VALËVITJE

flamuri shqiptar ne RomeMë 10 tetor 2009, në sheshin e famshëm Navona të Romës, sindikata italiane Cisl organizoi një manifestim në mbrojtje të imigrantëve dhe të drejtave të tyre. Organizatorët, për t’i shpëtuar instrumentalizimit politik, kishin njoftuar paraprakisht se tubimi ishte vetëm sindikal. Në fakt, në tribunë folën vetëm sindikalistë italianë dhe të huaj, ndërsa në shesh valëviteshin vetëm flamujt e federatave të Cisl-it. Me një përjashtim: flamurin shqiptar.

Nisma e mësipërme përbënte lajm të njëmendtë. Për herë të parë në historinë italiane manifestuan policët edhe imigrantët, së bashku në të njëjtin shesh, të gjithë me bindjen se vetëm politikat e integrimit do ta nxjerrin shoqërinë italiane nga rrethi vicioz i frikës ndaj Tjetrit ku është hedhur qëllimisht. Lajmin e kapi me inteligjencë edhe televizioni shqiptar, që e dha objektivisht, duke vënë në qendër, siç i takonte krejt natyrshëm, flamurin shqiptar që valëvitej në sheshin Navona.

Mirëpo, hiq lajmin dhe vlefshmërinë e tij, pyetja që mbetet është kjo: ç’bënte flamuri shqiptar mu në mes të Romës? Në sytë e telespektatorëve të Tiranës prania e tij e kishte kuptimin: në atë shesh gjendeshin edhe shqiptarë. Veçse, i parë në atë shesh, qenia e flamurit shqiptar, përmbante një farë ambiguiteti. Kjo për shkak të vetmisë së tij: në shesh nuk kishte flamurë të tjerë të huaj, madje as italianë, por vetëm të sindikatës. flamuri shqiptar ne Rome1Flamuri kryesisht shenjon përkatësi, ndaj ka mundësi që të pranishmit ta kenë interpretuar si prani të shqiptarëve në manifestim. Por si shpjegohet që mijëra emigrantë të tjerë, të lloj-lloj kombësive, nuk e kishin marrë me vete flamurin e vendit të tyre? Përse vetëm shqiptarët? Pyetja ishte e pashmangshme, madje ndoshta po e bënte edhe vetë shqiponja dykrenare në sheshin e famshëm romak.

Pavarësisht se funksioni i përkatësisë etnike sikur e ka monopolizuar rolin e flamurit, dihet se funksioni i tij kryesor është të komunikojë. Edhe pse radistët dhe sonaristët janë përpjekur t’ia heqin rolin komunikues, edhe sot e kësaj dite në det komunikohet shpesh nëpërmjet flamurit. Mirëpo, funksioni komunikues i flamurit varet shumë nga lloji dhe konteksti ku përdoret. Në paradë përshenjon diçka, në stadium diçka tjetër, përballë avionit sinjalizon diçka, përballë anijes diçka tjetër. Për nga mesazhi i kumtuar, flamuri në bedenat e kështjellës nuk ndryshon shumë nga ai i selisë presidenciale. Por në përgjithësi, me përjashtim të flamurit të paqes, të tjerët komunikojnë përkatësi kombëtare.

flamuri shqiptar ne Rome2Ndoshta pyetja e mësipërme duhet riformuluar: përse shqiptarët me flamur në dorë donin ta komunikonin përkatësinë e tyre kombëtare? Këtu hyn detyrimisht në lojë situata e tyre në Itali. Pas vitesh të tëra mimetizmi social të induktuar, pas përsosjes së teknikave të kamaleontizmit identitar, sipas gjasës ka ardhur çasti i shprehjes së identitetit të reprimuar. Shqiptarët ndoshta nuk e ndjejnë mbi supe peshën e rëndë të diskriminimit, ose të paktën trysninë mediatike kundër tyre, ndaj u vjen natyrshëm ta nxjerrin nga shtëpia flamurin kuqezi. Mirëpo kjo përgjigje, edhe pse e vlefshme, nuk mund të shpjegojë gjithshka. Përse sheshi Navona nuk hijeshohej nga flamurët rumunë? A nuk janë këta më të stigmatizuarit aktualisht në Itali?

Këtu do të na hynte në punë historia e përdorimit të flamurit shqiptar. Në vitet totalitare flamuri i nënshtrohej përdorimit zyrtar. Si të thuash, titullar i simbolit të përkatësisë kombëtare ishte regjimi vetë. Në fakt, nuk ishte e zakontë që familjet shqiptare ta kishin flamurin në shtëpi. Monopoli i përdorimit të shqiponjës dykrenare në sfond të kuq nuk vihej në diskutim. U desh të vinte pluralizmi që flamuri shqiptar të shumëfishohej dhe të tregohej në publik, edhe pse përdorimi i tij ka nevojë për hulumtime të tjera. Në qoftë se përballë selisë së OKB flamuri tregon mbështetjen e kombit shqiptar, gjatë vizitës të aksh personaliteti të huaj në Shqipëri përshenjon mbështetjen e popullit shqiptar, në tubimet elektorale ai tregon se shumica e qytetarëve votojnë forcën përkatëse politike. Po në majë të çatisë në ndërtim, ose të ballkonit të pasuvatuar ende, ç’kuptim merr flamuri ynë? Fakti është se shqiptarët janë ende larg nga përdorimi masiv, herë naiv dhe herë kitsch, që i bëjnë amerikanët flamurit të tyre. Ndërkohë paralelizmat për lidhjet përkatëse me kombëtarizmin do të dukeshin të guximshme e do të na çonin diku tjetër. Megjithatë, nuk duhet të habitemi nëse dikush mund të na pyesë nesër se mbi cilin flamur betohemi, sipas trajtimit të shkrimit të Xha Xhait me titull “Ne meksikanet” .

Flamuri është nga ato simbole që varen shumë nga konteksti. Tjetër kuptim ka flamuri kuqezi në Shqipëri e tjetër kuptim ka jashtë shtetit. Madje mund të thuhet se kuptimi i flamurit formësohet nëpërmjet ballafaqimit, nëmos kundërvënies. Edhe reagimi ndaj flamurit ndryshon në vartësi të vendit ku ai ngrihet. Të tjera emocione ngjall në Prizren, të tjera në Tiranë e të tjera në Perëndim. Të tjera në shesh e të tjera në stadium. Natyrisht, me kontekst nënkuptoj edhe kohën, pra jo vetëm hapësirën. Flamuri shqiptar i ngritur në Prishtinë, ka përftuar kuptime të ndryshme sipas periudhave të ndryshme. Jo vetëm gjatë zgjedhës serbe, por edhe sot, pas adoptimit të flamurit të ri kosovar, flamuri kuq e zi do të kishte një kuptim tjetër në rrugët e Kosovës.

flamuri shqiptar ne Rome3Kam përshtypjen se ndonjëherë flamuri valëvitet më shumë për efekt të refleksit të kushtëzuar se sa për ndonjë kuptim të posaçëm. Herë tjetër, dhe kjo përtej sheshit të Romës, flamuri valëvitet nga duar që e marrin energjinë nga një lloj kombëtarizmi folkloristik. Në këtë rast flamuri përdoret njëlloj sikurse veshjet tradicionale. Dilet në shesh duke komunikuar përkatësinë etnike pa ndonjë nënkuptim tjetër. Gisht duhet të ketë edhe vlera estetike që u atribuohet zakonisht flamurëve kombëtarë. Në një farë mënyre përdorimi i flamurit është ritualizuar. Pak a shumë si gjatë festës kombëtare që kremtohet jashtë shtetit. Është një mënyrë për t’u takuar me të njohurit, miqtë, autoritetet, dhe për të bërë ndonjë thashethem mes bashkatdhetarësh. Ndoshta takimi ka edhe vlerë nostalgjiko-kulinare, por kjo varet nga organizatorët…

Personalisht e kam vlerësuar mungesën e flamurëve indianë në sheshin Shën Pjetër të Romës, ditën e lumturimit të Nënë Terezës, ndërkohë që flamurët shqiptarë, edhe pse të mirëkuptueshëm, ishin në caqet e ekzibicionizmit; natyrisht, po të mbajmë parasysh historinë e shenjtores shqiptare dhe universalitetin e mesazhit të saj human të jashtëzakonshëm. Dikush mund t’ia faturojë mbiekspozimin e simbolit kombëtar protagonizmit të munguar të shqiptarëve për shumë kohë në arenën ndërkombëtare; ndokush tjetër ndjenjës së inferioritetit latent; shumëkush reagimit ndaj diskriminimit të emigrantëve në vitet ’90; të tjerë parazitarizmit historik dhe tundimit për të përvetësuar kulturorisht arritjet e të tjerëve.

Nuk dua të shkruaj traktatin e përdorimit të flamurëve kombëtarë. Desha vetëm të hedh për diskutim disa mendime lidhur me arsyet që i shtyjnë shqiptarët ta valëvisin simbolin kryesor kombëtar. Desha gjithashtu të nënvizoj se prania e flamurit duhet shqyrtuar sipas rastit, pra duhet gjithnjë kontekstualizuar. Nuk e preka lidhjen e padiskutueshme që ka kombëtarizmi me flamurin. Ky i fundit e arrin apoteozën e vet në periudha kur kombëtarizmi triumfon publikisht. Kam përshtypjen se kur shqiptarëve nuk u vjen aq natyrshëm valëvitja e simbolit kombëtar, kjo ndoshta shkaktohet nga komplikacionet që kombëtarizmi sjell pashmangshmërisht me vete. Këtu duhet kujtuar edhe ndikimi i kozmopolitizmit që i ka rrënjët në Tiranën e hershme të elitave filoperëndimore.

Në vend të përmbylljes mund të vihen disa pika mbi “i”. Së pari, duhet thënë se valëvitja e flamurit nuk është asnjëherë veprim asnjanës. Së dyti, duhet pranuar se flladi i valëvitjes së flamurit kombëtar i kënaq të gjithë pothuajse instinktivisht, sepse përkëdhel thelbin e identitetit kombëtar, por ndonjëherë ai përkund arsyen në krahët e emocioneve, për të mos thënë se krijon edhe tabu të vërteta rreth flamurit. Së treti, duhet dalluar përdorimi i flamurit në mënyrë vullnetare e/o amatoriale, nga përdoruesit dhe përfituesit “profesionistë” të këtij simboli, për të mos folur për manipuluesit. Dallimi duhet bërë sepse valëvitësi jo gjithnjë është i vetëdijshëm se po përdoret për qëllime të tjera.

Tani edhe mund t’i kthehemi pyetjes fillestare për flamurin në sheshin e njohur të Romës. Mirëpo, pas këtyre paragrafëve, nuk besoj se ka shumë rëndësi të dimë arsyet e pranisë së tij. As emrin e valëvitësit, që mund të isha edhe unë dora vetë. Rëndësi ka diçka tjetër: sa herë që shohim flamurë, mirë është t’ia bëjmë ndonjë pyetje vetes. Madje edhe kur është i yni, madje edhe kur krenaria na bën të shohim vetëm kuqezi.

3 Komente

  1. Javën që shkoi isha në një kongres mbi transplantet në Lido (Venezia), në Kazinonë e vjetër, ngjitur me Pallatin e Filmit, ku përvit zhvillohet Festivali Kinematografik. Sezoni turistik tashmë kish kaluar, ndërtesa e famshme aq-shpesh-e-fotografuar ishte e mbyllur, punime zhvilloheshin në sheshin përpara saj dhe Kazinosë. Një erë e ftohtë trazonte detin dhe mirëqenien e pak kalimtarëve atypari. Dolëm në mbrëmje nga dita e parë e kongresit të lodhur, puna në shesh kish mbaruar, kur njëri nga kolegët befas thirri: “Arben, shih pak lart…”. Ngrita kokën dhe vura re që Pallati i Filmit kishte shtiza flamurësh gjatë gjithë perimetrit të tij, dhe ato shtiza ishin tashmë bosh, me përjashtim të shtizës së dytë (Algeria, Albania…) ku valëvitej Flamuri shqiptar. Mendova se punëtorët e mirëmbajtjes duhet të kishin marrë urdhër t’i hiqnin më në fund flamurët shtetërorë prej aty dhe (supozova) ndonjëri, ndoshta më shumë se një, prej tyre do të ishte shqiptar dhe, ashtu për qejf, e kish lënë flamurin e vet ca më shumë se të tjerët, një ditë a dy, të valëvitej erës së tetorit.

  2. Dje doli ne qarkullim libri i Nathalie Clayer: Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, i perkthyer nga Dr. Artan Puto. Jua sugjeroj ta lexoni, per disa nje risi e per te tjere ketu si mua e te tjere nje konfirmim i asaj qe kemi menduar dhe rithene (veshtrimin e kombetarizmit shqiptar nga teorite konstruktiviste), ndersa per te tjere nje sulm tjeter ndaj shqiptarizmes shqiptare.

    Ne fakt mua Pishak do te me interesonte te dija se kush ishte ai dhe pse e kishte sjelle flamurin. Psh. mund te ishte nje lloj bashkesie shqiptare brenda sindikates te CSL.

    Ose eshte ajo cfare mendoj une. Se duke qene se sindikatat po humbin shume anetar keto vite, edhe pse retorikes kundra te huajve, per shkaqe qe merren me mend (humbja e punes si pasoj e krahut te lire te punes se emigranteve) u duhet tashme te te ndryshojne politike dhe te pervetesojne (pronesojne) ca ceshtje si ajo e emigranteve per te thithur anetar.

  3. E lashe pergjysem analizen, per ta vazhduar me vone […]

    [Lutem le t’i lëmë jashtë komenteve emrat e përveçëm të personave jo publikë. 2Xh]

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin