PËR MUHAMETIN

Julius

Lajmi rreth 18 vjeçares Aishe Vata dhe vdekjes së saj tragjike, është mbuluar jashtë mase shumë prej shtypit të përditshëm. Nuk dua të futem nëpër detaje të ngjarjes, as me një përshkrim të thjeshtë të asaj që ndodhi, sepse dëshiroj të ndalem në disa aspekte të tjera rreth eventit. Kryesisht dua të ndalem në dy aspekte.

Besa

Prej shtypit informohemi se familja e Aishe Vatës kishte migruar nga veriu në fund të viteve 90′ dhe ishte vendosur në rrethinat e Durrësit, në fshatin Xhafzotaj. Dua të përqëndrohem pak tek impakti i kësaj lëvizjeje. Më bëri përshtypje sesi vrasësi pohonte që i ati i Aishes ia “kishte çuar të bijat vetë“, më pas artikulli informon më tej se dy motrat e vizitonin vrasësin rregullisht në shtëpinë e tij, për të ndihmuar të shoqen në punë të ndryshme.

Më bën përshtypje sesi trajtohej ky besim i babait të vajzës qoftë prej vrasësit, po qoftë dhe si gjest miqësie i babait ndaj komshiut të ri të atëhershëm, Shaban Norjes. Me gjasë mendoj se pas shpërnguljes nga rrethinat e Kukësit, në ato të Durrësit, Muhamet Vata dëshironte të vendoste marrëdhënie miqësie me fqinjët e rinj, dhe një mënyrë për të vendosur marrëdhënie të tilla, ishte t’i besonte kapitalin e vet social – dy vajzat e veta, “mikut” të ri. Muhameti i ardhur prej provincës, kishte idenë se marrëdhëniet midis njerëzve të vendosura në vendin e tij të lindjes do të ishin të ngjashme dhe do të ruanin të njëjtën dinamikë me marrëdhëniet e reja, megjithëse në tjetër kontekst. Provinca të siguron njohjen e mjaftueshme midis njerëzve për të mos shkelur mbi disa vlera  sepse ndryshe një komunitet i vogël dhe i izoluar do të reagonte ndaj ngjarjes, dhe Muhametit më së paku do t’i ofrohej një mbështetje morale në rast se pësonte gjë.

Ky besim i tepërt i Muhametit, apo tentativa për të riprodhuar marrëdhëniet e vjetra sociale në kontekstin e ri, i kushtoi shumë. Vërtet provinca ofron sigurinë në marrëdhëniet komunitare, por ka dhe kontekst të kufizuar, e për rrjedhojë pamundësi për tu shtrirë më tej. Në rast se do u ndodhte vajzave të tij gjë, do të kërkonte mbështetjen e njerëzve të fshatit a katundit të vet, e jo gjithë krahinës, as personave të autorizuar prej shtetit për të marrë përsipër padrejtësinë sociale të mundshme. Dhe pikërisht këtu fillojnë vuajtjet; pasi Muhameti merr vesh se vajza e vet po abuzohej prej Shaban Norjes, thjesht i ndërpret marrëdhëniet deri atëherë miqësore me të, kur një kontekst social i ndryshëm më i hapur dhe më civil, do i sugjeronte që të denonconte abuzuesin në organet përkatëse shtetërore. Por Muhameti, mendoj unë, nuk “i njihte” këto autoritete që prej provincës dhe nuk kishte mundësi të realizonte një akt civil i cili do e shpëtonte. Muhameti me të drejtë e përjeton ngjarjen nga njëra anë si tradhëti, përderisa i kishte ofruar besimin e vet komshiut të ri, ndërsa nga ana tjetër është…

Nderi

Me gjasë Muhameti për të jetuar merrej me punë të rëndomta, aq punë e aq mund sa mund t’i ofronte ambjenti i ri në të cilin ishte vendosur. Në kulturën e klasës punëtore provinciale, mashkulli në shumë raste është aseti i vetëm produktiv i familjes dhe mjeti i vetëm që ka – janë duart. Kjo e kufizon statusin e femrës në shoqëri. Ajo kësisoj përdoret vetëm për riprodhim e si monedhë shkëmbimi ka virgjërinë e saj, apo nderin. Nuk mund t’i kërkohet Muhametit t’i trajtojë të bijat ndryshe, ai nuk njeh tjetër mënyrë. Ideja për të ardhmen e të bijave, do të ishte ajo e statusit e martuar me dikë të përngjashëm me veten, një punëtor që punon e mundohet me duart e veta për t’ia dalë në jetë. Kur njërës prej vajzave i humb “nderi” i humb gjithashtu dhe mundësia për të patur një jetë familjare me një mashkull tjetër – që Muhameti tanimë t’i konsiderojë të bijat si barrë – duket e kuptueshme, prej këndvështrimit të tij të paktën.

***

Sa më sipër, duket se virtyte të mëdha shqiptare si besa e nderi, këto që i kemi aq përzemër dhe i reklamojmë, atrofizohen shkërmoqen dhe tjetërsohen e bëhen shkas të prodhohen ose të thellohen ngjarje tragjike. Muhameti u përpoq të riprodhonte institucionin e besës në vendbanimin e ri, por pa sukses, u përpoq të mbronte nderin e familjes, duke fshehur abuzimin ndaj fëmijës së tij, duke mos denoncuar dhe këto (ndër të tjera) i sollën vdekjen të bijës. Këto koncepte “të lashta e të hijshme shqiptare”, do të duhet të rikonceptohen së paku, kështu si janë nuk u mundësojnë njerëzve t’i riprodhojnë si vlera dhe të marrin si shpërblim epitetet “i ndershëm” dhe i “besës”. E megjithatë, Muhameti sipas mendjes së vet, edhe i besës u tregua dhe i ndershëm u mundua të ishte – sipas konceptit arkaik që ia sugjestionojmë vetes këto virtyte.

Mua më duket shumë e padrejtë një shoqëri civile e cila nuk merr mbi vete asnjë lloj përgjegjësie, dhe nga ana tjetër është e zellshme të vendosë gishtin mbi ata që presupozon si fajtorë. Një nga këta njerëz, mendoj, është Muhameti. Në pamundësi për të jetuar në ambjentin e vjetër me vlerat dhe idealet që njeh, detyrohet të shpërngulet diku tjetër; në një botë të re që funksionon ndryshe, vetëm orientimi në të është i vështirë. Muhameti në këtë kontekst, e ka të pamundur të aktivizojë busullën e vet morale dhe të orientohet në të. Disa lloj ndërshkëmbimesh sociale mes tij dhe ambjentit të ri dështojnë, dhe kështu dështon edhe ai për të siguruar normalitetin e tij, më tej busulla e vet morale e vlerave shkatërrohet – mund t’ia bëjmë një lexim të tillë mohimit për të varrosur të bijën.

Këtu ka shumë vend për të medituar, njerëz që migrojnë, shkëputen prej ambjentit të njohur ku kanë lindur e janë rritur, janë të gjithë viktima potenciale të ndryshueshmërisë, kur përballen me ambjent të ri e vlera të reja. Nuk besoj se u përshtatet identifikimi as si “viktima”, por as si “kriminelë”, një shoqëri e tërë qëndron pezull, shumë herë e vendosur nën peshën e këtyre njerëzve dhe shumë herë duke u vendosur mbi ta e duke i shtypur. Gjithsesi duhet gjetur një zgjidhje…

Nuk ka komente

  1. Ne kete histori nuk eshte permendur fare se çfare i kane mesuar kesaj vajze ne shkolle, e cila ashtu si familja luan rol kryesor ne edukimin e njeriut ne kohen tone. Kur isha ne shtator ne Tirane degjova qe atje ka nje medrese. Tani po degjoj se paska nje tjeter edhe ne Durres. Çfare programi mesimor zbatojne keto shkolla? A jane ato nen kontrollin e vazhdueshem te Ministrise se Arsimit? Ne Evrope shkollat qe administrohen nga Kisha Katolike jane te detyruara te zbatojne program qe kane dhe shkollat publike. Ështe thene vetem qe ishte besimtare. Por ka besimtare e besimtare. Mua me duket se prerja e kokes dhe martesa me burra pleq praktikohen nga fanatiket mysylmane.

  2. pasi Muhameti merr vesh se vajza e vet po abuzohej prej Shaban Norjes, thjesht i ndërpret marrëdhëniet deri atëherë miqësore me të, kur një kontekst social i ndryshëm më i hapur dhe më civil, do i sugjeronte që të denonconte abuzuesin në organet përkatëse shtetërore. Por Muhameti, mendoj unë, nuk “i njihte” këto autoritete që prej provincës

    E pra, ja qe ‘pashaportizimi’ ishte nje politike me mend. Vajza do ishte gjalle sot.

  3. Sipas ketij teksti, e vetmja konstante vlerash dhe morali i bie te jete pedofili dhe vrasesi Shaban Norja. Nuk kam lexuar ndonjehere koment – analize s’mund ta quaj – me allogjik, ku ngjarjet dhe vlerat kthehen kembeperpjete. Ndoshta per autorin/en si dhe per shume shqiptare do te kish qene me e plote tablloja, nese Muhamet Vata do kish “marre hak sipas kanus”.
    Me aq sa lejon kjo mjegullnaje informacioni per kete rast makaber dhe gjithnje duke marre parasysh qe nje pjese te mire te tij e kemi direkt nga goja e kriminelit, nuk shoh ndonje gabim ne sjelljet e Muhamet Vates. Ne thelb te veprimeve te tij ka qene mirebesimi tek vajzat e tij dhe tek komshiu. Ai duket se eshte nisur nga principi, se ne parim te gjithe njerezit jane te mire. Keshtu ai, ne kushtet e nje shoqerie ku parimisht njeriu per njeriun eshte ujk, mund te quhet si i njerezishmi, mirebesuesi i fundit. Nderkohe qe komshiu i tij kish kohe qe kish mberritur ne realitetin e vlerave, qe mundohet ta justifikoje shkrimi i mesiperm.
    Ne sjelljen e Muhametit nuk shoh asnje tipar arkaik, kulturalist qe aq kollaj ua veshim “malokeve”, “ceceneve” etj. Perkundrazi, perkunder gjithe abuzimeve te publikut e gazetareve, prej te cileve pati edhe te tille qe ne diten e varrimit e pyeten, nese e kish vrare ai te bijen, me eshte dukur njerezor, i durimshem, mirebesues.
    E cuditshme qe shkrime te tilla me vlera dhe interpretime te kthyera me koke poshte arrijne te botohen edhe ne nje blog te tille.

    1. Më saktë do të ishte sipas mendjes tënde, dhe jo tekstit. Teksti nuk thotë gjë apo gjëkund se vlera e vetme konstante është vrasësi.

      Aludimet më tej, mbaji për vete, po ke xhepa, fute në xhep dhe mbaje aty.

      Personazhi i Muhametit nga unë, është parë me shumë dashamirësi. Madje një prej nxitjeve që më bëri të shkruaj, ishte ideja e përhapur nëpër media dhe opinionin publik se “këta njerëz janë kafshë” etj… – sidomos pas refuzimit të familjes për të varrosur vajzën. Këtu po analizoj mekanizmin e sjelljes, një arsye për mendimin tim se pse Aishja u vra, është mosdenoncimi. Përse nuk e denoncoi i ati dhunuesin e të bijës? Tani, të nxjerrësh në pah mungesën e një akti civil që është tepër i përhapur në shoqëri, siç është denoncimi, nuk do të thotë se këta njerëz i bën “kafshë” apo “malokë”. Përkundrazi, denoncimi është një akt i cili mund të shpëtonte jetë në këtë rast.

      Tjetër debat është kuptimi i vlerave tona tradicionale, a kanë mundësi të aplikohen pa u reformuar më parë? Mendimi im është jo, nuk është e mundur. I duhen përshtatur kontekstit social në të cilin jetojmë.

      1. Qe te mungon kultura, fjalori dhe gramatika e debatit, e tregon nje shprehje si: “Aludimet më tej, mbaji për vete, po ke xhepa, fute në xhep dhe mbaje aty.”

        Sa per vleresimin tend gjoja dashamires per Muhametin, kete me qarte e tregojne shprehjet e tua nencmuese per te ne tekst. Ndoshta nga kali i larte i moralit, ne te cilin ke hipur, vetja te duket si gjykates moral, si masa e vlerave, per t’i treguar “malokut” se c’duhej te kish e mos kish bere.

        Thua: “Në kulturën e klasës punëtore provinciale, mashkulli në shumë raste është aseti i vetëm produktiv i familjes dhe mjeti i vetëm që ka – janë duart. Kjo e kufizon statusin e femrës në shoqëri. Ajo kësisoj përdoret vetëm për riprodhim e si monedhë shkëmbimi ka virgjërinë e saj, apo nderin. … që Muhameti tanimë t’i konsiderojë të bijat si barrë – duket e kuptueshme, prej këndvështrimit të tij të paktën”

        Si shpjegohet atehere qe ky Muhamet jo vetem nuk i konsideron vajzat e tija si barre, por pikerisht Ajshes i mundesoi studimin e infermierise, te cilin ajo duhet ta kishte nisur keto dite? Nga e merr guximin te flasesh nga “kendveshtrimi i tij”? A mos e ke intervistuar gje? Me cfare te drejte i mevesh Muhametit klishe pergjithesuese qe ekzistojne vetem ne koken tende?

        E akuzon Muhametin, se deshtoi ” të denonconte abuzuesin në organet përkatëse shtetërore.” dhe se “nuk “i njihte” këto autoritete që prej provincës dhe nuk kishte mundësi të realizonte një akt civil i cili do e shpëtonte.”

        E para, ku e di ti, pervec prej thashethemnajes dhe spekullimnajes se mediave, se Muhameti mesoi dicka paraprakisht per abuzimin, por e kaperdiu ne heshtje? Dhe e dyta, me cfare te drejte i mohon Muhametit civilizimin, duke e akuzuar se ai nuk e njeh autoritetin e shtetit, se mbetet provincial, peng i tradites, arkaik?

        Thua: “njerëz që migrojnë, shkëputen prej ambjentit të njohur ku kanë lindur e janë rritur, janë të gjithë viktima potenciale të ndryshueshmërisë, kur përballen me ambjent të ri e vlera të reja.”

        Se fundmi, ja edhe ku e nenkupton, se Aishja dhe Muhameti kane rene pre e “vlerave te reja” ne ambjentin e ri te Shqiperise se mesme. Ne fakt, ata jane viktime jo e vleres, por e antivleres, e personifikuar ne individin Shaban Norja. Pedofilia, vrasjet me kontekste seksuale etj. jane shtuar ne gjithe Shqiperine. E megjithate keto fenomene nuk jane vlera shoqerore, por krime individuale, ku edhe krimineli edhe viktima jane individe, pavaresisht statusit te tyre si emigrante te brendshem apo vendas prej brezash.

        Sjellja e kryefamiljarit Muhamet ne nje situate te tille eshte per t’u admiruar. Nuk degjuam prej tij thirrje per gjakmarrje, por perkundrazi per qetesi ndaj femijareve te vrasesit. Gjithashtu reagoi si zotni ndaj provokimeve te gazetareve, te cilet shpejtuan ta dyshojne vrasesin tek vete Muhameti. Para gjithe ketij qendrimi njerezor dhe dinjitoz, komentet e tua te siperpermendura synojne te na mbushin mendjen, se kemi te bejme me nje sjellje tipike prej arkaiku. Ne kete rast une do te thoja, qe nuk eshte Muhameti viktime e konfuzionit te vlerave ne shoqerine tone, por jane vete opinionberesit si ti dhe gazeteret ne fjale. Jo rralle ju vete krijoni problemin, qe pastaj hamendeni ta zgjidhni.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin