KUR FLET DREJTËSIA

silencedGjykata e Rrethit Tiranë sapo i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për vrasjet e 21 janarit, me ç’rast Kryeministri Berisha shpjegoi se “nuk do të më gjeni kurrë mua duke komentuar vendime gjykatash”, ndërsa Kryetarja e Kuvendit Topalli se “kur flet drejtësia të gjithë duhet të heshtin”; fjalë që më kujtuan, kushedi pse, fjalinë e fundit të Tractatus Logico-Philosophicus të Wittgenstein-it: “Wovon man nicht sprechen kann, darüber muss man schweigen.” (angl. “Whereof one cannot speak, thereof one must be silent,”) e cila në shqipe pak a shumë mund të sillet si “për çfarë nuk mund të flitet, duhet ndenjur pa folur.”

E megjithatë, edhe kjo larje duarsh e krerëve institucionalë është një lloj diskursi specifik, ndaj të cilit këshillën e Wittgenstein-it nuk e ndjekim dot, sidomos edhe ngaqë ka shumë për t’u thënë, pa përsëritur ç’kemi thënë më parë për ato katër vrasje në mes të ditës e në dritë të diellit, nga forcat policore të shtetit, që janë lënë, kushedi qëllimisht, të pandriçuara nga Drejtësia.

Duke ua lënë të tjerëve komentin politik për këtë vendim të gjykatës, dua të ndalem pak vetëm në një reagim të Kryetares së Kuvendit në seancën e sotme të Kuvendit, në përgjigje të protestave përkatëse të opozitës.

Sipas “Panoramës”, dixit Topalli që nga foltorja e vet mbi nivelin e detit:

Jeni mësuar ju, se këtu 50 vite bënin prokurorin edhe gjykatësin edhe kërkonin t’i varnin në litar. Të njëjtët jeni, ti mund të jesh sekretari par i Tiranës po as si Xhelili nuk je, ik mor andej, kur flet gjykata ju duhet të mbyllni gojën, ju që flisni cdo ditë, pa pyesni pak Luiza Xhuvanin, a ishte nënë ajo moj zonjë që iu vra djali nga djali yt, mu më dhimbesh edhe ti moj, po don me fol ti, nuk është kinemaja kjo që kërkoni të varen në litar, ka drejtësi sot.  Ti nuk ke faj, s’kam gjë më ty as me brezin tjetër, por parimit duhet ti qëndrojmë; flet drejtësia heshtni, ikni frikacakë, i coni për ti vrarë e pastaj ikni. Boll keni vra 50 vite ka ikur koha juaj.

Fjalë që vijnë prej një personi institucional, i cili gjetiu njihet edhe me emrin “Speaker” i Parlamentit, ose si figura institucionale që flet – prandaj edhe ia vlen të shihet më nga afër diskursi (kaotik) i kësaj “folëseje” së Kuvendit, ose i zërit zyrtar të pushtetit legjislativ në Tiranë.

Ka një logjikë, në diskursin e çalë të Topallit; një logjikë që, kushedi në emocion e sipër, nuk arrin të nyjëtohet në fjali, as të mpikset në mendim racional – e pikësuar siç është nga shpërthime të vogla emocionale, të llojit “ik mor andej”, “moj zonjë”, “mu më dhimbesh edhe ti moj”, “po don me fol ti”, “ikni frikacakë”, e ndonjë tjetër.

Kjo logjikë shtjellohet sipas dy aksesh: (1) Politika e sotme si revansh ndaj krimit komunist dhe (2) Mbylleni gojën.

Që roli i Topallit është të bashkërendojë edhe debatin në Kuvend, këtë e dimë; sikurse e dimë që, në një parlament si ai i Tiranës bashkërendimi i debatit si rregull konsiston në censurimin e këtij apo atij parlamentari, që nuk respekton rregullat e Kuvendit ose të seancës.

E megjithatë, Topalli këtë lloj censure formale e përdor për të ushtruar artin ironik të një “spikere” të Parlamentit, që nuk lë njeri të flasë e t’i flasë, duke u hedhur në fytyrë oratorinë prej gruaje në revansh të përhershëm, të pasur në non sequitur dhe në diversione nga më të ndryshmet, e që nuk do të ngrinin peshë, sikur të mos paralajmëronin tonin dhe strukturën e diskursit politik të PD-së, në fushatën elektorale që po afrohet.

Filli që e mban bashkë këtë diskurs, është referimi këmbëngulës ndaj “drejtësisë” totalitare, që nga “varja në litar”, te Xhelili dhe te “kinemaja” (salla famëkeqe e Kinema Republikës, ku u zhvilluan gjyqet kundër armiqve të regjimit komunist, në gjysmën e dytë të viteve 1940).

Duket sikur Kryetarja e Kuvendit është etikisht e motivuar, në rolin e vet dhe në zotimin e saj politik, nga dëshira për t’u hakmarrë për padrejtësitë dhe krimet institucionale të 60 vjetëve më parë, të cilat – sikurse gjithashtu e kemi thënë – kanë mbetur të padënuara, qoftë edhe simbolikisht, nga drejtësia shqiptare e këtyre 20 vjetëve të fundit.

Si në një rast edhe në tjetrin, drejtësia e pas 1990-ës nuk ka guxuar të prekë politikën, as të djeshmen as të sotmen.

(Dhe për këtë drejtësi u dashka heshtur, kur flet!)

Natyrisht, farsa e drejtësisë komuniste, në gjyqet popullore të zhvilluara në kinematë, ose pikërisht në vendet e destinuara për të konsumuar fiksionin e filmit dhe për t’u zbavitur me spektakël, nuk e përligj as mund ta përligjë farsën e sotme të një drejtësie që i vidhet përgjegjësisë së vet dhe sidomos të institucioneve të larta të shtetit dhe të personave që i mishërojnë, të cilat sillen si të ishin protagoniste të një reality show.

Gjithnjë sipas Topallit, opozita e sotme përfaqëson, në thelb, po ata njerëz që dje nuk ngurruan t’i varin në litar kundërshtarët e tyre: “jeni mësuar ju, se këtu 50 vite bënin prokurorin dhe gjykatësin”, “boll keni vra 50 vite, ka ikur koha juaj”; ajo u drejtohet deputetëve të PS-së si të ishin të dërguar të prokurorëve të Enver Hoxhës, duke e energjizuar veprimin e vet politik, dhe vetë diskursin e vet institucional, me nevojën për të marrë hak.

Ky koluzion i drejtësisë me hakmarrjen, tipik për mendësinë patriarkale të shqiptarit rural, është sanksionuar tashmë si realitet i pranuar, madje si argument në mbështetje të çdo arbitrariteti të forcës në pushtet, në marrëdhëniet e saj me opozitën e majtë.

Nuk ka dyshim se Topalli vetë e beson këtë; kushedi edhe ngaqë e ka provuar në lëkurën e vet arbitraritetin e dhunës totalitare – dhe nuk e kupton ironinë e pozitës së saj, në krye të një institucioni të cilit i është besuar, ndër të tjera, detyra për të ruajtur e për të mbrojtur gjithçka të ndyrë, amorale dhe kriminale që regjimi i sotëm ka trashëguar nga i djeshmi, drejtpërdrejt dhe në trajtat e jashtëqitjeve të këtij të dytit.

Veç kësaj, nuk di as sa mund të tolerohet, nga pikëpamja qytetare, që Kryetarja e Kuvendit, në rolin e saj institucional, të përdorë këtë logjikë tribale, kanunore, që e sheh dhe e shpjegon veprimin politik, çdo veprim politik, në kontekstin vertikal të etërve dhe të bijve – sikurse duket në përmendjen e pakuptueshme të “Xhelilit”, ose në një krahasim logjikisht qesharak të 21 janarit me një vrasje ordinere që paska kryer djali i deputetes së opozitës L. Xhuvani.

Ky farë spektakli i vjen publikut shqiptar pikërisht nga “speaker”-ja e Kuvendit; ose mishërimi i zërit dhe i pranisë publike të një institucioni i cili përmbledh, në arsyen e qenies së vet, vullnetin e zgjedhësve; por që, në rastin konkret të Topallit, rregullisht integron, në këto performances të saj, elemente të jetës së saj si qytetare private, si grua, si shkodrane, si katolike, si ish të përndjekur, si veriore – ose të gjitha ato tipare të cilat nuk kanë fare të bëjnë as me Kuvendin si të tillë, as me Kryetarin e saj.

Shënim: Meqë fushata elektorale ka filluar tashmë, dhe zyrat e propagandës të palëve ndërluftuese kanë sendërgjuar strategjitë për ta “ndezur flakë” edhe hapësirën virtuale të Internetit, kemi vendosur që, në komentet rreth shkrimeve me natyrë politike, të lejohen të komentojnë vetëm kolegë që kanë komentuar në PTF edhe më parë.

Nuk ka komente

  1. Thjesht te dy forcat kryesore partiake qe kane udhehequr vendin duhet te cohen ne kategorine e dyte ose te trete te politikes Shqiptare. Shqiptaret per 5 muaj kane shansin per nje rifillim te ri duke hedhur voten ne alternativa te reja.

  2. (Përtej gjithë asaj që ka ndodhur sot, e që është vetëm pasoja e pashmangshme e jozefinave e berishëve në krye të këtij vendi, dhe përtej çdo retorike në dukje për efekt elektoral, ndërkohë që në të vërtetë nuk përkas në politikë …):

    Nuk ka asgjë logjike e institucionale në diskursin trashëgimor të adoptuar rregullisht nga krye-palaçoja e Kuvendit. Nuk ka asgjë në rregull e të tolerueshme në shndërrimin e asaj salle në kabarenë e rradhës, ku tema e preferuar, sa herë flitet për krim shtetëror (kujtoni heshtjen e impostuar nga lart, me rastin e djegies së disa prej të persekutuarve vetëm pak muaj më parë) është mveshja e trashëgimisë imagjinare e etërve të djeshëm ndaj bijve të sotëm. Sepse pikësëpari, bijtë janë përhapur sa majtas djathtas, e vështirë t’i identifikosh aq pastër në të majtën e sotme. Mjafton të kujtojmë krye pd-istin dhe frekuentimet e tij të rregullta në pushtetin e djeshëm, për të rrëzuar çdo pretendim pastërtie e lustrimi të PD-së në këtë drejtim. E pikësëdyti, dhe sikur gjërat të ishin kaq të ndara, asgjë nuk na siguron se zgjedhjet e bijve sot janë të goditshme pse konform zgjedhjeve që bënë baballarët. Secili mban përgjegjësi për zgjedhjet individuale dhe jo pse ka trashëguar atësinë që i ra për pjesë.

    Më kujtohet me këtë rast vala e tretë e peticioneve për 3 ligjet e flokut të artë (nën kujdesin e rrëmbushjen e Topallit, në një kohë kur Kuvendi as kish nisur punimet) iniciuar nga të ashtuquajturit trashëgimtarë të firmëtarëve të pavarësisë. Peticion që tentoi të kalonte për fisnike nismën e përtejvarrit të etërve të pavarësisë, nëpërmjet firmave të nipërve, kontributi i të cilëve publik, privat, në të mirë e në të keqe, mbetet ende për t’u parë. Sepse nëse kanë zgjedhur të rrinë në shtëpi, apo të kontribuojnë në publik, apo të kriminalizojnë në heshtje/bujë, kjo sërish mbetet për t’u parë.

    Argumenti trashëgimor, si çdo gjë tashmë, përdoret e manipulohet sipas dëshirës e vaftit. Arsye pse, përveçse kur është fjala për ndonjë kontekst familjaro-privat, thirrja trashëgimore turbullon meritokracinë, objektin e debatit, arsyen e të qenit aty, duke shkelur e përçudnuar çdo gjë që ajo sallë kuvendore, ajo karrige ku është ulur ndenjë e ata dëgjues përfaqësojnë. Ku rezultati më së paku është ai i një shoqërie të tërë, të përgojuar e të dhunuar në xhiron e një seance.

    Sa e patolerueshme Xha Xha? Aboslutisht fare, zero, nada, nicht.

  3. Kanuni na qenka kthyer në kushtetutën jo-formale të këtij vendi. Ky diskurs i kryetares së kuvendit, duhet refuzuar mbi këto baza. Kulturore. Të gjithë ata, të cilët nuk besojnë se fajet mbarten ja kështu në mënyrë topallësh nga baba tek biri të dy imagjinarë, dhe nuk legjitimohet krimi në këtë mënyrë idiote, gati psikopate, mbi baza trashëgimie, këta njerëz duhet t’i refuzojnë politikisht mbi këtë arsye: promovimin e një kulture të fëlliqur, që njerëzimi i ka larë duart që këtu e 2000 vjet më parë. Është krejtësisht absurde të vihet në diskutim kjo çështje në shek XXI!

    1. Aftesia ligjeruese e nje individi eshte eshte e kushtezuar ne mase ….. nga shkalla e refraktaritetit te tij si, njesi strukturore dhe funksionale,e cila determinohet gjenetikisht.
      Shkalla e refraktaritetit eshte mbijetese ne nivelin e individit,por fatkeqsisht,katastrofe ne kuadrin e nje bashkesie.
      Kultivimi i gjuhes ka efekte pozitive ,per aresyen se rrit funksionin amortizues te mbingarkeses emocionale, qe, ajo zoteron.
      Kjo zonje sic duket ,ka nevoje per nje kurs intensive te gjuhes shqipe te te gjithe shqiptareve.
      Nuk mund te gjej arsyen pse shumica e jona ,pranojne te kontrollohen nga individe , te cilet nuk jane ne gjendje te vetkontrollohen ,vetrregullohen.
      Mjerim,mjerim mjerim……

    1. Turp i Zotit! Ç’te thuash, kjo te le pa fjale!
      Edhe kryetari i kooperatives se fshatit tim fliste me mire se kryetarja e parlamentit tone!

    2. më falni provokimin, por çfarë gjuhe flet këtu Jozefina?

      dhe më vjen të qesh kur mendoj përpjekjen e shumë kosovarëve, ndonjëherë të dështuar por prapësëprapi legjitime, për të folur në standart, dhe nga ana tjetër këtë zonjë me krenarinë e saj rurale të flasi atë shqipe që di (nuk them dialekt se nuk është dialekt).

      heu!

  4. Edhe një për temën trashëgimore, meqë më shumë se episod të aty-këtushëm, e shoh si gangrenë sistemike institucionale. Sërish pak muaj më parë doli Prokurori i Përgjithshëm fringo nga qesja, e ndër intervistat e para publike, sqaroi se gjyshin e kishte të persekutuar e pushkatuar, e se nuk e kuptonte pse nuk e kish votuar (kësisoj) Jozefina. Meqë edhe vota e Jozefinës mori sërish dhenë.

    http://www.panorama.com.al/2012/12/20/flet-kryeprokurori-regjimi-komunist-me-pushkatoi-gjyshin-se-di-pse-topalli-sme-votoi/

    Ç’të thuash në kto raste? Nuk i mjaftuan 71 a 73 votat zotërisë? Duhej patjetër t’i falej klemencës së Topallit?

    Që kur kriteri për Prokuror të Përgjithshëm është gjyshi i pushkatuar? Kujt i duhet nga vjen gjyshi e ç’ka bërë gjyshi? Sa serioz është dikush që e nis kështu atë super detyrë, duke u marrë me votën private të krye palaços, në vend që të merret me krimet që po brejnë për së gjalli atë ç’ka mbetur nga ky shtet? Sa i pavarur qenkësh Prokurori i Përgjithshëm me gjysh të pushkatuar, që më shumë se organ kushtetues duket si figurinë e dalë nga ndonjë draft ligji për lustrimin (që PD mezi pret të sjellë në kohë zgjedhjesh)?

  5. Menyra e te arsyetuarit te Kryetares (nuk besoj se ka ndonje gatim ndryshe, e menduara prej te folures, tek ajo) nuk eshte rast i vecante.
    Kur shihet nje forme e tille sjelljeje e perseritur dhe e gjere ne ambjentin e siperm e te mesem shteteror, te kap paniku se mos infeksioni del me i forte se antitrupat… Dihet qe ka dhe pjese te shoqerise, edhe te politikes biles, qe nuk jane ne keto ujra, por turbullira dhe mosbesimi po bejne perpara. Sallata alogjike qe vershon prej tyre (me perfaqesues kryesor kreret e kuvendit dhe qeverise, po krijon vertete nje ambjent ku arsyeja, e drejta, etika, nuk po perdoren ne masen logjike te egzistences dhe evolimit te ketij shteti, po ecet mbrapsht.

    p.s. situata e krijuar sot me ngjan si nje nga sfidat me te renda qe i behet shtetformimit, pertej demit erresues ne ligjeraten dhe logjiken institucionale…

  6. une e shoh disi me ftohte kete diskutim te “crregullt” te jozefines. Ajo vetem sa vendos piketat e nje diskursi te sinqerte dhe ri-perkufizimin e marredhenies se pushtetit politik (klases politike) me sistemin gjyqesor.

    1. Se pari ka te beje me konceptin e drejtesise qe ajo perdor: e cila perkufizohet me ate qe nuk eshte, dhe jo ate qe duhet te jete; ndarja e kompetencave ndermjet prokurorise dhe gjykates, kontrolli i gjyqesorit nga klasa politike, ndeshkimi “jo me litar”, jo gjykim popullor (kinemaja) etj.
    2. I kthehet Xhuvanit per t’i kujtuar se sistemi gjyqesor eshte ai prej te cilit perfitojme ne si klase politike; ky eshte sistemi qe kemi ndertuar, nga ai perfitojme te gjithe dhe mbi te gjitha ky sistem nuk duhet te behet objekt i vleresimi “popullor” (quaje demokratik).
    3. Diskursi i trimave dhe heronjve perkunder atyre “ikanakeve” e “frikacakeve” (ndoshta Edi Rames i kishin bere atentat me te vertet per ta vrare me ndonje plumb qorr) percakton nje tjeter marredhenie me drejtesine; ate te me te fortit, te me te dhunshmit dhe sherben si nje mesazh per te gjithe aspirantet e pushtetit politik ne Shqiperi: kjo pune kerkon tope!

  7. Mendoj qe ajo qe pame dje (nga drejtesia dhe parlamenti) eshte grahma e fundit e nje sere vendimesh te nje sistemi kunder te drejtes, te nje sistemi qe ka rreth 22 vite qe promovon antivleren. Vendimi i gjykatesve (qe liruan dy te dyshuar qe per 80% te popullsise ishin vrasesit e te pakten 2 protestuesve) vjen pasi koleget e tyre kane liruar rreth 64 kriminele. Askush nga shoqeria jone nuk reagoi per kete paturpesi te sistemit, madje as Jozefina Topalli nuk reagoi.

    Sistemi jone gjygjesor (sikunder makro sistemi i shtetit) eshte ndertuar ne nje menyre te tille qe te denoje te pafajshmit dhe te mosdenoje ato qe vrasin dhe urdherojne per te vrare. Kur dikush i fajshem lirohet nga gjykatesit askush nuk e vret mendjen, kur i pandehuri (qe me shume gjasa eshte dhe fajtor) nuk denohet nga gjykata serishmi kundershtari politik e mban ne xhep kete fakt sepse ka kontribuar qe i pandehuri te mos denohet ne menyre te tille qe ta perdore si akuze personale ndaj kundershtarit politik por edhe ta perdore si kunderpeshe per vendimet e veta. Keshtu qe kur te vije rradha per te denuar dike ai/ajo do te jete nga gjykata. Keshtu e perkthej repliken e gjate dhe bezdisese te Jozefina Topallit, burrneshes qe ka marre persiper te fitoje zemrat e militanteve dhe adhuruesve te Sali Berishes.

    Shoqeria jone eshte ne grap te nje kolapsi dhe te nje zullumi permes pranimit te percudnimit te vlerave universale te njeriut, permes prodhimit te ketij brumi politikanesh dhe permes mungeses se theksuar te vlerave. Duhet bere nje revolucion, por jo drejtuar pushtetit apo shtetit por duhet drejtuar karshi vetes sone dhe me pas familjes dhe shoqerise qe na rrethon. Permes fanatizmave tribale, megallomanise se rraces superiore dhe preardhjes hyjnore ilire-pellazge, fajit qe asnjehere s’eshte i joni por i te tjereve (500 vjet turqi, 50 vjet enverizem qe erdhi nga jugosllavet), mungeses se nje gjygji ndaj vetes po zhytemi gjithnje e me shume ne terrin padijes. Ne terrin e nje shoqerie qe monstrash dhe horrash, e gatshme te fale dhe heqjen e fjales, te heqe dore dhe nga lirite kryesore vetem e vetem nga makuteria per te fituar.

    Shikoni se cpo i bejme ambientit? Shikoni se cpo i bejme natyres sone? Askush me nuk di te thote se cfare lloj speciesh jemi, jemi te afte vetem te ngreme monumente dhe nuk ngopemi me te. Duam me shume, me shume, me shume kemi nje eksitim qe na vjen prej monumenteve, nje sadizem qe vjen prej deshires per tu poshteruar. Madje nuk na vjen keq kur edhe eperoret tone ushtrojne seksin per te treguar pushtet ndaj nesh. Pretendojme barazi ndaj grave por syresh askujt s’u behet vone kur megallomanet e pushteit vendosin te heqin edhe ate numer te paket grash nga listat, askush nuk ngrihet te protestojne kur femra percudnohet nga barbare, nga kafshe apo nga gjykates qe shurrosin mbi varret e tyre duke liruar fajtoret.

    Te gjtihe ndjehemi te tradhetuar, jo sepse nje gjykates bishtepellumb vendosi te thote se vrasje ka por nuk ka vrases, jo per faktin se nje deshtak opozite pasi hengri hallven e xhenazes shkoi te hante ngjalen e lalzit, as per kfatin se Berisha ka lexuar fshehtas 50 Hijet e Grey duke u kthyer ne nje sadist qe flet per preshin ndersa jepej vendimi me me peshe para zgjedhjeve. As per faktin se Big Brother Tan Prifti na pranoi hapur qe Ilir nuk eshte fajtor dhe se ai ka ngrene nje ngjale me te duke u pajtuar (kujtohuni pak gjykata e pavarur dhe shteti i se drejtes shpallen te pafajshem Ilir Meten dhe pastaj Dritan Priftin) e as per shume mekate te tjera qe me kujtohen e sdua ti fus ne kete thes te madhe me m… s’ndjehem i tradhetuar prej tyre. Ndjehem i tradhetuar prej vetes dhe shoqerise sone. Qe kurre s’eshte ngritur per Liri por gjithnje eshte ngritur per para. Eh po, jemi shoqeri e materializmit here dialektik e here kapitalist!

  8. Fjalimi ‘patetik’ i Jozefinës nuk është asgjë para asaj që bëri gjykata e pavarur e Saliut. Diçka tjetër është për të vënë duart në kokë: që ato fjalë u thanë nga personi që është në krye te parlamentit shqiptar. O TEMPORA O MORES. A do gjej populli forca ta hedhë poshtë këtë mënxyrë të errët që po rrënon vendin??

  9. Mua personalisht më pëlqen veçanërisht kjo pjesa, kur gjykata e Tiranës i sqaron Ambasadës Amerikane në Tiranë (e shkruaj me të madhe këtë, për hir të rolit të saj vetvetiu të njëhershëm politik), se po ndërhyn në punët e brendshme.

    Më tepër shih këtu:

    http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=251230

    Dhe kjo është 100% e vërtetë, pavarësisht, se sa absurde është, që kjo ambasadë ndërhyka në punët e brendshme të Shqipërisë, se sa absurde është, që gjykata ja vë në dukje këtë ambasadës, dhe se sa akoma edhe më absurde është, që këtë dy absurditete bashkërendohen papritur kaq vetëkuptueshëm.
    Faji për këtë besoj së nuk është i shqiptarëve, madje edhe as i amerikanëve. Nuk ka faj, që një gjykatë dhe një një ambasadë përfshihen në një polemikë për një vrasje politike. Ka vetëm një lajthim të një diplomati leshko, i cili syplasur, inkompetent, i kompleksuar, profesionalisht një xhuxh krejtësisht i padukshëm, kujtoi se mund të bëhej falë ofiqit të tij një lloj princi, ylli, protagonisti dhe që dështoi në mënyrën më spektakolare të mendueshme dhe të imagjinueshme.

    Çfarë dështaku gjigant!
    Çfarë fluturimi me presh në bythë!
    Çfarë marroqi!
    Çfarë fundi për të qarë për atë besim absurd në drejtësinë hyjnore, konkretisht tek ambasadat!

    Pa a ja vlen që të habitesh edhe për këtë? A nuk e dinte shumëkush, që në momentin e parë, kur ky leshko përveshi mëngët, që Ustai i Hiles do ta nxirrte krejtësisht huq! Që do ta bënte palaço të medieve? Që do ta groposte profesionalisht në parëndësishmërinë aq fatale të varrezave institucionale ku prehen aq e aq miliona burokratë të veckël dhe akoma edhe me të veckël?
    Po a nuk është njëkohësisht i mrekullueshëm spektakli i qenit, të cilit i ka ardhur ngordhja dhe përmjerr tek dera e xhamisë?
    Dhe pikërisht këtij humbamenoje shqiptarët zyrtarë do t’i varin një ditë edhe një dekoratë përpara se të rikthehet në sirtarin e origjinës. Ndoshta dekorata e parë e merituar e disa maskarenjve për tuhafin e paditur, për parëndësishmërinë e tij historike.

    Tjetër gjë.

    Mua në këtë histori më pëlqen shumë edhe kjo pjesë në argumentimin paraprak të gjykatës për vendimin e dhënë, po citoj nga këtu:

    http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=251197

    “Gjykata sqaron se jurisprundenca e Gjykatës së Stasburgut është bazë ligjore dhe e detyrueshme për gjykatën shqiptare në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë”

    Po si mund të jetë praktika juridike e Gjykatës së Strasburgut burim i së drejtës, kur kushtetuta rregullon shprehimisht në neni 145, prag. 1: “Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.” ndërkohë që po atje në nenin 135, parag. 1 thuhet: “Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj.”

    Që kur qenka në një republikë si ajo shqiptarja praktika juridike burim i së drejtës, kur gjithnjë ka qenë vetëm ligji, e ca më pak pastaj praktika e një gjykate të huaj?

    Nga dolën këta gjitarë xhanëm.

    Shënim
    Korrigjimi automatik më ofroi në fund të tekstit për fjalën e shkruar gabim “gjytarë” si opsion “gjitarë”. Mu duk më oportune, që për hir të afërsisë permbajtësore me evidente, të përdor këtë të fundit.

    1. Pifto, në të vërtetë Strasburgu përbën bazë ligjore të detyrueshme tashmë në sistemin ligjor shqiptar. Kjo për faktin se Kushtetuta jonë e thërret në mënyrë të drejtëpërdrejtë Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut si standard minimal për shkallën e kufizimit të të drejtave dhe lirive. Në këtë kuptim citoj:

      Neni 17
      1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen
      vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të
      jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.
      2. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk
      mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

      [Kufizimi në këtë rast është ai i të drejtës për jetën, vendosur me ligj, në përpjestim me kushtet që e kanë krijuar (që s’ka lidhje fare me rolin dhe pozicionin e viktimave tona përballë kryeministrisë), për rastet e protestave, të vrasjes për vetëmbrojtje, për mbrojtjen e jetës së të tjerëve, etj. të llojit].

      Duke pasur parasysh dhe hierarkinë e akteve normative parashikuar në nenin 116 të Kushtetutës, ku e para vjen Kushtetuta, të dytat marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara (ndër të cilat pikërisht Konventa, me status të posaçëm pse e thirrur veçanërisht, në pjesën dedikuar të drejtave dhe lirive themelore), e vetëm më pas ligjet e vendit, kuptohet se këto të fundit i nënvendosen marrëveshjeve dhe vetë Konventës. Dhe këto marrëveshje kanë epërsi mbi ligjet e vendit, përveç Kushtetutës, në rast kundërshtie. Plus Gjykata Kushtetutese, të paktën ajo serioze e pas Kushtetutës (1998-2010), ka ndërtuar një jurisprudencë mëse të konsliduar ku vendimet e KEDNJ përbëjnë standard të pakundërshtueshëm, e drejtëpërdrejtë të zbatueshëm.

      Problemi që unë kam me atë rast që paskësh sjellë Gjykata e Tiranës, Giuliani kundër Italisë, lidhur me Genova 2001, është që rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja dhe është marrë vendimi janë kryekëput të ndryshme. Duke filluar nga eventi [aktiviteti mbarë-evropian no global i Genova 2001 (ndër të tjera i cilësuar si më i turpshmi në historinë e shtetit italian, pwr mwnyrwn si u menaxhua), versus protestës paqësore përballë kryeministrisë]; viktimat (Giuliani përballë karabinierit, Ziveri e të tjerë në anën tjetër të bulevardit); veprimit (Giuliani që hedh një estintor zjarri në makinën e karabinierëve, Ziveri e të tjerë që janë me duar në xhepa dhe as bëhet fjalë se po i rrezikojnë jetën gardistit); etj. etj., për të cilat pres të lexoj vendimin për të krijuar ide edhe më të qartë. Për të mos përmendur këtu përgjegjësinë shtetërore, për keqorganizimin dhe keqpërgatitjen e efektivëve, për pengimin e hetimeve, për mospërfshirjen e të gjithë personave përgjegjës, duke filluar nga urdhërdhënësi, te fshirësi i serverit, te hapësit e zjarrit në kushtet jo të urgjencës e rrezikut.

      Nuk kishte asnjë shans të dilej me pafajësi absolute. Asnjë.

      1. Pa dashur të bëhem i bezdisur, por kam frikë se nuk keni kuptuar diçka thelbësore. Paraprakisht duhet t’ju siguroj, se nuk dua t’ju fyej, por vetëm t’ju tërheq vëmendjen, të bëni dallimin (urgjentisht të nevojshëm) midis ligjit dhe praktikës gjyqësore si dhe faktit se çfarë është burimi i së drejtës në Republikën e Shqipërisë.

        Kushtetuta, aktet ligjore dhe nënligjore të Republikës së Shqipërisë si dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi janë burimi I VETËM i së drejtës.

        Praktika gjyqësore e cilësdo gjykatë kombëtare, qoftë edhe më të lartë, ka vetëm karakter REKOMANDUES për një gjykatë tjetër. Praktika e gjykatave të huaja edhe ca më pak.

        Kjo do të thotë, që një gjykatë shqiptare gjykon dhe vendos VETËM në bazë të ligjit dhe sipas BINDJES së saj, pra sipas mënyrës se si e kupton ajo ligjin në momentin e dhënies së vendimit.

        Kjo është ajo që përndryshe quhet edhe pavarësia e gjykatës (le të mos ngatërrohet kjo me pavarësinë e gjyqësorit).

        Konkretisht, A i fyer nga sjellja e B-së i heq këtij një dackë. Gjykata e faktit e dënon A për rrahje, ndërsa ajo e apelit e prish vendimin me arsyetimin, se dacka paska qenë e lehtë dhe përbën vetëm fyerje. Po e njëjta gjykatë fakti një vit më vonë në një rast analog është e lirë ta gjejë këtë veprim përsëri si rrahje, pa qenë e detyruar të marrë parasysh vendimin e gjykatës së apelit të një viti më parë.

        Kuptimi i kësaj gjendjeje pritët të ndodhë shumë herët në fazën studimore dhe në dukje mbetet teorik. Por është thelbësisht i rëndësishëm.

        Tani ndodhin edhe çudira, që ligje Republikës së Shqipërisë janë thjeshtë përkthime nga legjislacione shtetesh me praktikën gjyqësore si burim i së drejtës dhe formulime të tilla hyjnë kontrabandë, pasi ato ligje, përpara se të mos i respektojë askush, nuk i lexon edhe askush, por vetëm aprovohen nga Kuvendi. Mua më ka ndodhur vjet ndërsa përktheja një ligj për çështjet e ambientit, ku kishin përfshirë jo vetëm praktikën gjyqësore si burim të së drejtës, por edhe elemente të organizmit federal, kur rregullonin shpërndarjen e kompetencave midis organeve, ndërkohë që Shqipëria është të paktën formalisht një republikë e centralizuar, pavarësisht se sa e shthurur është në substancë.

        1. Asnjë bezdi pifto. Këtu jemi edhe për të diskutuar pikëpamje, ose për të sjellë atë çka dimë, e ta konfrontojmë me pjesëmarrësit e tjerë, për pasojë.

          KEDNJ është marrëveshje e thirrur “në emër e mbiemër” në Kushtetutën tonë, dhe kjo bën diferencën mes saj dhe vendimeve të marra nga gjykata e parashikuar në të (Gjykata e Strasburugut), me çdo marrëveshje tjetër, e me çdo vendim gjyqësor të ndonjë autoriteti tjetër (me karakter me të drejtë rekomandues ose referues). Të kujtojmë këtu opinionet amicus curiae të dhëna nga Komisioni i Venecias, për të dhënë pikërisht idenë e efektit që ato kanë lidhur më gjyqësorin tone si opinione, pra të llojit rekomandues (kujto rastin e fundit të amicus curiae të dhënë lidhur me ligjin për lustracionin).

          Vendimet e Gjykatës së Strasburgut përbëjnë shtjellime të asaj konvente ndaj dhe ajo çka del nga ato vendime, është e detyrueshme për shtetet palë, aq më tepër për Shqipërinë që e ka të parashikuar në Kushtetutën e saj, vlerën e posaçme të konventës, e për pasojë të atyre vendimeve. Njësoj si vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë burim i së drejtës po aq sa Kushtetuta vetë. Dhe është pikërisht Gjykata Kushtetuese që e ka sjellë sa herë Konventën dhe shtjellimet e saj në formën e vendimeve, si burim i të së drejtës së brendshme në Shqipëri.

          Ne jemi palë që në 1995 në atë Konventë, por është Kushtetuta e 1998 që i ka njohur shprehimisht status kushtetues, dhe jurisprudenca kushtetuese 13 vjeçare shqiptare, që nuk lë më vend për keqkuptime.

          Ke të drejtë kur flet për precedentin, që nuk është detyrues në sistemin ligjor shqiptar. Me përjashtimin e duhur: rastin kur bëhet fjalë për vendime të unifikuara të Gjykatës së Lartë, që janë detyruese për gjykatat e shkallës së parë e të dytë. Dhe rastin e interpretimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese, duke vendosur standarde për mënyrën e vlerësimit të respektimit të procesit të rregullt ligjor (psh. nëse janë respektuar të gjitha fazat, afatet, për kryerjen e një hetimit të rregullt e gjithëpërfshirës, nëse subjekti ka gëzuar realisht të gjitha të drejtat e mbrojtjes, është njohur me materialet e dosjes, e të tjera si këto).

          1. Nuk është detyrimisht vendi këtu për t’u thelluar në një çështje kaq specifike por ndoshta duhet mbajtur mirë parasysh se gjykata kushtetuese nuk është pjesë e sistemit gjyqësor, por e atij ligjvënës. Ajo nuk vihet në lëvizje si gjykatë apeli dhe nuk qëndron gjë mbi gjyqësorin ndryshe nga ç’qëndron mbi ekzekutivin apo legjislativin. Në këtë kuptim praktika e saj juridike mund të shihet si e detyrueshme për sistemin gjyqësor si dhe për çdo institucion tjetër të pushteteve të tjera, pasi vendimet e saj janë akte normative; veçanërisht kur është fjala për të tilla, që si objekt kanë interpretimin e legjislacionit.

            Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut e shikoj edhe unë si burim të së drejtës shqiptare, njësoj si edhe Konventën për Kuotat e Peshkimit të Cironkave, apo atë Standardizimit Panevropian të Litarëve dhe Spangove, për sa kohë edhe këto janë ratifikuar nga Republika e Shqipërisë.

            Por Gjykata e Tiranës e argumenton vendimin e vet me forcën detyruese të praktikës gjyqësore të Gjykatës së Strasburgut. Pra flet për një praktikë gjyqësore, të cilën e konsideron si burim të së drejtës.

            Ky është një gabim shumë i rëndë, pasi siç e shpjegova edhe më lartë, burim i vetëm i së drejtës në republika si ajo e jona është vetëm ligji.

            Besoje të lutem këtë kështu si po ta them, se nuk e kam nga vetja.

            1. Gjykata Kushtetuese në Shqipëri është konceptuar jashtë çdo pushteti, nëse i referohemi edhe doktrinës shqiptare dhe mënyrës se si e ka trajtuar. Lidhja që më thua për legjislativin qëndron për sa kohë ajo referohet edhe si ligjvënës negativ. Ndërkohë që është po aq organ gjyqësor, edhe pse jo pjesë e sistemit gjyqësor. Kjo jo vetëm për emrin që është zgjedhur t’i jepet, Gjykatë e jo Këshill si Franca p.sh., por dhe për kompetenca të caktuara dhe mjetet që përdor, që janë shumë pranë atyre të organeve të gjyqësorit.

              Nuk i heq asnjë presje përndryshe asaj që kë thënë për detyrueshmërinë e vendimeve të saj mbi të gjitha organet dhe që është jashtë pushtetit gjyqësor. Është ajo që desha të sillja edhe vetë. Lidhur me gjyqësorin ama, ajo ndikon, kur bëhet fjalë për të gjykuar mbi të drejtën e individëve për një proces të rregullt ligjor. Dhe standardet që ajo vendos lidhur me elementët e këtij procesi, përbëjnë limit në interpretimin që japin më pas gjykatat. Kjo ishte ideja.

              Pjesën tjetër, jo se dua të kundërshtoj, por autorë të caktuar në Tiranë me një farë autoriteti e mbrojnë. Plus me ç’kam parë me sytë e mi në jurisprudencën e GJK, edhe ajo shkon prej vitesh në këtë drejtim. Merre si rrymë/shkollë e ndryshme mendimi.

              Dhe ke të drejtë, e lemë me kaq, meqënëse edhe nga tema largohemi më shumë seç duhet.

    2. Nuk ka faj, që një gjykatë dhe një një ambasadë përfshihen në një polemikë për një vrasje politike. Ka vetëm një lajthim të një diplomati leshko

      Nuk eshte aspak lajthitje e diplomatit te thuash “More, a me kerkove ndihme? A ta solla FBI-ne ti beje analize balistike evidences? A ta tha FBI qe filani dhe filani shkrehu armen? Atehere, si ka mundesi qe kete evidence nuk e more parasysh?”

      Ky diplomat eshte ne te drejten e tij te kerkoje se cfare u be me ekspertizen e FBI-se dhe si u interpretua ajo. Fundja, e vertete eshte qe nuk ishte gjykata qe i kerkoi ndihme por prokurori, sidoqofte, gjithe kjo zallamahi u be per hir te kesaj gjykate qe sot po duket e i thote FBI-se me gjithe SHBA-se: ik more pirdhu se e di une kush eshte evidence.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin