KANDIDATI

Transkript i intervistës së z. Adab-Muz Kutah, kandidatit për president.

Në Republikën e Zadehstanit (persisht: vend-vrima) po zhvillohen zgjedhjet për president. Ish-sulltanati i Zadehstanit zgjedh presidentin e katërt të rradhës.  Vendi po përjeton sërish ethet e ankthin e fushatës zgjedhore presidenciale. Dy grupet kryesore, Partia e  Idealeve të Dhjetorit (P.I.DH) dhe koalicioni “Lidhja e Orientimit nga Qendra Europiane” (L.O.Q.E), janë në garë secili me nga një dyzinë kandidaturash.

Publiku i radios sonë “Tatmo Kanal” ka treguar interes të madh për zhvillimet në ish-koloninë e Zadehstanit. Pamundësia jonë logjistike për të intervistuar kandidatët e partive politike – shumë prej tyre flasin tjetër gjuhë e jetojnë tjetërkund – na shtyu të intervistojmë z. Adab-Muz Kutah (persisht: nxënësi xhuxhmaxhuxh). Z. Kutah është klerik në tarikatin e mirënjohur të “Qerratenjëve dhe Xhambazëve”, me ofiqin e lartë të tarikatit “Dede Rrumpalla”. Dede Rrumpall Kutah është dekoruar me urdhërin e lartë të “Sarhoshëve” dhe vlerësuar me titullin honoris causa nga Universiteti Kristal për kontribute të mëdha në lojën e kumarit, degustimin e verërave dhe në xhonglimet legjislative. Dede Rrumpall Kutahun e gjetëm pranë radios tonë duke u endur rrugëve të ish-protektoratit të Zadehnianit (sot Zadehstan) me një tabelë në qafë ku shkruhej “Më bëni Sulltan!”. Pas shpjegimit tonë, z. Kutah kuptoi se faktikisht ai dëshironte të bëhej president i ish-principatës së Zadehhanit (sot Zahdestani).

Më poshtë disa pjesë të rëndësishme të intervistës.

Tatmo Kanal – Zoti Kutah, mirëseardhët në “Tatmo Kanal”. Riktheheni pas një kohe të gjatë pa folur, ndonëse ju jeni në gjendje të flisni edhe me heshtjen tuaj. Madje aq shumë bërtisnit aty poshtë me heshtjen tuaj, sa na u desh të mbyllnim veshët. Ne e konsideruam që kjo intervistë të zhvillohej në heshtje, por për hir të dëgjuesve tanë ishte e pamundur teknologjikisht që mendimet tuaja të vlefshme të përcilleshin në formën e zakonshme telepatike.

Adab-Muza Kutah Rumpalla – Konfuci ka thënë se “Heshtja është miku i vërtetë që nuk të mashtron kurrë”.  Por unë besoj se ka gjithmonë një kohë për të folur, duhet të ketë, është e dobishme gjithashtu të ketë edhe një kohë për të dëgjuar ose për të folur nëpërmjet heshtjes, kuptohet… nëse publiku do të na kuptonte. Ka shumë nevojë për reflektim, për të menduar përpara se të ushqejmë konfliktet me emocione të tepruara.

Në vend ka shumë energji negative. Shumë YIN, e pak YANG. Shumë errësirë në argumenta dhe pak dritë në logjikë. Ky është një konflikt i hershëm i këtyre dy forcave. Gjen sendërtim në forcat politike të P.I.DH-it dhe L.O.Q.E-s me energjitë e tyre përkatëse.  Por nuk ka balancë ndërmjet tyre. Mungon harmonia. Një forcë e tretë harmonizuese. Për këtë jam këtu. Andaj dua të bëhem president. Yin dhe Yang duhet të mbretërojnë sërish shoqërinë tonë në mënyrë të balancuar dhe në harmoni.

Tatmo Kanal – Pavarësisht kundërshtive që doktrina juaj fetare ka prodhuar ndër vite, është fakt se prodhimi juaj ka qenë gjithmonë pozitiv, për ju. Shumë të këqija i keni shkaktuar këtij vendi, por shumë edhe keni fituar. Por, pa u zgjatur më gjatë, po ju shtrojmë që në fillim një pyetje konkrete. A do të jeni ju kandidat për të pasuar Benefit Ball-in në rolin e presidentit të Republikës?

AKRDuket sikur po hyjmë në një temë, por kjo është një pyetje për të dalë nga tema.  Se kur hymë në një portë, d.m.th se kemi dalë nga gjëkundi. Jeta, ka thënë Konfuci, është si vrima në ajër, as kemi hyrë, e as dalë, por njëkohësisht hymë e dalim e të njëjtët nuk jemi.  Unë hyj në presidencë e dal nga presidenca njëkohësisht. Hyj si individ, e dal si popull kur i dorëzohem vullnetit të popullit.  Më lejoni të them me vërtetësi që si klerik dhe qytetar i përgjegjshëm, kam bërë një ofertë, kam ofruar dijet dhe përvojën time, aftësitë dhe kapacitetet, për të shërbyer që energjia politike të ndryshojë. Pra jam ofruar. Më sakrifoni! Më lini të humbas në ju, brenda jush o popull!

Është si loja e kumarit, unë humbas për të fituar. Ndërkaq, ky është vetëm fillimi dhe jam këtu për të deklaruar hapur, nëpërmjet jush e nga brenda jush, si për konceptin, frymën dhe vizionin tim hedonist, për të cilën e bëj këtë ofertë dhe të gjitha veprimet që duhen ndërmarrë dhe produktet që do sigurojë: kumari, dehja, kuplaraja etj.

Kjo është harmonia që unë premtoj. Yin dhe Yang! Bjeruni t’i biem! P.I.DH. është një parti spartanësh, akumulojnë kapital me muskuj, i përkasin më shumë racës së gjuetarëve dhe luftarake. Seksualiteti i tyre është mashkullor e penetrues, edhe për femrat. L.O.Q.E-t janë më subtil, mbledhin ku të mundin, nuk duket që kanë, por as u mbarohen, janë të racës së mbledhësve dhe bujqve.  Seksualiteti i tyre është femëror, pritës, prandaj edhe akuzat. Të dyja grupet gëzojnë harmoni të brendshme, Yin dhe Yang janë të balancuar. Por nga jashtë ato nuk janë. Unë mund ta realizoj këtë.  Jam prej të dyja racave, mbledhës dhe gjuetar. Gazelë dhe luan. Dele dhe dash.

Tatmo KanalMegjithatë, në bazë të kushtetutës, duhet që një parti t’iu kandidojë.

AKRE dobishme dhe shpesh e mangët në politikën zahdistane është zgjerimi i hapësirës për dialog, negocim, mbi bazën e të cilit, edhe palët të njohin me njëra-tjetrën, natyrisht të njohin personalitetet që ofrohen dhe janë të disponueshëm për t’u zgjedhur me funksione të rëndësishme, të cilat pa dyshim kërkojnë mirëkuptim, filtrim nga ana e politikës.

Të qartësohem: Nuk ka hapësirë ku të zhvillohet një dialog mes palëve. Ku palët të njohin njëra-tjetrën. Një bardhak ku të përzihet vera e bardhë me të kuqen. Ku drita të takohet me errësirën. Ky jam unë. Kjo hapësirë, ky bardhak, edhe fizikisht, mund të ofrohet nga trupi im [mban barkun].

Kjo kërkon mirëkuptim nga të dyja palët. Kuptohet, për kandidaturën time. Domosdoshmërinë e saj. E të filtrohen të gjitha të tjerat. Gjithmonë për hir të dialogut. Jam mësuar të bëj pazar, loz shumë kumar.

Iku historia, tradita e hershme e luftërave klasore e partiake. Edhe pse kjo histori tranzicioni është lidhur si me spango, mua, që më ndjek nga prapa, por vret Zahdistanin si një mace me bishtin nën zjarr.

Unë këtë herë, meqënëse publiku më njeh, kam preferuar të negocioj, të paraqes më afër në faktorët politikë të rëndësishëm konceptin dhe vizionin tim, duke krijuar kështu një proces që do t’i shërbente vendit dhe jo mua. Një proces të rivendosjes së besimit mes politikës dhe institucioneve, të prishur në disa raste mjaft kritike dhe jo thjesht në atmosferën mjaft simbolike të 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit tonë të përbashkët, por sidomos në pragun e takimeve të rëndësishme dhe vlerësuese të institucioneve euroatlantike që ndjekin statusin tonë.

U turpëruam edhe me botën. Nuk është se Zahdistani nuk bën pa institucione demokratike. Kemi bërë edhe pa to. Bëjmë ende. Por për botën! Europa nuk na pranon se i prishim karmën, paqen. Duhet të ndreqim karmën tonë. Për këtë jam kandidati më i pranishëm.

Nga ana tjetër na duhet prehja. Libri i Taos “Tao Te Ching” (kreu II.) shprehet se i mençuri i administron çështjet e tij duke mos bërë asgjë. Ai i jep udhëzimet e tij duke mos i dhënë gojës. Duhet pra të heshtim e të prehemi nëse duam të përfitojmë nga Yin dhe Yang. Të integrohemi në karmën mbarëeuropiane.

Tatmo KanalPërpara se t’iu pyes për përmbajtjen e ofertës, është me interes të publikut të dijë se me cilët faktorë politikë keni kontaktuar ose do të kontaktoni? Cila është doktrina e re, me të cilën kandidatura juaj do të futet në Kuvend?

AKR – Doktrina jonë bazohet në “Tao Te Ching” (kreu III), ku thuhet se: “Të mos vlerësojmë e të angazhojmë njerëzit me epërsi, nëse nuk duam sherr ndërmjet tyre; … të mos u hapim orekset për dëshira, që të mos u pështjellohen mendjet. Në qeverisje, i mençuri, boshatis mendjet, dobëson vullnetin e mbush barqet e forcon kockat e të nënshtruarëve. I mençuri përpiqet vazhdimisht t’i mbajë ata të padijshëm, pa dëshira apo synime.  Kush ka dije pengohet që të mos veprojë. Rendi i mirë bëhet universal atëherë dhe aty ku nuk veprojmë.” Unë jam një ndjekës i doktrinës së “hiçit”.

Filozofia e Taoismit, e integruar me atë të “Xhambazëve” e të urdhërit të “Sarhoshëve” shkon edhe më tej në këtë pikëpamje. Ne e kemi të ndaluar të veprojmë kur jemi esëll. Kjo filozofi do të përcillet edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët do të votojnë vetëm të pirë. Madje ditën që unë do të zgjidhem ata duhet të jenë të dehur. Ne e marrim Khajamin e madh fjalë për fjalë në gjuhën tonë: “Pi xhin/ E fundme është kjo jetë/ Veç këtë të dhuron rinia/ Vakti ardh për xhin, trëndafila e sarhoshë miq / çastit gëzoju/ ky është çasti i jetës tënde.“ “Veproni o njerëz për të mbushur barqet e shpëlarë fytin, zbrazni zorrët e jashtme e të brendshme e për të tjerat mos e vrisni!- kjo është motoja ime.

Më zgjidhni president e kurrë më halle nuk do të njihni. Hallet, problemet i shpikim vetë. Ekonomia? Futi një gotë! Politika? Futi dy gota! Të la nusja? Futja me dorë! Hiç mos u merakosni. Për asgjë.

Tatmo Kanali – Edhe nëse nuk zgjidheni president këtë vit, ju patjetër do të kandidoni legjislaturën tjetër?

AKR– Patjetër, nëse do të jem esëll.

Nuk ka komente

  1. I ke rene pikes kapedan efendi.
    Megjithate, kur degjon se ne xhiro eshte dhe emri i shenjtores se sektit te gjitheperfshirjes veri perndimore te europes juglindore, laureates se cmimit te republikes per burreri dhe fitueses se cmimit prestigjiz nderkombeta, miss menopauza, Jozetope Fipalli, Dede Rumpalla, eshte me gjithe sinqeritetin moralisht dhe logjikisht i respektueshem.
    Ne fund te fundit keta jemi.

  2. Interesant sesi kompozita Zadehstan eshte kthyer fjale per fjale, shpejt e shpejt, ne “Vendi i Pasardhesit”, eshte shqiperuar si “Vendi i Birit”, por ne transkriptin e Tatmo Kanalit ka devijuar ne “Vendi i Birës”, për t’u stilizuar perfundimisht nga redaktoret e cmeritur si “Vend-Vrima”.

    Sa me pakthyeshem te kujtoje vendi yne se po europianizohet a perendimorizohet, aq me fort e orientalizon satira politike, se Yin/Yang shkoi kjo pune, dhe vijme ne nje lloj balance historike kesisoj.

  3. sqarim: shkrimi i theksuar eshte pjese e intevvistes origjinale, te lidhjes se referuar ne artikull. Imagjinoni sesi tallen me teleshikuesin: ju z. Nano flisni edhe ne heshtje. E Nano rri disa ore pa folur ne kete interviste dhe te gjithe e kane marre vesh se cfare ka thene. Gazetat komentojne. Njerezit pyeten tek News 24 se cfare mendojne mbi kete interviste. E Top Channel e quan nje nga intervistat me te suksesshme, se i ka bere shqiptaret te mendojne seriozisht per presidentin e ardhshem… cfare karikature?

  4. Sot, ne mengjes, me ofron nje kafe, drejtori i nje prej institucionvet te rendesishme te sistemit shendetsor dhe me “naivitetin” qe e karakterizon, me tregonte çudirat qe ndodhin me drejtuesit, si pjese e hierarkise, si te partise (ne pjesen me te madhe), por edhe te vete sistemit. “Me thone (kush valle jep te tilla urdhera?!): VIDH, VIDH, VIDH….!HIQ NGA PUNA njerzit, qe nuk na duhen.. Ate nuk e don Lilka, kete nuk e don Titi, ate tjetrin,Jozetopja (e bukur kjo ..). E, ky eshte refreni qe perseritet ne menyre te vazhdueshme, gjate gjithe kohes time te punes.Jam çdo dite nen presion..” Dhe kjo, o miqte e mi, perveçse e trishtueshme, nuk eshte vetem se shperberje e gjithshkaje dhe e gjithekundshme.. Ata kandidatet e “nderum”, gjejne shesh e bejne pershesh; me nje shoqeri si e jona, veshtire te ndodhe ndryshe. Ky milet, e ka shume te shkurter (per te mos thene qe s’ka fare), memorien historike. Por, 2005, nuk eshte nje vit edhe aq i larget, megjithese shume ujra kane rrjedhur..

    1. ky eshte problemi i pas-meje-le-te-vije-qameti me cilindo drejtues… toke e djegur… e nuk mjafton… duhet edhe te harrohet “djegja”… qe te vije prape… te djege prape… deri sa te bej ymer Perendia e ta marre per gjykim…

    2. Mira,

      A do te ishte e munder ta ilustroni se si vidhet praktikisht ne nje institucion si ai qe permendni.

      Do te isha kurioz te kuptoja procesin ,qe besoj se fillon me buxhetin dhe perfundon ne llogarite bankare apo xhepat private.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: