IDENTITETE URBANE (II)

Duke lexuar këto ditë librin e Gëzim Alpion, Mother Teresa, Saint or Celebrity (Routledge, 2007, f. 43), më tërhoqi vëmendjen anekdota e mëposhtme.

Alpion tregon se, gjatë një prej vizitave të Nënë Terezës në Shkup:

[Ajo] refuzoi të jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë, kur e pyetën, disa herë me radhë, nëse ishte shqiptare, maqedonase, vllahe, serbe, apo e ndonjë kombësie tjetër. “Unë jam qytetare e Shkupit, qytetit ku kam lindur”, u tha ajo reporterëve më në fund, “Por i përkas botës.”

Të jetë ky një tjetër version i “I am from New York”, që ua shpupurisi mustaqen kombëtaristëve të regjur në këtë blog? Të ketë qenë edhe Nënë Tereza, kjo shenjtore e shqiptarizmit post-modern, bartëse e identitetit urban?

Apo të ketë qenë fjala vetëm për një përgjigje diplomatike të murgeshës, për të shmangur përkatësimin kombëtar dhe qejfmbetjet etnike pasuese?

Unë anoj nga hipoteza e dytë, vetëm se prirem të gjej atje më tepër thellësi se ç’duket në vështrim të parë.

Në fakt, siç e shpjegoi këtu Epiriot në një koment të paradokohshëm:

Shkupi i sotëm është vetëm një relikë modeste e metropolit që përfaqësonte dikur ky qytet për Ballkanin [që] e ka humbur pothuaj plotësisht shtresën e vjetër qytetare. Familjet e vjetra të Shkupit të dikurshëm metropol, janë pothuaj të papërfillshme në numrin e qytetarëve të sotëm.

Në qytetin e fëminisë së Nënë Terezës bashkëjetonin myslimanë dhe të krishterë, ortodoksë dhe katolikë; shqiptarë, sllavë, hebrenj, turq, vllehë – dhe qyteti e merrte identitetin jo nga kjo apo ajo etni, por nga kombinimi i tyre.

Shuma ishte më e madhe se pjesët përbërëse.

Ballkani qendror i Perandorisë Osmane ka pasur disa qytete të tilla, ku përkatësia etnike nuk ngrinte peshë përballë përkatësisë qytetare: Manastiri është i pari qytet që më vjen në mend, por edhe Voskopoja, Sarajeva e Janina mund të futeshin në këtë grup.

Nënë Tereza ishte krijesë e këtij mjedisi; ku përkatësia e saj etnike shqiptare duhet menduar si vetëm një prej ingredientëve. Në vend që ta amplifikojmë aq sa t’ua zëmë frymën të gjithë ingredientëve të tjerë, derisa ta bëjmë Nënë Terezën të pakuptueshme, bëjmë mirë të kuptojmë si integrohej kjo fillesë etnike shqiptare, në identitetin e saj urban.

Vetëm ashtu mund ta ftillojmë këtë figurë të lindur nënshtetase të Sulltanit në një familje shqiptare katolike, në një lagje vllehësh, në një qytet aso kohe pjesë e Perandorisë Osmane por që do t’i kalonte sakaq Mbretërisë Jugosllave (pas Luftës I Botërore), e që prindët i vunë emrin turk Gonxhe, por që ia fali veten Kishës Katolike dhe e kaloi jetën duke u shërbyer të varfërve në Indi.

Për kombëtaristin e sotëm maqedonas, të thuash “Jam nga Shkupi” është provë e përkatësisë etnike sllave-maqedonase; por nuk duhet harruar se ky farë automatizmi brutal është rezultat i trishtuar i një shekulli histerish nacionaliste dhe spastrimesh etnike dhe fetare në Ballkan.

Në fakt, Shkupi i sotëm, i kapur peng në kacafytjet etnike dhe paranojat kombëtariste, ia bën të pamundur një banori të qytetit të thotë: “Jam nga Shkupi”… “por i përkas botës.” Ajo sëmundje e keqe që bota e njeh si balcanitis chronica rreket t’ia mohojë Shkupit dikur edhe urban edhe kozmopolit mundësinë për t’i dhënë botës qytetarë.

Siç mund të merret me mend, deklarata si kjo e Nënë Terezës do të priteshin me natyrshmëri nga brezi i atyre që e identifikojnë veten si “I am from New York.” Kush jeton në New York dhe merr pjesë normalisht, si qytetar, në jetën e metropolit, e kupton se përkatësia metropolitane merr përparësi ndaj përkatësisë etnike, meqë fizionomia e kësaj monade urbane të planetit i transhendon etnitë, gjuhët dhe folklorin e banorëve të vet.

Thashë më lart se, nga hipotezat shpjeguese të fjalëve të mësipërme të Nënë Terezës, unë anoj nga ajo që i sheh si përpjekje diplomatike për t’iu shmangur identifikimit etnik. Mirëpo këtu duhet shtuar edhe se, për një figurë të kalibrit planetar si murgesha nobeliste, mënyra ballkanike fshatarake e të menduarit do të ketë qenë gjithnjë pak artificiale, pak shtrënguese, pak falsifikuese në pasojat.

Fërkimet dhe keqkuptimet, në këtë temë, e kanë burimin te mendësia e fshatarit provincial, zakonisht malësor, i cili nuk është mësuar me diversitetin dhe, kur i qëllon ta ndeshë ndonjëherë, e percepton gabimisht si shenjë diversioni ose, më keq akoma, subversioni.

Ky hiper-katundar nuk është veçse barbari i përjetshëm në portat e Romës, që rregullisht i shkatërron qytetet, por vetëm për të përfunduar i magjepsur nga sharmi i tyre; dhe për t’u gdhirë, një ditë prej ditësh, intra muros, me frikën e porsalindur të barbarëve në gji.

Prandaj, thënien e Nënë Terezës “Jam nga Shkupi” duhet ta kuptojmë njëlloj siç do të kuptonim po të na thoshte “Jam katolike”, sa kohë që identiteti urban i përket një niveli tjetër, më të lartë se identiteti etnik, madje edhe se identiteti kombëtar (gjithnjë i magjinuar).

Për ta mbyllur me fjalët e atij të marrit të barcaletës: po ecë e mbushja mendjen gjelit që unë nuk jam kokërr misri, tha…

Nuk ka komente

  1. Mos u merr kaq seriozisht me fantazma xha xha.
    S’ka ngel kaq keq kozmopolitizmi sa te sjelle ne jete fantazma, po mbase e kam gabim.
    Gjithsesi si tha ai tek filmi; Germo Tare germo, se aty do e gjesh qenin e ngordhur .

  2. Përvoja ime vetjake më ka treguar, se vetëm jeta në një metropol e mundëson identitetin urban.

    20 vitet e fundit i kam kaluar në Gjermani. 10 vite në një qytet të vogël, 8 vite në Berlin, dy të fundit në një qytet mesatar.

    Asnjëherë nuk kam mundur të them dot që jam gjerman, siç mund t’i ndodhë dikujt, që jeton prej 20 vitesh SHBA apo Kanada. Në Gjermani kjo nuk është e mundur.

    Megjithatë brenda dy – tre vitesh munda të them se jam berlinez. Dhe këtë pa ndonjë sforcim të madh. Asnjëherë nuk më është dashur të bind dikë në Berlin për këtë. Mjafton të orientoheshe në jetën urbane njësoj si vendasit dhe kjo mjafton. Të qenit berlinez nuk është ndonjë atribut.

    Identiteti urban nuk konkurron me identitetin etnik. Për mendimin tim, kur duhet të ballafaqohen me njeri – tjetrin në përditshmërinë urbane, identiteti urban e dominon atë etnik.

    Me kthimin në provincën gjermane u shndërrova automatikisht përsëri në shqiptarin e mëhershëm, ose belinezin e zakonshëm.

    Tjetër gjë.

    E ndjeni edhe ju të tjerët një erë këmbësh këtu rrotull?

  3. Une kam jetuar 14 vitet e fundit ne Tirane. Por sikur te thosha qe jam nga Tirana, apo sikur te them edhe pas 14 vitesh te tjere, nese do te vijoj te jetoj ketu, natyrisht qe do jepja nje shfaqje apo do kerkoja te vija piketa te reja ne prezantim, gjthsesi artificiale. Perndryshe nje rikthim ne qytetin tim te lindjes nuk ma perjashton asnjehere te drejten per te folur si pjestar i atij qyteti, c’ka gjithepranohet nga te gjithe njerezit aty. Dhe mund te merret me mend se si metropol i mirefillte, Tirana eshte ne ndertim e siper, gje qe logjikisht do e bente me te pranueshem sperkatjen e identitetit te vet me prurje nga provincat. Kalimi nga nje stad marredheniesh te individit me ambientin ne nje stad tjeter eshte normale, por jo kur kjo kryhet ne formen e nje automati qe sic i merr ngarkesat ashtu edhe i le. Ne kete rast nuk kemi te bejme me asgje, pervecse me percues bilogjik te rrethanave urbane permes receptimit te shkelqyer me te cilat eshte i pajisur nje provincial ne tranzicion. Mund te ve re edhe personalisht sesi miq te mi, ne nje moshe me mua, me nje dialekt jugor te thate, tanime kane nisur integrimin; ka nje thyerje te kumbimeve ne te folur, nje zbutje te “r”, nje kalim drejt te folmes se Tiranes, pak si mode e atij qe eshte larg zhargoneve te pamodifikuara te qyteteve te Jugut; te gjitha keto fale pergatitjes paraprake ne karantinen gjuhesore te Qytetut Studenti. Me shume se zmusim logjik, mendoj se eshte ceshtje zgjedhjeje, nje modelim artificial i asaj se cfare eshte e mire dhe sesi duhet te sillemi. Apo edhe kujt duhet ti ngjajme ndoshta.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin