SUGJERIME PËR NJË LIGJ

Lexoj se Kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi, do t’i propozojë qeverisë miratimin e një ligji për “ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe”, i cili, gjithnjë sipas lajmit të shpërndarë, parashikon edhe hartimin e një “fjalori të plotë” në gjuhën shqipe.

Angazhimi i Akademisë së Shkencave në lëmin e shqipes është për t’u përshëndetur, sidomos po të shoqërohet edhe me mbështetje aktive nga shteti. Por – ka gjithnjë një por – objekti, fushëveprimi dhe synimi i këtij ligji kanë gjithnjë nevojë të përcaktohen qartë që në krye.

Duke filluar nga premisa se gjuha shqipe, si e tillë, nuk ka nevojë as për ligj, as për mbrojtje nga shteti. Çfarë ka nevojë të rregullohet me ligj është komunikimi me shkrim i institucioneve publike. Prandaj ky do të jetë një ligj në mbrojtje të institucioneve dhe të shtetit vetë.

Kur flitet për “mbrojtje të gjuhës nga shteti”, duket sikur vijnë në vështrim dy gjëra kryesore: (1) detyrimi i zbatimit të standardit dhe (2) mbrojtja e gjuhës nga huazimet “e panevojshme”.

Mirëpo, nëse ligji do të ketë për objekt komunikimin e shkruar institucional publik, atëherë “standardi” ka nevojë të specifikohet me kujdes, që të mos katandiset (të mos dhaskalizohet) në policim drejtshkrimor pedant.

Çfarë duhet bërë me ngut, për mendimin tim, është të detyrohen me ligj institucionet publike – të gjitha – të përdorin shqipen e shkruar me alfabetin në fuqi, ose atë me 36 shkronja. Kjo mund të shoqërohet me detyrimin për të përdorur tastiera fizike të shqipes në kompjuterët desktop dhe versionet e MS Windows dhe të MS Office në gjuhën shqipe (së bashku me kontrollet drejtshkrimore automatike përkatëse). Ashtu mbase do të mund t’i jepet fund shkrimit të shqipes pa ë-të dhe pa ç-të, në nivel institucional publik.

Kjo e shkronjave nuk ka të bërë aq me drejtshkrimin dhe standardin, sa me teknologjinë (raportin e përdoruesve me teknologjinë). Dikush që shkruan eshte për është, e bën jo sepse nuk di ta drejtshkruajë atë fjalë, por ngaqë nuk di si ta përftojë ë-në, ose i duket sikur nuk ia vlen të mundohet “për një shkronjë”. Pra, bëhet fjalë për një pengesë teknologjike banale, e cila vepron ngaqë përdoruesit e gjuhës nuk e kanë të zhvilluar sensin gjuhësor etik ose nuk u vjen keq, as turp, që po e gjymtojnë shqipen në regjistrin formal institucional; dhe që mbështetet në bindjen e rrejshme se shqipes së shkruar mund t’ia zëvendësosh ë-në me e, dhe ç-në me c, pa e komprometuar komunikimin; dhe se këtë zëvendësim është i autorizuar ta bëjë kushdo (“demokracia” drejtshkrimore).

Pasi të ndreqet kjo shkelje kaq e hapur e normës, ligji i supozuar duhet të përcaktojë fushën ligjërimore ku do të imponohet ligjërisht standardi – fushë, e cila nuk mund dhe nuk duhet ta tejkalojë hapësirën e shqipes institucionale formale: gjithçka e shkruar që e ka zanafillën te një institucion publik (ekzekutiv, gjyqësor, legjislativ). Por jo më tej, sepse shteti nuk ka pse të ngatërrohet drejtpërdrejt me shqipen e shkruar të botimeve ose të mediave në përgjithësi.

Mirëpo edhe ky standard i shqipes së shkruar, i imponuar kësisoj me ligj brenda një fushe të caktuar, ka nevojë të formalizohet sërish me ligj: dhe këtu nuk mjafton vetëm një fjalor drejtshkrimor, meqë duhet edhe një gramatikë normative dhe një fjalor i emrave të përveçëm (të së gjitha llojeve), sikurse duhet edhe një institucion që të merret me terminologjinë dhe ta sanksionojë dora-dorës, pranë autoritetit të standardeve.

Ka fjalorë drejtshkrimorë të shqipes të botuar edhe së voni dhe që ndjekin vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, dhe që janë hartuar me kompetencë nga specialistë të lëmit përkatës. Këtyre fjalorëve mund t’u bashkëngjiten edhe tabela gramatikore normative, nëse nuk i kanë.

Por ata fjalorë mbase duhen rishikuar, nën dritën e realitetit të sotëm ligjërimor mbarëkombëtar. Çfarë duhet bërë, në momentin e tanishëm – gjithnjë sipas mendimit tim – është të hapet norma drejtshkrimore ndaj dysorëve, ose të kodifikohen shmangiet e pranueshme (në bazë edhe të disa sugjerimeve të bëra këto dekadat e fundit nga specialistët). Me dysorë, kam parasysh forma që mund të përdoren paralelisht, p.sh. qumësht dhe qumsht, fëmini dhe fëmijëri, burrni dhe burrëri, etj.; në kuptimin që të mund të shkruhet fëmini pa u konsideruar kjo shkelje e normës drejtshkrimore në asnjë instancë. Shumë gjuhë anembanë botës i pranojnë dysorët lirisht, pa u shkaktuar kjo ndonjë krisje të strukturave.

Ligji i ri duhet të adresojë njëfarësoj shkrimin e emrave të huaj; meqë parimi pak primitiv i “respektuar” deri më tash (shkruhen ashtu siç shqiptohen) nuk mund të zbatohet dot më. Emra nga gjuhët e mëdha perëndimore mund të ruajnë grafinë e origjinalit; për gjuhët e tjera (përfshi emrat nga gjuhë me shenja diakritike jo-standard, si polonishtja ose çekishtja, ose emra nga gjuhë me alfabete të tjera, si greqishtja, rusishtja, arabishtja ose koreanishtja; ose edhe me sisteme të tjera shkrimore, si kinezçja) duhet të vendosë një komision i posaçëm; zgjidhja më pak e kushtueshme është, këtu, të ndiqet praktika e konsoliduar për një gjuhë dhe kulturë të afërt me shqipen, si italishtja (ose rumanishtja) – në kuptimin që le ta shkruajmë emrin e një shkrimtari kinez siç e shkruajnë italianët.

Për mediat e shkruara, mediat elektronike të shkruara dhe shtëpitë botuese (përfshi edhe ato të teksteve shkollore), ligji duhet t’u kërkojë atyre institucioneve që, brenda 2-3 vjetësh, të hartojnë “manuale të stilit”, ku të përcaktojnë politikat normative që do të ndjekin në botimet e tyre. Shteti nuk mund të ndërhyjë në shqipen e enteve private të botimit – por ka të drejtë t’u kërkojë këtyre që ta rregullojnë formalisht shqipen e tyre.

Më në fund, shteti duhet të ndihmojë, financiarisht dhe moralisht, hartimin e një drejtshkrimi dhe gramatike të gegnishtes letrare, i cili të shërbejë si model nga të gjithë ata që duan ta shkruajnë atë variant letrar (kjo duhet bërë në bashkëpunim të ngushtë edhe me kolegët në Kosovë që kanë ide shumë specifike për këto çështje). Këtë gegnishte letrare të normëzuar mund ta përfshijnë pastaj, në manualet e stilit, të gjitha ato institucione që botojnë tekste të shkruara rishtas në gegnishte – meqë nuk mund të pranohet që një autor të shkruajë âsht, një tjetër asht, një i tretë osht dhe një i katërt ôsht, për të njëjtën formë të foljes jam; sikurse është mirë të zgjidhet nëse do të shkruhet me punue, apo me punu, e kështu me radhë. Nuk është puna për të normëzuar gegnishten si dialekt, por për të kristalizuar variantin letrar që do ta përfaqësojë në shekullin XXI; sepse nuk mund të ecet përpara me parimin “nga një normë për çdo autor”, siç edhe nuk është ecur. Ky standard hipotetik nuk ka lidhje, megjithatë, me mënyrat si e transkriptojmë gegnishten e folur, ose si i shkruajmë disa forma të stilizuara të saj (p.sh. në tekstet e këngëve), të cilat kërkojnë zgjidhje ad hoc.

Ligji për shqipen institucionale nuk duhet të ngatërrohet fare me punë të shqiptimit – madje as në instancat më të larta dhe formale. Një deputet mund të flasë në dialekt edhe nga foltorja e parlamentit (është punë e tij si do ta prezantojë veten para dëgjuesve), por dokumentin që lëshon me firmën e tij si deputet, duhet ta ketë në standard (përndryshe ai dokument nuk do të ketë vlerë juridike). Kjo mbase duhet përligjur edhe teorikisht, duke hequr dorë njëherë e mirë nga parulla naive se “shqipja shkruhet ashtu siç shqiptohet” – ngaqë kjo nuk është më e vërtetë; sikurse nuk është e vërtetë që “shqipja shqiptohet ashtu siç shkruhet”; prandaj këto parulla u duhen kursyer deri edhe kalamajve.

Rregullimi me ligj i komunikimit të shkruar publik nuk është ide e keqe dhe, po të zbatohet me kujdes, do të ketë efekte pozitive edhe në punën, dinjitetin dhe autoritetin e këtyre institucioneve. Me kusht që të heqim dorë nga megalomania e tipit “të shpëtojmë shqipen” – meqë sa më specifik të jetë ligji dhe fusha e veprimit të tij, aq më të mëdha janë shanset që të ketë sukses dhe t’i shërbejë publikut, shoqërisë dhe kulturës shqipe.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa lejen e një administratori të revistës.


Shënim: Ky shkrim m’u sugjerua nga një pyetje që më drejtoi sot në mëngjes gazetari Salih Mehmeti, i “Koha ditore”, në lidhje me ligjin në fjalë. Nuk pata mundësi t’i përgjigjem në kohën e duhur, por tema në vetvete më ngacmoi dhe m’u duk e denjë për shtjellim të menjëhershëm.

9 Komente

  1. Dorështrënguar, robëdëshambër, ngatërrestar, mirëseardhje, lëkurëtrashë, këmbëngulës- janë shkruar korrekt sipas normës drejtëshkrimore. A duhen shqiptuar këto fjalë pikërisht kështu?
    Diçka për drejtshqiptimin ka thënë Teuta Toska, para ca kohe, por mbaj mend që çështja pa u sqaruar mjaftueshëm. Unë jam i paqartë për normën e shqiptimit të ë-së në trup të fjalës.

    1. Nuk ka ndonjë normë drejtshqiptimi – por vetëm një orientim. Sidomos për ë-në e patheksuar, shqiptimi i saj varet nga regjistri: sa më informal ky i fundit, aq më pak dëgjohet ë-ja. Por nuk është ky vendi as sporteli për ta diskutuar drejtshqiptimin.

  2. Gjuha eshte organizem i gjalle,dinamik .Ndersa ligji eshte statik .Po te kishim ligj per mbrojtjen e gjuhes qe ne koherat e lashta atehere do ta flisnim apo shkruanim shqipen sipas variantit te Gjon Buzukut …te pakten ne korrespondencen zyrtare .

    1. Nope. Alfabetizimi e “ngrin” gjuhën, dhe forma e shkruar priret të marrë jetën e vet. Aq më tepër që këtu po bëhet fjalë për kodifikimin formal të një regjistri specifik të gjuhës së shkruar. Kam përshtypjen se je futur në një fushë ku të mungon ekspertiza.

  3. Shteti yne te jape dy leka dhe te hape nje qender reference online me dy-tre korrektore te cilet mund t’u pergjigjen pyetjeve qe kane njerezit persa i perket drejtshkrimit.
    Ai drejtori i Bibliotekes Kombetare mund te ndikoje ne shtet dhe te hape nje zeth ne buxhet per dy tre te pensionuar qe do te kishin deshire dhe aftesi per te ndihmuar njerezine me q&a.
    Me shume do ndihmoje BK me permiresimin e te shkruaret te shqipes me dy njerez te dedikuar me dy laptope sesa cdo gje tjeter, them une.
    Mua te parit…

  4. Me këtë rast po risjell me pak ndryshime një koment të para disa muajsh, me shpresën se ndonjë në Tiranë që ka tagër për këtë punë do e lexojë dhe do vë dorën në zemër…
    ——————

    Një masë tjetër – e natyrës teknike dhe administrative – do të ishte përdorimi vetëm i tastierës me gërmat shqip Ë/ë dhe Ç/ç në Shqipëri dhe në Kosovë. Hapi i parë duhet të jetë përdorimi në institucionet dhe ambientet shtetërore vetëm i kësaj tastiere. Kjo gjë rregullohet me ligj: duke nisur nga një datë e caktuar, p.sh. nga 1 Janari 2021, çdo blerje e re kompjuterash për institucionet shtetërore, përfshirë shkollat dhe universitetet, duhet të bëhet vetëm me tastierën shqip. Kjo do të mundësonte zëvendësimin gradual të tastierave ekzistuese në sektorin shtetëror; në fund të një periudhe 5 vjeçare mund të zëvendësohen të gjitha tastierat e mbetura me tastiera të reja. Ose, çdo vit duke filluar nga viti që vjen, për 5 vite rresht, çdo institucion zëvendëson 20% të tastierave me të reja (me sa shoh, kostot e një tastiere në pakicë nuk i kalojnë 30 dollarë; me shumicë mund të blihen me siguri edhe per gjysmën e këtij çmimi).

    Hapi tjetër do të ishte vendosja e një tarife të lartë doganore për çdo tastierë jo-shqip që futet në Shqipëri nëpërmjet tregtisë me shumicë – kjo do të rregullonte vetvetiu edhe tregun/përdorimin privat të tastierës me gërmat shqipe. Nëse kjo tarifë nuk jep rezultatin e pritur, le të themi brenda dy vitesh, atëhere mund të rritet tarifa ose të ndalohet fare importi i tastierës jo-shqip për një periudhë kohore, p.sh. për 10 vite (natyrisht, duke përjashtuar blerjet personale jashtë vendit). Nëse këto hapa koordinohen edhe me shtetin e Kosovës efekti do të jetë më i shpejtë, ndoshta dhe më i lirë pasi kështu mbulohet një treg më i madh, dhe për gjuhën, në çdo rast, më pozitiv.

  5. Kam frikë se ideja e rregullimit të çështjeve të gjuhësisë me një ligj nuk të shpie asgjëkund. Si rregull “një ligj” do të duhej të finalizonte një proces të ristrukturimit të standardit, pra atij do të duhej t’i kishte paraprirë një proces shumëvjeçar e dinamik, në vijim të të cilit gjuha të ishte ristrukturuar duke u shkruar nga njerëz të penës, të cilët kanë diçka për të thënë (shkrimtarë, juristë, por edhe politikanë të ndërgjegjshëm për fjalën e thënë e shkruar publikisht; pra jo këta tonët). Këta njerëz do të duhej të kishin hyrë në një diskutim dashamirës karshi gjuhës dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie karshi lexuesit, për të arritur diku tjetër ku i kishte prirë një instiktiv ndoshta për një hov cilësor. Pra do të duheshin të ishin shkruar më parë me mijëra faqe literaturë e mirë, e cila të ishte lexuar prej disa qindra mijëra lexues të vëmendshëm e të uritur për të ditur, të cilët pastaj këtë gjuhë ta kishin marrë e integruar në dialogun e tyre gjysmë publik brenda rretheve shoqërore qytetare, ku do të duhej të qarkullonin këta gjuhëmbartës e gjuhëpërdorues; gjithnjë në shërbim të një qëllimi tejet intelektual, që nëpërmjet asaj gjuhe të re, të ristrukturuar, në kapërcyell të epokave historike të garantonin një komunikim jo vetëm sa më eficient më njeri – tjetrin si dhe me institucionet publike, por edhe të ishin në gjendje që atë nëpërmjet gjuhës së tyre të ngritur në një nivel të ri të gjeneronin një mendim edhe më të kualifikuar. Gjuha shqipe nuk lundron në këto ujëra; përkundrazi përdorimi i saj publik kryhet prej kohësh për qëllime të thjeshta, të drejtpërdrejta, sipërfaqësore, për të bindur jo bashkëbiseduesin, por masën (turmën), e cila sa herë është vënë si emërues i përbashkët i gjerave, të paktën në rrafshin intelektual ka ndikuar në mënyrë regresive. Siç u tha edhe në shkrimin e mësipërm, gjuha shqipja ka nevojë të përdoret mirë; të paktën ashtu siç është përdorur dikur në të kaluarën e afërt, atë të përpara 20 – 40 viteve të fundit, ndërkohë që vetëm ideja e sanksionimit të përdorimit të saj në një lloj forme, apo të një tjetre me ligj, pavarësisht qëllimit të mirë, do të ishte diçka e panevojshme, e tepërt.

  6. Ju përgëzoj për shkrimin, i nderuari Vehbiu!
    Në fakt, kjo që propozoni ka të bëjë me dizajnimin e audiencës dhe do ta shpëtonte ligjërimin shqip nga ngërçi aktual…
    Jam shumë i vetëdijshëm, që po t’Ju konsultonin, do të përfitonin shumë, por ç’e do, rrallë e për mall konsultohen specialistët!
    Një pyetje kam: Si do të inkorporoheshin manualët stilistikë me shqipen standarde, kur dihet që ato i drejtohen një publiku të gjerë? (Manualët edhe ashtu bëhen për t’u veçuar, në stil, media nga media tjetër).
    Edhe një herë, përgëzime!

    1. Përshëndetje! Ajo çfarë kam parasysh me manual stili shtjellohet mirë te kjo faqe më poshtë:

      https://en.wikipedia.org/wiki/Style_guide

      Këto gjëra nuk duhet ta shqetësojnë publikun – bëhen nga specialistët dhe janë për përdorim të brendshëm. Nëse i përmenda në propozimin më lart, e bëra për të vënë në dukje se shteti nuk ka punë që t’i rregullojë me ligj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin