WORLD MUSIC

Tani që i shkruaj këto radhë, jam edhe duke dëgjuar, në sfond, muzikë nga albumi In the Heart of the Moon, nga kitaristi Ali Farka Toure dhe virtuozi i korës Toumani Diabaté-s, dy artistë të njohur nga Afrika. Albumi është i tëri i improvizuar në tri sesione dy-orëshe, në Hotel Mande, në brigjet e lumit Niger, në kryeqytetin e Malit Bamako.

Edhe pse unë dëgjoj shpesh muzikë afrikane, sidomos korën, sonte për ta vënë të luajë u bë shkas një artikull që lexova në The Guardian, sipas të cilit militantët islamistë po e ndalojnë muzikën në zonën veriore të Malit.

Kush nuk e njeh muzikën e Malit, mjaft t’u kushtojë vëmendje fjalëve të Toumani Diabaté-s: “Kultura është nafta jonë… Muzika është pasuria jonë minerare.”

Diabaté dhe Ballaké Sissoko janë dy artistë të cilëve u kthehem shpesh – ka diçka të papërsëritshme, unike, në muzikën e tyre; ose më mirë, në shpirtin e Malit që përcillet nëpërmjet korës.

Kureshtarët do t’i ftoja të dëgjonin Chamber Music, një bashkëpunim të Sissoko-s me violoncelistin Vincent Segal; ose New Ancient Strings, ku Sissoko luan bashkë me Diabaté-n. Një album i ngjashëm, The Tel Aviv Session, ku izraeliti Idan Raichel luan së bashku me Vieux Farka Touré dhe muzikantë të tjerë nga Izraeli dhe Mali, në një sesion improvizues të vetëm, mund të dëgjohet i tëri falas, në këtë lidhje.

Te The Guardian lexoj se një grup militantësh islamikë vizituan këto ditë qytetin Kidal, ku e ka bazën banda e njohur Tinariwen. Ata lanë këtë mesazh për një prej muzikantëve lokalë: “Thuajini atij se nëse e sjell kokën prapë në këtë qytet, do t’ia presim të gjithë gishtat me të cilët i bie kitarës.”

Pastaj kjo çetë anti-muzikore u kujdes t’i marrë kitarat, amplifikatorët, altoparlantët, mikrofonat dhe një bateri nga shtëpia e muzikantit, t’u hedhë benzinë dhe t’u vërë zjarrin.

Se ç’janë këta islamistë që i kanë shpallur luftë muzikës në Mali, këtë s’e di kush; sikurse e thotë edhe autori i artikullit, këta duken më shumë të etur për para dhe pushtet, sesa për të ngritur kalifatin në Sahel.

Megjithatë, ka edhe të dhëna për lidhjet e tyre me salafistë tuaregë, në veri të Malit.

Deri edhe qyteti i Niafunké, në jugperëndim të Timbuktusë, ku i famshmi Ali Farka Touré pat qenë kryetar bashkie, ka rënë tashmë në duart e islamistëve; i biri i Aliut, Vieux, u detyrua të arratiset në Jug.

Disa përpiqen ta interpretojnë këtë marrëzi të islamistëve kundër muzikës si një reaksion ndaj komercializimit të muzikës së Malit dhe depërtimit kapilar të biznesit muzikor perëndimor në Afrikë.

Është i njëjti argument me atë që përdori Enver Hoxha kundër muzikës dhe artit shqiptar, në Plenumin IV në 1973; dhe motivimi duhet të ketë qenë i njëjtë – nevoja për të siguruar supremacinë.

Dhe meqë flasim për biznesin muzikor perëndimor, dje bleva në Amazon albumin e fundit të Elina Dunit, Matanë Malit, të cilin ajo e ka nxjerrë me shtëpinë diskografike jashtëzakonisht prestigjioze ECM – çka unë do ta konsideroja suksesin më të madh të një muzikanti shqiptar, dhe jo vetëm në zhanrin e jazz-it.

Mjafton t’i hedhësh një sy katalogut të ECM-së, për të parë se në ç’shoqëri fisnike është futur artistja shqiptare, të cilën kam pasur fatin ta dëgjoj live në Tiranë parvjet dhe tani do ta shoh besoj prapë në NYC.

Albumi i Dunit është edhe ai produkt i këtij bashkëpunimi mes një talenti lokal dhe një institucioni global, që ia mundëson artistes produksionin e një niveli të merituar dhe shpërndarjen anembanë botës.

Një recension i Matanë Malit, nga NPR, mund të lexohet këtu.

ECM, nga ana e vet, ka publikuar edhe albumet e mrekullueshme të Anuar Brahem-it, një artist tunizian; i cili do të kish mbetur i panjohur për mua, po të mos kish qenë ekspozimi i tij ndaj institucioneve prodhuese të muzikës, në Paris.

Ndonjë militant i rastit do të më kish privuar nga Thimar-i; album që nuk duhet t’i mungojë asnjë shqiptari muzikëdashës nga rafti i CD-ve.

Duke lexuar për marrëzitë e islamistëve në Mali, nuk mund të mos mendoja për magjinë e muzikës osmane, muzikës klasike arabe dhe perse, muzikës së sufive.

Këtë të fundit e interpreton me virtuozitet të rrallë Dhafer Youssef – këngëtar mistik, por edhe muzikant i oud-it, si Brahem-i.

Provoni të dëgjoni diçka nga ky album, ose ky tjetri.

Si kurrë më parë, Interneti sot të jep mundësinë për të ngjëruar ushqime shpirtërore nga më të vyerat, nga kultura nga më të ndryshme. Në këtë botë të lulëzuar, edhe pse gjithnjë të brishtë, lufta kundër muzikës është edhe luftë kundër dritës – ose përpjekje për të verbuar.

Nuk ka komente

  1. XhaXhai,
    ky shkrimi juaj eshte , jo i ndryshem , por i kundert ne thelb, me ate te meparshmin(T’i fryjme flamurit).
    Eshte i njohur qendrimi problematik i botes islamike ndaj artit, i cili qendrim duket mjaft qarte, sidomos , ne rastin e artit figurativ.Shembuj, per ta ilustruar kete fenomen, ka pafund.
    Ju e pelqeni kete lloj muzike;lexoni nje shkrim ne nje gazete prestigjioze, ku flitet per dhune ndaj kesaj muzike dhe muzikes ne pergjithesi;shprehni indinjaten tuaj per kete barbari, dhe une natyrisht i bashkohem, ashtu si edhe dashamiresit e tjere te artit e kultures , kesaj indinjate te sinqerte.

    Pak me poshte ju flisni per magjine e muzikes osmane, arabe, perse etj, edhe ketu nuk ka njeri , besoj, qe te mos jete dakord me ju .

    Kurse tek paragrafi i fundit i shkrimit tuaj, dalim tek thelbi i tij.Nuk ma merr mendja ,qe nje intelektual i nivelit tuaj te ndjehet i fyer nga veprimet e disa ekstremisteve, qe me shume gjasa ka mundesi te jene analfabete, krejtesisht analfabete! Fjale te tilla si :islamike, ektremiste islamike, fanatike islamike etj , ne te vertete, jane eufemizma, kudo dhe sido qe te perdoren ne kontekstin e kohes se sotme ne boten joarabe.
    Ajo qe dua te them , eshte se pse duhet t’i biesh nga Kina, kur rruga qe pret shkurt , ne kete rast, te nxjerr aty ku do te dalesh?!

    1. Në fakt, ky shkrim i dytë nuk ishte menduar si polemikë, por më shumë si meditim për fatin e muzikës që më pëlqen. Ka natyrë personale, dhe me atë rast ndaj me miqtë e mi edhe disa tituj dhe mbresa. Unë shpresoja që edhe ti të bëheshe kurioz, dhe të kërkoje të dëgjoje muzikën e Malit.

      Nga ana tjetër, meqë e ceke si temë në komentin tënd, mua më duket se salafistët dhe, në përgjithësi, frymëzuesit e qëndrimeve ekstreme në fe dhe në moral, mund të jenë gjithçka, përveçse analfabetë (ndryshe nga viktimat e tyre). Përkundrazi, analfabetët, në këtë histori, janë muzikantët lokalë dhe vijuesit e traditës muzikore.

    2. Do te jete me siguri problemi im, por nuk eshte e para here qe nuk e kuptoj se ku do te dale Oskeola me keto postime hermetike.

      Sa per islamistet, eshte shume sempliciste te thuash: ç’merremi me ta, jane analfabete. Ne Afganistan keta “analfabete”, qe ne fakt ishin profesore teologjie islame, ndaluan me ligj jo vetem muziken, por edhe buzeqeshjen ne publik dhe balonat qe ngrinin femijet ne ajer. Bota mbare u indinjua kur shemben me topa statujat gjigante te Budes. Nuk tha kush: mos u indinjoni se jane injorante!

      E pastaj nuk e mora vesh se ç’hyn ketu shkrimi i djeshem, ai i flamurit.

      Xha Xha, me sa duket paska nje kod te fshehte ne keto shkrimet e tua qe çoç i lidh bashke, mesazhe misterioze qe vetem ca si Oskeola i kuptojne.
      Pune dreqi… Ec e merre vesh!

  2. Faleminderit, Xha Xha, për sugjerimet muzikore, aq të vyera. Për të gjetur koncentrimin dhe forcat që të bëjmë gjërat që na pëlqejnë, jetojmë shpesh në një sistem të mbyllur, gati në “tenuta stagna”, siç thonë italianët. E bukur, edhe pse e rastësishme, loja e fjalëve ku, pas muzikës së Malit, prezantohet albumi i ri i Elina Dunit “Matanë…Malit” (titulli me fjalët që fillojnë me të madhe: konvencion anglosakson 🙂

    1. I madh je, Ben Dedja – s’më kish shkuar mendja për Malin, që i lidhka aq bukur të dy pjesët; ose më kish shkuar, por vetëm në pavetëdije!

    2. “Aty ku mali del jashtë kllapave të fjalës që e përshkruan, është poeti”. – Odiseas Elytis.

  3. “frymezuesit e qendrimeve ektsreme ne fe dhe moral, mund te jene gjithcka,pervecse analfabete(ndryshe nga viktimat e tyre)”,

    XhaXhai nuk kam cfare t’i komentoj ketij konstatimi.Eshte i sakte.

    Ceshtja eshte se kush jane frymezuesit, dhe a mund t’i quajme ato me emrin e e vertete , sepse salafistet , edhe ata, te frymezuar jane nga ana e tyre ..
    Dhe ketu dalim tek ceshtja tjeter e madhe:kurajoja intelektuale-kurajoja intelektuale per te identifikuar te keqen tek shkaku, dhe jo tek efektet !

    P.S:Edhe une u bera kurioz per kete lloj muzike,dhe e kerkova .Faleminderit.

    1. Nese kerkon shkakun, perpiqu fillimisht te kerkosh si shkak burimin prej nga frymezohen vepra te tilla si ajo e Ali Farkes. Me sa jam ne dijeni Ali Farka eshte vete mysliman i devotshem dhe disa prej teksteve te tij e marrin frymezimin pikerisht tek devocioni fetar i tij. ne kete plan, nese merr per reference ekstremistet duke ia faturuar fese se tyre shkakesine per djegiet e veglave muzikore, te pakten duhet te marresh po ashtu kete fe si shkak te frymezimit per te prodhuar kete muzike kaq te mire.
      Kjo besoj se eshte me afer objektivitetit.

  4. Shkruan:
    “Do te jete me siguri problemi im,por…”,

    me siguri qe eshte problemi yt, sepse nga komenti i XhaXhait duket qarte, qe ai me ka kuptuar shume mire.

    Shkrimi i djeshem hyn ketu sepse ka te beje me projektimin e se keqes, here tek serbet apo maqedonasit , here tek greket apo turqit e here tek tjera tek vehabistet, bie fjala, apo mormonet e deshmitaret e Jehovait!!

    1. Ah, po. Tani e mora vesh! Shume e thelle paska qene. Medemek e paskan pasur fajin vete ata muzikantet e Malit… Apo jo? Hej dreq! U ngaterrova prape me duket!

    2. Me ne fund e mora vesh! Fajin e ka imperializmi amerikan qe i ysht keta analfabetet. Vertet e thelle!

      1. Kush ka kohë, mund të ndjekë edhe debatin te komentet në vijim të artikullit të lartcituar, te The Guardian.

  5. Relapso,
    shiko , naiviteti yt eshte i tille , saqe edhe kur mundohesh te besh ironi, ben te te vije keq per ty!

    Mundohu te thuash mendimin tend, aq sa ke, dhe mos u druaj se si do ta prese XhaXhai apo kushdoqofte, sepse behesh qesharak .

    Pastaj, komentin une e kisha enkas per autorin e shkrimit, por nese ti ke ndonje gje, m’u drejto mua dhe jo dikujt tjeter.

  6. C’hyn ketu “imperializmi amerikan”?

    Relapso, kjo qe the me lart tregon shume per ty, se une zotni, qe ta dish ti, shkollimin e mesem dhe te larte e kam kryer ne kete shekull(XXI), jo ne ate te “imperializmit amerikan”, por sic thote ajo fjala: gjuha vete ku dhemb dhembi!

    (kam pershtypjen se terma te tille te jane ngulitur aq shume qe nga koha e diktatures , sa i perdor automatikisht , vend e pavend , duke mos e ditur se ai te cilit mundohesh t’i drejtohesh, medemek, me ‘ironi’, nuk ka te beje fare me kohen e diktatures, thjesht e vetem per arsye moshe!)

  7. I lexova komentet e The Guardian per temen.
    Si gjithnje, jane tipikisht te majte, deri ne bezdi.
    Fajin per zullumet e nje grush njerezish ne nje qoshe te Afrikes, ku jo shume larg prej aty, rrezik akoma ekziston kultura e kanibalizmit,e ka feja. Po tamam ajo. Ta zhdukim me rrenje e me dhemballe. Madje jemi qe jemi, ti zhdukim te gjitha. E te biem rehat. Tu kendojme pas saj, pa pushim e sa te na dale zeri tundjes se cices e te butit. Kur te lodhemi, te shkojme dhe te marrim pjese ne “incest fest” ne Harvard. Qe te zgjerojme horizontet me kulturen e “weird people”.WEIRD = western, educated, industrialized, rich, democratic people.

    Mbasi mbarova, i vetmi mendim qe me erdhi ne mendje ishte: le chapeau per popullin tim, racen time. Sa larg dhe sa afer.

  8. Faleminderit për informacionin dhe sidomos atë për Elisa Dunin. Desha të pyes edhe Benin nëse është Ben Dedja i De Radës.

  9. Ne shkrimin e mesiperm, autori shkruan, pervec te tjerash, per islamiste qe i kane shpallur lufte muzikes atje, dhe flet per te dhena qe i lidhin me salafistet tuarege etj.

    Njihet boterisht qendrimi kontraversial i botes islame ndaj artit,qendrim qe eshte i papajtueshem , ne disa aspekte , me mendesine perendimore , por edhe te pjeses tjeter te botes.
    Ne shohim efektet e ketij qendrimi tek ekstremistet, dhe i denojme apo kritikojme ato, kur ne fakt shkaku i vertete eshte vete ideologjia, doktrina islame, sepse pikerisht ketu e gjejne motivin shume ekstremiste apo sekte te tilla.Natyrisht qe ka edhe shtremberime per arsye te perfitimit politik, por kjo nuk e justifikon shkakun e vertete(gjithnje ne lidhje me kete aspekt:artin).

    Problemi tjeter eshte se intelektualet druhen ta thone kete, dhe kapen ne menyre perfide tek shfaqjet ekstreme!Shkurt fjala,druhen nga opinioni se mos konsiderohen si antimyslimane!

    Mendoj qe nje intelektual duhet t’i quaje gjerat me emrin e tyre te vertete. Ne rastin shqiptar, bie fjala, per ta bere nje gje te tille, kushti i pare , parakushti, do te ishte qe te mbahej nje baraslargesi nga fete e shumta ne vend.
    Kur te plotesohet ky kusht, atehere intelektuali e ka kredon morale ta quaje djallin me emrin e tij, pa friken e akuzes per anesi, sepse dihet qe djalli mund te shfaqet njesoj si me veladon e raso , ashtu edhe me callme apo si profet shetites leckaman!

    Mirepo , kushti i baralargesise ndaj feve , po te shohesh publicistiken shqiptare, ne pjesen me te madhe te saj, eshte jo i lehte per t’u permbushur.

    1. Nuk është se e njoh historinë e marrëdhënieve të Islamit me artin, por kam parasysh që Islamit i shoqërohet një traditë muzikore jashtëzakonisht e pasur; dhe është në raport me këtë traditë që flas për “ekstremistë”.

    2. Kerkon guxim te tepruar ta thuash kete. Nuk besoj se je studiues i teologjise Islame ne raport me artin, per te folur me kaq garanci per keto gjera. Sic e thote edhe Xhaxhai, historia e vendeve muslimane ka prodhuar aq art sa, logjika nuk te le te shkasesh per te nxjerre perfundime te tilla. Te pakten, kur pohon dicka, mos i nxirr perfundimet nga pergjithesime te parkes “dihet boterisht”, sepse ne fakt, asgje nuk dihet tamam ne kete bote.
      Keto gjera, dihen boterisht po aq sa, c’behet i njohur boterisht fakti qe ca idiote ne afrike u paskan vene bezinen veglave te nje artisti te madh nga Mali. Ky fakt eshte kaq periferik sa c’eshte edhe global, nepermjet Guardian-it. E keshtu fakti “boterisht i njohur”, prodhohet ne kete lidhje te ngushte periferi-qender te botes globale, ku periferia me e parendesishme merr aftesine per tu vendosur ne qender te vemendjes boterore. Pastaj gjithcka behet e njohur, dhe prej ketej burojne me pas te gjitha perceptimet, gjykimet e paragjykimet tona.

  10. Nuk e di por permendja e Dunit ne kete grup muzikantesh me duket jashte loje. Ndoshta jam pak radikal megjithate pa pasur qellim te ofendoj shijet muzikore te askujt po shpjegohem shkurt. Une mendoj se te gjithe artistet e permendur me larte jane muzikante (madje shumica prej tyre te shkelqyer). Ndersa Duni nuk eshte e tille. Ajo eshte thjesht nje xhonglere.

    1. Natyrisht, shijet nuk diskutohen. Le që pastaj, kur vjen fjala për muzikë jazz nga mëmëdheu, ndërhyjnë edhe faktorë sentimentalë, si në rastin tim, që gjithë jetën kam ëndërruar ta dëgjoj muzikën shqiptare të integruar në mjedisin jazz.

      Megjithatë, dhe pavarësisht shijeve të njërit apo të tjetrit, nëse Duni ka arritur të regjistrojë albumin e vet me ECM, kjo në vetvete provon cilësinë e muzikës së saj; se deri më sot nuk ka dalë njeri, burrë apo grua, që të mashtrojë Manfred Eicher-in.

      Ky është producenti që praktikisht ka zbuluar, të paktën për ne publikun e gjerë, muzikantë të kalibrit të Keith Jarrett, Jan Garbarek, Chick Korea, Gary Burton, Anouar Brahem, Pat Metheny, Ralph Towner…

      1. Dakort! Shpresoj qe Eicher te mos gaboje edhe kesaj radhe. Asgje personale me Dunin. Madje edhe une per te njejtat arsyet qe permend kam dashur fort qe te jete ashtu. Fatkeqesisht me ka zhgenjyer gjithehere…

  11. XhaXhai,
    duke pare qe kjo muzike te pelqeka shume, komentet e mia me duken krejt te teperta ne kete rast.Kerkoj ndjese per kete.

    1. Po pse vallë? Mua nuk m’u duk se ti kishe ndonjë problem me muzikën klasike osmane dhe arabe… as me muzikën popullore të quajtur ndonjëherë “orientale”, dhe që e gjen të rrënjosur thellë edhe në muzikën qytetare shqiptare – Shkodra, Elbasani, Prizreni, Tirana, sa për të sjellë ca shembuj të shpejtë. Shqipëria është edhe kryeqendra e bektashinjve, me të cilët, në mos gabohem, lidhet një traditë muzikore përsëri e jashtëzakonshme. Prandaj, ideja ime këtu nuk është të promovoj këtë lloj muzike (unë njoh disi reflekset e saj në xhaz, por kjo është punë tjetër); por të argumentoj se nuk ka asgjë esencialisht “islamike” në ndalimin e muzikës; “islamiste” ndoshta, por jo “islamike.” Lidhjet e fesë, dhe jo vetëm të Islamit, me muzikën njihen – krejt tradita muzikore klasike perëndimore rrjedh nga një kombinim i muzikës kishtare dhe i muzikës popullore, ku muzika kishtare luan rolin e fillesës më “intelektuale”; pa përmendur pastaj që, edhe ajo që e quajmë muzikë popullore, shpesh nuk është gjë tjetër, veç muzikë kishtare e shekullarizuar, e vulgarizuar, e ripërtypur në mënyrë të tillë, që t’u përshtatet kërkesave të folklorit.

  12. thanks xha xha u kenaqa me disa pjese nga “in the heart of the moon”. Vegla e kores, kuptohet tingulli i saj shume joshes.

    Me beri pershtypje njeri ketu me insistime te kota. Me duket si marke e njohur, apo sic i thone ndryshe xhakete e vjeter qe ti xha xha e ke flakur me kohe. A thua te kete nderuar nick-un?

  13. Dalan,
    mund te te permend vetem artin e piktures.
    E ke degjuar ate historine me ate turkun, para dy shekujsh, te cilit kur i treguan nje kale te pikturuar , i sillej rreth e rrotull piktures i shushatur, sepse nuk mund ta konceptonte dot nje kale ne dy dimensione;sepse ai nuk kishte pare kurre pikture ne jeten e vet;sepse feja e tij e ka te ndaluar nje gje te tille zotni Dalan!
    Ngjarja ka ndodhur ne Paris.

  14. XhaXha na ke kënaqur me këtë Dunin; nuk do ta besoja se do dëgjoja “Do marr Çiften do dal për gjah” në jazz dhe do më pëlqente kaq shumë 🙂 .

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: