GJUHA PASTËRTORE

Dëgjon shpesh të flitet për “pastrim dhe pasurim të gjuhës shqipe”, pa çka se në shprehjen vetë ka një kontradiktë, sa kohë që, në rastin më të mirë, pastrim-pasurimi e lë leksikun po aq të pasur sa ç’e ka gjetur: hiq finok e fut marraq të ëmbël; hiq çikore e fut radhiqe.

Më shpesh, siç e kemi parë, pastrimi e varfëron gjuhën, sepse fjalën e huaj e zëvendëson duke mbingarkuar, me kuptimin përkatës, një fjalë shqipe ekzistuese.

Për ta konfirmuar këtë, mjaft t’i hedhësh një sy fjalorit Për pastërtinë e gjuhës shqipe, me autorë Androkli Kostallari, Emil Lafe, Jani Thomai, Engjëll Angoni, botuar në Tiranë 1998, nga Akademia e Shkencave; i bazuar në rubrikën “Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj”, të botuar në revistën “Gjuha jonë.”

E keqja me fjalorë të tillë është se ata rrezikojnë të duken të vjetruar që në momentin kur botohen; siç duket edhe nga një vështrim i shpejtë në fjalësin e veprës më lart; por të gjithë fjalorët e rrezikojnë këtë.

Gjithsesi, libri i mësipërm jep këshilla dhe sugjerime për zëvendësim fjalësh të tilla si abisal, abnegacion, savant, akcent, akostoj, atakoj, i deboluar, evaporoj, filaturë, dedikasë, difezë, ekleziastik, intervenoj, dinamometër, eksploatoj dhe plot të tjera, të cilat në fakt askush nuk i përdor më – edhe pse jo si rezultat i botimit të këtij fjalori.

Shumë nga sugjerimet e veprës mbështeten në marrëdhënie sinonimie dhe nuk kanë të sharë; madje në masë të madhe fjalori shërben si burim i mirëfilltë për të njohur lexuesin me fjalë të shqipes të cilat meritojnë qarkullim më të madh, p.sh. ligështohem (për demoralizohem), pjalm (për polen), sendërgji (për artific), përimtoj (për detajoj), tharm (për ferment), ujëvarë (për katarakt), njehsor (për kontator), mësymje (për ofensivë), botërisht (për publikisht), bimësi (për vegjetacion) dhe dhjetëra e dhjetëra të tjera, si këto.

Mirëpo problemi me këtë fjalor dhe me vepra të ngjashme nuk ka të bëjë me realizimin teknik të argumentit – sa kohë që autorët janë profesionistë të pacen – por me filozofinë që i frymëzon e i vë në lëvizje. Dhe filozofia, që në këtë rast, është puriste dhe anti-intelektuale në kufi të autarkisë dhe të ksenofobisë, shprehet para së gjithash në zgjedhjen e fjalësit, ose të elementit leksikor për t’u zëvendësuar.

Që një fjalë të shënjestrohet për zëvendësim, qoftë edhe kur është thjesht term, nuk mjafton të jetë e huaj nga prejardhja; duhet edhe të jetë e paintegruar në gjuhë, ose të ndihet si mish i huaj. Kjo do të thotë se fjala “e panevojshme” duhet ta mishërojë këtë karakteristikë në qenien e vet, jo në prejardhjen e vet.

Mirëpo vepra në fjalë përfshin në fjalës edhe fjalë si agjent, aksident, alarm, aromë, barceletë, bulevard, buqetë, ekzistencë, elementar, fokus, garanci, klasifikim, koincidencë, kolektiv, komunikoj, konstatoj, kontakt, identifikoj, moment, plazh, respekt, situatë, tetanos, trotuar, tutelë, tutor, vizion, e të tjera si këto.

Këto janë fjalë nga më të përdorurat, në gjuhën librore dhe sidomos të mass mediave; ato vërtet mund të zëvendësohen (çdo fjalë mund të zëvendësohet), por nuk ka asnjë arsye për të vepruar kështu, meqë janë fjalë që askujt nuk ia vrasin veshin.

Zëvendësimi i tyre, nëse do të ndodhte, jo vetëm do t’ia hiqte kulturës shqiptare një urë bashkimi të vetvetishme me Perëndimin, por edhe do ta varfëronte gjuhën drejtpërdrejt, për shkak se shumë nga fjalët e propozuara për zëvendësim janë, në fakt, të ricikluara.

Kështu, abort u dashka zëvendësuar me dështim, çka e gjen mbështetjen edhe në ligjërimin e folur; mirëpo dështim përdoret edhe me kuptimet “failure” dhe “fiasco”. A nuk do të ishte më mirë, në këtë rast, që abort të ruhej për dështimet e vullnetshme, ndërsa dështim të specializohej për ato të pavullnetshmet (anglisht miscarriage)? Ashtu do ta pasuronim shqipen ndoshta me një element leksiko-kuptimor të nevojshëm, sidomos për kohët moderne, kur marrëdhënia mes këtyre dy proceseve (abortit dhe dështimit) është thellësisht e politizuar.

Më tej, aksident u dashka zëvendësuar me fatkeqësi, propozim i çalë për shumë arsye; por edhe varfërues, meqë fatkeqësi mbulon tashmë fushën kuptimore të angl. disgrace (ital. disgrazia).

Për alarm jepet kushtrim; edhe pse në shumë kontekste ky zëvendësim do të jepte rezultate qesharake (kushtrimi i zjarrit?); ndërsa për alarmohem, jepet shqetësohem – duke e ngarkuar edhe më tej këtë gomar të shkretë (angl. get upset, worry, etj.)

Njëlloj, për apel jepet thirrje (fjalë e mbingarkuar), dhe për buqetë jepet tufë (e cila ka kuptim shumë të përgjithshëm dhe është, për më tepër, e mbingarkuar gjithashtu).

Devijoj u dashka zëvendësuar me shmang; edhe pse shmang sugjerohet, në të njëjtin fjalor, si zëvendësim për evitoj – ja një shembull flagrant i varfërimit të qëllimshëm. Për erupsion jepet shpërthim, njëlloj si për eksplozion, edhe pse erupsioni dhe eksplozioni janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Po ashtu, ekzigjencë zëvendësohet me kërkesë, pa çka se kërkesë përdoret tashmë për angl. request, madje edhe demand, ndonjëherë deri edhe requirement. Edhe ekzistencë na thuhet se mund të zëvendësohet me qenie, çka do t’i zemëronte pa masë ca filozofë.

Për elementar na thuhet se punën e bën edhe fillestar; pa çka se fillestar (angl. beginner) lidhet me fillesë dhe filloj dhe idenë e fillimit; ndërsa elementar e shpreh kuptimin në një mënyrë tjetër.

Vëreni, ju lutem vëreni, si në të gjithë këta shembuj synimi është të thjeshtohet jo aq gjuha sesa mendimi, nëpërmjet rrafshimit të koncepteve dhe mënjanimit të nuancave. Purizmi është vetvetiu anti-intelektual, por këtu e gjen të shprehur në përmasa dhe mbitone orwelliane.

Disa fjalë të fushës së sportit, të cilat kanë zënë vend specifik aty, gjithashtu nuk i kanë shpëtuar gërshërëve të krasitësit. Formacion, në kuptimin “lista e lojëtarëve etj.”, u dashka zëvendësuar me përbërje, edhe pse përbërje e kemi futur tashmë për angl. composition; finish dhe start, si emra të pikënisjes dhe të pikëmbërritjes së një gare në atletikë, u dashkan zëvendësuar me mbërritje (vendmbërritje) dhe nisje (vendnisje).

Më tej, për fasadë na sugjerohet ballinë, e njëjta fjalë që jepet edhe për frontespic; ndoshta më mirë do të ishte të flisnim për fasada librash, xhanëm!

Vëreni varfërimin sa të qëllimtë, aq edhe arrogant, që i bëhet shqipes prej një ekipi tregtarësh të një ideje të krimbur (purizmit anti-intelektual), të cilët duan medoemos t’ia shesin publikut mirëdashës sendërgjitë e tyre.

Ka edhe më. Inerci, ky term kaq themelor në fizikë, u dashka zëvendësuar me plogëti, dhe inert me i plogët; ndërsa sëmundje infektive me sëmundje ngjitëse, pa çka se ngjitës do të thotë më tepër angl. contagious, çka nuk është e njëjta gjë me infectious.

Për koincidencë na jepet përputhje; por provoni ta përdorni këtë të dytën, pa u mbytur nga të qeshurit.

Kolektiv, si mbiemër, u dashka zëvendësuar nga i përbashkët (deri më tash, këtë e përdornim për angl. common, joint, shared; italisht: comune, congiunto, condiviso).

Maksimal dhe minimal u dashkan zëvendësuar me më i madh dhe më i vogël; a nuk është edhe ky shembull flagrant i një orvatjeje për varfërim, të qëllimshëm, të mendimit?

Për situatë na sugjerohet gjendje; mirëpo gjendje përdoret tashmë edhe për (angl.) state edhe për status – dhe ka një ndryshim mes këtyre dy koncepteve të fundit dhe fjalës situatë, meqë situatë i referohet gjendjes në marrëdhënie me rrethanat, jo aq në vetvete. Përsëri lihet të kalojë vjedhurazi varfërimi, i qëllimshëm, nën pretekstin e pastërtisë së gjuhës. Po cili ishte ai i marrë, që u shqetësua nga fjala situatë xhanëm?

[Kur punoja në Institutin e Gjuhësisë, kam njohur dy të tillë, të cilëve urrejtja viscerale për gjithçka perëndimore, liberale dhe qytetare u vezullonte në sytë prej xhami të thyer. Emrat e tyre i pashë në listën e bashkëpunëtorëve të rubrikës së revistës “Gjuha Jonë” ku, më duhet ta pranoj, kam shkruar edhe unë – pa çka se nuk e mbaj mend se ç’fjalë kam trajtuar; por jo situatë, kurrsesi jo situatë.]

Për toksik kemi fjalën e bukur shqipe helmues; edhe pse helmues mbulon tashmë kuptimin e angl. poisonous (ital. velenoso); dhe mirë do të ishte të kishim, në shqipe, edhe toksik edhe helmues, në emër, në mos të tjetër gjëje, të paktën të precizionit në shprehje (diçka mund të jetë toxic, pa qenë doemos poisonous). Por jo për buldozerët rrafshues të truve.

Po ashtu, për tutelë dhe tutor sugjerohen kujdestari dhe kujdestar, pa çka se kujdestar është mbingarkuar tashmë sa s’mban më (angl. custodian, guardian, keeper, curator, concierge, janitor).

Njëlloj, për vizion na jepen pamje dhe vështrim, edhe pse vizion, në kuptimin më të përdorshëm, është mohimi i pamjes dhe i vështrimit, ose imazhi i diçkaje që nuk është në fushëpamje.

Dukuria është po aq sistematike, sa edhe kafshimet sadiste që i jepnin tartabiqet të dehurit, në Hanin e Dy Robertëve.

Më të çuditshme, edhe pse jo krejt të pakuptueshme, janë përpjekjet për të zëvendësuar një fjalë gjerësisht të përdorur, por me prejardhje të huaj, me një neologjizëm ose fjalë krahinore.

Kështu, dikujt ia ka vrarë veshin fjala balonë, dhe na propozon që ta zëvendësojmë me flutureshë; dikush tjetër e kap me trotuarin, dhe na thotë që të përdorim këmbësore. Edhe termat e sportit e kanë pësuar keq: pistë na thuhet që ta zëvendësojmë me vrapore; njëlloj sikurse korsí, e cila u dashka zëvendësuar gjithashtu me vrapore. Mirëpo korsí sot, nën ndikimin e italishtes, përdoret rëndom për ndarjet në një rrugë makinash ose autostradë; kush do të guxojë të thotë autostradë me katër vrapore?

Për barceletë na sugjerohet gazmore; për plazh, ranishtë. Nuk kam asgjë kundër fjalëve gazmore dhe ranishtë; janë të rregullta, relativisht të hajthme, të motivuara mirë, por jo aq zhurmshëm sa të shkaktojnë hilaritet. Mirëpo ideja e zëvendësimit të barceletë dhe plazh mund t’i lindë vetëm ndonjë të fantaksuri; sepse barceletë dhe plazh, para se të jenë fjalë, janë elemente bazë të kulturës së përditshme të shqiptarit – natyrisht si fjalë, para se si koncepte.

Diçka e ngjashme ndodh me bulevard; fjalë me konotacione kulturore të pasura. Fjalori ynë rekomandon shëtitore, dhe pastaj shton: “Fjala shëtitore duhet përdorur në mënyrë të veçantë kur është fjala për qytetet tona sot.” Ka më bukur se kaq? Në një vepër të botuar në 1998, lexuesit ende i thuhet se në qytetet tona nuk ka bulevarde, si në vendet borgjezo-revizioniste, por shëtitore, ku njerëzit dalin shëtitje dhe krijojnë marrëdhënie të ndershme dashurie! Dhe teksti vazhdon: “Fjala bulevard nuk zëvendësohet në disa emërtime me ngjyrime stilistike keqësuese, si letërsi bulevardesh, gazetë bulevardesh, shoqëri bulevardesh, te të cilat shënon diçka pa vlerë, që u përshtatet shijeve të ulëta dhe një jete të zbrazët.” Dëgjuat, Ina dhe Bamir?

Mund të vazhdoja edhe një herë tjetër kaq; por nuk dua të mërzit njeri; dhe tek e fundit, vepra, edhe pse e botuar në vitin 1998, është produkt i viteve të ideologjisë totalitare, autarkike, anti-intelektuale dhe anti-perëndimore, duke i ruajtur të gjitha tiparet e asaj epoke, me gjithë ndonjë kozmetikë që do t’i jetë bërë. Në përgjithësi, ideja e pastrimit të leksikut, duke shënjestruar terma abstraktë të huazuar nga gjuhët e mëdha perëndimore, përputhej mirë me politikën kulturore e asaj kohe, e cila kërkonte ta ruante qytetarin e shtetit të vetëm socialist në Europë madje në botë nga ndikimet e huaja, në gjuhë dhe sidomos në mendim. Jo aq purizmi si i tillë, por orientimi i këtij purizmi drejt fjalorit abstrakt janë vënë tashmë në shërbim të kësaj ideje, e cila në thelb synon t’i mbajë Shqipërinë dhe shqiptarët të izoluar; dhe huazimin ta trajtojë si çdo shfaqje dhe ndikim të huaj – në art, në letërsi, në veshje, në sjellje. Vepra në fjalë harmonizohej mirë, si të thuash, me këtë frymë të kohës; përshkohej prej saj dhe e përçonte më tej, duke u përpjekur ta vinte leksikun në shërbim të idealit.

Sot këtij lloj purizmi i ka humbur motivimi ideologjik dhe filozofik, por i kanë mbijetuar më një anë teknikat e zëvendësimit, të përpunuara mirë nga mjeshtër të gjuhës; dhe nga ana tjetër, fryma kombëtariste folklorike, shprehje e një mendësie të thjeshtuar, të tipit “ke përdorur një fjalë të huaj”, e cila tani është pjesë e arsenalit kulturor të çdo shqiptari të ndershëm kuqezi. Natyrisht, kjo nuk është veçse një degë që rritet mbi trungun e një lisi të prerë dhe të shembur përdhé; perspektivat e këtij gjakimi kulturor në lëmin e gjuhës janë zero, sepse strategjikisht një qasje e tillë, romantike, ndaj sfidës madhore të modernizimit dhe të globalizimit, është e dënuar të dështojë, madje të bëjë fiasko. Paradoksalisht, shqipja sot mund të mbrohet sado pak, ndaj këtij invazioni fjalësh, konceptesh dhe praktikash të huaja, duke luftuar para së gjithash purizmin – si filozofi, si ideologji dhe si praktikë. Po sa janë vallë shanset që të ndodhë kjo?

Nuk ka komente

  1. Xha xha, thone qe xhaxhi Enver perdorte shpesh fjalen e urte, kush punon, edhe gabon.
    Ky eshte nje nga rastet kur kush punon, edhe gabon, dmth ne morine e fjaleve do te kete edhe nga ato te cilave nuk i eshte kushtuar energjia e duhur dhe qe ti i ke permendur gjere e gjate.

    Nuk e di ne veprimtarine e gjate si perkthyes, sa fjale i ke shtuar fondit shqip, sa ke punuar ne pasurimin e shqipes.

    Se qe thua ti edhe ai nga Borizani qe kishte frike xhaxhi Vani, di t’i fuse fjalet e huaja ne te folur e ne te shkruar, se nuk do ndonje mençuri e intelektualizem te madh te huazosh, perkundrazi shenje mençurie e intelektualizmi eshte te krijosh fjale.

    Sikur ti te krijoje 1 fjale ne vit, tjetri 1 fjale ne vit e me radhe, dmth mjaft te shtrydhej truri per te krijuar 1 fjale te vetme ne 365 dite, une besoj se shqipja do kish bere perpara, po shume perpara.

    Kap 10 fjale ne 1 Janar, vrit mendjen, ne 9 te gabosh e 1 ta nxjerresh te hajrit brenda 31 dhjetorit, e ke bere te mjaftueshmen.

    Kush punon, edhe gabon xha xha.

  2. E di cfare me kujton kjo qe thua ti, Hyllin? Dicka qe me tha nje burre i mencur dikur. Joshua Fishman… e pyeta se cila ishte sipas tij arsyeja qe Yiddish u kthye ne jete, nderkohe qe gjuhe te tjera me te fuqishme dhe me potence financiare qe i mbeshtet mire, nuk ia dalin. Ai tha: cdo darke kur uleshim ne tavoline me vellezerit e motrat, im ate na pyeste: Cfare keni bere sot per Yiddish? Marredheniet me babain ishin te tilla qe secili nga femijet duhet te mendohej mire e te punonte paq para se te vinte per darke, e te kish c’te tregonte.

    Une kete anekdote e kuptoj dhe e pranoj ne kuptimin e mobilizimit. Mobilizimi mendor e shpirteror per te kontribuar, vertet i jep jete nje gjuhe te vdekur apo gjalleron nje te gjalle e me probleme. Edhe me shume eshte keshtu kur ky mobilizim nuk u takon disa kokrrave por mases se folesve. Ndoshta ati i Fishmanit qe i takon fillimit te shekullit te shkuar, vertet priste qe bijte e tij te vinin ne tryeze me disa fjale te vjetra germuar neper literature apo shpikur ne Yiddish per te ndaluar fluksin e anglicizmave. Por gjuhet i shpeton dhe i pasuron vetem perdorimi sa me i gjere, sa me i larmishem, sa me i natyrshem.
    Fjale te huaja shpesh hyjne ne gjuhe sepse mungojne aty ku hyjne. Nuk jane semundje, dreqi e mori, jane vetem miq qe vijne ne ndihme te kujt ka nevoje. Eshte shume mire kur barazvleres te tyre rihidhen ne qarkullim dhe fjala e huaj ne kete rast, ose del jashte ose ngelet ne nje kuptim te ri qe fjala e vendit nuk e mbulonte. Po edhe sikur te mbetej dhe te kishim dy fjale me te njejtin kuptim per ca kohe… e cfare pastaj? Gjuha e gjalle i ka te gjitha mundesite t’i mbaje huazimet e t’i natyralizoje per bukuri.

    Ka raste kur huazimet perdoren si qellim ne vetvete. Dhe keto perdorime jane qesharake e te padinjitet. Me keto raste as nuk ia vlen te merresh, sido qe ka foles publike qe mendojne se duke perdorur sa me shume fjale te pakuptueshme duken si me te mencur e te kulturuar. Puna eshte qe keta tipa harxhet i paguajne vete, sepse ne fakt duke perdorur fjale qe s’kuptohen ne shqip krijojne nje imazh te shemtuar, e sidomos nuk i merr vesh kush. Eshte identike te perkthesh fjale te huaja me fjale shqip qe nuk i ngjisin kujt. Ato jane po aq te pakuptueshme sa edhe fjalet e huaja vete. Vec qe mund te kene edhe ndonje problem tjeter ne varesi te talentit e njohjeve te krijuesit. Zevendesimet koti e prishin gjuhen me shume se sa huazimet. Dhe te gjitha zevendesimet jane pa vlere nese behen me fushata. Me fushata prishim me shume sesa ndreqim. Dhe prishim sidomos mendjen e njerezve.

  3. Zotnia juaj; Autor .
    Te gjithe shqiptaret , me njeren, apo tjetren menyre parashtrojne kerkesen per nevojen e pasurimit te gjuhes shqipe.Ju si specialiste ne lemin e gjuhesise e formuloni dhe e perconi publikisht kete kerkese,keni nje avantazh.
    Per mua shtrohet pytja ?
    A munden sot gjuhetaret shqiptare te japin nje zgjidhje ceshtjes.Une pershembull ne vend te fjales shqiptoj perdor ate QIPËROJ e shoqeruar gjithmone ne kllapa na ajo shqiptoj .
    E barasvlershme e qipëroj eshte fjala ZANOJ, por si nga kendveshtrimi i te degjuarit(akustikes),i artikulimit.si dhe te aftesive shkallezuse te forces energjitike qe karakterizon fjalen eshte aja qiperoj.
    Analiza e njesive kodike eshte kjo
    qipëroj= qi+pë+r=çë+bën+rejë,riedhë, pra informacioni te transmetohet.
    Këtë e bëra duke dashur te krijoje simotrën në shqip të fjales greke EKFONISI

  4. Une jam dakort me xhaxhain per problemet qe ngre per gjuhen shqipe. Shume fjale te huaja kane hyre ne gjuhen e perditshme dhe nga ksonophobia kaluma fare ne ane te kundert ne ksenophili. Organet qendrore gjuhesore te njesimit te kohes se diktatures kane humbur vleren dhe funksionin e tyre keshtu qe c’do gje i eshte lene rastesise the politikaneve. Shqiptaret duhet ta shohin problemin e gjuhes si mjetin me te rendesishem jo vetem per tu integruar ne perendim por te ruajtur identitetin kombetar kunder asimilimit global. Ky phenomen kultural ka ndodhur ne shtete me te zhilluar se Shqiperia. Eshte detyre e gjithe intelectualve shqiptare, sidomos te gjuhetareve si Zoti Vehbiu ashtu si edhe c’do shqipetari dhe mjeti komunikues nga televisioni tek radioja. Le te kthehemi e te shohim perseri filmin ” My Fair Lady”. Anglia, nje perandori me superstructure te formuar, kishte dy gjuhe ate intelectualen dhe ate te rruges. Pa permendur dialektet e ndryshme. Perseri shqipetaret kane nevoje per nje gjuhe te njesuar ne zhvillim e pasurim te vazhdushem dhe drejtimet dhe principet qe Xha Xhai parashtron ne kete artikull qendrojne dhe jane shume te rendesishme,

  5. Ne fakt Banka e Shqiperise fjalen risk e ka perkthyer rrezik, por ne fakt fjala rrezik eshte perkthim i danger qe ka nje kuptim te ndryshem nga risk te pakten ne kontekstin e shkences ekonomike. Nga kjo kane dale ca shprehje te çuditshme si rreziku i kredise (rreziku qe vjen nga kredia!), rreziku i likuiditetit (ne fakt liquidity risk eshte mundesia qe ti te mbetesh pa likuiditet, pra likuiditeti vet nuk perben rrezik, perkundrazi), rreziku i normes se interesit (interest rate risk eshte mudesia e ndryshimit te çmimit te aktiveve financiare si pasoje e luhatjes se normave te interesit, kjo nuk kuptohet si rrezik sepse çmimi edhe ngrihet edhe ulet). Kjo ka sjelle nje varferim te madh ne fjalorin ekonomik, pasi eshte shume e lehte qe kush lexon te ngaterroje riskun financiar me rrezikun (psh ndaj zjarrit) dhe nuk arrin te beje diferencen mes risk dhe danger.

    Ka shume raste te tilla ne praktiken ekonomike, çka i ben profesionistet e fushes konfuze ne lidhje me dokumentat e ndryshem dhe rregulloret e autoriteteve.

    1. Një problem i ngjashëm u del përdoruesve të shqipes në tekste me natyrë kimike, mjedisore dhe shëndetësore, ku dallimi mes RISK, DANGER dhe HAZARD është veçanërisht i rëndësishëm (po i shkruaj këto fjalë me shkronja të mëdha, meqë dua t’i paraqit si koncepte, jo si fjalë doemos të anglishtes).

      Fjalorët i përkthejnë që të trija si “rrezik”, por në fakt dallimi mes tyre, brenda të njëjtave kontekste, është më i rëndësishëm se çfarë i bashkon (ose arsyeja pse mund të trajtohen si sinonime); prandaj rrafshimi që bën fjalori është rrafshim i trurit dhe duhet luftuar.

      Unë vetë, kur më është dashur të hartoj lista terminologjike për shqipen, RISK e kam lënë risk, DANGER e kam përkthyer si rrezik, ndërsa HAZARD si rrezikshmëri.

      Veçanërisht, HAZARD dhe RISK duhen dalluar mes tyre edhe për arsye, si të thuash, juridike. Kështu, një urë e lartë mbi një lumë e sjell gjithnjë me vete RISK-un që dikush të hidhet që andej për të vrarë veten (të “vetëhidhet”, siç thonë gazetat në Tiranë); por HAZARD-i përkatës për jetën ekziston vetëm nëse ura është lënë pa parmak të përshtatshëm.

      Një shembull i nxjerrë nga kjo faqe (http://www.agius.com/hew/resource/hazard.htm): dikromati i kaliumit është një kimikat shumë toksik dhe kancerogjen, që përdoret për të analizuar frymën për përmbajtje alkooli. Megjithatë, në këtë përdorim ai vjen i mbyllur në një tub dhe nuk shpërndahet në ajër, kur ajri kalon mbi të. Për këtë arsye, kjo lëndë me HAZARD (rrezikshmëri) të lartë, po të përdoret sipas rregullave nuk paraqet ndonjë risk për subjektin. Përkundrazi, mielli (i grurit) nuk konsiderohet si HAZARD; nëse një vazo me dikromat kaliumi në raft do të duhej shoqëruar me një etiketë që ta tregonte si helm, një vazo me miell s’ka nevojë për etiketë të tillë. Megjithatë, bukëpjekësit që i ekspozohen pluhurit të miellit për një kohë të gjatë, janë në RISK për të zhvilluar dermatit, koniunktivit, rinit dhe astmë.

      Në këto kontekste, marrëdhëniet midis RISK-ut dhe HAZARD-it (rrezikshmërisë) varen drejtpërdrejt nga shkalla e ekspozimit; dhe ekspozimi i gjatë ose intensiv ndaj diçkaje me rrezikshmëri shumë të ulët (p.sh. zhurma, pluhuri ose rrezatimi elektromagnetik) mund të shoqërohet me RISK të madh ose relativisht të madh për personin.

      Analiza duket sikur kërkon qimen në vezë, por në fakt dallimet janë të rëndësishme për këdo që punon në këto fusha, sidomos për specialistët juristë dhe ekspertët e mjekësisë së punës dhe të sigurisë në vendin e punës.

      Duke i rrafshuar dallimet, dhe duke i bashkuar edhe DANGER, edhe RISK, edhe HAZARD nën hiperonimin “rrezik”, puristët riskojnë topitjen kuptimore të termave dhe të krejt gjuhës; ose një situatë të tillë kur termat të mos kenë më kuptim specifik, por vetëm kuptim të përgjithshëm. Kjo do të ishte sikur të vendosnim të quanim edhe lepurin, edhe luanin, edhe baldosën “gjitarë”, ose më keq akoma, “katërkëmbësh”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin