RUBRIKA NDJESË

Tashmë është bërë sport kombëtar, shtypin shqiptar e kritikojnë të gjithë. E kanë vënë në shënjestër dhe e trajtojnë si tabelë qitjeje. Shtypi i shkretë mbrohet me sa e me çka mundet, por zjarri i vjen nga të gjitha anët, nga miqtë e nga armiqtë, nga jashtë e nga brenda. Gazetat dhe mediat elektronike duhet të mbrohen nga politika, nga ekonomia, nga pushtetet e ndryshme, por edhe nga sulmet e redaksive konkurrente, natyrisht kur u mbijetojnë predhave të redaksive të veta.

Sikur të mos mjaftonin ofensivat nga toka e ajri kundër mediave, me akuzat klasike të partishmërisë, të anshmërisë, të mungesës së profesionalizmit, të trajtimit sipërfaqësor, tani po shtohet edhe guerilja në internet, nëpërmjet së cilës lexuesit nuk lënë çap, sepse evidentojnë çdo gabim që u shpëton redaktorëve. Si i bëhet për ta çarë rrethimin e për të dalë gjallë nga kjo luftë për jetë a vdekje?

Zgjidhja duhet parë brenda mediave, jo jashtë tyre. Tani nuk ka më kuptim të mbyllen portat e kalasë e të vazhdojë beteja nëpër bedena. Mediat duhet t’i pranojnë gabimet e veta haptazi e pa mëdyshje. Madje duke i rezervuar një hapësirë të posaçme kërkesave për ndjesë.

Rubrika “Ndjesë” mund të jetë kutia ku hidhen mesazhet për falje nga gazetat, redaktorët, gazetarët, editorialistët, opinionistët e lexuesit. Përse mund të kërkohet ndjesë? Për gjithshka. Ja më poshtë disa shembuj:

  • U kërkojmë ndjesë lexuesve që dhjetë vitet e fundit nuk e kemi përdorur fare shkronjën “ë” në artikujt e botuara në gazetën tonë. Qe sot e tutje do ta perdorim gjithnje e me shume shkronjen “e”.
  • I kërkojmë ndjesë autorit Filan se ia morëm shkrimin nga interneti e nuk ia vumë emrin. Por shumë shkrime janë të shkruara me pseudonime, kështu që nuk është faji ynë që ata zgjedhin pseudonime të shëmtuara.
  • Në numrin e djeshëm botuam një shkrim me fyerje personale ndaj Fistekut. I kërkojmë ndjesë se artikulli ishte krejt pabaza. Në të ardhmen nuk do t’ia varim fare atij armiku, qelbaniku e fytyrëpalari.
  • Kemi kohë që botojmë tituj absurdë, plot gabime gramatikore, sintaksore, ortografike. U kërkojmë ndjesë të gjithëve: lexuesve, autorëve të lajmit, opinionistëve. Titullat që do ta botojm në ardhme pa gabim për shqiptarin e shqiptart me siguri cilësi lart.
  • Kohët e fundit ua kemi hapur dyert e gazetës injorantëve të të gjitha ngjyrave, siç thonë qenve dhe maceve. U kërkojmë ndjesë kafshëve të vërteta dhe lexuesve. Do të përpiqemi që herës tjetër ta mbyllim derën e redaksisë të hënën. Ditët e tjera hyrja është e lirë.
  • Fjalët e huaja duhen përdorur me vend e jo pa vend. Por ne kemi pasur ca vështirësi se kemi punësuar në redaksi shqiptarë që duan të emigrojnë, pra duan të praktikojnë gjuhët e huaja, e emigrantë të brezit të dytë që duan të mësojnë shqipen. Po anunçojmë sot se në periudhën futurike do implementojmë lançimin e disa show-spektakle me karakter linguistik me profesionalitet të azhurnuar për difuzionin e kualitetit të gjuhës.
  • Ndoshta e kemi tepruar me fyerjet kundër partisë në pushtet/opozitë dhe me servilizmin në favor të partisë në pushtet/opozitë. Duke kërkuar ndjesë premtojmë se kriminelët e partisë tjetër do t’i quajmë keqbërës, kurse yjet e partisë sonë do t’i quajmë shpëtimtarë.
  • E kemi shndërruar këtë media herë në arenë cirku dhe herë në ring boksierësh. Disa i kemi zbavitur, të tjerëve u kemi thyer hundët. Nuk do ta bëjmë më, por shikojeni anën e mirë, me sytë ende të paënjtura.
  • E nderuar redaksi. Si lexues i juaj besnik i kërkoj ndjesë vetes që ju kam lexuar prej kohësh, si rrjedhim kam humbur kohë të çmuar. Do ta lexoj gazetën tuaj përditë, çdo faqe, çdo rresht, derisa të dalë ky mesazh. Përndryshe do t’ju shkruaj sërish.
  • E kemi mërzitur vërtet publikun këto vite, nga të gjitha pikëpamjet. Ju kërkojmë ndjesë të gjithëve. Do t’ju japim një lajm të mirë: nuk do të na shihni më as në letër as në ekran. Do të shumëfishojmë botimet në internet.

Njoftime të ngjashme mund të formulohen edhe nga lexues të tjerë. Gjithashtu nga vetë mediat shqiptare. Rubrika “Ndjesë” do të ishte nga më të lexuarat. Ndoshta nuk do të mbetej hapësirë për shkrime të tjera, sepse do t’i zinte të gjitha faqet ose minutat në dispozicion, por si fillim nuk do të ishte keq.

Kërkoj ndjesë në qoftë se e kam tepruar.

Nuk ka komente

  1. Rubrike e pavend mendoj une. Do ishte si puna e zgjedhjeve te lira dhe te ndershme; do zyrtarizonin nje normalitet planetar e per pasoje askush nuk do merrej me me ne.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin