Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

GJUHA E SPEKTAKLIT TEK EDI RAMA

Qëndrueshmëria në kohë dhe hapësirë këto ditë e ligjërimit politik, ekonomik, dhe mjedisor e protestave të qytetarëve shqiptarë kundër establishmentit është përballur me një qëndrueshmëri në retorikën autoritare përmes gjuhës së spektaklit të kryeministrit Rama. Në retorikën e tij gjejmë përherë të lakuar të njëjtët tre aktorë: shqiptarët, Edi Rama, dhe Perëndimi. Në çdo reagim apo deklaratë të tijën këta tre aktorë kanë kryesisht të njëjtat role: shqiptarët janë të prapambetur, Perëndimi është ëndrra, dhe ai është lideri mesianik i cili mund të ndërtojë urën midis dy botëve. Estetika e gjuhës me anë të së cilës ai përshkruan këtë treshe i përngjan më shumë teksteve abrahamike se sa ngjarjeve konkrete politike; ai e pikturon procesin politik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe protestat kundër establishmentit si luftë mes të mirës absolute dhe të keqes absolute, mes të pafajshmëve dhe përbindëshave. Në statusin e tij në Facebook më 3 qershor, 4 ditë pas fillimit të protestave të titulluar “Përsëri Shqipëria nderohet në Europë!”, ai e kornizon zgjedhjen e Shqipërisë në kryesinë e Forest Europe jo si një hap burokratik, por si një fitore në një “luftë hibride”, duke ndërtuar narrativën se ai dhe qeveria e tij po luftojnë forcat e errëta, “tradhëtarët”, për ta çuar Shqipërinë drejt dritës së Evropës.

Megjithatë, rolet në fjalë janë të ndërkëmbyeshme; edhe pse shumicën e kohës antagonizimi rezervohet për protestuesit teksa kundërshtojnë vendimet e qeverisë, ndodh edhe që Perëndimi të antagonizohet kur tregohet shumë burokratik. Më 26 maj, gjatë Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama e paraqet Shqipërinë si një nga vendet më pro-evropiane në kontinent; ai e përshkruan veten dhe qeverinë e tij si “Talebanët e BE-së”— metaforë me anë të së cilës kërkon të nënkuptojë një përkushtim absolut, pra fetar, ndaj idealit evropian. Në të njëjtën kohë, ai shprehet kundër procesit të vendimmarrjes së BE-së duke deklaruar se “fanatikët e BE-së nuk mund të vendosin veto për vendimet e BE-së”. Këtu, Perëndimi paraqitet si një forcë e brendashkruar e cila pengon veten, pra burokracia evropiane kthehet në armik të ëndrrës evropiane, duke krijuar një paradoks ku Rama duhet të mbrojë Perëndimin nga vetë Perëndimi.

Më 16 qershor, gjatë fjalimit të tij para Komitetit Gjerman për Marrëdhëniet Ekonomike me Lindjen në Berlin, Rama ndërton një rrëfim të tërë historik ku ai e pozicionon veten si trashëgimtar shpirtëror të Helmut Kohl-it, kancelarit që “pa se ç’kërkonte historia” dhe veproi përtej “kujdesit dhe skepticizmit”. Rama e kornizon momentin aktual evropian si një “moment Helmut Kohl”—një moment ku liderët duhet të kapërcejnë burokracinë dhe të marrin vendime strategjike përtej procedurave. Në këtë rrëfim, Perëndimi (i përfaqësuar në këtë rast nga Gjermania) paraqitet si një forcë që dikur kishte vizion, por që tani është molepsur në procedurat e veta. Kësisoj Rama e pozicionon veten jo si një aplikant që kërkon të hyjë, por si dikush mbi palët, një njeri largpamës i cili ofron zgjidhje për krizën ekzistenciale të vetë Evropës: “Na jepni vende përpara se të na jepni veto. Na jepni pjesëmarrje përpara se të na jepni komisionerë. Na jepni përgjegjësi përpara se të na jepni stoli institucionale.” Ai pohon se “korridoret e energjisë që Evropa ka nevojë, kalojnë nëpër gjeografinë tonë”, duke e transformuar kështu Shqipërinë nga një marrës i ndihmës në një dhënës të ndihmës për sigurinë evropiane.

Por kjo kritikë filozofike e Ramës ndaj Perëndimit shpërbëhet dhe në sipërfaqe del një pozicionim shumë më i ashpër kur bëhet fjalë për kritika substanciale që i vijnë atij nga Perëndimi. Fjalimi i eurodeputetes holandeze Tineke Strik më 8 korrik në Parlamentin Evropian, i cili kritikon ashpër dëmtimin mjedisor në Vjosë-Nartë dhe mbrojtjen politike që Kuvendi i bëri ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku përballë kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit, bëri që Perëndimi të humbasë statusin e tij si ëndërr absolute dhe të shndërrohet në një kërcënim për projektin e kryeministrit Rama. Në përgjigjen e tij të nënkuptuar ndaj këtyre kritikave në intervistën për gazetën Corriere della Sera më 9 korrik, Rama e rikornizon situatën duke e paraqitur presionin ndërkombëtar dhe të brendshëm si një “luftë hibride” që synon destabilizimin e Shqipërisë të ushqyer nga “armiqtë e Shqipërisë”, “histeria dixhitale” dhe nga “kundërshtarët politikë të Donald Trump”. Ai i quan shqetësimet evropiane pjesë e një “lufte hibride” dhe i akuzon kritikët se po manipulohen nga “forca destruktive”. Në këtë mënyrë, Perëndimi transformohet në një tjetër përbindësh që duhet mposhtur, një tjetër të paditur që nuk e kupton madhështinë e projektit të tij. Pra kur Perëndimi është ëndërr, Rama është udhërrëfyesi që mund ta çojë Shqipërinë atje, ndërsa kur Perëndimi është kërcënim, Rama është mbrojtësi që mund ta mbrojë Shqipërinë nga ndërhyrjet e jashtme, dhe kur Perëndimi është konfuz, Rama është mendja e qartë që mund të tregojë rrugën. Në çdo skenar, ai mbetet konstantja e vetme, lideri mesianik, i domosdoshëm.

E ndërsa Perëndimi luhatet ndërmjet ëndrrës absolute dhe kërcënimit ekzistencial, protestuesit luhaten nga viktima të manipuluara në armiq dashakeq, nga të prapambetur që duhen shpëtuar në popullin e zgjedhur i cili meriton më të mirën. Më 1 qershor, në statusin me titull “35 vjet s’e kam parë kurrë këtë mobilizim”, Rama e kornizon kundërshtimin ndaj projektit të Zvërnecit jo si një debat politik, por si një betejë epike midis një “Shqipërie që po synon Olimpin e turizmit” dhe një të kaluare të prapambetur të “mafies, korrupsionit dhe llumit”. Kësisoj ai e transformon politikën në një spektakël dramatik ku ai luan rolin e heroit, duke i reduktuar qytetarët në spektatorë. Ky lloj mekanizmi kulminon më 13 qershor, kur në statusin “Nuk e njoh Ylli Limanin”, Rama këtë herë shpall luftë politike duke përdorur analogji historike si “skuadronet e zeza të Musolinit, militantët nazistë, Agimin e Artë“ për ta kornizuar lëvizjen protestuese si një kërcënim të dhunshëm totalitar. Më tej ai krijon një binaritet me “Ne” – qeveria dhe votuesit e tij të cilët barazohen me të ardhmen evropiane, kundër “Atyre” – turma jotolerante dhe e dhunshme, duke e estetizuar konfliktin si një betejë për mbijetesë. Vlen të thuhet se përemri “Ne” në gjuhën e kryministrit në fillim përbashkonte veç qeverinë dhe votuesit e tij, por më vonë vijoi të përbashkonte qeverinë e tij, votuesit e tij si dhe “flamingot” e protestës të cilët si pas tij janë protestuesit e manipuluar nga “sorrat” e protestës, duke çuar përpara motivin e përçarjes së protestuesve. Ndërkohë, nëpërmjet kësaj gjendjeje të përhershme rreziku prej “skuadroneve të zeza të Musolinit, militantët nazistë, Agimit të Artë“ kërkon të forcojë rolin e tij si mbrojtësi i vetëm i demokracisë dhe të justifikojë më tej masat autoritare. Për më tepër, përmes krijimit të binaritetit ai përfton edhe thjeshtëzimin e realitetit duke i reduktuar çështjet komplekse të demokracisë, ekonomisë dhe mjedisit në një zgjedhje të thjeshtë midis “Shqipërisë Olimpike” dhe “llumit”. Rama ofron zgjedhjen e thjeshtë të investimit të madh si përgjigje për të gjitha problemet, duke i hequr barrën e mendimit kritik gjithë pjesës tjetër.

Në vijim ai kërkon përsëri të anashkalojë mendimin racional por këtë herë duke u fokusuar në shfrytëzimin e traumave, frikës dhe nevojës për të përkitur për të kërkuar në fund një besnikëri të verbër. Më 23 qershor, në statusin “Mirëmëngjes i dashur protestues”, Rama e pozicionon veten si të vetmin që i kupton vërtet “hallet” personale të protestuesve, duke pretenduar dhembshuri për luftën e tyre ekonomike përpiqet të çarmatosë kritikën e tyre dhe ta rikornizojë protestën si të gabuar. Ai armatoset me simpati për të delegjitimuar qëllimet e tyre politike, duke e kthyer viktimizimin e tij në autoritet moral. Në të njëjtin status, ai e çmonton sistematikisht identitetin e protestuesit, duke i thënë atij se u “përdor” dhe u “braktis” nga strukturat e tij mbështetëse. Në fund ai ofron veten si të vetmin njeri që i kupton vërtet, duke i ftuar të “vijnë tek ai”. E gjithë letra është projektuar për të krijuar një lidhje të fortë emocionale të viktimizimit të përbashkët, duke anashkaluar dakordësimin racional me politikat e tij. Ti bashkohesh me të jo sepse pajtohesh, por sepse “ndihesh” sikur kjo është e drejtë. Në të njëjtën vazhdë të shantazhit emocional, më 15 qershor në statusin “Protestuesit janë të lirë të protestojnë…”, në vend që të angazhohet me argumente, Rama u drejtohet emocioneve të papërpunuara si frika dhe krenaria. Ai paralajmëron për “anulime të rezervimeve të hoteleve” dhe fut frikën duke pretenduar se protesta po “shkatërron imazhin e Shqipërisë” dhe është e orkestruar nga “forca të huaja”. Ai anashkalon logjikën dhe i qaset drejtpërdrejt ndjenjës së ankthit, duke krijuar lidhje të shkurtra të imunizuara prej fakteve.

Mekanizmi i radhës përfshin manipulimin e realitetit për të rishkruar të vërtetën dhe për të shtypur mendimin kritik. Më 18 qershor, në statusin “Flamingot fitoren e kanë pasur në xhep”, Rama i vë në dyshim protestuesit duke u përpjekur të rishkruajë realitetin. Ai pretendon se “fitorja” e tyre (rezoluta e Parlamentit Evropian) ishte e tyrja para se të protestonin. Më pas ai i hedh poshtë shqetësimet e tyre duke deklaruar se rezoluta “nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin” (ndërkohë që dy prej amendamenteve në rezolutë kërkojnë tekstualisht moratorium të punimeve të mëtejshme në Zvërnec) dhe i quan të gjitha frikërat e tyre të bazuara në dezinformata nga “sorrat dhe korbat”, duke i detyruar ata të vënë në dyshim të kuptuarit e tyre për ngjarjet. Ky mekanizëm kulminon më 14 qershor, në statusin “Fakte jashtë kanaleve të turbullta të internetit…”, ku Rama paraqet një kundërpërgjigje të detajuar që e deklaron si realitetin e vetëm të vlefshëm, duke delegjitimuar të gjitha burimet e tjera të informacionit si “të ndyra” dhe pjesë e një “histerie”. Versioni i tij i ngjarjeve paraqitet jo si një interpretim, por si e vërteta absolute, e padiskutueshme që publiku duhet ta pranojë, duke heshtur çdo kundërshtim.

Ndërkaq, teksa antagonizon njërën palë, kërkon të magjepsë palën tjetër. Këtë magjepsje e kryen nëpërmjet një sërë turbo-mekanizmash të cilët kanë në qendër të tyre grumbullimin e çdo elementi vizual nëpërmjet manifakturimit të spektaklit dhe manifakturimit të aura-s ndërkohë që anashkalojnë çdo element racional. Në statusin e 2 Qershorit, me historinë e “Costa Navarinos”, Rama nuk përpiqet të bindë me fakte, por zgjedh të ndërtojë një rrëfim spektakolar, meqë e përshkruan projektin si një “ëndërr të bukur” dhe kundërshtarët si “lajmëtarë të katastrofës”. Ai përdor imazhe të suksesit (miliarda euro, transformim) për të krijuar një aura premtuese duke estetizuar në të njëjtën kohë konfliktin si një luftë mes “vizionit” dhe “paragjykimit” dhe duke e lartësuar vendimin e tij në një nivel artistik dhe shpirtëror: “Sa më e madhe ëndrra aq më i madh paragjykimi i tyre”. Kësisoj ai kërkon të fitojë luftën imagjinare mes famës së Greqisë me famën e Shqipërisë meqë humbet luftën e vërtetë me protestuesit në bulevard në Tiranë dhe nëpër sheshet e kryeqyteteve evropiane.

Veç kësaj, nëpërmjet antagonizimit dhe magjepsjes riprodhon edhe akuzën për rolin inferior të shqiptarëve; deklaratat e kryeministrit në lidhje me rëndësinë e koncertit të datës 11 korrik të këngëtarit Kanye West kanë në qendër rëndësinë e “zbulimit” të Shqipërisë nga të huajt, dhe se si “sorrat” dhe “korbat” kundërshtuese nuk e kuptojnë këtë. Në statusin e 10 korrikut, “Gati stadiumi i koncertit”, Rama shkruan: “Disa vazhdojnë të flasin për 4 milionë euro shpenzim për një natë, por vetëm kush nuk do s’e kupton që ato 4 milionë janë një investim… Një koncert i kësaj përmase dhe i këtij artisti, nuk është thjesht një ngjarje artistike. Është marketing global për Shqipërinë”. Përpos antagonizimit të protestuesve, dhe magjepsjes nëpërmjet një koncerti, kemi të bëjmë edhe me riprodhimin e rolit të shqiptarëve si inferiorë të përhershëm ndërkombëtarisht dhe nevojën e dëshpëruar për tu “zbuluar” aq sa jemi të gatshëm të na kolonizojë çdo i huaj që vetofrohet. Ky riprodhim i inferioritetit të shqiptarëve i shërben si mekanizëm demoralizimi meqë shqiptarët demonstruan aplikimin e vlerave evropiane duke shkuar madje një hap më tej dhe duke i ridimensionuar ato në kontekstin shqiptar nëpërmjet retorikës me në qendër kërkesën për transparencë, llogaridhënie, mbrojtjen e mjedisit dhe pjesëmarrjen qytetare. E ndërsa deri tani brand-i i Ramës mbështetej në idenë se ai ishte e vetmja dritare e Shqipërisë drejt Perëndimit, protestat kanë ndërtuar një dritare të re nëpërmjet së cilës Shqipëria u mediatizua pozitivisht në mediat më të mëdha ndërkombëtare (BBC, The Guardian, Deutsche Welle, etj.) në të cilat shqiptarët u përmendën si shembull që duhet ndjekur për rezistencën civile; dhe më e rëndësishmja, Bashkimi Evropian nuk dialogon më me Shqipërinë vetëm nëpërmjet qeverisë shqiptare, por përkundrazi, Parlamenti Evropian dhe institucione të tjera e kanë refuzuar dialogun e njëanshëm me kryeministrin Rama dhe u janë drejtuar protestuesve. Pikërisht prej këtij rikonfigurimi të roleve, bëhet i nevojshëm përdorimi i koncertit të Kanye West nga kryeministri Rama për të demoralizuar shqiptarët nëpërmjet riprodhimit të narrativës së inferioritetit të tyre përmes gjuhës së “zbulimit” e me një logjikë që ka në qendër spektaklin, ku e vetmja mënyrë për t’u vlerësuar është të “zbulohesh” nga të huajt.

Si përfundim, duke përdorur vetëm thirrje për famë ndërkombëtare, miliarda, luks, resorte elitare, spektakël, e të tjera si këto për të refuzuar çdo kritikë të natyrës shkencore dhe politike ndaj projektit në zonën e Zvërnecit, kryeministri Rama e kushtëzon debatin duke i ofruar si zgjidhje palës kundërshtare dorëzimin ose propozimin e një tjetër projekti i cili është akoma më luksoz; fjala vjen i vetmi opsion që pranon retorika e kryeministrit Rama përkundër projektit 4 miliard euro nga Jared Kushner është një projekt 8 miliard euro nga vetë Donald Trump. Përtej këtij gardhi mendor të prodhuar nga kjo gjuhë luksi e spektakli nuk pranohet asnjë opsion. E ndërsa me liderat totalitaristë të shekullit të kaluar kemi të bëjmë me kalimin në një gjuhë e cila nuk i drejtohet më “mendjes” por “stomakut” – duke pranuar se për të prekur masat duhej të braktiseshin tërësisht thirrjet intelektuale – duket se me gjuhën e liderëve autoritaristë si kryeministri Rama kemi rënë edhe më poshtë, duke iu drejtuar instinkteve edhe më të ulëta. Gjuha e këtij të fundit të krijon përshtypjen e një retorike vezulluese e cila e kërkon legjitimimin vetëm tek luksi, ngjashëm me legjitimimin hyjnor të dinastive në monarkitë absolute, meqë nëpërmjet argumenteve bazuar vetëm në famë e miliarda u drejtohet instinkteve si lakmia e grykësia. Por njerëzit po bëjnë qëndresën e tyre ndaj një projekti që synon t’i reduktojë në instinkte lakmie, duke ju përgjigjur gjithmonë e më shumë me një vetëdije kritike e duke ndërtuar nga poshtë një gjuhë tjetër: atë të arsyes, të kujtesës dhe të përbashkëtës njerëzore.

(c) 2026 Klejda Rrapaj. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading