Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

PO UNË QË NUK VOTOJ PËR TY?

Kur dëgjoj retorikën e protestës në Shqipëri, retorikën e pozitës dhe atë të publikut pro ose kundër njërës apo tjetrës palë gjatë këtyre ditëve, më vjen ndërmend një çast, dikur, në dimrin e ftohtë të vitit 2003, kur në një nga sallat e Insurance Institute në Toronto, dëgjoja një leksion mbi siguracionin e makinave. Ndër të tjerat, profesoresha, pasi u ankua për rrugët që sipas saj nuk ishin mirëmbajtur siç duhet, tha se “politikanët që e drejtojnë këtë vend nuk duhet të harrojnë se paguhen me taksat tona.”

E porsaardhur nga një kulturë krejtësisht e ndryshme – e rritur nën një diktaturë totalitare, kur pushtetari nderohej si idhull dhe legjitimiteti i çdo gjëje që bënte nuk vihej fare në dyshim (?!), dhe më pas nga një dekadë politike kur, megjithë fitoret e brishta të demokracisë, si liria e fjalës dhe e lëvizjes, pushteti në Shqipëri, i ardhur nga e njëjta mendësi politike, ishte lidhur fort me atë që quhet kult i individit, më bëri përshtypje kjo fjalë. Pavarësisht se liria e së drejtës së fjalës dhe votës, pluralizmi etj., sigurisht e kishte ndryshuar perspektivën time, nuk e kisha menduar marrëdhënien e qytetarit në këtë aspekt:

Pushteti është i zgjedhur nga qytetari që t’i shërbejë atij, sepse paguhet nga qytetari.

Në thelb, koncepti është i njëjtë me çdo marrëdhënie interesi të shkëmbimit të vlerave: “të paguaj për të bërë një punë”, i cili krijon një detyrim të ndërsjellë midis atij që paguan dhe palës tjetër, e cila paguhet për të shërbyer, por natyrisht në një shkallë shumë më të sofistikuar. Kjo ndodh sepse personi ose grupi që do të shërbejë në këtë rast zgjidhet me anë të votës, që i jep pushtetin, i cili nuk përkthehet thjesht në një marrëdhënie financiare (pushtetari do të paguhet nga taksat e votuesit, pra atij që i ka dhënë besimin), por i jep atij fuqinë e vendimmarrjes ta ndryshojë, për mirë ose për keq, jetën e këtij votuesi dhe taksapaguesi.

Ka ndërkohë edhe një element tjetër shumë të rëndësishëm në këtë mes, i cili vjen nga fakti që pushtetari e merr fuqinë e ligjvënësit dhe menaxhuesit të parave të qytetarëve nëpërmjet shumicës së votave, por ndërkohë paguhet nga të gjithë qytetarët; prandaj u detyrohet njëlloj edhe atyre që nuk e kanë votuar.

E përmenda në fillim protestën e këtyre ditëve, e cila është padyshim një nga ngjarjet më të mëdha politike në Shqipëri të këtyre 36 viteve tranzicion, sepse pikërisht kjo ndarje në “ata që na kanë votuar” dhe “ata që nuk na kanë votuar”, e shoqëruar me simbolikë të larmishme folklorike zogjsh (“flamingo”, “shqiponja”, “korba”, “sorra” e të tjerë), është një nga retorikat që kryeministri dhe deputetët e pozitës e përdorin rëndom për të përligjur arsyen pse ata nuk duhet të japin dorëheqjen.

Në ditën e 57-të të protestës në platformën e tij personale, kryeministri shqiptar shprehet :

Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo!”

 Sipas Jean-Jacques Rousseau-së, një kontratë sociale është një marrëveshje në të cilën individët bashkohen për të formuar një komunitet politik dhe heqin dorë nga liria e tyre natyrore në këmbim të lirisë civile dhe politike, nën ligjet e krijuara nga vullneti i përgjithshëm,(*) por në këtë marrëdhënie  Qeveria është thjesht një organ ndërmjetës i krijuar midis nënshtetasve dhe Sovranit për të siguruar lidhjen e tyre të ndërsjellë (**) dhe sovraniteti i përket popullit. (***)

Me fjalë të tjera një shtet demokratik, u detyrohet njëlloj edhe nënshtetasve që e kanë votuar edhe atyre që nuk e kanë votuar sepse duke qenë taksapagues, ata kontribuojnë njëlloj në financimin e shërbimeve qeveritare.

Duke iu referuar përsëri Jean-Jacques Rousseau-së

Në çastin kur qeveria uzurpon sovranitetin, kontrata sociale mes qeverisë dhe qytetarëve prishet dhe të gjithë qytetarët privatë rifitojnë, si e drejtë e tyre, lirinë natyrore, dhe mund të jenë të shtrënguar  por jo moralisht të detyruar t’i binden.”(****)

Unë nuk jam eksperte e sistemit zgjedhor në Shqipëri, por kam lexuar aq sa të di se mënyra e qeverisjes shqiptare dhe ligji zgjedhor është deformuar në këtë gjendje nga zelli i ligjvënësve për të krijuar një sistem që t’i mbajë sa më gjatë në pushtet. Kjo është arsyeja që ky ligj po kundërshtohet me forcë në protestë

Gjithsesi në këto radhë doja të flisja për diçka tjetër: konceptin e marrëdhënies së votuesit dhe ligjvënësit shqiptar dhe për marrëdhënien reale të ndërsjellë midis tyre

Përveç tjetërsimit me dhunë të pronës private dhe legjitimitetit të këtij tjetërsimi, luftës së klasave  si një mjet që u përdor për të eliminuar dhe diskriminuar të gjithë oponentët aktualë ose potencialë të regjimit, censurës dhe heqjes të së drejtës së fjalës,  një nga dëmet më të mëdha që regjimi totalitar në Shqipëri i shkaktoi shoqërisë civile shqiptare, ishte krijimi i modelit të njeriut të ri.

Ky model e adhuron liderin politik, i cili është ligjvënës absolut dhe i paprekshëm, e beson verbërisht atë, e pranon me përulje dhe është i gatshëm të zbatojë çdo urdhër, por në thellësi të qenies së tij njerëzore e kupton me dinakëri se kjo bindje, përulje dhe përdëllim do t’i shpërblehen dikur me favore ose privilegje. Pushteti ndërkohë e ruan pozitën nëpërmjet shtypjes po edhe nëpërmjet kësaj marrëdhënieje.  Pavarësisht si propagandohet, në thelb ky model i njeriut të ri nuk është as idealist dhe as naiv. Është pragmatist që e ka kuptuar se çelësi që t’i hap të gjitha dyert janë lidhjet e duhura politike.

Pas ardhjes së demokracisë, megjithë legjitimimin e pluralizmit dhe së lirisë së fjalës, ky  mentalitet, nuk ndryshoi shumë. Privilegjet në bazë lidhjesh politike vazhduan njëlloj ndërkohë që u shtua edhe ryshfeti fillimisht si mjet mundësues dhe më vonë si mjet i domosdoshëm për të zgjidhur çfarëdolloj halli, përfshirë edhe atë të ardhjes në pushtet.

Në këtë kontekst, roli i pushtetarit mbeti për një kohë të gjatë ai që ishte: një idhull i pagabueshëm, i cili e bën gjithçka mirë, të cilin e votojmë verbërisht me shpresën dinake se kjo do të na shpërblehet ose e përkrahim verbërisht, sepse e shohim si polin opozitar të liderit tjetër, të cilin e urrejmë për të njëjtat arsye.

Është pikërisht kjo mendësi, të cilën politikanët shqiptarë kanë ditur ta përdorin shumë mirë për të mbajtur pushtetin. Lehtësia e paçmuar që ofrojnë, në këtë rast, mediat sociale bëri që politika shqiptare ta kthente propagandën në art, duke tërhequr kështu pas vetes jo vetëm votuesit dhe mbështetësit në Shqipëri, por edhe ata në emigracion, të cilët, pavarësisht se mund të kenë filluar të krijojnë një kulturë më të mirë demokratike, e marrin imazhin e Shqipërisë nëpërmjet kësaj propagande.

Në këto kushte, marrëdhënia e pushtetarit me taksapaguesin, si shërbyes dhe jo si idhull, mbeti një koncept pothuajse i panjohur për shoqërinë shqiptare.

Deri në fillim të këtij qershori, kur protestuesit vërshuan në rrugët e Tiranës.

Pavarësisht dyshimeve dhe baltës që është hedhur mbi protestën, antagonizmit dhe polarizimit që ka krijuar në rrjetet sociale mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të saj si dhe indiferencës së atyre që nuk janë pro pushtetit po nuk kanë as interes të ndryshojnë status-quo-në, kjo protestë, tregoi pikërisht atë që dukej pothuaj një kauzë e humbur :

Mendësia e re, sipas së cilës pushtetari duhet të jetë në shërbim të taksapaguesit dhe jo idhull i tij, se dikujt që kërkon votat dhe paguhet me paratë e qytetarëve nuk i lejohet arroganca, por u detyrohet qytetarëve etikë, kulturë polemike, përkushtim dhe transparencë, po ngre krye në ndërgjegjen e shoqërisë civile shqiptare.

Mendoj se është kjo arsyeja që kjo protestë,  është mbase  ngjarja më e bukur qytetare që i ka ndodhur Shqipërisë pas 45 viteve të gjata të diktaturës dhe 36 viteve të gjata të kaosit politik të tranzicionit. Sido që të shkojnë ngjarjet, pjesëmarrja masive dhe prania, sidomos e të rinjve, tregon se dalëngadalë modeli i njeriut të ri totalitar po zhduket dhe po krijohet modeli i njeriut qytetar, që do të dijë të vendosë dhe të kërkojë llogari.

Dhe kjo është A-ja e demokracisë.

(c) 2026 Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Referenca :

(* )  – “The problem is to find a form of association which will defend the person and goods of each associate with the whole common force, and by means of which each one, while uniting himself with all, obeys only himself and remains as free as before.” – Jean-Jacques Rousseau, The Social Contract (1762), Book I, Chapter 6

(**) –   “The Government is merely an intermediary body set up between the subjects and the Sovereign to secure their mutual correspondence.” – Jean-Jacques Rousseau The Social Contract, Book III, Chapter I

(***)  – Sovereignty, for the same reason that makes it inalienable, cannot be represented; it lies essentially in the general will, and the will cannot be represented.” – Jean-Jacques Rousseau, The Social Contract, Book III, Chapter XV

(****) – “The moment the Government usurps the sovereignty, the social compact is broken, and all private citizens recover by right their natural liberty, being forced, but not bound, to obey.” – Jean-Jacques Rousseau, The Social Contract, Book III, Chapter X


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading