ASTRONAUTI ME KRAHË TË FORTË

Mbiemri Armstrong ndeshet rëndom mes anglo-saksonëve – aq sa nuk gjen dot një brez, që të mos ketë pasur një Armstrong të famshëm.

Brezi im, aspak amerikan, por gjithsesi i rritur në një botë të gdhendur prej amerikanëve e të ngjizur sipas dëshirës amerikane, pati si hero të vetin astronautin Neil Armstrong, njeriun e parë që vuri këmbë në truallin e Hënës, më 21 korrik të vitit 1969.

Aso kohe astronautit ne në Shqipëri ende i thoshim kozmonaut, me një sinonim që sillte me vete frymën ngjethëse të Luftës së Ftohtë.

Por unë kam qenë fëmijë atëherë dhe askush nuk e ka përjetuar vajtje-ardhjen amerikane në Hënë më pastër dhe më plot shpresë se fëmijët.

Nuk di kush na pat shpjeguar, se Armstrong do të thotë ‘krahëforti’, burri me krahë të fortë; dhe e përfytyronim heroin tonë me krahët si të Popeye the Sailor Man.

Sapo kishim filluar të dëgjonim edhe pak muzikë ‘të huaj’, që na e sillte bujarisht Radio RAI; dhe do të ketë qenë pikërisht atë verë, ose ndoshta pak më herët, që u ngjit në krye të hit-parade-it një këngë krejt e pangjashme me të tjerat, e kënduar nga një zë i rreshkur në tym, nën shoqërimin e një trumbete të javashtë, por tepër të sigurt: “What a Wonderful World”, quhej, dhe e këndonte një Luis Armstrong, për ne i panjohur, por përndryshe krejt i famshëm në Amerikë dhe kudo gjetiu – si muzikant jazz-i dhe këngëtar.

Armstrong-u kish qenë 67 vjeç, kur e kish regjistruar këngën; ne këtë s’e dinim, edhe pse kishim vetvetiu respekt për këtë njeri enigmatik, që e shqiptonte anglishten kaq ngadalë, sa edhe ne të merrnim pjesë në harenë e tij, për “botën e mrekullueshme,” së cilës i këndonte.

Me siguri ka pasur në Shqipëri të apasionuar pas jazz-it, që e njihnin Armstrong-un trumbetist që para se të dëgjonin për Armstrong-un e shëtitjes në Hënë; por ne të tjerët i ngatërronim disi të dy figurat – dhe dukej fare e arsyeshme që ta përfytyronim astronautin e sertë të këndonte “What a Wonderful World,” teksa kthente sytë drejt lëmshit të kaltër të Tokës, në qiellin e Hënës; ose fundja edhe për pamjen që ia dhuronte vetë shkretëtira e Mare Tranquillitatis, ku ishte ulur moduli LEM.

Në thelb, mu para nesh, edhe pse përtej aftësive tona për të kuptuar, dy Armstrong-ët ishin kapërthyer në një provë force, në një braccio di ferro, në një arm wrestling, mes artit dhe teknologjisë – një luftë për zotërimin e mendjeve dhe sidomos të ëndrrave, përfshi edhe tonat përtej.

Të dy do të harroheshin disi; madje astronauti më shpejt se jazzman-i; sepse teknologjia është më e pamëshirshme se arti dhe ndryshe nga ky i fundit, i zëvendëson sakaq produktet e vjetëruara; pa përmendur pastaj që njeriu i parë në Hënë doli se kish qenë fundi i një gjakimi për epërsi, jo fillimi i një epoke.

Shumë vjet më pas, një brez i rritur larg ambicjeve teknologjike të programit hapësinor Apollo dhe magjisë së moshës klasike të jazz-it, do të njihej me një Armstrong të tretë – çiklistin Lance Armstrong, fitimtarin e kaq e kaq garave prestigjioze të çiklizmit në vitet 1990 dhe 2000; por sidomos të një beteje për jetë a vdekje, me kancerin.

Edhe ky Armstrong kish qëlluar një ‘krah i fortë’ – kampion i admirueshëm, shembull për brezat e rinj, mishërim i gjithçkaje heroike në karakterin amerikan.

Prandaj më dëgjohet më se mizor lajmi që, pikërisht këto ditë, Lance-i do të zhvishej nga të gjithë titujt e fituar, për përdorim dopingu. Një goditje e rëndë dhe zhgënjim për çiklizmin në nivel botëror, për sportin në përgjithësi, dhe për të gjithë të frymëzuarit prej tij, që nuk kanë qenë pak.

Edhe një tjetër krahfortë na u palos e u plandos mu përpara syve; të fitosh bujshëm qenka edhe më e rëndë se të ndeshesh me kancerin.

Astronauti Armstrong vdiq sot, 40 e ca vjet pas zbritjes historike në Hënë; dhe sapo i kish perënduar ylli emnakut të vet Lance, simbol i një bote të zhvendosur nga teknologjia dhe hapësira, drejt kultit të trupit dhe shëndetit.

Nuk mbetet veçse i treti i Armstrong-ëve, që të këndojë – tashmë i derdhur në bronz – klasiken “What a Wonderful World”; pa çka se mrekullinë e botës po priremi ta gjejmë gjithnjë e më shpesh te njëri-tjetri, në hapësirat intime, ku edhe kuptimi i gjestit heroik dhe famës vjen e mishërohet më bindshëm.

Nuk ka komente

  1. Nata e paharruar e “hapi të vogël” më sjell ndërmend edhe një sërë teorish të çuditshme që lindën që të nesërmen. Sipas tyre ishim para një vënieje në skenë dhe se televizioni nuk transmetonte veçse video të parapërgatitura në studio. Për çudi gjëra të tilla nuk vinin nga Rusia, por nga Italia e kryesisht nga Franca, ku antiamerikanizmi ishte në kulmin e vet, i acaruar edhe nga problemet e atëhershme të rolit të Francës në gjirin e NATO-s dhe të bazave të kësaj të fundit në territorin francez.
    Në Shqipëri nuk pati zhbirilime komplotesh të tilla, madje suksesi u mirëprit deri në ata pikë sa u shfaqen edhe shenja “aneksimi”.
    Që të nesërmen e dites kur Armstrongu la gjurmet e kepuces se tij ne pluhurin hënor, dëgjoja që në Tiranë qarkullonte një anekdotë të cilën e kujtoj si tani. Kur njërin prej atyre veteranëve me kasketa të lagjes e pyetën nese e kishte dëgjuar lajmin se njeriu kishte zbritur në hënë, ai iu përgjigj:
    Eh çfarë nuk është në gjendje të bëjë kjo Parti, more djalë…

  2. Ky vizioni me Armstrongun e dyfishuar, qe veshtron i permallur dhe i erret, i reduktuar vetem ne xixelima sysh apo perlotje, lemshin blu nga Hena, duke u hedhur ne ajri, i vetem, si nje kangur i dehur, nen ritmin e njohur, si nje violinist fluturues i Chagall-it, me kujtoi nje rrefim te jetuar te shkrimtarit Teodor Laco, qe nuk di a e ka shkruar pastaj, mbi nje mergimtar korcar te rikthyer per nje vizite e te mbetur peng nen socializem, sesi ne darke ulej ne trotuar, me syte ngulur ne nje pike te qiellit, dhe kur e pyesinin pse, thoshte (ashtu, shqiptaro-amerikance) se pret te kalojne Anijet. Kaq shume me pelqeu teksti me siper, sa direkt me nxorri edhe rrefimin mbi korcarin e perhenur, dhe m’u duk se ja u puqen me ne fund syte e tij me te Armstrongut (njeri blu e tjetri i zi).

  3. Me kujtohen ato nete vere kur ne femijet bisedonim ndermjet veti per kete ngjarje kaq senzacionale, kaq fantastike per mendjet tona.Ne lagjen tone te gjithe kishim televizor dhe kishim mundesi t’i shikonim edhe xhirimet qe jepeshin ne lajme dhe emisione speciale.Ne ate moshe nuk e njihnim serbishten, prandaj duhej t’i pyesnim te medhenjte se ç’po thuhej.Disa femije tjere, 4-5 vjet me te medhenj se ne, si Agroni dhe Sazani, kishin me shume durim te merreshin me ne, dhe na pergjigjeshin ne pyetjet tona,shpesh naive.

    Fryma e gares amerikano-sovjetike ndihej tek ne, edhe ne perdorimin paralel te dy fjaleve ”astronaut” dhe ”kozmonaut”.Ne Kosove shqiptaret simpatizonin amerikanet, kurse serbet simpatizonin ”ruset”. Pas avantazhit sovjetik ne fillim te viteve 60-te, amerikanet ndermoren nje ofanzive ne fund te viteve 60-te dhe ne fillim te viteve 70-te, duke shkuar ne Hene gjashte here.Dymbedhjete amerikane e kane shetitur henen.
    Pastaj filloi nje kohe e zbutjes se ketij rivaliteti, se paku ne siperfaqe.Mbaj mend kur u transmetua direkt ne tv,ne vitin 1975, bashkimi i dy anijeve kozmike,asaj amerikane dhe asaj sovjetike, dhe keshtu u bashkuan edhe astronautet me kozmonautet, qe ishin ne keto fluturake.Une e shikova kete transmetim direkt duke ngrene dreke. Presidentet perkates, Ford dhe Brezhnjev, i pergezuan ekuipazhet dhe folen per paqen dhe bashkepunimin.Radio Tirana foli per intensifikimin e gares ne armatim.

    Ne vizitat dhe takimet e shumta qe Tito i bente me presidentet amerikane, njeri nga keta presidente, tani nuk me kujtohet saktesisht se cili, i kishte dhuruar atij nje flamur te Jugosllavise qe ”kishte qene” ne Hene. Tani vone kam degjuar se edhe nje flamur shqiptar kishte qene ne Hene. Kjo mi kujton guret e presidentit Rugova.Psikologji e aplikuar, tha.

    Kam lexuar diku, qe nje astronaut amerikan e kishte lene amanet qe ta varroset ne hene.Amanetin ia kane plotesuar.E shoqja e tij thoshte se, sa here e shof Henen, me duket se e shof shokun tim te jetes.

    Ndoshta do te kishte me shume simbolike, sikur Neil Armstrong, te varrosej ne Hene.
    Kur do t’a shikonim Henen, do te na kujtohej Kraheforti.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin