PO TANI, ÇFARË T’U THEMI STUDENTËVE?

nga Dorina Pllumbi

Vit pas viti, me studentët e vitit të tretë të degës së arkitekturës e nisnim semestrin e dytë me një vizitë tek Teatri Kombëtar. Ishte dita më e bukur e vitit akademik. Pranverë. Pas ditëve të dimrit dhe sezonit të provimeve, të gjithë kishim një dëshirë për të qëndruar jashtë e për t’u lidhur me qytetin, për të folur për të jo më vetëm nga klasa e mbyllur, por nga rrugët, nga godinat e tij. Është qyteti me të cilin në mendje formohet çdo student arkitekture. Është qyteti ai që ka nxitur çdo arkitekt t’u futet studimeve në një degë mjaft komplekse sa dhe qyteti vetë. Të jesh student arkitekture, do të thotë të rrish net të tëra pa gjumë duke konceptuar, vizatuar, ndërtuar makete, dhe kjo sa për të hapur një diskutim në klasë mbi projektin tënd të kursit. Mbase pas këtij diskutimi kritik me pedagogët apo me kolegët e grupit të duhet brenda një jave të bësh çdo gjë nga fillimi. Është proces kreativ, kaq i bukur, por dhe sfilitës, mendërisht e fizikisht. Kjo mënyrë pune vazhdon edhe pas diplomimit. Tërë jetën arkitekti është në kërkim të zgjidhjes më të mirë për qytetin, propozimit më të mirë, që edhe në rastin më të suksesshëm kur ideja bëhet realitet, përsëri arkitektin seç e gërryen nga brenda. Ndoshta diçka mund të bëhej edhe më mirë. E pra, arkitekti nuk formohet vetëm në klasë, në fakultet, por qyteti në të cilin kalon vitet e studimit është thelbësor në brumosjen e tij. Është ai qytet, janë godinat e tij që kthehen në karaktere që të shoqërojnë gjatë gjithë rrugëtimit tënd për t’u bërë arkitekt. Është ambienti i ndërtuar që na rrethon çdo ditë, është si uji i detit për peshkun, ne notojmë në këtë ambient. Është ekologjia jonë, e krijojmë, e modifikojmë, e përmirësojmë çdo ditë, por edhe anasjelltas. Është qyteti që na krijon e na formon çdo ditë. Nuk rreshtim së menduari për të. Arkitektura është mënyrë jetese, dhe qyteti bëhet jeta jonë.

Por Tirana, ah Tirana është një dashuri kaq e madhe për studentin e arkitekturës. Vërtet nuk është Roma, New Yorku, apo Amsterdami, por është Tirana. Në rrugëtimin e një dite pranvere nga Fakulteti i Arkitekturës tek Teatri Kombëtar të shoqërojnë ato të thjeshtat shtëpi qerpiçi, fasada xhami që vezullojnë aspirate për biznes, vila të qytetit kopësht dëshmitare të një elegance italiane në këtë territor, parafabrikate gjurmë të një kohe urie totalitariste. Të përshëndet Muzeu mjaft krenar për formën e veshjen e tij materiale, më të mirën e kohës. Kulla e Sahatit është po aty, e lënë jetime pasi ia shfarosën të gjithë fisin e farën në Pazarin e Vjetër. Ajo i ka pranuar tashmë pranë saj, si TOB-in ashtu edhe 15-katëshin. Se mos e pyeti njeri atë nëse i donte si fqinjë. Tani që e mendoj, edhe sot po kalon të njëjtën traumë, as për fqinjët e tjerë që po i vijnë ngjitur nuk e pyeti njeri, edhe sot kur e gjora kullë mendonte që nuk ishim më në totalitarizëm.

Pas përshëndetjes edhe me godinat e ministrive e Galerinë e Arteve përballë, mbërrijmë më në fund tek ai objekt, tek Teatri.

Gjithmonë ishte dikush atje të na udhëhiqte nëpër skutat misterioze të tij. Mjaftonte një telefonatë dhe dyert e teatrit hapeshin për studentët e pedagogët e arkitekturës. Aq të kënaqur ishin artistët të na mirëprisnin në shtëpinë e tyre, që me ndonjë batutë na ftonin në shfaqjen e radhës. Vihej re që vitet e fundit seç kishte një rigjallërim të teatrit pas vitesh të tëra trazirash kur të paktë ishin spektatorët që ndiqnin me fanatizëm çdo shfaqje.

Me zell të madh, një nga kolegët merrte fjalën. I apasionuar pas arkitekturës italiane ai tregonte historikun e ndërtimit të godinës që nga projektimi e deri tek mënyra se si ajo u përdor nga brezat para nesh në Tiranë. Me përshkrimin e tij ai na fuste në atë botën e historisë ku të gjithë imagjinonim arkitektin Bertè që projektonte në frymën e kohës. Duhet të ketë qenë emocion i veçantë që në karrierën e tij do të mund të jepte këtë kontribut në një qytet si Tirana kur sapo kishte nisur të frynte një erë e re modernizimi. Imagjinonim elementët e objektit të parafabrikuar të gjithë në Itali dhe anijet gjigande që ankoroheshin në portin e Durrësit. Ato materiale që po shihnim në këtë godinë kishin bërë rrugë të gjatë deri në Tiranë për t’u montuar pikërisht këtu. Imagjinoni si u dukej kjo teknike e re, e pa parë në Tiranë, atyre ustallarëve që deri tani ishin mjeshtrit e ndërtimit me qerpiç. Imagjinoni Tiranën e dikurshme që tashme kishte një objekt ndryshe. Me studentët reflektonim mbi rolin që një godinë e re ka në qytet, sidomos në një qytet si Tirana e asaj kohë kur aspirata për modernizim sapo kishte nisur. Reflektonim mbi mënyrën si një godinë ndryshon ritualet në qytet. Nuk ishin objektet fetare të vetmet vende të përbashkëta për t’u frekuentuar tashmë. Kjo godinë bënte një tjetër ofertë kulturore emancipuese për kohën. Ja kështu mbushesh me frymëzim duke menduar që ide arkitektonike të suksesshme ndryshojnë jetën e njerëzve në qytet.

Momenti kulminant i takimit tonë me godinën e Teatrit Kombëtar ishte salla. Ishte në këtë moment kur një tjetër koleg i nderuar merrte fjalën dhe me dëshirën më të madhe u shpjegonte studentëve elementët e një salle teatri. Ai kishte vite që e bënte këtë i palodhur nga përsëritja vit pas viti. Teatri ishte një godinë që ia vlente ta ndaje me studentët. Plateja, skena, bokaskena, prapaskena, kuintat, dhomat e aktorëve, mekanizmat që mbanin skenografinë që fshiheshin në volumin mbi skenë, e kështu me radhë. Ishte thjeshtësia në thelb e dizajnit të këtij teatri që e bënte të mundur të lexohej kaq pastër ku fillonte e ku mbaronte njëri element në dallim nga tjetri dhe si koordinohej funksioni i tyre. Nuk ka arkitekt që të ketë studiuar në FAU e mos të ketë njohur nëpërmjet këtij objekti si funksionon një godinë teatri, të mos ketë njohur magjinë e asaj skene jo vetëm gjatë zhvillimit të një shfaqjeje, por edhe gjatë përgatitjes së saj. Ishte kjo godinë, që megjithë gjendjen e degraduar në të cilën e kishin lënë, mbante gjallë pasionin e aktorëve për të vazhduar misionin fisnik emancipues që një teatër ka për një qytet e për një shoqëri.

Fatkeqësisht, ky ritual i të vizituarit të Teatrit Kombëtar është ndërprerë që me mbylljen e godinës dy vite më parë. Studentët e këtij brezi do e kenë këtë boshllëk në formimin e tyre. Por realisht godina është akoma aty. Ajo po thërret më fort së kurrë që t’i qëndrojmë afër. Të nderuar kolegë, çfarë do t’u themi studentëve? Që godina e teatrit papritmas nuk ka asnjë vlerë e që duhet t’i vëmë kazmën? Do t’u themi që t’i fshijnë të gjitha ato që kanë dëgjuar nga goja jonë për godinën dhe vlerat e saj dhe të gjithë bashkë të injorojmë ofshamat e fundit që ajo po nxjerr nga shpirti? Ta lëmë të vdesë?

Po si do ua shpjegojmë brezave të ardhshëm mungesën e kësaj copëze arkitekture në Tiranë? Ashtu siç i japim shpjegim shkatërrimit të Pazarit të Vjetër duke thënë që ishte koha? Po me cilën kohë do justifikohemi kësaj here? Nëse në atë rast askush nuk ngrihej dot kundra masakrës së dhunshme që ju bë zemrës së Tiranës sepse përfundonte të kishte një fat të zi, po sot, cilit regjim po i frikësohemi, regjimit të parasë? Do u themi studentëve që nëse dikur të fusnin në burg, tani të lënë të vdesësh për bukë, të heqin na puna, apo ngelesh pa asnjë projekt për studion private që me aq mund e ke ngritur? Nuk po i shkruaj këto fjalë për të bërë moral. Çdo arkitekt ka të drejtën më se legjitime të aspirojë për të ushtruar profesionin e tij. Ajo është dëshira më e madhe që e shoqëron gjithë jetën. Po ia fikën atë dëshirë, i kanë fikur ëndrrën. Po kjo ëndërr është thellësisht e lidhur me qytetin. A nuk është qyteti dashuria jonë më e madhe? Cili është shembulli që po japim në lidhje me rolin e arkitektit në Shqipëri? Mos vallë po vulosim të gjithë bashkë fatin e profesionit tonë si vegël e kujtdo që hipën në pushtet? Si mund të dalim nga ky paradoks i rolit të arkitektit si intelektual dhe arkitektit si profesionist që operon në një treg të ashtuquajtur të lirë, që fatkeqësisht në Shqipërinë tonë me demokraci të brishtë është kthyer në një treg të shtrembëruar nga forca politiko-mafioze më të mëdha se ne? Po vallë, a do na kuptojnë studentët? A do kemi më fytyrë të bëjmë leksione mbi forcën që ka arkitektura si profesion për të bërë më të mirën për qytetin? Apo thjesht do pranojmë me bishtin ndër shalë që ne nuk kemi zë? Që ne vetëm në auditore kemi zë, e që jashtë tyre jemi askush? Jashtë tyre nuk jemi as profesionistë, por as qytetarë të lirë? Na kanë mbyllur gojën! Na kanë reduktuar në trupa pa pasion, pa nerv, pa jetë! Na kanë marrë qytetin, të shkuarën, të tashmen, të ardhmen e tij. Çfarë po na bëjnë kështu?!

Këto ditë pranvere Teatri Kombëtar na pret si çdo vit. Dyert e tij janë të hapura. Ai është aty për të gjithë ne, studentë e arkitektë. I mungojmë më shumë se kurrë.

(c) 2020, Dorina Pllumbi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Dorina Pllumbi, arkitekte dhe studiuese, është kandidate për titullin Doktor Shkencash në Departamentin e Arkitekturës të TU Delft, Hollandë. Ka eksperiencë disa vjeçare në mësimdhënie në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në TU Delft. Aktualisht është studiuese e ftuar në Parsons Art and Design School në New York.

Author Archive Page

18 Komente

  1. Cfare madheshtie (hidhesie, desha te them) ne perseritjen e ngjarjeve te ndryshme historike! Dy here perseriten ato, thote Hegeli, heren e pare ne madheshtine e tyre origjinale, heren e dyte ne vogelsine e tyre bufotenske, ploteson Marksi. Keshtu edhe me kete shkrim, me keta studente te sotem te arkitektur-urbanistikes. Nje student i tille para shume dekadash do te fliste per njw zog qiellor, qe pershkonte rrugen nga mbjellja e vizioneve arkitekturor-jetesore e deri tek ngerthimi me art i ketyre perjetesimeve te ngurta e te gjalla vizionesh. Ndersa sot shohim nje peshk te vogel akuariumi, i cili (konkretisht: e cila) pershkon disa kangjella, mure te suvatuar, per te aritur tek nje podium i thate dhe i ndricuar keq, me karrike qe bejne kerr-gerr!
    Sa ka ndryshuar koha, qyteti, njerezit, mendimet, vizionet, deshirat, arkitektura, urbanistika, gjithshka. Keta studente te sotem, si ne te gjitha shkollat dhe deget shkencore, jane zhveshur jo vetem nga dija, por edhe nga shpirti! Per te ardhur keq! Aspak jete, aspak deshira, aspak vizione, ne kete mini-udhetim arkitekturor-urbanistik studentesh ne Tirane! Hapu dhe, te futem shtate pashe poshte, tha Muji, kur doli pushka.

  2. Studenteve tani do t’iu tregoni teatrin e ri ,bile do te kene rastin te vrojtojne ndertimin e tij nga A ne Z.Teatri I ri uroj qe te jete I sigurte ,te kete mbrojtje kundra zjarrit,dyer shtese per largimin e njerezve ne rast urgjence etj .E mira do te ishte te kishin ruajtur te vjetrin te rikonstruktuar si muze por protesta eshte e kote sepse ndersa flasim godina e teatrit te vjeter eshte e rrafshuar .

    1. Alba,

      Kush është profesioni juaj?

      Në lidhje me komentin tuaj, me keqardhje e them se ndryshe nga sa thoni ju, ne kemi pikërisht një brez të tërë profesionistësh, arkitektë dhe inxhinierë, që për “ëndrrat” (lexo égot) e tyre profesionale, apo më keq interesat personale, janë të gatshëm të sakrifikojnë qytetin. Këta gjithçka që dinë e kanë mësuar jo nga historia, por nga “kantiret e ndërtimit”, dhe nga firmat e tyre private.

      Ky ishtë turpi më i madh për profesionistët shqiptarë që arritën të tërhiqeshin zvarrë nga dy kokëboshë si Edvin Rama dhe Erion Veliaj.

      TMERR!

      1. Historia nuk eshte dicka statike.Ajo qe ndodh perdite rreth nesh per mire apo keq eshte pjese e historise.Studentet do te kene nje front row seat of the history in the making .Tani nese eshte histori qe na ben krenar apo me turp eshte ceshtje opinioni .Disa shohin ne ate ndertese nje karakatine qe duhet ti lere vendin te rese ,disa shohin nje pjese te historise tone qe duhej ruajtur.Te dyja palet kane argumente me merite .Receta ekzakte per keto pune nuk ka .Per mua mund te gjendej nje zgjidhje e mesme per te kenaqur te dyja palet .

        1. Alba,

          Ata si puna juaj që kujtojnë se po bëjnë gjë histori, për mirë ose për keq, nuk arrijnë ta kuptojnë dot se e vetmja gjë që janë duke bërë është se janë duke e çbërë historinë. Asgjë në historinë e arkitekturës, nuk është meritë e prishjes, dhe rrënimit të vlerave. Absolutisht.

          Por, nuk mu përgjigje se çfarë profesioni dhe kualifikimesh keni spese jeni duke folur për historinë e arkitekturës, për zgjidhje arkitektonike, dhe për pamundësi recetash, njëherësh, ndërkohë që jeni duke lëshuar receta pa teklif. Mos ndoshta, lehtësia me të cilën i lëshoni recetat ka të bëjë me faktin se arkitektura është një fushë që ju nuk e kuptoni? Shpresoj të jetë kjo e fundit, sepse përndryshe halli që na ka zënë është edhe më i madh.

    2. Teatri i ri mund te ndertohej shume mire tek zgjatimi i i ri i bulevardit, qe po rri ashtu i braktisur pasi pushtetaret qahen se nuk ka per momentin cka te ndertohet, madje do kushtonte me pak dhe me fondet e kursyera mund te restaurohej i vjetri. Mund te kishim dy teatro me cmimin e njerit. E verteta eshte se prona ne qender kushton, dhe me kullat fitohet me shume. C’e do nje teater te ri kur eshte thjesht nje alibi qe pushtetaret lokal e qendror te pasurohen edhe me shume.

  3. Po tani, si do vejë halli për ata që nuk mund të jetojnë dot pa konsumuar shfaqje teatrale pas një dreke të yndyrshme? Apo do detyrohen te zestë, të shkojnë në Romë, Milano, Vjenë, Paris apo Londër për ta bërë këtë ritual! Vetë zoti Kryeministër detyrohet sipas rastit, të shkojë deri në Torino për të parë një shfaqje të Juventusit. Dhe pas një foto të bërë me Ronaldon, (kjo për kënaqësinë e popullit) ulet përsëri i çlodhur në zyrë, për të piketuar ndërtime të reja ultramoderne,të denja për klasën e re shoqërore të pasanikëve të Tiranës. Prishja e teatrit ishte nevojë. Më thoni ju lutem, nëse, ta zëmë, zonja Nushi, e shoqja e zotit Ruçi ose ku di unë, për të mos e zgjatur me emra të tjerë, pasi të kishte konsumuar një shfaqje në La Scala, do të ishte normale të futej për të parë shfaqje në sallën e ish Teatrit Popullor, në këtë arkë marmalate, dhe për më tepër të ndërtuar nga fashizmi? Mjafton vetëm ky fakt, për ta bërë shokun Gramoz, një antifashist i devotshëm, ti ngriheshin leshtë e kokës përpjetë. Ndaj them, të rrojmë vetë, se teatri na e la shëndenë. Do bëhet një i ri. Atëherë të lusim zotin të jetë i denjë për ata që kujdesen për jetët tona. Vetëm, o zot, të mos ta quajnë përsëri “Popullor”, kjo do të ishte e tepërt. Edhe tallja duhet të ketë një kufi.

  4. Teater i ri??? Po! Por jo ne kurriz te te vjetrit! Qyteti duhet pasuruar duke ndertuar me mend ne koke dhe jo duke shkaterruar historine. Nje qytet nuk ka nevoje per nje teater por per djetra te tille. Sic ka nevoje per dhjetra spitale dhe qindra shkolla. Si student arkitekture qe pres te diplomohem nuk me ben dot askush te besoj qe Tirana nuk zoteron asnje shesh tjeter ku mund te ndertohej nje teater i ri. Sa teatro ka Roma, Berlini, Madridi e jo me Parisi? Por mos synojme kaq larg, sa teatro ka Beogrdi? Besoeni ose jo ka 9 te tille. Mos do te thote kjo qe serbet jane me art-dashes se ne? Nese po atehere eshte turp, dhe i duhet vene gishti kokes.

    1. Kristaq, nuk ke as para e as vend per nje teater te ri! Ke vetem nje popull, i cili ne shumice te tij mendon si te prishe e grabise, sic ka bere ne keto 30 vjet, gje qe ne Serbi nuk e ka bere serbet! Te tjerat, sic thote tashme llafi i ri, jan historira!

      1. R.Th. vend ke sa te duash ne zgjatimin e bulevardit te ri, parate le ti gjejne ata qe mesa duket i paskan gjetur per teatrin qe duan te ndertojne mbi te vjetrin, sepse “llogjikisht” gjer sa e prishen i paskan gjetur parate jo vetem per te ndertuar teater te ri por edhe te paguajne fadromat qe te shembin te vjetrin.

    2. Kristaq, nga e thena tek e bera eshte nje oqean! Kur s’ke para dhe as vend, se i kane pervetsuar drejtuesit dhe nje pjese e popullit, c’do te besh?! Serbet nuk i zune tokat, sic i zume ne shqiptaret me prona private, ndaj as ia vlen ti hysh diskutimit kush e do artin me shume!

  5. Cfare tu thuash studenteve?
    Po ja, ato qe shikon ne NY thuaji. Pyet edhe ndonje profesor aty downtown, cfare bejne kur nuk bien dakort me vendimet e Bashkise, apo qeverise.
    Pyeti, a i nxisin studentet gjate leksioneve te mos binden dhe te dalin rrugeve dhe tu thone policeve “ mos me prek me dore se jam grua”?
    Pyeti, a i nxisin studentet te ndjekin pas njerez te papergjegjshem qe thone “Koke per Koke eshte ku muhabet, me Di Blasion, dhe me Donald Trump po me gjeti gje mua”
    Pyeti a do i keshillonin studentet te kercenonin ate buldozeristin qe do shkoje ne burg po degjoi Di Blasion dhe zbatoi urdherat?
    Ate pergjigje qe do te japin ato, cap edhe ti dhe jepua studenteve te tu.
    Po te pyeten, gjithnje…

    1. Pyete edhe nese di Blasio apo Trump kane ndonje shok si Tom Doshi? Pyete po ne New York behen greva urie ne bulevard? Ah, mos harro, pyete njehere si i duket Trump 20 milione euro km per nje rruge?
      Dhe pyete sidomos se cfare zgjidhje propozon demokracia amerikane per parti te krimineleve: juridike apo biologjike? Se i kane praktikuar ata te dyja.

    2. Vendet Tona,

      Kur të të bëjë Partia mësues/e të historisë së arkitekturës në fakultet, atëherë shko thuaja nxënësve këto që thua këtu.

  6. Nuk e kuptoj pse njerëzit vazhdojnë pa mbarim me të njëjtat shprehje: teatri ishte I vjetër duhej të prishej! Jo, ishte në rregull e duhet të restaurohej. I kemi konsumuar opinionet për llaçin dhe tullat… a mund të shprehë njeri, në mënyrë të kulturuar, se kjo prishje nga ana ligjore e demokratike (dy kollona të forta që do të thoja u shembën por më mirë po them -që nuk I kemi pas ndonjëherë?!), është pra vdekja e demokracisë, lirisë së individit, shtetit ligjor etj etj. Veç kaq. Ligjërisht. A prishej në këtë farë feje!?

  7. Ndërgjegja jonë është përtokë!!!!! Nuk po mundemi të shikojmë shpresë për qëndresë, për kundërshtim ndaj modelit shoqëror që po na rrëmben më së shumti brezin e ri. Indiferenca vret! Frika vret edhe më shumë!
    Dhe e gjejmë veten para një butaforiku të pashoq, që vetëm të vërteta nuk thotë, por shfaqet i pacipë, kriminel në vendin e krimit, vetëm pak çaste pas kobit historik.
    Mos u mërzisni se do të marrim çmim si çmimet për sheshin, për stadiumin, për parkun, për … . E çfarë pastaj?! Çmimet, produkte të inflacionit ndërkombëtar të pseudovlerave nuk përbëjnë argumente!!!
    Stadiumi është një turp! Shkatërrim i historisë, i shkallës së qytetit, një shkarravinë mbi peizazhin rrethues të tij (ashtu siç janë edhe disa ndërtesa të reja rreth tij); model i turpshëm i shpenzimit të parave publike (e nëse jemi në borxh ndaj privatit është edhe më keq!); projekt i dobët, sipërfaqësor në mendim dhe skenografik më tepër se arkitektonik. Zhdukës i pistës së vetme olimpike atletike në Shqipëri!!!! Ka gafa të rënda dhe zgjidhje të papranueshme! Vetëm mbështjella, arkitektonikisht diletanteske, kushton sa një stadium tjetër i ri!!!
    Sheshi i ri është kritikuar jo pak. Një tekë shpërfillëse e belgëve që “vranë dorën” me të dhe kullën TID, pa patur asnjë përvojë as edhe në vendin e tyre. Një skenografi që mbahet “e suksesshme” me dhunë e pahir, me veprimtari të stisura e pompuara, me braktisjen e sheshit “Nënë Tereza” deri në lënie pas dore me qëllim. Mund të kishte qenë shumë herë më modest në shpenzime dhe shumë herë më i vlefshëm për qytetin, nëntokë e mbi të.
    Parku i Madh?! Sigurisht që janë mbjellë shumë pemë, madje më shumë se ç’duhet aty ku nuk kishte nevojë. Janë mbjellë duke shkatërruar edhe konceptin e tij. Ka patur disa lëndina të ideuara prej krijuesve të atij parku që tashmë janë zhdukur nga zelli për të mbjellë aty ku duket. Po kemi dhe një ish-kalldrëm të zëvendësuar nga beton-asfalti. Në fakt, zanafilla e ndërhyrjeve të papërshtatshme nis me zëvendësimin e asfalteve të vjetër, deri diku të integruar në peizazh, me betonin me forma, të rrëshkitshëm, verbues dhe rigjid. Kjo, ndërkohë kur gjetkë, shtrimet e buta janë zgjidhje e konfirmuar, me pak shpenzim dhe pa dëm. Nuk di përse në atë çikë park duhet të “strehohen” memorialet e të rënëve gjermanë, anglezë, së fundi turq (këta pa lidhje me ne) dhe hebre… . Diku ka dhe një “qokë” me emrin “Pylli i Dritëroit”, që as bahçe nuk është. Po përse duhet të ketë një gjë të tillë?! Këto i di BUTAFORIKU!
    Mund të jepet çmim edhe për sipërfaqet e grabitura parkut që nuk kthehen, për ish-Sheratonin, për banesat e larta që priten të mbijnë në krah të tij (i njëjti arkitekt – ai I stadiumit); një tjetër për ish-gardën që pret fatin e zi, për ish-parkun e lojrave tek rr. e Elbasanit, për ish-muzeun e shkencave. Të jepet një çmim për shpërfytyrimin e sa e sa ndërtesave, vepra të Kolevicës, Koço Çomit, Maks Velos, Valentina Pistolit e shumë arkitektëve të tjerë (sidomos për ish-bibliotekën e Korçës!!!, ish-hotel Arbanën, ish-shkollën e Partisë, ish-Hotel Tiranën (që ishte ekuivalenti i SAS Hotel të Arne Jacobsen për Tiranën, ish-vilat e zhdukura etj.etj).
    Arkitektët e huaj janë të duhurit! Sigurisht, por duhet t’i ndajmë ata të zellshmit për të prishur, tjetërsuar veprën e arkitektëve vendas apo jo vendas që ka shënjuar historinë e këtij vendi prej atyre që BUTAFORIKU i quajti “pensionistë”. Sa fyese dhe e palogjikshme! Ky është thelbi, të hiqen qafe të vjetrit, ata që janë të pavarur, të guximshëm, me përvojë, me arësye! Të mos numërohen, të mos dëgjohen, sepse janë… pensionistë!!! E të zëvendësohen me gjoja përfaqësues të arkitektëve, inxhinierëve, artistëve etj, që i fton BUTAFORIKU me kujdes nëpër maratonat e takimeve që thotë se ka zhvilluar nëpër hotelet e shtrenjtë të Tiranës. Më kujtohet se, në një nga këto mbledhje live, njërit prej këtyre (ish student super i dobët) i thirri me ngazëllim “profesor”. Jo një herë, por dy a tri!
    BUTAFORIKU etiketon pa të keq emra të padisktueshëm ndërkombëtarë si “pensionistë”, nostalgjikë e ku di unë çfarë tjetër i broçkullis goja. Ndaj jemi këtu ku jemi, se nën kredon e “gjakut të ri” u menderos shteti në çdo qelizë të tij. Më keq se në kohërat e shkuara, ata pensionistët e vyer i duan vetëm për vota, por jo për mendjen, përvojën, urtësinë dhe papajtueshmërinë me të keqen.
    Sigurisht që ata që marrin pagën në TK do të jenë ‘de jure’ pro pushtetit. Besoj nga e keqja më së shumti. Sigurisht që ata që ndajnë mes tyre me urdhër partie gjithë projektet publike (dhe jo vetëm publike) të 5-6 viteve të fundit, do të jenë të zellshëm për të “dhënë kontributin shkencor” në bindjen e opinionit se ndërtesa e TK nuk vlen, por vlen shkatërrimi i një tjetër ndërtese me vlerë të veçantë për fushën për të cilën shërbente nën thirrjen “Turbina”. Sigurisht që drejtori injorant i Institutit të Ndërtimit nuk mund të bëjë ndryshe nga ç’bën. Mjaft të pyesësh për të atje ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme me injorancën e vet profesionale dhe nuk rreshtin të vërtetat e kthyera në barcaleta.
    Kush e ka radhën?! Qajeni dhe hotel Dajtin! Pallati i Kulturës e ka radhën, për të qarë ne e për të marrë çmim BUTAFORIKËT – kriminela, Muzeu Historik, Galeria e Arteve e me radhë. Po ndërtesa e parlamentit të parë shqiptar a është në mbrojtje? Ç’do të ndodhë me të?
    Eh…mirë po…me parkun Rinia ç’patën?! Po me trotuarin gjatë Lanës?!Po gardhi metalik i tij?! Po lulishtja Çajupi?! Sa shumë punë të shpikura nga panevoja dhe babëzia! Modernizim i kryeqytetit?!!!
    Pyetje: a e di kush se në projektin origjinal të bulevardit, Teatri Kombëtar (jo qarku Skanderbeg) është i vendosur mu përballë Galerisë së sotme të Arteve?! Më pëlqen!!! Të prishet edhe një herë parku, me Tajvan e sorollop, e mua aty të ngrihet Teatri. Nuk na duhen parqe gjoja. Le të jape qeveria gjithë ish-gardën për të kompensuar humbjet e parkut të madh.
    Tek teatri i “rënë” le të “ngremë” një gropë – përkujtimore të HONIT ku ra demokracia!!!!
    Tallash apo jo, historia duhet ruajtur. Bota e shpik!!! Edhe kur nuk e ka, o BUTAFORIK!

  8. “Të përshëndet Muzeu mjaft krenar për formën e veshjen e tij materiale, më të mirën e kohës..”

    Muzeu u ndertua pasi u hodh ne ere ish komiteti ekzekutiv nje ndertese e ndertuar nga italianet .just saying.
    Tani ky muhabet iku se teatri u rrezua.Aksioni duhet perqendruar ne teatrin e ri qe do te ndertohet .Te kerkohet nga gjykata nje injunction ne menyre qe projekti ti nenshtrohet oponences shumeplaneshe edhe pse jo hetimit te procedurave, sepse behet fjala per nje objekt qe do te jete aty per 50-100 vitet e ardhshme (teorikisht se ashtu si ndertojme ne pas 20 vjetesh objektet tona duken si pula te rrjepme) .Duhet ndjekur rruge ligjore, rrahja me policine dhe me njeri- tjetrin nuk te con gjekundi.

    1. Godina qe u sakrifikua per Muzeun ka qene Komiteti Ekzekutiv, e me heret Bashkia e Tiranes. Faleminderit qe e vure ne dukje. Vezhgim shume me vend, sidomos kur po flasim per shembjen e teatrit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin