XHIHAD SHQIP

nga Besnik Sinani

Në një shkrim të mëparshëm, jam përpjekur të tregoj, ndër të tjera, se si termi “xhihad” në botën anglofone nuk përdoret vetëm kur flitet për ekstremistë muslimanë në malet e Afghanistanit, por ka gjetur përdorim në fjalorin mediatik për të përshkruar lëvizje apo politikanë amerikanë me axhenda fundamentaliste si lëvizja Tea Party. Termi “xhihad” është adoptuar në anglisht. Por fjala “xhihad” po gëzon një debut modest edhe në ligjërimin mediatik shqiptar.

Sigurisht fjala është e njohur nga reportazhet nga qendrat e nxehta “të luftës kundra terrorit.” Termi gjendet dhe në diskutime online si prurje nga debate në botën muslimane. Jo shumë kohë më parë, imamë në gjithë botën arabe u kujtuan besimtarëve lavdinë e betejave të hershme kundër kryqëzatave dhe u bënë thirrje të shkojnë të luftojnë pushtuesit sovjetikë të Afghnistanit. Disa prej këtyre figurave fetare apo nxënësve të tyre u është dashur të shpjegojnë se pse ishte e virtytshme për të luftuar dikur në Afghanistan, por nuk është kështu sot në Irak. Një predikues shqiptar gjeti veten për dy vjet në burg pas përpjekjeve për të shpjeguar ndryshimin në YouTube, përpara se të lirohej para një muaji nga Gjykata e Apelit.

Ajo ishte koha e glorifikuar në epopetë hollivudiane, kur Rambo gjendej përkrah muxhahidinëve afghanas, kur kongresmenë amerikanë brohorisnin në kufirin afghano – pakistanez: Allahu Ekber; kur bashkimi ekumenik Saudo-Amerikan luftonte kundra “the Evil Empire.” Antropologu i Univeristetit të Columbia në ShBA, Mahmud Mamdani, vëren në librin e tij Good Muslim, Bad Muslim: America, the Cold War and the Roots of Terror 2004, se edhe tekstet e matematikës për medresetë ku përgatiteshin talebanët, shtypeshin nga Universiteti i Nebraska-s. Hesapet talebanëve të vegjël u mësoheshin duke i pyetur se nëse nga dhjetë “qafirë, komunistë rusë” vriten, fjala vjen, gjashtë “qafirë, komunistë rusë,” atëherë sa “qafirë, komunistë rusë” mbeten?! Në atë kohë xhihadi ishte kosher.

Por gjendet një tjetër përdorim i fjalës “xhihad” në gazetarinë shqiptare, që nuk duket të ketë të bëjë me patosin e luftëtarëve në rrugë të Zotit, e as me përshkrimin e qasjeve fundamentaliste nga pasues të zellshëm të të gjitha feve e ideologjive. Në një editorial të gazetës 55 shkruhet:

Xhihadisti i bashkisë Edvin Rama, vetëm dy ditë më parë duke bredhur nëpër zona dhe banesa të Tiranës, ulërinte me gabzherr të hapur se njerëzit janë të varfër, se bizneset e vogla taksohen shumë, por nga ana tjetër harron sesi, në qetësi dhe fshehtësi pa iu dridhur qerpiku fare, ka miratuar rritjen në 400 përqind të taksave vendore, duke i varfëruar dhe rrënuar dita-ditës këta qytetarë dhe bizneset e tyre.

Në pasazhin e mësipërm e kemi të vështirë të kuptojmë se çfarë pikërisht e bën ish kreun e bashkisë së Tiranës, quajtur ndryshe në këtë artikull edhe “sheiku Rama,” ‘xhihadist?’ Cili aspekt i politkës së Ramës, për të cilin është akuzuar në artikull, qoftë rritja e taksave apo varfërimi i qytetarëve, është produkt i ndonjë zelli fetar të Ramës. Vështirë të themi. Por një tjetër artikull, po në këtë gazetë, me autore Shqipe Xoxin, mer përsipër të na sqarojë pikërisht pse Rama “Përdor teknikën xhihadiste “tefkir” për të mohuar mendësinë enveriane.”

Për ata që se dinë se fjala taleban nuk do të thotë vetëm fundamentalist islamik që lufton kundra forcave të NATO në Afganistan, porse në rrënjë të saj, përkthimi është se taleban do të thotë: student. Për të bërë pak digresion sqarues, një nga mësimet që mësohen në medresetë talebane është ajo që quhet teknika “tefkir”, është ajo teknikë shtinjake e mashtruese ku xhihadisti mund të simulojë personalitetin e tij, pra të shajë fenë e tij, bile të djegë Kur’anit, mund  të shkojë me femra, me meshkuj, e kësisoj gjerash për të humbur gjurmën e qëllimit të tij. Dhe një nga arsyet pse sistemi i sigurisë amerikane në shator të 2001 u depërtua nga xhihadistët është se, edhe pse survejoheshin rregullisht, ata shkonin me meshkuj e femra, pinin drogë e alkool, duke iu dhenë idenë shtinjake se nuk ishin talebanë. Prandaj, nëse mund të hidhet një paralele rasti kur Edvin Rama thotë se rrëzimi i piramidës së Enverit është talebanizëm direkt duhet të shkojë mendja tek përdorimi i teknikës orientale “tefkir” me qëllim fshehjes pse shtyhet të kundërshtojë një parlamenti të ri mbi një varr të mbetur në tentativë. Ndoshta beson se mund ta çojë prapë Enverin në atë piramidë?

Autorja po i përgjigjet një abuzimi gjuhësor të ish kreut të bashkisë Rama, i cili në debat mbi prishjen e propozuar të Piramidës thotë: “duhet të bëjmë parlament me standarde. Nuk pranoj talebanizma, nuk ja vlen të humbasim në debat. Të zgjidhet problemi i ngrehinës ekzistuese.” Autorja vihet të sqarojë mekanizmin kuptimor që mëton të tregojë se pse përdorimi i kësaj gjuhe është, sipas autores, tregues se vetë Rama po përdor një “teknikë xhihadiste, talebanësh.”

Autorja më tej shkruan:

Një nga mësimet që mësohen në medresetë talebane është ajo që quhet teknika “tefkir”, është ajo teknikë shtinjake e mashtruese ku xhihadisti mund të simulojë personalitetin e tij, pra të shajë fenë e tij, bile të djegë Kur’anit, mund të shkojë me femra, me meshkuj, e kësisoj gjerash për të humbur gjurmën e qëllimit të tij.

Në fakt, fjala “tefkir” në arabisht, gjuhën e terminologjisë relevante, do të thotë ‘mendim.’ Mund të mendohej se ndoshta është një gabim drejtshkrimor, por po të ishte kështu do të ishte e habitshme që të gjithë kontribuesit e kësaj gazete, që përdorin këtë term dhe me të njëjtin stil, e shkruajnë po njësoj. Për shembull, Lavdrim Lita shkruan për vizitën e Tariq Ramadan-it, një reformator musliman dhe profesor në Universitetin e Oxford-it: “Kam parasysh këtu akuzën që shpesh i bëhet z. Ramadan se luan me teknikën “tefkir” ose më mirë me gjuhën e dyfishtë…”

Nga shpjegimi që ofron autorja (apo z. Lita), probabilisht ata kanë kapur pa shumë vëmendje, në lexime të bëra shkarazi në internet, termin “takija,” që do të thotë disimulim fetar për t’i shpëtuar persekutimit fetar, kur një besimtar lejohet të fshehë fenë e tij/ e saj kur mendon se afirmimi fetar do sillte rrezik. Prirem të spekulloj, që termin e kanë ndeshur në website-e të së djathtës ekstreme perëndimore, ku termi debatohet për të dëshmuar dredhinë e mbrujtur në mësimin e Islamit. Sido që të jetë, këtë koncept talebanët nuk do kishin mundur ta mësonin në medrese, (në ato ku kanë mësuar matematikën e Universitetit të Nebraska-s) siç rreket të sqarojë autorja (apo z. Lita), pasi ‘takija’ në Islam është ekskluzivisht një koncept teologjik i sektit të shiave, ndërsa talebanët i përkasin sektit suni të deobandit, një sekt tejet antagonist ndaj sektit të shiave. Por dhe si i tillë, ky koncept nuk është ekskluzivisht “oriental,” (lexo Islamik) pasi koncepte paralele gjenden si në Krishtërim dhe në Judaizëm.

Por a ka ndonjë lidhje midis gjithë kësaj ngatërrese terminologjike të autores (apo z. Lita) me akuzën e saj se E. Rama po sulmon prishjen e piramidës duke përdorur “teknikë tefkiriste” duke atakuar propozimin e Berishës si akt “taleban,” sepse në fakt ai dëshëron të kthejë piramidën në tempull nderimi të njeriut të njohur si inkuizitori ateist që ndaloi fenë?! Edhe kjo përpjekje për të na sqaruar se në ç’formë termi ‘xhihadist’ mund t’i aplikohet E. Ramës nuk na ofron asgjë më shumë.

Por pyetja që duhet ngritur këtu është se çfarë funksioni ka kjo terminologji, këto ‘digresione,’ që pretendojnë të sqarojnë publikun; çfarë kërkojnë të na thonë për Ramën apo për veprimtarinë e tij politike? Për mendimin tim, asgjë. E vetmja gjë që kjo lloj litanije mediatike ofron është të na tregojë për nivelin e ligjërimit politik të mediave partizane në Shqipëri.

Mekanizmi i vetëm në veprim këtu është çfarë Ervin Hatibi (Republic of Albanania, 2005) quan “islamizim me dhunë i armikut politik” në Shqipëri. Kërkohet të demonizohet oponenti politik duke e orientalizuar dhe islamizuar atë nëpërmjet asocimit me terma që janë investuar negativisht nga politikat e ditës në teritore dhe kontekste që s’kanë të bëjnë asgjë me dinamikat politike në Shqipëri. Jo vetëm termat që mbartin konotacione  agresive si “xhihad,” por edhe fjalë të pafajshme si “sheik” përdoren si bomba leksikore kundra oponentit politik. Këtu “xhihad” nuk përdoret si metaforë për shëmbëlltyra të fundamentalizmit taleban në realitin shqiptar, por si formë terrorizmi mediatik, të cilin mund ta përkufizonim si përdorimi i një fjalori të investuar me imazhe dhune për aritjen e qëllimeve politike.

Që këto bomba leksikore të jenë sa më efikase, duhet të investohen me imazhe e përfytyrime për medresetë e talebanët, të cilave, përveç mëkateve të dhunshme që u njohim botërisht, u projektohen imazhet e njohura nga dijet evropiane, para-moderne mbi Islamin karakterizuar nga ngjizja e zellit dhe imoralitetit, hipokrizisë dhe homoseksualitetit.

Duhet vënë në dukje, se vetë E. Rama, siç pamë më sipër, apo mediat pranë të majtës, janë po aq përdorues të këtyre lloj spekullimesh gjuhësore, si akuza kohët e fundit për “fashizmin oriental” të Berishës.

I njëjti etiketim i vihet Berishës të nesërmen e intervistës së Ramës nga një figurë e njohur e opozitës, Spartak Ngjela, që tregon se etiketimi kthehet në togfjalësh sipas të cilit opozita vendos të karakterizojë Berishën. Vetë Ngjela e ka bërë pjesë të retorikës së tij kundra Berishës etiketimin e tij në terma orientalizues dhe islamizues. Së fundmi, Rama përdor të njëjtin etiketim kur flet për terroristët që sulmuan kullat binjake më 11 Shtator si për Berishën: “fashistë orientalë.”

Nga sa kam mundur të vëzhgoj, veçanërisht nga komente lexuesish në faqet online të gazetave apo forumeve shqiptare, retorika e majtë e “islamizimit me dhunë” të oponentit politik ka qenë më e sukseshme në asocimin e Berishës me terma orientalizues e islamizues se sa media të djathta si 55 ndaj Ramës. Të dyja palët po kontribuojnë në ritjen e klimës së tensionit dhe dhunës verbale, duke vënë në përdorim arsenalin bujar të orientalizmit.

Nuk ka komente

  1. Shume shkrim i mire. Mjeshter je (pardon, usta doja te thoja).

    Nuk e kisha lexuar kete te Hatibit po edhe ky koncepti “islamizim me dhunë i armikut politik” eshte gjithashtu i shkelqyer.

    Ndoshta e kam gabim, po pershtypja ime eshte se kur Rama akuzon Berishen per talibanizem eshte nje akuze qe i vjen sinqerisht dhe natyrshem. Ndersa nerastin e Gazetes 55 sulmi eshte i stisur. Domethene, Rama vertet qe beson se Berisha eshte “taliban” (me konotacionet negative qe eshte ngarkuar ky term). Kurse 55 e akuzon Ramen per “taleban” se beson qe eshte e nevojshme ta paraqese si te tille. (Ndoshta se keshtu e “nxin” ne sy te amerikaneve, apo nga frika se nese nuk e bejne mbetet Berisha si “talibani”.) Me nje fjale ka nje lloj procesi mendimi mbrapa sulmit.

    Po ne vija te pergjithshme artikulli e zbulon qarte dukurine. Zelli per te demaskuar “perendimoret” gjate komunizmit eshte zevendesuar me zellin per te demaskuar “lindoret”. Kuptohet qe sa me i zellshem te kesh qene dje aq me i zellshem je edhe sot.

    Pjesa e vetme qe kam ca dyshime eshte ajo per punen e mbeshtetjes amerikane per talebanet dikur (ndonese nuk jam i sigurte nese thirreshin “talebane” ne ate kohe. Levizja me ate emer duhet te kete filluar ne vitet 90). Ndonese Amerikes kjo lidhje e atehershme i numerohet si imoralitet apo hipokrizi, mua me duket nje strategji e mencur dhe e justifikuar. Bashkimi Sovietik ishte nje perandori gjigande me mijera raketa berthamore dhe nje ideologji qe perhapej si semundje. Do te ishte e pafalshme nese Amerika nuk do te perdorte cfaredo mjeti qe te gjente perballe ketij rreziku.

  2. As i mirë e as i duhuri në PtF.
    Nuk është i mirë se tefkiri është takfir (kërko Takfir wal-Hijra).
    Nuk është i duhuri se PtF pat patur politikën e Snipping Tool për gafat gazetarseke, që i duheshin e-mail-ur moderatorit.

    1. Takfir do te thote deklarim i apostasise, e kunderta e konvertimit. Takfir wal Hijra eshte nje livizje e lindur ne Egjipt ne vitet ’60. Tani me thuaj ti se c’lidhje ka kjo me shpjegimin qe kane sjelle gazetaret e 55 per “tefkirin” dhe, per me teper, c’lidhje ka me politikat e Rames? Asnje lidhje

  3. Autori e ka sqaruar shume mire dallimin midis termit tefkir dhe takije. Ndersa termi tekfir eshte diçka tjeter.

  4. Gazetaret e 55 jane bishti i kavallit ne makinerine e diskursit anti-islam ose orientalist (ne terma saidiane) ne Shqiperi. Nuk e kuptoj sakte se cfare kane ne mendje me “tefkir” gazetaret e 55, por kjo pak rendesi ka. Shqetesues eshte ligjerimi orientalist ose “islamizimi i dhunshem i kundershtarit” ne rangjet e larta politike e publicistike dhe autori qe edhe pak do marre teseren e PS, me kete duhet te merret jo me lapsuset ne terma a shkrimet kunder Rames.

    Me xhihad ne pergjithesi kuptohet “lufte e shenjte”, ekstremizem, fondamentalizem etj. Me keto kuptime ne mendje edhe e perdorin kete fjale palet politike ne Shqiperi kunder njera tjetres dhe ne rastin konkret kunder Rames.

    T’i thuash nje politikani hajdut, i korruptuar, ose edhe katolikocentrist, cifut etj. nuk eshte se preket shume, bile keto dy te fundit, katolikocentrizmin dhe lidhjet me hebrejte mund t’i fuse ne cv-ne politike si dicka shume e mire, ndersa asocimi i kundershtarit me gjera islame eshte me e padurueshmja dhe me e papranueshmja.

    Nese flasim nga realiteti ne terren i dy partive te medha dhe lidhjet e tyre me Perendimin duke u nisur thjesht nga feja, atehere PD-ja ka krahun me perendimor po themi ne Shqiperi, katoliket, ndersa PS-ja mbetet me ortodokset e lindjes. Muslimanet si komuniteti me i madh jane te ndare ne dy partite e medha me nje anim te lehte nga PD-ja.

    1. EC ti thua:
      “T’i thuash nje politikani hajdut, i korruptuar, ose edhe katolikocentrist, cifut etj. nuk eshte se preket shume, bile keto dy te fundit, katolikocentrizmin dhe lidhjet me hebrejte mund t’i fuse ne cv-ne politike si dicka shume e mire, ndersa asocimi i kundershtarit me gjera islame eshte me e padurueshmja dhe me e papranueshmja.”

      Nuk e kuptoj mire se pse duhet te preket nje politikan po t’i thuash “cifut.” Nuk e kuptoj mire se si nese problematizohen “lidhjet me hebrenjte” do adresoje problemtatizimin e “asocimit me gjera islame.”

      Shkruan, gjithashtu: “autori qe edhe pak do marre teseren e PS,…” Ti me sa duket me njeh e kesisoj njeh jo vetem simpatite e mia poltike por edhe planet e mia politike per te ardhmen. Megjithate, nese do lexoje me shume, shume pak kujdes, do vereje se shrkuaj:

      “Duhet vënë në dukje, se vetë E. Rama, siç pamë më sipër, apo mediat pranë të majtës, janë po aq përdorues të këtyre lloj spekullimesh gjuhësore, si akuza kohët e fundit për “fashizmin oriental” të Berishës.

      I njëjti etiketim i vihet Berishës të nesërmen e intervistës së Ramës nga një figurë e njohur e opozitës, Spartak Ngjela, që tregon se etiketimi kthehet në togfjalësh sipas të cilit opozita vendos të karakterizojë Berishën. Vetë Ngjela e ka bërë pjesë të retorikës së tij kundra Berishës etiketimin e tij në terma orientalizues dhe islamizues. Së fundmi, Rama përdor të njëjtin etiketim kur flet për terroristët që sulmuan kullat binjake më 11 Shtator si për Berishën: “fashistë orientalë.”

      Nga sa kam mundur të vëzhgoj, veçanërisht nga komente lexuesish në faqet online të gazetave apo forumeve shqiptare, retorika e majtë e “islamizimit me dhunë” të oponentit politik ka qenë më e sukseshme në asocimin e Berishës me terma orientalizues e islamizues se sa media të djathta si 55 ndaj Ramës. Të dyja palët po kontribuojnë në ritjen e klimës së tensionit dhe dhunës verbale, duke vënë në përdorim arsenalin bujar të orientalizmit.”

      Eshte e habitshme per mua se si ti e sheh kete si hap paraprak drejt marjes se teseres se PS-se. Logjika qe duket te shpjegoje kete duket te jete se nese je kundra qendrimit tim, atehere je me qendrimin e armikut tim. Je me ne apo kundra nesh?

      Se fundmi, do ishte interesante te dihej se ku bazohet kjo ndarje lojaliteti politik mbi baza komunitetesh fetare.

      1. 1. Nuk kam thene gjekundi se te jesh cifut ose t’i thuhet dikujt cifut duhet te perbeje shkak per prekje ne seder a ku di une si dicka e keqe ne vetvete. Vetem po perpiqesha te jepja kontrastin qe ekziston ndermjet Islamit dhe feve te tjera kur vjen puna per asocim me to. Bile kur politikanet akuzohen me apo pa te drejte se ju sherbejne lobeve cifute ndoshta edhe kunder interesave te shqiptareve, e kane per nder kete pune dhe mundohen ta perhapin kete “thashethem” sa me shume pasi ekziston nje mendim i perhapur gjeresisht tek publiku shqiptar se hebrejte kane peshe ne Amerike e rrjedhimisht edhe ne zhvillimet nderkombetare.

        2. Me aq sa lexoj nga blogu i yt a i juaj, ju dukeni qe keni zbuluar Marksin dhe te majten radikale keto kohet e fundit dhe ne doren e mengjer me Marksin dhe ne te djathten me Kuranin, ndonje dite do na nxirrni green book-un tuaj, si Gadafi njehere e njekohe. Po meqe revolucionari Gadaf nuk eshte me ne mode as per te majten e as per te djathten, ngjyren e Librit mund ta zgjidhni jo green qe te mos keni kurrfare asocimi me diktatorin ne arrati.

        Shqetesim per perdorimin e Islamit dhe aspekteve te tij per te shenjuar te keqen ne nje lufte te eger per pushtet ne Shqiperi, eshte pikerisht perdorimi nga elita politike e kulturore jo gazetaret ose ata qe shkruajne tek 55. E di zotrote qe kjo gje ka permasa te luftes se klasave?

        Diku nga 06 nese nuk gaboj, mediat e majta te dirigjuara mjaft mire filluan nje sulm te eger ndaj ish-zedhenesit te Berishes, tani diplomat ne Amerike, se sipas tyre kishte studiuar ne Libi ose edhe Turqi. U be atehere nje debat goxha i madh me pergenjeshtrime e kunder-pergenjeshtrime nese kishte studiuar ose jo ne ndonje vend musliman zedhenesi ne fjale, qe si perkatesi religjioze i shkreti ishte ortodoks.

        3. Ajo qe them per preferencat politike te njerezve me perkatesi fetare si te permendurat me siper ose se paku ne origjine familjare te tille, nuk bazohet ne ndonje studim politik a sociologjik ose survey, eshte nje konstatim me shume nga jeta e perditshme dhe nga argumenta jo te drejtperdrejte: a) Lidershipi i dy partive kryesore pergjate viteve, b) sjellja e elektoratit ne zona te caktuara ne zgjedhje ndaj dy partive dhe c) asocimet ose afilimet e elitave drejtuese te komuniteteve fetare perkatese me dy partite. Kjo qe them mund te jete e gabuar por gjithese kush do te argumentoje ndryshe bujrum.

        4. Keshille vellazerore, nuk mesohet Islami duke lexuar se cfare shkruajne jo-muslimanet per te. Nese dua te mesoj per Kantianizmin bie fjala, une lexoj vete Kantin dhe te tjere qe shpjegojne filozofine e tij dhe tregojne jeten e tij, jo shejh Bin Bazin ose Albanin bie fjala.

    2. Ideja për të transplantuar në Shqipëri, në forma të ndryshme, përplasjen mes Izraelit dhe palestinezëve, më tej edhe vendeve të tjera arabe, në Lindjen e Mesme, është nga më shkatërrueset që është shfaqur ndonjëherë në skenën politike, ideologjike dhe kulturore.

  5. Jo per mbrojtje te Rames, jo per kritike ndaj artikullit, por besoj se “talibanizmi” i Berishes, e sidomos i Topallit ne lidhje me Piramiden, nuk eshte abuzim gjuhesor, por analogji e sakte historike.

    Shkaterrimi i objekteve te kultit ne emer te nje rendi te caktuar eshte fenomen qe njihet mire. Sidomos per sa i perket RPSSH-se.

    Por le mos harrojme qe analogjite historike me vetveten nuk jane gjithmone efektive, sa do te sakta. Gjithe c’mund te bejne eshte te ngrene shqetesimin ne lidhje me pretendimin e atyre ne favor te shembjes, te cilet argumentojne me terma ku shembja e Piramides paraqitet si akt anti-komunist e rrjedhimisht i drejte, gje qe eshte njesoj me shembjen e kishave dhe xhamiave dje nen pretendimin se ishte akt anti-fetar e rrjedhimisht i drejte.

    Mirepo ceshtja nuk eshte vetem perbrenda. Shqiperia nuk eshte nje univers i izoluar qe ceshtjet e veta mund t’i zgjidhe vetem me forcat e veta. Shembja e Piramides do ishte po ashtu e njejte me shembjen e Buddhave te Bamijanit nga regjimi i Talibanit ne Afganistan. Me shume se sa “abuzim gjuhesor” do kisha dashur qe Sinani ta kishte trajtuar talibanizmin ne fjale si thirrje korrekte per ndergjegjesim dhe nderhyrje nga ana e organizatave nderkombetare, te djegura tani se voni, nga shembja e Buddhave ne Afganistan.

    Vlen te permendet ketu, se parate e premtuara per shembjen e Piramides dhe ndertimin e kompleksit qeveritar, vinin nga nje zone e botes e cila kreu nje pune emisare kolosale kunder shembjes se Buddhave, packa se ne fund deshtoi. Terheqja e premtimit dhe e fondeve nga nje krah, dhe etiketimi i shembjes se Piramides si akt taliban, nuk mund te trajtohen thjesht si koincidenca.

    1. NB Sqaroj ketu se c’thashe me lart nuk do te thote se Rama nuk ben abuzime gjuhesore, apo se nuk angazhohet ne fenomenin e “islamizimit me dhune te tjetrit,” por se rasti ne fjale nuk mund te trajtohet si i tille nese perpjekja kunder fenomenit eshte perpjekje serioze.

    2. Lulian ti ve re, me te drejte per mendimin tim, qe etiketimi i shembjes se Piramides si akt taleban dhe burimi i kredise per ndertimin e kompleksit qeveritar, nuk jane koincidenca. A nuk afirmon kjo se Rama po ben asocime per te “islamizuar” Berishen si menyre per te deligjetimuar politikat e tij?

      Por te lutem vi re se shembulli i sjelle ne artikull eshte etiketimin e Rames per Berishen, ashtu si per terroristet e 11 Shtatorit, si “fashiste orientale.” Kushdo qofshin mekatet e Berishes, a eshte e pranueshme etiketimi ideologjik i tij me terroristet e 11 Shtatorit?

      1. “Lulian ti ve re, me te drejte per mendimin tim, qe etiketimi i shembjes se Piramides si akt taleban dhe burimi i kredise per ndertimin e kompleksit qeveritar, nuk jane koincidenca. A nuk afirmon kjo se Rama po ben asocime per te “islamizuar” Berishen si menyre per te deligjetimuar politikat e tij?”

        Ne rradhe te pare, kam frike se me ke keqkuptuar. Jo “etiketimi si akt taleban dhe burimi i kredise” por “etiketimi si taleban dhe terheqja e kredise.” Dhe kjo, nuk duhet marre si koincidence pavaresisht ideologjive te imponuara nga etiketimet, apo pavaresisht nga konotacionet negative qe metohen t’i jepen kundershtarit nepermjet asociimit me Islamin.

        Pasi ne rradhe te pare, regjimi i talebanit ne pergjithesi, si dhe akti i shembjes se Buddhave ne vecanti, nuk perbejne Islam, perkundrazi, akti u ndeshkua nga krejt bota islamike pasi pikerisht kjo bote kishte ofruar mijra alternativa te tjera ndaj shembjes,

        dhe ne rradhe te dyte, sepse nuk besoj se telosi i vetem, i Rames, eshte delegjitimimi i politikave te Berishes. Nuk e mohoj qe ky qellim nga ana e Rames ekziston, dhe se edhe shfaqet ne menyre te shemtuar duke bere asociime te Berishes me Islamin apo me cfaredo mund te loze me perceptimet e publikut, per t’ia delegjitimuar Berishes diskursin. Por nuk besoj se ky telos ka lidhje me te tjera qellime te Rames. Rama eshte vene shpesh ne kontroll te nje komuniteti artistik global i cili ngre shqetesime qe kane te bejne pikerisht me “zgjidhjen e problemeve te ngrehinave ekzistuese,” apo te hapesirave ekzistuese. Eshte teresisht konsistente qe praktika e shembjes se objekteve te kultit, thene ndryshe, ikonoklazma talebaniste, te anatemohet brenda diskursit te ketij komuniteti.

        Une madje pata nje NB ne fund. Rasti ne fjale nuk mund te sherbeje per te vertetuar abuzimet e politikaneve me besimin apo edhe me gjuhen, pasi analogjia mes shembjes se Buddhave dhe shembjes se Piramides, nuk eshte e sajuar, por qendron realisht. Ashtu si Talebani arriti te shfrytezoje besimin (e gabuar sipas dogmes) tek idhujtaria me ane te imazhit, apo objektit, ashtu edhe Berisha me Topallin perpiqen te shfrytezojne besimin, (e gabuar sipas dogmes) se objektet e kultit ngritur ne emer te diktatorit, do cojne ne idhujtari te komunizmit enverist. Akti i shembjes se Piramides do ishte akt taleban, sepse do ishte akt dogmatik. Kjo mbetet e vertete pavaresisht abuzimeve me Islamin per te anatemuar kundershtarin.

        1. komenti im i mesiperm ka dy paragrafe, i dyti vetem me dy fjali. Edhe nese, “talebanizmat” nuk eshte abuzim i tille, gje per te cilen nuk jam i bindur, Rama “fashiste orientale” e ka perdorur vetem per tre kategori: Berishen, diktatoret e Lindjes se Mesme dhe terroristet e 11 Shtatorit. Termi riciklohet ne adresimin e Berishes menjehere te nesermen nga Ngjela e si te thuash behet sllogan i ketij blloku politik. A do mund te gjendej ndonje ekzegjeze e fjaleve te Rames nepermjet te ciles do mund te pretendohej se nuk ka asnje abuzim ne cfare ai thote? Sigurisht qe mund te gjindet. Por me duket mua se jo vetem qe qartazi Berisha orientalzohet duke quajtur oriental!, por ne ndihmohemi si lexues te Rames duke na u ofruar imazhe krahasimore per te kuptuar fashizmin oriental te Berishes: terroristet e 11 Shtatorit dhe Kadafi.

          1. Per nje gje ke te drejte. Qe Rama abuzon me termat per te krijuar platforme politike. Orientalizon, islamizon me dhune, etj, etj. Kjo ben pastaj qe edhe kur eshte i sakte etiketimi i Berishes si taleban, edhe pra kur abuzimi nuk ekziston, te humbitet kredibiliteti dhe te thuhet se “nuk jam i bindur” qe “talebanizmat nuk eshte abuzim i tille.” Por ky eshte problemi me Ramen dhe jo me kritiken ndaj tij. Per mua, kujdesi ndaj abuzimit me termat duhet te jete mesim per te gjithe, qe nga politikanet qe humbasin kredibilitetin e tyre ne rradhe te pare, e deri tek studiuesit te cilet shkasin nga nxitimi per te kritikuar politikanet. Qe Rama, Berisha, 55-a e me rradhe nuk duhet te bertasin “ujku, ujku” vend e pa vend, as qe nuk diskutohet qe eshte problemi kryesor. Por ky problem nuk mund te luftohet me te njejtat metoda qe kritikohen. Duhet edhe studiuesi te kete kujdes dhe te mos bertase “ujku” kot. E perseris edhe nje here ate qe thashe me lart: nese shqetesimi ndaj fenomenit eshte serioz, nuk mund te futen te gjitha rastet ne te njejtin thes.

            Nuk kam asgje kunder pretendimit se etiketimi “fashiste orientale” eshte abuzim shqetesues dhe pjese e ketij fenomeni te shemtuar. Por fakti qe i njejti person perdor si termin “fashiste oriental” si termin “akt taleban,” nuk do te thote se ne fakt akti nuk eshte vertete i tille. Mund fare mire argumenti te shkoje ne nje tjeter drejtim, psh, Sinani mund te kishte vene ne dukje se duke qene se akti eshte vertete i tille, Rama e shfrytezon talebanizmin e ketij akti per te thene se tjetri eshte “fashist oriental.” “Fashisti oriental” nuk eshte kategori politike por raciste, dhe edhe pse akti i Berishes do ishte vertete talebanizem, Rama nuk ka te drejte ta quaje tjetrin fashist oriental. Problemi im eshte ky, nese abuzimi eshte shqetesues, nuk mund t’i konsiderojme si abuzim edhe rastet qe nuk jane te tilla, perndryshe, fiton abuzimi.

            Sa per te fundit, se po me ngaterron b-ja, nuk di je vete Besnik Sinani, apo eshte thjesht koincidence. Ky artikull, dhe tjetri perpara, nuk me duket se bejne homologim mes terroristeve te 11 shtatorit dhe “fashizmit oriental,” si c’pretendon ne ate paragrafin e dyte me dy fjali, por per homologim shkakor mes fashizmit perendimor – Nebraska Boys – dhe asaj qe etiketohet terrorizem sot. Nese ka ndonje fare fashizmi ne aktet terroriste te 11 shtatorit, ky nuk eshte oriential, por oksidental.

            1. Ndjese, nuk po e perdorja b-ne si pseudonim por si inicial i Besnik. Jam totalisht dakort me ty se perdorimi i arsenalit orientalist sjell humbjen e kredibilitetit edhe kur – ndoshta – etiketime per “akte talebane” mund te jete etikisht i pranueshem. Nje koment per “fashizmin” i palidhur drejte per drejte me cfare po flasim. Prirem te mendoj se nuk eshte “gjetje origjinale,” por perkthim i pranueshem per nje politikan ne Shqiperi i “islamo-fashizmit” te neo-coneve dhe kohet e fundit i perqafuar pa debat edhe nga liberalet amerikane.

  6. Nga shpjegimi që ofron autorja (apo z. Lita), probabilisht ata kanë kapur pa shumë vëmendje, në lexime të bëra shkarazi në internet, termin “takija,”

    Per profanet qe perdorin gjuhe me zanore eshte e veshtire te kapen koncepte te nje gjuhe qe s’i perdor zanoret (arabishtja). Eshte gabim i falshem. Kombinime shkronjash bashketingellore nxjerrin permutacione interesante. Psh cdo fjale e shkruar arabe mund te kete 3-4 kuptime, ku nje prej tyre ka probabilitet shume te larte ti referohet gamiles.

    1. qafir, qe mos ulet pazari i bisedes, vi re se nuk do kishte nevoje te angazhohej njeri me keto artikuj nese do behej fjale vetem per gabime drejteshkrimore qe vine nga perdorimi ose jo i zanoreve, por tek transplantimi i koncepteve qe supozohen te mbartin per te shpjeguar fenomene qe vetem 55 e di si mund te lidhen bashke. Pastaj, keta kontribuesit e 55 nuk po shkruajne si profane, por po marin persiper t’i shpjegojne publikut detajet e erreta te metodologjise xhihadiste! Ajo puna e gamiles, pastaj, eshte paragjykim cheap fare.

      1. Deshta me te thon qe kjo puna e arabishtes e islamit eshte thike me dy presa. Te ther ene ty ene Besnikun mo bukur se nji Chechen (prej Kavkazit jo Bathores), ene mu aty ku s’ta pret menja.

        Mo mir, majini kto gjona per vete, se bota eshte komplekse ‘enough’ pa akrobaci drejtshkrimore arabe, apo akrobaci juridike islamike.

        Perndryshe jam d’accord me frymen e artikullit si monoteist kabalist i pandreqshem qe jom.

  7. Perdorimi i ketyre termave “taliban” “xhihadist” eshte i ngjashem me krahasimet qe u tentuan te behen midis Shqiperise dhe Egjiptit apo Libanit gjate protestave atje. Ne rrethanat politike shqiptare keto marifete jane krejt te panevojshem, ndofta edhe te demshme, po kush po pyet me se cfare demi sjellin fjalet e hedhura kot me kot si shashka. Rendesi ka karrigia e pushtetit qe do leme apo qe do marrim. Te mjeret ne!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin