PERSEVERARE DIABOLICUM

rama-bignardiNga fundi i vitit të kaluar u zhvillua në Tiranë një konferencë e përbashkët shtypi midis kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe homologut italian Matteo Renzi. Konferenca na tërhoqi vëmendjen edhe për deklaratën e Ramës lidhur me sindikatat. Pyetëm veten nëse ishte batutë, gafë apo captatio benevolentiae ndaj kryeministrit italian.

Tani mund ta themi me gojën plot se nuk ishte batutë. Kjo u vërtetua gjatë intervistës që Edi Rama i dha gazetares italiane Daria Bignardi në televizionin “La7”, emisioni “Invasioni barbariche” (19.2.2015). Kjo intervistë u lakua në rrethet shqiptare, duke prekur disa tema të saj, megjithatë nuk shkaktoi ndonjë debat të madh mes aktorëve të politikës shqiptare.

Nuk po ndalemi në analizën e përgjithshme të intervistës, pa diskutim pozitive për kryeministrin shqiptar, por vetëm në çështjen e sindikatave, meqë e patëm prekur pak kohë më parë. Nga mesi i intervistës, gazetarja italiane, e cila ka gjithnjë qasje dashamirëse ndaj të ftuarve të saj, pasi përmendi vizitën e Renzi-t në Tiranë dhe deklaratën e Ramës, që ftonte sipërmarrësit italianë meqë në Shqipëri kishte taksa të ulëta e nuk kishte sindikata, e pyeti të ftuarin nëse mund të bëjmë pa sindikatat. Rama iu përgjigj shumë qartë: “Për të qenë të sinqertë, ne nuk e ndjejmë mungesën e tyre“. Kjo fjali shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Daria Bignardi-t: “E thënë nga një sekretar i një partie socialiste bën një farë përshtypje“.

Rama e kuptoi batutën e hidhur dhe e rregulloi disi qëndrimin fillestar: “Besoj se nuk duam t’i japim leksione kurrkujt, se këtu ka traditë tjetër, histori të ndryshme nga e jona, por Matteo [Renzi] ndoshta zemërohet nëse më dëgjon, por të gjithë ata që duan të krijojnë një ndërmarrje duhet të vijnë në Shqipëri, sepse kanë gjithçka që nuk kanë këtu”. Kështu mbaron edhe referimi për sindikatat [intervista mund të ndiqet në këtë faqe, kurse dialogu për temën tonë fillon nga minuta 10.00].

Pra një gjë është e qartë, në vizionin e kryeministrit aktual shqiptar nuk bëjnë pjesë sindikatat dhe çka përfaqësojnë ato. Rama është aq i bindur saqë përdor edhe pak cinizëm kur thotë se nuk ua ndjen mungesën. Që një lider i së majtës të shprehet në këtë mënyrë nuk është normale, sepse qëllimet e së majtës politike dhe shoqatave sindikale, shpeshherë përputhen, kryesisht në mbrojtjen e punëtorëve dhe të vobektëve, edhe pse kanë role të ndryshme në shoqëri. Në gojën e politikanëve të djathtë deklarata kundër sindikatave do të kishte qenë më e kuptueshme.

Kultura e përgjithshme në Shqipëri, e veçanërisht ajo e klasës politike, është thelbësisht antisindikale. Ndoshta duhet përsëritur, për ata që nuk e dinë, që sindikatat janë organizata që përfaqësojnë punëtorët, historia e të cilave lind në bazë të solidaritetit kolektiv e të interesave të përbashkëta. Me pak fjalë mund të thoshim se sindikatat janë një grup punonjësish që mblidhen së bashku për të shprehur e për të mbrojtur të drejtat e veta. Në fakt, sindikata janë edhe organizatat e punëdhënësve, sepse edhe ndërmarrjet bashkohen për të përfaqësuar interesat e veta.

A ka nevojë sot Shqipëria për sindikata, në kuptimin e organizimit shoqëror, pra si institucione me rol të caktuar? Do të thosha se ka nevojë më shumë se kurrë. Po të shikohen kushtet e punonjësve shqiptarë ekzistenca e sindikatave bëhet imperative. Shoqatat sindikale merren çdo ditë me kushtet e punës, trajtimin ekonomik të punonjësve, sigurinë në punë, shanset e barabarta, të drejtat e sigurimeve shoqërore, e luftojnë kundër shfrytëzimit të njeriut, punës së zezë, mospagimit të kontributeve, aksidenteve në punë, sëmundjet profesionale, punës së të miturve, diskriminimeve në vendet e punës, e kështu me radhë. Sindikatat gjithashtu përgatisin e firmosin kontratat e punës, por bëjnë edhe beteja të përgjithshme vlerore në favor të solidaritetit, paqes, mjedisit, legalitetit, etj. Kush mund të mbështesë të kundërtën? Kush mund të thotë se shqiptarët nuk kanë nevojë për trajtim më dinjitoz në punë? Kush mendon se nuk duhen luftuar dukuritë negative si shfrytëzimi e puna e zezë?

Veprimtaria e sindikatave shikohet shpeshherë si ngacmuese e bezdisëse ndaj pushtetit. Politikanët sapo marrin pushtetin futen në kategorinë e atyre që mendojnë se “shoferit nuk i duhet folur” e se “manovruesi i di vetë gjërat”. Mirëpo faktet negative janë aty, me shumicë, e vihen re çdo ditë në rrugët e në ndërmarrjet e Shqipërisë. Rama vërtet nuk e ndjen mungesën e sindikatave, por punonjësit e të gjitha moshave, përfshirë ata që punojnë në ndërmarrje italiane, sikurse pensionistët, e ndjejnë mungesën e një institucioni që t’ua mbrojë të drejtat përballë palës tjetër (punëdhënësit) dhe klasës politike që nuk i dëgjon.

Shqetësues është jo vetëm vizioni i qeverisë shqiptare, por edhe heshtja që shoqëron deklarata të tilla. E nuk është vetëm çështja e sindikatave. Pas këtyre fshihet ideja që kemi për demokracinë dhe shoqërinë, sepse ekzistenca e sindikatave dhe të ashtuquajturve trupa të ndërmjetëm socialë kanë të bëjnë me cilësinë e sistemit pluralist dhe me pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën e vendit. Ata që e konceptojnë shoqërinë si turmë, ose njerëz të individualizuar tejmase, të cilës lider maximo i flet drejtpërdrejt, pa asnjë ndërmjetës e përpunues të mendimit, direkt nga mikrofoni i zyrës partiake, mendojnë vetëm për pushtetin e për një shoqëri të papjekur nga ana demokratike. Shoqëria civile e ndihmon shoqërinë të piqet e ta ushtrojë përgjegjësinë në të gjitha hallkat e saj.

Natyrisht po flasim për shoqëri civile të zhvilluar, të vetëdijshme e të vërtetë; që do të thotë realisht përfaqësimtare e aktive. Kjo shoqëri civile ende nuk ekziston në vendin tonë, por kjo është një arsye më tepër për ta stimuluar zhvillimin e saj, përtej krijimit të shoqatave në trajtë brand-i, sepse vetëm në këtë mënyrë shoqëria shqiptare zhvillohet në tërësinë e vet. Pra fjalia e Ramës është dyfish e gabuar, sepse ai nuk ia ndjen mungesën sindikatës shqiptare, por sindikatës si institucion social.

Pa shoqëri civile është më e lehtë të qeverisësh nga pikëpamja e mbajtjes së pushtetit, por faturën e paguajnë qytetarët e sidomos pjesa më e dobët e tyre. E kam frikë se vizioni i sapo përshkruar i përket edhe palës tjetër, pra të gjithë klasës politike shqiptare. Në këtë kuadër, figura e mirë mediatike që bëri Kryeministri shqiptar në emisionin e Daria Bignardi-it, me italishten e tij të përkryer, filmimet simpatike e rrëfimet kureshtare, merr rëndësi krejt relative.

Nuk ka komente

  1. Nje gje te thuash se nuk ua kemi nevojen sindikatave. Por ta ndjekesh kete deklarate menjehere me ftesen per te investuar ne Shqiperi pikerisht sepse mungojne sindikatat tregon qe jo vetem qe nuk ishte shaka por eshte nje strategji reale e qeverise per te thithur investime te huaja. Fatkeqsisht, sinjali qe dergojme eshte teresisht i gabuar meqe investuesi potencial (punedhenesi) ka shume faktore te tjere qe duhet te konsideroje para asaj te sindikatave. Nje prej tyre eshte qendrueshmeria e aparatit gjygjsor pasi ajo cka mban me shume larg nje investues potencial eshte rrisku i larte dhe i luhatshem meqe ka nje arbitraritet te madh ne sistemet kapilare qe jane vatra te korrupsionit. Sot i vene nje gjobe e neser jo. Kjo eshte nje kosto e fshehur e te berit biznes ne Shqiperi e prandaj po terheqim shume pak investitore serioze. Hapja e fjales se tek ne nuk ka sindikata eshte nje shkelje syri per ate lloj investitori qe NUK na duhet dhe qe kryesisht ka ndermend te abuzoje me burimet njerezore e natyrale.

    Pak dite pas intervistes ne “Invasioni barbariche”, Nicholas Kristof i New York Times deklaroi me te madhe se e kishte patur gabim dhe se tashme ishte i bindur se duhet te rimekembim rolin e sindikatave ne sektorin privat.
    http://www.nytimes.com/2015/02/19/opinion/nicholas-kristof-the-cost-of-a-decline-in-unions.html?ref=opinion&_r=1

    1. Shumë e drejtë. Natyrisht për sindikatat mund të flitet keq, si për mënyrën e ushtrimit të aktivitetit të tyre, ashtu edhe për rezultatet e politikave që ndjekin. Por kurrsesi nuk mund të mburremi për mungesën e tyre si organizëm ose institucion, sidomos në kohërat që po kalojmë. Një nga arsyet që hendeku i pabarazive ekonomike po bëhet humnerë sociale e pambajtshme është pikërisht mungesa e mekanizmave të ekuilibrit, ku mund të futen edhe sindikatat.

      Mungesa e sindikatave në një vend mund të përkthehet edhe si papjekuri e ekonomisë dhe e shoqërisë, ku është vendosur një sistem parakapitalist, ose me kapitalizëm prej xhungle; ekonomi që fton detyrimisht vetëm grabitqarët, që mund të vinë edhe me veshjet firmato të imprenditorëve. Një sipërmarrës serioz ka nevojë për përfaqësimin e punëtorëve, sepse së bashku me ta mund të përballojë situatat e vështira që mund t’i paraqiten në të ardhmen.

      Sa herë që sindikatat akuzohen edhe në Perëndim si shkaktaret e krizës ose të frenimit të ekonomisë – pa dashur të fsheh përgjegjësitë e fajet që kanë pasur këta dhjetëvjeçarë – shumëkush jep shembullin e Gjermanisë, e cila ka një ndër sindikatat më të forta në botë. E megjithatë, pavarësisht nga caqet e tyre, ekonomia gjermane ka ecur përpara edhe në kohë krize, duke ruajtur gjënë më të rëndësishme: kohezionin social dhe projektin e përgjithshëm të vendit.

      1. Në një libër që po lexoja tani vonë (A passo di gambero), U. Ecoja shkruante – po citoj nga kujtesa – se arritjet e shtresës së mesme në Itali gjatë viteve 1945-1990, sa i takon mirëqenies ekonomike, sociale dhe kulturore, i detyrohen kryesisht lëvizjes sindikale.

  2. e drejte, mungesa e sindikatave jo vetem qe fton biznesmene shfrytezues, si CEZ, qe nuk investojne por vetem shfrytezojne burimet ose manipulojne aksionet ne tregjet financiare, por mban larg ato biznesmene serioz qe kerkojne standarde te sigurise ne pune, te kualifikimit, te respektimit te disa normave te punes dhe kontraktuale qe zakonisht sigurohen nga angazhimi i organizatave perfaqesuese te punemarresve.

    A eshte keshilluar Rama dhe ministri Veliaj nga ndonje studim sesa eshte demi ekonomik ndaj shtetit shqiptar nga perkujdesi shendetesor i te aksidentuareve ne pune, i atyre qe marrin ndihme sociale si te demtuar apo te paafte (dhe i korrupsionit qe ka ngerthyer sistemin e leshimit te kempit?).. kosto qe duhet ti mbartnin punemarresit, por i mbulon shteti dhe familjet e varfera .. norma dhe rregulla, qe gjithkund parashikohen ne kontrata individuale apo kolektive, e garantohen nga sindikatat.

    sa eshte kosto e shtetit per cdo femije te angazhuar ne pune, qe largohet nga shkolla dhe perfundon i gjymtuar menderisht per nje te ardhme te frutshme? – norma te punesimit qe gjithashtu kontrollohen nga sindikatat, edhe thjeshte per te kontrolluar hyrjen ne tregun e punes, dhe jo vetem nga disa inspektore te punes te korruptuar..

    skizofrenia e sistemit tone politik ka kaluar ne cmenduri. Te pakten ne rrafshin ligjerues nuk duhet te shprehen kesi gjerash, se nese sindikatat jane te dobeta, dhe Rama ka te drejte ne kete pike, duhet shprehur se do te punojme per forcimin e tyre, thjeshte dhe nga pikepamja ekonomike e duke u fokusuar ne ato aspekte qe ato sjellin nje rregullim te tregut. Ne aspektin politik sindikatat jane gjithmone aleate te shtetit, se biznesi, sidomos ai i huaj, i merr parate e zhvendos fabriken ku te doje.

    Shkurt, qeveria e ka bere zgjedhjen per aleance me biznesin e kjo eshte zgjedhje politike, por ne komunikimin publik duhet te rezervohet, se nese votat ja jep biznesi, legjitimiteti i pushtetit vjen nga perfaqesimi politik i masave, e jo vetem nga nje sukses ekonomik imagjinar – p.sh. sa efekt kishte deklarata e para disa muajve ne rritjen e investimeve direkte te huaja (FDI) nga Italia? Ka ndonje studim per kete? Do te me vinte keq, sikur te isha kryeminister, qe te leshoja balona ne ajer.

    po shihja shifrat e FDI-ve per 2010-2013. Banka e Shqiperise raporton rritje per vitin 2013, qe mund te jete kapital i ardhur per pastrime parash me ndryshimin e qeverise, pasi banka raporton ulje ne investimet direkte per ndermarrjet e investimeve direkte (kompani ku investitoret e huaj kane mbi 10% te investimeve). Edhe treguesi i kapitalit dhe aksioneve ne fondet e investimeve tregojne ulje, sikur investimet ndermjet ndermarrjeve te lidhura (ndonje financier mund te na sqaroje perse keto tregues nuk korrelojne me trendin e rritjes te investimeve direkte).

  3. E vështruar nga pikpamja thjeshtë ekonomike – jo klasore – ndikimi i sindikatave përmbledh dy apskte të krahut të punës.:

    Koston
    Cilësinë dhe kualifikimin.

    E para, në gjëndjen aktuale, kostoja e krahut të punës nuk është funksion i tregut, por pre e infromalitetit – pra i kundërvihet tregut formal. Sindikatat në këtë gjëndje vetëm do ndihmonin në përpjekjet kundrejt informalitetit dhe stabilizimit të një tregu, që përfshin jo vetëm krahun e punës por edhe investimet, taksat etj.

    Së dyti, edhe përsa i përket kualifikimit, sindikata shërben si katalizator për seleksionim dhe mirëmbajtje. Në gjëndjen aktuale askush nuk kujdeset për kualifikimin e krahut të punës.

    Ndërsa në aspektin klasor Rama vecse duhet përgëzuar për sinqeritetin! Sepse e vetmja klasë që Rama përfaqson është klasa politike.

  4. Admirim, Pishak, për vigjilencën që e rikape këtë temë dhe për analizën plot ndjeshmëri civile!

    Deri para këtij shkrimi ishte e qartë si drita e diellit, për mua, që ajo me Renzin kishte qenë batutë, sepse që aty dy raste, në mes qindrash, më erdhën në mendje pro sindikatave: e para, që kam ndeshur të dëgjoj nga këshillues professional në Zvicër që i paralajmërojnë të rinjtë në prag të zgjedhjes së profesionit se sindikata shitësve është më e dobëta, e paorganizuara, arsye që ia ul atraktivitetin kësaj veprimtarie; e dyta, rasti historik i Dagenham Ford, rrobaqepësEve të sediljeve të makinave, që protestuan për kategorizim të njëjtë rrogash mes sekseve, protesta të përqafuara nga gratë e sindikatave, që rezultuan në demonstrata në bash të Londrës, dhe së fundmi në Equal Pay Act në 1970.

    Kryeministri Rama ka shanse të ketë të drejtë që populli i tij s’e ndjen mungesën sindikatave vetëm kur populli të thotë po aq pa teklif se Shqipëria s’e ndjen mungesën qeverisë!

    1. Faleminderit pvr vlerësimin, por vëmendja ndaj kësaj teme më vjen natyrshëm për shumë arsye. Sa për deklaratën e Ramës, mund të pyesim edhe çfarë kupton ai me atë “ne”.

      1. Pikërisht atë “ne” ironizon utopia që them në fund. E marr këtë të Ramës si një shembull pseudo-legjitim që ilustron retorikën patronizuese të “ne”-ve të dala nga Uni.

  5. Një batutë që flet shumë për nivelin politik të klasës politike. Mbi të gjitha tregon se vetë Rama ka një ide karikaturë për Sindikatat. Qeveria nuk ka punë fare me sindikatat dhe roli i saj është ai i ndërmjetësit midis punonjësve të sindikuar dhe patronatit. Kjo do të thotë se edhe po të mos ekzistonin (ato në një fare mënyrë kanë ekzistuar edhe në regjimet fashiste e komuniste) qeveria duhet të shqetësohet për mungesën e një institucioni të rëndësishëm që kompleton një shtet të vërtetë demokratik dhe që do të vinte nën presion patronatin, duke lehtësuar vetë qeverinë nga shumë detyrime të vështira për të kërkuar dinjitet e standart pune bashkekohor. Një gjë të tillë do ta merrte përsipër akti i kontratave të mëdha midis këtyre të fundit dhe sindikatave, sipas degëve përkatëse.
    Të bësh një deklaratë si ajo e kryeministrit shqiptar ose tregon paditurinë e rrezikshme politike (dhe për këtë duhen organizuar menjëherë kurse speciale apo universitetet politike verore) ose tregon se Qeveria nuk është në rolin e saj por është rreshtuar në anët e patronatit, cilido qoftë ai.
    Nuk është gjësendi e pamundur kur shikon numrin e pronarëve në radhët e partisë së tij, një pjesë e të cilëve sillen si skllavopronarë me punonjësit e tyre dhe madje fshehin të ardhurat dhe korruptojnë njerëzit përreth për të mos paguar shumën e duhur të sigurimeve shoqërore.
    Pra kjo batutë ne dukje e marrë e Ramës, në thelb është shprehje e një akti të munguar. Eshte vizioni i tij per ate vend te mjere.

    1. Lyss, ke kapur një aspekt shumë të rëndësishëm, por që nuk e kisha përmendur se desha të përqendrohesha tek deklarata e Kryeministrit. Qeveria, siç thoshe me të drejtë, nuk ka lidhje direkt me sindikatat, në kuptimin që organizatat sindikale (si të punëdhënësve, ashtu edhe të sipërmarrësve), pasi ballafaqohen mes tyre, bëjnë marrëveshje mes palësh, përfshirë edhe kontratat e punës. Varet nga sektori në sektor. Qeveria nuk ka lidhje me marrëveshjet mes palëve e mund të ndërhyjë vetëm kur sheh se palët që veprojnë në tregun e punës nuk bien dakord, ose kanë probleme të rënda mes tyre. Qeveria, si të thuash, i përfaqëson të gjithë e duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e ekonomisë e të mirëqenies së qytetarëve.

      Qeveria bëhet palë me sindikatat e punonjësve vetëm në rastet kur është ajo punëdhënëse, si në rastin e arsimit (por vetëm për arsimin publik, forcat e rendit, punonjësit e administratës publike, etj.). Qeveria ka përgjegjësitë e veta edhe ndaj pensionistëve, trajtimi i të cilëve varet në rastin e Shqipërisë nga shteti. Nuk mund të thuhet se punonjësit në sektorin publik e pensionistët nuk kanë probleme në Shqipëri. Përkundrazi, shpeshherë janë në gjendje të mjerë. Prandaj edhe përfaqësimi i tyre në organizata është imperativ.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin