NDOTJE NGA ZHURMAT

BelushiKam vënë re një obsesionim të shtypit të Tiranës kohët e fundit me çështje që pak a shumë i referohen kombëtarizmit, çka më duket sa artificiale aq edhe shqetësuese.

Disa prej këtyre çështjeve i kam prekur edhe në blog – p.sh. reagimin ndaj trajtimit që i bëhej historisë së shqiptarëve në artikujt e Enciklopedisë Maqedonase; e përsëris, reagimin, jo problemin në vetvete, i cili qëndronte.

Vallë e meritonte enciklopedia e Bllazhe Ristevskit të zinte kryetitujt e gazetave të Tiranës për ditë, në mos me javë të tëra?

Ndërkohë, irritimi ose zemërata atdhetare zgjatin aq sa incidenteve përkatëse t’u vijë radha për t’u zëvendësuar nga të reja. Kështu, çështjen e Enciklopedisë Maqedonase tani e ka zënë diskutimi për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë.

Si gjithnjë, Gazeta Shqiptare e ka udhëhequr fushatën, por edhe media të tjera nuk kanë mbetur mbrapa, me prurje të bollshme hartash dhe shigjetash, duke përfshirë edhe shkëmbin strategjik Barketa.

Unë ende nuk e kam kuptuar dot se në çfarë konsiston pikërisht gabimi (ose tradhtia) në këtë marrëveshje; për këtë, besoj, e kanë fajin gazetarët që nuk e sqarojnë problemin në mënyrë të kuptueshme, por mjaftohen të citojnë pjesë nga materiali sa kriptik, aq edhe teknik, i një ushtaraku të liruar, kolonel Myslym Pashajt.

Ndërkohë, historianët janë shndërruar në ekspertët më të kërkuar, në të gjitha mediat; çka tingëllon bizarre, për një vend që mbetet ndër më të varfrit në Europë, dhe gjithsesi në bisht të reformave dhe të emancipimit shoqëror dhe ekonomik.

Njëri nga këta historianë e krahasoi marrëveshjen e ujërave detare me vendimin e dikurshëm të Zogut për t’ua dhënë jugosllavëve Shën Naumin; çka tingëllon përsëri bizarre, po të kihet parasysh se vetëm ashtu mundi Shën Naumi t’i mbijetojë histerisë antifetare në Shqipërinë totalitare; dhe se po të ishte treguar “patriotik” Zogu atëherë, ndoshta sot do të admironim ndonjë bunker artilerie në Shën Naum, në vend të kishës dhe manastireve me vlerë historike dhe artistike.

Kryeministri Berisha, nga ana e vet, nuk është nga ata që i druhet kartës kombëtariste, përkundrazi. E pashë të thoshte që marrëveshja detare me Greqinë nuk i jepte asnjë metër katror vendit fqinjë; në një kohë që i gëzohej, triumfator, vizitës që bëri në Kosovë, ku pati rast të kridhej në gjithfarë hamamesh patriotike dhe të mbështillej me flamurin kuqezi. Go figure, do të thoshte amerikani.

Shtypi i afërt me PD-në edhe rrugën Durrës-Morinë e ka pompuar si rrugën “e kombit”, që do të bashkojë shqiptarët e do të realizojë ëndrrën e të parëve; ndonjëherë edhe për të kundërpeshuar akuzat që i janë bërë qeverisë për korrupsion të hatashëm me përdorimin e fondeve publike për atë rrugë.

Si edhe herë të tjera, aspekti thjesht kombëtarist ose simbolik i një vepre publike madhore mjaftoi për t’i vënë poshtë aspektet e tjera, duke përfshirë edhe interesat e taksapaguesve.

Natyrisht, pafajësia e gjithë kësaj atdhedashurie vjen e tretet në ujë, sapo politikanët vijnë e i diskutojnë kontradiktat mes tyre në terma kombëtariste, duke i paraqitur divergjencat ose mosmarrëveshjet si të ishin forma të tradhtisë kombëtare.

Kështu, ndërsa e djathta e ka akuzuar të majtën se nuk e ka dashur ndërtimin e rrugës patriotike ose aortës së kombit, tani është e majta që e akuzon të djathtën se ia ka “shitur” hapësirat ujore Greqisë. Një debat politik në terma të tillë nuk ka gjë të përbashkët me pluralizmin; sa kohë që palët sillen me njëra-tjetrën si të kishin përballë shkjaun – pa çka se edhe më budallenjtë e kanë kuptuar, tashmë, se është fjala për teatër të keq aktorësh të dështuar.

Gjithsesi, e meqë ra fjala për pluralizëm, më tërhoqi vëmendjen edhe gjesti i dy deputetëve me origjinë çame në parlamentin shqiptar, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri të cilët për arsye si të thuash gjeopolitike krijuan një parti të tyre (PDU), e cila synon të mbrojë interesat e çamëve në parlamentin shqiptar. Në një artikull të para pak ditëve, Agim Isaku shprehte shqetësimin për një dukuri të tillë të pazakonshme, e cila shpreh një prirje për ta shndërruar pluralizmin politik – tashmë luks i tepërt për elitat politike shqiptare të lyera nga koka në këmbë me makijazh kombëtarist – në pluralizëm gjeografik.

Ashtu edhe do të vijë dita, ndoshta, kur parlamenti në Tiranë të përfaqësojë krahinat, jo shtresat shoqërore dhe grupet e interesave. Në një atmosferë të helmatisur nga akuzat dhe kundër-akuzat për tradhti kombëtare, vetëm interesat lokale mund ta legjitimojnë një princip pluralist përndryshe tollumbace të shpuar.

Në një nivel më “rozë”, diskursi kombëtarist i medias vijon të artikulohet në gjithfarë lajmesh që, përsëri, kanë të bëjnë më shumë me shqiptarinë, sesa me shoqërinë shqiptare dhe qytetarinë.

Kështu lexojmë se aktori James Belushi merr shtetësinë shqiptare, duke kapur përsëri kryetitujt; ndërsa zëdhënësi i ambasadës amerikane në Tiranë, Bix Aliu, është shqiptari i parë që punon në Departamentin amerikan të Shtetit; se Berisha po punon që të kthejë në Shqipëri eshtrat e Mbretit Zog dhe të Nënë Terezës; Fahri Balliu e botoi romanin e vet të fundit në frëngjisht; se sopranoja Ermonela Jaho ka korrur suksese në skenën e operas pariziane; se Kadareja ynë përsëri nuk e mori Nobelin… e kështu me radhë; një karvan pa fund gamilesh kombëtariste, të cilat kanë më shumë efekt hipnotizues, sesa informues.

Këtu nuk dua të diskutoj nëse lajme të tilla, marrë veç e veç, ia vlejnë apo jo të dalin në plan të parë; por vetëm të vë në dukje se, në vijueshmëri dhe të para në kontekstin që ia krijojnë njëri-tjetrit, ato i hedhin themelet që pastaj t’i referohen një vetëdijeje qytetare të rreme, e cila nuk ka shumë të bëjë me jetën e përditshme të publikut të atyre mediave… të paktën tani për tani.

A bëhet kjo orvatje qëllimisht, apo është efekt anësor i pashmangshëm i dëshirës së mediave për t’i lypur vëmendje publikut? Kësaj pyetjeje nuk i përgjigjem dot; por pasojat dukurisë ia shoh qartë, veçanërisht në mënyrën si reagojnë lexuesit e gazetave në Internet, në mesazhet që lënë në hapësirat e komenteve.

Pse e quaj të rreme vetëdijen e kultivuar prej këtij interesi obsesiv të mediave në çështje kombëtariste? Për shumë arsye, mes të cilave edhe mënjanimi që këto çështje ia bëjnë sociales, ose shqetësimit të përditshëm të qytetarëve, në përpjekje me institucionet e ngathëta dhe të korruptuara, partitokracinë, mjedisin e rrënuar nga ndotjet gjithfarësh dhe në përgjithësi paaftësinë e autoriteteve për t’u dalë zot punëve.

Por një vetëdije e tillë është e rreme jo vetëm ngaqë zhvendos dhe mënjanon; por edhe sepse, në vetvete, çështja kombëtare nuk mjafton për të kompensuar çështjen sociale; dhe se bashkimi, flamuri, rrugët dhe tunelet, dëshmorët, eshtrat dhe historitë e rishkruara nuk mjaftojnë, sa kohë që marrëdhëniet e publikut me institucionet kanë mbetur në nivelin primitiv të forcës, të korrupsionit dhe të nënshtrimit.

Për fat të keq, këmbëngulja me këtë farë imponimi të lajmit krijon, me kalimin e kohës, idenë madje bindjen se diskursi kombëtarist është i vetmi që e meriton kryet e vendit në informacionin publik dhe në mënyrën si qytetarët kuvendojnë mes tyre dhe me institucionet. Në të vërtetë, sa kohë që kriteri kombëtarist nuk pranon alternativa, rrezikon të imponohet si një lloj totalitarizmi i ri, ose një vegël e trashë dhe brutale për ta mbytur pluralizmin dhe diversitetin, në emër të interesit “kombëtar”.

Asgjë të re nuk ka në këtë rrëmbushje, shpesh të shtirur, për t’iu përkushtuar interesit “të përgjithshëm”, mundësisht me vetëmohim prej heroi. Kush e ka jetuar totalitarizmin, do ta mbajë mend se i njëjti argument sillej edhe atëherë – vetëm se vendin kombëtares, sipas rastit, ia zinte internacionalizmi proletar, revolucioni, ndërtimi i socializmit, nevoja për ta mbajtur fenerin të ndezur. Brezin e ri nuk e vë me faj që ndonjëherë u beson këtyre profkave; por xhaketave të vjetra kjo nuk mund t’u falet.

46 Komente

  1. Xha xhai thote:
    “Njëri nga këta historianë e krahasoi marrëveshjen e ujërave detare me vendimin e dikurshëm të Zogut për t’ua dhënë jugosllavëve Shën Naumin; çka tingëllon përsëri bizarre, po të kihet parasysh se vetëm ashtu mundi Shën Naumi t’i mbijetojë histerisë antifetare në Shqipërinë totalitare; dhe se po të ishte treguar “patriotik” Zogu atëherë, ndoshta sot do të admironim ndonjë bunker artilerie në Shën Naum, në vend të kishës dhe manastireve me vlerë historike dhe artistike”.
    Sepse kam besim ne gjykimin racional dhe trajtimin objektiv te Autorit, sugjeroj qe ai ta sqaroje me tej kete paragraf, por duke mos shkrire ne nje rrafshet kohore dhe faktoret apo kriteret vleresuese ne kontekste te ndryshme historike. Historia s’mund te behet me hamendje apo me sikure… Fakti eshte ai qe eshte. Le te gjykojme per te, ne kohen kur ndodh dhe jo te justifikojme apo keqvleresojme, duke hamendesuar se c’do te ndodhte sikur…
    Pra, argumentimi thjesht me interesat e sundimit personal te Zogut nuk eshte i mjaftueshem per te vleresuar ne prizmin e demit (apo te mires, xhanem!) ndaj shtetit shqiptar ate moment te veprimit te tij si kryetar shteti? Mund te shpjegohet me tej, cila ishte e mira/demi ne kete rast? Veçse te mos abuzohet me c’do te vinte me pas, se as vete Zogu nuk e dinte.

    1. Unë nuk jam historian, as përpiqem të jap vlerësimin tim si historian për gjestin e Zogut.
      Këndvështrimi im është tjetër – simbolik. Historia aq e përfolur e Shën Naumit më shërbeu për të vënë në dukje se ne duam ta “kemi” tokën, sikurse duam ta “kemi” pronën, sheshin, parkun, qytetin; edhe pse shpesh nuk bëjmë pothuajse asgjë për ta bërë “tonën”, në kuptimin filozofik (për ta përvetësuar). Kjo është edhe një nga dobësitë themelore të kombëtarizmit tonë, së paku në format e veta naive; meqë marrëdhënien e “pronësisë” të subjektit sovran me territorin e trajton ndarazi nga çfarë bëhet për ta zhvilluar ose kultivuar këtë territor, ose për ta humanizuar dhe përfshirë në eksperiencën e subjektit sovran. Shën Naumi u përket dyfish dy sovraniteteve – atij kombëtar, që ka të bëjë me truallin ku ngrihet, dhe atij fetar, që ka të bëjë me historinë e atij vendi kulti për banorët ortodoksë të zonës (kryesisht sllavë). Unë refuzoj të besoj se i pari ka (pasur) përparësi ndaj të dytit. Megjithatë, DDH, besoj se biem dakord që kjo nuk ka fare të bëjë me temën e këtij shkrimi.

  2. “Për fat të keq, këmbëngulja me këtë farë imponimi të lajmit krijon, me kalimin e kohës, idenë madje bindjen se diskursi kombëtarist është i vetmi që e meriton kryet e vendit në informacionin publik dhe në mënyrën si qytetarët kuvendojnë mes tyre dhe me institucionet. Në të vërtetë, sa kohë që kriteri kombëtarist nuk pranon alternativa, rrezikon të imponohet si një lloj totalitarizmi i ri, ose një vegël e trashë dhe brutale për ta mbytur pluralizmin dhe diversitetin, në emër të interesit “kombëtar”.

    Se pari urime per temen e kapur ne kete shkrim. Fragmentin e mesiperm e kam shkeputur, pasi mendoj te bej nje verejtje, pse mendoj se ajo ka anashkaluar nje element te rendesishem. Eshte e vertete se ky ritual, i nisur padyshim nga G. Shqiptare, per arsye qe tashme i dine te gjithe dhe i vijuar per hallin e opozites socialiste, nje parti qe ka aftesine e te transformuarit ne nje grumbull delenxhinjsh te paide, po bombardon prej ditesh veshin e qytetarit. Madje prej muajsh, madje qe perpara zgjedhjeve. Rezultati i objektivit politik = 0. “Tradhetaret” fituan edhe aty ku akuzohen se shiten Atdheun. E vendos kete paranteze, pasi diskursi kombetarist eshte vetem nje teh politik i cili nuk shpon me askend ne Shqiperi dhe arrin te mbahet me te njejta tema kaq gjate ne kryetituj, pikerisht sepse rreth tij ne OPINIONIN PUBLIK NUK KA DEBAT, por vetem kuriozitet spontan.
    Per ta thene me thjesht – meqenese ju ndjek dhe shoh se e keni nje prej linjave tuaja, asgjesimin e ketij ligjerimi te pagdhendur – Teza Kombetariste ne Shqiperi nuk ekziston ne te vertete, sepse perndryshe nuk do te ishte kaq e nevojshme perdorimi bajat i medies. Do te mjaftonte nje e dhene qe nervi nacionalist te pervelonte me protesten me te madhe imazhin e qeverise. Por sic edhe ju shikoni, harta e ujerave, e impostuar nje dite para protestes se opozites nuk dha asnje efekt. Une do e quaja me shume… Mungese Fantazie ne Politike.

  3. Në një nivel më “rozë”, diskursi kombëtarist i medias vijon të artikulohet në gjithfarë lajmesh që, përsëri, kanë të bëjnë më shumë me shqiptarinë, sesa me shoqërinë shqiptare dhe qytetarinë…
    “Berisha po punon që të kthejë në Shqipëri eshtrat e Mbretit Zog…”

    Ketu mendoj, z. Autor, se kemi te bejme me llogari pushteti dhe jo me nje teze kombetariste. Nuk mund te jete diskurs kombetarist ligjerimi politik apo mediatik, qe lidhet me Ahmed Zogun, sepse kemi te bejme me nje figure qe edhe pse eshte rivleresuar, nuk i bashkon shqiptaret nen nacionalizem, por ua thekson ndarjen politike. Madje ai nuk ben pjese as ne ate qe ju citoni si Pluralizem Gjeografik, sepse eshte nje figure shume here me e gjere sesa ndjeshmerite e nje zone elektorale sot.
    Sjellja e eshtrave te Zogut ne Shqiperi u be me dije nga Berisha, dy dite pas vizites ne Kosove, ku – ju i quani hamhame kombetariste – u prit si hero kombetar. Nuk mungoi ne kete vizite edhe nje “provokim” i vogel qe solli ne skene ministrin e Jashtem rus me nje deklarate te posacme. Por me interesantja eshte ajo cfare vete Kryeministri deklaroi:

    “Madhëria e tij Zogu I, me përpjekje të mëdha, krijoi fillimisht Republikën e më pas, Mbretërinë… Gjatë gjithë Luftës së II Botërore, nga Londra ku ishin të mërguar të gjitha oborret e pushtuara nga fuqitë e boshtit, ai mbështeti fuqishëm lëvizjen çlirimtare të kombit shqiptar, u përfaqësua në këtë luftë nga tribunë popullorë si Abaz Kupi dhe luftëtarë të tjerë të mëdhenj të lirisë. Në mënyrën më antishqiptare, Kongresi i Përmetit, aleatin e aleatëve në Luftën II Botërore, Mbretin Zog, e ndaloi të rikthehej në Shqipëri dhe nisi një sagë të pafundme shpifjesh, trillimesh, falsifikimesh ndaj tij”.

    Nuk eshte e veshtire te kuptohet se ku godet kjo deklarate e Berishes (ne 1994 ky njeri e deboi Leka Zogun nga Shqiperia, pikerisht mbi tagrin qe i jepte vendimi i pashfuqizuar i Kongresit – tani Antishqiptar), i cili me nje synim te paster provokativ merr persiper te stabilizoje norma historike per figura apo ngjarje, qartesia historike e te cilave do ende pune te realizohet. Per me shume qe provokimi politik eshte evident. Ketu dua te nenvizoj nje element tjeter qe per mua ka rendesi (ndoshta mund te jete zakon i kosovareve pergjithesimi) pse flet per nje qasje politik te qellimte, e cila mbahet ende ne sirtar. Ja se cfare shkruan siti zyrtar i Presidences kosovare lidhur me viziten e Leka Zogut ne daten 13.04.2009.

    “Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka pritur sot në një takim Naltmadhninë e tij, Mbretin Leka Zogu I dhe delegacionin e lartë që e shoqëron atë gjatë vizitës në vendin tonë…”. Naltmadheni !

    Eshte e kote te shtoj reagimet e perpunuara te analisteve ruse prane Moskes zyrtare lidhur me kete zhvillim te lene ne heshtje nga sallata mediatike “kombetariste” e Tiranes.

    Ajo qe une shoh ne kete perpjekje qe ju e formuloni si kombetariste, eshte nje tentative per te ndertuar nje regjister politik te se Djathtes qe rreket te ngrihet mbi fondin historik te mohuar per 50 – vjet. Shtepia botuese “55” me botimet e veta (padyshim cilesore dhe te nevojshme, por gjithesesi me target te qarte), Kadare me angazhimin e vet publik dhe se fundmi PD me Berishen dhe Jozefina Topallin, e cila ka afishuar nje imazh te qarte per sa i perket kesaj ceshtjeje, flasin per nje prirje gati ideologjizuese te asaj qe njihet sot si e Djathte. -Naltmadhenia- ne Kosove flet per legjitimitetin historik te Zogut ne kete shtet dhe nderyrja e Berishes (ne mes te veres Kryeministri yne lajmeroi projektin e Bashkimit) nuk ka gjase te jete vetem nje shashke kuturu. Mendoj, per ta mbyllur, se me kete pasurim te CV te se Djathtes (kemi edhe dokumentet e Integrimit dhe firmen ne NATO), perkundrejt eres perveluese te Diktatures qe identifikohet ne Trashegimi me PS, por edhe Jugun e Shqiperise, qitja e Berishes behet shume e qarte; Pushteti, i cili po tentohet te ngrihet mbi bazen e raportit te forcave qe po llogarit sidomos demografine tejshteterore te shqiptareve.

    PS: Me fal se e zgjata.

    1. Korrigjim i vogël: flisja për hamame, jo hamhame (në harmoni me metaforën e kredhjes).

        1. Nuk ka problem, Theollogos. Zakonisht nuk do të merresha kurrë me çikërrima të tilla, por disa eksperienca të hidhura që kam pasur në Internet, më kanë bërë me hije.

          Kështu nuk do të ishte çudi sikur nesër, ndonjë i ngeshëm të lexonte ham-hamet dhe të më kthehej i indinjuar: pse, si qen të duken ty vëllezërit kosovarë? Dhe kështu me radhë… derisa t’i vinte radha atij tjetrit, për të më pyetur se sa më paguajnë grekët ose serbët.

          Më në fund, do të stabilizohej opinioni – folkloristik – se Xh2 i paska quajtur kosovarët qen. Nuk po e teproj… në realitet më ka ndodhur edhe më keq se kaq. Po të kërkosh online, do të gjesh njerëz që nuk kanë përtuar të shkruajnë artikuj pompozë, duke u mbështetur në ndërhyrje të miat çfarëdo në forume kolektive.

          Të tjerë kanë shkuar dhe kanë marrë një pjesë ku unë përshkruaja thelbin e doktrinës vorio-epirote në ligjëratë gjysmë të zhdrejtë, për ta cituar sikur ishte qëndrimi im.

          E kuptoj që dashakeqësia mund të luftohet vetëm duke e shpërfillur; sepse paranoja t’i helmon mendimet dhe të egërson. Mirëpo kur mundem të gënjej veten, se po ndërmarr ndonjë masë parandaluese (pre-emptive) ndaj këtyre viruseve të komunikimit, nuk ngurroj.

          1. Xha Xha, pyetja më e bukur që mund të bënin, do të ishte kjo: “Në cilën borderò e hedh firmën ti more i shitur?”. Më tej, pas shfryrjes histerike, mund të përfundonin me “proverbin”: Qentë le të lehin, karvani ecën përpara. Veçse harrojnë se kjo thënie e fundit – tek e fundit – mund të përdoret fare mirë edhe prej nesh.

  4. Teza Kombetariste ekziston por ajo po luhet per te arritur qellime te tjera…
    Nuk ndreqen themelet duke lyer oborrin e nderteses!

  5. E kuptoj qellimin e artikullit, por nese nuk jeni historian, atehere ju lutem mos beni vleresime te rendesise se ketyre ceshtejve per kombesine shqiptare. Edhe nuk e kuptoj pse historia qenka luks dhe jo prioritet i duhur i te varferve. Nuk eshte e mundur te kuptosh te tashmen pa historine; ne asnje aspekt te jetes nuk eshte e mundur.

    1. Lolers, vërejtja jote se “nuk jam historian” më bën të pyes veten (dhe natyrisht ty) se çfarë duhet të jesh, vallë, për t’u kujtuar të tjerëve se vetëm historianët mund të japin “vlerësime të rëndësisë së këtyre çështjeve për kombësinë shqiptare.”

  6. E kuptoj qellimin e artikullit, por nese nuk jeni historian, atehere ju lutem mos beni vleresime te rendesise se ketyre ceshtejve per kombesine shqiptare.

    Me duket kriter absurd qe historiani, dhe vetem ai, ka te drejte absolute te vleresoje e interpretoje te kaluaren, dhe se vecanerisht u takon historianeve ta vene te kaluaren ne sherbim te kombit. Sikur te mos mjaftonin shembujt e pafund ku keta historiane kane qene te paafte te bejne vleresime objektive, me duhet te te kujtoj se per sa kohe historia perdoret si Histori, ose si mjet legjitimues i politikaneve, vleresime si ky me lart i Xha Xhait jane te domosdoshme, por fatkeqesisht aspak te mjaftueshme per te kundershtuar zhurmen manipuluese. E kaluara dhe interpretimi i ndodhive kyce si Histori nuk mund te sherbeje si kallep parafabrikat per kombesine shqiptare dhe identitetin. Dhe historianet, si te tille, jane te fundit ne listen e atyre qe duhet te bejne vlersime shabllon per “vlera” e “rendesi”. Po te kishe kuptuar gje, do te kerkoje edhe ti qe historianet te rrinin sa me larg ketyre skemave, kjo ne formen deshirore, pasi historianet gjithmone pritet te kene nje subjektivitet te tyre por jo kaq agresiv sa po shohim kohet e fundit.

    Edhe nuk e kuptoj pse historia qenka luks dhe jo prioritet i duhur i te varferve.

    Doemos historia eshte arme e fuqishme per cdo shtrese sociale, po ndoqem traditen marksiste; por kur kjo perdoret si mirazh per te vetekenaqur e argetuar popullin me c’eshtje si ‘e lagu apo s’e lagu greku bishtin’ dije qe nje shtrese po shtyp nje tjeter duke ia larguar vemendjen nga presione sociale qe jo rralle here kane rrenje historike (lexo: false consciousness). Pastaj, po flasim per te drejten e te varferve te (mire)edukohen per historine ne banka shkollash, apo per mundesine e te varferve te japin kontributin e tyre ne histori-berjen e kombit? Nese ke parasysh te paren, do te cuditesha se si dhe ku e nxorre kete konkluzion. Nese ke parasysh alternativen po ashtu po me habit pasi sapo hodhe idene qe parimisht ky rol eshte i historianeve. Ideja se historia eshte prioritet dhe i te varferve eshte me vend, por duhet diferencuar se c’nenkupton me histori… perralla kombetariste per iliret, apo interpretimin e ngjarjeve te 20 viteve te fundit? Gjendja sociale e shtresave te varfra do mund te permiresohej nga nje rishikim i historise se tanishme, por jo nga nje histori qe pergatitet per enciklopedi e per muzeun kombetar.

    Nuk eshte e mundur te kuptosh te tashmen pa historine; ne asnje aspekt te jetes nuk eshte e mundur.

    Dakord, por nese kemi te tashmen te korruptuar doemos qe edhe historia po korruptohet. Dhe nese historia po perdoret per te kuptuar te tashmen me duket se edhe e kunderta eshte aktivizuar: e tashmja perdoret per te kuptuar historine – dhe ketu na ngec sharra ne gozhde kur merr parasysh qendrimet manipulese per te fuqizuar narrativa te parakonfiguruara, ne sensin Foucauldian. E kaluara dhe e tashmja nuk mund te sherbejne si trampolina per njera-tjetren; ose te pakten duhet te jemi te vetedijshem per keto procese. Ketu fusha si sociologjia e antropologjia (ne pergjithesi analiza nga jashte) na sherbejne per t’i pare keto dy koncepte aspak te kapshme me nje sy me kritik. Ketu nuk perjashtoj aspak rolin e ardhshem te historianeve qe jane gati ti perkushtohen historise duke perfshire metodologji nga fusha te tjera.

  7. ””Në të vërtetë, sa kohë që kriteri kombëtarist nuk pranon alternativa, ”’

    Per cilat alternativa behet fjale, apo e perhershmja, cohu prift te ulet hoxha…
    Ska perse ti bihet borise pse rruga nuk eshte me vetem jotja … Ne fund te fundit po dilet nga fshati; keshtu edhe Shqiperia po perpiqet te beje te sajat detyrat historike, per te cilat do perkujdeset me me vemendje sa me shume do rritet GDP-ja, qofte Sala a Bala.
    Fillimi eshte i mbushur me ndrojtje e paqartesi, por ngadale perparesite do shkoqiten.

    [ju lutem mos sillni video në blog: Xh2]

  8. I njejti paragraf i cituar me lart nga une i Xha Xhait, mund te behet edhe keshtu:

    Meqe e dime se cfare bene komunistet me objektet fetare pas ’45-es, mire do qe tere Shqiperine Zogu t’ua kishte dhene jugosllaveve apo edhe nje pjese grekeve, se sot do te kishim nje inventar te paprekur te ketyre vlerave perbashkuese universale si dhe nje vetedije te pangarkuar me teza kombetariste te shqiptareve (se ata jane kokemushkat me mburravece e grindavece te Ballkanit!).

    Argumente:

    1. Kembengulja per pronesine mbi token si territor eshte pjese e Tezes kombetariste, kurse vetem qasja qytetare si kontribute te secilit ndaj saj eshte jo vetem fryma e duhur e kohes, siç e percjellin pothuaj gjithe debatuesit ketu, por i vetmi qendrim i drejte qe duhet te kishim mbajtur, te pakten qe nga Lidhja e Prizrenit e ketej, ndoshta. Ka qe thone se duhet fillimisht “ta kesh”, dmth si “toke mbi te cilen ke jetuar mijera vjet, brenda shtetit tend” (madje e quajne edhe drejte legjitime universale!) dhe pastaj te mendosh si te besh qe mbi kete “territor” (fjala “toke” ka nje ngarkese negative sot) te kete zhvillime e kontribute te secilit per ta zhvilluar “demokratikisht” etj, po nejse. Jane atavizma gjuhesore e konceptuale te “njerezve te malit”

    2. Keni shume te drejte kur arrini ne pergjithesimin se ne, shqiptaret, dime vetem te shkaterrojme, jo te ndertojme. Dmth. me ngushtesine tone proverbiale, egoizmin dhe primitivitetin tone, paaftesine per te kapur gjerat e reja dhe per te vleresuar gjenite e mundshem brenda gjenit tone, qe do te na tregonin rruget dhe perspektivat e duhura. (Sikur te kishim lindur ne, te ketij blogu, te pakten ca qindra vite me pare! Sa mire do ishte!) Kur mund ta kemi pesuar kete deformim fatal ne palcen tone gjenetike? Kush e di! Ose nuk e kemi pasur kurre. S’kane faj ata qe thone se kemi zbritur nga mali.

    3. Kot i kane akuzuar perandorite shumekombeshe si shtypese dhe mohuese te lirive te popujve te vegjel! Se ja, progresivisht, perandorite apo mbreterite, sidomos ajo e sllaveve te jugut, do te shnderroheshin ne funksione dhe te drejta, me kohe e gradualisht dhe do te kishin sot emertimin ShBB (Shtetet e Ballkanit te Bashkuar) ose dicka tjeter. Kurse kombetaristet provinciale mbeten qe mbeten ne periferi te logjikave, sot do t’i quanim globaliste, qe kane ndertuar perandorite. Asgje nuk kane kuptuar nga historia, sepse s’kane qene kurre aty ku behej historia e botes, ne kryeqendrat e saj. Ku ta mesonin? Ne maje te malit?!

    4. Keshtu me ne fund, edhe ne, shqiptaret, ne BE do te hynim me lehte e me shpejt, sepse fqinjet tane (maqedonasit dhe serbet, sidomos, epo greket patjeter, se jane ne fillese te demokracise boterore), dine te bejne shtet me mire se shqiptaret. Kane edhe ata ca budallalleqe, po duhet t’i kene pesuar nga fqinjesia e gjate me ne. Me siguri! Sa kane vuajtur, te shkretet!

    Si thoni? Ka nje risi te papare ky kendshikim. Dhe bota do rronte e lumtur dhe e gezuar!

    1. DDH, kam frikë se arsyetimi yt ngrihet mbi premisën se dhënia e Shën Naumit Jugosllavisë përbënte ndonjë farë tradhtie kombëtare ose thagme tjetër të paparë. Prandaj të sugjeroj të lexosh materialin e Mehdi Frashërit që kam cituar në shënimin e mëparshëm, për të kuptuar se, ndryshe nga ç’kemi dëgjuar prej propagandës komuniste për dekada me radhë, e vërteta ka qenë tjetër dhe, natyrisht, e mërzitshme.

  9. nuk kuptoj pse ekzistojne akoma karakterizime si ‘i majte’ per te pershkruar ndonje politikan ne shqiperi. e majta ne ahqiperi nuk ekziston. ekziston e djathta dhe e djathta ekstreme. perndyshe si mund te konsiderohet Xhufi si socialist? nacional-socialist po, por socialist puro, jo.

    lexova edhe nderhyrjet e putos ku perkrahte mendimin ‘shkencor’ te kolonel m. pashait. bukur thash, le te lexojme punimin rreptesisht shkencor te pashase. atje fillova te qesh; punimi shkencor permbante kuaj qe fluturojne, nuse qe nuserojne ne bregun e detit, dhe krijesa te tjera te cudicme te nxjerra nga piktura te daliut. jo te ndreut, te salvadorit. salva me ex ore leonis… sigurisht punimi shoqerohej nga harta te perpunuara me google earth! asnje arcmap, apo program tjeter gis. dhe punimi mbyllej me disa klithma o Zot! drejtuar redaktorit te shekullit. apo shoqerise biblike, nuk kuptova mire.

    1. Jam dakord. Ne fakt kete karakterizim, sidomos per te majten e ka formuluar ne menyre shume elegante Arshi Pipa. Por ja qe keto formacione politike, megjithe gjullurdine ideore apo kakofonine e veprimeve aderojne ne struktura nderkombetare respektivisht te se majtes dhe se djathtes. Na duhet pra konvencioni per te komunikuar dhe ne e perdorim.

  10. Kam përshtypjen që çështja kombëtariste u shpik këto vite të pas-regjimit për të mbushur disi boshllëkun e madh të krijuar nga rënia e komunizmit. Keq apo mirë, barakja jonë kishte krijuar një sistem vlerash, disa të rreme e disa të mirëqëna, që të gjitha detyrimisht të imponuara mbi qytetarët. Athedashuria ishte një nga vlerat që, po të përjashtojmë delirin e fanarit krenar në buzë të Adriatikut, them se ushqehej dhe mbahej gjallë në një masë të arsyeshme. Pretendimet mbi trojet shqiptare të mbetura jashtë kufijve përdoreshin mjeshtërisht sipas koniukturave politike të krijuara në rajon por në përgjithësi nuk ushqehej ideja e padrejtësisë historike dhe ishim të gjith të lumtur kur shihnim në orën e gjeografisë, trajtën e Nënës Shqipëri aq sa kishte mbetur por që aq shumë i ngjante një trupi gruaje të hijshmë.

    Rënia që vijoi na gjeti të gjithëve ta papërgatitur dhe të gjithë shihnim njëri tjetrin në pritje të një ideje ngushëlluese, të një vlere të re dhe sidomos të ndryshmë nga vlerat e epokës komuniste. Të gjithë dhamë kontributin tonë të shquar në këtë drejtim, duke demonizuar gjithçka që ishte ndërtuar apo dhe vetëm menduar gjatë epokës. Ky zell demonizimi që na kapi të gjithëve, kë më pak e kë më shumë, pat sigurisht një efekt liberator pasi ndjemë që nuk ishim më të detyruar të donim askënd dhe asgjë. As Atdheun – puthja e tokës italiane nga emigranti i parë që doli në Perëndim. Ngadalë gjërat ndryshuan dhe kuptuam që zelli i ekzagjeruar që kishim treguar në shkatërrimin e tejzgjatur të çdo të mire materiale dhe morale që ajo barakja jonë kishte krijuar në pesëdhjetë vitet e fundit nuk na kishte bërë vetëm njerëz më të lirë por edhe njerëz që nuk kishin më asnjë bosht vlerash referimi, sepse duhej kohë, duhen ndoshta breza të tjerë, për të krijuar një NJERI, jo më të ri, as socialist por një shqiptar .

    Them se këtu, nëse shumë nga ne në subkoshiencë ndjenin ç’po ndodhte por nuk kishin as forca e as kohë të përpunonin as mendimet dhe as flukset emocionale që na përshkonin, mediat dhe politika zbuluan se e vetmja zamkë që mund të na lidhte me njëri tjetrin mund të ishte kombëtarizmi. E vetmja vlerë, në mungesë të ndonjë alternative, derisa të krijoshin në mënyrë të natyrshme vlerat e reja. Vlera të tjera.

    Vetëm tani po fillon të na peshojë kjo zgjidhje e dhënë nga politika, bile as tani nuk po na peshon të gjithëve, disa vazhdojnë të bëjnë sikur nuk e kuptojnë qëllimin e mënjanimit nga çështjet sociale dhe shqetësimeve që të përditshme të qytetarëve “në përpjekje me institucionet e ngathëta dhe të korruptuara, partitokracinë, mjedisin e rrënuar nga ndotjet gjithfarësh dhe në përgjithësi paaftësinë e autoriteteve për t’u dalë zot punëve”, sintetikisht dhe mjeshtërisht të radhitura nga XhaXhai.

    Sa do të vazhdojnë zhurmuesit? Përpjestimisht me paaftësinë tonë për të mbushur boshllëkun e krijuar. E kemi të vështirë, se me sa shoh, nuk mund të mbështetemi në kontributin e mirëpritur të sociologëve shqiptarë. Pra i bie t’i dalim zot vetë këtij problemi, ja kështu, herë duke shtyrë njëri-tjetrin e herë duke u përleshur. Mjaft që gjatë rrugës të mos shkatërrojmë fare edhe njëri-tjetrin.

  11. “por në përgjithësi nuk ushqehej ideja e padrejtësisë historike dhe ishim të gjith të lumtur kur shihnim në orën e gjeografisë, trajtën e Nënës Shqipëri aq sa kishte mbetur por që aq shumë i ngjante një trupi gruaje të hijshmë”

    Kërkoj ndjesë, por nuk mundem të bie kaq kollaj dakort me këtë pohim.

    Ndoshta sepse më kumbon ende i gjallë zëri i asaj gruaje që më jepte histori në klasën IV, sikurse më kumbojnë të kulluar gjithë zërat e mësonjësve të historisë deri tek ai i nipit të Qemalit martir, në gjimnazin me të njëjtin emër, të cilët, me tonin solemn përkatës, pohonin pikërisht të kundërtën.

    Lexoni vazhdimin e komentit këtu:

  12. Xhxh2, me ndjeni per padijen, po nuk e kisha marre fare me mend se opinioni juaj per emertimin si tradhti apo jo te dhenies se Shen Naunit nga Lartmadheria e Tij, Zogji i Pare, ishte mbeshtetur ne te vetmen reference te denje per leksione shkencore historie dhe patriotizmi te ndershem si M. Frasheri (besoj se nuk do t’ia mohoni M. Frasherit cilesimin si patriot postmodern, por ama i kalibrit safi, meqe ca si ai e kane kerkuar me force emertimin “Baballare te kombit”). Kjo sepse nuk pashe te kishte ne shkrim ndonje shenje citimi te dallueshme dhe ndoshta sepse nuk do ta ndiqja dot logjiken e tij shkencore me vlere gjithekoheshe, edhe po ta kisha pranuar si reference, pa nderhyrjen interpretuese te kalibruar sipas numrit tuaj te syzeve (numri i syzeve te mia paska skaduar, iku rroga ime per kete muaj!).

    Eshte situate shume e lumtur tani qe u morem vesh dhe rame te gjithe ne nje mendje, besoj. E hoqem qafe kombetarizmin, bashke me te edhe marrezi te tilla si “tradhti kombetare”! Per dreq ka nje nen ne Kushtetute qe e denon ligjerisht dhenien apo shitjen e territorit te Shqiperise te huajve. Po kollaj ajo pune. Me nje seance parlamenti e ndryshojme brenda dites.

    Po e mbyll me ca vargje nga Eposi, arkaik e primitiv, e pranoj, por i lezetshem sidoqofte, se te jep etiketa te gatshme per te dalluar se deri sa thelle shkon budallalleku i gjenit mburravec per ca nocione te pavlera, si perbuzja ndaj pabesise, mosmirenjohjes dhe dykambeshit te pafismë:

    “Mbrapsht po fol ai nallban probatini:
    – Per n’m’i falsh, moj vash’ dy syte e ballit,
    ta kam pshtue vlla Gjergjin prej mejdanit
    e e baj gjogun me fjurue si era.
    Sa me idhnim çika e kitte marre:
    – Ç’je kah thue, bre burr’, goja t’u thafte!
    jam kan’ nis’ tu dera e probatinit,
    qe nand’ vjet qi gjogu ksajt s’ka ra,
    m’fal se ndeshkam deren e magjupit!”

    E vetmja e mire e kesaj sekuence te kenges primitive eshte se jep me realizem qe, edhe ne ato kohe te lashta, brenda “arbro-shqiptareve” nuk kane munguar elementët racionalë, ata qe nuk mbyteshin ne nje gote uji pas budallalleqeve si “besa e lidhur”, “nderi i tokes dhe i motres”, “zakonet e te pareve” e ku di une se ç'”marrezira” te tjera, siç thote Autori yne i nderuar, paraprijese te kombetarizmit te sotem. Sa keq qe ishin ne minorance! Sa te mencur do te kishim qene nese do t’i kishim “magjupet” si vlla probatini heronj te kengeve tona dhe jo tipat e fandaksur si Gjergji (s’na u ndane keta Gjergjat, more! Gjithe te keqijat nga keta na kane ardhur.)
    Ne te ketij blogu i ngjajme shume ketij “magjupit”, siç, duhet ta kemi ndonje gjen te perbashket me te gjekundi. Eshte rasti per nje hulumtim ne kete drejtim, se edhe specialistet nuk na mungojne, besoj.

    1. DDH, mendimi im është se Enver Hoxha vërtet e ka bërë historinë e Shqipërisë gjatë viteve 1941-1990 (dhe ndoshta edhe më pas), por nuk duhet ta lëmë që ta rishkruajë edhe atë të mëparshmen.

      Mehdi Frashërin unë e citoj si dikë që ka marrë pjesë drejtpërdrejt në negociatat me jugosllavët, për përcaktimin e kufirit në zonën e Pogradecit. Ai nuk kërkon të paraqitet si “hero” atje, por vetëm tregon se si ndodhi që Shën Naumi përfundoi matanë kufirit.

      Sa për historiografinë e kohës totalitare, unë besoj se gjithçka është thënë atje, duhet marrë cum grano salis; sepse sa herë që autorëve u kërkohej të gënjenin, kanë gënjyer pa iu dredhur qerpiku. Për fat të keq, me ato gënjeshtra na e kanë mbushur kokën që në vegjëli, dhe tani nuk është e lehtë të orientohemi në pyll, madje i kthehemi edhe njëri-tjetrit me thonj, si macet në thes.

      Materiali i Mehdi Frashërit mund të lexohet këtu:

      http://www.lajmishqip.com/?p=2790

      1. Sipas jush ne kete historiografi kemi te bejme me Deformim te se Vertetes per hir te interesave politike, apo kemi te bejme me Mashtrim apo Falsifikim?

        E shtroj kete pyetje sepse i perkas nje brezi qe nuk u infektua dhe aq shume (per shkak te moshes) nga kjo mesymje frontale e historise – propagande. Shohim se ne kete eren e “Demo”kracise me shume sesa disa teza kritike apo sulme publicistike, nuk po formulohet ndonje teze e qendrueshme. Botimet e fundit qe kane te bejne me disa prej pikave te diskutueshme te periudhes 1912-1990, ndryshojne disa gjera, por nuk levizin themelet. Fjala vjen, edhe per sa i perket p.sh Luftes, u fillua me mohimin e plote dhe baltosjen per te perfunduar me nje perpjekje rraskapitese se ja edhe nacionalistet kane luftuar. Nderkohe qe botime te protagonisteve te huaj ne Shqiperi ne keto ngjarje, i japin me shume te drejte historiografise komuniste. Edhe sjellja ne shqip e kujtimeve te eksponenteve te ndryshem dikur te arratisur apo kundershtare, me shume sesa pershkrim i represionit komunist nuk sjellin ndonje gje te re per sa i perket ngjarjeve vendimtare. Ku konsiston pra kjo ngopje me pallavra nese mund ta quajme keshtu ? Sepse ndonjehere te krijohet pershtypja siku komunistet dikur ja behen ne Shqiperi nga nje bote tjeter, teksa shqiptaret u kapen ne befasi.

        1. Theollogos pyet:

          Ku konsiston pra kjo ngopje me pallavra nese mund ta quajme keshtu ?

          Përgjigjja kësaj pyetjeje do t’i tejkalonte shumë caqet e këtij diskutimi, të këtij blogu dhe ndoshta edhe të kapacitetit tim për t’u përgjigjur.

          Për momentin, po mjaftohem të them se historia e Zogut që ua “shiti” Shën Naumin Jugosllavëve ka qenë dhe mbetet një pallavër propagandistike. Materialet ku e mbështet këtë mendim gjenden në referencat që kam sjellë më lart.

          Në raste të tjera, do të sjell shembuj të mëtejshëm. Për mendimin tim, shumë momente kyçe të historisë së shqiptarëve, që nga parahistoria, janë sjellë në mënyrë të gënjeshtërt ose të retushuar – njëlloj si ato fotot e Hoxhës në Kongresin e Përmetit, ose më keq akoma, në fjalimin që mbajti kur do të transferoheshin eshtrat e Çerçiz Topullit nga Shkodra në Gjirokastër.

          Shihini këto dy fotografi pranë e pranë. Metaforë më të mirë për mënyrën si është shkruar historia pas 1945-ës nuk gjendet:

          Hoxha vetem

          Lexojeni artikullin këtu.

          1. Xha Xha!

            Une nuk te pyes per tekniken e perdorur ne emer apo per hir te karrieres se Diktatorit. Sepse sic edhe e shikon vete kjo denoncohet me lehtesi. Madje, ajo qe ka rendesi eshte edhe se besohet me me lehtesi nga opinioni kur ky vihet ne njohje te fakteve. Pse ? Sepse eshte aksiomatike te pranosh se cdo pushtet perdor truke, genjeshtra te kesaj natyre jo vetem ne regjime si Diktatura, por edhe ne regjime te tjera (qe gjithesesi perderisa e ushtrojne pushtetin publik permes aparatit represiv e njohin konceptin e Diktatures). 11 shtatori p.sh mbetet nje precedent i pashembullt qofte edhe per vete debatin qe ai krijoi dhe ndarjen qe instaloi mes SHBA dhe botes.
            Une te pyes per ate historiografi qe EDUKON. P.sh kembengulja me tezen e origjines se shqiptareve, apo glorifikimi i figurave si Noli dhe lenia ne harrese e disa figurave te tjera qe kane nje kontribut te qenesieshem, pra nisma pas se ciles synohet te ndertohet trashegimia politike dhe te realizohet asgjesimi i kundershtarit. Pse eshte e rendesishme kjo ?
            Sepse shoh qe teza e marre nga e djathta sot shfaqet si nihiliste kur vjen puna per historine komuniste. Ajo nuk pranon te pakten humbjen politike te 50 viteve me pas, sepse mendoj se me kete eshte e detyruar te NJOHE edhe PERGJEGJESINE e vet. Mehdi Frasheri, qe ju sillni si shembull eshte emblema e ketij gabimi fatal te elites para komuniste shqiptare.
            Se pari kujtimet e tij lidhur me Shen Naumin kompromentohen pse ai vete eshte protagonist. (Per sa u perket figurave te para Luftes, kujtimet e protagonisteve nuk i tipizojne si heronj te patriotizmit, por si politikane qe nuk i lene gje mangut makiavelizmit dhe shitje – blerjes se njeri-tjetrit).
            Se dyti per kete ceshtje qe sot na thuhet se u moren jo vetem 13 km territor, por edhe disa fshatra (tema eshte trajtuar shume ne shtypin shqiptar) Shqiperia provoi nje ballafaqim juridik ne Gjykaten e Arbitrazhit ne ate kohe dhe e fitoi. Pra perpara Zogut, shteti shqiptar nuk binte dakord me okupimin e Shen Naumit dhe per kete arsye vendimi i Zogut i ratifikuar nga Asambleja mbetet i diskutueshem.
            Se treti dicka per foton e Shokut Enver maje ballkonit.
            Vitin qe shkoi, Kastriot Dervishi, gazetar i shtypit te djathte, tashme ne cilesine e Shefit te Arkivit ne Ministrine e Brendshme, boton nje liber me titullin “Sherbimi sekret shqiptar”. Ky liber u “ekranizua” shume trashe nga Top Channel ne emisionin Top Story. Informacionet jane nxjerre sipas Dervishit, i cili citon fashikujt e dosjeve nga nje rezyme e Sigurimit te Shtetit e mbajtur ne vitin 1954 lidhur me sherbimin sekret te Zogut dhe te periudhes se Luftes.
            Ne foton origjinale eshte nje burre me syze, Spiridon Kacarosi – grek nga Korfuzi i lindur ne Shkoder. Shef i Sherbimeve sekrete te Zogut, i cili mendohet se ka rekrutuar studentin Enver Hoxha. Caktimi i ketij te fundit ne fjalimin perkates eshte nje manover promovuese, sipas Dervishit. Abedin Hoxha, po ashtu shef sherbimi, kusheri i dyte i Enver Hoxhes.
            I nenvizoj keto per te theksuar se nuk mund te zhvishet nga faji nje elite qe e braktisi vendin ne duar te komunisteve shume prej te cileve i ngriti lart me vullnetin e vet. Nese kete argumentin e Shen Naumit e justifikoni sot, atehere pse te akuzosh Enver Hoxhen se donte ta bente Shqiperine Republike te Shtate te Jugosllavise?
            A nuk eshte kjo e njeta politike dhe i njejti mekanizem ?

            1. Theollogos, e keqja kryesore e historiografisë komuniste ishte mungesa e pluralizmit, ose e lirisë së shprehjes. Kjo e dallon nga gjithfarë manovrash që bëhen kudo, për t’i manipuluar faktet historike në favor të kësaj apo asaj elite.

              Unë foton e solla si metaforë të asaj që i është bërë historisë nga komisarët; por përndryshe edhe mënjanimi i pluralizmit mund të quhet teknikë. Fakt është që ne nuk kishim mundësi të shihnim bashkëpunëtorët e Enverit në atë tribunë dhe të tjera, as të lexonim se si e kishin rrëfyer dhënien e Shën Naumit ata që e kishin kryer si akt diplomatik.

              Përndryshe historianët komunistë i ke gjallë e shëndoshë edhe sot, madje vijojnë të shkruajnë vepra – punë e tyre dhe e atyre të tjerëve që ua besojnë. Unë, për vete, i kam kaluar me kohë në raftin fiction.

            2. Dokumentin origjinal as qe gjendet me. Lef Nosi ka botuar nje kopje personale ne vitin 1937 dhe kerkesa e pare per manipulim eshte bere nga Zogu, i cili sipas Lef Nosit i ka kekruar qe te shtoje aty emrin e xhaxhait te vet.

            3. “Përndryshe historianët komunistë i ke gjallë e shëndoshë edhe sot, madje vijojnë të shkruajnë vepra – punë e tyre dhe e atyre të tjerëve që ua besojnë. Unë, për vete, i kam kaluar me kohë në raftin fiction”.

              Tani me kete paragraf i ve kapak. Te pakten e dime se kush e ka ndergjegjen te qete e kush nuk fle dot rehat. Nuk e di sa pergjigje mund te quhet kjo e raftit tuaj, por meqenese Blogu ka pretendimin e diskutimit dhe te ballafaqimit te pikepamjeve – kuptohet per sa kohe ato klasifikohen si racionale – rafti, pra me duket si nje replike perfunduese e tipit “me mire e leme me kaq”.

              Une thjesht doja te nevizoja se ky lloj denoncimi qe sillet ketu eshte bere me kohe ne Shqiperi, madje ai ka zene vend edhe ne mendjen e njerezve. E keqja eshte se kuptimi rreth Historise se afert ka zene rrenje dhe se perpunimi i opinionit me fokusimin mbi figuren e dikujt apo te nje tjetri, rezulton e deshtuar. Kerkohet pra nje angazhim me serioz, nje shikim objektiv i cili te vendose ne bashkeekzistence figurat historike me te keqijat dhe te mirat. Kur te pyes se cilat jane keto pallavra, pres qe te thuash dicka ndryshe nga nje rast apo nje retushim fotografie, pra nga karamelet fillestare te XHAXHIT. Gjithesesi, me mire rafti, se po lexoj qe teza e rokanisjes po ze vend. Po e marr si nje redaktim profesional. Gjithe te mirat!

            4. Theollogos:

              Kur te pyes se cilat jane keto pallavra, pres qe te thuash […]

              Theollogos, kam frikë se ka një keqkuptim këtu, që duhet ndrequr menjëherë. Hapësira e komenteve ofrohet për të komentuar rreth shkrimit kryesor; në kuptimin që diskutimet është mirë të shtjellohen sipas dëshirës së autorit të shkrimit – jo të komentuesve. Por në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast nuk duhet interpretuar kjo hapësirë si zonë për një seancë pyetjesh-përgjigjesh me autorin; prandaj më vjen keq të të kujtoj se ndonjëherë pyetjet që bën do të mbeten pa përgjigje, ose do të marrin një përgjigje që pajtohet me natyrën e shkrimit kryesor ose të asaj çka përpiqet autori të vërë në dukje, jo me drejtimin që mund të të interesojë ty ose të tjerëve t’i japin diskutimit. Kjo nuk ka të bëjë fare me rokanisjen, por me bon sensin.

            5. Nuk ka nevoje per keqardhje. Une thjesht shtrova nje pyetje rreth nje teme qe le shume vend per diskutim. Sinqerisht falemnderit qe me kujton disa rregulla, per arsye sepse jane shume te nevojshme. Nuk kam patur asnje qellim per devijimin e debatit apo te linjes se tij. ( nga sa shoh kjo do ishte pune e veshtire, te pakten ne kete blog). Por as ju mos harroni se Pyetjet lindin pikerisht nga artikujt qe ju shkruani dhe sidomos nga besimi qe shumekush ketu ne blog, por edhe ne lexuesit e Tiranes, ushqen ndaj penes suaj. Prandaj kur ka pyetje per te bere une do t’i bej, por ato asnjehere nuk i kam pare dhe do t’i shoh si tendence per te kapur pika te dobeta ne arsyetim.

      2. Nderkohe Catin Saraci thote :

        Sa per pergatitjet e rikthimit, pervec faktit te njohur se Ahmet Zogu u ndihmua nga kryeministri serb Pashic me te holla (250 mije paunde) e njerez, duke i falur ne kembim Jugosllavise kullotat e pasura te Vermoshit dhe Shen Naumin, ..

        Cilin te besojme?

        1. Për mendimin tim, Fatma, më e rëndësishme në këtë pikë është që gjërat të bëhen të njohura dhe të ketë debat; dhe historianët të mos i referohen më Shën Naumit si provë të tradhtisë së Zogut – sepse çështja është së paku, e diskutueshme. Vështirë se do të arrihet ndonjëherë në konsensus për çfarë ka ndodhur pikërisht dhe si, por së paku askush nga ne të sotmit nuk do të thotë se ia paskan fshehur të vërtetën, ose ia kanë retushuar.

          1. Nuk kam absolutisht asnje kundershtim Xhaxha per sa thoni ne lidhje me fshehjen apo retushimin e se vertetes.

            Ata historiane qe arrijne konkluzione pa dokumenta, fakte apo se paku ,ne mungese se tyre, pa nje analize teresore prej ku konkluzioni vjen si nje rrjedhim logjik , sigurisht nuk jane historiane por propagandiste.
            Gjithsesi historia eshte interpretim dhe interpretime te ndryshme do te kete midis historianeve,gje qe eshte normale.

            Por besoj se bie dakord me mua qe shpesh amatoret, si ne ketu, jane viktime e vetvetes; behen pre e nje ideje qe i terheq dhe duke mos pasur vetkontrollin e profesionistit, padashur permbysin raportet duke ndertuar me pare konkluzionin dhe pastaj rendin te gjejne provat.

            1. Fatma, ç’u mbetet amatorëve të bëjnë, kur profesionistët e shkelin me të dy këmbët paktin që duhej të kishin me të vërtetën? Si t’u besojnë amatorët falsifikatorëve të dokumentit të pavarësisë? Si t’u besojnë produkteve të konformizmit dhe të frikës? Unë nuk di si t’u përgjigjem këtyre pyetjeve, as të kërkoj që t’u përgjigjesh ti – por pyetjet mbeten. Ne nuk mund të përcaktojmë të vërtetat këtu, por së paku mund të përcaktojmë disa premisa, së paku që të na vlejnë neve vetë.

              Tani, unë mund ta lexoj komentin tënd edhe me syrin e paranojakut, dhe të nxjerr përfundimin se ti kërkon të m’i zhvlerësosh argumentet nëpërmjet atij që e kanë quajtur “gabim logjik të autoritetit” (authority fallacy). Me fjalë të tjera, unë mund të kujtoj se ti po më mbyll gojën duke më thënë, si një tjetër kolege pardje, se ti nuk je historian, prandaj nuk të ngre peshë fjala.

              Mirëpo ky lloj gabimi është poshtërues në vetvete, dhe zakonisht përdoret prej njerëzve që kanë komplekse inferioriteti dhe pasigurie kaq të forta, sa nuk janë në gjendje të vlerësojnë asgjë jashtë raporteve të autoritetit dhe të kualifikimit të burimit; meqë ose u mungon aftësia për gjykim kritik, ose kanë frikë nga mendimi i pavarur; pra, që sillen haptazi si të ishin skllevër në kërkim të padronit. Prandaj jam pothuajse i sigurt se ky lexim paranojak i fjalëve të tua nuk qëndron, dhe këtu e parashtrova vetëm për të paralajmëruar ndonjë që mund t’i ketë shkuar në mend.

              Brenda hapësirave të PTF, e vetmja diplomë që u kërkohet debatuesve është aftësia për ta artikuluar mendimin përtej urrejtjes dhe ideologjive. Përndryshe as marrim njeri në punë, as i kërkojmë kujt të na marrë në punë – tha.

            2. Xhaxha,

              Iu shkruani:
              “…Si t’u besojnë amatorët falsifikatorëve të dokumentit të pavarësisë?…”

              Per cfare falsifikime behet fjale?
              Data? Vendi? Qellimi? Arsyeja? Pjesemarresit?Vendimet? Rendesia? Efekti? Roli historik dhe politik i ngjarjes?

              Pa te keq. Vetem po perpiqem te marr vesh.

          2. Po sjell me poshte nje pasazh nga A.Ermenji ku trajtohet ne detaje ceshtja e Shen Naumit.
            Thjesht per me teper informacion meqenese pervecse ketu ceshtja e Shen Naumit eshte diskutuar edhe me pas ne kete blog.

            ” Nuk dimë (ose s’është nevojë të shkruajmë këtu) se çfarë premtimesh i bëri Zogu Jugosllavisë, kur kjo e ndihmoi që të këthehej në Shqipëri. Por nga premtimet që mund t’i ketë bërë, zbatoi vetëm lëshimin e Vermoshit dhe të Shën-Naumit.
            Ishte bërë punë e mërzitshme çështja e kufijvet të Shqipërisë, sepse Jugosllavia dhe Greqia mundohëshin gjithmonë të shkëputnin diçka më tepër. Më 1923, Jugosllavia kish ngulur këmbë për të mbajtur Vermoshin dhe Shën-Naumin, dhe Greqia 14 fshatrat e qarkut të Korçës. Konferenca e Ambasadorëvet nuk i mori fare parasysh kërkesat e këtyre shteteve përsa iu përkiste Vermoshit dhe 14 fshatravet. Por çështja e Shën-Naumit u rrah gjatë. Duke e interpretuar në dobi të saj tekstin e Protokollit të Londrës që caktonte kufijtë e shtetit shqiptar me 1913, Jugosllavia mtonte se Shën-Naumi i takonte asaj. Por Konferenca e Ambasadorëvet, në një vendim të 6 Dhjetorit 1922, i dha të drejtë Shqipërisë. Në Prill e në Maj 1923, Jugosllavia e kundërshtoi atë vendim dhe kërkoi që të rishikohej. Konferenca e Ambasadorëvet formoi një komision anglo-franko-italian për t’a shqyrtuar edhe një herë atë çështje, por mbasi komisioni s’ra dot n’ujdi, çështja kaloi në Lidhjen e Kombevet, e cila kërkoi mendimin e këshilltarëvet të saj juridikë. Këta i dhanë të drejtë Jugosllavisë, por Lidhja e Kombevet nuk mund t’a thyente aq lehtë vendimin e Ambasadorëvet, të cilët ishin ngarkuar prej Konferencës së Paqes për caktimin e kufijvet të Shqipërisë, prandaj ia kaloi çështjen Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës. Ky, mbasi i rishikoi të gjitha të dhënat, e ndau punën më mirë, dhe u shpreh që Shën-Naumi t’i jepej Shqipërisë sipas vendimit të Konferencës s’Ambasadorëvet, marrë më 6 Dhjetor 1922. E pështetur në mendimin e Gjyqit të Lartë Ndërkombëtar, Lidhja e Kombevet ia njohu Shën-Naumin Shqipërisë, në Tetor 1924. Konferenca e Ambasadorëvet e vërtetoi edhe një herë atë vendim më 27 Prill 1925. Mirëpo Zogu, në Korrik t’atij viti, ia bëri peshqesh Jugosllavisë jo vetëm Shën-Naumin, po edhe Vermoshin, të cilin Konferenca e Ambasadorëvet s’kish pranuar t’a vinte fare në bisedim mbasi i takonte Shqipërisë.
            Disa “kalemxhinj” zogistë kanë dashur jo vetëm t’a mbulojnë këtë trathëti, po edhe t’a tregojnë si një politikë t’urtë të Zogut, duke u pështetur n’arësyen se Jugosllavia i kish pushtuar ato vise dhe s’do të dëgjonte kurrsesi t’ia këthente Shqipërisë etj.
            Këto profka nuk kanë asnjë vleftë, sepse Jugosllavia do të detyrohej më në fund t’ia këthente ato dy vise Shqipërisë, sikurse u detyrua Greqia për 14 fshatrat. Konferenca e Ambasadorëvet dhe Lidhja e Kombevet nuk do t’a shkelnin vendimin e tyre, pasi kaloi edhe nga gjyqi ndërkombëtar, dhe do të kërkonin që Jugosllavia të nënshkruate përfundimisht caktimin e vijës së kufirit me Shqipërinë.
            Po edhe sikur Jugosllavia të vazhdonte kundërshtimin për ca kohë, kryetarit të shtetit shqiptar nuk ia lejonte as nderi as detyra që t’i falte asaj peshqesh pjesë të tokës kombëtare duke i legalizuar atë çka ndërkombëtarisht i ishte njohur Shqipërisë. ”

            http://www.ermenji.org/historia/chap28.html

  13. Nuk kam asnje dyshim se keni te drejte. Ju faleminderit per referencat.

  14. E lexova ate material, eshte nje skice pershkruese e veprimeve te tij si zyrtar i ngarkuar me kete ceshtje, me shume se kujtime. Zakonisht kujtimet kane me shume se kaq nga subjektiviteti i shkruesit, gje qe aty mungon. Nuk do te bej debat me ju, por jam e bindur qe aty gjerat thuhen si nje kronike e thate ngjarjesh. S’po them medoemos qellimisht, por absolutisht kujtimet e nje njeriu nuk marrin vleren e dokumentit, faktit, per me teper kur eshte i perfshire drejtperdrejt, nderkohe qe lihen pa thene shume e shume gjera te tjera. As qe pritej me shume. Fundja, ne shenimet e tipit te memuarit, askush nuk eshte i detyruar te thote me shume se c’ka shkruar, dmth se c’ka dashur te shkruaje.

    Jam e bindur qe nje historian apo specialist i analizave me referenca te shumefishta, si ju, psh., mund t’ia benin analizen dhe kritiken jo kujtimeve te Frasherit, por ngjarjes vete, kontekstit te saj, arsyeve te verteta te kronikes se asaj qe serviret aty, gati si e parendesishme, apo si e bere nga nje ufo. Por ne kete rast ju keni zgjedhur te merrni si te mireqene vetem kaq dhe vetem ashtu siç i thote gjerat Frasheri. Zgjedhja juaj. Por s’mund t’ia mohoni askujt te drejten per t’i vene ne dyshim, edhe ne blogun tuaj.

    Sipas meje, Frasheri nuk eshte perpjekur te shfajesohet drejperdrejt nga akuzat qe i jane bere qe ne ate kohe ose, me sakte, ka zgjedhur rrugen indirekte te shfajesimit, sepse debati nepermjet analizave te pergjegjesive, te pse-ve e qysh-eve nuk u be kjo dhe ajo percapje nga qeveria shqiptare e kohes, nuk do te kishte fund. Ne fakt, ndoshta, asnje lloj qeverie ne ate kohe, s’mund te bente me shume. Por ai ka zgjedhur te flase me qetesine olimpike te hyjnise se gjithedijshme, si “baba i kombit”, vetepercaktim qe nuk i shkonte nder mend se mund t’ia zhvleresonte debati i vulgut, gjoja me shume patriot apo me i mencur se ai. Historia tregoi se besonte me shume seç duhet ne largpamesine e vet ose nuk e njihte sa duhet popullin e tij.
    Sa per Hoxhen, nuk kam pse t’ia ndrij varrin atje ku eshte, se nuk kam qene as une, as te mite, te privilegjuarit e kohes se tij, si shume te tjere. Perkundrazi.

    Sidoqofte, une debatoj me idete, jo me njerezit. Nuk eshte mire qe, kur nuk doni t’u pergjigjeni çeshtjeve konkrete (asolutisht jo ngaqe nuk dini apo nuk mundeni), perdorni mburojen e antikomunizmit dhe nisni e akuzoni se tjetrit ia kane thartuar trute qe ne vogeli. Po te vazhdonim me kete lloj te foluri abuziv, kush e di ku dalim.

    Qe kombetarizmi eshte ideologji e vone ne historine e ideve (edhe vete kombi, si nocion) e kuptoj, po nuk e kane shpikur shqiptaret. Ata vetem jane mbrojtur nga perdorimi i kesaj ideologjie nga te tjeret, per mbijetese, perkunder synimit per t’i fshire nga harta e botes. Ose per t’u mbrojtur nga pasojat e deformimeve te se vertetes se tyre, siç ngjet me paraqitjen skandaloze te shqiptareve dhe shtetit te tyre ne nje faqe te Wiki, postuar ketu nga dikush. Faktet jane sheshit dhe nuk i ka thene historiografia e Hoxhes e para. Tjeter gje eshte si i ka shfrytezuar apo manipuluar per interesat e saj. Shume nga debatuesit ketu jane te kesaj mendjeje.
    Kush duhet t’i ndreqe keto deformime (nga padija, vetem nga padija!), nese nuk e bejne shqiptaret? Kurse ne cfare bejme? Kerkojme “halen ne përpeq” per veten, kurse gjejme njeqind justifikime qe minimizojne efektin apo rolin e veprimeve apo qendrimeve ne dem te se vertetes sone, se jemi me katolike se papa ne!

    Besoj se jeni edhe ju dakord me mua, qe zakoni per t’i prere drute shkurt, me nje “mos me rokanis”, nuk e nderon te zotin e shtepise, te cilin e nderojne me pranine e tyre miqte qe i fton apo i pranon ne tryeze. Diku keni shkruar se (afersisht) synimi i blogut tuaj eshte t’i cliroje edhe ata qe jane te mberthyer nga shablonet e gatshme, duke i ndricuar me idete tuaja, modestisht, te pakten duke u dhene modelin e debatit te hapur ndaj alternativave. Kurse ju mjaftoheni vetem me etiketimin e ideologjizuar per te imponuar mendimin tuaj ose edhe me keq. Pse eshte kaq cudi t’ju kundershtojne, i nderuar?
    E pranoj qe edhe mua me vijne ne mendje fjale te tharta kur verej qe perlyhen gjera qe duhet te jene te shenjta per cdo njeri normal ne bote (normal, sipas meje), por, perderisa na ka rene te jemi te tere brenda te njejtit “thes”, eshte mire qe asnjeri te mos i nxjerre kthetrat. (Nuk pashe t’u pergjigjeni kaq ashper fyerjeve dhe perbuzjes gati patologjike ndaj shqiptareve qe shfaqi nje nga debatuesit, eVonuara. Nuk mjafton ta fshish, bashke me repliken perkatese). Duhet te bashkejetojme, apo jo? Kam parasysh se kuptimet e ndryshme apo te kunderta per te qenet “normal”, nuk na nxjerrin dot nga “thesi” i te qenit shqiptarë. Apo edhe “thes” i te qenit njerez.

    Per ta mbyllur, mbeta e paqarte se c’kuptim kane per ju fjalet “tradhti kombetare”.

    1. DDH, kjo replikë nuk është në përgjigje të çka thua në komentin më lart.

      Dua vetëm të sqaroj se moderimin e shkëmbimeve të tua me eVonuara nuk e kam bërë unë, as e kam idenë se ç’farë është thënë atje. Blogu ka disa moderatorë.

      Po ashtu, faqja që u soll për t’u parë nuk ishte nga Wikipedia, por nga një parodi e Wikipedias.

      Ka shumë njerëz që më bezdisin në blog; disave edhe ua kaloj ndonjëherë komentet, të tjerëve jo. E përsëris se unë nuk i mirëpres këtu njerëz të cilëve blogu nuk u pëlqen. Por nuk kam kujtuar se ti ke hyrë ndonjëherë në këtë kategori.

      Më në fund, kujtimet e pjesëmarrësve në një ngjarje përdoren rëndom si burim nga historianët – këtë nuk më mbetet mua ta provoj.

      1. Fshirjen e komenteve e bëra unë, sepse kështu u gjykua dhe kështu u kërkua. Kujtoja se ishte shprehje e vullnetit të mirë nga ana e moderatorëve për t’i mbyllur polemikat e ashpra personale, pa bukë për lexuesit dhe shterpë për diskutimin. Por nuk qenka kuptuar kështu, përderisa DDH e rifut në lojë polemikën e mbyllur, praktikisht me shkrepëse në dorë para autobotit me benzol. Lutem mos na angazhoni me diskutime tërkuzë dhe cicmice pa kuptim. Kemi punë të tjera për të bërë, ndërkohë që durimi e ka një kufi.

  15. Thujase është kthyer në zakon prej shqiptarëve të ditur, që kur sjellin terma të huaja për shqipen në komunikim, ti zëvendësojnë apo përkthejnë lehtas ato fjalë të huaja po me fjalë të huaja të së njëjtës gjuhë. Kjo vërejtja ime mund ti shërbejë studimeve të gjuhëtarëve, ndërsa dialogut të këtushëm i cënon përdorimin e fjalëve: falsifik-oj, -im, -uar, -or/ues, të cilat janë marrë toptan nga e përditshmja prej nga kanë bërë vend edhe tek fjalorët e trashë të gjuhës shqipe. “Falsifikuesit e vizave” pa thonjza duhet (mbase) të quheshin falsifikuesit e identitetit; por çdo ta quajmë aktin e përpunimit të dokumentit ku X bëhet Y? Anglezët, e quajnë forgery, e ne po të duam ti përballemi kësaj gjuhe të madhe, por dhe të bëjmë ndarjen e dy kuptimeve, ku e ku të ndryshme, të falsification (akti i rrëzimit të një propozimi, hipoteze apo teorie) me forgery (aktin e prodhimit të diçkaje jo autoentike me qëllim kryerjen e mashtrimit apo hilesë), duhet ta quajmë farkëri, paksa ndryshe nga farkëtaria si zanat i atyre që rrahin hekurin sa është i skuqur. Jemi më pranë realitetit, do të flasim për dokumente të farkuara në kudhrën e Partisë.
    Për dokumentet e fotot historike duhet tu përmbahemi fjalëve: çensuruar (siç ka bërë R. Elsie kur mbi dokument janë mbivendosur pulla), retushuar kur fotot janë përpunuar; me një fjalë – farkuar.
    Mbi këto ujra të kthjellta Shën Naumi pasqyrohet mirë,
    Ndonëse mbi liqer të llogjikës të notosh është vështirë.
    Përpjekja e kolonelit është mundësia logjike për të treguar se ndarja (që nënkupton e drejtë) është e rreme nëpërmjet vëzhgimit (shkëmbit Barketa) dhe provimit në hartë.

  16. Nje informim ju lutem. Meqe mbasi googl-a dje dhe zbulova se ka nje shqiptar nga USA me pseudinim shakaxiu qe nga 2003, qe mos ngaterrohemi, vendosa ta nderroj timin ne Shikxhiu.

    Sa per ndotje nga zhurmat, edhe une jam i mendimit qe ne duhet te shikojme perpara qe te mos mbetemi një vend ndër më të varfrit në Europë, dhe në bisht të reformave dhe të emancipimit shoqëror dhe ekonomik.

    Por si? Pra si eshte me mire per te ecur perpara?

    Si shqiptare? Qe kane nje histori dhe …. cilen, apo
    si te tille qe ta shikojne veten sot si leter e bardhe, pa identitet?

    Une me sa duket jam i informuar me vonese, se mesa vura re ka ne bllogje te ndryshem, prej vitesh qe diskutohet ne shqiperi,, pro ose kundra identitet kombetar, kombetarizmit (qe une as sot nuk e di tamam cfar eshte ne te vertete por mendoj te jete nacionalizem ose atdhetarizem), mite historike etj te kesaj natyre.

    Per kete teme lexova sot rastesisht edhe nje shkrim interesant te shkruar ne fund te 2008 nga atman.
    (Ky eshte linku i shkrimit qe per mendimin tim ja vlen per tu lexuar)
    http://www.albforumi.com/ubb/ubbthreads.php/topics/1000979/Fatos_Lubonja_shakaxhiu_i_21_i.html

    Meqe ka mendime te ndryshme rreth psh. Kombetarizmit eshte e vetkuptueshme qe edhe ngjarje ose fenomene te ndryshme do te shikohen ndryshe nga sejcili.
    Di ndonjeri ndonje link ku eshte trajtuar direkt kombetarizmi?

  17. Me falni, mendova ndonje qe e trajton ne thelb nga ana teorike, se kerkova ne google dhe gjeta shume te tjere.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin