MËSIME NGA BIZANTI

Nga Read Me

Në Athinën klasike, të diturit dhe filozofët nuk njihnin autoritet tjetër mbi kokë, veçse diturinë e mendjen e tyre. Bisedat dhe debatet e tyre zhvilloheshin në hapësirat urbane, sheshe, të rrethuar prej turmave kurioze. Grumbullimet ishin demokratike. Në sheshet publike mund të hasje të gjitha shtresëzimet e Athinës; skllevër, tregtarë, artizanë, çirakë, endacakë, ushtarë profesioniste e mercenarë, lajmëtarë, njerëz të aristokracisë apo funksionarë lokalë, priftërinj e shërbyes të tempujve paganë, e deri tek diktatorët. Nuk kishte podiume dhe auditorë të posaçëm ku shpalleshin të vërtetat dhe gënjeshtrat e kësaj bote. Nuk bëheshin ftesa të veçanta, as nuk shiteshin bileta për të sponsorizuar debatet që bëheshin në qiell të hapur.

Në Kostandinopojën bizantine ishte e pa imagjinueshme një jetë publike e ngjashme. Shkëmbimet publike ishin ceremoniale. Shfaqeshin si dekrete perandorake, që lexoheshin në të shumtën prej peshkopëve apo priftërinjve në shërbesat meshtare të mëngjesit.

Po dialektika dhe sofizmi athinas? Ekleziastët bizantinë debatonin mes vedit rreth temave të rënduara prej zhargonit metafizik kishtar. Gjuha rrotullohej në të shumtën rreth natyrës të Krishtit. Analizat dogmatike rreth unitetit triniak të Atit, të Birit, e të Shpirtit të Shenjtë, trivializonin deri në cingërima bajate tematikën më për zemër, marrëdhëniet midis Krishtit e të Atit të tij, Zotit.

Po për njerëzit e zakonshëm? Që kur natyra dyshuese athinase, kishte futur e pranuar Krishtin në domenin e vet, duke përqafuar përfundimisht fenë kristiane, debatet ishin të një natyre tjetër. Eruditët e filozofët nuk i shihte më drita e diellit. Pasi kishin hedhur mbi vete rasën ekleziaste të ortodoksisë, kishin humbur në mugëtirën e lagësht të qelave monastike. Bisedat bëheshin vesh më vesh pas një dite të lodhshme kopjimesh doracakësh ungjillore.

Ndërkohë, në pazaret e Kostandinopojës, debati shesheve zhvillohej mes njerëzve të thjeshtë. Pas përshëndetjeve të zakonshme, pyetjeve rreth shëndetit e familjes, rënies dakord për çmimin e shërbimit, pas shkëmbimit të mallit, skepticizmi e sofizmi i dikurshëm ishte zbutur në atë pikë, ku momenti kulmor, më pasionant i debatit, sillej rreth dualizmit të Krishtit, dyllojshmërisë të natyrës të shfaqjes së tij: A ishte me gjak e me mish, njëlloj si berberi apo zarzavateshitësi mes të cilëve përsëritej në mërziti ky debat? Apo mund të shfaqej edhe në natyrën e tij hyjnore, teksa pritej të zbriste një ditë, në shenjtërinë e tij, drejt prej eterit qiellor që varej mbi kokat e tyre?

Diskutime të tilla mes hamajsh, artizanësh e njerëzish të thjeshtë, dilnin shpesh herë nga binaret e dogmës dhe rrezikonin të damkoseshin me fjalën e tmerrshme që i druheshin të gjithë, – herezi(në). Një damkë e tillë, ishte tepër e kushtueshme, një lloj mallkimi. Sillte dënime të rënda, deri edhe vdekje. Dekretet perandorake nuk mjaftonin për të ruajtur unitetin dhe ortodoksinë. Duhej doemos që njerëzit të ndëshkoheshin. Hija e frikshme e perandorit papnor i detyronte njerëzit t’i mësonin përmendësh, si të ishin urdhëresa zyrtare, të gjitha komandamentet doktrinale.

Dekretet kishtare perandorake formalisht merrnin aprovimin e këshillit të lartë të prelatëve ortodoksë. Rreziqet për perandorinë ishin te përditshme. Dekretet shpallnin çdo zë, opinion ndryshe apo të kundërt, si herezi. Megjithë autoritetin e padiskutueshëm të perandorit me këshillin e ngushtë ekleziast, diskutimet nën zë, në shurdhësinë e tyre fillonin jetën e vet të nëndheshme. Komandamentet doktrinale, pavarësisht hijes e dorës së rëndë të kishës-shtet, nuk mund të shmangnin apo heshtnin krejtësisht shpërthimet e herëpashershme të herezisë në krahinat apo qendrat e ndryshme ortodokse.

Vetë herezitë ishin të veshura me një fjalor të mbingopur ekleziast. Dëgjoheshin si të ishin zëra që vinin nga nëntoka. Ishin zërat e protestës. Kështu ishin shfaqur kristianët dikur, duke jetuar si hije, të fshehur në galeritë e nëndheshme. Në fakt, protestat i drejtoheshin absolutizmit dhe centralizimit të pushtetit prej një perandori që predikonte pushtetin e vet nga maja e pulpit papnor të kristianizmit ortodoks. Kristianizmi, nëpërmjet protestave te tilla përçohej si besim individual. Nxirrnin kokën edhe kërkesat me ngjyrime politike. Ambicia dhe dëshira për ndryshim nuk mund të kamufloheshin lehtë. Të tilla anomali doktrinale shiheshin vëngër dhe me shumë zemërate prej qendrës, Kostandinopojës. Njerëzit rrezikonin të humbisnin qytetarinë, helenizmin dhe kokën, në se hezitonin sadopak me besnikërinë e verbër që pritej prej tyre.

Në çështjet e mendjes, bizantizmi grek, i ngjante më shumë një anestezisti se sa një disiplinuesi të mendjes. Bizantizmi nuk ngjante aspak me trajnerin e rreptë të gjimnazeve të Athinën antike. Zelli i tepruar i anestezistit bizantin, nuk linte hapësira për gjimnastikën intelektuale të mendjes. Praktikimi i përditshëm i dogmatizmit të thatë indoktrinues, krijoi një topitje edhe tek mendjet më të lira e më të kthjellta, shkaktoi një anestezi të përgjithshme, mpirje të imagjinatës dhe intelektualizmit shekullarist të mbijetuar prej antikitetit.

Pavarësisht traditës të pasur, shkenca dhe literatura u kthyen në ushtrime formale, plot lajle e lule, të mbytura në një frazeologji boshe. Literatura kishte humbur lirshmërinë dhe freskinë. Në rrethet elitare të mësuara të Kostandinopojës, çdo shkëndijë shpresë ishte fikur. Diskutimet tipike prej profesorësh provincialë si stërzgjatje monologësh të mërzitshëm, nuk mbarsnin asnjë ide. Monotonia e dogmës kishte zëvendësuar çdo formë debati. Jetohej në një agoni mendore.

Shpresa dhe shpëtimi assesi nuk gjendeshin në tokë. Të ngërthyer në një kllapi të tillë, njerëzit e perandorisë, të frikësuar, pa rrugëdalje, praktikonin një lloj shamanizmi më vete, krejt private; të folurit me veten. Supersticiozë për shkak të pafuqisë të tyre, njerëzit ngroheshin prej ndriçimit të vakët të qiriut të shpresës kristiane.

Nuk ka komente

  1. Klishe, imzot, klishe!
    Duke filluar me titullin. Ai së pari u shfaq andej në prag të vitit 1600, ku perandoria nuk ekzistonte më. Ajo është Perandoria Romake e Lindjes. Emri Bizant do ti habiste shumë banorët e saj.
    Në rastin më të mirë është njëlloj sikur cilësitë e pjesës t’ia veshësh të tërës, se edhe ajo kapatur ditet e saj gri. Je tepër i ndikuar nga opinionet e avdallëve të palarë perëndimorë që kur arritën në Kostandinapol nuk kuptonin asgjë nga rafinimi i atij qytetërimi, nga ajo jetë moderne, nga ato shkolla dhe diskutime juridike, nga ato cirqe dhe teatro madhështorë, por edhe nga ato … kabare e bordello të hapura natë e ditë (kur Mesjeta, ne kuptimin me te keq te kesaj fjale, dhe fanatizmi në Evropë shkaktonte më shumë dëme se vetë mortaja), nga ai art i klasit të lartë, nga ekzistenca e grupimeve politike.
    Ata, evropiano perëndimorët e kohës, silleshin duke mbajtur erë të keqe nëpër rrugët plot luks, nëpër dyqanet dhe parfumeritë e mrekullueshme, neper kishat e manastiret plot ar, nëpër monumente e hipodromet ku njerëzit brohorisnin për favoritët e tyre, pa folur për atë art madhështor që frymëzoi Rilindjen evropiane. Dhe eshte ne origjinen e saj, siç pohojne historianet me te medhenj.
    Pse nuk e ngrini mungesën e diskutimeve filozofike për Romën, por ju bën përshtypje mungesa e tyre në Kontandinapol? Atëherë, i dashur read me, ki mirësinë e shpjego se koha e filozofisë në agora është mbyllur shekuj më parë dhe në Kostandinapol vazhdoi të zhvillohej tradita më e mirë e Romës. Në rrugët e tij diskutohej për rend, administratë, shtet dhe Ligje, madje ishte kjo qe sterhollojej dhe krjonte pak konfuzion. (Veç me thuaj,nuk di sot per ndonje proces qe vazhdon me vite per shkak te mundesise per interpretim qe eshte ne vete natyren e ligjit?
    Napoloni i kopjoi pothuaj fjale për fjale korpuset e tyre legjislative dhe prej asaj kohe ato jane ne bazen e te gjitha kushtetutave te ditëve tona, kudo neper bote, po llogaritur legjislacionin per pronen, familjen, etj..
    Eshtë falë kësaj logjike qe leviste administraten qendrore ne Kostandinapol, që ne ekzistojmë sot si vend. Po të mos qe e shenjtë barazia e të gjitha kombeve përbërës, in occurence, krijimi i Temës së Iliricum-it, edhe ne vetë nuk do të ekzistonim sot si vend e as gjuha shqipe.
    Ajo që thoni ju, për natyrën e Krishtit, qe çështje pak vitesh dhe u mbyll me Koncilin e Nikesë. E megjithatë, Kostandini, as librat e Ariusit nuk i dogji dhe as ate vete nuk e vrau, siç ndodhi ne Greqine antike me nje fare Sokrati…
    Vetë termi “Bizant” sot është shprehje e pasurisë dhe luksit të tepruar, madje kjo qe edhe e keqja e tyre. Duke patur në dispozicion thesare të mëdha në shekujt e fundit perandorët e zhvilluan fare pak forcën e brendshme ushtarake dhe gjithnjë i bënte thirrje mercenarëve, edhe pse investuan ne industrine ushtarake (zjarrin grek, artilerine e shpiken ata). Kjo bëri edhe që kur nëpër katedrale diskutohej për “seksin e engjëjve”, ushtritë turke po rrëzonin muret rrethues. Por qyteti kurrë nuk do të binte po qe se nuk do ta kishin zhveshur, plaçkitur dhe dobësuar që shumë, “vëllezërit katolikë” perëndimorë.

    Read me, besoj se e ke kuptuar se me ke prekur aty ku nuk duroj!

  2. Bizanti ishte shtet romak jo shtet grek, keshtu qe mund te krahasohet me Athinen e lashte sa mund te krahasohej Roma.
    Adoptimi i greqishtes si gjuhe zyrtare lidhet me faktin se greqishtja ishte lingua franca ne Lindje edhe gjate Perandorise unike Romake. Mbetja e asaj pjese e beri te natyrshme ngritjen e greqishtes ne gjuhe zyrtare.
    Nqs si lingua franca ne vend te greqishtes, do te ishte ta zeme frigjishtja apo aramaishtja, Bizanti do te kishte bere frigjishten ose aramaishten si gjuhe zyrtare.

    Pra nqs duam te kuptojme limitet bizantine ne punet e mendjes, duhet te shikojme perveç krishterimit edhe natyren e Romes.
    Dhe natyra e Romes ne punet e mendjes nuk eshte se terheq kend, romaket ishin praktike, dinin te benin ligje, rruge, ujesjellsa.

    Krishterimi u ushqye me gjithe filozofine lindore, neoplatonianet, njostiket apo aleksandrinet, prandaj nuk ka qene aq banal ne punet e mendjes sa e paraqet.

    Mua ky pershkrim i Bizantit qe degjeneron vazhdimisht deri ne fundin e pashmangshem fiziologjik, nuk me perputhet me energjine e pashtershme me te cilen Bizanti mbarsi Italine e shek 15, pikerisht kur politikisht ishte duke dhene grahmat e fundit.

    Rilindja europiane e rrjedhimisht Perendimi modern eshte produkt pikerisht i mbarsjes se Italise nga bizantinet.

    Paradoksalisht, pushtimi turk i Bizantit ishte fati i Perendimit, pa ate pushtim gjithe ajo energji bizantine e mbyllur ne muret e Konstandinopojes dhe manastireve ortodokse, do te vazhdonte te qendronte me shekuj te tjere per hesap te vet,

    Per shekuj, Perendimi kish pase fqinj Bizantin nga nje ane dhe arabet e Spanjes nga ana tjeter, por kish preferuar injorancen.
    U desh nje proçes mekanik si debimi i bizantineve prej turqve, qe Perendimi te hapte syte.

  3. Më vjen keq që duhet nevojshmërisht të jem i sinqertë, po ky shkrim është një mënyrë shumë sempliste, barbare dhe mjaft e njëanshme për të folur rreth perandorisë 1000 vjeçare të Lindjes.

    Paragrafi i parë përmban një përshkrim idilik të Athinës pagane, duke u nisur prej ekstraktit filozofik të asaj epoke, dhe nuk i përgjigjet përditshmërisë dhe mënyrës së jetesës në atë kohë. Sigurisht që në Athinë kishte “heretikë”. Një i tillë që u detyrua të vdesë, ishte Sokrati.

    Gjithashtu në shkrim autori përmend termin “ortodoks” 5 herë. A ka ndonjë arsye për këtë përzgjedhje? Se po flasim për Perandorinë Romake të Lindjes, në të cilën kishat nuk ishin ndarë deri në vitin 1054. Deri atëherë nuk flitej për kishë ortodokse si e njohim sot. Nëse autori kërkon të flasë për 400 vitet e pas-ndarjes, do t’i duhej të ndërtonte tjetër konstrukt ligjërimi, ose duhet të përdorte të tjera terma.

    Kam dyshime më tej, se ky degradim i filozofisë kristiane të jetës, vjen prej mungesës së njohurive të autorit rreth temës që kërkon të trajtojë.

    shkruan më lart:

    Analizat dogmatike rreth unitetit triniak të Atit, të Birit, e të Shpirtit të Shenjtë, trivializonin deri në cingërima bajate tematikën më për zemër, marrëdhëniet midis Krishtit e të Atit të tij, Zotit.

    Ky diskutim filozofik të duket i kotë?
    Duhet së pari të hyjmë brenda realmit kristian, apo në një farë mënyre “të pranojmë Krishtin si Zot” për hir të diskutimit, siç e kanë bërë një e treta e popullsisë së botës (2.18 miliardë njerëz), që të shohim ndikimet e kësaj filozofie në një kontekst të sotëm. Jo dje, pardje, para 100 vjetësh, por sot. Today! Si thotë ai pastori i njohur amerikan.

    Flasim për natyrën e Krishtit. Kjo ishte veç hyjnore, apo edhe njerëzore? Filozofia kristiane ka dalë në përfundimin pas atyre debateve të thekshme qindravjeçare që ti i degradon në atë mënyrë, se Krishti ka dy natyra. Edhe njerëzore, edhe hyjnore. Krishti është kësisoj njeriu ideal. Çdo njeri, është si Krishti, jeta e tij i përmban gjithashtu të dy natyrat. Shiko se çfarë përgjigjesh i jep kontekstit të sotëm ajo filozofi:

    – a është i drejtë moralisht dënimi i dikujt me vdekje?

    – a pranohet hakmarrja, gjakmarrja etj prej krishtërimit? Kisha Katolike shqiptare, vetëm para pak muajsh nxorri një deklaratë ku dënonte gjakmarrjen me çkishërim. Ndërsa përsa i përket hakmarrjes si ligjërim i artikulimit politik, unë dhe ti kemi për të thënë shumë gjëra, kam përshtypjen.

    Në një kontekst historik, Kisha Katolike duhet të nxirrte dekret në të cilin të pohonte se “indianët ishin NJERËZ”. Në mënyrë që kolonialistët katolikë të kishin skrupuj dhe të mos i vrisnin. Kjo mu kujtua tek ky shkrim i Xha Xhait. I gjen ndonjë lidhje asaj filozofie, në mënyrën e ndryshme sesi u trajtuan indianët prej katolikëve në krahasim me protestantët?

  4. ”’I gjen ndonjë lidhje asaj filozofie, në mënyrën e ndryshme sesi u trajtuan indianët prej katolikëve në krahasim me protestantët?”’

    Protestantet i shfarosen, i pastruan etnikisht dhe te mbeturit i izoluan ne rezervate, si izolohen kafshet e egra.
    Nqs katoliket do ishin sjelle njesoj Amerika Latine do ishte e bardhe, me geto zezakesh e lagje luksoze çifutesh.
    Ti i gjen ndonje lidhje asaj filozofie ?

    1.  i izoluan ne rezervate, si izolohen kafshet e egra.

      Po pra, këtë them edhe unë. Siç po bën Evropa me ne, kind of thing.
      Apo po ia bëjmë vetes ne? Kam dyshime…

  5. Kritikat jane te mirepritura.

    Pa shkuar e lexuar libra te tere historie, mjafton te lexohet Wikipedia per te verifikuar faktet me domethenese rreth “perandorise bizantine”.

    Qellimi i shkrimit nuk eshte shpalosja e njohurive, por te distancuarit prej klisheve.

    1. Shkrimi tënd është i stërmbushur me klishe.
      Po a ke mundësi që minimalisht, t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje:

      “Gjithashtu në shkrim autori përmend termin “ortodoks” 5 herë. A ka ndonjë arsye për këtë përzgjedhje?”

      1. Nqs me lejohet te hamendesoj, permendja e fjales ortodoks ne nje ese mbi Bizantin justifikohet prej tradites qezaro-papiste bizantine. Ortodoksin nuk e ndan dot nga perandori. Edhe sot sigil-I I kishave ortdokse eshte ai I nje familjeje perandorake bizantine

      2. Shkrimi im eshte i kursyer, minimalist, kontrastues; antikitet grek kundrejt mesjetes bizantine, debati shekullarist kundrejt dogmes kristiane ortodokse.

        Ortodoksia eshte permendur ne kete kontekst, kontrastim, pa i dhene ndonje ngjyrim tjeter.

        Kristianizmi perendimor evoluoi, nuk mbeti tek ortodoksia e skripturave. Ne qender te debatit nuk merret me shume me natyren e Krishtit, se sa me mesazhin e tij.

        Te qendrojme brenda temes ne fjale.

        1. ReadMe,

          ne “..antikitet grek kundrejt mesjetes bizantine, debati shekullarist kundrejt dogmes kristiane ortodokse.” ke plot te drejte, as qe mund te krahasohen. Antikiteti greko-roman eshte lavdi e njerezimit edhe sot e gjithe diten.

          Sic veren Qafiri “Ortodoksin nuk e ndan dot nga perandori” prandaj varianti ortodoks i fese eshte nga me te papelqyeshmit, per te mos thene ndonje fjale tjeter.

          Dhe , nuk ka vend revoltimi ketu se nuk jemi ne kishe.

          1. Dmth anglikanizmi i bie me keq akoma, apo jo Fatma ?

            Perandori eshte thjesht kreu i shtetit. Perandori per ortodokset shqiptare, ka qene Zogu, Enveri, Ramizi, Sala, Mejdani, Mojsiu, Topi e se fundmi eshte Nishani.

            Ortodoksi shqiptar i vetedijshem politikisht, besnikerine ia jep sot Nishanit, ai eshte kreu i shtetit, ai eshte Perandori, ai do jape pelqimin per Kryepeshkopin e ri, ne rast se Zoti vendos me ne fund ta marre Janullen ne parajse.

            Per mua, politikisht dy jane versionet me pak te keqija te fese ne Shqiperi, ortodoksia dhe bektashizmi, qe besnikerine e besimtarit e lene brenda Shqiperise, ndersa katolicizmi dhe islami sunit, qe e çojne besnikerine e besimtarit jashte Shqiperise, prishin pune politikisht.

            Lufta politike kunder Janulles, eshte lufte kunder katolicizimit e sunitizimit politik te ortodoksise, sepse Janullatizmi e çon jashte Shqiperise besnikerine, ne Kostandinopoje e Athine.

            Megjithate une do sugjeroja qe sa per sy e faqe te beheshim te gjithe bektashinj, keshtu jo vetem besnikeria do ngelej ne Shqiperi, po mund te shfrytezohej feja per qellimet shqiptare kudo ne bote ku ka bektashinj te cilet e kane koken nga Kryegjyshata e Tiranes.

        2. Për mendimin tim, shkrimi yt është pedant dhe arrogant, e madje antishkencor. Përmendja e ortodoksisë post-factum, vetëm sa tradhëton paragjykimet që mban, në mos tregon injorancë të theksuar. Atëherë kanë qënë njësoj si Perandori e Lindjes, ashtu dhe e Perëndimit. Nuk ke minimumin e arsyes për diferencim.

          Ajo që quani “ndarje nga perandori”, apo “ortodoksi skripturash”, është koncepti i shumëtrajtuar këtu prej meje, i determinizmit, apo absolutizmit. Dhe normalisht për konceptin e absolutizmit, nuk mund të më flasë një si fatma e zëmë (përmbahu pak hë xhan), që ka lënë sytë nëpër qitape të lashtësisë, për të nxjerrë shqiptarët në linjë charter racore me Ilirët.

          Absolutizmi u vra përfundimisht dhe botës iu ndërrua kahu, me Revolucionin Francez. Ndërsa ai që e bëri i pari historikisht vrasjen e pushtetit hyjnor, ka qënë Oliver Cromwell. Po këtu po flasim për shek. XVII, ndërsa Perandoria e Lindjes ra një shekull e gjysëm më parë.

          1. Ne paragrafin e pare tendin juliusx, munda te numeroj gjashte percaktime negative ne adresen time: pedant, arrogant, antishkencor, tradheton paragjykimet qe mban, tregon injorance, nuk ke minimumin e arsyes.

            Asnjera nga keto nuk sillte nje analize te shkrimit. Eshte deshperuese sepse tragon flashkesine e muskujve intelektuale.

            Ligjerata juaj ne paragrafin e dyte dhe te trete, se paku me rezulton e palidhur, nuk gjej kuptim, e ne rastin me te mire lidhje te gabuara e keqinterpretime historike ne ato pak fjale te shkruara.

            Paragrafi i trete: Absolutizmi(laik apo klerikal) ka provuar se eshte rigjenerues dhe eshte perseritur edhe pas revolucionit francez e ka sjelle tragjedi e mjerim njerezor deri ne ditet e sotme.

            Pushteti hyjnor eshte i mirepritur dhe i deshiruar edhe ne ditet e sotme nga besimtaret e te gjitha ngjyrave. Do t’a kesh fjalen per pushtetin ekleziast, kishtar, papnor, etj.

            Cromwell-in duket se mos e ngatron me ndonje personazh tjeter historik, se ai nuk vrau apo i dha fund ndonje “pushteti qiellor”, por vrau katolike te ishujve britanike dhe me shumice.

            Nuk e dija se pas ndarjes se madhe Perandorite Lindje e Perendim ishin e njejta gje. Mos harro se Papa Katolik mbeti ne Rome dhe Perandoret ndrruan seline ne Kostandinopoje.

            Une zbavitem nga shkembimet, kurse sharjet nuk me perkasin mua, por ndoshta Read Me-se.

            1. Analizën e shkrimit e ke më lart, tek komenti i parë që kam shkruar në këtë temë. Mund të shtoj akoma cilësime që nuk do të pëlqejnë, pa problem fare. Më dukesh krejt profan në këto çështje, ke mungesë të theksuar njohurish dhe konceptesh dhe tregon se nuk e njeh fare filozofinë kristiane.

              Dhe sigurisht që është arrogante të shprehesh kështu si bën ti më lart:

                Analizat dogmatike rreth unitetit triniak të Atit, të Birit, e të Shpirtit të Shenjtë, trivializonin deri në cingërima bajate tematikën më për zemër, marrëdhëniet midis Krishtit e të Atit të tij, Zotit.

              E gjithë fryma e postimit tënd është arrogante. Edhe është e shoqëruar me injorancë.

              Tek ky postim tëndi, ke shprehur idetë e tua. Unë të sjell për kundërpeshë, këtë shkrim dhe idetë e një filozofi të konsoliduar të sotëm për botën greke. Ai mendon se ndryshimi mes dy botëve, i bërë i qartë pas ndarjes së kishave, del qartësisht i shprehur me një term të vetëm filozofik: filioque.

              Po të dije ca më shumë për Bizantin, do e merrje vesh se Kisha si një e tillë përsa kohë qëndroi e pandarë, shprehte vullnetin e episkopëve të caktuar prej saj. Deri në vitin 1054, kur u bë dhe ndarja e kishave, në debatet mbi herezitë, merrnin pjesë dhe episkopë të Perëndimit. Pra, ky postimi tënd, duhet të përfshinte dhe ata, dhe termi ortodoks që përdor ti, unë përsëri të them:

              – ose injorancë tregon

              – ose paragjykim.

              Ndarjet heretike, dhe skizmat brenda kishës si një e tërë, nuk ishin thjesht “intriga” apo “luftë për pushtet”, dhe njerëzit e thjeshtë nuk ndodheshin nën kërcënimin se do konsideroheshin heretikë. Këto janë budallëqe. Çdo rajon në të cilin krishtërimi dhe Perandoria kishte vendosur pushtetin e vet, doktrinën kristiane dhe filozofinë, e perceptonte sipas botëkuptimit të veçantë rajonal. Nuk është rastësore, që një herezi si “monofisitët”, janë të përqëndruar në Egjipt (koptët e sotëm). Nuk është rastësi akoma, që perandorët ikonoklastë ishin prej Sirie dhe tradita e vendit të tyre i bënte që të refuzonin ikonat. Nuk është rastësi akoma, që bota Lindore me atë Perëndimore, ndarjen e tyre në filozofinë e krishtërimit, e përcaktuan përmes një termi të vetëm.

              Ti përsëri pra, në këtë trajtesë ngelesh profan, arrogant dhe tregon injorancë të theksuar.

          2. “Dhe normalisht për konceptin e absolutizmit, nuk mund të më flasë një si fatma e zëmë (përmbahu pak hë xhan), që ka lënë sytë nëpër qitape të lashtësisë, për të nxjerrë shqiptarët në linjë charter racore me Ilirët.”

            Kjo fraze eshte nje katrahure logjike kurse per nga morali tipike bizantine.
            Per te tjerat ta ka dhene pergjigjen ReadMe.,

    2. Qellimin e shkrimit e din vetem ti.

      Ne kryqezaten e katert, latinet rrembyen gjithe arin, argjendin e çdo gje me vlere materiale ne Kostandinopoje, po as e rruajten fare mjekren per volumin e pafund te librave dhe doreshkrimeve.

      Keto emigruan ne boten latine kur emigruan edhe bizantinet drejt Italise, dhe aty fillon Perendimi. Perendimi s’kuptohet dot pa Rilindjen italiane dhe kjo pa bizantinet.
      Keto jane faktet domethenese.

      Nga ana tjeter, ajo qe quhet tradite e krishtere eshte krijuar pothuaj e gjitha ne Lindje, gjithe debatet filozofike e teologjike paraprirese, ngjizese e zhvilluese te asaj tradite.

      Po te mos ishte ai Perandori i keq, Roma do kishte ngelur germadhe pas plaçkitjeve barbare.
      Shteti i Papatit u ngrit fiks mbi zoterimet qe Bizanti arriti te mbronte ne Italine Qendrore nga sulmet longobarde, prandaj ka pasur edhe ate shtrirje gjeografike ‘te çuditshme’.
      Madje qe ta kuptosh edhe ti, e ka ate shtritje sepse ne veri mbante territoret perreth Ravenes, kryeqyteti i Perendimit per disa shekuj, ndersa ne jug Romen. Lexo per Ekzarkatin e Ravenes.

      Kostandinopoja e ruajti Romen gjalle dhe e nxorri relativisht sakllam nga koha e dyndjeve barbare, po Roma ua la Kostandinopojen turqve.

      Dhe qe thua ti, pertej klisheve, kjo eshte ajo qe kleri ortodoks s’ka per t’i falur asnjehere Romes, i ka falur edhe shkaterrimin e kryqezates se katert, po lenien e Kostandinopojes ne duart turke, vallaj s’ka gje qe i ben derman.

      Nga ana tjeter, versioni ortodoks u kopjua nga Luteri dhe eshte ne bazen politike te protestanizmit.
      ‘Ortodokset’ me te mire te perendimit jane anglezet, qe e kane mbretin edhe kryetar te Kishes Anglikane, madje i bie te jene politikisht me ortodokse se ortodokset, se Perandori ishte vetem de facto ne krye te Kishes, ndersa mbreti anglez eshte edhe de jure.

    3. Pikerisht ketu qendron problemi me shkrimin tend.
      Wikipedia nuk eshte burim i besueshem “faktesh domethenese”.
      Duhet lexuar edhe ndonje liber historie.

  6. RM, përqasja e Athinës antike me Bizantin nuk mund të behet kështu bardhë e zi. Problemi i parë i kësaj qasje, qe mbetet interesante, është shpërfillja e kontekstit.Kjo përqasje të krijon përshtypjen se kalimi nga Antikiteti grek në Bizant është , totalisht dhe vetëm, kalim nga drita në errësirë , nga dituria në misticizëm, nga dialektika në dogmatizëm, nga demokaracia në absolutizëm. Eshtë edhe kështu por nuk është vetëm kështu. Qasja është tepër reduksioniste dhe me pasaktësi.Ndoshta zelli për të ndricuar kontrastin ka errësuar anët e ndritshme të Bizantit.
    Gjasat janë se më shumë i ke besuar perceptimeve sesa burimeve që , në të vëretë , janë të pakta dhe ajo cfarë historianët kanë rikonstruktuar nga rrënojat e Bizantit shpesh bazohet tek legjenda dhe fantazia.Por kjo legjendë , sikurse thotë Ogyst Bajlli, nuk është e tëra gënjeshtër. Janë dhjetë shekuj të një shteti me një histori të famshme dhe tronditëse thotë Bajlli.
    Luksi Kostandinopojës ngjalli lakmitë dhe nxiti goditjet nga jashtë , njëra pas tjetrës, të barbarë ve, kryqëtarëve, turqve selxhukë .Debatet pafund për Trinitetin nxitën luftrat civile dhe goditjet nga brënda.Debati për trinitetin nuk ishin vetëm doktrinare por edhe mbulesa fetare e luftës se brendshme politike midis te gjelberve dhe te kalterve. Pushteti absolut i Bazileut, qe shkaku i shkelqimit dhe rrënimit të Bizantit.
    Ajo që është trashëguar nga Bizanti në perceptimin popullor ( por jo vetëm) është metafora e intrigës , dredhive dhe despotizmit në jetën politike.Intriga dhe ambicia e shfrenuar,si sinonime të Bizantit, bëhen me intriguese, kur mëson se në krye të asaj makinerie prenadorake që prodhonte aq madhështi dhe aq mizori, qëndruan, më shumë se në cdo perandori tjetër femra si Teodora, Irena, Sofia,Teofania.
    Thua: Pavarësisht traditës të pasur, shkenca dhe literatura u kthyen në ushtrime formale, plot lajle e lule, të mbytura në një frazeologji boshe. Literatura kishte humbur lirshmërinë dhe freskinë. Në rrethet elitare të mësuara të Kostandinopojës, çdo shkëndijë shpresë ishte fikur. Diskutimet tipike prej profesorësh provincialë si stërzgjatje monologësh të mërzitshëm, nuk mbarsnin asnjë ide. Monotonia e dogmës kishte zëvendësuar çdo formë debati. Jetohej në një agoni mendore.
    Në Athinën antike, nëpër pazare apo në sheshe publike mund ti shikoje të gjithë , artizanë , konkubina,hetera , tregëtarë , priftërinj e paganë por në Agora-n e debatit dhe diskutimit publik, skllevërit ishin të përjashtuar.Eshtë e vertëtë kur thua se filozofët nuk njihnin autoritet mbi kokë por duhet përmendur konteksti: politeizmi që ushqente tolerancën dhe animizmi që lejonte bashkëjetesën me paganizmin ne nje shoqeri me fillesa demokratike. Debati filozofik në Athinë bëhej edhe nën qiell të hapur, edhe duke bërë peripato, edhe tek porta (stoikët) por edhe në akademinë e Aristotelit. Todosi në Kostandinopojë krijoi Shkollën e lartë të Krishterë (Universitetin) ku u thirrën mësuesit më të mirë të shkollës helene, lindjes dhe mesdheut. Dija dhe kultura e zhvilluar në Kostandinopojë nuk u eklipsua tërësisht nga debatet deri në absurd mbi trinitetin .Nga ana tjeter, ky sterhollim doktrinar, edhe pse prodhoi dogmen dhe ploja pafund, ishte një refleks i sofizmit që vinte nga Athina.
    Thua: Në Kostandinopojën bizantine ishte e pa imagjinueshme një jetë publike e ngjashme. Shkëmbimet publike ishin ceremoniale. Shfaqeshin si dekrete perandorake, që lexoheshin në të shumtën prej peshkopëve apo priftërinjve në shërbesat meshtare të mëngjesit.
    Në të vërtetë , Kostandinopoja kishte Hipodromin , të ngjashmin e Agorës së Athinës dhe Forumit të Romës. Debati mbi trinitetin , u shoqërua vërtet me përndjekje të heretikëve por heterodoksia dhe heretikët po njëlloj përndiqeshin edhe ne Perandorinë e Romës. Ndërkohë në perendimin katolik, inkuzicioni conte ne turrën e druve heretikët kurse dogma akuinase e kishes mbulohej pas gjethes se fikut :magister dixit.Pra ne mesjete, dogma nuk sundonte vetem ne Bizant ortodoks por edhe ne perendimin kristian.
    Bizanti, si qytetërim, piu në tre sisa: në atë të helenizmit, të romanizmit dhe në sisën e orientalizmit.Edhe pse ruajti gjuhen latine zyrtare, gradualisht u dominua nga kultura greke duke kontribuar në përhapjen e helenizmit dhe ortodoksisë .Këtë pozitë të ortodoksisë , të trashë guar nga Bizanti, turqit osmanë e toleruan dhe për popujt e krishterë të Ballkanit dhe keshtu ortodoksia/ kristianizmi bizantin u bë një nga burimet e ngjizjes se nacionalizmit, më pas, tek këta popuj.Rasti shqiptar është pak më i nderlikuar në raport me ortodoksinë ku Patriarkana greke do që ndrontë përballë shqiptarëvë nacionalistë te besimit ortodoks .
    Kultura dhe arti bizantin që thithën nekatarin e kulturës greke, jannë në rrënjët që ushqyen humanizmin i cili u bë pararendës i Rilindjes Europiane. Bizanti përmes kulturës u bë edukatori Perëndimit dhe, pasi u shëmb, la pas këtë rrezatim.Kurse shpirtin ortodoks të Bizantit e hipotekoi Rusia.

    1. “Kurse shpirtin ortodoks të Bizantit e hipotekoi Rusia.”

      Mire e the se na kishte mbetur ne dore e nuk po dinim kujt t’ja ngecnim!

      1. date obolum, nga shpirti i Bizantit.

        Velisari të pëlqente dhe ty Lyss? Personazh mjaft interesant, por ishte dhe miksi i të dhënave historike që e bënin të tillë. Një perandor jurist, një perandoreshë shumë e veçantë, dhe një gjeneral stoik.

        Librin e Bajllit e kam lexuar edhe unë, para shumë vitesh.

        1. Belisari me ka intriguar gjate (eshte e pamundur ta shkeputesh ngaTeodora dhe Justiniani) dhe kur ia paraqisja lexuesit shqiptar ne fillim te viteve 90 (duke e perligjur me nje origjine pothuaj te sigurte arberore, meqe ne shk. 6-7 eshte vone te flesesh per ilire dhe shume heret te flesesh per shqiptare) desha te shkoj edhe me tej, duke kundershruar legjenden e perfundimit si i verber e lypes. Kjo deri diten kur pashe se per te botohej cdo vit nje roman, drame apo monografi. Shkurajuese ne kulm!

        1. Kjo eshte e vertete, Evodeta.Kishat ortodokse te orientit bazohen ne autoqefaline dhe promovimin e vecantetive kombetare. Ajo qe i unifikon eshte dogma (ne kuptimin e sistemit zyrtar te doktrines ortodokse). Kur flet per monopolizimin e dogmes, ndoshta ke marr shkas nga ajo qe kam shkruar se “shpirti Bizantit u hipotekua nga Rusia”.Duke thene kete, nuk eshte fjala per monopolin e dogmes por ne ate qe Rusia metonte te ishte pasardhesja e ligjshme e Bizantit ne termat morale, te artit monumental, autokratizmit, supersticionit, ikonografise , ceremonialit etj.Perpos lidhjeve politike , ushtarake dhe fetare, sa qe gjalle Bizanti, ne te rene te tij, me 1472 Ivani III u martua me princeshen Sofie nga dera e Peleologeve, duke shpresuar se nusja prej Kostandinopoje do sillte si prike ne Rusi, “shpirtin” e biznatit dhe “vatren e ortodoksise”.
          Per ti dhene kreditet e nevojshme Rm, qasja eshte vertet interesante.Megjithate sepse shikoj nje lloj “axhende te fshehte” dhe nje lloj yshtje aktualizuese, kur Bizantin (fene ortodokse, si shpirtin e Bizantit) e vizaton si “sjellesin e fatkeqsise”.
          Pertej insinuatave, ftesa provokuese e Rm per t’u zhytur ne ujrat e turbullta te Bizantit na beri mire. Me te drejte autori shkrimit e ka vene lupen mbi diskutimet doktrinare, aq pasionante, sa kur barbaret gjendeshin ne porta te Kostandinopolit, teologet diskutonin per “seksin e engjejve”.Por , sidoqofte, eshte e tepert ta shikosh kete akademizem dogmatik si anestezi kolektive.
          Eshte e vertete qe nga Bizanti nuk kemi trashegimni filozofike.Ndikimi me rrezatues ishte ne artin monumental dhe mozaiket, veshjet dhe arti argjendarise.Bizanti edukoi estetikisht Europen por ka edhe nje trashegimni me praktike:ortodoksia e toleruar me pas nga Sulltanet e PO,be djepi patriotizmit per popujt e krishtere te Ballkanit. Madje Skenderbeu jo me kot thirrej si Mbreti Epirit dhe jo rastesisht si steme shteterore aplikoi shqiponjen e Bizantit.
          Europa e krishtere i detyrohet shume Bizantit i cili per kater shekuj u be ledhi mbrojtes, duke terhequr mbi vete sulmet e turqve selxhuke.

  7. ”’Nuk e dija se pas ndarjes se madhe Perandorite Lindje e Perendim ishin e njejta gje. Mos harro se Papa Katolik mbeti ne Rome dhe Perandoret ndrruan seline ne Kostandinopoje.”’

    Me vjen keq po paske probleme te renda me historine. Roma e humbi statusin e kryeqytetit me Dioklecianin, ndarjen ne 4 prefektura, 2 çezare e 2 auguste, asnjeri prej te cileve nuk rrinte ne Rome.
    Nuk ka pase asnje Pape katolik deri me 1054.

    Mesa po kuptoj nga keto qe shkruan ti qenke hala ke ura, ke hallin e primatit te patriarkatit te Romes.
    Dhe une qe mendoja se ti s’mund te kishe halle kaq donkishoteske, e aq me pak tempizem kaq qesharak sa para festes se Sol Invictus.

    ”’Pushteti absolut i Bazileut, qe shkaku i shkelqimit dhe rrënimit të Bizantit.”’

    Spiritus, eshte e veshtire qe pushteti absolut te mbahet si shkak per shkelqim e renie, per kohe kur pushteti ka qene absolut kudo ne Bote.

    Rrenimi ishte i natyrshem, sepse turqit i hoqen Azine e Vogel, bullgaret e serbet nepermjet patriarkateve autoqefale i hoqen Ballkanin, ndersa italianet i hoqen sundimin ne det.

    Pra, Bizanti u sulmua ne 3 fronte, Azi te vogel, Ballkan e det, rezistoi sa mundi e ne fund u rrenua.

    Me pare ishte ringritur, sepse humbi Ballkanin, por jo Azine e vogel dhe detin, me pas humbi Azine e vogel por jo Ballkanin dhe detin.

    Bizanti eshte shembull tipik i rrenimit per arsye te jashtme, madje edhe shume mbijetoi.
    Nuk perjetoi asnjehere ndonje krize te rende ekonomike per arsye te mosfunksionimit te sistemit ekonomik per shkaqe te brendshme, madje ka qene perhere shteti me i pasur ne Europe dhe pjesa me e pasur e Perandorise Romake.

    Kemi te bejme me shtetin me te famshem ne histori per diplomacine, çka tregon qe zhdukja eshte pasoje e forcave bruto te atilla saqe as diplomacia me e mire e te gjitha koherave nuk pinte me uje.

    1. Me qe jemi tek Bizanti, Hyllin, dhe tek perpiqem me durim te lexoj nderhyrjet e shpeshta te tua, m’u kujtua nje liber i Umberte Ecos, Serendipities. Kapitulli i pare titullohet Forca e Falsitetit, pjese e te ciles eshte edhe analiza e shkurter e asaj qe njihet si Dhurimi i Kostandinit.

      Prejardhja e letres eshte akoma enigme, por falsiteti i permbajtjes tregon se si imagjinata e perpunuar dhe fantazia gjeografike dhe politike e nje shkruajtesi te talentuar per te falsifikuar dokumenta dhe histori krijoi nje projekt politik pasojat e te cilit ndihen edhe sot. Keshtu nis rrugetimin historia e falsifikuar e kristianizmit bizantin nga ndonje lojtar i paskrupullt.

      Sic thote Eco, pa nje besim ne autenticitetin e letres, historia do te kishte marre nje drejtim tjeter, nuk do te kishim perplasje, luftera per pushtet, nuk do te kishte Perandori te Shenjte Romake. Nuk do te kishte Cappella Sistina qe u ndertua si rezultat i dyshimit, refuzimit te autenticitetit te letres se abatit fiktiv Gjon.

      A mos je edhe ti trashegimtar i nje mendje kaq te holle qe rishkruan historine ne PTF?

      Eco perdor nje shprehje per shkronjes te tille “linguistika(gjuha) e lunetikeve” ku serendipities jane te vertetat te papriteshme qe formohen prej shkruajtesve te letrave te ngjashme me ate te Kostandinit(perandorit fiktiv) si pasoje e ideve lunatike.

      Sic thote Eco, determinizmi shpesh ka nje fillim fals, por ka ndihmuar te ve ne levizje rroten e historise.

      Papati e katoliket e mencur, a kane luajtur me mendjen e Bizantit te patur kaq per zemer?

      Ti duhet ta dish me mire se kushdo tjeter.

      1. Lere Ekon, letren dhe prejardhjen aspak enigmatike te saj, primatin papnor, filioque-n dhe pagabueshmerine ex cathedra, po merru ca seriozisht me Bizantin e sill ndonje si tip autokritike qe te ringresh ca prestigjin e dobesuar nga ky shkrim teper modest, se nuk ke as ndonje qe t’i nxjerr dot geshtenjat nga zjarri.
        Gomarin e nxjerr i zoti nga balta, prandaj nxirre vete gomarin tend.

        1. O Hyllin, O Paterfamilias i historiografise dhe te vertetes, si gjithmone nga pulpiti papnor gjen kohe dhe jep keshillen qe kemi nevoje.

          Edhe kesaj rradhe do te ndjek keshillen tende, do te shkruaj ne PTF nje autokritike rreth denigrimit qe tentova t’i beja Bizantit.

  8. “Ben vaki ke marre krahe nga statistikat e fundit te censusit, dhe ke gjetur nje menyre origjinale per t’u uruar ortodokseve Krishtlindjet… ”
    I adhuroj te tilla interkoneksione ! E megjithate pranoj se nderhyrja ime ishte e cunget, sepse harrova te falenderoj RM per hapjen e temes. Por shpesh, ne syte e mi, nuk ka rendesi vetem materiali qe sjell secili , por edhe aftesia per te shperthyer debat. Ne kete pikepamje postimi i RM ishte krejt i veçante dhe mjaft i suksesshem.
    Personalisht me pelqen nje natyre e tille diskutimi (pjesa e pare e replikave, ato spontanet). Kur i drejtohemi Wikit, tema fiton ne precizion, por humbet magjine e vertete te diskutimit. Me kete rast dua ta siguroj RM se nje gje te tille nuk e kam bere ne asnje rast (edhe pse nuk e shoh si turp). Nderhyrjen time edhe pse pak emocionale, e mbeshteta ne ato çka me kishin mbetur ne kujtese nga nje shkrim mjaft i gjate per Belisarin (si edhe per Teodoren dhe Justinianin), botuar ne shtypin e Tiranes diku ne fillim te viteve ’90. Kisha pershtypjen se isha i pari qe dyshova se gjeneral Belisari ishte me origjine arberore, tha!

    .

  9. Mjafton te shohesh artin apo edhe arkitetkturen dhe veprat publike Bizantine, per te marre vesh se kush eshte fati i nje shoqerie qe e ushqen shpirtin e vet me dogme.
    Zbehtesi, perseritje, forma vizuale si te kufomave te pakallura. Brenda nje mije vjetesh jo vetem qe nuk krijuan, por humben edhe aftesine per te kopjuar e imituar. Edhe ornamentet e qytetit te famshem u moren in totum nga cfare kishin lene mbrapa gjenia artistike e shpirtit grek.

    Ne mes te luftrave, revolucioneve dhe permbysjeve, dinamizmi, madheshtia e pakufi e mendja dhe shpirti i lire grek i ofronte botes metoden dhe stilet e arkitektures dorike, ionike, apo korinthase.
    Ne nje mije vjetet e veta pa nderprerje, Bizanti na dha formen me perfekte te mundeshme te xhamise.

    Ne apeksin e vet, mendimi grek merresh me kozmosin, me logjiken, me natyren,
    Ne apeksin e vet, mendimi romak merresh me spejgimi e natyres se qytetarit dhe qyteterimit
    Ne apeksin e vet mendimi bizanit diskutonte se sa engjej mund te uleshin ne nje maje gjylpere.

    Edhe pandektat e Justinianit s`jane me shume se sa nje pune e madhe dhe e vemendeshme “bibliotekaresh” te afte dhe te kujdesshem, te cilet 3 miljon ligjet dhe lex non scripta-t, i bene qe ne vend te zinin nje faqe muri te bibliotekes, te futeshin dot ne nje radhe te vetem librash.

    Kur Mehmeti II hyri ne qytetin e sapo pushtuar, i ra te hynte ne disa shtepi te medha, dhe te braktisura. Me ate ishin edhe disa pjestar te oborrit perandorak bizantin. Tek po shikonte se cdo shtepi, pa perjashtim, ishte e mbushur deri ne fyt me ar dhe argjend, ai u kthehet ish-oborrtareve me nje zemerim te frikshem: ” po kjo? Po gjithe ky flori? Kaq i shtrenjte ishte per ju sa te mos deshironit ta perdornit per te mbrojtur qytetin tuaj”?

    1. Eh kur Aleks Komneni u kerkoi ndihme katundarve franko gjermane dhe u erdhen, bizantinet mbanin hundet me dore dhe mburreshin se kishin mbledhur 2/3 e pasurise globale. Nuk u ve faj qe merreshin me filoqe e homoUzo nderkohe qe perendimoret merreshin me ceshtjen kardinale “a mbante apo nuk mbante Jezui qese”

      Bizantinet e kishin qesen por nuk mbahet perandoria me mercenare ta lumsha. Duhet ideali. Llogjet e sofizmat nuk I ha selxhuku e Kumani e pechenegu.

      Gjithashtu dua te kontestoj idene e shpallur ketu se pa Bizantinet s’paska Rilindje: ishin tekstet heretike te fshehura ne territoret irredentiste Bizantine qe revolucionalizuan mendimin perendimor.

      1. Me sinqeritet une habitem nga vazhdimi i krahasimit te Athines me Romen e Re.
        Roma e Re, nuk mund te ishte me shume Athine sesa Rome.
        Tani une sfidoj kedo qe te me vije e te me tregoje kete mendimin e Romes Perandorake.

        Sikunder e kam shprehur ne nje postim me lart, ne shekujt e pare pas Krishit, neoplatonizmi, njostiket dhe aleksandrinet, ishin ne Lindje te Romes, mendimi kalonte ne greqisht, me Romen latine qe bente sehir.

        Nqs dikush do te analizoje Romen e Re duhet ta beje krahasimin me Romen jo me Athinen.

        Aq sa mund te kritikohet Roma per dijen, mund te kritikohet edhe Kostandinopoja.

        Ashtu si Roma Perandorake edhe Kostandinopoja, rronte me ushtare mercenare, me te drejten romake, me luksin e makuterine, me intriga patricesh e gjeneralesh per pushtet, me perdorim barbaresh kunder njeri-tjetrit, me lojera njerezish e kuajsh, me problemin e perhershem te grurit etj.

        Une mendoj se kjo mospermendja e Romes Perandorake ‘per ta shpetuar’ eshte mungese e madhe ekuilibrimi ne gjykim.

        Perseri une nuk shoh arsye per t’i bere ndonje gjyq historik as Romes, as Kostandinopojes pse nuk ishin si Athina, e as t’i bej ndonje gjyq historik Amerikes pse s’ka mendimin gjerman apo artin freng.

        Ne fund te fundit, ai fshat ate bulmet ka.

        Ne perendim gjejme gjithnje e me teper autore qe thone se mesjeta e Perendimit nuk ishte edhe aq e erret sa thone.
        Ketej po degjojme qe edhe Bizanti na paskesh qene erresire fare.
        Hapi tjeter i bie te jete, mesjeta perendimore ishte drite ne krahasim me Bizantin.
        Leqe xhanem kush u be i pasur dhe nuk shpiku stergjysher fisnike ne vend te bujqve te keputur.

        1. Pse habitesh zotria juj? Për të ta thënë bizantinçe: Është thjesht një marrëdhënie skizofrenike e qenies – asaj ontologjike, me shkronjën (logosin).

          Pak neoplatonizëm, këtyre do u bënte mirë.

          Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve.

  10. Po flasim për 1000 vjet perandori, që i ka dhënë gjysmës së Evropës civilizim dhe identitet, duke e evangjelizuar atë. Popujve sllavë u dha alfabetin, gërmat dhe kulturë, është në rrënjë të kulturës së fqinjëve (pa përfshirë grekët), rumunët, bullgarët, sllavomaqedonët, serbët. Po flasim për tradita dhe komunitete 2000 vjeçare, si koptët, të krishterët sirianë, armenët, gjeorgjianët, kanë evangjelizuar gjithë popujt rusë e të tjerë e të tjerë. Gjithë ky tharm gjithë kjo energji rrëzëllitëse, shpërndarëse civilizimi, mbi themelet e të cilit qëndron e ngritur gjysma e Evropës sot akoma dhe kësaj dite.

    Nëse do më pyesin se “çfarë do të thotë mendim katundar”, do i drejtoja në këtë temë, të lexonin ca komente rreth Perandorisë Romake të Lindjes.

  11. E fundit

    Nuk jemi fare dorejashte ne krijimin e atij qyteterimi (per te mire e per te keq). Franc Babinger-i te Mehmeti i Dyte (me duket, dhe me vjen keq per këtë paranteze , por behet fjale per lexime teper te hereshme), duke folur per perandoret Paleologë, nje dege të tyre, (trashegimtaret e tyre) i gjen mu ne zemer te Myzeqese, te familja e Vrionsve. Kete e kujtoj fare qarte.

  12. Komunist dje, sot dhe ne te ardhmen! Dhe nje perqafim kurvave selxhuke. Na cliruan nga vetvetja ne momentin e duhur. Bujrum commies!!

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: