MOZART NË SHQIPËRI

Që muzika ka fuqi të jashtëzakonshme e dinim të gjithë. Që muzika është dritë e harmoni duhet ta dimë të gjithë. Megjithatë ndikimi i drejtpërdrejtë mbi sjelljen e njeriut ose të kafshëve ishte i përfytyrueshëm, por jo i sigurtë shkencërisht.

Kohët e fundit po shtohen kërkimet shkencore për të verifikuar ndikimin e muzikës në jetën e njeriut. Lexoj në shtyp, për shembull, se muzika e Mozartit paska veti tejet pozitive. Sipas një studimi të Universitetit amerikan Madison në Wisconsin, lopët kur dëgjojnë tingujt e Moxartit prodhojnë sasi më të madhe qumështi (gati 7,5% më shumë). Madje është vënë re se lopët janë të predispozuara që të mblidhen në stallë më lehtë kur dëgjojnë muzikën e kompozitorit të famshëm. Çfarë ndikon në prodhimtarinë e lopës? Muzika? Përse pikërisht ajo muzikë? Pyetje ende pa përgjigje.

Reagim pozitiv ndaj muzikës së Mozartit është vënë re edhe tek bimët. Citohet një eksperiment me misrin, gjatë të cilit u vu re se bima që “dëgjonte” muzikë për 24 orë rresht, rritej më mirë se të tjerat. Në fakt koçanët u bënë më të mëdhenj. Thuhet se në eksperimente të tjera, p.sh. duke i ekspozuar bimët me muzikë “heavy metal” u vu re se ato përkuleshin nga ana e kundërt (si dikush që i dhëmb veshi nga zhurma dhe largon kokën instinktivisht), kurse muzika klasike i përkulte nga ana ku vinin tingujt.

Në Universitetin e Tel Avivit është vënë re se foshnjat e lindura para kohe rriten në peshë shpejt kur dëgjojnë kompozitorin austriak, kurse të rrahurat e zemrës të atyre që shpëtojnë nga goditje në tru normalizohen kollaj. Po të kërkosh në internet gjen mjaft muzikë të llojit “Mozart para Bebés – Música relajante para calmar el llanto“. Pra muzika si ninullë.

Lexoj gjithashtu se në Zelandën e Re kriminelët e vegjël bëjnë më pak krime kur dëgjojnë muzikë. Në Christchurch altoparlantët që japin gjithë kohës muzikë moxartiane kanë ulur nivelin e kriminalitetit. Në vende të tjera janë ulur vjedhjet, aksidentet për shkak të alkoolit e drogës, e kështu me radhë.

Cilat janë arsyet e ndikimit të muzikës së Mozartit? Nuk njihen. Ndoshta diçka që ka të bëjë me harmoninë qiellore e tokësore së bashku, që përcillet nëpërmjet tingujve të muzikës. Ndoshta ka arsye të tjera edhe më të thella. Megjithatë dobinë mund t’ia marrim me mend të gjithë. A nuk do të ishte mirë që Mozarti të transmetohej ditë e natë në Shqipëri? Për efektet e kësaj muzike kanë nevojë të gjithë. Kush është kundër muzikës deklarohet vetë cilën anë mban. Për Mozartin me sa duket vendi ynë ka shumë nevojë: në rrugë, dyqane, kopshte, shkolla, uzina, fusha, spitale. E gjeni dot çfarë kam harruar?

Nuk ka komente

  1. “Sipas një studimi të Universitetit amerikan Madison në Wisconsin, lopët kur dëgjojnë tingujt e Moxartit prodhojnë sasi më të madhe qumështi (gati 7,5% më shumë).”

    pu cfare studimi o pishak, beni dhe ju sikur keni lindur dje. ja ta them une qe kam mjelur lope, e dhen, e dhi, qe deri me 13 vjec kullosja bageti e dija te parashikoja kohen nga fluturimi i shpendeve e te thoshja oren nga levizja e diellit 😀 dhe tani me duhet te hap ndonje app ne iphone qe te shikoj nga eshte lindja e perendimi.

    qe thua ti, gjithmone kur lopet na mbaheshin, e nuk e leshonin qumeshtin. madje as atehere qe u conim afer vicin, nena ime qe i mjelte fillonte t’u kendonte me avash, me ate ze contralto dhe menjehere leshonin qumeshtin.

    eh si u katandisem, te rinjte sot nuk dine as si ngarkohet gomari 🙂

    1. E di. Sot bëhen studime për gjëra elementare, survejohen lopët për një kile qumësht më shumë, shpiken ilaçe për një gërvishtje të vogël, që nënat e gjyshet tona i kalonin me një ninullë të thjeshtë e me ndonjë gjethe sipër plagës. I ka moderniteti këto.

  2. Thjesht nga kureshtja: Pse Moxart e jo Mocart? Shqiptimi në gjermanisht është më afër “c”-së se “x”-së. Po edhe Fjalori i shqipes (FGJSSH), te shënimi për “minuet” përmend “Minuetet e Mocartit”.

    1. Në mënyrë instinktive e shkrova Moxart. Versioni tjetër nuk më pëlqen (Mocart). Fjalori elektronik nuk ma sinjalizoi si gabim trajtën Moxart. Mund ta kisha lënë versionin origjinal (Mozart), por drejtshkrimi ende na e ndalon këtë gjë, edhe pse po anashkalohet përditë. Pastaj në shqip unë e kam shqiptuar gjithnjë me x e jo me c. Personalisht, jam me idenë që emrat e përveçëm që janë konsoliduar në shqip (p.sh. Shekspir, Bah) të vazhdojnë të shkruhen siç është bërë deri tani. Për emrat e rinj që nuk përtypen dot nga sistemi i gjuhës, mund të shkruhen siç janë në origjinal. Po ky është mendimi im personal.
      Jemi gjithsesi në kohë ta korrigjojmë.
      Rëndësi ka që emri i muzikantit të famshëm nuk është ngatërruar me Shubertin (Schubert).

      1. Unë besoj se edhe vetë ky diskutim (Moxart/Mocart, që s’e kishte fare vendin këtu), tregon gjithsesi se duhet të shkruajmë Mozart dhe t’i lëmë njerëzit të zgjedhin vetë si ta shqiptojnë emrin.

  3. Natyrisht që shqiptimi “Moxart” është gabim që përsëritet dendur në tekstet shqip.
    Nëse do i mbeteshim shqiptimit të emrave ashtu siç lexohen dhe shkrimit të tyre në atë formë, duhej shkruar padyshim “Mocart”, pasi “z”-ja para një zanoreje në gjuhën gjermane shqiptohet “c”.
    Çudi të gjesh këtë lapsus në një blog si ky, që thekson aq shumë pastërtinë e shqipes. Shpresojmë të korrigjohet.

    1. Po te mos kishim ‘gabimet’ Gjonit do i thonim Johan apo ndonje trajte te ngjashme nga latinishtja, nemos fare ndonje trajte e italishtes Xhovani.
      Moxart do kete hyre nga italishtja ne shqip, ashtu si ta zeme Gjon nuk e kemi marre nga hebraishtja qe rezulton te jete ”Yehōchānān”
      Apo Jezus nga greqishtja e jo nga hebraishtja ‘Yeshua’.

      Konsolidimi i nje forme ne shqip nuk eshte ‘gabim’, persa kohe qe s’kemi rregulla te qarta.
      Une psh do protestoja per formen Mozart, se nuk respekton as shqipen e konsoliduar e as shqiptimin ne origjinal, me pak fjale eshte si kunder tradites si kunder atij rregulli minimal qe kemi.

      Sa per temen, jam dakort me komentuesin e pare, kur lopa nuk leshon qumeshtin,zakoni e do t’i flitet embel e perkedhelet pak, s’ka pune fare Moxarti ne kete mes, edhe me nje labçe apo kenge lahute prodhimi rritet.

      1. Shkruan:

        Po te mos kishim ‘gabimet’ Gjonit do i thonim Johan apo ndonje trajte te ngjashme nga latinishtja, nemos fare ndonje trajte e italishtes Xhovani.

        Në fakt Gjon është një formë e evoluar brenda shqipes, në kushte të analfabetizmit total. Mozart është huazim i vonë dhe emër i destinuar të qarkullojë në mjedise librore të ligjërimit, ku forma e shkruar shërben si bazë për të folurën.

        Duke e shkruar Mozartin Mozart, ne i afrohemi kështu trashëgimisë kulturore perëndimore; në kuptimin që një studiues nesër, kur të kërkojë bie fjala për interpretime të koncertit të Mozart-it për klarinetë dhe orkestër, t’i dalin në Google edhe interpretime artistësh shqiptarë.

        “Shqipërimi” i emrave perëndimorë është rezultat i ndikimit kulturor rus (dhe serb) – por atje ku rusët (dhe serbët) detyrohen të transliterojnë, shqipja nuk ka pse!

        1. E evoluar brenda shqipes do te thote pikerisht pré e gabimeve fonetike dhe ne rastin e Gjon, ne mos gaboj kemi edhe rregullin e humbjen se rrokjes se ndermjetme prej latinishtes si tek caballum-kal.

          Mua kjo venia e shqipes ne sherbim te studiuesit te neserm qe gugllon, nuk me duket bindese, meqe me duket kendveshtrim shume i ngushte per shqipen ky ne funksion te studiuesit te neserm dhe gugllimit.

          Meqe ndjekim parimin fonetik, si çdo gjuhe ne fillesat e veta, dhe kemi krijuar nje tradite, lexuesi i ri sot nese e gjen Mozart do e shqiptoje me siguri Mozart e nese gjen nje fjale te koklavitur si Nietzsche, nuk ka per ta goditur kurre pa e guglluar, nqs nuk eshte studiues i tij apo njohes i gjermanishtes, kuptohet.

          Parimi fonetik besoj se e vendos vetiu rregullin, edhe pa ndermjetesimin e kujt, e ne mos gaboj eshte po ai parim fonetik, shkaktari i ndryshimeve te shqiptimit apo shkrimit te emrave qysh ne kohet e lashta, kur kalonin nga nje gjuhe te tjetra.

          Perndryshe, rregulli i shkrimit ne origjinal, lidhet me humbjen e parimit fonetik, se kuptohet qe kur ke humbur parimin fonetik nuk ka asnje kuptim shkruash fjalen sikunder shqiptohet, meqe do i hapesh telashe te stermedha lexuesit te ri, i cili sapo ka mesuar se fjalet nuk shkruhen ashtu si shqiptohen.

          Mua me duket se perendimoret kete pike e shohin ne funksion te lexuesit te ri, jo te studiuesit te ardhshem.

          1. Ka edhe më. Nëse vendos për parimin e tejshkrimit fonetik (Nietzsche > Niçe), atëherë bëhet i domosdoshëm një autoritet rregullator, që të vendosë paraprakisht për çdo emër të huaj që hyn në shqip (vendimi no. 132775: Nietzsche do të shkruhet Niçe). Pa këtë autoritet, kaosi do të jetë total, sepse nuk mund të presësh prej përdoruesit që ta vendosë tejshkrimin me mendjen dhe mjetet e veta. Një herë e një kohë, kur kontaktet tona me botën ishin të kufizuara dhe të ngadalshme, një autoritet i tillë kish kohë të ligjësonte: (vendimi no. 1206: La Rochefoucauld do të shkruhet La Roshfuko). Sot kjo është praktikisht e pamundur, qoftë ngaqë kontaktet me botën janë qindfishuar, qoftë ngaqë autoriteteve të tilla u ka perënduar ylli. Prandaj, nëse duhet të zgjedhim midis njësisë në shkrim dhe njësisë në shqiptim, le të shkojmë me të parën, e cila të paktën vendos një premisë edhe për shqiptimin; sa kohë që të dytën nuk mund ta arrijmë gjithsesi (khs. pështjellimin e tanishëm Moxart/Mocart – që është rast i lehtë). Nuk them se i pari ofron zgjidhje automatike (p.sh. emrat çekë, polakë, lituanë etj. mbeten problematikë; ndërsa emrat me alfabete të tjera, p.sh. grek, cirilik, arab duhen transliteruar megjithatë, sipas rregullash precize; pa folur pastaj për shkrimin e emrave kinezë, japonezë etj.; por me këto të gjitha gjuhët alfabetike kanë probleme, të cilat zgjidhen në nivel ndërkombëtar).

  4. Emrin e ndryshova në Mozart kudo në artikull. Madje edhe në titull e në adresën ueb (url).

    Tani më thoni diçka. Si ka mundësi që josh më shumë në diskutim drejtshkrimi i një emri se sa idea e një shkrimi, që me drejtshkrimin nuk ka të bëjë fare. Flisja për ndikimin e muzikës në përgjithësi duke marrë si shembull Mozartin. Diskutimet u monopolizuan nga shkronja z, x, ose c e emrit të tij. Kompozitori gjenial, po të kishte qenë gjallë, do të fyhej për vdekje. A thua do t’i interesonte se si shkruhet a lexohet emri i tij në shqip, apo sa dëgjohet e ç’ndikim ka muzika e tij?

    Tek e fundit, prisja që dikush të më thoshte me ironi që muzika e Mozartit, për efektet që ka, të jepej edhe në PARLAMENT, në zyrat PARTIAKE, në Gjykata, etj.

    1. Pishak, ta them une arsyen. Sepse te gjithe lexuesit jane dakord me ty. Nuk ka asnje mes nesh qe te mendoje se muzika e Mozartit nuk e rrit prodhimin e lopeve.
      Nuk ka asnje taleban mes nesh qe te mendoje keq per muziken.
      Ajo puna tjeter e drejtshkrimit ngjalli interes sepse e kemi te gjithe problem kur duam te shkruajme emra te huaj e nuk dime si t’i shkruajme.
      Nese do qe shkrimet e tua te ngjallin diskutime, zgjidh tema te tjera, disi me problematike.

      1. Do të isha shumë i kënaqur, sikur të ishte ashtu. Por nuk besoj se të gjithë lexuesit janë dakord me informacionin që jepja. E nuk është puna vetëm tek lopët që japin më shumë qumësht (çka debatohet edhe midis vetë ekspertëve). Por tek ndikimi mbi njeriun. Muzika që oshëtin në radiotelevizionet shqiptare, me përjashtimet e duhura, nuk është e mirë, në kuptimin që i jepja në shkrim.
        Nuk kërkoj medoemos diskutime për çka shkruaj. Numri i diskutimeve nuk do të thotë asgjë për nivelin e shkrimit ose rëndësinë e problemit. Mëtoj, megjithatë, që diskutimet t’u përmbahen temave të ngritura. Përndryshe, kur ti, ose dikush tjetër, do të shkruajë për drejtshkrimin e emrave të përveçëm në shqip, unë do të kapem pas emrit Mozart e do të flas për partiturën e Die Zauberflöte.

  5. Po ndoshta ngaqe ky eshte nje diskutim i vjeter Pishak. Pra ka kohe qe diskutohet dhe interesi nuk eshte aq i gjalle.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin