PËRSE ËSHTË KAQ MIRË NË JASH? (II)

nga dr. Ina Arapi (Vjenë)

Jashi është një qytet universitar në verilindje të Rumanisë dhe kryeqendra e krahinës së Moldovës, 20 km larg kufirit me Republikën e Moldovës dhe rreth 400 km larg Bukureshtit. Ka rreth 320.000 banorë duke qenë kështu qyteti i tretë për nga madhësia në Rumani. Universiteti i Jashit është i pari universitet në Rumani, por sot këtu ka disa universitete si për shkencat teknike, ashtu dhe për mjekësinë e shkencat shoqërore. Pra universitetet janë biznesi kryesor në Jash, do të thoshte dikush në kohën tonë. Sigurisht: sa levizje ka për shkak të tyre, sa njerëz venë e vijnë, sa paguajnë ata. Megjithatë unë mendoj se shpenzimet për t’i mbajtur duhet të jenë shumë më të mëdha. Jo vetëm ndërtesat në gjendje të shkëlqyer, por edhe procesi mësimor me specialistë të klasit të parë, aktivitete shkencore etj. Taksa paguajnë vetëm një pjesë e studentëve sipas një sistemi të caktuar, i cili ka për qëllim t’i stimulojë ata të arrijnë rezultate sa më të larta.

Jam e habitur nga Universiteti. Pse atje te ne (në Vjenë) ambjentet janë të pista, ngjisin gjithandej lloj-lloj gjërash nëpër mure, lajmërime për banesa, orë private, pllakata, vizatime si t’u dojë qejfi, sharje dhe fjalë të turpshme. Analizoj në heshtje përfytyrimin tim për një Universitet, ashtu siç e njoh unë nga përvoja ime në një vend perëndimor, konkretisht si vatra më e zjarrtë e më “revolucionare” e vendit, ku shfaqet e zhvillohet çdo lloj proteste studentore. Bile deri para pak kohësh ndërtesa kryesore e Universitetit në Vjenë ishte vendi ku e kalonin natën shumë lypsarë. Pikërisht rreth orës dhjetë, kur dilnin mësimdhënësit e fundit, takoheshin me lypsarët e ngarkuar me çanta që vini të kalonin natën. Por kjo s’është gjë kur mendon ministrin e financave të periudhës 2000-2007, i cili donte t’i privatizonte ose t’i jepte me qira ambjentet e Universitetit, sepse nuk ishin rentable.

Qyteti ka një pamje që unë do ta quaja normale në krahasim me shumë qytete të tjera në kohën tonë, të cilat shpesh të krijojnë përshtypjen se nuk janë më normalë. Duket qartë që gjendja ekonomike është mesatare. Për shembull rrugët të kujtojnë Tiranën komuniste. Ato janë të shtruara me asfalt solid e shumë të fortë, por të stërmunduar e të strapacuar. Nuk sheh makina luksoze. Siç thashë, nuk ke frikë se mund të të shtypë makina ose të të bërtasë dikush “Hap sytë”! Çdo makinë ndalon që të të lëshojë rrugën. Tramvajet janë shumë të vjetër, por vijnë papushim. Nuk pret më shumë se dy minuta dhe tramvaji të qëndron para këmbëve. Ka dhe autobusa, bile dhe furgonë. Biletat janë rekativisht të shtrenjta, megjithatë çdo njeri mban në dorë një biletë.

Ka lloj-lloj dyqanesh. Ato që më pëlqejnë më shumë janë dyqanet e luleve. Sa lule të bukura dhe të shëndetshme ka në këtë qytet! Siç duket ndihmon edhe klima. Më kujtohen lulet e shpifura nëpër dyqanet e Tiranës ose në ndonjë qoshe. Në çdo dyqan që hyn të japin faturë! Bile edhe taksisti më dha faturë! Shitëset janë shumë të sjellshme dhe njerëzit nuk janë të stresuar. Të paktën kështu duken. Mesa duket është më se e vërtetë ajo që thuhet se s’është vetëm paraja ajo që të bën të lumtur. Në përgjithësi dyqanet hapen në orën nëntë dhe mbyllen në orën pesë ose gjashtë pasdite. Para orës nëntë vështirë të gjesh ndonjë dyqan hapur. Një çudi më vete është mënyra se si janë veshur gratë. Shumica e veshjeve janë normale, ka edhe të shtrenjta, por s’sheh taka të larta, minifunde dhe dekolte të ekzagjeruara. As gjokse të nxjerra jashtë, as syze të mëdhaja. Vetëm një grua pashë me taka të larta.

Nuk arrij të kuptoj se si veprohet në këtë qytet me plehrat. Nuk ka asgjëkundi kazane plehrash. Nëpër  rrugë ka kosha të vegjël metalikë ku mund të hedhësh mbeturina të vogla, por nuk ka kazanë të mëdhenj, siç i sheh sot gjithandej në çdo qytet të Evropës. Po kështu në rrugë nuk ka kamiona gjigandë, të paktën në qytet, se në periferi është e pamundur të mos ketë. Rrugët pastrohen me makina, nëpër lulishte ka çdo ditë kopshtarë. Në zonën ku banoj nuk ka dyqane të mëdha, as për ushqime, por kur pyes, më thonë se ka edhe magazina shumë të mëdha, bile edhe nga ato që kemi në Austri, por janë në lagje të tjera. Ditën e fundit bëra një shëtitje me tramvaj dhe i rashë rreth e rrotull qytetit. Në një vend pashë një treg frutash e zarzavatesh si te ne. Aty pashë dhe tre veta që i kishin shtruar prodhimet e tyre në shesh, përndryshe shitja në rrugë këtu duhet të jetë e ndaluar, sepse nuk të zë syri as lodra, as misra, as banana, as qiqra, as petlla që të shiten nëpër rrugë, asgjë!

Në oborrin e konviktit banon një familje qensh. Ata çdo mëngjes dalin deri te rruga kryesore, ulen në lulishten buzë rrugës dhe vëzhgojnë makinat dhe njerëzit që shkojnë në punë. Tek-tuk shoh edhe qen të tjerë në rrugë. Nuk e kuptoj nëse janë pa zot apo shëtisin edhe ata, sepse në disa shtylla pashë lajmërimet e të zotërve që kërkonin qentë e humbur. Më zë veshi në radio që dhe në parlament po diskutohet për qentë rrugaçë, do të ketë dhe një votim për të vendosur se çdo të bëhet me ta. Por këta qen janë aq të bukur dhe të pastër saqë pa problem mund ta merrja njërin në shtëpi.

Sipas asaj çfarë arrita të shoh, të paktën një e treta e qytetit duhet të jetë e mbuluar nga gjelbërimi. Brenda në qytet ka në fakt jo lagje me vila, por rrugë që të kujtojnë fshatin ku shtëpitë janë të fshehura pas kopshtijeve. Në mes të vapës nuk djersitesh fare dhe kjo është për mua diçka e re. Prej vitesh verat për mua janë kthyer në horror. .. Fillon në Vjenë, aty nga muaji maj. Një zagushi e tmerrshme, mbytesh në djersë. Njerëzit janë shumë të eksituar. Ngrohja globale. . . ajo po na merr frymën. Vazhdon në Tiranë ku kaloj pushimet. Është pak më mirë te deti, por dhe këtu. . .  Nga mesi i gushtit e humb durimin dhe filloj t‘i lutem  Zotit që të kalojë sa më parë vera, se nuk duroj dot. Dikur më pëlqente kaq shumë kjo stinë dhe mërzitesha kur vinte dimri se kisha ftohtë. Rrij e vras mendjen si është e mundur që s’po djersij këtu dhe arrij në përfundimin (tronditës) se ndryshimet e klimës nuk qenkan globale, por rajonale! Siç duket si pasojë e shkatërrimit të pyjeve e drurëve dhe e dekompozimit të plehrave, e tymit të makinave dhe e ndotjeve industriale ose kushedi çfarë gjëje tjetër.

I shoh të gjitha këto dhe mendja më vete tek ata që qëndrojnë prapa këtyre gjërave, tek ata që merren me administrimin e qytetit dhe mallëngjehem kur kujtoj Tiranën. Çfarë kanë këta më shumë?! Traditë, po, kjo është e vërtetë, por mbi të gjitha kulturë. Duhet shumë kulturë për ta bërë këtë. Më thanë se rregullimi i rrugëve ka filluar nga periferia duke iu drejtuar qendrës. O Zot, them, si u ka vajtur mendja. Jam kurioze të pyes si furnizohen dyqanet, por me vjen zor. Në rrugë nuk shoh kamionë ose makina të tjera gjigande. Në qytet vihet re një kujdes i jashtëzakonshëm për ruajtjen e kujtesës historike. Para çdo ndërtese me rëndësi ka një shtyllë metalike me një tabelë elegante prej xhami që jep shpjegime për gjithëçka në lidhje me objektin, por në ish selinë e Securitate-s ka vetëm një tabelë!

Në këtë qytet kanë jetuar shumë njerëz të shquar: politikanë, artistë, shkencëtarë. Qyteti është i mbushur me buste, ka disa monumente të mëdha. Shumë gjëra janë rinovuar, por duket që nuk ka nxitim për këtë gjë. Mesa duket një periudhë e gjatë reflektimi e diskutimi i paraprin marrjes së vendimeve. Në qytet ka një rrugë të vjetër, ku kalojnë vetëm këmbësorë, me pallatin e princit Cuza. Afër tij kinema “Republica“. Një kinema e vjetër dhe pranë saj disa ndërtesa në stilin komunist. Jam kurioze të di se ç’do të bëhet me të në të ardhmen. Më kujtohet Tirana dhe ish-kinema “Republika”.

Hyj në një antikuariat. Është një dyqan shumë i bukur dhe pyes mos kanë libra të vjetër në gjuhën shqipe. Antikuarit i  qesh fytyra. Jo libra të vjetër s’ka, por ai di gjithçka për shqiptarët në Rumani. Më pyet a e di që në Bukuresht ka dy shoqata që zihen me njëra-tjetrën. Nxjerrin dhe gazeta a revista. Ai i ka ato. Doni t’i shihni? Jo, i them, s’më interesojnë gjërat e reja, as shoqatat e shqiptarëve. Bile ka pasur përpjekje për të ngritur një shoqatë dhe këtu në Jash, vazhdon ai. Ka disa shqiptarë që studiojnë në Universitetin e Mjekësisë. Më vjen për të qeshur, kur mendoj se pothuaj të gjithë rumunët e ruajnë kuriozitetin për “vëllezërit” e tyre të dikurshëm dhe intere-sohen të marrin vesh se ç’bëhet në Shqipëri. Më kanë thënë se kanë investuar shumë në breg-det, më thoshte kolegu që më priti në aeroport. Unë e ndjeva veten keq dhe s’dija ç’të thoja. . .

Pas një ore do të nisem. Futem në kafene për të pirë kafenë e fundit. Kërkoj llogarinë. Kamarierja vjen si në çdo lokal me një radhua të vogël në duar. Brenda është llogaria. Kështu ka qenë dikur dhe në Vjenë, por tashmë atje ky zakon është harruar. Ç’na duhen sekretet dhe sjelljet e stërholluara! Kamarierja të zgjat faturën, ti hap portofolin dhe paguan.

***

Avioni ulet tamam në momentin e duhur në aeroportin e Vjenës. Nga të katër anët gjëmojnë avionë të tjerë që ulen e ngrihen papushim, megjithatë aeroporti del me humbje. Kështu thonë. Tani e kanë marrë gjermanët, pritet që ata ta rregullojnë. Veprimet jatë të sakta dhe të prera. S’lejohen gabime. Në pistë të pret era. Mjerë kush s’i ka marrë masat. Për vete jam siguruar që në Jash me pantallona e xhaketë blu xhins. Shoferi i taksisë rrëmben valixhen dhe drejtohet nga garazhi. Ecim dhjetë minuta para se të arrijmë atje. Më shikon me keqardhje. S’ka mundësi tjetër, thotë, s’më lejohet të rri asnjë minutë para aeroportit. S’ka problem, i përgjigjem unë.

Para meje hapen menjëherë rrugë madhështore që ndriçojnë si pasqyrë. Makina futet në ca shtigje të panjohura. Gjysma e Vjenës është e hapur, thotë shoferi, s’kam ç’të bëj, po eci sipas navigatorit. Ka shumë kantiere dhe vende ku lejohet vetëm shpejtësia 60 km, gjithandej radare… S’ka problem, i përgjigjem unë, do të arrijmë patjetër. Navigatori flet papushim: pas 100 metrash djathtas dhe pastaj menjëherë majtas… 200 m drejt dhe arrite. Banokeni në një vend të mirë, më thotë taksisti për të më ngushëlluar. Shkëlqyer, them me vete.

Të nesërmen zgjohem si zakonisht nga makina e plehrave. Kam fat, ora është tetë e dhjetë. Zakonisht kjo ndodh midis orës shtatë pa një çerek e orës shtatë e dhjetë minuta të mëngjesit. Dikur kam banuar në një ndërtesë të vjetër në unazë, por posta vinte në orën shtatë, ndërsa makina e plehrave në orën dhjetë. Tani është e kundërta. Zërat e fuqishëm të plehraxhinjve të fusin dridhmën, shyqyr mbaruan. Do të rri dhe pak, them me vete, por s‘kalon asnjë sekondë dhe dëgjohet gjëmimi tronditës i kamionit frigorifer që vjen për të furnizuar supermarketin që kemi poshtë . Mori fund, them me vete, ngrihem dhe ia nis nga e para.

Nuk ka komente

  1. I lexova me shume vemendje te dyja pjeset. Pershtypja ? Si me poshte :

    – e para e punes, eshte e ngutshme, kategorike madje, qe te dilet njehere e mire nga stili yllipangian i reportazhit. Me librin e tij “Amerika”, psikologu yne i “shquar” i kohes – qe po te ishte ndalur vetem tek matematika, do te kishte qene me pozitiv – na habiste ne, Shqiptareve te shkrete qe s’kishim dale asgjekundi, me habite e tij peselekeshe te tipit toka eshte e rrumbullaket dhe avioni shkulet nga toka me shpejtesi te madhe. Dy shkrimet me lart nuk dallonin fare nga ky model. Nuk di a e ka lexuar kush kete “Ameriken” e Yll Pangos, por keshtu ishte.

    – e dyta, nuk e kapa mire arsyen e ketyre dy teksteve, dmth arsyen e te qenurit te tyre : ç’nevoje te brendshme, nga burojne, cila eshte shtysa qe keto tekste te shohin driten e diellit, dhe madje te shperndarjes anembane ? Nese eshte bere per te na treguar vertet per Jashin, me vjen keq por gjithkush do t’i kishte vizituar nja 17 qytete europiane deri tani dhe ne s’do te ndaleshim me duke rrefyer si e ku e qysh e çfare. Por, mbase ka nje arsye tjeter : merret kastile nje qytet pa lidhje, diku i humbur ne nje cep te perandorise, dhe pastaj flitet per te nga kendveshtrimi i nje kryeqytetasi te pare dhe te kenduar, qe vjen si dy personazhet e Kadarese, Vangjush Furrxhi me Rajmonda Bulkun, mos gabofsha, ne Alpet e Shqiperise.

    – e treta, reportazhet mbartin nje te keqe te madhe ne vetvete : te keqen e shtremberimit te gjithçkaje : eshte e pamundur qe te besh nje reportazh ne nje vend, me thjesht nje vizite dy-tre-shtate ditore. Te shkruash per nje vend, do te thote te jetosh si Durham, si Albert Londres, si Pierre Loti, si Lawrence i Arabise, qe kane jetuar kohe te gjata ne vendet per te cilet kane folur. Reportazhe te tilla si ky i Znj. Arapi jane thjesht nje “cache-sexe” siç i thone frenget, dmth, pjesa qe fsheh te teren. Nga ku lindin keqkuptimet, nga ku lind mosnjohja e vertete e vendit. Keto tip reportazhesh jane te minuara qe me pare nga paragjykimi : une do te shkoj te shoh ate qe dua te shoh. Mirepo ky s’eshte reportazh, eshte thjesht nje kendveshtrim ekzotik, etnocentrik, pa kurrfare hapjeje ndaj te huajit. Te njejten gje e bejne sot ne bote, por jo me shkrime te tilla sepse nuk jane me ne shijen e dites, edhe mjaft franceze apo gjermane qe shkojne te shijojne trupat e njome te Tajlandezeve. Shkurt, reportazhe te tilla jane tejet te demshem per reportazhet e vertete te llojit Christophe Panfilly dhe Jerome Bony, qe kane jetuar mes Afganeve me muaj e vite, dhe kane sjelle ketu ne Perendim fytyren e vertete te Afganistanit.

    – Dhe e fundit, kam vene re se ky lloj “reportazhi” si i Zj. Arapi, sikur eshte perhapur si teper nder Shqiptare, te pakten keto kohet e fundit : lexojme budalliqe “te kaltrash” mbi plazhin e Durresit ku zonjen na e shqeteson edhe zanorja hundore e kosovareve, apo budalliqet e tjera te dikujt qe i bie me autobus Tirane-Prishtine dhe perrallis pastaj per karakterin turk apo futja-kot te Prizrenit, etj. Mua me eshte dukur se Shqiptaret e kane kaluar tashme ate stadin e mrekullimit perballe nje shishe koka-kola, apo para xhinseve te nje amerikani. Me eshte dukur se kaq gje e kane kuptuar se pershtypje dhe mbresa te tilla i perkasin nje kohe tjeter. Sot eshte koha per t’i lene ekzotizmat dhe per t’u futur ne thelbin e gjerave, aty ku jemi : ne France apo ne Austri, ne Amerike apo ne Japoni.
    __________

    Dhe e fundit, se s’po me rrihet pa e permendur, kur kam lexuar dhe “reportazhin” e dikujt nga Tirana qe kishte vajtur ne Mirdite dhe na kishte zbuluar se edhe fshataret e Mirdites i thoshin zogut zog e bukes buke, dhe se edhe ata kishin marre vesh se eshte toka qe sillet rreth diellit dhe jo e kunderta, thashe me vete qe sinqerisht, ne Shqiptaret mund te jemi njerezit me patetike te tokes.

    1. ehe, ti po i kërkon tekstit më lart atë çfarë teksti nuk mëton të ta thotë.

      E lexon, dhe të vjen në mendje një reportazh që ndoshta të ka pëlqyer dhe që doemos nuk e gjen aty.

      Dhe për këtë e hedh poshtë.

      Për mua ky nuk është lexim, por përdhosje e tekstit.

      Teksti më lart nuk ka për qëllim të të përshkruajë ty Jashin. Jashi, në vetvete, është irrelevant për interesat e shumicës së lexuesve që vijnë këtu.

      Por qëllimi i tekstit të zbulohet që në titull. Titulli është i rëndësishëm. Shumë njerëz nuk dinë t’i lexojnë titujt.

      Vëreje edhe një herë: Përse është kaq mirë në Jash? Një titull në formë pyetjeje. Kush e bën këtë pyetje? Pse? Pse duhet të habitet dikush – autorja në rastin tonë – që është mirë në Jash? Pse të mos jetë mirë në Jash?

      Në fakt, nuk ka arsye pse të mos jetë mirë në Jash. Pyetja rreh gjetiu. Dhe te kjo hapësirë ”gjetiu” vendoset lexuesi, lexuesi i paparagjykuar.

      Autorja e tekstit e njeh shumë mirë Rumaninë. Është një nga të paktat studiuese shqiptare, që e ka studiuar kulturën rumune me rrënjë. Sikur të ishte qëllimi i saj të na fliste për Jashin dhe jashianët, do ta bënte më mirë se kushdo tjetër.

      Jashi nuk është Mirdita, as kulla e ngujimit. Aty nuk ka asgjë ekzotike; është një realitet europian, i një kulture dhe një shoqërie që kërkojnë të gjejë vetveten.

      Ka atje diçka nga Korça dhe nga Shkodra, sikurse ka diçka nga Parisi dhe nga Firenze-ja.

      Të gjithë ne kemi jetuar nga pak në Jash.

      Ti, ehe, je lexues patologjik, dhe patologjitë e tua i kanë rrënjët, siç e shpjegon vetë, në komplekset e tua të inferioritetit – ngaqë të tjerët, poshtë e lart, të identifikojnë ndonjëherë si “malok” ose si “katundar”.

      Njerëzit që bëjnë identifikime të tilla dhe i përdorin pastaj për të ndërtuar marrëdhënie ndërpersonale janë njerëz me të cilët nuk ia vlen të kesh marrëdhënie.

      Por ti duhet të bësh kujdes dhe të mos i sjellësh plehrat e së përditshmes sate në këtë tryezë.

      Mes shqiptarëve ka sa të duash njerëz të trashë, të pagdhendur, të paditur refraktarë, të ndyrë, moralisht të pështirë, inatçorë, ziliqarë, paranojakë, të kompleksuar, që e urrejnë dijen dhe qytetërimin dhe Perëndimin dhe Tiranën; që kanë frikë nga seksi dhe dëshira dhe qejfi dhe parfumi që hedh vajza dhe ambalazhi i një kondomi në trotuar; që nuk dinë të flasin, nuk dinë të sillen, nuk dinë të dalin në publik.

      Njerëz të tillë i gjen edhe në Tiranë edhe në Mirditë; por ata nuk kanë gjë të përbashkët mes tyre, përveçse që janë një forcë negative, e errët, e neveritshme; e cila përftohet nëpërmjet solidaritetit të tyre instinktiv.

      Jashi i shkrimit më sipër është edhe një model sesi t’i zbutësh këta njerëz të vrazhdë, nëpërmjet qytetërimit të përditshëm; jo fjalëve të mëdha, Heidegger-it dhe Finkielkraut-it; por gjesteve të thjeshta, përkushtimit anonim dhe respektit ndaj tjetrit.

      Unë nuk të njoh; këtë që shkruaj këtu për ty mos e merr personalisht; por, të lutem, mos u sill në këtë hapësirë timen si ndonjë ujk në kafaz. Cheer up, thonë amerikanët. Përpiqu të buzëqeshësh.

      1. Zoteri,
        Dy gjera jane te domosdoshme te sqarohen :

        1. Mos u shqetesoni fare, fare : nuk e marr aspak personalisht, ashtu sikunder dhe ju s’duhet ta merrni. Nuk njihemi, aq me mire per te dy. Pra s’me ngelet hatri per asgje.

        2. Jo vetem qe s’ndihem inferior ndaj askujt, as perpara ndonje tironci apo pariziani apo amerikani me yll te pikuar ne balle, por thjesht me vjen te shkllahem ne te qeshura kur degjoj dike te me trajtoje si malok apo si katunar apo si shqiptar ketu ne France. Nese deshiron t’i dish se ç’pergjigje i jap une ndonje racisti francez qe fillon e ndyen racen time dhe tuajen bashke, e sigurte se nuk do te me ngarkoje me kete historine e inferioritetit. Arsyen e kesaj, besoj se e kuptoni shume lehte : nuk e kam ndertuar jeten time as duke u mbeshtetur ne vendlindje, as ne vendbanim, as ne emrin e babait apo te halles, por thjesht i kam dale zot vetit kudo ku kam qene : me punen, djersen, mundin, diturite dhe edukaten time. Keshtu qe inferioritetin duhet ta kerkoni diku gjetke, me siguri qe duhet te kete ndonje (Sartri mund t’ju ndihmoje me analizen e tij te çifutit kur flet me ata jo-autentiket qe kerkojne t’i ikin çifutllekut. E une as kam kerkuar dhe as kerkoj t’i ik katunarise sime apo termit “malok” qe e keni aq per zemer. Sepse problemi nuk jam une, por eshte ai qe i perdor, ai ka nje problem dhe duhet kuruar.
        __________

        Ne lidhje me reportazhin : me vjen keq, perseri, nuk e njoh zonjen, thjesht ajo “dr.” perpara me ben te kem shume respekt se nuk eshte e lehte ta arrish, por ne kete tekst me siper, une jo vetem qe nuk gjeta nje nga ato reportazhet qe i kam qejf, por nuk gjeta as dhe qasjen e duhur. Ngaqe me bie te leviz shpesh neper avione, te tilla fjale i kam degjuar me dhjetra here nga franceze qe me merrnin per nje francez, dhe fillonin te me benin nje mini-reportazh mbi Shqiperine, Kosoven, Ballkanin, etj. Dhe ngaqe s’ndjej kurrfare inferioriteti kundrejt ketij francezi kokebosh qe shpenzon parate e veta duke udhetuar dhe u mbushur me vetekenaqesi per vendin ku eshte lindur, ia kam kthyer ashtu siç e meriton, pra me nje gjuhe te zgjedhur ku i kam vene ne dukje se nuk eshte asgje me teper se nje “pauvre mec qui ne comprend rien à rien”, dhe se eshte e kote te ma shpalose ate pasaporten franceze para syve si ndonje formule “sezam, hapu!”, ashtu siç ma vringellojne disa bashkatdhetare te mi qenien tironc apo n’rrote t’sames. Gjera te tilla s’me bejne fare pershtypje.

        Problemi i reportazhit eshte ketu : menyra e te shkruarit futet me teper ne nje ditar mes miqsh qe te njohin shume mire, dhe jo ne nje reportazh te mirefillte qe mund ta ndash me boten. Ne nje reportazh, kryesorja nuk eshte te me pershkruash qiellin qe ben apo gjeresine e rruges, por te flasesh me njerezit, te me thuash ne ligjerate te drejte se ç’mendojne ata per vendin e tyre dhe tjeter, si e shohin jeten, a kane endrra, a kane shpresa, ku e shohin veten pas 30 vjetesh, e me radhe. Prandaj e permenda Ylli Pangon sepse ai, ne tere librin e tij, a kishte folur a s’kishte folur me nje Amerikan, por rrinte vetem duke me treguar se nje shishe koka-kola 1.5 l kushtonte me lire se uji. Mos more ! Dhe Shqiptaret e asaj kohe qe ishin si zezaku i perendive me koke poshte, e perpinte kete liber fenomenal. Mirepo llustra iken shpejt, dhe psikologu yne s’na tha asgje as per Ameriken as per njerezit e Amerikes.

        Ne fakt, do ta kisha degjuar me endje Zj. Arapi te me fliste per Rumanine, nuk e njoh kete vend, dhe me mbeti po aq e panjohur edhe pas leximit te Jashit. Kjo eshte e meta e ketij teksti : nuk me zhvendos nje hap perpara ne njohjen e diçkaje. Jam po aty ku kam qene. Aq sa ç’njoh me mire Tajlanden kur kthehen shoket e mi nga plazhet e mbyllura ne kafazin e mireqenies dhe luksit te turistit.

        Sidoqofte, te me fale Zj. Arapi nese tingelloj i serte, thjesht kam lexuar ca si shume dhe mbase i kam pritjet goxha lart. Kerkoj ndjese per shqetesimin.

  2. Po sjell këtu edhe një koment tjetër (koment i thënçin), të cilin e fshiva, prandaj nuk po ia përmend autorin.

    Thotë ky autor që më mirë të lihet anonim:

    O Ina, quhet Iaşi (Jashi) dhe jo Jash. Këto detaje të vogla na japin të kuptojmë shumë mbi atë që Ina di për Jashin.

    Vëreni: nga i gjithë shkrimi, ky këtë ka gjetur të komentojë. I drejtohet autores sikur t’i ketë lidhur kërthizën (me një lloj familjariteti tipik për një kapanon zbori); supozon se ajo nuk di si ta transliterojë emrin e qytetit rumun; merr përsipër ta korrigjojë sakaq.

    Çfarë ndodh kështu me ty, o lexues?

    Për mua, mënyra më e mirë për t’iu qasur një teksti, çfarëdo teksti, është duke supozuar se autori di diçka më shumë për temën se ç’di ti, si lexues.

    Në rastin e autores të shkrimit më lart, këtë e konfirmon edhe kurrikulumi i saj.

    Askush nuk është i detyruar ta njohë këtë kurrikulum; por që nga momenti që ti vendos të dalësh hapur dhe ta qortosh këtë për padije, bën mirë t’i hedhësh një sy.

    Përndryshe, je thjesht duke i gjuajtur një xhami me gur, ose po përfshihesh në një akt të rëndomtë rrugaçërie.

    Ina Arapi natyrisht di si ta shkruajë emrin e qytetit rumun; sikurse di ta shqiptojë dhe ta transliterojë në shqipe.

    Lexuesi që ka komentuar ashtu më lart është nxituar. I ka folur goja para mendjes.

    Dhe i ka folur goja para mendjes, sepse tani po bëhet e modës që lexuesit ta shprehin vetveten duke gjetur gabime te të tjerët.

    Çfarë ndodh kështu me ty, o lexues?

    Çfarë hashashi të bën të mendosh se je në gjendje të ndërmarrësh korrigjime të tilla?

    Një mësues imi, tani prej kohësh i kallur në dhé, e kish zakon të thoshte: ruaju atij që i di gjërat përgjysmë; se injorantit nuk i shkon mendja të ngacmojë, por gjysmaku mund të bëjë gjëmën.

    Edhe një thirrje për ju të tjerët, lexues dhe kolegë në PTF: kur ndeshni një shkrim që ju stimulon mendërisht, ose që ju pëlqen, thuajeni një fjalë. Jo për autorin (as për mua personalisht), por mos i lini këta të tjerët të gjejnë shesh e të bëjnë përshesh.

    Kjo hapësirë – e komenteve – nuk u përket trollëve, as do të lihet në duart e trollëve. Le ta përfytyrojmë, për të mirën tonë të përbashkët, si metaforë për kulturën shqiptare. Do t’ua lëmë në dorë xhahilëve?

  3. Nuk mund të rri pa thënë atë çka konceptoja ngy ky reportazh: Nihilizëm në ekstrem i autores!
    Nuk ka si mos të konsiderohet nihiliste, në plot kuptimin e fjalës, dikush që paska “kujtime të hidhura nga konvikti” (dhe sfidoj cilindo, që të gjejë një konviktor që të urrejë periudhën e konviktit) dhe të gjejë sipas “gustos së saj” mobiliet dhe perdet e IKEA-s që mund të kenë mobiluar atë dreq konvikti… që edhe hotel me 4-5 yje të ishte, vështirë se do t’i bënte kaq përshtypje cilido shqiptar që i ka qëlluar të bredhë hoteleve të botës.

    A është Jashi një oaz (sepse vështirë që të përgjithësohet kjo panoramë për gjithë Rumaninë) që duhet marrë shembull për gjelbërimin, pastërtinë, qetësinë, trafikun, ambjentet shkollore? Do ishte jashtë çdo logjike të kundërshtohej, por nuk na u tha ASGJË se ç’hashash pinin Jashianët që kishin arritur në këtë parajsë… etj etj etj

  4. Shkrimi nuk do të duhej të kuptohej si një prelud për Jashin, por si një vajtim për Tiranën, për atë qytet që dikur ishte Qytet me Qytetarë dhe që është shndërruar në një shkretëtirë morale dhe njëkohësisht xhungël urbane.
    Autorja qëllimisht është fiksuar në përshkrimin e detajeve ende funksionalë të së djeshmes së atij qyteti, për t’i bërë thirrje lexuesit, ta përqendrojë vëmendjen tek tek substanca qytetare e humbur e realiteteve qytetare shqiptare.
    Po pse humbi kjo substancë? Ku shkoi ajo qytetari e dikurshme?
    Gjendem prej katër javësh në një qytet me rreth 50 – 60.000 banorë diku në breg të Adriatikut verior në Itali. Kam edhe këtu një ndjesi të Tiranës së viteve ’80. Dje në darkë shkova në qendër të qytetit. Njerëzit kishin dalë Xhiro. Veshur lehtë por me sqimë, ecnin ngadalë, pjesërisht mbajtur “alla bracia”, bisedonin me njëri tjetrin, përshëndeteshin. Mosha ishte nga tre javësh deri 100 vjeç(?). Ata njerëz unë i kam parë në Korçë, Shkodër, Tiranë në vitet ’80, por sot nuk i shoh më. Herën e fundit kur shkova në Tiranë pësova pothuajse një ezaurim nervor. Trafiku, pisllëku, zhurma dhe mbi të gjitha boshësia intelektuale në hapësirën publike.
    Përgëzoj autoren për shkrimin dhe i sugjeroj, që ndërhyrjet e shqipridonëvë t’i perceptojë si një fatkeqësi tashmë e paevitueshme e realiteteve shqiptare të rrënuara e t’i marrë në konsideratë me mëshirimin e nevojshëm të rastit.

  5. Reportazhi ekziston në forma nga më të ndryshme. Dhe shyqyr zotit ! Këtu shoh se për pak ditë që znjsh. Arapi (nuk e di a është ajo që e shihja gjithnjë në një cep të sallës së BK, në Tiranë me syze të rrumbullakëta të zeza ?) qëndroi në atë qytet asaj i kërkohet të shpjegojë përsenë e botës ! Nuk është aty qëllimi. Ajo përshkruan një imazh, lë përshtypjen e saj në një libër në të dalë të ekspozitës, qytetit. Te mos harrojme se ajo aty kishte shkuar për qëllime krejt të tjera dhe jo si korespondente speciale e ndonjë gazete shqiptare.

    Kam lexuar vonë Ditarin Rus të John Steinbeck, një reportazh i gjatë i kohës së Stalinit, kur ai vizitoi BS. Në të nuk ka asnjë dialog (ose copa dialogësh si ato përgjigjet e kooperativistëve në Shqipëri, pra që vlejnë për diçka por jo për të kuptuar vendin) e megjithatë edhe sot nuk i luan asnjë presje përshtypjeve të tij…
    Përfundimet nxirrini ju. Arti i pikturës njeh edhe Guernikën, por njeh edhe Mullarët e barit apo Urën japoneze të Monesë. Cili ka tagër t’i heqë të drejtën e ekzistencës njërës në kurriz të tjetrës ? E mbaj veten për qytetar të përgjegjshëm dhe e shoh me dhimbje Guernikën (madje prej saj jam shtyrë të shkoj e të vizitoj atë qytet), por po qe se në shtëpinë time do të kisha mundësi të zgjedh e të mbaj një pikturë nga ato të sipërmet, pa dyshim që ajo nuk do të ishte Guernika. Një tablo impresioniste më shkon më shumë.

    I. Arapi këtu jep përshtypjet e saj për një qytet që ne nuk e njihnim as për emër (dhe ka mirësinë të na e sjellë në blog) Dhe thelbi i ekzistencës së këtij shkrimi është te shkretëtira jone informative ne lidhje me te. Një qytet universitar më afër Uralve se sa Apenineve. Të tjerat, informacionin shtesë apo instrumentet e gjykimit unë i kam te vetja, sikundër edhe lexuesit e tjerë. Këndvështrimi ndryshon. Njëri prej tyre është ai që do ta ilustroja me reportazhin e atyre dy neozelandezve para nja tre muajsh që kaluan nëpër Tiranë dhe thanë se është vend muti (sic). Pra, do të pyesja veten përse edhe (ish) vendi im nuk u lë të huajve atë përshtypje që mori Arapi nga Jashi i largët?
    Tjetër gjë që më përplas në fytyrë ky reportazh është masakra ekologjike që kanë pësuar qytetet shqiptarë që sot cilësohen nga më të ndoturit në botë. Me këtë rast një qytet si Jashi i dalë edhe ai nga matrica e komunizmit më vë përpara pyetjes jo fort të lehtë : është faji i komunizmit apo ka diçka tjetër që nuk shkon te natyra e shqiptarëve?

    Po miresjelljen e njerezve a nuk e shihni?

    Kur shkova per here te pare (dhe te fundit ne Shqiperi) nisa te kaloj ne rruge sapo u hap drita jeshile. Nje shofer i terbuar frenoi te kembet e mia, uli xhamin e me ulëriu ne fytyre: O klysh kurve, qeka me jeshile dhe dashke te kalosh para meje ti!!!

    Pra ka çelësa të ndryshëm leximi, mjafton pak vullnet i mirë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin