RRËMBIMI I SË SHOQES SË MUJIT

nga Gjergji Shuka

Ashtu si dy këngët e mëparshme « Fuqija e Mujit » dhe Martesa e Halilit »; Etërit françeskanë Donat Kurti dhe Bernardin Palaj e kanë mbledhur këngën « Rrëmbimi i së shoqes së Mujit »  prej të njëjtit rapsod, Mëhill Prekës nga Curraj i Epërm.

Mes vargjeve të saj ndeshim gjithashtu rrëfimin mbi heroin e burgosur (këtu Mujin) i cili i kërkon Krajle Kapidanit një lahutë për të shoqëruar me të një këngë të fundit vaji. Dhe sigurisht rrëfehet historia e mbretit Gelimer të rrethuar prej luftëtarëve të Faras, apo më saktë, kapitujt në fjalë të kronikës De Bello Vandalico I.

Vetë vargjet që ndërtojnë këtë motiv paraqesin disa ndryshime me ato të këngës “Martesa e Halilit”, ndryshime të cilat ndonjëherë korrespondojnë edhe më mirë me historinë e shkruar.

Pjesa tjetër e rrëfimit është e ndryshme; rapsodi i ka kënduar kësaj here hakmarrjes së kreshnikëve për djegien e kullave në Jutbinë dhe për « marrën » e sjellë nga krajli kundërshtar. Pra, Krajle Kapidani mbledh treqind djem të rinj,  « të pananë, të tanë të pababë, të pamotër, të tanë të pavlla, të panipa, të tanë të padajë … » i vesh e i mbathë, kujdeset për ta njëqind ditë, i armatosë për betejë dhe sulmon kullat e dy kreshnikëve. Muji dhe Halili ndodhen larg, ndaj Jutbina digjet dhe shkretohet ndërsa armiqtë do të marin robinja;  gruan, motrën, dhe vajzën e prijësit, do të marrin selinë prej dukati dhe pasuri të tjera të dy vëllezërve. Muji do të shkojë i pari në Krajli për tu hakmarrë, por gruaja e tij Mermet Turkina e tradhton, e prangos dhe e dorëzon tek Krajli armik.

Pas këngës së vajit me lahutë, Halili i lajmëruar nga zanat, do të vijë  të ndihmojë të vëllain; ai do t’ia zgjidhë duart dhe – ashtu siç nuk do ta prisnim – është gjithashtu vetë Halili që e kryen hakmarrjen duke e vrarë armikun.

Prej studimit të motiveve të këngës « Rrëmbimi i së shoqes së Mujit » u dallua sepërveç ngjarjeve të rrethimit të Gelimerit dhe disa episodeve të tjera të përmendura në kapitullin mbi këngën “Martesa e Halilit”; rapsodët e Currajt të Epërm kanë transmetuar lëndë historike të marrë sërish prej De Bello Vandalico I, ku mund të dallojmë edhe sidomos dy rrëfimet e Prokopit mbi dy plaçkitjet e qytetit të Romës; nga visgotët e drejtuar prej mbretit Alarik dhe nga vandalët e mbretit Gizeriku:

Pushtimi i Romës nga visgotët, sipas kronistit, u krye me anë të një dredhie; Alariku iu dhuroi parisë së qytetit treqind djem të rinj si skllevër, dhe pasi ndenjën për njëfarë kohe në Romë, ata hapën një ditë të paracaktuar portat duke iu mundësuar gjermanikëve; hyrjen, plaçkitjen dhe djegien e një pjese të banesave.

Ndërsa vitet më vonë, pas kërkesës për ndihmë të perandoreshës romake Eudoksia; luftëtarët e mbretit Gizerik pushtuan Romën; morën robinja; perandoreshën, dy princeshat, të gjithë pasurinë në monedha dhe objekte që mundën të mbartnin në flotën e tyre, dhe siç përmendet veçanërisht prej Prokopit; çatinë të ndërtuar me dy shtresa, bronzi dhe ari, të tempullit të Hyut Jupiter.

Korrespondojnë me kronikën edhe elementë të tjerë dhe më qartë sidomos; ideja e braktisjes së Romës nga perandori Honorius dhe një anekdotë e Prokopit për këtë fundit. Ndaj mund të thuhet se të dy këngët e Mëhill Prekës rrëfejnë ngjarjet e burgosjes të Gelimerit, dhe divergjojnë në faktin se në “Rrëmbimi i së shoqes së Mujit”, malësorët kanë ruajtur përgjithësisht pjesën që i paraprin këtij episodi në De Bello Vandalico, (kapitujt II-VI) ndërsa në “Martesën e Halilit” më së shumti pjesën prej kapitullit IX, në të cilin nis rrëfimi për fushatën e Belisarit, deri në kapitullin XVIII të librit II, në të cilin shkruhet për kryengritjen e Maksiminusit.

Në fakt mes kapitujve II-VI janë dy rrëfime gjysmëlegjendare që mungojnë; legjenda e Marcianit dhe shqiponjës dhe legjenda e marrjes së qytetit të Akuilesë prej mbretit Atila. Të dyja i ndeshim të ruajtura  relativisht mirë në këngët e temës së « Heroit dhe Shqiponjës ».

Kështu në pjesën e dytë të shkrimit të bashkëngjitur në pdf, është propozuar zanafilla e dy prej këngëve të shumta të kësaj teme. Janë zgjedhur « Marko Krajleviç dhe Shpiponja » dhe « Vojvoda Janko dhe Shqiponja »; e para pasi i përmban të dy legjendat, dhe e dyta pasi është kënga e mbledhur më herët prej të gjithë varianteve të temës, dhe gjithashtu prej të gjithë epikës sllavojugore.

Shënim: Lexojeni shkrimin të plotë këtu.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin