FJALËFORMIM NGA LART

Sipas shtypit shqiptar Instituti i Statistikave ka vendosur t’ia ndryshojë emrin procesit të numërimit të popullsisë nga “regjistrim” në “census”. Ky i fundit konsiderohet si i papërshtatshëm meqë procesi në organizim e sipër nuk e regjistron popullsinë por e numëron atë duke vlerësuar edhe kushtet e jetesës së saj. Instat mendon se “census është i vetmi term i saktë për të përshkruar aktivitetin që po organizon Instat”.

Mësojmë gjithashtu nga shtypi se “termi regjistrim u përdor në vitin 2001 për të njëjtin proces dhe u ngatërrua shpesh me regjistrimin e popullsisë, i cili është dokumenti shtetëror ku shënohen lindjet, vdekjet, martesat e të dhëna të tjera. Censusi, nga ana tjetër, numëron popullatën banuese për të korrigjuar statistikat për ndryshimet e paregjistruara në regjistrin civil, përfshirë ndryshimet e vendbanimit brenda apo jashtë vendit”.

Pavarësisht nga shpjegimet, të sakta ose të rrumbullakosura, dallimi midis regjistrimit e census-it (sipas termit të ri) nuk është i vështirë. Regjistrimi i popullsisë e i banesave të një vendi të caktuar bëhet në fillim. Më pas ka vetëm përditësime të tij, ose rilevime periodike për të korrigjuar të dhënat e mëparshme sipas ndryshimeve të reja. Pra censusi hyn gjithsesi në kategorinë e regjistrimeve të përgjithshme. Metoda e mbledhjes së të dhënave mund edhe të jetë e ndryshme siç do ta shpjegojmë më tej.

Dy janë problemet që lindin me “dekretimin” e neologjizmit ose huazimit të ri census. I pari lidhet me procesin e krijimit të termit të ri; i dyti ka të bëjë me implikimet e mundshme gjuhësore.

Lajmi në media të jep përshtypjen sikur ka qenë Instat ai që ia ka vënë vulën emërtimit të ri, duke e ndryshuar nga regjistrim në census. Po të ishte kështu do të ishim përballë një fakti të diskutueshëm, përderisa krijimi i termave të rinj, që përfshijnë të gjithë popullsinë dhe jetën e qytetarëve, u lihet në dorë vullnetit të organizmave të ndryshme. Mirëpo jemi përballë një pasaktësie. Përdorimi i termit census është vendosur me ligjin nr. 10442, datë 7.7.2011, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8669, datë 26.10.2000 ‘për censusin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave’, të ndryshuar”. Neni 1 i tij thotë: “Në titull dhe kudo në ligj fjala ‘regjistrim’ zëvendësohet me fjalën ‘census’”.

Ligji merr përsipër edhe ta shpjegojë termin e porsaligjëruar:

‘Census’ është mbledhja e informacionit me anë të pyetësorëve dhe përpunimi i të dhënave të tilla në mënyrë që të sigurojë një numërim të plotë të të gjithë individëve, familjeve e banesave dhe të ndërtesave të shfrytëzuara për qëllime banimi brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në një moment të vetëm në kohë, si dhe prodhimi i statistikave, në lidhje me karakteristikat demografike, ekonomike dhe sociale të popullsisë së Shqipërisë.

Pra dallimi është kryesisht metodologjik e qëndron pikërisht tek mbledhja e të dhënave nëpërmjet pyetësorëve dhe tek numërimi i plotë. Sqarime të mëtejshme, anipse interesante, do të përbënin në thelb humbje kohe.

Përse vallë iu ndryshua emri regjistrimit të popullsisë? Ka gjasa që kërkesa për saktësimin terminologjik të ketë ardhur nga polemikat, shpesh instrumentale, që kanë përfshirë procesin në fjalë, kryesisht për faktin se prekte nerva të zbuluara si feja, shtetësia e kombësia, përndryshe nuk kuptohet urgjenca e këtij ndryshimi. Megjithatë, duhet shënuar se rregullat e lojës u ndryshuan ndërsa loja në realitet kishte filluar.

Çdokush e kupton se fjala “census”, e njohur kryesisht nga anglishtfolësit e nga latinistët, por jo nga pjesa dërmuese e popullsisë, nuk ka ndonjë vlerë kuptimore për njerëzit. Në kuptimin që përdorimi i këtij termi të ri nuk është se i shpjegon gjërat më mirë, as i vë pikat mbi “i” në mënyrë përfundimtare. Po ta pyesësh qytetarin me arsim mesatar se ç’është censusi, ka mundësi të ngrejë supet e të të shikojë shtrembër.

Vëzhguesve më të mprehtë nuk mund t’u shpëtojë fakti se në kohërat e tanishme, kur kryqtarët e purizmit vringëllijnë shpatat kundër fjalëve e toponimeve të huaja, rezulton disi i çuditshëm vendimi i kundërt: pra i zëvendësimit të një fjale tashmë shqip (regjistrim), me një huazim krejtësisht të huaj e të pa konsoliduar në gjuhë (census). Qeveria dhe Instat duket sikur ecin me guxim kundër rrymës.

Për arsyet e ndryshimit gjithfarë hipotezash mund të ngrihen. Natyrisht nuk mund të pranohen ato që e justifikojnë emërtimin e ri me kërkesën e saktësisë terminologjike. Njerëzit do ta kuptonin procesin që do të zhvillohet së shpejti edhe sikur ta quanin “Regjistrimi i përditësuar i popullsisë”, ose me ndonjë mbiemër tjetër cilësor. Hipoteza më bindëse duket ajo që ka të bëjë me konotacionin negativ që mori regjistrimi në debatet e ashpra politike. Përdorimi i një termi tjetër, i ri, steril, i pandotur, do t’ia qepte virgjërinë procesit të vjetër, tashmë të kompromentuar e të përfolur.

Nga ana tjetër, fjala e porsalindur presupozohet të jetë më e saktë nga pikëpamja terminologjike ndaj i jep një farë autoriteti shkencor procesit, një lloj paanësie që shkon përtej politikës së polarizuar. Edhe vetë tingulli modern i termit (si konsensus p.sh.) sikur ia shkel syrin botës demokratike dhe rregullave të saj për statistikat, kurse risia e perceptuar sikur evokon imponimet nga lart, por absolutisht të drejta, që bëhen nga jashtë, nga ndërkombëtarët.

Pavarësisht se mbi ç’themele ngrihen motivet e ndryshimit, duhet parë nëse emërtimi “census” – kundrejt të cilit nuk kemi asnjë paragjykim – i shkon apo jo për shtat procesit të lart cituar. Termi duket latinizëm (emri censŭs, folja cens-ère, rrënja cens) që në Romën e lashtë tregonte regjistrimin e popullsisë për përcaktimin e taksave dhe të klasave shoqërore. Gjithsesi, nuk është afërmendsh që staticienët, ose ekspertët e fushës, ta kenë propozuar këtë term të huazuar nga latinishtja. Është më e pranueshme, për vetë kontaktet e sotme me botën e globalizuar, që ta kenë marrë drejtpërdrejt nga anglishtja “census”, etimologjia e së cilës gjendet prapë tek latinishtja, madje përkon në trajtën e shkruar me të. Në anglisht kjo fjalë përdoret për të shenjuar an official count or survey, especially of a population.

Edhe në gjuhët neolatine, siç mund të pritej, fjala “census” (it. censimento, es. censo, fr. recensement) ka rrënjë latine që lidhet me procesin e vjetër romak. Po në shqip si thuhej regjistrimi romak i pasurisë? Pak vetë e dinë, por edhe “Fjalori i shqipes së sotme” (Tiranë, 1984) e ka shënuar kështu:

CENS m. 1. hist. Regjistrimi që i bëhej çdo pesë vjet pasurisë së qytetarëve në Romën e lashtë për t’i ndarë në kategori, sipas të cilave paguheshin taksat. Viti i censit. Bëhej censi.
2. Kërkesë, kusht që u vihet qytetarëve në vendet borgjeze për të penguar përdorimin e të drejtave politike. Cens kufizues. Cens i lartë. Censi i pasurisë (i moshës, i votimit, i arsimit). Censi i tokës. Censi i banimit. Vunë një cens. Hoqën censin.

Përderisa fjala cens ekziston në shqip, e përderisa u ndje nevoja e zëvendësimit të fjalës regjistrim, përse nuk u përdor si term në rastin tonë? Pra në vend të census-it të padëgjuar më parë, mund të vendosej fare mirë censi i kodifikuar dhe i kolauduar. Është e vërtetë, fjala cens, edhe pse ekziston në shqip, paraqet disa probleme për përdorimin e sotëm: a) ka karakter historik (i referohet një kohe të caktuar) dhe b) ka kuptimin e kërkesës kushtëzuese (mund të ketë mbingarkesë kuptimore). Arsyet për ta refuzuar qëndronin, por pa harruar gjithsesi se për poliglotët e Tiranës fjala cens kishte kohë që dergjej në varrezat gjuhësore, kurse census gjallërohej çdo ditë e më shumë në e-mailet me kolegët e huaj.

Duhet shtuar se fjala census është disi shterpë, sepse nuk lidhet e as lind me anëtarë të tjerë të familjes. Si quhet në shqip veprimi që lidhet me censusin, pra cila është folja? Po personi që do ta bëjë censusin? Nga kjo pikëpamje do të ishte më prodhimtar neologjizmi censim, meqë rrënja latine cens (ekzistuese në shqip) do të mbetej, nga e cila mund të rridhnin fjalë të tjera si censoj, censues, etj. Bashkimi i prapashtesave me temën e fjalës përbën një nga mënyrat më prodhimtare të fjalëformimit në shqip, ndërkohë që suksesi i këtij procesi, përveç pasurimit të gjuhës, sanksionon përfundimisht metabolizimin e plotë të termit të ri brenda sistemit.

Në analizë të fundit, ajo që ka rëndësi është vetëdija se imponimi i fjalëve të reja ose i huazimeve nga lart duhet menduar mirë para se të bëhet, çka shpresoj ta kenë kryer edhe ligjvënësit e Tiranës, sepse në këtë mënyrë do të fashiten edhe dyshimet e mia ndoshta të pabaza.

Nuk ka komente

  1. Do doja shume qe dyshimet/vezhgimet tuaja te ishin te pasakta. Te pakten, do kishim privilegjin qe, hera heres, edhe te dyshonim. Njehere, ne nje material te perkthyer, kishin bere korrigjime pseudogjuhesore duke zevendesuar “administrim” me “menaxhim” dhe “hyrje” me “access”. Do doja shume qe “censusi” dhe menyra e futjes pyke te tij te ishte rast i vecuar.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: