RETORIKË PRIMITIVE

Këto ditë qëlloi që të ndiqja në mediat shpërthimet nacionaliste të kryeministrit Sali Berisha, dhe kisha ndërmend të shkruaja diçka për to. Pas deklaratave pa vend, shumë herë të shfajësuara në kontekstin e festës së 100 vjetorit, retorika nacionaliste e kryeministrit evoluoi mjaft dhe përfshiu të tjera tipare të denja për t’u vënë re.

Kështu, në numrin e datës 13 Dhjetor të gazetës Shqip, ndodhej lajmi me titull: Berisha në Samitin e PPE: Rama ngriti murin e bllokimit të integrimit, shqiptarët do e shembin. Lajmi në fjalë, synonte të mbulonte aktivitetin e kryeministrit në samitin e partive të djathta evropiane. Brendësia e tij dhe deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë në atë samit, janë gjithashtu interesante.

Nga një pjesë e tyre citoj:

Këto tre ligje janë mbajtur dhe mbahen peng nga kryetari i opozitës, i cili beson se duke bllokuar statusin për shqiptarët dëmton qeverinë dhe do të thosha ai bën një kalkulim shumë, shumë të gabuar. E vërteta është se shqiptarët kanë të gjithë fuqinë dhe potencialin për të shembur çdo mur. Ashtu siç rrëzuan murin e bashkisë, siç rrëzuan murin e Berlinit dhe e festuan, tani do të rrëzojnë edhe murin bllokimit, të zotit Rama. Por ky është një realitet dhe, natyrisht, unë pata një diskutim për këtë.

Pa përfillur që pohimet për arsyet e bllokimit janë përgënjeshtruar nga burime të ndryshme, si deklarata e ambasadores së Gjermanisë në shtyp, duke ia hequr dhe peshën politike këtij arsyetimi të kryeministrit, e veçanta qëndron tek fjalët e theksuara: shqiptarët. U desh ky qëndrim i Berishës dhe ky përdorim prej tij të konceptit, që më pas do të aktivizonte dhe anëtarë të ndryshëm të qeverisë në të njëjtën linjë të retorikës politike. Nëse Berisha pretendon se është personi i duhur për të përfaqësuar “shqiptarët”, se çfarë përfaqëson opozita, përgjigjen brenda kabinetit qeveritar e jep një ditë më vonë ministrja e integrimit, zonja Majlinda Bregu. E cila citohet të ketë thënë: Rama ky anti-shqiptar që bllokoi statusin për Shqipërinë.  Lojën me shqiptarë dhe antishqiptarë, dhe stafetën për ta vazhduar atë, e merr gjithashtu një përfaqësues i maxhorancës, zoti Edi Paloka, i cili më pas thotë: Rama antishqiptar, bllokoi statusin për shqiptarët. 

E megjithatë, shqiptarët e presupozuar që tenton të pronësojë dhe përvetësojë partia e maxhorancës në pushtet, ngelen kuriozë gjithsesi të dinë se çfarë lloj antishqiptari është kryetari i opozitës, Edi Rama.

Dhe është përsëri kryeministri i vendit që jep përgjigjen dhe verdiktin kur para disa ditësh në media citohet të ketë thënë: Do shqyrtojmë rezolutën çame, por nuk dua presion. Edi Rama flet si grek. 

Brendia e artikullit po kështu interesante, veçoj:

Kreu i qeverisë deklaroi se nuk do ndalet në dhënien e shtetësisë për çdo shqiptar, duke sqaruar se kjo nuk do prishë ekuilibrat e demografisë. Berisha ka akuzuar kreun e opozitës, Edi Rama, se flet si grek. “Ideja se kjo masë do të prishë ekuilibrat demografikë dhe krahinorë, është ide e prapambetur sa vetë krahinorizmi. Ato që vërshuan nga të gjitha trojet etnike shqiptare për të festuar Pavarësinë e Shqipërisë dhanë mesazhin e qartë se kanë dalë mbi krahinorizmat. Ato që kanë frika nga vota, ju them se nuk do të ndodhë para zgjedhjeve. Nuk duhet të mendojë askush se problemi i votës do e ndalë procesin. Ishte vetëm një moment, që dëgjoja përfaqësuesit e Cipras që të flisnin si Edi Rama në Parlament. Kushtetuta e Shqipërisë ka përcaktimet e qarta”, tha Berisha.

Po mundohem të anashkaloj faktin e paqenë që Edi Rama fliska në parlament, sepse ky i fundit nuk është fare deputet aty. Vënia në dukje e këtij fakti, për mua jep të dhëna që kryeministri po e monton retorikën e vet, në dukje nacionaliste, me mjete fare primitive.

Po le të qëndrojmë tek pohimi që “Edi Rama flet si grek”. Ka nëpër forume dhe blogje interneti një rrymë akoma të nëndheshme e cila synon t’i japë një identitet “të veçantë” kryetarit të opozitës, e madje edhe asaj vetë, duke e identifikuar me grekët pra, kë tjetër?

Mu desh të bëja një eksperiment virtual me rezultate jashtë mase interesante për këtë. Kështu, me ndihmën e motorit të kërkimit që ofron Google, vendosa të shoh për rezultatet në media, ku Edi Rama cilësohet si grek. Formati mediatik që zgjodha për të përfaqësuar rezultatet, është ai i gazetës Tema online. 

Kërkova shprehjen me titull “Edi Rama grek” në sajtin e Temës. Plot 49.000 rezultate kërkimi. Dhe nuk mjafton të shihen vetëm rezultatet, por edhe konteksti nga janë shkëputur ato. Duket pra se kjo akuzë nga kreu i qeverisë, është mjaft popullore ndër mbështetësit e vet.

Për t’iu përgjigjur dhe anës tjetër politike, kërkova gjithashtu për: “Sali Berisha serb”.Vetëm 7130 rezultate kërkimi.

Pas këtyre rezultateve, del bukur dhe qartë se Sali Berisha është ai që përfaqëson realisht shqiptarët, apo jo?

Pushteti i sotëm në Shqipëri, është jashtë mase primitiv, jo-etik, i dalë boje, i diskretituar, i korruptuar dhe këto të dhëna janë fort të qarta e të dukshme. Nga të gjitha cilësimet e mësipërme, unë po zgjedh thjesht të parin: Pushtet primitiv. Një pushteti të tillë  i nevojitet përsëri diçka primitive, banale, groteske për të riprodhuar veten. Tamam kështu si retorika pseudo-nacionaliste e kryeministrit.

Nuk ka komente

  1. Statusi eshte vertet diçka me interes kombetar, sikur vetem per faktin e numrit te shqiptareve qe e duan.

    Nje akuze e tille ka nje korrektese logjike qe shume pak nga akuzat politike e kane.
    Te perpiqesh ta likujdosh kundershtarin politik si antikombetar, ne çeshtjet me interes kombetar s’ka absolutisht asgje primitive.

    A ka pra nje interes kombetar ? A eshte dikush kunder ? A nuk i bie te jete antikombetar ?

    Pastaj, mund te jete i atille me vetedije apo nga padija kjo eshte çeshtje tjeter.

    Ceshtja e pashaportave eshte nje tjeter gje me interes kombetar dhe Sala e ka lozur aq bukur, saqe kur te terhiqet nga ai veprim, do ua kete dhene pashaporten atyre qe donte, do t’i kete thyer hundet publikisht PS-se dhe do kete lene bllof AK-ne .
    Pa harruar se terheqja nga ai veprim do i kete siguruar ndonje avantazh prej nderkombetareve qe nuk e duan dhenien e pashaportes.

    Sala po e luan bukur per here te N-te, sidomos me kombinimin, statusin s’e morem se Rama eshte antishqiptar dhe vertetimin qe Rama eshte antishqiptar e keni tek çeshtja e pashaportave.
    Kjo eshte kaq e bukur, sa po ti levizesh nje presje, prishet.

    Rama si gjithnje ne keto çeshtje bie bulldum brenda me te dy kembet, pastaj shpreson qe ta nxjerrin nga balta, lukunia e analisteve.

    Levizja e Rames duhet te ishte parapritese, Sala eshte antishqiptar prandaj na ka bllokuar statusin dhe me çeshtjen e pashaportave do te na hedhe hi syve, sepse Berisha s’ka per ta bere ate gje.

    Ne fakt, Berisha s’ka per ta realizuar dhenien e pashaportave, po na hedh hi syve dhe ka bllokuar statusin ngaqe eshte antishqiptar.

    Nderkaq, ngaqe Rama s’di, debati eshte pozicionuar me Berishen ne sulm dhe PS-ne qe belbezon, analistet e PD-se qe bejne moral gjithe diten e dites dhe analistet e PS-se qe kunderpergjigjen me relativizim moral.

    Madje, me kete menyre, perveç objektivit paresor, Berisha nxjerr bllof AK-ne dhe njekohesisht e ben Ramen qe ta thelloje me duart e tij hendekun e nje aleance te mundshme me AK-ne, meqe po flitej per nje aleance te tille dhe sondazhet po e nxjerrin vazhdimisht AK-ne si forca e trete politike.

    Ti merru me retoriken primitive e mbushi mendjen intellegentia-s shqiptare se Sala eshte primitiv.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin