DHJAMË NGA PLESHTI

Pak ditë më parë, duke folur për një çështje të mprehtë administrative, siç është teksti i Himnit kombëtar, kryeministri i Republikës së Shqipërisë Sali Berisha tha disa gjëra të çuditshme.

Dhe i tha këto duke nyjëtuar një çështje krejt të paqenë, siç është ajo e një strofe që kinse i është hequr Himnit por i duhet shtuar; dhe pikërisht e asaj strofe ku përmendet Zoti:

Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmbi dhé,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!

Kjo strofë, e tekstit të dobët të Asdrenit, që ia pat tërhequr vëmendjen edhe Kadaresë, në një ese të paradokohshme (“Mosmarrëveshja”), spikat jo vetëm ngaqë aty përmendet i Gjithëfuqishmi, por edhe për vargun e fundit, “për të, për të luftojmë ne!” që mund të jetë nga më të këqinjtë, si vargje, në historinë e poezisë shqipe.

Gjithsesi, Asdreni ka shkruar edhe poezi më të mira.

Për t’u kthyer tani te “eksternacioni” i Berishës, çudia e tij nis që me faktin se këtë strofë të himnit e gjen edhe në vetë faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, prandaj nuk kuptohet se ku u dashka ‘kthyer’. Ndoshta kryeministri e ka fjalën që himni të këndohet i plotë në ceremonitë e ndryshme, por kjo është çështje protokolli, jo censure.

Pse u dashka ‘kthyer’ kjo strofë në vëmendjen e publikut shqiptar ceremonial?

Sipas kryeministrit shqiptar, kjo duhet bërë ngaqë

Apeli i shqiptarëve tek Zoti është apeli më i drejtë, se Zoti dhe kombi janë një dhe të pandarë. Dashuria për kombin buron nga fryma e Zotit, ndaj duhet të shihen modalitetet se si të kthehet kjo strofë.

E pranoj që nuk jam specialist në fushën e teologjisë, por nuk besoj duhet të jesh specialist i tillë, që të habitesh me pohimin se “Zoti dhe kombi janë një dhe të pandarë.” Në vështrim të parë, ky pohim e njëson Zotin me kombin, çka tingëllon absurde, edhe pse – siç mund të pritej – në linjë me vargun e Pashko Vasës se ‘feja e shqyptarit asht shqyptaria’; por kryeministri e merr idenë e Rilindësit dhe e shndërron në një karikaturë, me efekt kundërprodhues.

Në qoftë se maksima e Pashko Vasës do të thotë se për individin kombi dhe Perëndia janë një, atëherë kemi të bëjmë, sipas meje, me një formë nga më primitivet dhe folkloriket të bestytnisë.

Vetë Berisha, i improvizuar teolog, e shpjegon idenë e vet të mahnitshme: “Dashuria për kombin buron nga fryma e Zotit.”

Po çfarë do të thotë kjo? Edhe sikur ta marrim për të mirëqenë se dashuria për kombin buron nga fryma e Zotit, që këtej nuk rrjedh gjë se “Zoti dhe kombi janë një dhe të pandarë.” Pastaj, me sa di unë profani, fryma e Zotit na kërkon dashuri për Tjetrin, jo për kombin; madje thelbi i dashurisë për Tjetrin është se e sheh këtë si vëlla, pavarësisht se kujt kombi, race, shtrese ose kategorie tjetër i përket.

Besimtarët bashkohen në besim, jo në komb!

Edhe për të krishterët, edhe për myslimanët, feja vjen para përkatësisë kombëtare – sikurse e dimë të gjithë.

Që këtej edhe një pyetje e nënrenditur, të cilën e kemi shtruar edhe më parë: Cilit Zot i referohet kryeministri shqiptar? Zotit të krishterë, apo Zotit të Islamit? Apo Zotit inert të deistëve?

Këtë nuk e dimë. Duke e njohur kryeministrin shqiptar, të paktën në mënyrën si i paraqitet ai publikut, na duket se ai dëshiron të jetë njëkohësisht edhe i krishterë edhe mysliman, sipas rastit dhe nevojës; duke e shprehur, në mënyrë oportuniste, ekumenizmin jo në doktrinë, por në vetë personin e tij konkret.

Nëse çalon si besimtar, Berisha lë për të dëshiruar edhe si patriot. Ai flet për ‘dashuri për kombin’ – edhe ky një nocion relativisht i diskutueshëm, meqë zakonisht flasim për ‘dashuri për atdheun’; dhe unë, në fakt, nuk përfytyroj dot një njeri që të ketë dashuri për kombin – por kjo mund të jetë, fare mirë, mungesa ime.

E megjithatë, edhe sikur të pranojmë se me këtë ‘dashuri për kombin’ kryeministri shqiptar ka parasysh patriotizmin, ose atdhedashurinë, përsëri nuk ka asnjë arsye pse ta lidhësh këtë me ‘frymën e Zotit’ dhe të shpjegosh se buron prej ‘kësaj fryme’; sepse Zotit, edhe sikur të merrej vërtet me punët tona, nuk do t’i bëhej shumë vonë për shqiptarët, moldavët, islandezët, jemenitët ose japonezët si të tillë; por më tepër për marrëdhënien shpirtërore të çdo individi me hyjnoren; por edhe sepse ka një numër të madh atdhetarësh të mirëfilltë, mes shqiptarëve dhe mes çdo kombi tjetër, të cilët nuk besojnë në Zot, as kanë gjë kontakt me ‘frymën e Zotit’, ciladoqoftë kjo.

Këtij argumenti nuk mund t’i përgjigjesh me kundërargumentin se ‘nga fryma e Zotit buron gjithçka’ madje edhe ateizmi vetë, meqë ky kundërargument është kaq i gjerë, sa nuk vlen në asnjë debat.

Një interpretim i tretë i mendimit të kryeministrit, do të ishte se vetë Zoti u kërkon shqiptarëve që ta duan kombin e tyre – por tashmë kemi zbritur në nivele infantile, të cilat është më mirë t’i lëmë të patrazuara më tej.

Një interpretim i katërt, i këtij mendimi të hatashëm, do të ishte se shqiptarët janë të zgjedhurit e Zotit – sikurse e cek, në mënyrën e vet, edhe strofa e Asdrenit, kur flet për kombe që shuhen dhe për Shqipërinë që do të rrojë; kështu hyjmë në ujëra mistike, ku nuk mund të lundrojmë më nëpërmjet arsyetimit. Njëlloj do të ishte, në këtë rast, të hidhnim edhe një hap tjetër, dhe ta pranonim se, tek e fundit, edhe kryeministrin Sali Berisha vetë Zoti e ka vënë në krye të kombit shqiptar.

Oportunizëm apo misticizëm? Siç më duket mua, duke u shprehur sikurse e cituam, kryeministri Berisha e mban një këmbë në kalkulime të përfitimit politik dhe një këmbë në irracionalitet; dhe është fare e natyrshme, për një malësor si Berisha, të rritur në kushtet aseptike të ateizmit të thatë enverist, që feja t’i rikthehet atij në moshë të thyer, në trajta të supersticionit.

Nuk ka komente

  1. Asdreni

    Betimi mi flamur

    Rreth flamurit të përbashkuar
    Me një dëshir’ e një qëllim,
    Të gjith’ atij duk’ iu betuar
    Të lidhim besën për shpëtim.
    Prej lufte veç ay largohet
    Që është lindur tradhëtor,
    Kush është burrë nuk frikohet,
    Po vdes, po vdes si një dëshmor!

    Në dorë armët do t’i mbajmë
    Të mprojmë atdhenë më çdo kënt,
    Të drejtat tona ne s’i ndajmë;
    Këtu armiqtë s’kanë vënt.
    Se Zoti vetë e tha me gojë
    Që kombe shuhen përmbi dhe,
    Po Shqipëria do të rrojë;
    Për të, për të luftojmë ne!

    O flamur, flamur, shenj’ e shenjtë,
    Te ty betonemi këtu,
    Për Shqipërin’ atdhen’ e shtrenjtë,
    Për nder’ edhe lavdimn’ e tu.
    Trim, burrë quhet dhe nderohet
    Atdheut kush iu bë theror;
    Për jet’ ay do të kujtohet
    Mi dhet mi dhet si një shenjtor!

    Po ti lidhësh fijet, duke patur parasysh vjershën dhe jo strofën, një interpretim mund të merret duke u nisur nga vargu i fundit.

    ***
    Por mua më intereson më tepër të di mendimin tënd në veçimin e një vargu si një nga më të këqinjtë në historinë e poezisë shqipe.
    Për vete, kur kam nisur të kërkoj 100 poezi si më të mirat e shqipes, kam vënë disa kritere, mes të cilave nuk kam parashikuar që ato me ndonjë varg të keq të mbeteshin jashtë, me frikën se mos nuk gjendeshin dot as dhjetë, si dhe ato ngritur mbi ide të mëparshme të një bote që kishte mijra vjet që shkruante në gjuhë të tjera se mos nuk gjendej dot asnjë.
    E lexoj edhe njëherë tekstin, e ca pyetje e përgjigje buisin. Psh. për kë atdhe luftonte Asdreni ose cili ishte atdheu i Asdrenit, ose ose a ishte ai vetëm territorial. Psh. Asdreni luftoi me penë, kjo është vjershë, luftojmë duhet marrë si përpiqemi, luftojmë nuk duhet marrë vetëm për ata që luftojnë edhe vrasin sepse ai thotë luftojmë ne e lufta e tij ishte poetike.
    Ja kriteret e mia:
    Të jenë të shkruara në gjuhën shqipe, të kenë dalë fitimtare mbi kohën, të sjellin prej krijimit e në vazhdimësi mesazhin e tyre të pacënuar, për nga bukuria ti kenë shoqet e rralla, të jenë ato që mbajmë mend e ja recitojmë vetes a të tjerëve kur fjalët tona nuk mjaftojnë…
    i sjell se më është qeshur me këtë të fundit kur e përdori futbollisti Xherdan Shaqiri kur ju kërkua të këndonte një këngë.
    Nga pikpamja ime ajo çka bën në këtë blog apo edhe më gjërë është pikërisht ajo çka ka shprehur Asdreni në atë varg të fortë, të diskutueshëm, kontraversial po të ishte shkruar sot, por jo nga më të këqinjtë.

    Zgjedhja ime është e kushtëzuar, por jo e lehtë. Një ndër gjërat që bëra, ishte dhe leximi i himneve të tjera. Njërin atë norvegjzin, të cilit i këndohen tre nga tetë strofat e shkruara nga Bjørnstjerne Martinus Bjørnson, edhe e kam përkthyer, e ja dy strofat përmbyllëse:

    Burra të Norvegjisë, të lartë a të poshtmë,
    Jepini Zotit lavdi!
    Ai Mbrojtësi i Shenjtë i vendit tonë
    Në ditët më zi!
    Gjithë etërit tanë këtu luftuan
    Dhe nënat tona qanë,
    Le të na tregojë Zoti udhën,
    Dhe ne drejt ta mbajmë.

    Po, ne e duam këtë tokë që kështjellon
    Ku shkumbëzon oqeani;
    Ashpërsuar, përfshirë nga stuhitë, ajo hijezon
    Me mijra shtëpi.
    Kur etërit tanë luftrat i lanë
    Fitore më në fund,
    Por dhe ne, kur koha ta kërkojë
    Paqen do të mbrojmë.

    p.s. kujtdo që i lexoi dy strofat më lart nën tingujt e himnit shqiptar, përshëndetje

    1. Eh, unë e quajta ‘varg i keq’ me kritere më shumë teknike; së pari, përsëritja ‘për të, për të,’ e cila duket sikur ekziston për hir të tetërrokëshit, ose për të arritur numrin e saktë të rrokjeve në varg; pastaj edhe përmendja e tepërt (pleonastike) e përemrit ‘ne’, i cili përmbahet gramatikisht në trajtën ‘luftojmë’ (përmendja do të përligjej sikur të bëhej fjalë për të dalluar që po luftojmë pikërisht ne, jo të tjerët, çka nuk është rasti në vjershë). Më tej akoma, rimarrja e togut bajat ‘luftojmë ne’ pasi është përmendur Zoti, kombet ‘që shuhen përmbi dhé’ (një tjetër pleonazmë) etj., është jo vetëm antiklimaktike, por edhe pa ndonjë lidhje logjike me çfarë pohohet në të njëjtën strofë; meqë kur edhe Zoti e ka thënë se Shqipëria do të rrojë, atëherë nuk ka nevojë që të luftojmë; ose, nëse luftojmë, e bëjmë këtë pikërisht ngaqë Shqipëria është në rrezik, ose mund të shuhet si kombet e tjera. Gjynah mos paça, mua Asdreni s’më ka pëlqyer kurrë; ose i mbytur në klishe dhe me shqipe të çalë, në poezitë e hershme; ose artificial dhe i akullt, në ato të vonshmet. Por kjo është çështje tjetër.

  2. Me erdhi keq per ate pohim se ky varg qenka shume i keq: edhe po te besojme dhe po te mos besojme ne Zot, per Shqiperine eshte luftuar — edhe nese si poezi mund te mos na shijoje, si himn them qe na shkon per shtat me historine tone (per aq sa e njohim historine tone). Prandaj me bute me ate varg, me butesi.

  3. Dy here u futen gjermanet ne lufte me “Gjermania mbi te gjitha/ Gjermania mbi gjithcka ne bote” dhe dy here u poshteruan, sa t’i vije keq edhe hasmit.

    Kurse demoni personal me te cilin komunikon Berisha jo vetem per ditelindje, i paska shtene nder mend ketij t’i meshoje pikerisht kesaj strofes…apokrife, meqe kjo sot ka edhe potencialin me te madh te talljes me veten, faqe gjithe kombeve (perfshire keto ketu ne zhdukje e siper).

  4. “…kryeministri Berisha e mban nje kembe ne kalkulime te perfitimit politik…”,
    Jam mese i bindur qe Berisha i mban te dyja kembet ne terrenin e perfitimit politik.Ne fakt kete ka bere per tere keta vjet ne politike.

    I privilegjuar nga pozicioni i tij ne krye te politikes per njezetvjet me rradhe, ai ka pasur mundesine, qe ta veshtroje shoqerine shqiptare nga nje kend me pamje shume te gjere.Pikerisht , per kete arsye ai e njeh si rralle kush mendesine e shqiptarve te sotem.( Ne fakt nje ‘aftesi’ te tille e kane te gjithe ata qe qendrojne kaq gjate ne krye te pushtetit dhe politikes).

    Ne nje emision , ku flitej per bestytnite, nje profesor i nderuar (Xh.Ll) u shpreh se nga ekperienca ne veri te vendit, kishte vene re se banoret e atjeshem besonin ende ne fantazmat!!
    Nuk jam i sigurte, nese profesori te mos dinte ,se ne fantazmat besojne edhe ne vendet me te qyteteruara. Bile ka teori te shumta , psikologe e sociologe qe merren me to!

    Me c’kam degjuar, ne kohen e diktatures, veriu i vendit na paskesh qene si veriu i botes, apo njefare Skithie per shume kuadro te kohes qe dergoheshin atje per pune dhe arsye te ndryshme, prsh si te ‘denim’ ne formen e qarkullimit! Qe ketej edhe ca frikera dhe paragjykime krejtesisht te shpjegueshme, pse jo edhe te… justifikuara.

  5. Pertej vleresimit per Asdrenin, qe per shumekend nuk krijon ndonje veneracion – ketu mund te clirohemi nga cdo paramendim, per faktin se, me sa di, ka disa studime qe kane vertetuar, se Asdreni e ka kopjuar (me sakte, perkthyer) fjale per fjale nga nje poet rumun, – nuk shoh ndonje problem ne fjalet e Kryeministrit, pervec faktit te zakonshem qe ai i perdor ceshtjet e drejta duke i pervetesuar, nderkohe qe per keto ceshtje, ky shtet duhet te kete autoritete shkencore e intelektuale, apo qofte edhe nje debat te gjere publik.
    Nuk shoh ndonje kontradikte midis dashurise per fene dhe dashurise per kombin. Eshte e vertete ajo qe thuhet ne shkrim, se per te gjitha fete universale qe njohim (sic eshte Islami, Krishterimi, Hinduizmi), dashuria njerezore del pertej kombit. Patjeter qe njeriu duhet dashur fillimisht si njeri, si vella ne kuptimin e te qenit te gjithe krijesa te Zotit, por kjo nuk mohon mundesine qe disa njerez te ndjehen me te afert me njeri-tjetrin sesa disa te tjere. Pa qene as une ekspert i studimeve fetare, gjykoj qe dallimet kulturore dhe ndarjet e njerezve ne popuj, gjuhe, kultura, raca, fise te ndryshme, jane vullnet i Zotit dhe kjo vete se e ben boten me te bukur e me te larmishme. Natyrisht qe njeriu preferon me shume te afertin dhe kombi eshte nje veneracion qe ngrihet mbi bazen e kultures, historise dhe fatit te perbashket te nje grupi te madh nejrezish. Ne kete kuptim edhe fjalet e Kryeministrit (qe ne fakt nuk jane te Kryeministrit, por jane te nje maksime rilindasish qe jane perpjekur te legjitimojne fetarisht kombin shqiptar, e qe ne fakt, buron nga pohime dijetaresh te hershem myslimane), nuk jane kontradiktore, sepse eshte e natyrshme qe te duash Zotin, do te thote te duash doemos, midis te tjerash edhe vendin, shoqerine, kulturen e patjeter edhe kombin tend. Natyrisht, ashtu sic nuk shoh ndonje kontradikte ketu, nuk shoh as ndonje mprehtesi per te lene mbrese tek Kryeministri. Per mua eshte nje fjale e drejte, e thjesht, me qellim edukativ per shoqerine, por qe pohohet ne nje vend qe nuk ka pse. Nese kjo strofe eshte pjese e himnit, kjo duhet te rikthehet, ne pavaresi nga legjitimimi ideologjik qe ofron Berisha dhe ne pavaresi nga vleresimi i ndokujt. Cdo njeri ka te drejte te jete pro dhe kunder dhe kete nuk e vendos vullneti i Keshillit te Ministrave. Debati i takon intelektualeve, duke perfshire ndoshta edhe Kryeministrin, por jo ne nje mbledhje qeverie, nderkohe qe vendimi i takon Parlamentit, pas nje konsultimi te gjere e te pjekur.

  6. Vargjet ato janë, të dobëta, si besoj, vargjet e 95% të himneve të planetit. Le të marrim, veçse, parasysh që Asdreni, sipas kujtimeve të bashkëkohësve, iu desh disa herë dhe jo vetëm për Himnin, t’i thurte vargjet aty për aty, në mes të kishës së Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit (“Shën Gjergji i Ri, më duket, quhej) i rrethuar nga qindra patriotë shqiptarë (Up, patriot-to-arms) që, duke e njohur si poet, ia kërkonin vargjet si të ishin simite. Ato vargje të papërsosur, pra, më shumë se tekstin kumtojnë kontekstin e vrullshëm të kohës kur po bëhej Shqipëria.
    P.S. Poezia më e mirë e Asdrenit, për mua, është: “Varri i harruar”.

  7. Xha Xha,
    Nese e ke me gjithe mend qe kerkon te gjesh logjike e arsye ne broçkullisjet e Berishes, apo edhe te argumentosh se nuk ka logjike e arsye ne theniet e nje te marri, humbet kohen kot.
    Sa per ate punen e vargut te keq, do thene se pergjithesisht himnet kombetare te te gjitha shteteve, me ndonje perjashtim te rralle, jane poetikisht te dobet.

    1. Në raste të tilla kryeministri i heq duart nga timoni dhe nuk i flet ato që thotë, por flitet prej tyre – ose bëhet dashur pa dashur përçues i një ideologjie që e komandon në distancë; dhe vëmendja ime i kushtohet kësaj ideologjie, e cila ia dikton kryeministrit shqiptar jo vetëm fjalën në kontekste patetike si ky i tanishmi, por edhe veprën në kontekste shumë më delikate. Prandaj nuk më duket se mund të shpërfillen me një “ai nuk di se ç’flet”, sepse – pa e kundërshtuar shumë këtë – rëndësi ka që ajo që e flet kryeministrin, e di se ç’flet.

      1. Xha Xha,
        lum ti qe je i ri dhe ke ende fuqe e vullnet te zhbirilosh pertej fjaleve te kryeministrit “qe s’di se ç’flet”. Une tashme jam lodhur e s’me mbetet tjeter veçse te shpresoj qe te rroj e ta shoh me syte e mi ate dite te bardhe kur kryeministrat tane do te dine se ç’thone.
        Te jete e vertete thua se popujt meritojne qeverine qe kane?

  8. Pavaresisht, budallallekut te radhes, ku ministri i pare kerkon te shtoje nje varg nderkohe qe ky varg eshte i misheruar edhe me ligj, duket qartazi se ketij ka filluar te mos i punoje me edhe llogjika. Po te lexohet me pak vemendje vargu ne fjale i Asdrenit, ai i meshon idese se :” pavaresisht vullnetit te zotit per te shuajtur kombet, Shqiperia nuk do te shuhet, do te mbijetoje ne saj te njerezve qe punojne e luftojne per te.” Pra, ne nje fare qasje kemi nje kundervenje ndaj vullnetit te zotit. Ndersa i mencuri Sali thote: “Apeli i shqiptarëve tek Zoti është apeli më i drejtë, se Zoti dhe kombi janë një dhe të pandarë. Dashuria për kombin buron nga fryma e Zotit, ndaj duhet të shihen modalitetet se si të kthehet kjo strofë.”. Ketij i ka ardhur me kohe vakti per te ndenjur me niperit e mbesat nese do te shpetoje nga akuzat per tradheti, vrasje dhe vjedhje.

  9. Cilit Zot i referohet kryeministri shqiptar? Zotit të krishterë, apo Zotit të Islamit? Apo Zotit inert të deistëve?

    Këtë nuk e dimë. Duke e njohur kryeministrin shqiptar, të paktën në mënyrën si i paraqitet ai publikut, na duket se ai dëshiron të jetë njëkohësisht edhe i krishterë edhe mysliman

    Ne kete rast Berisha paraqitet denjesisht musliman sunit. Shprehja ‘pa fe nuk ka atdhe’ perdoren rendom nga muslimanet sunite shqiptare.

    1. “Se Zoti vete e tha me goje” qe “Shqiperia do te rroje” (si te qe Izraeli i Ri) nuk figuron ne tekstet e muslimaneve suninj apo bektashinj (perfshi ketu edhe shtojcen naimiane), as te te krishtereve ortodokse a katolike e protestante.

      Per te kembengulur si Berisha ne kete “permendje ne te kote te emrit te Zotit”, kushti numer nje eshte te mos i perkasesh “denjesisht” asnje tradite te njohur fetare – vetem nese behet fjale per besim ne ndonje zbulese lokale shenjtoresh te diteve te fundit, kapitulli i rigjetur tek “Kenga e Sprasme e Bales”

      ps: # Obama’s Ring

  10. Zakonisht ne raste te tilla, Berishen e quajne te marre,qe nuk ia vlen te merresh me te, e ne te njejten kohe komentohet me seriozitet ajo c’ka thene ai!!
    Kjo me kujton nje episod nga “Don Kishoti” me ate te marrin, qe rrekej t’u mbushte mendjen autoriteteve se ishte ne rregull nga trute e te mos kishin frike nga kercenimet e nje ta marri tjeter qe kercenonte me zjarr, se ai ishte perendia e shiut dhe do shuante zjarrin…

    Berisha i njeh shume mire ata , mbi te cilet ushtron pushtetin e tij , prandaj edhe hedh te tilla xhevahire ne publik.Kam pershtypjen se pervec perfitimit politik, aq sa mund te jete, ai edhe zbavitet apo ndjen nje lloj kenaqesie nga gjera te tilla.

    Sesa mire i njeh ai shqiptaret, mjafton te kujtohet ajo lista me emrat e intelektualeve te njohur, qe firmosen kunder greves se urise te PS para dy vjetesh ,apo te kujtohen emrat e intelektualeve qe moren pjese ne Inisiativen per Tiranen (intelektuale jo shaka, mund te ishin tonet por… mbajten anen e Berishes…kulmi!)

    Ne ditet ne vazhdim do te degjojme perseri e perseri gjera kesodore, do t’i quajme marrezi e prapeseprape do t’i komentojme!

  11. Ka ndërmend të bëjë ndonjë gjë thua, në emër të zotit dhe kombit? Tipare misticizmi janë shfaqur mjaft herë pas here. Mero Baze po shkruante para pak ditësh tek gazeta e vet, se gjatë gjyqit të 21 Janarit, ish komandantit të gardës të akuzuar për vrasje, “besimtarët” berishistë po i puthnin dorën.

    (i puthin dorën vrasësit…! tmerr, kulmi!)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin