KU E PINË KAFENË KOMBËTARISTËT?

 

eagle

 

Shinasi A. Rama pyet, nëpërmjet një artikulli botuar në “Shekulli”, pse s’kemi parti nacionaliste në Shqipëri.

Pasi përmend ekzistencën atje të partive të pakicave kombëtare, si dhe faktin e njohur që në shumë vende të tjera, sidomos në Ballkan, partitë nacionaliste marrin numër të respektueshëm votash, autori përpiqet t’i japë një përgjigje pyetjes të shtruar që në titull.

Shkruan Rama:

[N]umri i shoqatave shqiptare jashtë shtetit ka ardhur duke u rritur me shpejtësi marramendëse. Klube, organizata e shoqata nacionaliste e patriotike ka me shumicë gjithkund si në SHBA, por edhe në Angli, në Gjermani, Zvicër, Itali e Greqi.

Të bëjnë përshtypje librat e gazetat e shtypura nga emigrantët shqiptarë në Greqi, revistat, botimet, gazetat e aktivitetet që zhvillohen, konferencat e takimet që organizohen gjithkund e me një intensitet të lartë, shkrimtarët shqiptarë që mezi e fitojnë bukën e gojës duke bërë punë të rëmdomta e megjithatë duan të jenë pjesë e kulturës kombëtare shqiptare duke bërë sakrifica të panumërta.

Nuk duhen harruar studimet e pafundme nga studentët shqiptarë që duan të jenë e të ndihen shqiptarë dhe që në rrugën e karrierës së tyre zgjedhin të studjojnë kombin e tyre.

Ka shumë shqiptarë që janë kthyer për të punuar e jetuar në Atdheun e tyre të motivuar nga dëshira për t’i shërbyer kombit të vet. Ka të tjerë që kanë rënë heronj me armë në dorë si Indrit Cara.

Ka të tjerë që nuk dinë se si ta shprehin vetëdijen kombëtare por e vënë flamurin kombëtar në ditët e festave kombëtare maje të pallateve ku ndoshta punojnë e pastrojnë plehrat gjithë ditën.

Po nëse kultura shqiptare, në vetvete, e përqafon pa komplekse patriotizmin, atëherë si shpjegohet që shqiptarët në Shqipëri nuk kanë një parti nacionaliste, që ta organizojë e ta kanalizojë politikisht këtë energji shpirtërore?

Sipas Ramës:

problemi nuk është me shqiptarët si grup etnik por se duhet kërkuar diku tjetër dhe shpjegimi është tek ajo që po ndodh në shtetin shqiptar ku faktori kryesor është paria e Tiranës.

Me fjalë të tjera, autori ia gjen përgjigjen pyetjes së vet në politikën në thelb antikombëtariste (antinacionaliste) të ndjekur nga paria e Tiranës.

Vazhdon autori:

[N]ë shtetin shqiptar, paria politike e Tiranës lufton me të gjitha mënyrat të shmangë mendësinë e vlerat kombëtare. Ajo ka organizuar partitë politike që sillen e veprojnë si instrumente të interesave të saj që i mbrojtën ato interesa dhe që veprojnë si kartele kriminale.

Paria e ka mendjen vetëm tek pasurimi i saj, asaj nuk i intereson shërbimi kombëtar dhe e ka kuptuar se shqiptarët sundohen kur përçahen mirë e mirë. Duket se ky është çelsi i suksesit të parisë së Tiranës dhe i dështimit të të tjerëve dhe i nacionalizmit shqiptar.

Për mua, ky shpjegim është i mangët.

Pikësëpari, Shinasi A. Rama, i cili është profesor i shkencave politike në NYU, mund ta kishte artikuluar pak më hollësisht se çfarë objektivash, afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata duhej të përmbante, në vija të trasha, programi i një partie nacionaliste në Shqipëri, meqë një qasje e tillë ndaj problemit mund të ndihmonte për ta ndriçuar më mirë.

Mua ma merr mendja se një parti nacionaliste në Shqipërinë e sotme do të vinte në krye të programit çështjen e bashkimit politik të trojeve shqiptare në Ballkan; meqë kjo do të ishte çështja madhore e nacionalizmit shqiptar, nëse ky do të organizohej si doktrinë politike dhe si ideologji.

Nuk e vë në dyshim se shumë qytetarë të Republikës Shqiptare e dëshirojnë madje ëndërrojnë këtë bashkim; sikurse nuk e vë në dyshim se shumë qytetarë po të Republikës Shqiptare kanë përparësi politike krejt të tjera.

Bashkimi politik i trojeve shqiptare në Ballkan do të çonte në konflikt të drejtpërdrejtë me vendet fqinjë, veçanërisht me Serbinë dhe Maqedoninë, por edhe me Malin e Zi dhe Greqinë.

Sa do të ishin të gatshëm qytetarët e Republikës Shqiptare të votonin për një parti politike, e cila po të fitonte do ta fuste Shqipërinë në konflikt me fqinjët?

Po ashtu, statusi i Kosovës si shtet i pavarur është njohur tanimë nga vetë Shqipëria, por edhe nga shumë vende perëndimore, duke përfshirë këtu shumicën e aleatëve tanë të NATO-s, me SHBA-në në krye. Pavarësia e Kosovës sot konsiderohet si një nga shtyllat ku mbështetet stabiliteti në Ballkan dhe në Europë, i mbrojtur dhe pjesërisht i garantuar nga fuqia ekonomike e Bashkimit Europian dhe nga forca ushtarake e vendeve të NATO-s.

Në këto rrethana, një parti nacionaliste shqiptare që do ta vinte bashkimin politik të Shqipërisë me Kosovën në ballë të programit të vet do të margjinalizohej vetvetiu, edhe brenda edhe jashtë Shqipërisë; sepse pozita e Shqipërisë sot është e tillë që vendi nuk mund të mbijetojë pa u integruar në strukturat kontinentale dhe rajonale, në një kohë që mund të mbijetojë për bukuri pa u bashkuar me Kosovën.

Rama ka të drejtë kur vëren se paria politike e Tiranës i ka dhënë përparësi absolute integrimit të Shqipërisë në Europë; por harron të shtojë se respekti, madje nënshtrimi ndaj autoriteteve dhe institucioneve ndërkombëtare nuk ndeshet vetëm në parinë e Tiranës, por është dëshirë e përbashkët e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, një parti nacionaliste që do ta linte jashtë programit të vet çështjen e bashkimit politik të trojeve shqiptare në Ballkan nuk do të gjente dot arsye për të ekzistuar, duke u diferencuar nga partitë e tjera popullore si PS-ja dhe PD-ja. Nuk mund të mbahet në këmbë një parti me ndjenjat atdhetariste të diasporës, ngjyrat e flamurit kombëtar, Skënderbeun dhe entuziazmin për fitoret e kombëtares shqiptare të futbollit.

Prandaj edhe thashë, më lart, që Rama do ta kishte ndihmuar vërtet lexuesin, sikur të kishte sqaruar se çfarë programi do të duhej të kishte kjo parti nacionaliste, të tillë që ta dallonte nga PD-ja dhe PS-ja, si dy partitë politike madhore në skenën politike të Shqipërisë.

Vetëm gatishmëria për t’i shërbyer kombit shqiptar, ose qytetarit nuk do të mjaftonte; sepse këtë gatishmëri e shprehin të gjitha forcat politike, në krejt gjatësinë e spektrit. Eksponentë të lartë të PD-së dhe të PS-së rregullisht dalin me deklarata dhe pozicione “nacionaliste”, duke abuzuar me to, ndonjëherë me retorikë të dalë boje. Mua madje më duket se të gjithë politikanët kryesorë të Tiranës e besojnë veten për nacionalistë të flaktë.

Një tjetër faktor që duhet pasur parasysh, është prania e faktorit ndërkombëtar në politikën shqiptare; nëpërmjet ambasadorëve e të dërguarve të ndryshëm; institucioneve ndërkombëtare që e ndihmojnë Shqipërinë; bankat, institutet e kreditit dhe në përgjithësi donatorët; por edhe autoriteti i jashtëm i Bashkimit Europian, NATO-s, Bankës Botërore, FMN-së si dhe paritë politike të atyre vendeve, me të cilat Shqipëria bashkëpunon ngushtë në sferën politike: SHBA, Italia, Gjermania, Greqia, Franca, Turqia.

Faktori ndërkombëtar nuk do ta pranonte një parti nacionaliste shqiptare; sepse do ta shihte si burim trazirash, rivendikimesh dhe krizash rajonale.

Në këto rrethana, një parti nacionaliste serioze në Shqipëri do të kërkonte ose të mbijetonte nëpërmjet një sistemi të përsosur të marrëdhënieve me bazën dhe me shqiptarët e diasporës, ose duke iu drejtuar për ndihmë dhe bashkëpunim partive nacionaliste simotra, në Perëndim dhe në Lindje. Hipoteza e rrënjëve politike lokale më duket e pagjasë, për shkak të traditës së paktë që kemi si shqiptarë; ndërsa lidhjet ndërkombëtare do ta margjinalizonin edhe më shumë këtë parti nacionaliste shqiptare në Europë, po të kihet parasysh statusi delikat i partive nacionaliste në vendet e tjera europiane.

Nga një lexim i vëmendshëm i artikullit, të krijohet përshtypja se autori Shinasi A. Rama e mendon partinë nacionaliste si alternativë ndaj stanjacionit politik që ka pllakosur sot në Tiranë, e që pjesërisht lidhet edhe me shkëputjen e parisë politike të tanishme nga baza e qytetarëve dhe vartësinë e saj nga faktori ndërkombëtar. (Në kohë të tjera, do të thuhej se kjo pari “është shitur”; por nuk është qëllimi im këtu të bëj retorikë.) Këtë alternativë, Rama e përfytyron si një lëvizje që duhet të nisë nga periferia – gjeografike dhe kulturore, provinca dhe diaspora – për t’u koaguluar drejt qendrës politike të vendit. Nacionalizmi shqiptar, në këtë rast, do të përfaqësonte një platformë të gatshme për ta realizuar këtë lëvizje centripetale; por jo më shumë se kaq.

12 Komente

  1. Mua gjithnje me jane dukur si te pamundura keto zgjidhje te tipit “Deus ex machina”, ku problemi, dilema, halli marrin per mire me nje nderhyrje nga lart. Profesor Rama ne mos prej te qenit shqiptar, te pakten prej formimit te tij duhet ta dije se ideja e nje partie nacionaliste shqiptare eshte me 200 vjet vonese.
    E vulgarizuar, nje parti politike eshte si drejtuesi i nje automjeti. Por nuk eshte ajo qe e nderton kete automjet. Tek e shumta, mund te ofroje nje ide, ose po qe se eshte shume i pasur mund te kerkoje se si e do makine. per ta ndertuar e ndertojne te tjeret, qe nga disenjatore, inxhinjeret e deri tek testuesit. Vetem me pas, drejtuesi mund ta coje kete automjet aty ku deshiron, aty ku eshte me e mira, aty ku eshte e nevojshme, aty ku eshte e sigurte etjetj.
    Dobesite, si ne forme ashtu edhe ne permbajtje, te politikes shqiptare perputhet mot a mot me ato qe paraqet shoqeria shqiptare. S`mund te pretendosh qe mjafton te kete nje shofer te zotin, dhe nje veture e tipit Traban mund kthehet ne nje tank.

    Per mendimin tim, Shqiperise nuk i duhet nje parti tjeter politike. Asaj me shume se cdo gje tjeter i duhet nje autostrade me 6 korsi qe te lidhe Durresin me Shkodren, Durresin me Korcen, Durresin me Vloren, dhe Sarande, i duhet nje linje hekurudhore qe te lidhe Pogradecin me Selanikun dhe Stambollin, qe te lidhe Shkodren me Prishtinen, e Beograding, i duhet nje plan per zhvillimin e pershpjetuar te portit te Durresit et etj etj.

  2. Krijimi i një partie nacionaliste zakonisht prezupozon dhe një kujtesë historike kur vendi ka qenë i suksesshëm, i madh, i fuqishëm. Në Itali nacionalistët kujtonin perandorinë romake, në Gjermani njëlloj kujtonin periudhën kur shteti i tyre komandonte gjithë Evropën juglindore e kështu me radhë të tjerët. Shqipëria, përveç faktit se është e vogël gjeografikisht, nuk mbaj mend të ketë dominuar ndonjëherë gjithë territoret përreth dhe të ketë pasur një periudhë të artë zgjerimi. Kjo për të qëndruar te supozimet historike ose pseudohistorike të lindjes së një partie nacionaliste.

    Raporti me diasporën njeh ndjeshëm një mitizim të konceptit “atdhe” nga ana e të ikurve, që e shikojnë si një pjesë të tyren dhe pse në shumicën dërmuese të rasteve nuk ka një kthim mbrapa në terma afat shkurtra. Arratisja në mitin e nacionalizmit i shërben emigrantit si mburojë në kontekstin perëndimor ku jeton, që në shumicën e rasteve është “armik”. Duke mos pasur këta të ikur as të drejtë vote, e shikoj të pamundur përdorjen e tyre si një bagazh votash të mundshëm për një parti hipotetike nacionaliste.

    Në Evropë zakonisht partitë nacionaliste janë në shumicën dërmuese të rasteve anti evropiane, duke e nënkuptuar Evropën si njësi administrative që kufizon disi lirinë e veprimit të shteteve që e përbëjnë. Në Shqipëri ndjenja evropiane është e theksuar dhe vështirë do të kishte mbështetje një parti që do të predikonte qëndrimin jashtë nga strukturat evropiane. Natyrisht bërja pjesë në BE për shumicën e njerëzve do të thotë “leverdi” në lëvizje njerëzish dhe mallrash. Debati dhe diskutimet mbi aspektet e tjera të hyrjes në BE janë inekzistente. Këtu flas për çështje si identiteti, feja, raporti me pakicat, etj.

    Shqipëria është e varur pothuajse 100% nga faktori ndërkombëtar. Kjo ndodh si nga ana ekonomike ashtu dhe nga ajo politike. Paria e Tiranës siç e quan autori i shkrimit thjesht i shton dhe servilizmin grotesk dhe humoristik të protokollit, raportit me ndërkombëtarët. Si thotë dhe Xha xhai, Evropa (që brenda vetes ka lulëzim partish nacionaliste dhe në pushtet) nuk i lejon vendet në zhvillim që të dalin nga rreshtat e manualit të demokracisë, sipas të cilit nuk rekomandohen absolutisht parti nacionaliste, sidomos në një rajon “të nxehtë”.

    Përveç këtyre më lart, personalisht mendoj se një parti nacionaliste është gjëja e fundit për të cilin Shqipëria ka nevojë.

  3. Në Nëntor të 1957 rusët lëshuan për herë të parë në hapësirë një gjallesë; qenin Laika.

    Shkodranët e komentuan kështu këtë ngjarje; Edhe ne e kemi qenin, veçse na mungon raketa…..

  4. Prof. Rama nuk merr përsipër të hartojë programin e partisë kombëtariste por thjesht shtron pyetjen se pse nuk ka një të tillë në Shqipëri.
    Partia Kombëtariste nuk don të thotë se duhet pa tjetër të ketë një program ta quajmë irredentist.
    Programi minimal i Partisë Kombëtariste Shqiptare do të kërkojë që shqiptarët të jetojnë me nder, dinjitet dhe mirëqënie në vendin e vet, dhe të trajtohen me respekt dhe si të barabartë nga të huajt. Për shembull:
    Të kenë punë në vendin e vet e të mos shtrëngohen të punojnë si shërbëtorë jashtë;
    Të kenë shkolla të mira publike në vendin e vet, dhe jo arësimin publik që e ka shkatërruar paria e Tiranës për t’i hapur rrugë universiteteve të kota private;
    Të ketë spitale për të qenë, dhe jo në gjendjen e mjerueshme që i ka lënë ato kryeministri mjek i Shqipërisë;
    Të kenë shtet serioz, me administratë që punon për popullin, me gjykata të paanshme, me diplomatë të aftë e me dinjitet, me polici e dogana profesionale e të ndershme;
    Të ketë shtyp të lirë e profesional;
    Të ketë ushtri për të qenë dhe jo aty ku e kanë katandisur Majko, Mediu, etj;
    Të kenë ndërmarrjet e tyre, dhe jo të shitura tek greku, turku e italiani, etj;
    Të kenë bujqësi që siguron ushqimin popullit, dhe jo siç e ka katandisur Berisha sot;
    Të kenë një mjedis të shëndetshëm, dhe jo masakrën që po gatuan Berisha me Ramën.

    Kush nuk do të votonte për kandidatët e Partisë Kombëtariste Shqiptare nëse angazhoheshin para popullit që do të siguronin këto objektiva?

    1. Komentator, ndoshta këtë listë mund ta kishte sjellë edhe Rama. Që nuk e ka sjellë, është mangësi e artikullit.

      Tani, unë kam disa rezerva për pikat e këtij programi minimal, të cilat kam frikë se i ka pasur edhe vetë Rama, prandaj nuk e ka shkoqitur më mirë tezën e vet.

      Ti thua:

      Programi minimal i Partisë Kombëtariste Shqiptare do të kërkojë që shqiptarët të jetojnë me nder, dinjitet dhe mirëqënie në vendin e vet, dhe të trajtohen me respekt dhe si të barabartë nga të huajt. Për shembull:
      Të kenë punë në vendin e vet e të mos shtrëngohen të punojnë si shërbëtorë jashtë;

      Politika në favor të punësimit kanë edhe PD-ja edhe PS-ja. Punësimi kërkon investime, dhe investimet kërkojnë tërheqjen e investuesve, sepse shteti shqiptar nuk ka pará, bile edhe administrata funksionon me donacione dhe lëmosha.

      Të kenë shkolla të mira publike në vendin e vet, dhe jo arësimin publik që e ka shkatërruar paria e Tiranës për t’i hapur rrugë universiteteve të kota private;

      Kjo është shumë e drejtë; dhe njëkohësisht gjendet në programet e të gjitha partive, me përjashtim të kundërvënies ndaj universiteteve private – por këto të fundit mund edhe të kenë programe që pajtohen me ato të nacionalistëve, dhe si i bëhet atëherë? Ç’lidhje ka arsimi publik me nacionalizmin? Ti mund të kesh arsim publik të mrekullueshëm, dhe krejtësisht kozmopolit, apo jo?

      Të ketë spitale për të qenë, dhe jo në gjendjen e mjerueshme që i ka lënë ato kryeministri mjek i Shqipërisë;

      Përsëri, nuk e gjej dot lidhjen midis kësaj kërkese të drejtë, dhe nacionalizmit.

      Të kenë shtet serioz, me administratë që punon për popullin, me gjykata të paanshme, me diplomatë të aftë e me dinjitet, me polici e dogana profesionale e të ndershme;

      Edhe këto kërkesa vijnë prej të gjitha partive; veçanërisht PS-së, që ka qenë në opozitë gjatë këtyre viteve. Kritikat që i bëhen PD-së vështirë se mund të organizohen nga këndvështrimi i një lëvizjeje nacionaliste – sepse janë kritika që do t’i bënte kushdo.

      Të ketë shtyp të lirë e profesional;

      Unë nuk e kuptoj si mund të vërë një parti në program çështje të shtypit të lirë – me përjashtim të kërkesës për të mos i ndërhyrë shtypit.

      Të ketë ushtri për të qenë dhe jo aty ku e kanë katandisur Majko, Mediu, etj;

      Po ushtrinë tash e tutje e kemi nën komandën e NATO-s; dhe reformat që i janë bërë, i janë bërë për të përmbushur standardet e aleancës. Vallë do të ketë këllqe, kjo parti nacionaliste, që t’i kundërvihet edhe NATO-s?

      Të kenë ndërmarrjet e tyre, dhe jo të shitura tek greku, turku e italiani, etj;

      Ndërmarrjet kërkojnë investime, investimet pará. Ndërmarrjet kërkojnë edhe ekspertizë, e cila në Shqipëri ende mungon. Do të guxojë partia nacionaliste të dalë me një program autarkik? Do të guxojë t’i akuzojë business-et e ndryshme si “të shitura”? Do të guxojë t’i vërë etiketa kombëtare business-it? Mundet që të guxojë, por kjo do të ishte recetë e sigurt për margjinalizim.

      Të kenë bujqësi që siguron ushqimin popullit, dhe jo siç e ka katandisur Berisha sot;

      Sa kohë që “populli” ka të hajë, nuk pyet se nga i vjen ushqimi. Dardha është dardhë, pavarësisht se është vjelur në Korçë apo në Strugë. Nga ana tjetër, Veç kësaj, Kapedani e ceku mirë, më lart, absurditetin e sjelljes politike të fshatarëve në Shqipëri.

      Të kenë një mjedis të shëndetshëm, dhe jo masakrën që po gatuan Berisha me Ramën.

      Kërkesë shumë me vend; por mjedisi nuk rregullohet pa imponuar politika të rrepta kontrolli ndaj business-eve, çka prodhon papunësi. Si do të pajtohet kjo me kërkesën më sipër për hapje vendesh pune? Shumica e punëve e ndotin mjedisin – mendo sa e ka shkatërruar mjedisin e Tiranës business-i i ndërtimeve, i cili punëson me dhjetëra mijëra veta.

      Që këtej – programi që ti parashtron, komentator, nuk është program nacionalist, por program populist. Të lutem mos më keqkupto, po të të them se politika e përmbledhur në ato pika është populiste e kulluar, madje për të qenë më i saktë, i ngjan asaj çka në politikën italiane është quajtur qualunquismo, dhe politikën franceze poujadisme. Të dyja këto rryma politike janë, në thelb, vazhduese të fashizmit.

  5. Para ca kohesh ishte ftuar Dashamir Shehu ne nje studio televizive, i cili perfaqesonte nje tip grupimi te se djathtes. Ne studjo ishte ftuar edhe Ermal Hasimja, dhe disa pjesetar te grupimit.

    Cfare degjova atje nuk kishte te bente fare me nje grupim serioz, porse me disa qe pervetem se rakise dhe qoftes nuk ndanin asgje mes vetes. Psh. nje pyetjeje shume konkrete te Hasimjes mbi platformen e partise, sidomos persa i perket ceshtjeve ekonomike dhe ish-pronareve, Shehu nuk ishte ne gjendje t’i pergjigjej, pervetem se te fliste mbi gjera te pergjithshme.

    Shqiperise, dhe kushdo qofte, nuk i mungone rekomandimet e pergjithshme, porse konkrete.

    Te gjithe e dime se arsimi eshte i mire, po ku eshte plani mbarekombetar mbi arsimin e larte dhe te mesem? Sa para do te hedhi Shehu ne arsim, ku do t’i marri keto. Ke do te mbeshtese: shkollat e elites, apo te gjitha? Shkollat profesionale, ke profesion, sektorin e sherbimeve, minierat cfare? Cilat?

    Te gjithe e dime se zhvillimi i bujqesise eshte i rendesishem. Po ku eshte plani? Cfare do te benin nacionalistet qe faktikisht duhet t’i kishin fshataret ne elektoratin e tyre (sic edhe i ka bota)? Do te mbeshtesnin fshataret me subvencione (e kane bere socialistet dhe Sala, nuk u merr taksa, dhe madje do t’ju jape edhe pension tani, a thua se eshte njesoj punetori i fabrikes qe del ne pension me rrobat e trupit, me fshatarin qe trashegoi token nga fermat socialiste). Pra shkurt: ku eshte alternativa ekonomike dhe politike e te nacionalisteve progresiste? Dhe jo vetem e se djathtes, porse edhe te majtes? Cilat jane dallimet e tyre ne keto politika, ne planet e tyre konkrete? Null! E gjitha nje teater.

  6. Edhe nacionalizmi na duhet neve dhe te perfundojme si serbet dhe greket…te behemi gazi i botes!

    Shyqyr qe kemi harmoni fetare dhe s’ekziston racizm i te ne thuaj, po keto shqetesimet i ndezin kot njerezit per tu bere faktor e per te ngjallur debate.

  7. Ndryshe nga xhaxhai une mendoj se Shqiperise i duhet nje parti e djathte (PD-PS jane parti te majta) qe mund te emertohej dhe si “nacionaliste” per aresye te brendshme dhe te jashtme. Vete S. Rama nuk e ka zhvilluar qarte idene se cfare mund te perfaqesonte nje parti e tille prandaj artikulli i tij nuk ka ndonje vlere te madhe politike pervec idese fillestare.

    Ne aspektin e brendshem nje parti nacionaliste duhet se pari per te mbajtur nen hyqem parite aktuale kozmopolite te Tiranes. Ne vecanti nje parti nacionaliste mund te profilizohet se brendshmi si parti vlerash patriotike e te shkruaje ne balle qofte luften kunder korrupsionit e oligarkise si nje lufte ndaj nje fenomeni antikombetar qofte mbeshtetjen e borgjezise shqiptare kundrejt mbeshtetjes se oligarkeve. Kjo parti duhet te beje te qarte qe ne planin aftagjate e afatmesem bashkejetesa e korrupsionit, oligarkise dhe rritjes ekonomike nuk eshte e mundur. Nje parti e tille mund te profilizohej gjithashtu si mbrojtese e pronareve te tokave dhe si kontrolluese e levizjes se lire te njerezve nga fshati ne qytet. Te dyja keto ceshtje te fundit jane aktualisht te paperfaqesuara politikisht dhe me potencial te madh.

    Nje parti e tille mund te sherbeje sukseshem si nje pol qe vepron kunder majmunizimit kulturor e institucional te parive e te qyteteve shqipare. Per te nxjerre ne pah hipokrizine kur filtet per euro atlantizmin per BE-ne, Naton, e per tregun e lire ne Shqiperi etj. Mbi te gjitha efekti i brendshem i kesaj partie do te ishte te ndryshonte partite aktuale ne drejtim te nje te majte natyrale ku retorika aktuale boshe mbi integrimin Naton, EU-ne ti lere vend nje diskutimi me te ndergjegjshem e me te sinqerte. Se fundmi nje parti e tille mund te sherbeje si jastek (buffer) per ate pjese te elektoratit qe e zhgenjyer nga parite laike aktuale fillon dhe e kerkon zgjidhjen ne forma radikale fetare si wahabizmi etj. Per mua problemi i radikalizimit fetar i brezit te ri ne Shqiperi eshte eminent dhe njera nga pergjigjet mund te jete krijimi i nje partie te tille.

    Ne aspektin e jashtem kjo parti duhet te sherbeje si nje parti qe mbeshtet nje nacionalizem te emancipuar ne politiken rajonale. Vete nacionalizmi shqiptar duke qene popull i vogel nuk eshte mbeshtetur mbi ndonje periudhe historike te sukseshme te shqiptareve dhe nuk ka lindur nga ndonje nevoje e brendshme por ka qene gjithnje reagim ndaj zhvillimeve te jashtme. Me sakte per mendimin tim nacionalizmi shqiptar eshte reaksion ndaj atij serb dhe grek. Duke qene se vala e nacionalizmit serb e grek po vjen duke u zbutur nacionalizmi i nje partie te tille duhet te zhvillohet mbi idene e te drejtave te njeriut te shqiptareve ne shtetet respektive dhe jo mbi bashkimin politik te shqiptareve ne nje shtet te vetem. Ne politiken e jashtme mbi-rajonale kjo parti mund te sherbeje kunder integrimit pa kushte ne institucione globale politike, ekonomike apo ushtarake.

    Ajo qe nuk kuptohet nga shqiptaret eshte qe deshira per integrim pa kushte tregon dobesine tende te brendshme dhe vetem i perkeqeson gjerat ne syte e vendimmarresve globale. Pra integrimi pa kushte dhe pa rezistence te brendshme politike eshte kontraproduktiv. Nga ana tjeter integrim me kushte i vendos te huajte ne nje raport me te natyrshem ne politiken e brendshme dhe vendos nje lloj dinjiteti e respekti ndaj shqiptareve dhe tek vete te huajte. Shembulli tipik i nje qendrimi te ndryshem e me te susksesshem eshte psh. Serbia qe megjithe presionin nderkombetar per Kosoven e per kriminelet e luftes nuk perkulet aq lehte ndaj kerkesave te te jashtmeve dhe ben vetem leshime kundrejt perfitimeve politike te jashtme. Aktualisht Serbia eshte ne nje shkalle me te larte ne rrugen per integrimin ne EU megjithese ekonomia e tyre nuk eshte me e mire se ajo shqiptare, megjithe mungeses se ndarjes nga e kaluara nacionaliste e megjithese nje pjese e madhe e elektoratit mund te kualifikohet si radikale.

    Lind pyetja cilat parti shqiptare kualifikohen per nje parti apo pol te tille politik? Per mendimin tim LSI dhe LZHK do te ishin te pershtatshme nese LSI nderron kursin mbi korrupsionin dhe fillon e mendon seriozisht te beje koalicion me LZHK. Nese LSI do te vazhdoje te flirtoje me PS apo PD per te ardhur ne pushtet ajo nuk ka shans te profilizohet sic duhet. Nje pol politik si ai qe kam pershkruar me siper do ti duhet njefare kohe te jete nje pol opozitar dhe duhet ta shmange qellimisht ardhjen ne pushtet. Kjo, qofte sepse ne opozite eshte me e lehte ti permbahesh premtimeve te mesiperme sesa ne pozite qofte sepse duhet njefare kohe per te rregulluar e koaluduar strukturat e brendshme.

  8. Më rastisi të lexoj një koment disi të pazakontë në Internet, që ka të bëjë me nacionalizmin shqiptar, ama të parë nga një këndvështrim disi ndryshe (d.m.th atë të fqinjëve tanë). Mund ta lexoni këtu http://a-arvanites.blogspot.com/2009/04/blog-post_08.html#comments
    Të qenit i pazakontë ka të bëjë me faktin se komenti është shkruar nga një arbëror i Greqisë! Është e kotë t’u them se arvanitasit me zemër janë më grekë se vetë grekët, se kanë zhvilluar me kohë një ndërgjegje kombëtare helene Wikipedia), plus faktin që janë kalendaristë të vjetër brenda kishës orthodokse — më konservatorë se kaq, nuk ka ku të vejë!

    1. Nuk mu duk konservatorist hic ai arvanitasi, e me zemer shqiptar tha jam. Perkundrazi mu duk shume i moderuar. S’e besoj kjo te jete shume e pazakonte.

  9. Po u morre me plehërat quhesh plerazi.Ai vërteton thënien e Konicës dhe vazhdimin Kadare.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: