Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Semiotikë

KUQEZI NË PROTESTË

Një lajm që më zuri sot syri, për “Flamurin shqiptar në paradën ushtarake të 14 korrikut në Paris” më bëri të ripyes veten për domethënien e flamurit kombëtar që prej javësh po valëvitet nga protestuesit në Tiranë. I njëjti flamur, por i ekspozuar për arsye të ndryshme – në mos të kundërta.

Mund ta kuptoj shfaqjen në paradën e 14 korrikut në Francë – shenja si flamujt kombëtarë jetojnë për përdorime të tilla që rimarrin simbolikisht betejat, nga paradat ushtarake tek ato sportive, paçka se vetë lajmit m’u duk se i nënvendosej një kompleks inferioriteti (edhe ne), në mos një ndjenjë adoleshente revanshi.

Më kompleks është flamuri kombëtar në një protestë që kërkon rivlerësimin kritik të elitave në pushtet.

Gjithnjë më pat bërë përshtypje që ky flamur, në forma dhe përmasa të ndryshme, i mbizotëronte pamjet e masës së njerëzve në bulevard; dhe jo vetëm për nga numri i atyre që e mbanin dhe e valëvitnin, por edhe ngaqë në protestë janë dukur relativisht pak flamuj tjetërlloj.

Tek-tuk ndonjë i UÇK-së, ndonjë tjetër me simbolet e “autochtonous”, si ai që u zbrit dikur në stadium në Beograd, rrallë e tek ndonjë flamur i Bashkimit Europian.

Kush ka parë e ka ndjekur protesta të ngjashme në Perëndim, do ta ketë vënë tashmë re diferencën: andej njerëzit marrin me vete jo vetëm flamurin kombëtar, por edhe flamujt e partive politike, sindikatave, OJQ-ve, grupeve ambientaliste, të cilët përfaqësojnë vizualisht shoqërinë civile.

Përkundrazi, në Shqipëri duket sikur protesta nxjerr në pah edhe një hendek – të padëshiruar – mes “masës qytetare” që identifikohet me flamurin kuqezi dhe shtetit, kundër të cilit ajo masë është ngritur në këmbë.

Ndoshta vendimi për të mos i treguar shenja dhe simbole të tilla ka qenë i vetëdijshëm, për ta ruajtur protestën nga përçarja. Por edhe në pastë qenë ashtu…

Njerëzit në bulevard kanë shpalosur dhe treguar edhe pankarta, parulla, banderola dhe figura të tjera, përfshi edhe memet e shumta – që i referohen mediave sociale – dhe imazhet simbol të flamingove. Gjuha vizuale nuk ka munguar.

Por peizazhin semiotik e ka mbizotëruar flamuri kombëtar kuqezi.

I përdorur kësisoj, ky flamur mundet që merr përsipër të përcjellë idenë, madje bindjen, e unitetit kombëtar – jo aq të Shqipërisë, sa të shqiptarisë, po të kemi parasysh përfshirjen në manifestim të shqiptarëve nga Kosova e nga Maqedonia e Veriut, por edhe të atyre nga “diaspora”.

Të gjithë këta mbase nuk i shohin si të tyret institucionet shtetërore në Tiranë, kundër të cilave protestojnë; por identifikohen megjithatë me flamurin, si simbol ttë një super-egoje tej-shtetërore, ku projektohet autoriteti tashmë mitik i komunitetit etnik.

Flamuri është edhe një përgjigje ndaj të gjithë atyre që kanë pyetur nëse protesta mbizotërohet nga e majta apo nga e djathta; kombëtarizmi ka qenë asociuar tradicionalisht me të djathtën populiste dhe anti-elitare, ndonjëherë ksenofobike; por edhe e majta ka arsye të mjaftueshme, për ta përvetësuar këtë simbol.

Veçanërisht kur njerëzit ngrihen të protestojnë kundër “shitjes” së elitave dhe të trojeve “kombëtare” ndaj kapitalit të madh spekulativ.

Për ambientalistët – që janë një nga reaktorët që i japin energji protestës – flamuri kombëtar mishëron natyrën dhe gjeografinë e Shqipërisë, siç e kanë kënduar poetët e Rilindjes.

Një protestë e veshur me flamurin kuqezi mirëfilli kërkon të mbetet deri në fund qytetare dhe të mos synojë përmbysjen e rendit institucional (i cili përfaqësohet edhe ai nga flamuri kombëtar, siç e shpjegon Kushtetuta), por njëherazi synon të tregojë se ato veprime dhe politika, ndaj të cilave protestohet, janë njëherazi edhe “antikombëtare”.

Madje për krahun më radikal të protestës ajo që ka ndodhur me “shitjen” të huajve të pasurive të vendit nga ana e qeverisë Rama është, në thelb, një lloj tradhtie kombëtare. Të cilën tradhti flamuri kërkon ta denoncojë në heshtje.

I shpalosur kaq dukshëm dhe masivisht, flamuri kombëtar kërkon të theksojë distancimin e “popullit” protestues ndaj institucioneve dhe elitave “kozmopolite”. Kështu mbase do shpjeguar edhe veshja e kostumeve kombëtare, të stilizuara për të theksuar përkatësinë.

E përjetuar për së largu, protesta e mbuluar me flamuj kuqezi vjen dhe i ngjan atmosferës së tifozëve gjatë një ndeshjeje futbolli – aq më tepër që sporti, në momentet e përballjeve kompetitive me “të huajt”, ka arritur të realizojë atë bashkim kombëtar përballë “hasmit” të cilin flamuri, dashur pa dashur, vazhdon ta simbolizojë.

Edhe pse është, në thelb, emëruesi më i vogël i përbashkët i motiveve të njerëzve që kanë dalë në rrugë dhe provë – sado e tërthortë – se atyre ende u mungon një gjuhë politike përtej klisheve folklorike të Rilindjes dhe toneve prej gjyqi kundër elitatave – flamuri kombëtar vazhdon të shprehë mospajtimin e shqiptarit të thjeshtë me arrogancën e elitës në pushtet. Një pushtet tek i cili ky “shqiptar i thjeshtë”, sado konstrukt dhe viktimë e politikave populiste, nuk e gjen më veten.

Por ndryshe nga ç’ndodh në protesta të tjera në Perëndim, sidomos në SHBA, ku flamuri kombëtar manipulohet, keqtrajtohet dhe digjet, për ta shprehur këtë lloj mospajtimi, mes shqiptarëve kjo shenjë mbetet ekstremisht e respektuar, madje e shenjtë, sepse masa e sheh si simbol të vetin, të “popullit”, dhe nuk është gati që t’ua besojë dhe t’ua dorëzojë elitave.

Me të njëjtën logjikë, këtyre elitave u duhet jo vetëm punë por edhe pendesë, për ta merituar përdorimin e flamurit.

I vetmi problem – nëse mund të shprehem kështu – është se kjo masë protestuesish, që po del në rrugë prej javësh për të kërkuar shpagim ndaj abuzimit që u ka bërë shteti dhe pushteti në Tiranë, ngurron– ose edhe thjesht refuzon – të kuptojë se shpalosja e flamurit vjen me përgjegjësi të mëdha.

I valëvitur në protestë, ky flamur për momentin vetëm sa u kujton pushtetarëve se postet që kanë janë rezultat i po asaj demokracie që tani i jep relevancë derdhjes së qytetarëve në bulevard; siç u kujton protestuesve se “sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit” (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 2.1).

Nëse elitat në pushtet japin e marrin me paranë dhe imazhin, masave poshtë nuk u mbetet veçse flamuri kombëtar; dhe ashtu vetë protesta shndërrohet në një agora virtuale të semiotikës politike, për të cilën të gjitha palët kanë nevojë.

(c) 2026 Hajro Emiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading