FATI I SHQIPFOLËSIT

Termi shqipfolës, që ndeshet ndonjëherë në ligjëratën librore por sot gjithnjë e më shpesh në diskursin kombëtarist të të gjithë regjistrave, është formuar në shqipe sipas modelit anglophone, francophone, etj. (khs. edhe English-speaking), dhe mëton të shënjojë një popullsi, një bashkësi madje edhe një individ sipas karakteristikës të së pasurit shqipen gjuhë amtare.

Një i/e huaj, që e ka mësuar shqipen për arsye studimi ose thjesht ngaqë është martuar me një shqiptar(e), nuk është shqipfolës, por vetëm flet shqip.

Arsyet pse është futur kjo fjalë, si emër dhe si mbiemër në shqipe, janë edhe ato me natyrë librore, dhe kanë të bëjnë, para së gjithash, me nevojën për ta karakterizuar një popullsi ose një bashkësi sipas gjuhës amtare të anëtarëve të saj, sidomos në një kontekst shumëgjuhësh. Kështu, të flasësh për popullsi shqipfolëse në Turqi, do të thotë të shënjosh të gjithë ata banorë të atij vendi që e kanë shqipen gjuhë amtare, pavarësisht nga statusi i tyre në raport me shtetin, ose nga identiteti që i japin vetes.

Kjo do të thotë edhe se raportet midis shqipfolësve dhe shqiptarëve nuk janë aq gjeometrike sa ç’do t’i dëshironim. Në vija të përgjithshme, shqipfolësit nuk mund të jenë veçse shqiptarë; por në ndonjë rast mund të zgjedhim ta quajmë një bashkësi shqipfolëse, nëse duam të shmangim karakterizimin e saj etnik ose kombëtar.

Termi, në vetvete, është operativ dhe vjen pa ngarkesë historike: një bashkësi njerëzish që përdorin shqipen si gjuhë amtare janë shqipfolës, dhe kaq mjafton. Përkundrazi, fjala shqiptar, e cila nuk terminologjizohet dot lehtë, e ka ngarkesën historike të spikatur – çka lidhet edhe me faktin e thjeshtë që përdorimi i saj si emër i popullit mund të gjurmohet në kohë, madje t’i gjendet edhe zanafilla.

Megjithatë, kaq nuk mjafton për të përligjur krijimin e termit; duhet të ketë ndikuar, pra, edhe nevoja e shqipërimit të një termi si albanophone, që ndeshet në literaturën e fushës (gjuhësi, histori, antropologji, gjeografi, balkanologji etj.); term që edhe ai shërben, sikurse e thamë, për ta dalluar një bashkësi thjesht nga gjuha e vet amtare ose nga instrumenti që e përfton dhe e riprodhon si bashkësi, pa u implikuar në konstatime dhe pozicionime të mëtejshme, shpesh të panevojshme.

Ujërat këtu vjen e i turbullon një përkufizim në thelb funksionalist i shqiptarëve si anëtarë të një bashkësie që e ka shqipen gjuhë amtare, ose nëpërmjet gjuhës. Përkufizimi mund të jetë reduktiv – por këtë nuk mund ta debatojmë këtu. Rëndësi ka, përkundrazi, të vërejmë se, në bazë të këtij përkufizimi, shqipfolës si term merr të njëjtën shtrirje (ekstension) si edhe shqiptar; çka do të thotë, me fjalë të tjera, se çdo shqipfolës është edhe shqiptar.

Tani, përkufizimi i identitetit të shqiptarit nëpërmjet gjuhës amtare nuk është i vetmi, as i tillë që t’u ketë pëlqyer shumë kombëtaristëve, veçanërisht të kohës sonë; meqë këta kërkojnë të përfshijnë në përkufizim edhe kriterin e vijueshmërisë biologjike, ose të gjakut; duke ngulur këmbë se shqiptarë janë ata që kanë “gjak shqiptar”, çka do të thotë, në zhargonin e tyre specifik, se kombi ka edhe baza, si të thuash, biologjike. Në bazë të këtij përkufizimi, shqiptarë nuk janë ata që e kanë shqipen gjuhë amtare, por ata që i përkasin “familjes” së kombit shqiptar, ose që ndajnë me shqiptarët e tjerë një tërësi specifike karakteristikash biologjike – që sot identifikohen, para së gjithash, si tregues gjenetikë.

Përkufizimi i shqiptarëve si shqipfolës është jo vetëm funksionalist, por edhe sinkronik; meqë merr për bazë situatën e tanishme, të karakterizuar nga një veprimtari lehtësisht të konstatueshme: komunikimi me shqipen si gjuhë amtare. Përkundrazi, përkufizimi i shqiptarëve si njerëz me “gjak shqiptari” është historik ose diakronik, meqë nuk mund të verifikohet lehtë dhe nga kushdo.

Që këtej, shqiptar dhe shqipfolës janë përfshirë në diskursin kombëtarist jo si sinonime, as si terma solidarë, por duke u polarizuar deri në atë shkallë, sa shqipfolës të ketë ardhur duke u specializuar për të shënjuar jo shqiptarin, por atë që, edhe pse flet shqip si gjuhë amtare, shqiptar nuk është. Shqiptari vjen e konstituohet, kështu, si ajo bashkësi tiparesh esenciale (raca, gjaku, traditat, virtyti), që mbeten pasi të kemi larguar prej tij gjuhën amtare.

Po t’u hedhësh një sy të shpejtë forumeve ku debatohet për këto çështje, e vëren menjëherë se aty shqipfolësi paraqitet tani si armiku i kamufluar, kolona e pestë, personi që kërkon të hiqet si shqiptar pa qenë i tillë, zakonisht pasardhësi i pafat i një të huaji të vendosur dikur mes shqiptarëve, ose i një bashkësie të huaj tashmë të integruar me shqiptarët; p.sh. pasardhësi hipotetik i turqve osmanë të vendosur në Shqipërinë e Mesme; i vllehëve të vendosur anembanë Toskërisë dhe Gegërisë jugore; i goranëve ose i ndonjë pakice tjetër kulturore.

Dhe meqë këto debate zakonisht energjizohen në kontekste të dallesave fetare, rëndom do të dëgjosh të quhen shqipfolës besimtarët e fesë “tjetër” – sipas rastit myslimanët, të cilët nuk janë shqiptarë “të vërtetë”, meqë janë përzier me turq e arabë; ose ortodoksët, të cilët kanë mëkatuar në drejtim tjetër gjeografik, duke u përzier me grekë dhe vllehë.

Lexon për islamikë shqipfolës (ose “arnautë, si pakicë shqipfolëse që figurojnë gabimisht në letra si shqiptarë”) dhe anti-islamista shqipfolës; sikurse lexon për UDB-ashët shqipfolës kosovarë; diku tjetër, të shpjegojnë se “Mbyllja e gojës para ofanzivës së gjithanshme sllavo-greke është bashkëfajësi e “feudalëve” pakurrizorë shqipfolës në krim dhe terrorizëm kundër kombit shqiptar”; në një shkrim tjetër, tregohet se “Si u hakmor një inspektor shqipfolës i sigurimit shtetëror serb” (është fjala për një farë Hajdin Tahiri); një tiradë tjetër hapet me pohimin se “Drejtësia e “ndërtuar” nga UNMIK’u dhe bashkëpunëtorët e tij shqipfolës ishte një sistem i krijuar nga mishi, gjaku dhe mendësia komuniste jugoserbe!!”; një shkrim te “Forumi shqiptar” pyet nëse shqiptarët e Maqedonisë që praktikojnë Islamin janë shqiptarë, apo arabë shqipfolës; dhe më së fundi, dëgjon të flitet edhe për antishqiptarë shqipfolës.

Në shkrimin me titull “Si e perceptojnë shqiptarët termin shqipfolës”, të botuar në Trepça.net, K. Çenko vëren se

shqiptarët preken kur trajtohen si shqipfolës, term i cili për ta ka konotacione shumë negative, sepse vë në dyshim pikërisht përkatësinë kombëtare (etnike)

dhe se

shtypi shqiptar trajton si ‘shqipfolës’ ata shqiptarë që dyshohen se bashkëpunojnë me armikun, për t’ua bërë me dije se ata janë tradhëtarë e se nuk kanë asgjë shqiptare veç fjalëve.

Nga pasazhet e cituara, dhe nga pjesë të tjera në shkrim, të krijohet përshtypja se autori e merr për të mirëqenë se të jesh shqiptar nuk është thjesht përkatësi në një kategori etnike, por edhe virtyt, ose titull fisnikërie – çka është, në thelb, edhe rrënja e problemit që trajtojmë. Ai e mbështet qëndrimin e tij me shembullin se frankofonë (ose frëngjishtfolës) quhen edhe disa zezakë të Afrikës – duke e përthyer menjëherë debatin në terma racorë (po jevgjit tanë i përmbushin kriteret për t’u quajtur shqiptarë, apo do të mbeten edhe ata përgjithnjë në baltrat e limbit të shqipfolësve?).

S. Islami, nga ana e vet, në shkrimin e titulluar “Shqipfolës apo shqiptar” mendon se shqipfolës nuk shton asgjë në krahasim me shqiptar, madje mund të ngatërrojë; dhe se ka disa shqiptarë, p.sh. në diasporë ose në hapat e para të asimilimit etnik, të cilët nuk janë më shqipfolës, meqë përdorin një gjuhë tjetër si gjuhën amtare.

Edhe Çenko, edhe Islami, nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur aspektit ideologjik, ose thjesht politik të përdorimit fshikullues të këtij termi në mediat dhe në folklorin internetës shqip.

Nga ana tjetër, atributi i shqipfolësit jo vetëm i mvishet dikujt që nuk qenka mirëfilli ‘shqiptar’ edhe pse mund të dëshirojë të hiqet si i tillë, por edhe e kryen këtë shënjim duke iu referuar konceptit, ose më mirë rrezikut, të përzierjes së gjakut.

Çuditërisht, ky shtrim i problemit është i ngjashëm, në mos i njëjtë, me mënyrën si e nyjëtonte Hitleri, në Mein Kampf, frikën e së djathtës gjermane ndaj komponentit hebraik në kulturë – meqë shumë hebrenj të hapësirës gjermanofone, ose të Gjermanisë, të Zvicrës dhe të Austrisë, por edhe të popullatave gjermanofone të Çekisë, etj., e kishin gjermanishten gjuhë amtare dhe e përdornin këtë njëlloj e po aq mirë sa edhe gjermanët “arianë”, çka i lejonte të kamufloheshin si gjermanë dhe ta korruptonin shpirtin e komunitetit gjerman së brendshmi.

Në monografinë Linguistics and the Third Reich, të Christopher M. Hutton (Routledge, 1999; referimet e mëposhtme ndaj koncepteve naziste për gjuhën dhe kombin i kam nxjerrë nga kjo vepër), lexoj se Hans Naumann, historian dhe foklorist nazist, në veprën e vet Kombi gjerman në rrezik (1932) shkruante se gjuha nuk mjaftonte si kriter për të përkufizuar kombin, meqë gjuha nuk ka lidhje me Geist-in dhe “ka njerëz me mendësi të huaj (fremdgeistig) që e flasin gjuhën tonë po aq mirë sa edhe ne,” duke iu referuar hebrenjve në hapësirën gjermane.

Këta hebrenj, për nga mënyra si e përdornin gjuhën, paraqiteshin si “më gjermanë se gjermanët”, dhe ashtu e kërcënonin lidhjen mes gjuhës amtare dhe racës, meqë gjermanishtja nuk mund të konsiderohej më tani si shprehje unike e shpirtit dhe e racës gjermane.

Në shqetësimet e ideologëve nazistë, asimilimi gjuhësor shihej si po aq kërcënues sa edhe lindshmëria e ulët, papastërtia racore dhe mangësitë eugjenike.

Shkruante Hitleri në Mein Kampf [përkthimi im nga anglishtja]:

Për hebreun, gjuha nuk është mjet për të shprehur mendimet, por mjet për t’i fshehur ato. Kur ai flet frëngjisht, ai mendon hebraisht, dhe kur shkruan vargje gjermanisht, në jetën e vet ai vetëm shpreh natyrën e kombësisë së vet. Sa kohë që hebreu nuk është bërë zot i popujve të tjerë, ai duhet të flasë gjuhët e tyre, pavarësisht nëse kjo i pëlqen apo jo, por sapo këta popuj bëhen skllevërit e tij, atyre do t’u duhet të gjithëve të mësojnë një gjuhë universale (esperanto, p.sh.), në mënyrë që hebrenjtë të mund t’i sundojnë edhe më mirë.

Për Hitlerin, hebrenjtë janë aq të zotët sa të merren për gjermanë ‘të mirëfilltë’. Megjithatë, ai shton se këta nuk e përdorin mirë gjermanishten:

Meqë prej gjermanizmit ai nuk zotëron asgjë tjetër, veç artit për të belbëzuar gjuhën – dhe në mënyrën më të frikshme – por veç kësaj, ai nuk është përzier kurrë me gjermanët, atëherë krejt gjermanizmi i tij mbështetet në gjuhën. Raca, megjithatë, nuk mbështetet në gjuhën, por vetëm e vetëm në gjakun, dhe askush nuk e di këtë më mirë se hebreu, që i jep shumë pak rëndësi ruajtjes së gjuhës së vet, por i jep çdo rëndësi ruajtjes së gjakut të vet të pastër.

Edhe gjetiu në libër, Hitleri flet për hebreun që “është në gjendje të flasë një mijë gjuhë dhe prapë të mbetet hebre.”

Kombësia ose raca, shpjegon Hitleri, kanë të bëjnë me gjakun, jo me gjuhën. Në fakt, gjuha përfaqëson një dobësi, ose pikë të dobët, meqë i ofron një shteg kalimi përzierjes racore. Kur një racë më e lartë trazohet me një racë më të ulët, rezultati është gjithnjë rënie e rangut për të parën, madje edhe sikur ‘pasardhësit që rrjedhin nga kjo përzierje të flisnin gjuhën e racës më të lartë.’ Toka mund të gjermanizohet, pranon Hitleri, por raca jo.

Ky Angst i nazistëve përballë rrezikut të asimilimit kulturor nëpërmjet “hollimit” ose “fëlligështisë” së gjakut u mishërua pastaj në ligjet racore të Nurembergut dhe në kriteret biologjike dhe biografike për të veçuar, filtruar, izoluar dhe, me kalimin e kohës, asgjësuar, elementin jogjerman; dhe për ta pastruar krejt hapësirën gjermane nga elementi subversiv gjermanisht-folës.

Këtu nuk po dua të them se militantët e forumeve tona i kanë nxjerrë këto mësime nga Hitleri, as se kanë ndërmend të ndezin krematoriumet për të pastruar racën shqiptare dhe për të zgjidhur problemin e shqipfolësve; por vetëm se në të dy rastet, teknika e identifikimit të kolonës së pestë, ose të armikut brenda nesh – atij armiku që nuk dallon nga ne në pothuajse asgjë, dhe që prandaj kërkon metoda, njerëz dhe institucione të specializuara për ta pikasur dhe neutralizuar – është e njëjtë, dhe konsiston në kalimin nga kriteri i identifikimit nëpërmjet gjuhës amtare, në kriterin e identifikimit nëpërmjet biografisë ose prejardhjes racore.

Kombëtarizmi shqiptar sot ekziston ende në trajta amorfe, ose i nyjëtuar kryesisht në simbole, këngë, flamuj, pasthirrma dhe recitime; por kjo nuk duhet të na pengojë të dallojmë, brenda diskursit kombëtarist, elemente të cilat nesër mund të shndërrohen në kërcënim të mirëfilltë për një pjesë të qytetarëve shqiptarë.

Sa kohë që shqiptari dhe shqipfolësi po konstituohen si dy pole të një kundërtie konceptuale dhe ideologjike, e cila mjafton, në vetvete, për të përftuar një diskurs të tërë kombëtarist të qendërzuar rreth praktikave të identifikimit, filtrimit dhe pastrimit, rreziku i përçarjes nuk mund të shpërfillet, sikurse nuk mund të shpërfillet mundësia që të qenët shqiptar të shndërrohet nga atribut i vetvetishëm, në kriter përkatësie në kombin, që tani vjen e përfytyrohet si të ishte urdhër, klub, esnaf, vëllazëri ose çetë ose gjithsesi bashkësi njerëzish të përzgjedhur; çka nënkupton edhe nevojën për një “autoritet” që do të verifikojë, nesër, kredencialet kombëtare (kombëtariste) të kujtdo që e ka shqipen gjuhë amtare.

U nisëm nga supozimi, i logjikshëm, se çdo shqipfolës është edhe shqiptar; kaluam nëpërmjet dyshimit paranoid se disa shqipfolës mund të mos jenë, në fund të fundit, shqiptarë; dhe mbërritëm në praktikën e tanishme, të mediave edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, për ta quajtur shqipfolës dikë që nuk është shqiptar i vërtetë. Shembulli më mjafton për të ilustruar si një ideologji që mëton të jetë në shërbim të kombit, si bashkësi e parë e të gjithë shqiptarëve, arrin të përftojë mjete dhe doktrina të tilla që ta vërë këtë bashkësi në luftë me vetveten, të kapur në ethet e marrosura të vetëpastrimit.

Nuk ka komente

  1. I gjithe ky problemi i identetit, qe kapemi fort pas gjakut (realitetit objektiv?) per te vertetuar perkatesine tone kombetare, eshte kusur i deficitit te perjetimit te rolit te shtetit. Klasa politike kane deshtuar te krijojne nje shtet qe mundeson identifikimin e qytetarit me shtetin e tij. Nuk kane nisur ende proceset moderne te formimit te identitetit, nepermjet perjetimit te shtetit te se drejtes dhe demokratik, ku cdo qytetar ka mundesi te perfitoje siguri ekonomike, te drejta politike e vete-realizim.

    Me pare raportet identitet-formuese ishin ndermjet shtetit dhe mbreterise, pastaj shtetit dhe partise (ideologjise komuniste) dhe me pas shtetit dhe klaneve e partise. Kurre ndermjet qytetarit (shtetasit) dhe shtetit, apo shtetasit dhe kombit, pervec se ndermjet vulgut dhe kombit.

    Ende nuk kemi nje raport te qarte te shtetit me qytetarin (shtetasin). Historikisht ka munguar ajo hallka historike e raportit te shtetit me kombin, e cila mundeson me pas identifikimin demokratik te qytetarit si vendimmarres me shtetin, si ekzekutues i vullnetit te tij, ose te shumices. Edhe pse relativisht homogjen si komb, raporti i shtetit me kombin, ka qene problematik. Ky raport i deshtuar, kjo hallke e munguar ne ngjarjet e mepasshme, ka sjelle deficite ne proceset identitet-formuese ne vijim, prandaj kapemi ende si qemoti tek gjaku dhe raca.

  2. Ka pas qene nje film shqiptar, ne te cilin nje femije u thote shokeve “mos flisni per gjera te frikshme, se na dalin ne enderr.”

    Xhaxhai me analize e pika mbi “i” dhe Kapedani me permbyllje koncize, na futen daten.

    Po te mendosh a mund te behet Shqiperia si Gjermania? Absolutisht jo. Kjo ben qe e gjithe kjo fryme ultra-nacionaliste qe shpaloset ne media e kafene, te duket si nje problem shume i vogel, i larget, i pamundur….me shume si nje ushtrim politik, i ca palo partive dhe grupeve qe kane marre flamurin e kombetarizmit per punet e veta, dhe qe ju leverdis ky lloj diskursi publik.

    POR, mos harrojme se primitivizmi dhe mungesa e ndergjegjes sociale nder shqiptaret, me te vertete mund te mos kete kete kellqe per persekutime sot, por nje situate e turbullt mjafton qe fjalet te kthehen ne veprime (mos harrojme ’97, ku njera pale thoshte “bema zot enderr” dhe lejoi shkermoqjen e shtetit,. dhe tjetra, bente lista se kush do ndeshkohej, kur te merrnin pushtetin revolucionaret e Komiteteve te Shpetimit Publik te Gavroshit dhe Che Guevares)

    Qameti, tha Kako Pinua!

  3. nese kombetaristet jane ata qe demaskojne shqipfolesit, qe gjejne tradhtaret, qe kapin ne flagrance infiltruesit, gjakun e shprishur, kulaket, fraksionistet, minoritaret, islamiket, sabotatoret e kenetes se maliqit etj, atehere pse jane pikerisht ata qe reagojne kur shteti mer iniciativa per numerimin e (jo)shqiptareve (censusi)? duket si nje paradoks. nga njera ane kerkohet identifikimi i joshqiptareve (= shqipfolesve) dhe nga ana tjeter kur censusi permban edhe kriterin e kombesise apo te fese behet nami.

    1. Po pse-ja eshte e qarte, vetem ti paske ngelur ne hapesiren ballkanike dhe diaspore qe nuk e paske marre vesh .
      Regjistrimi ne kushtet e Shqiperise ka nivel te larte manipulimi, Lufta eshte bere kunder manipulimit, jo kunder numerimit, Po te dalin te dhena te sakta, te gjithe do te jene te kenaqur, ndoshta jo te gjithe, do ankohen ata qe e duan Shqiperine me sa me shume pakica.

      Paradoksi i vertete eshte ky, qe nga nje ane flitet per pakica etnike, nga ana tjeter nuk u lejohet shqiptareve te jene etni, po perkundrazi edhe i ziu apo norvegjezi mund te jete shqiptar.

      Se si dreqin do i jepet nje te huaji etniciteti shqiptar, ta zeme kinezeve te medresese, por nga ana tjeter do ekzistojne pakicat etnike si greket, kete nje Zot e merr vesh.
      Sipas ketij modeli rrumpalle, pakica greke perfshin ne gjirin e saj vetem greke, ndersa shumica shqiptare perfshin ne gjirin e saj edhe kineze, arabe, italiane a ku di une, çfaredo robi te planetit qe i bie apo mund t’i bjere rruga ketej. .

  4. teknika e identifikimit të kolonës së pestë, ose të armikut brenda nesh …konsiston në kalimin nga kriteri i identifikimit nëpërmjet gjuhës amtare, në kriterin e identifikimit nëpërmjet biografisë ose prejardhjes racore.

    Po mire, ata qe quhen rendom ‘rome’ a ‘egjyptiane’, qe flasin vetem shqip e vete-identifikohen si ‘te tjere’, cila teknike i kap? Jo per gje por mua po me duket se situata qe pershkruani ju eshte nje reaksion me permasa me te medha se deshtimi i shtetit dhe i kastes politike.

    Mua me duket qe shume nuk e kaperdijne dot faktin qe ekziston nje shtet le te themi mbi 90% homogjen. Thjesht nuk eshte politikisht korrekt dicka e tille ..sot.

    1. Por unë po flisja për teknikën e identifikimit të kolonës së pestë – jo për romët, që janë kategori kalimtare. Nuk i ka quajtur kush armiq romët ndonjëherë.

  5. Hitleri ka thene edhe gjera me mend, as qe diskutohet se gjaku eshte element esencial i te qenit shqiptar, kete e kane thene te tjere para Hitlerit, sepse eshte llogjike qe etnia ta konceptoje vetveten ne termat e gjakut.

    Edhe Amerika kur ben ndarjet etnike, 20% germane, 10% irlandeze etj, ne fakt ben ndarjen e gjakut, 20% te amerikaneve qe jane gjermane nga gjaku, 10% jane irlandeze e me radhe.

    Te futesh Hitlerin ne teme eshte muhabet kot, vijimesia e gjakut, homogjeniteti i bashkesise fale gjakut, ekziston ne Bibel e Kuran.

    As nuk besoj se trembet ndonje shqiptar nga shantazhe me hitlera, ne kete pike.

    Natyrisht, qe nje i zi nuk ka si te jete shqiptar, ndersa nje i bardhe, prej siçilianit tek laponi, mund te kamuflohet si shqiptar pas pak brezash, nje zezak nuk ka si te kamuflohet.

    Merret si shembull i ziu dhe jo i bardhi, thjesht spese i ziu dallohet qartazi, po edhe te bardhit kur i dihet origjina i vendoset nje poshteshenim, shqiptar me probleme.

    Shqiptaria kalon thellesisht nga termat e gjakut, doganen mund ta kalojne me shume veshtiresi te bardhet sepse kamuflohen, jo per arsye tjeter.

    1. Pikerisht pse shqiptaret e bardhe, sipas kriterit me gjak, mund te jene ne origjine gjithcka tjeter – perfshire edhe shqiptare – po ashtu edhe më të zinjtë ne lekure mes nesh munden te jene po aq shqiptare.

      Nese nuk e percakton dot me saktesi dyshimin mbi paraardhesit sllave apo vllehe apo greke apo turq apo apo sakse te kujtdo qe na rrethon, dhe shqiptaria e gjakut mbetet ne tentative te perhershme vertetimi mes toponimive te huaja (por vendase), mes deshmive te vjetra te multietnise, ajo cka mbetet e sigurte, atehere, eshte shqipfolja dhe vullneti per te qene pjese perberese e shqiptarise. Ja pse edhe te zinjte jane po aq shqiptare sa edhe te bardhet, pikerisht pse i diskriminon pa te drejte mundesia mashtruese qe cdo i bardhe te mos jete perjetesisht dhe ekskluzivisht i prejardhur prej “gjakut shqiptar”. Nje kriter qe funksionon vetem teorikisht, dhe nuk permbush dot nevojen e pretenduar per klasifikim te sakte, nuk mund te jete me kriter i sakte.

      Kjo “shqiptar me probleme” qe ke bere gati ne etikete, nuk eshte e cuditshme kur vjen nga ti, por kjo nuk e perjashton dot edhe kesaj rradhe nga detyrimi per t’u refuzuar me perbuzje. Gjaku si problem dhe si cen domosdo i pasherueshem, eshte vetem problem dhe cen i racisteve dhe nuk ka vend ne asnje forum te respektuar.

      Ky racizem i neveritshem do refuzuar energjikisht, tashme qe kuterbon edhe nga zyrat e shtetit, me Enkelejd Alibeajn qe delegjitimon politikisht si “shqiptar me probleme” gjaku Kreshnik Spahiun (drejtesi poetike i thone).

  6. Shqipetaret e sotem i drejtohen pastertise se gjakut, sepse eshte gjeja me e lehte per tu bere. Cdo ide tjeter. qofte kjo me natyre sociale, ekonomike, kulturale apo politike do kerkonte me teper mund, dhe ne zakonisht nuk kemi besim ne perfundimin e gjerave te cilat duan shume djerse, perpjekje e vrasje mendje per ti realizuar.
    Shih historine e fese ne Shqiperi.
    Shih historine e shtetit
    Shih historine e qyteterimit shqiptar te koheve moderne.
    Shih historine e 20 vjeteve te fundit.

    Cfare karakteristike kane? Cfare tipari te perbashket kane?

    Ne merremi me pastertine e gjakut a te races a ku ta di une, sikur kjo te ishte gjeja apo ideja me rendesishme qe mund te prodhoje si diskutim me natyre kombetare shoqeria shqiptare. Po kjo ngjan me shume me nje preokupim te nje shoqerie qe jeton ne pyjet e shirta te Amazones, se sa te nje shoqeri qe eshte vetem disa qindra km larg nga zemra e qyteterimit perendimor.

    Ne si shoqeri shqetesohemi me pastertine e gjakut.
    Shoqeria, ne Serbi, te themi, meqe i kemi si me perzemer ata, shqetesohet se si te krijoje sa me shume mundesi punesimi per pjestaret e saj.
    Kjo shoqeri mban shkollat e duhura, rregullat e duhuar, administraten e duhur, legjislacionin e duhur, tekniket e duhur, inxhineret e duhur, etj, etj. Si perfundim i perpjekjes se perbashket te shoqerise serbe, FIAT-i i Italise i hyn hesapeve dhe llogarit se nese do te investoje 1 miljard Euro per ndertimin e FIAT 500 ne Serbi, ROI (return of investment) do ta justifikonte nje hap te tille. Investimi i tyre eshte i mbrojtur, dhe te ardhurat e projektuara jane ekonomikisht te justifikueshme. Te dyja paleve ju vijne llogarite.

    Kurse neve merremi me gjakun. Dhe kjo vetem sepse eshte me e lehte se sa cdo perpjkeje tjeter sociale e marre ne shkalle te gjere. Ajo nuk ka nevoje as per pune as per djerse qe te vihet ne jete. Ka nevoje vetem per nje flamur kuq e zi, dhe nje rrap ne forme tribune apo stadiumi.

    Me vjen keq per c`ka po ndodh ne ate vend.
    Kam pershtypje se ne po shohim e zbulojme perdite e me shume se nga cfare jemi te bere. Dhe mua s`me pelqen aspak.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin