thuash: Iluminizmi dhe humanizmi ishin antikristiane si lëvizje, se Rilindja kishte frymëzim hyjnor. Do të them që ishin lëvizje anti-dogmatike, por jo anti-filozofike. Si filozofi, i përgjigjeshin krishtërimit.

      Akoma, po lexoja një shkrim tani së fundi tek PPU, që thotë ndër të tjera:

      Shumë prej vlerave fillestare të iluminizmit në fakt kanë qenë trashëguar në formë të transpozuar nga Krishterimi.

      Nuk dua t’i bëj “reklamë” krishtërimit në këtë seri artikujsh; unë vetë jam ateist. Por gjykoj se është e rëndësishme të kuptohet Evropa filozofike, post-fetare, në mënyrë që të shpjegohen parimet e saj, vlerat, morali që mbart etj.

  4. Te themi qe liria prej dogmave, selektimi dhe konkurenca e mendimeve, ideve, filozofive ndihmojne ne zhvillimin e shoqerise dhe ne zhvillimin tone qe komunikojme

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin