ALFABETIZIMI DHE STATISTIKAT LEKSIKORE

nga Read Me

Si kemi arritur deri tek renditja alfabetike? Kjo pyetje është e lashtë, por ndërsa historia e alfabetit e humbet kthjelltësinë në muzgun e mijëvjeçarëve, llojshmëria e shpjegimeve nuk ka munguar. Megjithatë, përsëri sot është e pamundur të zbulohet as autorësia e as arsyet.

David Diringer në librin e tij ”Alfabeti: Një çelës në historinë e njerëzimit” shkruan se: “… ka shumë mundësi që arsyeja nuk ka ndonjë domethënie të veçantë…”. Grupimi fonetik sipas shkronjave të alfabetit semitik “…mund të jetë i rastësishëm”. Për të gjithë renditja alfabetike merret si e mirëqenë. Për më tepër merr kuptim edhe për faktin e thjeshtë se një alfabet i tillë mund të memorizohet e të përdoret me lehtësi.

Xha Xhai e nis shkrimin e tij “Mistika e Shkronjës Fillestare” me diçka që i ka mbetur në mendje nga përvoja profesionale. Është një shprehje e “master craftsman”-it (kryemjeshtrit) të veprës monumentale gjuhësore – Fjalor i Shqipes së Sotme, – që siç edhe ai vetë e përcakton “bosi i leksikologjisë”, Androkli Kostallarit. Kostallari beson(te) e sugjeron(te) se fjalët që fillojnë me një shkronjë mbështillen nga diçka karakteristike, një lloj “mistikë përbashkuese”.

Diçka mësojmë prej vetë Xha Xhait rreth mekanizmit të punës për hartimin e fjalorit. Punonjësve shkencorë i jepeshin për të përgatitur seksione të veçanta bazuar në shkronja fillestare të caktuara. Kjo gjë e lehtësonte punën(e vetëkuptueshme… të kujtojmë renditjen alfabetike si një përqasim praktik). Ndërkohë lidhja dhe puna me një shkronjë të caktuar fillestare ishte vetësugjestionuese, i kthente punonjësit në një mënyrë në supersticioze, duke besuar në një mistikë që fshihet pas çdo grupimi alfabetik fjalësh që fillojnë me një shkronje fillestare të caktuar. Siç e le të kuptohet nga rrëfimi i tij, kjo pritshmëri misteri për Xha-xhain nuk e ka humbur magjinë edhe pas shumë vitesh, që kur ai ishte ” apprentice” (po e përkthej si i ri në zanat). Duhet vënë në dukje një arritje e meritë e Xha Xhait. Ai ishte ndër të zgjedhurit, si bashkëpunëtor tekniko-shkencor që ka ndihmuar në përgatitjen për shtyp të fjalorit në atelienë e një mjeshtri të leksikologjisë si Kostallari.

Më tej mësojmë në lidhjen që bën Xha Xhai, kur shprehja e Kostallarit i vjen ndërmend ndërsa lexonte librin e Arshi Pipës Politika e gjuhës në Shqipërinë Socialiste(The Politics of Language in Socialist Albania). Xha Xhai përpiqet të përligjë efektin e fjalëve te Kostallarit, mistifikimin e tij me karakteristikat e përbashkëta të fjalëve që nisin me të njëjtën shkronjë fillestare. Nga ana tjetër në librin e tij, Arshi Pipa nuk ngjan se ka më të voglin iluzion të ngjashëm në përzgjedhjen e tij për të analizuar fjalët e huaja të futura në fjalorin e shqipes. Pipa përdor përqasjen (përpilimin) e tij statistikore, por që nën kritikën e Xha Xhait konsiderohet si “rudimentare” duke konkluduar që Pipa në këtë mënyrë ka arritur “në përfundime të shtrembra”.

Studiuesi Pipa në librin e tij ofron tre variante statistikore:

Tabela 3: Pipa ka numëruar 101 fjalë të huazuara nga fjalori ndërkombëtar. Ka përdorur 10 faqet e para të fjalorit. Ai nuk e përmend se si kriter përzgjedhës ka qenë shkronja fillestare(që i takon të jetë A-ja); nuk ka përdorur as edhe një lloj paramendimi apo kriteri. Siç del nga tabela statistikore e ndërtuar numri i huazimeve ka qenë relativisht i lartë, 45.9% krahasuar me 43.7% të fjalëve të konsideruara si autoktone (native Albanian).

Tabela 4: Pipa ka përzgjedhur fjalët prej faqeve të ndryshme (21 faqe të përzgjedhura me kriterin që të përfshijnë numrin më të vogël të mundshëm të fjalëve ndërkombëtare të huazuara) përgjatë gjithë fjalorit (fq. 30, 57, 148, 149, 323, 530,…, 2104, 2265). Në ketë rast nuk flitet më për të njëjtën shkronjë fillestare, por shkronja të ndryshme fillestare. Nga kjo tabelë rezulton se 13% e fjalëve janë ndërkombëtare (international loans) kundrejt 74.7% vendase (native Albanian).

– Tabela 5: Pipa ka përdorur 21 faqe duke ndjekur renditje numërore pa ndërprerje (prej fq.1636 deri në faqen 1657). Prej fq. 1636 në 1640 fjalët ndërkombëtare janë më të shumta se vendase; fq. 1642-1646 ka një fare balance midis fjalëve vendase dhe ndërkombëtare; fq 1647-1654 fjalët ndërkombëtare janë me shumicë; fq. 1655-1657 nuk kanë fare fjalë ndërkombëtare. Nga kjo tabelë rezulton se 65.6% e fjalëve janë ndërkombëtare kundrejt 24.4% vendase (native Albanian).

Në tabelat e mësipërme fjalët me origjine turke, sllave, greke, italiane, franceze nuk janë pjesë e fjalëve ndërkombëtare (international loans). Ato fjalë përmbledhin balancën e 100% të fjalorit. Duhet thëne që Arshi Pipa i përdor këto statistika duke punuar në disa plane, përfshirë raportin leksikor midis fjalëve me origjinë gege e toske, por unë po ndalem veçse tek huazimet ndërkombëtare. Ai na kujton se Tabela 5 është përfaqësuese e tendencës për të huazuar fjalë ndërkombëtare (fjalë që në shqip fillojnë me Re – dhe -). E njëjta tendence vihet re edhe në faqet e fjalorit që përfshijnë shkronjën fillestare I (fq. 707-731), ku 73% janë huazime, por ai nuk e përfshin këtë observim si një argument statistikor për t’i mëshuar tezës së tij. E përdor këtë observim, për të sugjeruar se një pjesë e huazimeve të tilla janë të domosdoshme si monedha ndërkombëtare, për petkun ndërkombëtar që ato veshin (sjell si shembuj fjalët ideologji, iluzion, etj.), por jep edhe shembuj ku fjalët vendase mund të zëvendësojnë petkun ndërkombëtar me lehtësi e suksesshëm (sjell si shembuj fjalët indigjen = vendas, iniciativë = nismë, etj.).

Duke përdorur tabelën 3, ku merren në konsideratë vetëm dhjetë faqet e para, Arshi Pipa na ofron diçka tjetër, që mendoj se është e rëndësishme. Pipa studion dinamikën dhe ritmin e hyrjes të fjalëve ndërkombëtare në fjalorët e hartuara të shqipes, duke krahasuar tre fjalorë: 1. An Historical Albanian-English Dictionary (1496-1938) të Stuart E. Mann botuar në 1948; 2. Fjalor i gjuhës shqipe të Kristaq Cipos botuar në 1954; 3. Fjalor i shqipes së sotme nën drejtimin e Kostallarit. Në fjalorin e Mann-it, Pipa dallon vetëm 14 fjalë të huazuara ndërkombëtare, ndërkohë që në fjalorin e Cipos dallon 54 fjalë. Kurse në të fundit, të hartuar nën drejtimin e Kostallarit dallon 101 fjalë. Pra një rritje prej më shumë se shtatë herësh të fjalëve të huazuara. Pavarësisht zhvillimit tekniko-shkencor, krijimit të arsimit universitar e komunikimit ndërkombëtar, nuk është e vështirë të dallosh rritjen marramendëse të fjalëve të huazuara , që Pipa e quan “një ekspansion të fjalorit të nomenklaturës shqipe ndërkombëtare deri në pikën e inflacionit” (vërehen fjalët e huaja të përdorura të përkthyera prej meje nga anglishtja). Këtyre përvetësimeve u është fshehur origjina.

Në fjalorin e shqipes se sotme nuk identifikohet futjet ndërkombëtare. Mungojnë shkurtime të tilla si fj. ndërk. = fjalë ndërkombëtare kodifikim i domosdoshëm për të treguar origjinën e fjalës. Në fjalorin e anglishtes siç është Webster’s Third New International Dictionary na kujton Pipa, tregohet origjina e fjalëve qoftë edhe shqiptare nën shkurtimin Alb(anian). Unë mendoj se duhet të shkruhet te paktën përcaktimi i shkurtuar “e shqipëruar” ose “e shqiptarizuar”, për çdo fjalë që nuk mund të gjendet shoku/shoqja në versionin shqip.

Në tabelën 4, gjejmë shumë pak fjalë të huazuara, sepse Pipa qëllimisht i shmang ato. Ai bën një përzgjedhje duke përfshirë vetëm ato faqe të fjalorit ku huazimet janë një pakicë. Konkluzioni i Pipës është se kur nuk përpiqemi t’u shmangemi fjalëve të huazuara ndeshemi me një numër të konsiderueshëm të tyre.

Duket se Pipa ka bere vlerësimet dhe hulumtimet e veta statistikore në lidhje me përmbajtjen e fjalorit, duke patur në mendje rigorozitetin e tij shkencor. Në dukje shifra 40%, mund të konsiderohet e hedhur thjesht si një “estimate” (vlerësim i përafruar, apo “në vija te trasha”). Por Pipa e konsideron 40%, si përqindja e pritshme e fjalëve të hyra në harkun e tridhjetë vjetëve deri në botimin e fjalorit. Pipa e sheh këtë numër si e mesmja e mundshme midis 13% dhe 65.6%. Ky është numri që Arshi Pipa mendon se përbën huazimet me tepri, deri në inflacion, në fjalorin më të vonshëm të shqipes (të botuar 30 vjet më parë).

Për të provuar Pipën gabim duhet punë, duhet të marrësh përsipër të bësh një hulumtim statistikor të përbërjes të fjalorit, të raportit të fjalët vendase kundrejt huazimeve të tepruara e pa kriter ndërkombëtare. Arshi Pipa nuk e paragjykon punën e Kostallarit e grupit që ai drejtoi. Ai e konsideron Fjalorin e Shqipes së Sotme si një punë monumentale, si meritë para së gjithash të vetë Kostallarit. Pipa ia njeh meritat fjalorit, përshkrimet e përkufizimet e detajuara që ndjekin kritere e një renditje rigoroze, prurjen e pasur idiomatike, etj. Problemi që ka Pipa me fjalorin është perdja, tisi ideologjik që i pengonte pamjen hartuesit ideolog të tij.

Nuk ka komente

  1. Duke thënë qysh në fillim se nuk e kam lexuar librin e Pipës, po parashtroj vetëm disa pyetje dhe dyshime:

    Së pari, është e vështirë të vendosen kritere rigoroze për të veçuar fjalët ndërkombëtare nga huazimet e tjera.
    Përgjithësisht në leksikografi konsiderohen ndërkombëtarizma disa terma shkencorë dhe emërtime që gjenden në pjesën më të madhe të gjuhëve si “matematikë”, “filozofi”, “gjeometri” “automobil”, “pizza” me kushtin që të jenë monosemantike. Ç’kritere përdor Pipa? Po a janë kombëtarizma fjalë si “reaksion”, “reaktiv”, “refleks”, “komoditet” etj. që në gjuhë të ndryshme kanë zhvilluar struktura kuptimore të ndryshme? Cili është kufiri që ndan, të themi, një huazim me prejardhje latine që gjendet në shumë gjuhë gjermanike dhe sllave nga ndërkombëtarizmat? Fjala “cirk” në shqipe a është ndërkombëtarizëm? Po fjala “qark” që etimologjikisht ka të njëjtën nënë me “cirk”?
    Nuk di si e ka zgjidhur Pipa këtë problem. Sipas meje, vështirë se mund të caktohen kritere shkencore.

    Së dyti, krahasimi me fjalorin e Mann-it dhe atë të ’54-ës nuk qëndron.

    Fjalori i Mann-it është fjalor historik. Autori ka shmangur me vetëdije shumë huazime të reja, sepse nga pikëpamja historike nuk i interesonin. Tani e kam përpara dhe po vë re se ka asnjë fjalë që fillon me rea- (reagoj, reagim, real, realizoj etj.). Por kjo nuk do të thotë se në 1949 këto fjalë nuk kishin hyrë në shqipe. Disa syresh i gjejmë së paku qysh nga Fjalori i Bashkimit (1908).

    Fjalori i ’54-ës ka gjithsej 25 mijë fjalë përkundër 41 mijë fjalëve të fjalorit të ’80-ës. A e ka mbajtur parasysh Pipa këtë raport në statistikat e tij? Për më tepër, fjalori i ’54-ës ka një mori fjalësh të huaja që nuk i ka fjalori i ’80-ës si p.sh. “obstrukcion”, “leguminoze” etj.

    Së fundi, përfundimi se 40 përqind e fjalëve të fjalorit të ’80-ës janë ndërkombëtarizma me duket i tepruar. E tepërt më duket edhe të flitet për inflacion. Ç’do të thoshim, fjala vjen, për anglishten që ka mbi 50 përqind të leksikut me prejardhje latine / romane?

    1. Pipa natyrisht gabon, dhe gabon në mënyrë spektakulare.

      Ai e konsideron Fjalorin e 1980-ës si të ishte një lloj “kodi” i leksikut shqip, i krahasueshëm, bie fjala, me kodin penal, i cili jo vetëm përcakton mënyrën si do të ndëshkohen krimet, por edhe krimet vetë.

      Përkundrazi, Fjalori i 1980-ës ka edhe aspektin e vet normativ (të krahasueshëm me atë të një kodi ligjesh), edhe aspektin fotografik të një gjendjeje të caktuar të leksikut, siç ishte ai i shqipes të asaj periudhe.

      Në fakt, ai Fjalor mbështetej mbi një bazë të dhënash jashtëzakonisht të gjerë (Kartoteka e leksikut të shqipes).

      Pipa ia vë Fjalorit “fajin” për disa karakteristika që në fakt janë të shqipes të asaj periudhe.

      Kështu, për shembull, një nga kriteret për zgjedhjen e fjalësit (ose të listës/bashkësisë së fjalëve që do të përfshiheshin në fjalor), ishte që ky të përmbante të gjithë termat e përdorur në dokumentet e PPSh dhe në veprat e Enver Hoxhës.

      Natyrisht, hartuesit e fjalorit nuk kishin alternativë ndaj kësaj; sepse dokumentet e PPSh dhe ligjërata e Hoxhës ishin shtylla kurrizore e ligjërimit politik në Shqipërinë e viteve të totalitarizmit.

      Fjalori i përgjigjet asaj shqipeje specifike; por nuk mund të mbahet me faj, për shtrembërimet e asaj shqipeje.

      Veç kësaj, krahasimi me fjalorët e Mann-it dhe të 1954-ës është vetvetiu qesharak.

      Ajo çfarë ndodhi me shqipen, midis vitit 1954 dhe 1980, vetëm një ideologu si Pipës mund t’i shpëtonte nga sytë : themelimi i Universitetit Shtetëror të Tiranës, në 1957.

      Pasuar nga themelimi i Akademisë së Shkencave, në 1972.

      Universiteti u detyrua të përgatitë një numër të madh tekstesh mësimore dhe të botojë një numër po aq të madh revistash teknike-shkencore në shqip – një ndërmarrje pa precedent për kulturën shqiptare.

      Provoni të përktheni një tekst të orografisë nga rusishtja, duke u bazuar në leksikun që përdor Fishta te Lahuta e Malsisë!

      Akademia u angazhua njëlloj, 15 vjet më vonë, me botime të shumta periodike dhe monografike.

      Një universitet që kërkon t’u sjellë studentëve të vet, në gjuhën amtare, lëndë nga të gjitha fushat e dijes, do të mjaftojë për ta shndërruar me themel shqipen librore dhe revolucionarizuar natyrën e leksikut të saj.

      Nuk jemi më në fazën e bareshave dhe të luleshqerrave, të grigjave në pllaja e në ograja e të dhëmbëve si gurzat e lumit – shqipja vishet me kominoshe doku dhe merr pjesë drejtpërdrejt në “ndërtimin e socializmit”, sikurse merr pjesë në indoktrinimin tërësor të njeriut të ri.

      Fjalori i 1980-ës i pasqyroi këto ndryshime të papara modernizuese me besnikërinë që pritej – duke e marrë realitetin totalitar shqiptar si të mirëqenë.

      Nga kjo pikëpamje, këtë Fjalor me atë të 1954-ës e ndajnë jo 26 vjet, por ndoshta një shekull i tërë; dhe këtë e them jo për t’ia ulur meritat të dytit, po për të treguar se këto dy vepra leksikografike u përkasin, në të vërtetë, epokave të ndryshme.

      Arshi Pipa ishte njeri i ditur dhe me kulturë të madhe, italianist i kompletuar, filolog i mirë dhe kritik i mprehtë, por nga leksikografia nuk më duket se ia thoshte shumë; aq tepër që pozicionimi i tij ideologjik ia komprometon edhe më keq argumentin.

      1. Ne qendrimet dhe gjykimin ndaj regjimit ne Shqiperi, te shprehura kryesisht ne shtypin e mergimtareve, Pipa ndryshonte shume nga intelektualët e tjerë të mërgimit politik, si Koliqi, Camaj, Merlika, Frashëri etj. Ishte me i ashper dhe me aktiv se ata.

        Filimisht kam menduar se kjo mund te varej nga droja qe mund te kishte secili prej tyre per fatin e farefisit qe kishin lene ne Shqiperi.

        Pastaj, kur e pashe disi më me kujdes edhe ne driten e disa fakteve qe mesova nga bashkepunetore te tij te afert, erdha ne perfundimin se kjo varej nga fakti se Pipa, ndryshe nga te tjeret, ishte ideologjikisht i majte, madje shume afer ideve anarkiste. Nuk di te them nese ishte qysh ne fillim apo u be i tille ne Amerike. Por me gjasa ai ndihej dyfish i revoltuar me regjimin e Tiranes.

    2. Kryesisht qellimi i nderhyrjes sime ishte te jepja nje informacion/prezantim me te plote per verejtjet e Arshi Pipes ne lidhje me FSHS. Duke qene se nuk e ke lexuar vepren e Pipes, kjo te vendos ne disavantazh menjehere.

      Me sa gjykoj une, per dike qe merret me gjuhesi/literature/filozofi sic ishte Pipa(duke qene njekohesisht njohes i mire i disa gjuheve) do t’i kete patur me te qarte kriteret mbi te cilat bazohet nje hartues fjalori, le ta quajme me emrin e zanatit leksikograf per te dhene shpjegimet e nevoshme per origjinen e fjaleve.

      Ne fjaloret ne pergjithesi kryqezohet aspekti historik dhe modern(ose gjuha e sotme e folur). Kur flitet per “fjalor historik” kur duhet te filloje e te mbaroje se numeruari historia? Stuart Mann e fillon me 1496(me ato deshmi te pakta te shqipes) e te perditesuar deri ne 1938.

      Mund te them se Mann nuk e ka hartuar fjalorin pa patur parasysh e studiuar literaturen shqiptare. Biles po te lexosh parathenien ai e ben te qarte vleren e monedhes qe perdor. Sipas fjaleve te tij fjalori eshte hartuar per nje publik te gjere qe do te perdore shqipen per qellime praktike, dhe shton se fjalori ka karakter objektiv. Po ashtu na tregon se thjesht per arsye praktike(per te mos e bere shume voluminoze) librin e tij nuk ka futur ilustrimet nga literatura shqiptare.

      Te dalim tek origjina e fjales: vendase apo nderkombetare. Keto nderhyrje jane te karakterit etimologjik te fjales. Kjo eshte nje nga ndermarrjet me thelbesore te nje fjalori bashkekohor apo historik. Ne se nuk je ne gjendje te besh kete s’ke bere asgje me fjalorin, sepse gjerat nuk jane vetidentifikuese. Nje leksikograf i mire dallon midis asaj qe quhet “self-evident”(qe identifikon veten) dhe asaj qe eshte e nevojeshme t’i shpjegohet origjina: Cfare eshte shqipe evidente, historike e cfare eshte futje e re ne 10-30 vjetet e fundit? Fjaloret modern si Oxfort Dictionary, etj. e japin etimologjine e cdo fjale, sepse nje leksikograf i mire di te beje dallimin e di te jape shpjegimin.

      Ne lidhje me fjalet monosemantike, anglishtja mban rekord persa i perket pervetsimit te fjaleve te nje monedhe te tille nga te gjitha gjuhet e botes duke ndihmuar biles qe t’i nderkombetarizoje ato me efikasitetin me te madh(perseri Pipa). Tek Pipa kolona “nderkombetare” perfshin fjale shkencore dhe teknike qe jane te perbashketa per gjuhet europiane, si edhe emra njerezish, kombesish dhe vendesh.

      Cfare thote Pipa pikerisht per fjalet nderkombetare: Nuk eshte e nevojshme te permendet(t’i meshohet faktit) qe fjale te tilla kane privilegjin te pervetsohen pa paguar ndonje detyrim(je i lire te fusesh duart e te marresh sa te duash), sebashku me grupin e fjaleve qe perbejne terminologjine kulturore nderkombetare ne fusha te ndryshme. Megjithate ai thote per fjale qe nuk jane shume te rendesishme mund te zevendesohen me derivative apo perberesa te shqipes, qe i pershtaten fjaleformimit te shqipes…(ky eshte disavantazhi qe te permenda ne fillim). Ai jep edhe shembuj se si eshte bere e mundur ose mund te behet e mundur fjaleformime te tilla ne shqip.

      Per 40% me duket se te ka ardhur ne ndihme Xha Xhai dhe Hyllinin(te cileve do t’i pergjegjem me vone) me komentet e tyre. Une percolla ate c’ka Pipa sugjeronte. Problemi eshte qe ta provojme Pipen se eshte gabim, e mos te themi thjesht qe eshte gabim dhe kaq.

      Se fund nga pervoja ime ne mesimdhenie, jane disa gjera qe quhen “common misconceptions”(te paturit te ideve, koncepteve, informacionev, ndjesive te gabuara). Ndoshta disa gjera mund te kategorizohen te tilla…

      Pipa ishte nje dishepull i Bergson-it, besonte ne shkence, ne “social justice”(…) e ishte ateist.

      1. Me sa mbaj mend, në versionin e parë të Parimeve themelore për hartimin e Fjalorit, Kostallari kish përfshirë edhe nevojën për të shënuar shkurtimisht prejardhjen e fjalës (etimologjinë). Më pas kjo nuk u bë – por edhe ngaqë Fjalori ndërroi formë; i planifikuar si shtatëvëllimsh (në Institut ruheshin ende materialet vëllimit të parë që u la përgjysmë), ai Fjalor përfundoi me një vëllim vetëm, ndoshta për arsye politike: duhej botuar një Fjalor i shqipes standard sa më shpejt. Thuhej edhe se shënimet etimologjike do të tregonin se sa fjalë të huaja kish shqipja, dhe kjo nuk shkonte; sikurse thuhej edhe se shumë fjalëve nuk u përcaktohej dot etimologjia; sidomos atyre të mbledhura në terren nga bashkëpunëtorët. Me fjalë të tjera, etimologjitë do të ishin të sigurta vetëm për ato fjalë të cilat nuk ia vlente të etimologjizoheshin, sepse haptazi të huazuara nga gjuhë të tjera. Gjithsesi, kërkesa për shënime etimologjike në Fjalor ishte e parakohshme, meqë i vetmi fjalor etimologjik i shqipes, deri atëherë, ishte ai i Gustav Meyer-it; ndërsa Çabej ende nuk i kish botuar veçse fare pjesërisht etimologjitë e veta (selektive). Është shumë e lehtë të japësh etimologjinë e një fjale të tillë si “politikë”; është shumë e vështirë, përkundrazi, të etimologjizosh “gramshalesh.”

      2. I mora te mireqena te gjitha perveç matematikes, ku dilte nje shtatefish si faj i Kostallarit.
        Per mua Kostallari eshte veç nje emer qe s’me thote absolutisht asgje, keshtu qe s’kam asnje arsye per te mbajtur qendrim ndaj tij, thjesht me duket i pamundur perfundimi matematikor.

        Persa kohe qe ne e trajtojme veten si majmuni qe kopjon gjestet e njeriut, vetem 47 fjale per ate periudhe aq intensive mua me duken si perpjekje madhore per t’u shkeputur ne kulture nga statusi i majmunit.

        Kostallarin nuk e denoj dot moralisht per 47 fjale, por perndryshe une jam shume dakort me parimin qe s’ka nevoje per nderkombetarizma nqs fjalet ia marrim shqipes nepermjet fjaleformimit.

        Le te themi qe ne kete çeshtje ne vija te trasha njerezit ndahen ne parmenidas dhe eraklitas, pala e pare qe pohon se ‘gjuha eshte’ dhe pala e dyte qe thote se ‘gjuha rrjedh’.

        Parmenidasit thone se ngaqe eshte, atehere detyra e atij qe merret me gjuhen, eshte te zbuloje ate qe eshte, ate te vertete qe eshte por gjendet e fshehur. Me kete le te themi shpjegohet fondi shqip i fjalorit dhe fjaleformimet qe do te jene ne te ardhmen duke perdorur ate fond.

        Eraklitasit thone se ngaqe ‘gjuha rrjedh’, atehere detyra e atij qe merret me gjuhen eshte ta ndihmoje te rrjedhe. Me kete shpjegohet fondi i huazimeve te hershme dhe ato qe do te jene.

        Pastaj keto dy filozofi i perqasen dy ideologjive te kunderta, per te pasur sa me shume kontroll socio-politik mbi gjuhen dhe si i thone te jetesohen.
        Pjesa akademike apo shkencore ne kete pike eshte thjesht nje lluster, por qe duhet trajtuar me shume seriozet.

        Une jam parmenidas dhe nuk merrem drejpersedrejti me gjuhen, por ama nqs shumica e atyre qe merren me gjuhen, jane eraklitas, nga bindja apo nga rehatia e padiskutueshme e pozicionit, atehere nuk mund te mos verej se 47 nderkombetarizma ne ate periudhe, jane dem i paperfillshem, me te cilin parmenidasit e pakte qe merren drejtpersedrejti me gjuhen, as ia vlen te humbasin kohen duke u marre me te, se ka probleme me te mprehta e me urgjente.

      3. Pikerisht pse nuk e kam lexuar Pipen, parashtrova vetem ca pyetje e dyshime qe me linden nga artitulli yt. Po ta kisha lexuar, do ta kisha gjetur pergjigjen te libri i tij. Nuk hyn disavantazhi im ketu, sepse nuk po bejme dyel, thjesht po dialogojme.

        Te pyeta se ç’kritere perdor Pipa per identifikimin e nderkombetarizmave. Ti me thua se perdor kriterin etimologjik (!). Megjithese nuk ishte leksikograf, Pipa nuk ishte aq idiot sa te perdorte kriterin etimologjik per te dalluar nderkombetarizmat. Ne shqipe fjalet e parme vetjake, ato te fondit IE mezi kapin 1000 njesi (2000 sipas parathenies se Mann-it). Te tjerat jane huazime te koheve te ndryshme.

        Ndersa ti flisje per nderkombetarizma!

        Fjalori i Mann-it eshte fjalor historik, pra diakronik, perfshin gjithçka qe gjeti ai te perdorur ne shqipe pa dallim kohe dhe hapesire. Fjalori i ’80, siç e thote vete titulli, eshte fjalor shpjegues i shqipes se sotme. Per me teper, sikurse thote Xha Xhai, eshte fjalor normativ, pra perjashton fjalet dialektore. Dy fjaloret jane te pakrahasueshem.

        Nejse, une desha vetem te dija se ç’kritere perdor Pipa per te dalluar nderkombetarizmat nga huazimet e tjera. Ta kerkova sepse nuk e kam librin e tij, jo per te fituar ndonje avantazh!

        1. Cfare them une: Te dalim tek origjina e fjales: vendase apo nderkombetare. Keto nderhyrje jane te karakterit etimologjik te fjales”.

          Pse a nuk te duket me vend?

          Plotesimin e kesaj e gjen ne pergjigjen e Xhaxhait, si reagim te postimit tim dhe ne postimin e ri qe sapo nisa.

          1. Nuk merremi vesh per termat atehere. Nga fjala vendase te ajo nderkombetare eshte ne mes nje det i tere. “fjale nderkombetare” nuk eshte sinonim me “fjale e huazuar”, “fjale e huaj” a “fjale jovendase”. Nje pjese fare e vogel e ketyre te fundit mund te konsiderohen “nderkombetarizma”.

          2. fjala “komoditet” p.sh. eshte fale e huaj, por jo nderkombetare, sepse tjeter kuptim ka ne shqipe, italishte, frengjishte etj. dhe tjeter kuptim ka anglishtja “commodity” edhe pse etimologjine e kane te njejte.

            1. Kemi rene dakort(pa e shpallur zyrtarisht) qe te mos biem dakort. Flasim per fjalet qe Pipa i quan “international currency”(monedha nderkombetare), qe shpesh jane edhe monosemantike.

              Megjithate rasti qe sjell si shembull nuk me ngjan se eshte shume i qelluar. Ne shqip “komoditet” mund te shpjegohet me fjalen tjeter te huazuar “me shqip” “rehati”, “rehatllek”. Pra jeton ne rehati, komoditet, dmth me bollek material, duke i pasur gjerat e nevojshme, por ndoshta edhe me shume. Kjo mendoj nuk eshte term eshte fjale e perdorimit te perditshem, pra e ka vendin ne fjalorin e shqipes.

              Ka qelluar qe kjo fjale e shqiperuar ne komoditet, te tingelloje shume afer fjales qe perdoret ne fushen e biznesit “commodity” (English). Ky term duhet te konsiderohet “intenational currency”, edhe ndoshta duhet ta kete vendin ne nje fjalor te specializuar, ku me pas duhet te shihet konteksi, njekohesisht edhe mundesia per t’a zevendesuar(???).

              Fjala anglisht qe percjell te njejten kuptim si fjala shqip komoditet eshte me jetu nje jete “comfortable”. Nuk eshte monedhe nderkombetare, por shpesh e degjon edhe ne shqip, si komfort.

              Prandaj mendoj se na duhet etimologjia…

            2. Shkruan:

              Ne shqip “komoditet” mund te shpjegohet me fjalen tjeter te huazuar “me shqip” “rehati”, “rehatllek”. Pra jeton ne rehati, komoditet, dmth me bollek material, duke i pasur gjerat e nevojshme, por ndoshta edhe me shume.

              Në fakt kjo shpjegon edhe pse ka mbijetuar komoditet, sikurse shpjegon futjen e fjalës së re komfort: rehati, rehatia dhe rehatllëku janë lidhur njëfarësoj me një mendësi “orientale” të të jetuarit dhe perceptohen o si bisedore, o me kuptim keqësues – duke u lidhur me dembelinë, dëshirën për të ndenjur kot, ose shkallën zero të meditimit/soditjes.

              Ndryshe nga rehatllëku, komoditeti nuk e përjashton të qenit aktiv; madje shpesh e ndihmon aktivitetin, duke ia përmirësuar kontekstin.

            3. Desha te shtoja dicka. Rreth fjales rehat qe ka hyre ne shqipe nga turqishtja. Ca vite te shkuara ne Stamboll, nje nga fjalet qe me ra ne vesh sidomos ne hotele apo restorante ishte fjala rehat.

              U interesova se cfare kuptimi i japin turqit, dhe me doli qe ka te njejtin kuptim si comfortable, pra ne kuptimin e qetesise, i shpenguar nga ndonje stres, kur ke larguar ndonje pasiguri dhe ankth, apo ne kuptimin fizik, jete komforte, a te duket dhoma, karrigja, krevati, mbulesa “comfortable”(rehatohu, u rehatove, a ndjehesh rehat, a eshte krevati i rehatshem, ka pune te rehateshme, pa stres, eshte rregulluar mire, e ka jeten rehat fare, etj.)

              Pra rehat eshte perkthimi i sakte i fjales angleze comfortable me te gjithe ngjyrat kuptimore.

              Ka nje paradoks ketu. Turqit e sotshem nuk e perdorin me ate sens perkeqesues, oriental si ne Shqiperi. Mendoj se shqiptareve i ka mbetur ora tek Turqia e Dovletit, dhe e perdorin si dicka negative, duke qene ndoshta te paafte te dalin nga vetabuzimet e tyre. Kurse per turqit akrepat e sahatit kane levizur, Turqia eshte shembull per tu ndjekur.

              Fjala komoditet nuk i merr dot te gjitha ngjyrat e fjales rehat, kurse konforti po. Edhe turqit e perdorin fjalen komfort si variant te rehatit, si nje fjale te turqizuar(ne mos gabohem “konforlu”)

            4. “intenational currency”.
              Tani e mora vesh. Mendoja se Pipa perdorte kategori dhe terma teknike te leksikologjise. Pra ai mendon se keto terma u futen ne shqipe per t’i dhene asaj nje lloj patente, a besueshmerie nderkombetare (duke i prishur asaj karakterin kombetar). Si te thuash, per ta bere shqipen sa me nderkombetare dhe te pranueshme ne gjirin e popujve te qyteteruar. Pak a shume sikur nje shqiptar qe quhet Mehill ta beje emrin Michael ose nje Aleksander te behet Alexander.

  2. ”’ Në fjalorin e Mann-it, Pipa dallon vetëm 14 fjalë të huazuara ndërkombëtare, ndërkohë që në fjalorin e Cipos dallon 54 fjalë. Kurse në të fundit, të hartuar nën drejtimin e Kostallarit dallon 101 fjalë. Pra një rritje prej më shumë se shtatë herësh të fjalëve të huazuara.”’

    Ne fjalorin e vitit 2024, do kete aq shume nderkombetarizma, sa Pipa po te ish gjalle do e quante atentat te demokracise ndaj shqipes.

    Mua kalimi me duket normal, dmth jane shtuar 46 fjale prej kohes se atij te Cipos, ndersa prej Manit jane shtuar 40.

    Raporti Kostallari/Cipo eshte 101/54= 1.87 here.

    Nderkaq mund te akuzohet rendshem Cipo ne raport me Manin sepse 54/14 = 3.85, pra gati katefish te atij shtatefishit.

    Une nuk e di si i perdor ti numrat, po nese matematika nuk eshte opinion Cipoja eshte 2 here me fajtor se Kostallari.

  3. Nuk kam patur rast ta njoh nga afër Kostallarin dhe nuk kam arsye ta gjykoj nëpërmjet atyre qe thuhen për të. Edhe pse thuheshin shumë. Ai njeri urrehej, sikundër urrehej edhe drejtori tjetër i degës së letërsisë së atij instituti. Ky i fundit vinte e më takonte për të mësuar cilët punonjës kisha ftuar në biseda dhe sa honorare u kisha paguar me qëllim që tua ngrinte në mbledhje. Rrallë herë kam dëgjuar të flitet me aq urrejtje për njerëz ende të gjallë, nga vartësit e tyre.
    Nga kjo kuptoja se në atë institut mbretëronte një klimë terrori. Por nuk është kjo arsyeja e kësaj ndërhyrjeje.
    A ishte profesionist i madh Kostallari? Nëse “kriteri i së vërtetës” duhet të mbështetet te rezultatet e punës, kjo nuk del të jetë e shkëlqyer. Madje më duket dëshpëruese. Fjalori është tejet i politizuar dhe i mangët. Nuk duhet ta përligjim me një « ashtu ishte koha ». Te gjithë kemi punuar në të njëjtën kohë. Çdo dite botoheshin nëpër gazeta artikuj plot citate të Hoxhës dhe të tjerë ku nuk kishte asnjë. Nuk i kërkonte njeri Kostallarit të mbante qëndrim klasor për çdo fjalë, deri në shëmti. Ai përfitonte nga fjalori për të dhënë shenja besnikërie ndaj regjimit. Atë gruan e tij ruse e ka paguar shumë shtrenjtë shkenca shqiptare.
    Duke kërkuar dje shpjegimin e fjalës famëkeq, gjeta edhe këtë shembull : Krerët famëkëqij të imperialistëve (të revizionistëve). Eshtë i politizuar deri në kockë dhe këtë nuk ta kërkonte askush. Kjo me sa duket ishte arsyeja që në tavolinat e shumë redaktorëve shihja deri në rënie të komunizmit fjalorin e ’54, edhe pse ne shume anë ishte i tejkaluar.

    Krimi më i madh i Institutit dhe Kostallarit ishte moslejimi i botimit të fjalorëve të tjerë. Edhe më keq, shfrytëzimi barbar dhe i pacituar i punës së atyre që kishin depozituar fjalorët e tyre, për të cilët kishin punuar një jetë të tërë. Pa llogaritur punën e mijëra mësuesve që për të larguar nga vetja idenë e vetëvrasjes (jo të gjithë ia arrinin) në atë fshat të largët ku ishin, mblodhën mijëra e mijëra skeda që ruheshin e shfrytëzoheshin në institut.
    E megjithatë është i mangët. Nuk dua të numëroj mangësitë se ju i njihni mirë, por po tregoj diçka.
    Ditën që doli fjalori, me të në dorë takova një prej hartuesve të tij, me të cilin isha mik. E urova dhe duke e shfletuar aty në këmbë, i thashë se po habitesha që nuk e gjeja fjalën (I) qashtër. Qe diçka që përdorej shumë në letrat shqipe (fytyrë e qashtër, vështrim i qashtër etj).
    Punë, dreqi, më tha, e paskemi kemi harruar!
    Së fundi dua të them se nuk besoj se ka midis jush nga ata që dyshojnë se po të mos ishte ai institut dhe Kostallari vetë, në ato dyzet vjet do të qenë botuar të paktën nja dhjetë fjalorë të gjuhës shqipe dhe plot të tjerë si fjalorë sinonimesh etj.

    1. Nuk e kam njohur Kostallarin, por ato qe thua per ideologjizimin e fjalorit te tij qendrojne. Nuk dua te shtyhem me tej sepse kam vene re se ne kete blog autoret nuk duan “biografira”. Une dy fjale thashe per Elezin dhe m’u hodhen ne fyt.
      Edhe une e kam vene re mungesen e fjales “i qashter”, por jane gjera qe ndodhin. Kam vene re harresa te tilla edhe ne fjalore te gjuheve te tjera. Pikerisht dje konstatova me habi se ne fjaloret e italishtes qe kam une mungon fjala “mutuazione” me kuptimin “huazim gjuhesor”. Siç thoshte Kokona, “fjaloret jane si sahatet…”

      1. Kostallari ishte stalinist i bindur – edhe pse vështirë ta thuash sa shtirej, dhe sa e kish me tërë mend.

        Edhe i detyrohej shumë regjimit komunist, që e ngriti nga hiçi dhe e vuri në majat e dijes kombëtare. Sa më shumë kohë që kalon, aq më të vështirë e kemi t’i kuptojmë këto gjëra. Ndoshta një jezuit do t’i kuptonte më mirë.

  4. Duke lexuar komentet e Xhaxhait, Hyllinit, Relapsos dhe se fundi te Lyss-it mendova qe ka nje konvergjence, nje fluks drejt verejtjeve te Pipes rreth fjalorit te Kostallarit(le ta quajme keshtu qe te dime “ke te cojme ne litar” se fundmi).

    Pipa thote qe ka nje tendence per te fshehur prejardhjen e huazimeve nderkombetare; fjalori i stalinizon keto huazime, me kanotacione politike qe reflektojne konceptet politike marksiste te nomenklatures enveriste; fjalori perfshin nderkombetarizma me tepri, qofte edhe te karakterit shkencor apo teknik, nderkohe qe per nje pjese te tyre, atje ku mundemi, mund te perdoret fjalformimi, ose komponente te shqipes. Kjo bie ndesh me c’ka thote Kostallari ne parathenien e botimit te 1980, gje qe nuk e shoh ne ate te vitit 1984(duhet ta kene hequr)…”Fjalori permban nje numer te kufizuar fjales te huaja dhe vetem ku ato jane te domosdoshme per te kuptuar literaturen artistike, politike e shkencore ne pergjithesi prej Rilindjes deri ne ditet e sotme…”(perkthyer nga libri i Pipes). Pipa thote qe fjalori nuk i permbush keto premtime, fjalori ka nje rritje te priteshme rreth 40% te fjaleve, qe jo domosdoshmerisht reflektojne komunikimin praktik, te rrjedhshem ne shqipen e sotme.

    Ka nje dallim midis fjalorit te gjuhes se folur dhe atij terminologjik mendoj une. “Leksiku” qe perdoret per te shpjeguar koncepte ne fusha te ndryshme quhet Term(inologji), ne ndryshim nga Fjale, te cilat shpjegohen ne fjaloret e pergjithshem, qe merren me gjuhen e folur/te shkruar praktike. Nje fjalor i pergjithshem i gjuhes eshte leksikologjik-semialogjik-polisemik pra merret me shpjegimin e kuptimit, domethenies e ngjyrimet kuptimore te ndryshme te fjaleve. Pra merret me identifikin e listimin e fjaleve te ndryshme ne perdorim e sotem. Nuk eshte onomasiologjik, qe te meson, sic jane fjaloret e specializuar, termonologjike, per te reflektuar e per te kuptuar terminologjite ne fusha te ndryshme shkencore, politike, etj. Fjaloret terminologjike merren me shpjegimin e koncepteve dhe termave qe perdoren per te percjelle ato koncepte.

    Kur permenden universitetet, akademite, zhvillimet teknologjike, institucionet e specializuara, nuk do te thote qe terminologjia e tyre te futet domosdoshmerisht ne perdorim e perditshem praktik, qe duhet ta beje nje fjalor i te folures se sotme. Fjaloret e pergjithshem e kryejne nje funksion te tille, shpjegimin e fjaleve ne perdorimin praktik te pergjithshem.

  5. Fjalore te tille ka ne te gjithe vendet e zhvilluara perendimore, te bazuara ne principe te forta shkencore, e sigurisht aspak te politizuara. Nese nje gje e tille egziston perse mundohemi te krijojme nje gje te re “shqipetare” si komunismi i atehershem. Shoh njerez te mencur e me shume dije ketu qe shpalosin njohurite e tyre dhe u heq kapelen per njohurite, por me dhemb zemra kur ne atdhe asgje nuk ndodh ne kete drejtim, jo vetem e shpefillim ate qe u ndertua me pare por edhe po e shkaterrojme. (shoh gazetat dhe emisionet e sotme). A mund te behet dicke praktikisht per kete problem dhe cfare? Ne kohen e sotme, ne situaten ekonomike e politike te Evropes dhe me nje diaspore shume me te gjere se vite me pare, kjo, ceshtje e gjuhes se njehsuar, te folur etj mendoj se eshte nje ceshtje imperative. Praktikisht kam nevoje per nje fjalor shqip, kush eshte me i ploti, me i preferuari, ai i 1980 apo nje tjeter?? Kete e ka ne mendje shume kush dhe google translation eshte ende shume i varfer

  6. Xhaxhai thotë në në fund të shkrimit, të cilit i drejtohet kjo replikë:

    “Ashtu duket edhe sikur gjuha, në abstraksionin e vet pothuajse matematik, gjithnjë i vidhet syrit të kërkuesit voyeur, që kërkon ta shohë lakuriq.”

    Mua më kujtohet një shprehje tjetër, nuk e mbaj mend nga cili autoritet, që e kam gjetur në një libër ekonomie: të vërtetat e thjeshta janë të padobishme (useless).

    Mungesa e konsiderimit për zhvillimin teknologjik dhe institucional të Shqipërisë së atëhershme, kalimi nga një shtet feudal në një të tillë industrial, është argument shumë i fortë për të mos u marrë parasysh.

    Krahasimi thjesht në kohë, përmes një përmase vetëm – numrit të fjalëve të huaja të shtuara, është tepër semplicist. Njëra kohë me tjetrën kanë dallime cilësore shumë të mëdha, dhe krahasimi as ka mundësinë më të vogël t’i përgjigjet llogjikës së ndryshimit përmes linearitetit.

  7. Kam në duar një fjalor quasi-etimologjik nga Mikel Ndreça që përmban fjalët e huazuara të shqipes. Them quasi-etimologjik sepse autori nuk jep etimologjinë e gjithë fjalorit të shqipes por jep etimologjinë vetëm e fjalëve të huazuara. Fjalori ka 19.000 fjalë. Nëse e krahasojmë në vija të trasha me FGJSSH, përbën 46% të tij. Hiq këtu emrat e përvetshëm që ka fjalori i Ndreçës, si dhe fjalët e gjuhës së folur që mungojnë nga FGJSSH, mund të arrijmë në një numër rreth 40%, e përafërt me numrin e Pipës.

    Nuk di nëse ju interesojnë disa statistika të tjera, por në vitet ’70 kur kishin filluar të hartoheshin fjalorët terminologjikë nga një analizë të Kostallarit thuhet se në terminologjinë e arkitekturës termat e ndërtuar me mjetet produktive të shqipes përbëjnë 68% të fjalorit, në atë të botanikës >65%, në atë të akustikës ~56%, në atë të mekanikës >51%, në atë të optikës ~50%, bile në terminologjinë e energjisë atomike arrijnë në 33%.

    p.s., renditja alfabetike është produkt Biblik, faktikisht i tre psalmëve 110, 118, 144 sipas versionit të Septuagintës, ose të psalmëve 111, 119, 145 sipas versionit Masoretik; të vargjeve të fundit të librit të Proverbave dhe të katër nga pesë Vajtimeve të Jeremiut.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin