SHQIPËRIA IMAGJINARE

Prej ditësh po vlon debati në mediat rreth mënyrës si trajtohet Perandoria Osmane dhe periudha e sundimit osman në tekstet tona shkollore të historisë.

Megjithëse në debat marrin pjesë historianë profesionistë dhe të tjerë intelektualë të shquar në fushat e tyre, niveli i shkëmbimeve lë për të dëshiruar, meqë pjesëmarrësit duket sikur parapëlqejnë ta likuidojnë problemin duke pretenduar se nuk ekziston.

Në fakt, ka shumëçka që duhet ndrequr në këto tekste të historisë, të cilat vijojnë ta rrëfejnë të shkuarën si të ishte përrallë ose paravoli, me të mirë dhe të ligj, heronj dhe antiheronj, engjëj dhe djaj.

Bën veçanërisht përshtypje që disa autorë flasin, pa iu dridhur qerpiku, për “pushtimin e Shqipërisë” nga “turku”, në shekullin XV, duke bërë të vetën një figurë retorike me ngarkesë emocionale patriotike, por përndryshe të konsumuar, të ideologjisë së Rilindjes Kombëtare.

E keqja e një formulimi të tillë është se Shqipëria në shekullin XV nuk ekzistonte, sikurse nuk ekzistonin as shqiptarët. Këtë historianët dhe intelektualët e tjerë e dinë dhe nuk kanë nevojë për mua që t’ua shpjegoj; çfarë duket se nuk rrokin dot, është nevoja për t’u shprehur saktë, nëse synojnë t’i qasen së vërtetës, jo të vazhdojnë të recitojnë vjershat e kohës së Çajupit.

E përmend Çajupin, sepse i këtij është vargu i njohur: “Shqipërinë e mori turku, i vu zjarr”, të cilin na i kanë mësuar në bankat e shkollës fillore, dhe që atëherë nuk na është shlyer më nga kujtesa.

Çajupi shkruante një vjershëz për fëmijët dhe ua paraqiste historinë në trajta të një filmi vizatimor, që këta ta kuptonin më mirë. Vocërrakëve nuk mund t’u thuash: “Perandoria Osmane pushtoi trojet e banuara prej arbërve, në Ballkanin Perëndimor”; sepse ashtu do t’i kaplonte gjumi. Që këtej, edhe nevoja për metafora të gjalla, sugjestive dhe, në thelb, foshnjore.

Çfarë është e pranueshme për vjershat e thjeshta të Çajupit, tingëllon groteske në gojën dhe në penën e intelektualëve shqiptarë të shekullit XXI.

Historianët e shqipes dhe filologët na mësojnë se fjalët “Shqipëri” dhe “shqiptar” kanë hyrë në përdorim relativisht vonë, dikur midis shekujve XVI dhe XVIII. Madje fjala “Shqipëri” dokumentohet së pari në një vjershë të Hasan Zyko Kamberit, poet bejtexhi i gjysmës së dytë të shekullit XVIII.

Arsyet pse këto fjalë u shfaqën kaq vonë janë të shumta dhe të ndërlikuara, por në përgjithësi dijetarët pajtohen se dukuria lidhet ngushtë me proceset sociale, kulturore dhe politike që u shtjelluan në trojet shqiptare gjatë sundimit osman.

Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm e quanin veten “arbëreshë” ose “arbër” (“arbneshë” dhe “arbën”, në gegërishte), sikurse na e dëshmojnë të folmet e ngulimeve arbëreshe në Itali dhe arbërore në Greqi, të cilat nuk i përdorin dhe praktikisht nuk i kanë njohur emrat “shqiptar” dhe “Shqipëri”. Edhe vendi do të ketë qenë “Arbëri/Arbni”. Nëse Skënderbeu krijoi një shtet të vetin, historianët e kanë debatuar dhe do të vazhdojnë ta debatojnë; por ky shtet gjithsesi, nuk do të ishte quajtur “Shqipëri”, por diçka tjetër; pas gjase, “Arbëri/Arbni”.

Por, do të më pyesin, ku është e keqja e transpozimit të një emri modern, si “Shqipëri”, ose të një etnonimi modern, si “shqiptar”, në kontekstin e luftërave mesjetare dhe të ekspansionit osman në Ballkan? Mos po humbim kohë këtu me lojëra fjalësh vetëm?

Mendoj se jo. Shqipëria është shteti dhe atdheu i shqiptarëve të sotëm; shqiptar është identiteti ynë qytetar dhe kombëtar. T’i bartësh këto koncepte, së bashku me emrat përkatës, forcërisht në kontekstin mesjetar, do të thotë të ftosh lexuesit, nxënësit, studentët dhe kolegët të ndërmarrin një udhëtim fantastik në kohë dhe t’i gjykojnë ngjarjet dhe proceset e pesë shekujve më parë me mendësinë kombëtare të sotme.

Me fjalë të tjera, të thuash “pushtimi i Shqipërisë prej turqve/osmanëve” do të thotë ta paraqitësh këtë ngjarje historike, tepër dramatike për ata që e përjetuan, sikur të na ketë ndodhur ne të sotmëve, që te Shqipëria shohim atdheun tonë dhe objektin e pasionit tonë patriotik.

Çajupi dhe të tjerë poetë të Rilindjes e bënin këtë qëllimisht, sepse synimi i Rilindësve ishte t’i shkëputnin shqiptarët prej Perandorisë Osmane dhe t’u jepnin atyre një vetëdije kombëtare të rrënjosur edhe në një histori – sa reale aq edhe të rindërtuar – të të parëve të tyre.

Kjo Shqipëri u krijua, sado e cunguar, në vitin 1912.

Çfarë kam frikë se u ka shpëtuar disa pjesëmarrësve përndryshe autoritarë në debatet e tanishme, është edhe se shqiptari, si identitet etnik i dallueshëm prej arbrit të kohës së Skënderbeut, është përftuar gjatë sundimit osman dhe si pasojë e proceseve që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me pasojat e atij sundimi, përfshi këtu edhe konvertimin e një pjese të madhe arbrish në fenë Islame.

Dua të them me këtë se identiteti i sotëm i shqiptarit është formuar në kontekstin kur shqiptarët, në fillim si etni dhe më pas si komb, ishin popull i Perandorisë Osmane; në kundërvënie dialektike me identitetet e tjera të atij konteksti – etnike dhe fetare.

Ka një kontradiktë flagrante, në shtjellimet e të gjithë atyre autorëve, të cilët Shqipërinë e sotme e njëjtësojnë me Arbërinë mesjetare, duke e konsideruar periudhën osmane si një incident, ose sëmundje, ose të keqe të jashtme.

Osmanët vërtet erdhën në Ballkan nga tjetërkund dhe e imponuan sundimin e tyre me zjarr dhe me hekur, por sundimi i tyre shekullor la pasoja të thella në të gjithë popujt e Ballkanit, deri në atë masë sa të ketë mbetur, sot e kësaj dite, pjesë e identitetit të tyre etnik – dhe kjo vlen jo vetëm për myslimanët shqiptarë e gjetiu në Ballkan, por për të gjithë, përfshi këtu edhe katolikët shqiptarë vetë, të cilët prej sundimit osman vuajtën më shumë se të gjithë shqiptarët e tjerë.

Prandaj, edhe pse kërkesa politike e një ministri turk është, në thelb, diçka e dorës së dytë dhe pa rëndësi për kulturën shqiptare, debati që e ka ndjekur atë kërkesë është në vetvete domethënës, sa kohë që nxori në pah nevojën për ta trajtuar historinë – në të gjitha nivelet – në mënyrë historike; ose duke i bërë vend nocionit të “së bërit” (italisht: divenire, anglisht: becoming), i cili deri tani duket se përgjithësisht ka munguar, në shtjellimet dhe në vetë metodën.

Shqipëria e sotme është realitet; sikurse janë realitet shqiptarët, me virtytet dhe veset e tyre, arritjet dhe zbythjet. Shqipëria që pushtoi turku është, përkundrazi, krijim imagjinar, i cili e ka vendin në përrallat për fëmijë, por jo në arsyetime serioze për historinë dhe identitetin tonë. Madje edhe vocërrakëve, në shkollat, u duhet mëkuar, hap pas hapi dhe me kujdes, ideja se realitetet nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, por rezultat i proceseve historike; dhe se çfarë ekziston sot, nuk ka ekzistuar dje, por është produkt i asaj çfarë ekzistonte dje.

Përndryshe esencializmi, në çështje të kombit dhe të identitetit kombëtar, mund të sjellë shumë dëme, madje edhe në trajtat naive me të cilat vazhdon të formulohet, dhe jo vetëm në mediat, por edhe në trajtesat akademike. Ai sjell në debatet bagazhin sa irracional aq edhe të padëshiruar të komplekseve të superioritetit, të mitologjisë së viktimës së përhershme dhe të metodave të “kthimit në origjinë” nëpërmjet spastrimit, të cilat e shndërrojnë vizionin kombëtar në një lloj feje të vrazhdë pagane.

Mbaj mend, kur isha ende fëmijë, kisha lexuar se Pirron e Epirit e kishte vrarë një plakë në Argos, duke e goditur në kokë me një tjegull nga çatia e shtëpisë së vet. Ky incident më kishte pezmatuar pa masë, meqë kujtoja se, sikur të mos kishte ndodhur, Pirroja kushedi do të ishte gjallë e shëndoshë, madje unë mund të kisha pasur ndonjë shans për ta takuar e për t’ia bërë nja dy pyetje që më mundonin.

Kush flet sot për pushtim turk të “Shqipërisë” do të bënte mirë ta kuptonte se është duke ushqyer e rikrijuar të njëjtët skenarë imagjinarë – ose duke i shoqëruar lexuesit e vet në një udhëtim disashekullor, për t’i rreshtuar edhe një herë përkundruall hordhive osmane në Torvioll e në Albulenë.

Përkundrazi, sa kohë që shekujt e sundimit osman nuk i zhbëjmë dot, atëherë më e mira do të ishte që t’i përqendronim energjitë intelektuale jo në ri-inskenimet e betejave mesjetare, por në përpjekjet për të kuptuar se çfarë kemi trashëguar pikërisht nga ajo periudhë dhe si e çfarë mund të përdorim, nga kjo trashëgimi e pashmangshme, për ta kultivuar më tej e më plotë identitetin tonë kombëtar nesër.

Shënim: botuar fillimisht në Shekulli, më 30 shtator 2011. Ju ftoj, me këtë rast, t’i hidhni një sy marrëzisë në komentet.

Nuk ka komente

  1. jam shume dakort qe nuk kane pushtuar shqiperine, por doja te dija çfare mendon zoteria duhet te rishikojme per kete historine, te pranojme se nuk na ka pushtuar turku, se nuk na tjetersoi ne shume gjera, nuk na ndaloi te flasim gjuhen shqipe e shume e shume te tjera, mos valle duhet ti marrim per si i thone tani, vellerezit tane turq, mos duhet te ulim edhe nje here breket si ne 500 e ca vite vetem sepse kane interesa politika jone altuale me qarqe te ndryshme politike dhe biznesi me turqine!?

    1. Jo, nuk e pranoj dot shprehjen “na tjetërsoi”. Ajo “na” parakupton një identitet thelbësor që i qëndron kohës e madje ekziston jashtë kohës, por që, në fakt, është imagjinar. Edhe shprehja “të ulim brekët” është e ngarkuar emocionalisht dhe s’e ka vendin në këtë debat. Arbrit nuk i ulën brekët para osmanëve, përkundrazi i luftuan deri në fund; por pastaj osmanët e vendosën pushtetin e tyre dhe murit nuk i bihej me kokë. Osmanët nuk ndaluan kënd “ta flasë” gjuhën shqipe; por vetëm shkrimin e asaj gjuhe, për arsye më të ndërlikuara sesa thjesht “urrejtja e tyre për shqiptarët”. Madje që nuk u shkrua shqipja deri vonë, vështirë se për këtë mund të bësh me faj osmanët – ja bejtexhinjtë e shkruan për bukuri, kur deshën. Për të gjitha këto, historia nuk ka nevojë as të rishikohet – mjafton të lexohet ajo histori që është shkruar tashmë dhe botuar.

      1. Identiteti thelbesor nuk eshte imagjinar por identiteti I gjakut qe mbeti I Njejte Ne pjesen derrmuese pavaresisht 500 vjecarit osman.

  2. Interesi i Perandorise e shtynte Sulltanin t’u impononte myslimaneve nje aresim turk ose arab pa marre parasysh kombesine e tyre.
    Sipas kesaj politike shkrimi i gjuhes Shqipe dhe shkollat shqipe ishin te ndaluara. Shkollat ishin turqisht per myslimanet shqiptare dhe greqisht per orthodhokset shqiptare.

    Veziri i Madh, Ibrahim Haki Pasha, shprehej: ” Qeveria e quan deshiren e shqiptareve per te pranuar abecene Llatine si hapin e pare te shkeputjes se tyre prej Turqise… Qeveria duhet te beje cmos dhe do te beje cmos per te ndaluar perdorimin e abecese llatine.”

    Kështu, në mbarim të vitit 1908, u mbyllen gjithe shkollat shqipe. Mbeti vetëm shkolla shqipe e Shkodrës.

    Duke e ballafaquar kete politike osmane me mendimin e Sami Frashërit , i cili qe me 1879 në librin “Alfabetarja e gjuhësisë shqip”, shkruante:

    “Është për t’u çuditur qysh ka rrojtur gjer më sot komb’ i shqiptarëvet, duk mos me shkruar’ e duk mos me kënduarë gjuhën’ e vet, kur janë humburë kaqë kombe, që shkruanin’ e këndonin’ gjuhën’ e tyre si syrjanëtë, kaldenjasitë, llatinët e të tjerë”

    dhe se :

    “S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqip, s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla në të cilat do të mësohet shqipja.”

    perfundohet lehte se cfare demi te rende i ka shkaktuar perandoria osmane shqiptareve.
    Turqit e sotem nese pretendojne nje politike reale bashkepunimi, duhet me pare te kerkojne falje, pastaj te pretendojne koregjime ne tekstet.

    1. Deme serioze shkaktohen ne fakt ne ndergjegjen tone nga versionet historike qe i zgjedhim perhere si e verteta finale. Ta zeme, deri dje ishte Rreziku anglo-amerikan per Shqiperine, vdekjeprures, fatal. Ne fakt, anglo-amerikanet ne 1945 njohen Shqiperine, por “pa e lidhur vetene detyrimisht me ceshtjen e kufijve jugore”. Ndoshta kane patur parasysh manine tone per te barazuar Arberine me Shqiperine dhe si rigoroze ne histori menduan se Shqiperia duhet te kerkoje veten territorialisht aty ku perfundonte edhe Arberia, pra me krushqi deri ne Vlore ndoshta. Po keshtu pushtimi italian ishte vdekjeprures, sikunder me heret ai sllav. Por per ironi edhe kryengritjen e Haxhi Qamilit dhe Musa Qazimit e shtypi Esat Pasha, qe meriton nje monografi per stilin e paepur ne paudhesi dhe aventura.
      Sllavet, ashtu edhe italianet kane “paradoksalisht” nje rol ne shtetformimin shqiptar (sovjetiket ne 1946), sikurse anglezet dhe gjermanet. Ta zeme sllavet u mesuan shqiptareve organizimin politik ne kushte ilegaliteti, nxiten reagimin ndaj fashizmit dhe per pasoje kontribuan ne rreshtimin e tyre me koalicionin e madh boteror etj. Po keshtu, i vetmi dokument zyrtar qe njeh per here te pare Kosoven si subjekt te se drejtes nderkombetare eshte Konferenca e Bujanit, nje njohje nga elita jugosllave e se drejtes per vetevendosje edhe pse me vone u sklerotizua per shkak te koniunktures apo se u be i veti parimi “lere mos e nga tani”.
      Kjo pavaresisht sesi ne pajtojme historine me imagjinaten. Mendimin e vezirit, qe shpirti iu prehte ne paqe, e asgjesoi vete perfundimi i epokes Osmane dhe nisja e eres Turke. Fundja edhe keta te fundit sot sikur perdorin germat e kaurve per te shkrojtur. Pra nje trashegimi shteterore e groposur nga “iluminizmi” francez. Periudha Osman ne aspektin kulturor u dha mundesine popujve te krijojne kontekstin e tyre te qarte etnik dhe etno-territorial. Ne nje plan kornologjik me ngjarjet e periudhes paraosmane, Perandoria stabilizoi migrimin e brendshem per te dhene kufij etnike te qarte dhe ne kete drejtim nuk ka nje politike osmane per te prishur ekuilibra te brendshem. Fundja kemi qene subjekte te Perandorise; edhe tapite e shkreta i kemi me vula nga Stambolli dhe i mbajme si deshmi se kemi qene den-baba -den ne keto gerxhe. Dhe kur ngrihet ndonje vezir dhe thote: ore po keta qenkan legena fare, bejne sikur u njohem sot, mendoj se do vene kontekst dhe do kuptuar jo si ndonje maskarallek i qellimshem, por si pune mentaliteti i perbashekt. Si puna e asaj qe filluan njerezit e martoheshin me dashuri, e qe pleqte e quanin gili-vili e ckalitje nga trute e dynjase.

  3. Xhaxha, nonese jam dakort me kritiken tuaj, nuk mund te rri papermendur nje fakt. Shtysa per krijimin e Shqiperise erdhi ne fakt prej Arberesheve te Italise, dhe specifikisht ideatori I saj eshte De Rada. Vellezerit Frasheri ne korrespondence me te e quanin “tate”. Dyshoj se quanin keshtu jo vetem prej moshes te tij te thyer. Para Te Lashteve ne jemi femije, por packa se shume ujra rrodhen, ata nuk I kemi harruar, dhe nuk mund te thuhet qe Shqiptari nuk eshte Arber. Ndoshta nuk eshte Arvanitas, por Arber: you better believe it!

    1. Do të doja të merrja vesh prej teje, Safir, si e kupton ti diferencën mes shqiptarit dhe arbrit, veç asaj kronologjike.

  4. ””Para Te Lashteve ne jemi femije, por packa se shume ujra rrodhen, ata nuk I kemi harruar, dhe nuk mund te thuhet qe Shqiptari nuk eshte Arber. Ndoshta nuk eshte Arvanitas, por Arber””

    Mos u ngaterro, etnikisht fjalet arber, arberesh, arvanitas, shqiptar,ilir, epirot jane e njejta gje, mund te nderkembehen lirshem pa pike problemi.
    Nje arvanitas eshte etnikisht shqiptar, arber,ilir,arberesh, epirot e ne çfare percaktime te tjera jemi quajtur a na kane quajtur.
    Epirot eshte gjeografik si prejardhje por per nje kohe te gjate ishte identik me albanez per italianet ose me arber ne kohen e Skenderbeut prej vete Skenderbeut.

    Prandaj kur has keto percaktime ke te besh me shqiptare etnike, eshte budallek me brire ti japesh etnicitete te ndryshme ketyre, duhesh çuar tek psikanalisti se kemi te bejme me problem psikik.

    Nderkembyeshmeria eshte e atille qe shqiptaret e sotem mund te quhen lirshem edhe arber etnike, sepse etniciteti nuk ndryshon, a perveçse ne rastin hipotetik nese ka ndodhur ndonje dyndje turke, kolonizim turk, shume turq etnike jane perzier aq sa humbet kuptimin nderkembyeshmeria etnike mes arber dhe shqiptar.

    Kjo gje s’ka ndodhur prandaj mund te fleme rehat dhe ti kembejme rehat arber me shqiptar e rrjedhimisht Arberi me Shqiperi, ne kuptimin e trojeve te banuara, pra kuptim gjeografik , jo shteteror.

    Erdhi turku ne Shqiperi, ku Shqiperia nenkupton territorin e banuar nga arber/shqiptare etnike eshte plotesisht korrekte nga ana logjike.

    Erdhi turkun ne shtetin e Shqiperise eshte jokorrekte, kurse erdhi ne shtetin e Arberit(i referuar Balshes 2, i cili jepet si ‘mbret’ nga Gjon Muzaka, apo fazes se fundit te Skenderbeut) apo principatat e Arberit eshte mese korrekte.

    Nga pikepamja gjeografike Shqiperi me Arberi i mbivendosen njera-tjetres ne shtetin e Shqiperise dhe Cameri, nderkaq Shqiperia ne kuptimin e trojeve te banuara nga shqiptare/arber etnike, pra kuptimi i pare i saj, para se te merrte kuptim shteteror, eshte me e gjere se Arberia.

    Ne fakt s’ka asgje te koklavitur, sofizmat zakonisht i komplikojne gjerat per arsye propogandistike, por nga pikepamja korrekte,logjike, shqiptar etnik=arber etnik dhe per territoret e shtetit te Shqiperise, nderkembimi Arberi-Shqiperi si shprehje gjeografike qe permbledh etnine e qe buron prej emertimit etnik eshte i vlefshem.

    Zgjatja ne kete pike eshte pune pa bereqet, eshte shkoqitur e stershkoqitur nga historiografia qe ne kohen e qepes.

    1. nderkaq Shqiperia ne kuptimin e trojeve te banuara nga shqiptare/arber etnike, pra kuptimi i pare i saj, para se te merrte kuptim shteteror, eshte me e gjere se Arberia.

      Kjo, plus duhet bere pakt qe kur ti referohemi Shqiperise te nenkuptojme te gjitha trojet etnike Shqiptare te shpallura nga Lidhja e Prizerenit apo shpallja e pavaresise me 28 nentor 1912. Shteti qe sot njihet nderkombetarisht si Republika e Shqiperise duhet ti referohemi me termin shteti perendimor shqiptar.

  5. p.s si shembull i kundert ku nuk vlen nderkembyeshmeria etnike mesjete-sot jane greket, sepse dihet qe arvanitasit dhe vllehet kur u krijua shteti greke perbenin nje pjese domethene te popullsise, ka qe i çojne deri ne 50% dhe 50% greke etnike.
    Keshtu etnikisht greku i mesjetes nuk eshte njesoj me grekun kombetar te sotem. Ne fakt arvanite dhe vllehe kane pase zoteruar si shumice edhe ne mesjeten e vone, respektivisht Thesaline( e quajtur edhe Vllahia e Madhe) dhe Peloponez,Atike e Beoti (si shumice popullsie, ku pakica ishte greke etnike).
    Gjithsesii ne çdo rast kombesia e sotme greke nuk mund te nderkembehet me etnicitetin grek mesjetar, per shkak te multietnicitetit qe mbart kombesia e sotme greke.
    Keshtu mund te lajthisim duke i quajtur arvanitet e vllehet, greke etnike, lajthitje e rendomte kjo ne qarqe te caktuara.
    Nderkaq jemi korrekte kur quajme arberit shqiptare etnike dhe anasjelltas, sepse etniciteti arber dhe ai shqiptar nuk kane pesuar ndryshime domethenese si pasoje e perfshirjes ne ate shqiptar te etniciteteve te tjera.

    Perndryshe nese neser do beheshim hipotetikisht te pasur e do vinin 1 milion emigrante nga gjithe bota, shqiptari etnik do dallonte nga arberi etnik, pikerisht me kete 1 milion /4 milione = 0,25 ose me 25%.

    Pra ne kete rast hipotetik 25% e shqiptareve nuk do kishin asnje lidhje etnike me arberit.

  6. Mua më ka qëlluar shpesh diçka e çuditshme… dhe hera e fundit para dy ditësh; ndërsa ishim me një grup kolegësh duke pritur, mu desh që t’i përgjigjesha një shoku në telefon. Kur mbarova telefonatën, njëri nga kolegët më foli në shqip: “O, po ti qënke shqiptar… edhe unë flas shqip, jam arbëresh
    Që herën e parë që më ka rastisur diçka e tillë, mu duk e çuditshme (faji i Çajupit :P), që dikush që pranonte që fliste shqip, të mos quhej edhe shqiptar, por të mbetej nën kornizën e emërtimit të vjetër arbëror dhe të quhej arbër.
    Një herë, si duke qeshur, por edhe për të kuptuar më mirë fenomenin, ja hodha një thumb njërit dhe i thashë:
    – Edhe ti je shqiptar?
    – Jo, unë jam arbëresh
    – Po a flet shqip?
    – Po, flasim shqip, por ne jemi arbër
    – Po pse nuk e quani gjuhën tuaj arbërishte atëhere?
    – Jo, gjuha shqipe quhej që atëhere dhe ashtu ka mbetur. ..

    Çudia në këtë rast, dhe s’besoj se fajin ma ka Çajupi, por edukimi/shkollimi im në një degë ku nuk mund të flitet me hipoteza por vetëm me saktësi matematikore, ku së shumti mund të shtyhesh drejt të panjohurave nëpërmjet arsyetimesh llogjike, më bënte të brehesha nga pyetja: Si ka mundësi që një gjuhë si shqipja, as e shkruajtur dhe as e lexuar, shumë herë më e panjohur dhe e papërdorur se gjuhë të tjera që, megjithë kulmin e lulzimit në qytetërimet e lashta, tashmë kanë vdekur, njihej dhe përdorej si gjuhë, por që përdoruesit e saj dhe territoret në të cilat flitej kjo gjuhë të mos identifikoheshin nëpërmjet kësaj gjuhe të përbashkët por të mbartnin emërtime të ndryshme (arbër, arvanit).

    P.s: Përsa i përket diskutimit të përdorimit të terminologjisë korrekte përsa i përket sundim/pushtim-it, do të sillaja një shembull që nuk shkon 500vjet larg në histori… Jugosllavia, megjithse nuk e pushtoi/zaptoi me forcën e armëve Kosovën, e cila, megjithëse nuk u sundua dhe u shfrytëzua as më shumë dhe as më pak se republikat e tjera, kur arriti momenti u ÇLIRUA (fitoi Pavarësinë).
    Mbas 20-30 vjetësh, do jetë normale (dhe uroj që raportet të përmirsohen) që ndonjë “ministër i jashtëm” serb të vijë e të thotë që: Shikoni, ju në kohë të Titos keni qënë të barabartë me gjithë popujt e tjerë të “perandorisë” jugosllave… nuk duhet ta shkruani historinë sikur keni luftuar kundër armiqve… etj etj etj”… por unë jam i sigurt që duhet të kalojnë nja 500 vjet dhe për kosovarët që të mos ta shikojnë si Çlirim shkëputjen prej Serbisë/Jugosllavisë.

  7. Problemi i transpozimit te konceptit “Shqiperi” dhe “shqipetar” ne mesjete eshte i stisur .Historiografia shqiptare, qofte dhe ajo e shkruar ne regjimin komunist qe akuzohet tashme rendom per qasje esencialiste, fatmiresisht ka nje qasje realiste se paku ne nominimin e realitetit gjeografik dhe demografik te mesjetes .Ne tekstet e historise, kur i referohen periudhes se pushtimit osman, flitet per arberit, per principatat e arberve, per Beselidhjen e Lezhes dhe kerkund nuk flitet per Shqiperi dhe shqiptare.
    Identiteti kombetar sigurisht nuk eshte nje dicka e dhene njehere e pergjithmone por ne kete proces te te berit te kombit krahas ndryshueshmerise ka dhe vazhdimesi.
    A ka nje vazhdimesi iliro-arberore -shqipetare ne procesin historik deri ne formesimin e atij qe sot e quajme komb shqiptar? Dhe me vazhdimesi nuk kam parasysh ndonje parim primordial, as ate qe Renan e quan- parim shpirteror- por ate teresi tiparesh te mbartura dhe ndryshuara (te ruajtura nga ndryshimi, te ndryshuara nga mbartja ne kohe dhe rrethanat ) te cilat se bashku krijojne nje identitet kombetar. Identiteti edhe pse eshte farketuar ne kudhren e sundimit osman (pra ka thithur prej ketij mjedisi) eshte dhe dallim. Duket sikur percillet ideja se dallimet me te medha nuk jane ato ndermjet turkut dhe shqiptarit (se pa Turqi nuk do kishte Shqiperi-sic ) por ato ndermjet shqiptarit te sotem dhe arberit te mesjetes.

    1. Historianët janë në gjendje ta bëjnë dallimin; çështja është pse nuk e bëjnë. Prandaj, problemi nuk është aq i historiografisë, sesa i kulturës. Ne gënjejmë veten, pastaj fillojmë dhe u besojmë gjepurave përnjimend.

      Ka patjetër vijueshmëri – jo vetëm që nga ilirët, por edhe që nga homo sapiens-i i parë, Adami ose Ademi. Brez pas brezi, babë pas biri. Kjo vijueshmëri është kaq e qartë, sa nga pikëpamja e dijes nuk ka ndonjë farë rëndësie. Dijes i interesojnë diferencat dhe ndryshimet – se esencat janë pa interes.

      Ne i kemi mendimet dhe opinionet të krimbura në propagandë (kur i kemi). Kjo është më alarmante sesa vijueshmëria iliro-shqiptare, si sfidë për historianin, arkeologun dhe gjuhëtarin. Niveli intelektual i publikut tonë është për të qarë hallin; dhe për këtë e kanë fajin kryesisht propagandistët dhe demagogët, që i ushqejnë njerëzit me brroçkulla.

      Më në fund, kur flitet për raportet e shqiptarit të sotëm me arbrin e Mesjetës, doemos që dallimet do të dalin në plan të parë; sepse vijueshmëria është e dhënë (ose premisë). Disa kolegë këtu, dhe sidomos gjetiu, arsyetojnë kështu: Të gjithë zogjtë kanë sqep; shqiponja është zog; pra, të gjithë zogjtë kanë sqep. ÇDV.

      1. “Dijes i interesojnë diferencat dhe ndryshimet – se esencat janë pa interes.”

        Xhaxha, kam vene re se shpesh here te eshte vene ne dukje, madje shpesh here me nje profanitet te pandergjegjshem, pikerisht metodologjia. Me ben pershtypje, prandaj dhe zgjodha te citoj pikerisht fjaline me lart. Sugjeroj te veresh ketu se aktiviteti i Xhaxhait nuk i permbahet thjesht linguistikes, dhe as thjesht albanologjise, por ka nje shtrirje te gjere qe mbulon pothuaj krejt te ashtuquajturat shkenca shoqerore, perfshi psikologjine, sociologjine, antropologjine, kritiken artistike, politike, morale, te “arsyes se kulluar,” etj, etj. Citati me lart eshte diktat metodologjik foucaldian, tepke “Arkeologjia e Dijes.” E megjithate, pavaresisht faktit se te gjithe jemi foucaldian pas Foucault, ashtu si te gjithe jemi marksian pas Marksit, verej tek Xhaxhai nje origjinalitet qe mund te konsiderohet me plote gojen Vehbian.

        Gjithe kjo hyrje per te thene se, te pakten nga perspektiva e lexuesit te rregullt, ekziston nje interes qe i kapercen, apo edhe ndodhet pikerisht ne kufinjte e publicistikes, ne lidhje me sistematiken apo metodologjine e Xhaxhait. Nuk po flas per nje pritshmeri ne terma te historise se shkollave te mendimit apo te filozofise, megjithese nuk e shoh te perjashtuar.

        Mbase nuk eshte vendi ketu dhe kerkoj ndjese per daljen nga tema, por gjithsesi, konsideroje si nje kerkese, apo pyetje, qe meriton te arkivohet, te mendohet teresisht, dhe pse jo – nje aktivitet i tille per te gjallet e matur e te mencur eshte – te adresohet.

          1. Kam frike se nuk ma ke kuptuar pyetjen. E njejta gje eshte e vlefshme edhe per De Saussure. Duam, s’duam, pas tij, te gjithe jemi saussuriane. Por une nuk po pyesja per te gjithe.

            Nejse, ishte thjesht nje mendim.

      2. Cfare e ben shqiptarin e sotem shqiptar nqftse esenca nuk qeka e rendesishme? Pastaj kur flitet per esence nuk flitet vetem per esence gjenetike te vijueshmerise nga baba te biri. Ti vet ne artikullin tend per fene e gjergjit, na paraqit pragmatizmin kundrejt fese te Gjergjit dhe ne pergjithesi te arberve mesjetare qe mesa duket nga provat eshte trasheguar dhe te shqiptaret e farketuar nen osmanizem.

        Sigurisht qe ka ndryshime kulturore midis arberit te mesjetes dhe shqiptarit te farketuar ne osmanizem, por nuk eshte se ozmanizmi 500 vjecar e shkaterroi kulturen idigjene te arberve per ta zevendesuar me nje tjeter kulture nga ku mbine shqiptaret. Nje thelb kulturor si organizmi fisnor dhe ligji i fisnor (kanuni) qe jane perkufizues dhe konstatues te kombit shqiptar ngelen ne teresine e tyre te njejte sic ishin para periudhes osmane.

      3. Të gjithë zogjtë kanë sqep; shqiponja është zog; pra, të gjithë zogjtë kanë sqep. ÇDV.
        Çer ke vërtetu mer?! Korigjoje mer dreq 😛

        1. Atë doja të vërtetoj: që ca prej nesh nisen nga premisa të caktuara dhe pastaj përfundojnë në po ato premisa.

  8. Emri i vendit dhe banoreve te nje vendi ndryshon me kalimin e kohes per shume shkaqe dhe kjo nuk eshte ndonje rast i vecante vetem per shqiptaret. Emri Angli i thene/shqiptuar ashtu sic thuhet/shqiptohet sot daton vetem ne shekullin e 16 por njerezit qe perbejne Angline nuk i ben te ndryshem nga paraardhesit e tyre qe e kane banuar ate ishull qe nga mesjeta e hershme ose me pare.

    Shqiptaret jane edhe grup etnik edhe komb. Etnikisht nje shqiptar eshte i njejte me nje arber, nuk ka dallim, ndersa komb-formimi ka sigurisht elementet e tij.

    Principatat e krereve te arberve dhe me vone Skenderbeu qe po mundohej te ngrinte dicka, mund t’i therrisnin si te donin principatat a mbreterite e tyre por kjo s’i ben te ndryshem etnikisht me shqiptaret e sotem. Ose atehere duhet rrezuar teza e prejardhjes se shqiptareve dhe t’i jepet pergjigje pyetjes se keta shqiptaret qe jetojne sot ne Shqiperi dhe ne vendet perreth nga e kane origjinen. Shkurt nga kemi ardhur?

  9. “.. identiteti i sotëm i shqiptarit është formuar në kontekstin kur shqiptarët, në fillim si etni dhe më pas si komb, ishin popull i Perandorisë Osmane;”

    .Para se te vinin 0smanet cfare populli ishim,.? cfare gjuhe flisnim? ku ishim? ne cvend tjeter flitet gjuha shqipe ?

    1. Ardi, këto pyetje që bën, janë loaded dhe nuk meritojnë përgjigje. Ndoshta je futur në forum të gabuar.

  10. Xhaxha,

    Me siper shkruan:

    “Historianët e shqipes dhe filologët na mësojnë se fjalët “Shqipëri” dhe “shqiptar” kanë hyrë në përdorim relativisht vonë, dikur midis shekujve XVI dhe XVIII. Madje fjala “Shqipëri” dokumentohet së pari në një vjershë të Hasan Zyko Kamberit, poet bejtexhi i gjysmës së dytë të shekullit XVIII.”

    A ka mundesi te lutem te me tregosh se per cilen poezi behet fjale? Ne kerkimet qe une kam bere skam hasur gje te ketille…. Do ishte mire qe ata qe kendojne ne kete liste te na japin ca shembuj se kur del per here te pare Shqipnia si term? Pse mesa une kam vene re, ne fillim ka qene nocion per Toskerine. Shume me vone shkon ne Gegeni.

    Ju flm .

  11. Fjala Shqipëri del në një vjershë të Hasan Zyko Kamberit, drejtuar Ali Pashë Tepelenës, si emër kolektiv (“tërësia e shqiptarëve”): “Po të mbledhç Shqipërinë…” Këtë e përmend Shuteriqi, në artikullin Arbër, botuar në Buletinin e Shkencave Shoqërore, 3 1956, f. 215; ku edhe shpreh se vjersha do të jetë e fundit të shekullit XVIII. Unë e citoj këtu sipas Demiraj, Sh. Gjuha shqipe dhe historia e saj, Shtëpia botuese e librit universitar, Tiranë 1988, f. 217. Prania te H.Z. Kamberi nuk tregon se emri përdorej edhe për vendin; por kalimi semantik nga një emër kolektiv në një emër gjeografik ndodh rëndom.

  12. Vallahi kam frike se do kete genjyer Shuleriqi. Pse une kam pare edhe te tjere shume pas tij dhe nuk e perdorin termin Shqiperi. Punetoret e inst. te histerise dhe letersise i kane pat fut duret neper poezi dhe i shqiptarizonin ne menyre qe te provonin kombin.

    A ka mundesi dikush ta coj krejt poezine?

    Ju flm edhe njehere.

  13. Edhe nje shenim. Kam frike se ne poezine e Zykos, termi origjinal per Shqiperi do jete Turqeri. Pse kjo gje ndodh kudo, deri ne mes te shekullit te XIX kur elita intelektuale shqiptariste fillon e turperohet qe nuk kane shtet dhe shpik Shqiperine. Por neper poezite e deri fund shekullit te 19 gjejme termin Turqeri qe perdoret dhe jo Shqiperi. Gjuha shqip e turqve lexohet, por koncepti Turqeri, definohet nga Rilindja – e cila shkon nga Selaniku e deri ne Nish.

    Ne kohe te PPSH-se, Dhimitri, ashtu si te tjere punetore te instituteve te Tiranes, “ndihmojne” bejtexhijte apo arvanitet ndonjehere per ti Shqiperizuar. Kete gje bejne edhe mbledhesit e folklorit para tyre. Duhet qe dikush te bej nje studim te mirefillte dhe te zbuloj se ku e ka zanafillen Shqiperia si koncept. Qe eshte koncept tosk, kjo nuk ka dyshim. Eshte njesoj si koncepti Kanada, i cili nga “fshat” me pas u kthyer ne term qe tregonte nje koloni franceze ne lumin Shen Lorenc dhe nenkuptonte kolonet frenchfoles, e me pas, sot, nenkupton nje shtet dhe nje milet anglishtfoles dhe bashkime koloniale britanike, franceze dhe toka bosh qe nepermjet pushtetit britanik kane marre kuptim tjeter. Edhe koncepti Shqiperi, keshtu nisi. E dyshoj se vendet ku ky koncept ka lindur – ka mundesi te jene prane Janines – qe sot eshte Greqi – e qe me pas, si pasoje e pushtetit – termi u transferua gjetke – e sot Kuq e Zijte tane thone: Pa Kosove e Cameri, nuk ka Shqiperi.

    1. Nuk më duket se ka vend për këto spekulime. Shuteriqi punonte me tekste të transliteruara (zakonisht prej O. Myderrizit), nuk është se i lexonte vjershat e bejtexhinjve në origjinalin me alfabet arab. Apo do ta futim edhe Myderrizin në konspiracion?

      1. Manipulimi kur behej ne ato kohe, behej ne grup. Partia apo grupi shkencor vendoste se cilat shprehje armiqesore duheshin hequr nga shkrimi apo historia e cila duheshin lene. Tek e fundit historia e letersia ishin arme e partise per te mbrojtur popullin dhe jo per te bere diversion.

        1. Jo, nuk ndodhte kështu. Manipulime bëheshin, por jo kështu, hiq një fjalë e vër një fjalë në një bejte. Unë të them që nuk kemi arsye pse të dyshojmë që Shuteriqi e ka falsifikuar tekstin e bejtexhiut H.Z. Kamberi. Falsifikimi, kur bëhej (dhe natyrisht bëhej), bëhej për ndonjë nevojë madhore, jo për çikërrima. Dhe prania e fjalës te H.Z. Kamberi nuk vërteton ndonjë gjë kushedi çfarë, meqë në atë kohë ajo fjalë filloi vërtet të përdorej. Në mos te Kamberi, do të dilte te një autor tjetër.

  14. Sefer-i hümâyûn

    H-Z-K

    A digjoni ç’ u hap sefer!
    O shokë, beka tër’ anë,

    Erth koha të bëjmë hyner,
    Duallë durli fermanë.

    Sa pashallarë që qenë,
    Të gjithë shkuan’ e vanë,

    Janinën me gjithë dervenë,
    Ali Pashësë ja dhanë!

    (…)

    «Këtë devlet që ke tinë,
    Inshallah t’ ia lësh djalit,

    Po të mblethç Shqipërinë,
    T’ i vinjç hak Nemce Kralit!»

    ***

    1. Fjala Shqiperi, duket qarte qe eshte shtese dhe manipulim. Shikoni menyren sesi e kane shkruar fjalen “Shqiperine” sikur te jete emri Shqiperi, i shtetit qe perdorej ne vitet 70. Fjalia ne origjinal duket se ka qene :

      Po të mblethç Turqërinë,
      T’ i vinjç hak Nemce Kralit!»

      dhe Turqeri nenkuptoheshin muslimanet. Ndersa termi Shqiperi nuk ka ndonje sens ne keto kohe. Termi te mbledhesh Turqerine, apo u mblodh Turqeria haset kudo ne poezite e kesaj kohe qe ne Gegeri e deri ne Cameri. A jam gabim?

      1. Burimi origjinal nga eshte transliteruar poezia, besoj se gjendet ende ne arkiv. Sa kohe qe ne arkiv mund te vertetohet lehtesisht pretendimi per manipulim, nuk ia vlen te shpenzohet asnje hipoteze ketu, sado interesante. Nese do kishte humbur origjinali, kollaj per rindertime e revizionime, po deri atehere, vargu rri sic e ka Buletini

      2. O Serbi, ai qe duhet te sjelli prova per te kunderten je ti, pasi t’u dha pak me lart origjinali, dhe te thote tjetri se e ke ne Arkiv. Arkivat hapura jan or burr, vizitoji, nxirre nje foto dhe na e trego dhe neve pastaj.

  15. Xha xha ,
    Me shumë interes tematika por më interesante janë debatet mes jush.

    Kam kohë që dua të shpreh një mendimin tim për sa i përket fjalës Shqipëri dhe shqiptar

    Duke lexuar me vëmendje Homerin kam ndeshur shpesh fjalën në gjuhën greke, në shqip lexohet skipter që në fjalorët grekë të hershëm dhe të rinj e gjen në shumë përdorime konkrete dhe figurative.

    Duke u mbështetur në studimet e gjuhëtarëve të ndryshëm rreth ndryshimeve fonetike të gjuhës nga popujt që banonin në kohët e lashta po jap mendimin tim se ndoshta mund të ketë lidhje fjala shqiptar , Shqipëri duke iu referuar dhe duke u krahasuar edhe me gjuhët e vendeve fqinjë ,Po sjell disa orvajtje të tilla ,pasi më kanë shqetësuar ndryshimet fonetike të gjuhës shqipe tek fëmijët e brezit të dytë të emigrantëve në Greqi .

    Së pari, po nisem nga folja σκήπτρο-μαι që ka kuptimin dhe merr forma të ndryshme por e ruan rënjën nuk e ndryshon gjatë zgjedhimit..Këtë fjalë e gjejme tek Homeri të përdorur po në këtë kuptim , pra mbështetem, mbahem .

    Së dyti,në përdorimin konkret, tek Homeri e gjejmë emër, numri njëjës , gjιnia asnjanëse që lexohet skiptro Kjo fjalë përkthehet: diçka prej druri e veshur në ar , në shenjë nderimi që u jepej prijsave , princërve, mbretërve drejtues , prej druri e përpunuar dhe me inicialet e veta të gdhendura në të .Në këtë kuptim e gjejmë të përdorur shpesh edhe tek Homeri ashtu siç gjejmë edhe përdorimin figurativ të fjalës në fjalorët e gjuhës grekë që përkthehet .

    Një tjetër përdorim figurativ i fjalës σκήπτερ – skipter është κατέχω τα σκήπτρα- kateho ta skiptra që përkthehet në shqip zotëroj përparësinë, përbëj fillesën çka përmendet shpesh edhe tek Homeri në veprat e tij.

    Pra fjala shqiptar (skipter) e argumentuar në bazë të tendencave dhe ndryshimeve fonetike të gjuhës shqipe del fjalë Homeriane dhe jo moderne.

    1. Mësuesja, fjala σκήπτερ, në mos gabohem, është e njëjtë me fjalën skeptër, që përdoret sot në shumë gjuhë, përfshirë edhe shqipen.

      Që të vijë në konsideratë për një etimologji të mundshme, vetëm ngjashmëria e shkronjave (ose e tingujve) nuk mjafton.

      Mijëra vjet kanë kaluar qëkur një fjalë dilte te Homeri dhe periudhës së sotme. Gjatë këtyre mijëra vjetëve, fjalët ndryshojnë dhe këto ndryshime duhen marrë parasysh nga etimologu.

      Greqishtja σκήπτερ edhe ngjan, edhe nuk ngjan me fjalën shqiptar; kanë disa tinguj të përbashkët, por siç mund ta shohësh edhe vetë, theksin fjala greke e ka në rrokjen e parë, ndërsa fjala shqipe në rrokjen e dytë.

      Kaq mund edhe të mjaftonte për ta përjashtuar mundësinë e një etimologjie. Sipas rregullsive fonetike historike të shqipes, sikur kjo fjalë të kishte hyrë në gjuhë që në kohën e Homerit, do të kishte dhënë diçka si *hé(f)tër ose çé(f)tër; edhe sikur ta kish marrë greqishtja e vjetër nga shqipja e asaj kohe, prapë fjala e vjetër shqipe do të kishte përfunduar si *hé(f)tër ose çé(f)tër në shqipen e sotme.

      Edhe nga pikëpamja kuptimore, nuk është e mundur të vendoset një lidhje e besueshme mes kësaj fjale, ose foljes që sjell ti, dhe etnonimit “shqiptar”.

      Shto këtu edhe që, po të kish qenë fjala shqiptar aq e vjetër, do të kish dalë gjëkundi në tekstet e vjetra, p.sh. te Buzuku ose te Budi, mirëpo nuk del.

      Etimologjia që sillet zakonisht për këtë fjalë, ajo e dikujt që “flet shqip”, d.m.th. qartë, është shumë më bindëse.

      Për këtë ndihmon edhe fakti që fjala shqip ndeshet, në tekstet e vjetra shqipe, para fjalës shqiptar; dhe pikërisht me kuptimin “qartë”.

      Në lidhje me fjalën shqiptar, më interesante edhe se etimologjia e saj, është çështja se si filloi të përdoret si etnonim.

  16. dhe që në gjuhën greke shkruhet σκήπτερ më detyron dashje pa dashje të mbroj idenë time se fjala Shqiptar ( skipter , kështu e quajnë veten nxënësit e klasës sime ku unë jap mësim prej 12 vjetëve dhe studjoj e ndjek nga afër ndryshimet fonetike të gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve) nuk është një emërtim modern , por i lashtë sepse e gjejmë në përdorim konkret dhe figurativ tek veprat e Homerit. por edhe në fjalorët e sotëm të gjuhës greke .. -Çfarë je ti ?,i pyes nxënësit me radhë për të parë shqiptimet e tingujve
    – Skipter, më përgjigjet shumica e nxënënsve sidomos e fëmijëve të lindur në Greqi dhe që prindrit e tyre flasin më tepër greqisht se sa shqip në familje .Kam vënë re një tendencë për ndryshime fonetike të gjuhës shqipe tek fëmijët e brezit të dytë shumë prej të cilave përkojnë me ndryshimet fonetike të gjuhës arvanitase . Por ajo që më shtyu më tepër të komentoj është se nuk mund ta quaja fjalën shqiptar (skipter ) një emërtim modern , por përkundrazi , shumë të lashtë , duke ditur se prijsat dhe mbretërit në greqinë e lashtë nuk ishin të pastër etnikisht.kishin një lidhje gjaku apo farefisnore me etnika të tjera..Ndoshta duhen gjetur e zbuluar gjurmët e hershme të fjalëve shqiptar dhe Shqipërinë lashtësi .

  17. Më është dashur shumë kohë dhe shumë punë që tu mësoj fëmijëve shqiptimin e saktë të fjalës shqiptar dhe Shqipëri , biles gjeri dje më vinte turp që fëmijët e mi të mos shkruajnë as dita sot saktë dhe drejt fjalën shqiptar dhe shqipëri . Ja si e shkruajnë nxënësit ashtu si dhe fëmijët e tjerë të lindur e të rritur në Greqi.fjalët shqiptar dhe Shqipëri.
    .***
    skipter ose skiptar
    skipria , ose skiperia
    Ndoshta i lexojnë këto dhe drejtues në Ministrinë e Arsimit dhe bëjnë diçka për të ndihmuar nxënësit e klasave dhe shkollave me tekste të përshtatshme për mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë. Por vonesat dhe pengesat kanë dhe ato anën e tyre të mirë,I vënë në punë mësuesit e gjuhës shqipe në Diasporë të shohin më mirë ecurinë , zhvillimet e gjuhës shqipe.për tu dhënë mundësi gjuhëtarëve të argumentojnë me fakte dhe shkencërisht prejardhjen dhe origjinën e gjuhës dhe fjalorit të saj .

  18. Nuk jam albanologe , as gjuhëtare ,por për të mbrojtur mendimin tim po sjell një analizë pak a shumë të mbështetur mbi vëzhgimet e mia se sa në studjues apo gjuhëtarë të tjerë .
    Një tendencë parësore që të bije në sy menjëherë kur bisedon me fëmijët e emigrantëve është ndryshimi fonetik i tingujve dyshë në të folur (i shkronjave dyshe në të shkruar )pra tendencë drejt thjeshtësimit .
    sh — – s
    ll —— l
    nj——–n ose j
    dh ——d
    xh——x
    Një tendencë që vihet re tek fëmijët e emigrantëve është të ndryshojnë tingujt njësh (nuk jam shumë e sigurtë për të thënë janë thjesht gabime orthografike , apo tendenca drejt thjeshtësimit Në të folur mund të jenë dhe vështirësi shqiptimi , pasi duke ushtruar më tepër gjuhën greke e ka më të lehtë ti shqiptojë tingujt e gjuhës shqipe , në atë mënyrë siç shqipton dhe tingujt e gjuhës greke, disa prej të cilave nuk përkojnë me tingujt dhe shkronjat e gjuhës shqipe .Po kjo nuk vihet re vetëm në shqiptim në qoftë se do të thoshim se janë vështirësi shqiptimi.Të njëjtat tendenca vihen re edhe në shkrim , megjithëse vetë nxënësit e dinë dhe e kanë mësuar që janë tinguj e shkronja të cilat nuk përkojnë me ato të gjuhës vendase.. .Ajo që më bën përshtypje është se si fëmijët me dialektin e veriut ashtu dhe ata me dialektin e jugut kanë tendenca për ndryshime fonetike të gjuhës shqipe., drejt thjeshtësimit.
    k—-q
    q—-ç
    si dhe e kundërta pra
    q–k
    ç—q
    ç—c
    Nxënësit ,prindrit e të cilëve flasin gjuhën shqipe në dialektin e jugut, gjuhës amtare i japin një theks që i afrohet dialektit të veriut .Kurse nxënësit , prindrit e të cilëve flasin gjuhën shqipe në dialektin e veriut , e kapin më shpejt dhe e flasin më bukur dhe pastër gjuhën greke ( thjesht një konstatim i pa vërtetuar shkencërisht)
    Tendenca për ndryshime fonetike të gjuhës shqipe vihen re edhe në zanore , jo vetëm në bashkëtingëllore.
    y—i
    ë—-e
    ë—–a
    a—e
    ose ë-ja hiqet fare si në mes dhe në fund të fjalës .
    Jemi tek fjala σκήπτερ në guhën greke .e cila shkruhet dhe lexohet skipter në gjuhën shqipe.që sipas mendimit tim ka pësuar të njëjtar ndryshime fonetike me tendencat e ndryshimeve fonetike të gjuhës shqipe të konstatuara tek fëmijët e brezit të dytë të emigrantëve. dy dhjetëvjeçarët e fundit. . *****
    shqiptar-σκήπτερ

    Këtu në këtë rast po marrr drejtimin e kundërt, .gjuha shqipe pësoi ndryshime fonetike për tiu larguar sa më shumë alfabetit grek edhe pse mund të vështirësohej si në shkrim dhe në shqiptim .Kushtet social shoqërore si dhe ato historike , gjeografike i detyruan popujt fqinjë të mëvetësoheshin, duke dalë më vete.Në përpjekjet për të krijuar diçka të veçantë , krejt ndryshe nga etnitë e tjera secili krijoi gjuhën e shkruar në bazë të gjuhës së folur meqenëse krijimi i etnisë , kishte dalë nevojë jetësore..( Etnitë e tjera bënë ndryshimet e duhura nga alfabetet fqinjë për të vërtetuar veçantinë dhe mëvetësinë e tyre)
    sh – s, σ
    q – k,k
    i – i,ή
    p – p, π
    t – t
    a – e
    r- p
    Pra metodologjia që po përdor është kjo; Praktikat dhe përvojat e sotme që përdorin nxënësit në mësimin e gjuhës amtare në Diasporën greke më drejtojnë drejt lashtësisë , ku njerëzit dashje pa dashje ose dhe me qëllim perfeksiononin veglat e punës dhe veglat e komunikimit , siç është gjuha duke i bërë më të lehta dhe praktike .Kjo është më se e llogjikshme .Por nga ana tjetër llogjika nuk mund të argumentojë as shpjegojë tani për tani të paktën pse , kush ishte arsyeja që e detyroi njeriun atë periudhë historike , në vend të përdorte një gjuhë sa më të lehtë e të thjeshtë në përdorim zgjodhi për komunikim një vegël (gjuha )jo dhe aq të lehtë dhe të thjeshtë , kur mundësia egzistontepër të zgjidhur dhe vendosur diçka të tillë. .Nxënësit që mësojnë gjuhën shqipe vetevetiu përdorin shkronjat njëshe duke e perfeksionuar gjuhën si vegël komunikimi sa më të lehtë dhe të thjeshtë në përdorim . Kurse unë kam mbi dhjetë vjet që mundohem tua ndërpres përpjekjet për të lehtësuar dhe thjeshtësuar gjuhën si vegël komunikimin . dhe nga ana tjetër u shjegoj se si teknologjia ka përparuar aq shumë sa po i perfeksionon gjërat dukei theshtësuar dhe lehtësuar përdorimin e tyre. .

    1. Mësuesja, të gjitha këto janë shumë me interes, por unë do të të këshilloja t’i hidhje një sy edhe fonetikës dialektore të shqipes. Për shembull, dihet që greqishtja e sotme nuk e ka tingullin ç [tʃ]; sikurse dihet që të folmet e gegërishtes veriore dhe verilindore shpesh e zëvendësojnë po këtë ç me një tingull tjetër (p.sh. qfarë, Milosheviq, etj.). Këto dy dukuri nuk kanë ndonjë lidhje shkakësore mes tyre – bashkëtingëlloret si ç-ja (afrikatet) janë vetvetiu të paqëndrueshme. Mund të ndodhë, për shembull, që fëmijë të ardhur nga veriu i Shqipërisë të mos e përdorin ç-në e ta zëvendësojnë me q; por kjo nuk ndodh si pasojë e ndikimit të greqishtes. Një dukuri të ngjashme kam vërejtur në Itali; grekët që takoja në Napoli e zëvendësonin ç-në e italishtes me një tingull si c-ja jonë (p.sh. do të thoshin calzio, jo calcio; ose zerto, jo certo); a thua se vinin nga Toscana.

    2. Ndoshta video e mëposhtme ju ndihmon me kuptuar pse ndodhin këto ndryshime!

      http://www.ted.com/talks/lang/eng/patricia_kuhl_the_linguistic_genius_of_babies.html

      Mund të thuhet se sot në botën perendimore studimet bëhen duke ndërthurur disa degë shkencore, disa profesionistë. Kjo metodë fatkeqësisht nuk mësohet në shkollat shqiptare, të cilat kalisin me tepricë UNin edhe të atyre pak nxënësve që kanë prirje për ndonjë gjë. Puna në grup është “veprimtari e jashtëligjshme”.

      – Sa për çështjen e identiteve & gjuhëve, unë jam i mendimit se një shembull i mirë sot, edhe pse në vija të trasha, janë gjuhët e programimit dhe sistemet operative të kompjuterave. Unë shoh shumë ngjashmëri. Rrjeti!

      Gjithë të mirat!

  19. Xha xha ,
    Ju në komentin më lart shruani :Greqishtja σκήπτερ edhe ngjan, edhe nuk ngjan me fjalën shqiptar; kanë disa tinguj të përbashkët, por siç mund ta shohësh edhe vetë, theksin fjala greke e ka në rrokjen e parë, ndërsa fjala shqipe në rrokjen e dytë.
    Për mendimin tim theksi nuk është kusht i domosdoshëm sepse fjalët duke kaluar në përdorim nga një gjuhë tek tjetra e zhvendosin theksin , kjo e vërtetuar dhe do sjell shumë raste .,psh fjala Herkul në shqip e ka theksin në rrokjen e fundit , kurse tek grekët e lashtë e gjejmë me theks në rrokjen e parë..

    1. Në përgjithësi shqipja e ka ruajtur theksin e fjalëve të huazuara; dhe kjo vlen sidomos për huazimet nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja. Mund të ketë ndonjë përjashtim, që gjithnjë shpjegohet me faktorë të brendshëm të gjuhës (p.sh. etimologji popullore, ose analogji gramatikore), por rregulla mbetet (e gjen në çdo manual të fonetikës historike të shqipes).

      Për ta thënë në një mënyrë më teknike, sa kohë që shqipja vetë nuk e kishte stabilizuar theksin në paradigmën e fjalës, theksi i huazimeve ruhej; pasi u stabilizua theksi dhe u konsolidua një prirje për t’i pasur fjalët të theksuara në rrokjen e parafundit (ose paroksitone), atëherë theksi i huazimeve filloi të përshtatej, sipas rastit.

      Për shembull, disa huazime nga osmanishtja kanë pësuar një ndërrim masiv theksi në gegërishte, p.sh. xhezvé – xhézve, hallvá – hallvë, hurmá – hurmë, etj., ku fjalët oksitone janë shndërruar në paroksitone.

      Gjithsesi, përshtatja e theksit është dukuri e vonë.

      Sa për fjalën Herkul, që sjell si shembull, kjo duhet ta ketë historinë të ndërlikuar. Burimi i saj i parë është gjithnjë latinishtja Hercules, e cila mendohet se ka ardhur në atë gjuhë jo drejtpërdrejt nga greqishtja, por me ndërmjetësinë e etruskishtes Herceler, e cila është marrë, nga ana e vet, prej greqishtes së vjetër. Për këtë ka prova që s’po i sjell këtu.

      Megjithatë, shqipja Herkul nuk vjen prej latinishtes (po të kish ardhur nga ajo gjuhë, do të kishte dhënë diçka si Hérkull). Nga gjuhët moderne prej të cilave i kemi marrë emrat mitologjikë, do të përjashtohet edhe italishtja Ércole, që e ka theksin në rrokjen e parë; në një kohë që frëngjishtja Hercule i afrohet shqipes më shumë. Duke pasur parasysh që emrat mitologjikë hynë në shqipe gjatë Rilindjes, vjen në vështrim edhe turqishtja Herkül, edhe ajo e marrë prej frëngjishtes, që ishte gjuha e kulturës aso kohe.

      Përndryshe, emri grek Ἡρακλῆς (Herakles) ka hyrë në shqipen moderne, nga greqishtja e re, si Irakli: emër djali (shkurtuar pastaj në Rako).

  20. Respekte per Xha Xhain.

    Do te doja ne kendveshtrimin e debatit per “Shqiperine imagjinare”, te komentonit nje fakt trondites se si rrembehen pronat ne Shqiperi. Ne linkun e meposhtem te smanalysis, tregohet, dosja e Kakomese, qe faktet pseudo historike me Shqiperi shtet ne kohen e mesjetes te pushtuar nga turku, kur ajo nuk ekzistonte, por vetem ne vitin 1913 u njoh nga fuqite e medha. Ju luten shijoni vendimin e Gjykates se Apelit ne Tirane, eshte komedi.

    http://smarkos.blogspot.com/2008/12/albanian-tribunal-scandal-kakomea-issue.html

  21. Skipter ne greqisht shprehet sqipter dhe meqenese p-ja dhe t-ja bashkarisht zbuten , mund te jete zevendesuar me f -en dhe kthehet sqifter , qe mbase ka lidhje me skeptrin pasi ne koke te tij ka patur dhe koka shpendesh te skalitur…Le ta shohe si mesuesja dhe xhaxhai kete variant te nje ekonomisti…

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: