PASAPORTIZIMI I FJALËS

Një tjetër iluzion i parapëlqyer nga amatorët e gjuhës dhe marifetçinjtë e tribunave populiste ka të bëjë me prejardhjen krahinore të fjalëve shqipe. Këtij iluzioni i referohen edhe ata që ankohen se shqipja standard dhe shprehimisht Fjalori i vitit 1980 ka lënë jashtë një numër të madh “fjalësh të gegërishtes”.

Iluzioni ushqehet nga një interpretim i shtrembër, herë qëllimisht herë nga padija, i prejardhjes së fjalëve shqipe. Në të vërtetë, përtej dallimeve të natyrës fonetike ose qartësisht historike, është shumë e vështirë të sqarohet nëse një fjalë specifike i përket vetëm gegërishtes, vetëm toskërishtes, apo është e përbashkët për të dy dialektet.

Kjo kurrsesi nuk duhet ngatërruar me faktin që një fjalë si kunorë menjëherë e klasifikojmë si të gegërishtes; meqë forma toskërishte e së njëjtës fjalë do të ishte kurorë. Në raste të tilla është forma fonetike e fjalës që i takon këtij apo atij dialekti, jo fjala vetë; meqë kunorë dhe kurorë janë dy forma dialektore të së njëjtës fjalë shqipe.

Pjesa më e madhe e fjalëve që përdorim nuk kanë prejardhje dialektore të qartë dhe të përcaktuar, por ose janë të përbashkëta për gegërishten dhe toskërishten, ose janë përftuar ose huazuar nga gjuha e shkruar e njësuar. Fjalët që shqipja përdor më dendur përgjithësisht i përkasin grupit të fjalëve të përbashkëta dhe më të vjetra të fondit leksikor të shqipes – fjalët e trashëguara indo-europiane, huazimet nga latinishtja. Sa për fjalët e leksikut libror, si filozofi, politikë, parlament, ligjshmëri, algjebër, paradoks, mirëmbaj, gjeograf, shumëzoj, statujë, shkencë, parakaloj, kometë, bulevard, shembëllzim, sasi, dialog, botëkuptim, autokton, shpëtimtar, etj. këto janë krijuar ose përshtatur përgjithësisht brenda gjuhës së shkruar.

Cilat janë atëherë këto “fjalë të gegërishtes”, për të cilat dëgjon të shqetësohen disa autorë dhe intelektualë publikë? Rastësisht lexoja këto ditë që etimologët e shqipes, që nga Jokli e deri tek Çabej, pas shoshitjesh të thella, kishin arritur në përfundimin që folja dalloj qenka fjalë e gegërishtes, meqë nuk ndeshet në toskërishte. Natyrisht, nuk ka asgjë në fjalën dalloj që të na bëjë ta klasifikojmë si fjalë të gegërishtes – as në formë as në kuptim. Historia e kësaj fjale, e cila ndiqet me metoda të tërthorta, nuk ka kurrfarë ndikimi në përdorimin e saj të sotëm në mbarë shqipen.

Keqkuptimi i pasaportizimit leksikor, nëse mund ta quajmë kështu, lidhet edhe me raportin midis dialekteve dhe leksikut. Çka quajmë dialekt, është në të vërtetë një bashkësi të folmesh, të cilat ndajnë mes tyre tipare fonetike dhe gramatikore të ndryshme nga një bashkësi tjetër të folmesh – p.sh. dialekti geg dallohet nga hundorëzimi, paskajorja e tipit me punue, pjesoret e dyfishta (punue, dhe punuem), etj.; ndërsa dialekti tosk nga rotacizmi, përdorimi i lidhores në vend të paskajores, etj.

Edhe pse ka disa pak fjalë që ndeshen vetëm në të folmet e njërit dialekt, jo të tjetrit, leksiku i gjuhës zakonisht nuk merr pjesë në ndarjet dialektore. Fjalët u përkasin gjithnjë të folmeve të veçanta dhe shkëmbehen nga e folmja në të folme, nga dialekti në dialekt dhe nga gjuha në gjuhë sipas modalitetesh që janë karakteristike vetëm për leksikun. Një fjalë mund të kalojë me lehtësi nga veriu në jug të Shqipërisë; por paskajorja e tipit me punue ose hundorëzimi jo. Për këtë arsye, thjesht fakti që një fjalë e rrallë është mbledhur në aksh katund të Gegërisë nuk do të thotë, në vetvete, se fjala doemos i mungon toskërishtes. Kultura shqiptare ende nuk i ka ndërmarrë ato studime shterruese që do të na ndihmonin për të shpjeguar me siguri të mjaftueshme prejardhjen dialektore të fjalëve, madje edhe të atyre fjalëve që dokumentohen vetëm në një dialekt dhe jo në tjetrin – me përjashtim të punës që ka bërë Çabej në Studimet Etimologjike, dhe që prek vetëm një pjesë relativisht të vogël të leksikut (meqë Çabej ishte i interesuar kryesisht për prejardhjen historike të fjalëve, jo prejardhjen gjeografike). Përndryshe, një fjalë që ndeshet te Buzuku nuk është për t’u konsideruar detyrimisht si “fjalë e gegërishtes”; meqë nga viti 1555 na ka mbërritur si dokument gjuhësor vetëm “Meshari”, dhe nuk kemi asnjë mundësi për të verifikuar nëse atë fjalë e kishte edhe toskërishtja aso kohe apo jo.

Dihet se shkrimtarët, të vjetër e të rinj, përdorin rëndom fjalë të cilat i marrin nga burime të ndryshme, shpesh pa lidhje me prejardhjen krahinore të shkrimtarëve vetë. Deri edhe një shkrimtar arbëresh pararilindas si Nikollë Keta (Nicola Chetta), përdor në një poemë të vetën fjalë që ka marrë nga veprat e Pjetër Budit, të cilat vepra i zotëronte biblioteka e seminarit grek në Palermo. Sikur të mos dihej nga burime të tjera se biblioteka e atij seminari kishte në zotërim vepra të Budit, gegizmat e Ketës mund të ishin interpretuar ndryshe. Nga ana tjetër, një shkrimtar geg modern, si Camaj, përdor në prozën e vet fjalë të rralla arbëreshe, të cilat lexuesit të zakonshëm do t’i duken po aq gege sa edhe fjalët e tjera të pazakonshme që përdor autori.

Sa për fjalët e rralla, të cilat përdoren nga një numër i vogël e i kufizuar folësish, këtyre shpesh mund t’u identifikohet prejardhja si huazime kontakti nga gjuhët fqinje – si p.sh. huazimet e shumta nga greqishtja e re (me qindra), që ndeshen edhe sot e kësaj dite në të folmen e qytetit të Gjirokastrës. Jugu i Shqipërisë ka qenë për një kohë të gjatë në kontakt me greqishten dhe me sllavishten; prandaj s’është për t’u habitur që një pjesë e madhe e fjalëve specifike për këtë apo atë krahinë janë huazime kontakti nga këto gjuhë. Përkundrazi, shumë zona në Veri kanë qenë më të izoluara e të mbrojtura nga ndikimet e gjuhëve të tjera, prandaj kanë ruajtur fjalë të një periudhe më të moçme të shqipes. Mirëpo, siç e thashë tashmë, është shumë e vështirë, në mos e pamundur, të provosh se këtë apo atë fjalë e ka vetëm ky dialekt dhe jo ai tjetri, përtej konstatimeve banale, që kanë të bëjnë me huazimet (është afërmendsh që greqizmat e Gjirokastrës nuk kanë asnjë shans të ndeshen në Martanesh ose në Drenicë).

Prandaj, kur vlerësojmë në tërësinë e vet leksikun e shqipes, ose edhe vetëm të shqipes së njësuar, nuk gabojmë po të nisemi nga hipoteza se shumica dërrmuese e fjalëve shqipe janë të përbashkëta për gjuhën, jo specifike për këtë apo atë dialekt, madje edhe këtë apo atë të folme; sikurse nuk gabojmë po të mendojmë se, gjithsesi, prejardhja e fjalëve zakonisht nuk pasqyrohet në formën e tyre, as ndikon në përdorimin e tyre. Në asnjë mënyrë nuk mund të përfytyrohet leksiku i shqipes së njësuar si parlament gjuhësor, ku secila krahinë të jetë e pranishme me përfaqësuesit e vet leksikorë; ky përfytyrim është primitiv dhe përçarës, nuk i përgjigjet asfare realitetit dhe vlen vetëm për të manipuluar naivët anembanë.

2 Komente

  1. Ne kohen e sotme, ne perdorimin e gjuhes se standartizuar, a eshte kaq shume e rendesishme origjina gjeografike e aksh fjale (pasaporta e fjales-e quan Xha xhai). A perben argument per diskutim origjina gege apo toske, e fjaleve ne shqip sot? Mendoj qe jo.
    Individeve qe merren me te tilla “ceshtje”, kam pershtypjen se ose u ka kaluar koha ose kerkojne te behen “terheqes” per interesat e tyre te momentit, duke humbur keshtu kohen kot! Mund te jene tema te vlefshme per leksionet ne auditoret, por jo per konsum te perditshem, duke mbushur faqe gazetash. Ndoshta, mund edhe t’i pranonim si “informacione”ne rubriken kuriozitete, por kurrsesi si ceshtje me prioritet gjuhesor, per tu zgjidhur!? Sa keq qe ceshtje te tilla, diskutohen nga amatore dhe marifetcinj..! Dhe sa keq akoma, qe studiues si Ju, i mungojne institucioneve tona! Personalisht, nuk do lodhem se pergezuari per shkrime te tilla, qe per mendimin tim ruajne nivelin me te larte te cilesise se te shkruarit, perpos informacionit aq te pasur e te vyer qe ato ofrojne per lexues si une dhe shume te tjere! Shkrimtar dhe studiues erudit-ju ka cilesuar dikush- bashkohem plotesisht! Faleminderit,Xha xha!!

  2. Noname, përsëri të falënderoj për fjalët e mira dhe sidomos për interesin që tregon!
    Unë gjithnjë e më tepër bindem se shumë nga polemikat e vona për gjuhën standard ushqehen nga interesa të revanshit politik dhe meskinitete krahinore, që nuk e meritojnë vendin që u jepet në hapësirën publike.
    Kam punuar disa vjet me leksikografët e Fjalorit të 1980-ës, në një mjedis tepër të politizuar; por nuk kam asnjë dyshim se shumë prej tyre kishin dashuri të mirëfilltë për gjuhën shqipe dhe pasion të mirëfilltë për t’u kujdesur për gjuhën.
    Njëlloj jam i bindur se edhe sot ka njerëz jo vetëm të aftë dhe të përgatitur, por edhe me energjitë e nevojshme për t’iu përkushtuar kujdesit për gjuhën shqipe. Për fat të keq, institucionet nuk u hapin vend këtyre njerëzve, sepse njerëzit që punojnë atje ose janë dëshpëruar nga maskarallëku që i rrethon, ose janë maskarenj e shkuar maskarenjve ata vetë.
    Mënyra si u veprua me Akademinë e Shkencave ua ka prerë hovin të gjithë atyre që shpresonin se mund ta çonin përpara punën në lëmin e gjuhës, përtej allish-verisheve politike dhe interesave të ngushta krahinore.
    Shqipja e njësuar është pasuri publike. Sikur regjimi i sotëm në Shqipëri të kishte mundësi, do ta kishte privatizuar me kohë. Megjithatë, pasuritë publike mund të braktisen në mëshirë të fatit; dhe kjo ka ndodhur dhe ndodh përditë, mu nën hundë të politikanëve të cilët publiku i ka zgjedhur dhe i paguan për t’u kujdesur për ato pasuri.
    Anembanë Shqipërisë parqet natyrore shkatërrohen dhe abuzohen, pyjet sharrohen, pamjet që shohin njerëzit nga dritaret denatyrohen e përçudnohen, komunitetet shthuren rrugët mbushen me gropa, plazhet me plehra, ujërat tokësore dhe detare me ekskremente dhe ndotje, monumentet me mbishkrime të ndyra, hekurudhat lihen të amortizohen si në filmat post-apokaliptikë, spitalet shndërrohen në paradhoma të vdekjes, shkollat kthehen në qendra për parkim adoleshentësh të armatosur me celularë, mediat mbyten nga banaliteti dhe shija e keqe… Si mund t’i shpëtojë gjuha kësaj zbythjeje të përgjithshme të qytetërimit?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin