PËRSIATJE TEORIKE MBI LIBRIN “SHQIPJA TOTALITARE”

Shqipja totalitare si propaganda më efikase e erës së socializmit shqiptar

Hyrje

Këto shënime u shkruan kur sapo pati dalë libri i Ardian Vehbiut “Shqipja Totalitare”, me rastin e prezantimit të librit në New York City (2010), por nuk janë botuar më parë. Këtu botohen me rishikime minimale. Pjesa e dytë e shënimeve del së shpejti. Shkak që i botoj, bëhet dalja e para pak ditëve e librit të ri të Vehbiut “Gjuha e thyer, gjuha që thyen”. Sido që, siç e ka shpjeguar edhe autori, dy librat kanë përqasje dhe përmbajtje të ndryshme, për mua lidhja mes tyre është e ngushtë. Kësisoj, me shënimet që botoj, lexuesi ndihet t’i rikujtojë, lidhë apo t’u paraprijë ideve që do ta ndihmojnë të hyjë qetë e me dituri në leximin e librit të ri.

Gjuha si propagandë

Çdo regjim totalitar synon të superkontrollojë qytetarët e vet, jetën publike dhe private, hapësirat e mendjes dhe shpirtit, pa zënë me gojë minimizimin ekstrem të të gjitha lirive institucionale të vetë strukturës së nomenklaturës. Socializmi shqiptar, duke ia nënshtruar çdo qelizë të jetës brenda kufijve, fanatizmit dhe terrorit politik e ideologjik, realizoi një nga shembujt më perfektë të kontrollit vertikal nga lart poshtë në një sistem politik. Lidhja e fortë ideologjike e çdo individi (sado larg qendrës pastë qenë ky individ) me institucionin udhëheqës në krye të piramidës — institucion që, në rastin e Shqipërisë, për disa dekada, praktikisht konsistoi në një person të vetëm– realizohet më efektshëm e ka jetëgjatësi më të lartë nëpërmjet propagandës vertikale. Propagandën vertikale që Shqipëria jetoi në dekadat e “socializmit”, edhe organizimi nazist hitlerian i shoqërisë gjermane do ta kish pasur zili, sido që më të shumtën e kohës ajo propagandë nuk i shërbente asgjëje konstruktive. Lidhur me natyrën e propagandës moderne, Jacques Ellul[i], veçon ndër tiparet e domosdoshme të të qenit efektiv të propagandës, totalitetin e saj. Të qenët total do të thotë që propaganda duhet të jetë aktive kudo e kurdo, të përdorë të gjitha mjetet e mundshme dhe kanalet mediatike, të kontrollojë totalisht popullsinë pavarësisht nga veçoritë e saj, të përdorë të gjithë stimujt e mundshëm e të përfitojë nga të gjitha kushtet e krijuara, të ndryshojë formë e mënyrë veprimi, por të mos pushojë kurrë.

Gjenialiteti i krerëve komunistë (jo vetëm në Shqipëri) është se dalluan dhe përdorën me efekt, mes një tufe çelësash përdorur kaq herë në histori, çelësin e artë: atë që kontrollonte gjuhën; dhe e përdorën këtë çelës më mirë se kushdo tjetër më parë. Noam Chomsky dhe James Carey ndoshta do thoshin se shoqëritë e zhvilluara kapitaliste e bëjnë këtë edhe më stërholluar e rrejshëm, ndaj janë edhe më të efektshme[ii]. Për mua suksesi i saj është se nginji forcërisht një masë kritike shqiptarësh aq sa i nevojitej regjimit, e ndoshta më shumë se aq. Përveç propagandës vertikale, që është propagandë politike, një tjetër karakterizim i propagandës që lidhet qenësisht atë shqiptare socialiste, vjen po ashtu nga Ellul: propaganda shoqërore. Kjo lloj propagande është më kompleksja dhe e stërholluara. Në të, ndryshe nga propaganda politike, merr pjesë e gjithë shoqëria në një lloj propagandimi të pandërgjegjshëm e të paorganizuar të kulturës e ideologjisë së vet dominuese, nëse kjo i intereson apo jo vetë shoqërisë në përgjithësi. Kjo lloj propagande gjithnjë synon riprodhimin dhe vazhdimësinë e sistemit, dhe, sido që konsiderohet e paorganizuar në kuptimin klasik të fjalës, ajo mbron e përjetëson klasat sunduese. Në këtë kuptim, teoria e propagandës sociologjike të Ellulit do ishte shumë e ngjashme me interpretimet Gramsciane të mënyrës sesi kulturat dominuese përjetësojnë hegjemoninë e vet nëpërmjet pjesëmarrjes së të gjitha klasave dhe legjitimizimit të një “bon sensi” apo tendencash masive kulturore[iii]. Këto teori kuptohet janë të aplikueshme dhe shpjegojnë deri diku mënyrën se si procedojnë sisteme të quajtura totalitare apo edhe ato demokratike. Por veç në regjime totalitare kjo lloj propagande është e vetme, e kudogjendshme dhe nuk lejon kritikë. Veç në regjime totalitare ajo bashkëjeton e pjell rregullisht terror. Në regjime totalitare, siç thuhet në “Shqipen totalitare”, ajo ia del të sfidojë vetë logjikën, mjetet formale të shprehjes dhe funksionet e komunikimit.

Rishtas theksoj se nuk ka mënyrë tjetër për të shndërruar jetën e një komuniteti të tërë në funksion të një regjimi, veç kontrollit të gjuhës së këtij komuniteti. Nëse kjo gjuhë ideologjizohet në përdorim e sipër, dhe futet në ingranazhet e përditshme të të gjitha praktikave jetësore –siç ndodhi me shqipen totalitare– komuniteti vetë, duke funksionuar, përjetëson ideologjinë mbarsur në- e me gjuhë, dhe vetë regjimin. Në çdo epokë, ajo që ne jemi e që mendojmë se jemi krijohet nëpërmjet praktikave shoqërore ideologjike të cilave u nënshtrohemi tërë jetën. Të tilla praktika ideologjike gjenerohen e propagohen për ne nga institucione si familja, sistemi i edukimit shkollor, mediat, letërsia dhe artet etj, ato që Louis Althusser i konsideron “Aparatet ideologjike te shtetit”[iv], duke dëshmuar kështu një zhvillim themelor në konceptin marksist të Aparatit të Shtetit (të dhunshëm)[v]. Në “Punishtet e shqipes totalitare”, Vehbiu analizon dy prej këtyre institucioneve që shërbyen si shtylla të regjimit dhe si modeluese e aktivizuese të shqipes totalitare: shkollat (me tekstet dhe mësuesit) dhe mediat. Modelues, pra prodhues të shabllonit që u shfaqej “fakirëve” intelektualë mbështetës të regjimit, dhe më pas gjithë njerëzisë, si e re dhe e panjohur. Për më tepër, aksioni i këtyre gjeneratorëve ideologjikë ishte jo veç modelues, por edhe, siç thotë Vehbiu, “normalizues”, pra që shndërrohej gradualisht në shprehje dominante, dhe më pas banale deri në padukshmëri. Në këtë pikë ideologjia dhe praktika shoqërore ose veprimi shoqëror vijnë e bëhen një[vi].

Të gjithë këtë proces kompleks ideologjizimi, regjimi totalitar, i majtë apo i djathtë, e realizon nëpërmjet kontrollit të gjuhës. Procesi i ideologjizimit të forcuar pjell gjuhën totalitare ashtu siç pjell edhe vetveten nëpërmjet saj. Duke kontrolluar gjuhën, kontrollon një shoqëri më mirë sesa nëpërmjet burgjeve apo ushtrisë, kontrollon trurin, shpirtin, veprimin dhe imagjinatën e grupit (dhe me pak më shumë vështirësi, atë të individit), sido që në Shqipëri përdorimi i Aparatit të Shtetit (në kuptimin marksist) ishte po aq aktiv sa edhe ai i Aparateve Ideologjike të Shtetit (sipas Althusser-it). Siç e thotë Vehbiu në libër, elitat totalitare të interesuara për kontrollin e gjuhës, synojnë kontrollin e saj– në kuptimin e formulave, shprehive, karakterit leksikor e gramatikor që përcjell ideologjitë që kontrollojnë folësit (E.D.)– pa e vrarë fort mendjen se çfarë i sjell ky proces gjuhës vetë, pra bëjnë ç’mundin të kontrollojnë gjuhën, pa “ndonjë fushatë për varfërim të qëllimshëm të mendimit e të gjuhës” (f. 29). Kjo “paqëllimësi” është një tjetër veçori që e bën komunikimin gjuhësor në regjime totalitare, ti ngjajë shumë më tepër propagandës sociologjike të Ellul-it që përmenda më sipër.

Pa dyshim që është gjuha mjeti që formëson si propagandën sociologjike, ashtu edhe atë politike. Gjuha është shpirti, mishi dhe sfondi i kësaj propagande, që bëhet pastaj mënyrë ekzistence. Nuk harrojmë dot festat e 1 Majit, parrullat që na mbinin në plazh, bulevard, qendër fashati apo repart ushtarak, në kohë feste apo jo, fjalimet programatike, mënyra si fliste mësuesi, spikeri i lajmeve, sekretari i partisë apo drejtori, komisari nëpër filma, kryetari i frontit apo i lagjes, çunaku apo rinorja që bënte kërkesë të hynte në parti për karrierë, olimpiadat, festivalet, dekadat e Majeve, konferencat, kongreset e sidomos Zëri i Popullit! Nuk ndalej lumi verbal i propagandës.  Dhe vlera kryesore e “Shqipes totalitare” është që depërton në atë pjesë të përdorimit gjuhësor që prek jo veç koren, efekt i propagandës politike të parrullave, por zemrën e kulturës së komunitetit folës (kulturë në kuptimin e “kuptimeve të prodhuara, transformuara e të bashkë-ndara shoqërisht, e më pas po kështu të transmetuara) duke e bërë atë rob të totalitarizmit.

Çfarë u sjell Vehbiu shqiptarëve me “Shqipen totalitare”?

1. Vehbiu, me logjikë e precizion të admirueshëm, çvidhos dhe i shtron për lexuesin pastër, siç vendosnim dikur pjesët e pushkës mbi tryezën e orës së ushtarakes, këtë makinë stërmadhe e komplekse socio-gjuhësore të regjimit dhe shoqërisë sonë, duke lidhur operacionin ideologjik, kulturor e politik, me atë teknikisht gjuhësor. I bën kështu shoqërisë së kohës një eko të hollësishme të shprehjes, që rezulton jo veç në inventarizimin e mjeteve gjuhësore të përdorura, por edhe në analizën e procesit të plotë se si ndodh “drunjëzimi”(/”mumifikimi”/”sterilizimi”) i një gjuhe teksa përdoret, si lidhet ky me prodhimin e një kuptimi të caktuar të botës, vetes e tjetrit, dhe sidomos si ky botëkuptim nga ana e vet realizon riprodhimin e sundimit të regjimit totalitar. Ndryshe nga shumë shkencëtarë që, kur futen në kullën e shkencës, shohin veç aq sa u lejon xhami i mbyllur rrethor i teleskopit të degës së vet, AV lidh format e tjera jashtëgjuhësore të veprimit të regjimit, me ato gjuhësore. Analiza çon shpesh në dukuri jashtëgjuhësore të socializmit të lidhura me suksesin dhe efektet gjuhësore: përndjekje grupesh masive të popullsisë, burgosje, varfëri e mungesa në treg, frika nga tjetri kushdo qoftë ai, si dhe në një analizë të rrethanave historike dhe lidhjeve të Shqipërisë me botën, si dhe ndikimin e tyre në ideologjizimin e mënyrës së të jetuarit shqiptar nën Enverin. Vehbiu, duke u përqendruar në totalitarizimin ideologjik e praktik të shqipes, evidenton faktin se ai mund të funksiononte e të ishte aq i suksesshëm veç paralel me një shtrëngim total të shoqërisë me mjete dhune fizike të drejtpërdrejtë[vii]. Pikërisht kësaj ndërthurjeje gjithëherë të pranishme të dhunës fizike e mendore të sistemit dhe lidhjes mes tyre, u referohet Vehbiu e i quan figurativisht “militarizim” apo “fortifikim” të gjuhës.

Kjo përqasje shumëplanëshe dhe tërësore e faktorëve që së bashku krijuan një plagë shoqërore me shumë vatra dhe masive të epokës 50-vjeçare, është lidhësja kryesore e eseve të librit. Ndërkohë, pena e studiuesit ntrrash pa ekuivoke elementet e një flame specifike, asaj të ligjërimit publik totalitar. Vështrimi shumëplanësh i secilës dukuri të studiuar, i jep analizës së Vehbiut një natyrë shpjeguese, e jo veç përshkruese. Është tamam kjo lloj pranie e rregullt dhe sistematike– sa edhe e detyruar– e mjeteve dhe strategjive totalitarizuese të shqipes në të gjitha këto rrafshe, ajo që i bën përdorimet sporadike të të njëjtave mjete gramatikore e tekstuale në regjime jototalitare, të ndryshme në metodë e në pasoja. Shfaqja sistematike e anomalive të analizuara, pa askurrë një prani alternative, si dhe shumëllojshmëria e tyre– e evidencuar në shembujt e pasur që sillen për secilën shfaqje të tillë– i bën këto mjete në regjimet totalitare t’i afrohen një prodhimi monstruoz, pa konkurrencë në botën jototalitare. Në socializëm, ashtu si propaganda që përçonin, këto mjete ishin totale dhe mbysnin gjithçka që guxonte të rezistonte qoftë edhe duke heshtur apo duke u tërhequr në “hije”. Libri i Vehbiut u shfaq shqiptarëve një pamje që, sido që në pozitat e përdoruesit të gjuhës totalitare si dhe të viktimës a pësuesit të saj e patën mbajtur në kurriz dhe përjetuar si gjuhë dhe kulturë totalitare, ata shpesh nuk e shihnin dhe as e kuptonin. Ky libër shpjegon ç’ndodhte.

Pas-socializmi në Shqipëri është karakterizuar nga një eksplozion sharjesh e përqeshjesh të erës socialiste dhe krerëve të asaj kohe, nga shumë segmente aktive të sferës publike, dikur mbështetëse apo kundërshtare të atij regjimi. Ky libër propozon një rrugë që aq shumë i duhet Shqipërisë, Ballkanit dhe botës ish-komuniste në përgjithësi – një distancim nga e kaluara nëpërmjet analizës nga afër të saj, duke e ripërtypur ditë-natën tonë të përditshme socialiste nga brenda, si atëherë kur ishim pjesë e saj, e jo si të palidhur ose si mbi të. Ai, duke shpjeguar, i fton shqiptarët të bëjnë llogaritë me veten e të meditojnë kolektivisht të shkuarën dhe vendin e secilit në të, si e vetmja mënyrë që avancon shoqërinë si e tërë, drejt një mendësie jototalitare, një alternativë kjo që, sipas meje, lë mbrapa kulturalisht qasje të tjera si ligjin mbi lustracionin, ndëshkime, burgosje apo dehumanizime të individëve “të përlyer”, edhe pse  nuk i zëvendëson dot krejt ato. Një qasje e tillë pa mllef e joemocionale por kritike dhe sfiduese në thelb e në sipërfaqe, rigoroze në analizën e fakteve gjuhësore dhe strukturave të thella të prodhimit gjuhësor shoqëror, si ftesë për vetë-analizë individuale e kolektive, është progresiste dhe nuk u vlen veç popujve që bartin plagë të totalitarizmit komunist në kulturën e vet, por edhe atyre demokratike që kanë dëshmuar për shumë dhjetëvjeçarë obsesione të tipit nacionalist dhe etno-racist. Këto të fundit bazohen në të njëjtat truke e manipulime propagandistike të gjuhës, dhe do ishin tejet të dobishme në Ballkan, e sidomos në vendet ish-jugosllave duke nisur me Serbinë. Po ashtu shumë të ngjashme janë edhe përçudnimet e mendjes dhe kulturës kolektive në të gjitha këto procese që pjellin botëkuptime të caktuara nëpërmjet dhunës, sidomos dhunës gjuhësore që shfaqet rëndom sot me maskën e lirisë së fjalës. Do uroja që intelektualë të guximshëm e të përgjegjshëm kudo në Ballkane, të kryenin të njëjtën lloj analize që fton për të ndryshuar me deliberim individual e kolektiv, si kjo që Vehbiu u dhuron shqiptarëve.

“Distancimi nga e kaluara socialiste” që ne themi se po kryejmë këta 20 vjet, ka qenë retorikisht karakteristika më e pranishme stereotipike e tranzicionit tashmë 20-vjeçar, që duket të jetë një tranzicion për s’di se ku e s’di se sa. Fatkeqësisht ky distancim ka qenë formal, sporadik, i shtyrë nga interesa për pushtet e para, i detyruar nga jashtë ose i shtirur, ose i orientuar për të fituar vota. Instanca të distancimit nga brenda shoqërisë të tipit që sjellin internalizimin e një distancimi të thellë, të sinqertë dhe real, kanë qenë vetëm përçapje individuale e të pakëta. Ato kanë ardhur kryesisht nga individë që e kanë vuajtur deri afër vdekjes regjimin, dhe pastaj rrëfyer në formë tregimi autobiografik (psh, At Zef Pllumi ose F. Lubonja), ose në formë të letërsisë artistike (psh, I. Kadare, B. Shehu apo P. Kulla). Vehbiu prej vjetësh e përgjatë zhanreve të ndryshme, sjell një mënyrë të re, pa pozë dhe pa qëllim përfitues, një letërsi alternative e të thelluar për ta bërë “prej vërteti” këtë distancim, i vetmi distancim që jep liri. Në këtë libër distancimi është një ftesë për analizë të gjuhës dhe ligjërimit.

(c) 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[i] Jacques Ellul. 1962 (1973). “Propaganda: formimi i të sjellit të njeriut” (ose “Propaganda: formimi i qëndrimeve të njeriut”). Në angl. “Propaganda: The Formation of Men’s Attitudes”

[ii] Kjo nuk do të thotë se propaganda në socializëm përdor gjuhë e ide të respektueshme; jo, janë në fakt qesharake me sytë e sotëm e ndoshta edhe për disa dje. Gjithsesi, fakti që drunjësia dhe shterpësia e saj riprodhoheshin totalisht duke përfshirë edhe letërsinë artistike, muzikën etj., flet për efikasitetin e saj.

[iii] Ky përngjasim është më i madh sesa ai me propagandën horizontale të tipit kinez, që, në Shqipëri, mendoj nuk ishte themelor ndoshta për arsye të kulturës e karshillëkut tribal.

[iv] The concept of “Ideological State Apparatuses” në: Lenin and Philosophy and Other Essays in Monthly Review Press in 1971.

[v] Angl.: “Repressive state apparatus”

[vi] Për më shumë mbi procesin e shfaqjes së formacioneve diskursive ideologjike që dominojnë një shoqëri (Engl.: Dominant IDF), sikur të ishin gjendja e pamarkuar ose krejt të natyrshme e gjërave, sikur të ishin e të përhershme, shih edhe Norman Fairclough tek “Analiza kritike e diskursit”).

[vii] Hannah Arendt e diskuton këtë lidhje problematike në shumë prej eseve të veta.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin