Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Histori

FATI I TURQIZMAVE NË SHQIPE

Në diskutimet rreth zëvendësimit të toponimisë “së huaj” në Shqipëri, sillet ndonjëherë, si kundërargument, trajtimi i suksesshëm i turqizmave nga kultura shqiptare, që nga Rilindja e këtej.

Kundërargumenti mund të formulohet kështu: nëse ne arritëm të pastrojmë turqizmat nga shqipja, duke i zëvendësuar me fjalë tonat, pse qenka e pamundur të ndërrojmë tani toponimet e huaja?

Në fakt, arsyetimi nuk qëndron.

Në kulturën shqiptare ka pasur vërtet një lëvizje për t’i pastruar turqizmat, por ajo lëvizje në thelb puriste nuk pati sukses.

Le të kthehemi për një çast në periudhën e Rilindjes, kur një grusht patriotësh po kërkonin të gjenin rrugë për t’i shkëputur shqiptarët nga Perandoria Osmane. Një nga këto rrugë, ishte edhe arsimi dhe kultura, të cilat parakuptonin dhe kërkonin që gjuha shqipe të shkruhej dhe të mësohej në shkolla.

Po si do të shkruhej gjuha shqipe? Dhe më tej akoma, si do të mësohej në shkolla?

Për Rilindësit rol kryesor në këtë lëvizje kulturore do të luante letërsia.

Tani, deri në atë kohë, letërsia shqipe pothuajse nuk ekzistonte, me përjashtim të letërsisë së bejtexhinjve, e cila lëvrohej nga disa poetë.

Për një poet madhor të Rilindjes, si Naim Frashëri, poemat e kushërinjve të tij bejtexhinj Dalip dhe Shahin Frashëri ishin pikë referimi kryesore dhe përfaqësonin të vetmen traditë të poezisë shqipe.

Kujtoj këtu se për Naimin Hasan Zyko Kamberi, një bejtexhi edhe ky, ishte më i madhi poet i gjuhës shqipe.

Letërsia e bejtexhinjve i përkiste një kulture të cilën Rilindja po gatitej ta mohonte: në përmbajtje dhe në formë. Nuk po zgjatem në çështje të përmbajtjes, por po kujtoj vetëm se forma poetike e bejtexhinjve ishte në thelb e tëra e huazuar nga modele orientale, përfshi këtu edhe fjalorin poetik.

Naimin e kanë quajtur ndonjëherë “bejtexhi pa bejte”, dhe me të drejtë: ai e mori traditën e bejtexhinjve dhe e çoi përpara, por duke e pastruar nga orientalizmat (ose “turqizmat”, siç i quajmë ne sot, dhe siç do t’i quaj unë tash e tutje në këtë shkrim; termi orientalizëm është më i saktë, sepse shumë nga këtu të ashtuquajtura “turqizma” janë në fakt fjalë arabe dhe persiane që përdorte osmanishtja e kohës, por le ta bëjmë një kompromis për hir të qartësisë).

Nëse përpiqemi sot të lexojmë një tekst të një poeti bejtexhi, nuk do të arrijmë dot; për shkak të turqizmave që gjenden aty. Nuk është e sigurt, për filologun e sotëm, nëse këto fjalë që përdorin bejtexhinjtë kanë qenë përdorur edhe në shqipen jashtë modeleve poetike apo jo. Tahir Dizdari i ka futur në fjalorin e vet të orientalizmave, por ai fjalor i përmbledh të gjitha instancat e orientalizmave, pavarësisht nga statusi i tyre.

Gjithsesi, Naimi ishte poeti që e ndërmori hapin kritik dhe shkroi një poezi e cila i shkëputi lidhjet leksikore dhe stilistike me rrymën e bejtexhinjve, pikërisht duke mënjanuar fjalët orientale nga leksiku poetik.

Kjo që bëri Naimi me të tjerë, ishte pastrim vërtet – por jo i gjuhës shqipe, sesa i një regjistri specifik të kësaj gjuhe, atij poetikut.

Përndryshe, statusi i turqizmave në shqipe ka qenë gjithnjë problematik.

Dihet se ndikimi i osmanishtes në shqipen ka qenë kryesisht urban, ose ka depërtuar fillimisht në qendrat urbane dhe vetëm shumë më vonë është përhapur edhe në zonat rurale. Për këtë arsye, të folmet e qyteteve kanë pasur shumë më tepër turqizma sesa ato të fshatrave.

Turqizmat në shqipe hynë së bashku me kulturën osmane: kulturën materiale (jetesa e përditshme, mallra konsumi, zeje, veshje), kulturën shpirtërore (leksiku fetar), kulturën ekonomike dhe juridike, dhe kulturën shtetërore-administrative.

Bëjmë mirë t’i këqyrim si pasqyrim të periudhës osmane në gjuhën shqipe.

Me shkëputjen e Shqipërisë prej sferës kulturore osmane, numri i turqizmave në përdorim do të vinte duke u ulur natyrshëm. Teksa qeveritë shqiptare i kthenin sytë nga Perëndimi, një numër i madh fjalësh që lidheshin me botën osmane do të dilnin vetvetiu nga përdorimi. Kush kishte më nevojë për bimbash, sadrazem, kadi, vali, vezir, mytesarif dhe qatip, në rrethanat kur këto figura profesionale u zhdukën nga qarkullimi?

Veç kësaj, një numër i madh turqizmash kishin hyrë në shqipe pa nevojë; meqë shqipja i kishte fjalët përkatëse. Për shembull, kishin hyrë dhe përdoreshin fjalë si zaman dhe sene, edhe pse shqipja i kishte fjalë si kohë dhe vit. Gjuha zakonisht nuk i duron dot sinonime të tilla absolute; dhe kur letërsia shqipe që po lëvrohej rishtas nisi të hedhë në qarkullim fjalë thjesht shqipe, atëherë barasvlerat e tyre në turqisht nisën të dalin nga përdorimi.

Në masë të madhe, një ligjërim shqip i mbytur nga turqizmat po kthehej në shenjë dalluese të shtresës së mesme qytetare të kultivuar nga Perandoria Osmane, e cila përçonte, nga qendra drejt periferive, vetë pushtetin osman. Jo rastësisht, kjo shtresë e mesme qytetare do të konsumonte jo vetëm marrëdhëniet ekonomike, tregtare, juridike, fetare dhe politike të kohës, por edhe disa aspekte kulturore tipike të periudhës, siç ishte letërsia shqipe me alfabet arab, ose e bejtexhinjve.

Përhapja sociale e turqizmave në shqipe nuk ndikohej aq nga ndarja në myslimanë e të krishterë, sesa nga ndarja qytet/fshat; mjaft të lexojmë disa poetë katolikë shkodranë të fillimit të shekullit XIX (Leonard De Martino, Pjetër Zarishi), për të parë se deri në ç’masë kishin depërtuar këto turqizma në shqipen “e kultivuar”. Përkundrazi, fshati shqiptar kishte mbetur relativisht i paprekur prej tyre, sidomos sa i përket leksikut abstrakt dhe të kulturës.

Sa më shumë që punëtorët e gjuhës dhe të shkollës shqipe, të shumtë dhe të përkushtuar gjatë Rilindjes, nisën të vënë në dispozicion të folësve fjalë shqipe të mirëfillta, aq më problematik do të bëhej statusi i turqizmave në shqipe, në fillim të folur, pastaj të shkruar.

Këtu duhet pasur parasysh edhe se turqizmat kishin hyrë relativisht vonë në shqipe dhe nuk ishin integruar dot mirë në sistem; p.sh. nuk ishin bërë produktive, duke u ofruar si tema për fjalë të tjera, por kishin mbetur relativisht si mish i huaj, leksikisht të izoluara. Veç kësaj, pjesa më e madhe e tyre ishin emra, ndërsa foljet ishin fare të pakta; çka e kufizonte edhe më aftësinë e tyre për të ndërvepruar në gjuhë – po të kihet parasysh se nga foljet mund të kalohet lehtë në emra prejfoljorë abstraktë të veprimit dhe në gjithfarë mbiemrash prejpjesorë, etj. Të krahasohet, bie fjala, defter me fletore dhe të vihen re lidhjet horizontale të së dytës me fletë, shfletoj, etj.

Fati i turqizmave të shqipes u vendos nga një konvergjencë: vullneti i Rilindësve për ta pastruar gjuhën nga turqizmat konvergoi me vjetërimin e vetvetishëm të turqizmave, për arsye historike (shkëputja e Shqipërisë nga bota osmane).

Praktikisht të gjithë shqiptarët mësuan të shkruajnë shqip me tekste të ndërtuara sipas parimeve gjuhësore të Rilindjes. Turqizmat që mbijetuan gjatë gjysmës së parë të shek. XX, mbijetuan në ligjërimin e folur, të shtresës kryesisht analfabete të popullatës.

Ndërkohë, falë mendësisë së Rilindjes dhe një zgjimi të përgjithshëm të krenarisë kombëtare, por edhe kthimi të vështrimit kulturor drejt Perëndimit, elitat në Tiranë, në Shkodër, në Korçë, në Elbasan dhe në Gjirokastër do t’i konsideronin turqizmat e shqipes si shenja të një mendësie orientale, anadollake, turkoshake, nga e cila do të distancoheshin me përkufizim, për të merituar statusin e tyre të ri si elita kombëtare të Shqipërisë. Brenda një shekulli, statusi i turqizmave në ligjërimin joletrar u përmbys: nga mishërim i mendësisë urbane perandorake, në mishërim të mendësisë së prapambetur, fshatarake, provinciale të shqiptarit të vjetër, që i kishte mbetur ora “në kohën e turkut.”

Ndërkohë, purizmi – që është gjithnjë i gabuar – kishte filluar të jepte efekte anësore të padëshiruara, duke e varfëruar shqipen letrare. Noli, që ishte ndoshta i pari shkrimtar shqiptar që ia pa shqipes së re mangësitë e mëdha, kur e ballafaqoi me gjuhë dhe shkrimtarë madhorë në punën e vet si shqipërues, u detyrua… t’i kthejë disa turqizma në shqipen e vet poetike; dhe këtu s’e kam fjalën për poezi satirike, si Kënga e Salep Sulltanit, por edhe për poezi të stilit të lartë, si ato për Bajram Currin dhe Luigj Gurakuqin.

Me Nolin ndodhi kështu një tjetër ndërrim paradigmatik; që nga ajo kohë, turqizmat nuk është se u dëbuan nga gjuha në mënyrë të padiskriminuar, por vetëm u rivlerësuan nga pikëpamja stilistike ose e përdorimit. Kjo do të kërkonte, gjithsesi, shumë kohë për t’u realizuar.

Një koleg, në një koment të lënë në temën tjetër, shkruante – po parafrazoj – se pse qenka kaq e vështirë të ndërrohen toponimet e huaja, kur janë ndërruar “fjalët tenxhere dhe penxhere.” Në fakt, komenti është tipik për të ilustruar pështjellimin në mendjen e njerëzve, kur vjen puna për turqizmat e shqipes. Tenxhere dhe penxhere nuk janë ndërruar – të gjithë i dimë dhe i përdorim. Çfarë ka ndryshuar, është statusi i tyre – veçanërisht për penxhere, e cila është zëvendësuar, në tekste neutrale (p.sh. një manual i arkitekturës), nga dritare, që është neologjizëm (fjalë e krijuar në tavolinë). Penxhere, ndërkohë, është kufizuar disi në përdorim, duke fituar edhe ngjyrim stilistik.

Kjo u ka ndodhur tashmë shumë turqizmave: nuk janë larguar krejt nga gjuha, por vetëm janë “shënjuar” stilistikisht, nëpërmjet një procesi në thelb letrar, që e ka pasuruar gjuhën. Të krahasohet, p.sh. fjala dynja me fjalën botë; unë besoj se shqipja vetëm ka fituar, duke i mbajtur të dyja fjalët, sepse dynja jep disa nuanca specifike, të cilat botë nuk i jep dot.

Mund të thuhet, pa e tepruar, se sot turqizmat janë një pasuri e rrallë e shqipes, e cila gjen shprehje në regjistra të caktuar gjuhësorë, sidomos në letërsinë satirike, në teatër, dhe në përgjithësi në ligjërimin bisedor. Madje ligjërimi bisedor, si sistem i pavarur nga dialektet – ose diferencimi gjeografik i shqipes – nuk do të krijohej dot pa rehabilitimin stilistik të turqizmave.

Rilindësit vërtet u nisën të “pastrojnë” shqipen, sepse e tillë ishte koha. Njëlloj si shqipja ishte pastruar më parë greqishtja (nga turqizmat) dhe rumanishtja (nga sllavizmat); më pas, të njëjtat “turqizma” (në fakt, orientalizma) që u dëbuan prej shqipes do të dëboheshin edhe prej turqishtes moderne, krahas me ndërrimin e alfabetit në atë gjuhë.

Megjithatë, pastrimi nuk është asnjëherë politikë gjuhësore e mirë. Një nga kritikat që i kanë bërë Naimit, sidomos nga Shkodra, ka qenë se gjuha e tij tingëllon e sheshtë, për të mos thënë e varfër; dhe gjithsesi monotone. Në fakt, po të nxirret nga konteksti historik dhe letrar i kohës, gjuha e Naimit ashtu është: artificiale, e varfër në mjete leksikore, e sheshtë. Mirëpo kritika vetë është anakronike, sepse harron të marrë parasysh sa eksperimental ishte Naimi; dhe sa e re do të ketë tingëlluar shqipja e tij, në veshët e shqiptarëve të kohës.

Gjithsesi, kjo është çështje tjetër. Çfarë dua të theksoj, është se purizmi, si politikë gjuhësore, nuk funksionoi – dhe nuk mund të funksiononte, me gjithë zellin me të cilin u zbatua ndonjëherë. Ndoshta shërbeu në fillim, kur duhej vendosmëri dhe sakrificë, për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane dhe përqafimi i saj politik, ekonomik dhe kulturor; por kjo nuk ishte arsye për ta sanksionuar si politikë zyrtare në pavarësi nga rrethanat.

Përkundrazi, politikë e drejtë me turqizmat e shqipes do të rezultonte disiplinimi i tyre – i cili u arrit shkallë-shkallë, krahas me lëvrimin e shqipes si gjuhë polifunksionale, veçanërisht në sferat e letërsisë, të teatrit, të filmit, të televizionit. Sa më i artikuluar bëhej ligjërimi shqip, aq më shumë kishte nevojë për diferenca – të cilat do t’i përmbushte, ndër të tjera, edhe duke shfrytëzuar thesarin leksikor të turqizmave, të cilin më kot ish përpjekur ta groposte krahu më radikal i Rilindjes.

Prandaj sot fjalë si tenxhere dhe penxhere janë pasuri e paçmuar e shqipes, me kusht që të përdoren nga një publik me arsimin dhe kulturën e duhur gjuhësore.

Pa Komente

  1. ”’Prandaj sot fjalë si tenxhere dhe penxhere janë pasuri e paçmuar e shqipes, me kusht që të përdoren nga një publik me arsimin dhe kulturën e duhur gjuhësore.”’

    Penxhere eshte plake e harrueme, tenxhere ben qendrese.
    Turqizmat u debuan ne mase, duke hapur keshtu terrenin per mbjelljen e fjaleve shqip.
    Jemi pertace ne mendim dhe te paafte ne abstraksion prandaj edhe importojme ne vend qe te mbjellim.
    Gjuha u takon klerikeve dhe filozofeve, pastaj e marrin shkrimtaret, pastaj gjuhetaret dhe ne fund perkthyesit.
    Keshtu eshte linja e zhvillimit te nje gjuhe, nga a-ja tek zh-ja, vetem se ne po e konceptojme nga zh-ja tek a-ja, ne fillim perkthyesi, gjuhetari e konfirmon ose jo, pastaj e perdor shkrimtari dhe ne fund klerike e filozofe.

    Shqipja po ndjek pikerisht ate rruge qe nuk duhet ndjekur.

    1. Hyllin, mendo vetëm këtë për një sekondë: fjalën penxhere e dinë edhe fëmijët, sot e kësaj dite. Nuk është zhdukur nga shqipja si gjuhë, vetëm është ndaluar të hyjë në disa ngastra të shqipes si ligjërim. Janë dy gjëra të ndryshme. Fëmijët shkojnë në shkollë dhe atje (idealisht) mësojnë se ku duhet të përdorin dritare dhe, tërthorazi, ku duhet të përdorin penxhere. Kjo është pasurim dhe pasuri.

  2. Ky fati i trajtimit te Naimit deshmon mjaft mire se uniteti i kultures shqiptare eshte thuajse i pamundur, pse pika takuese eshte e veshtire per t’u gjetur. Ta zeme nga nje kritike per monotoni dhe zbrazeti gjuhesore kalojme ne cilesimin e tij si poet kombetar, i dashur dhe guru edhe per nje si Rexhep Qosja. fati i turqizmave ne gjuhen shqipe, pra veshtrimi i tyre si dicka jashte kohe ne ligjerim gjen analogji edhe me fjale te shqipes qe sot kane dale nga perdorimi. P.sh me pare ne Jug, pleqte thoshin “ta deftoj une”, kurse sot kemi “ta tregoj”. Nese deri dje per te kercenuar perdorej p.sh “ta navas une”, sot kemi “ta rregulloj une”, ose edhe prape “ta tregoj”. Perdorimi i dyfishte i “ta tregoj” nuk me duket se ka sjelle ne emer te pastertise ndonje pasurim. Une pajtohem me ate qe thuhet se turqizmat jane nje pasuri e shqipes, por ato me thene te drejten kane fituar nje kuptim te ri stilistik per brezin e ri edhe per shkak te kontekstualizimit te tyre nga kinematografia e kohes se mepareshme.
    Ne planin toponimik eshte me vend te thuhet se periudha osmane edhe pse e gjate luajti nje rol konservues per emertesat e vjetra dhe ato shqipe, sikurse per ato shqiptare. Me pak perjashtime duhet te shohim se p.sh Manastiri u be Bitola vetem ne shekullin e 20-te, Elbasani eshte nje perjashtim ne rrethana te caktuar specifike. Perndryshe asnje permbysje nuk vihet re sikunder ne periduhen e depertimit sllav. Kjo le te shihet edhe si paradoks per ata qe ndikimin e strukturave te organizuara shteterore e shohin si mjet te padiskutueshem ne ndryshimet toponimike. Per ata qe duan te shohin se Shqiperia mes Lindjes dhe Perendimit jep kopmponentin shqiptar ketu http://www.youtube.com/watch?v=183wXlsOG6M, mund te degjojne nje konvertim te reduktuara ne maksimum. Eshte pjese e kultures urbane se sotme, ku turqizma ka mbetur vetem ne vije melodike.
    Se fundmi mendoj se edhe kryeministri Sali Berisha lexon blogun, ose homologohet me te ne tematike edhe pse nga interesa te ndryshme. Ja cfare thote ai sot (10 gusht) per sa i perket temes se trajtuar ne shkrimin e meparshem:

    “Së pari, kombi drejt detit. Ky është shansi historik i yni. Ne duhet të bëjmë që kombi të kthejë sytë nga deti. Me ndonjë përjashtim të vogël këtu, nuk mund ta besojnë se i tërë bregu shqiptar nuk ka pasur as tre fshatrat peshkatarësh. Edhe ata që jetonin në breg si kurorë të mikpritjes kishin qengjin. Historia, invazionet na kishin bërë që të gjenim strehë në male, se aty mbroheshim më mirë. Kjo është e vërteta. Por deti është ushqim, pasuri, është mundësi shumë e madhe. Duke mos i braktisur ato, pasi aty kemi edhe projektet më madhore si projekti i arrorëve dhe zhvillimi i zonave turistike, natyrisht, kombi sytë duhet t’i ketë nga deti. Ky është një shans historik”.
    Ndoshta e ka ngaqe eshte vete nga mali dhe kerkon te legjitimohet. Kombi drejt detit. Kush eshte Kombi ne kete rast?

    1. Edhe kuptimi keqësues, që kanë marrë shumë turqizma, është pjesë e pasurimit të shqipes; çdo gjuhë ka nevojë për fjalë që ta përcjellin këtë lloj ngjyrimi.

      Në paraqitjet ligjërimore shprehëse – letërsi, film, teatër, televizion – turqizmat ndihmojnë për të ruajtur, në ligjërim, strukturat dhe shtresat e shoqërisë shqiptare si të tillë, ose pavarësisht nga format dialektore, të cilat janë, tek e fundit, gjeografike.

      Në këtë kuptim, turqizmat kanë luajtur dhe luajnë – me përulësi të madhe – një rol bashkues për shqiptarinë të cilin deri më sot nuk ua ka vlerësuar kush.

    2. Theologos : _“Ne planin toponimik eshte me vend te thuhet se periudha osmane edhe pse e gjate luajti nje rol konservues per emertesat e vjetra dhe ato shqipe, sikurse per ato shqiptare. Me pak perjashtime duhet te shohim se p.sh Manastiri u be Bitola vetem ne shekullin e 20-te, Elbasani eshte nje perjashtim ne rrethana te caktuar specifike. Perndryshe asnje permbysje nuk vihet re sikunder ne periduhen e depertimit sllav. Kjo le te shihet edhe si paradoks per ata qe ndikimin e strukturave te organizuara shteterore e shohin si mjet te padiskutueshem ne ndryshimet toponimike”

      Ky eshte vertet nje paradox,duket si e vertete por nuk eshte. Edhe sikur ta pranojme si nje perjashtim Elbasanin, kete perjashtim nuk mund ta zgjerojme sa te duam se pastaj behet ligj, dmth nuk mund te cilesojme si perjashtim edhe Tepelenen,edhe Kavajen, dhe keto jane toponime turke.Dhe te mos harrojme jane qytete, ose te pakten kur moren keto emra nuk ishin fshatra me pese kasolle dhe sigurisht nuk kishin emra turke..

      Ne anen tjeter cilit qytet arber ia ndryshuan emrin sllavet? I vetmi qe mund te konsiderohet eshte Berati ( Beligrad) por dhe ky eshte rast hipotetik sepse nuk ka ndonje prove nese ishte toponim i ri apo kalk i emrit te vjeter.Kur u emertuan nga sllavet Korca dhe Pogradeci ishin fshatra e mbi te gjitha ishin vetem 5 km larg Ohrit dhe do te ishte vertete perjashtim te ruanin emrat e vjeter. Por edhe Berati ishte afer Ohrit dhe do ta ndjente forcen e pushtetit sllav, me tej Ballshi vetem u kalkua ne Gllavinica , megjithese Klementi kishte tre saraje atje dhe ishte nje qender e fuqishme kishtare sllave.Keto shembuj provojne pikerisht ndikimin e strukturave te organizuara shteterore, perkatesisht bullgare.

      Fakti qe emrat e qyteteve nuk jane nderruar eshte nje prove shume e forte e autoktonise dhe perkunder pikpamjes se Selishcevit se arberit erdhen pas sllaveve. Por kur flasim per toponimet besoj se kemi parasysh vendbanimet e vogla, fshatrat , qe jane teper te cenueshme qofte nga levizjet e lira te popullsise qofte nga ato te detyruara, dmth forca e pushtetit.

      Nga ana tjeter nuk mund te vihet shenja e barazise midis situates arbere ne shek.X dhe shek.XV, por as edhe midis synimeve e politikave bullgare dhe osmane.Bullgaret kerkonin ekspansion etnik, turqit jo, pa vene ne dyshim ate gjeografik qe eshte ne themel te cdo perandorie ne zgjerim, pra per te dyja. Kjo do te thote qe presioni osman ishte shume me i ulet se ai bullgar, e megjithate ndonse pa kolone , pati nje efekt te dukshem qe eshte present edhe sot. Dhe ky eshte efekt i strukturave shteterore. Nese kete efekt te strukturave e pranojme per turqit , nuk ka arsye te mos e pranojme edhe per bullgaret.

      Fakti qe toponimet sllave ne Shqiperi para pushtimeve bullgaro-serbe nuk jane me teper se dhjete , flet vete per efektin e strukturave.

  3. Femijet mund ta dine ende fjalen penxhere se e kane degjuar nga gjyshet, po veshtire se ndokush thote , mos e hidh nga penxherja ose pastro penxheren.
    Fjala tenxhere perdoret gjeresisht, sepse mungon ‘dritarja’ e saj.

    Keto fjale jane jo vetem kalk, si çdo huazim, por e shprehin shpesh, sidomos kur jane te tmerrshme fonetikisht, natyren e tyre kalke.

    Marrim psh luge e garuzhde, nga luge mund te vije fare lehte i luget, biles edhe lugoj,lugesi, nese do doja fjale per konvekse, po nga garuzhde veshtire se do formoheshin dot i garuzhdet, garuzhdoj, garuzhdesi.
    Fjala shqip(ose fonetikisht shqipe dok ) ne kete rast ofron hapesira qe fjala garuzhde s’i ofron.

    Prandaj edhe huazimet qe te integrohen vertet ne gjuhe dhe te japin ndihmesen e tyre duhet te duken fonetikisht shqipe dok.

    Konvekse, shqipen e tremb, po keshtu nje thes me turqizma, jane shume fjale te renda fonetikisht qe i shtyjne folesit te mos riprodhojne fjale me ato rrenje.
    Perndryshe çdo fjale shqip eshte e afte te sherbeje si rrenje per fjale te reja.

    Sallagrazhda si toponim te ben sallagrazhdes apo sallagrazhdiot, ne kete rast toponimi as per perkatesine e banorit nuk vlen, se te shtie friken.

    Qe nje fjale ti shtjere frike shqiptarit, vertet qe ky duhet te mundohet shume mes fjaleve shqip per te krijuar nje te frikshme, perndryshe e ka relativisht te thjeshte duke marre nga fondi i huazimeve, sidomos atyre te reja, qe kane fatin e keq te hyjne pa pesuar shqiptarizimin e mirefillte fonetik.

    1. Po edhe vetë fakti që fëmijët e dinë këtë fjalë (penxhere), por dinë edhe se ajo nuk duhet përdorur në kontekste neutrale, a nuk është provë se fjala e pasuron gjuhën, duke sjellë me vete rregulla specifike të përdorimit të saj, aktiv dhe pasiv?

  4. Besoj se kjo fjale pas nja 2-3 brezash do zhduket fare, biles edhe kenget me penxhere, po qe se do degjohen akoma, do cysin femijet te pyesin se ç’domethene penxhere.
    Dritare dhe penxhere jane identitike ne kuptim dhe si e the vete, shqipja nuk para i ka qejf sinonime te tilla, keshtu qe jane fjale ne lufte me njera-tjetren.

    Ruajtja e ketij dualizimi dritare/penxhere, mund te vije vetem per shkak te vleres se forte simbolike qe mbart kjo ‘beteje’ dhe vete shoqeria e ka zgjedhur fjalen dritare si simbol i se ardhmes, prandaj ashtu si trimi ka nevoje per kuçedren edhe dritarja mund te kete nevoje per penxheren’.

    Vetem ne kete kendveshtrim mund te rroje fjala penxhere, pak a shume deri tani per kete arsye po kalon ne brezat e rinj, si shembulli par excellence dhe ne kete teme per kete arsye po e perdorim.

    1. Sinonimet që diferencohen mes tyre për nga sfera e përdorimit (ose regjistri ligjërimor) nuk janë më sinonime absolute. Këtë kisha parasysh kur fola, në shkrim, për disiplinim. Disiplinimi si politikë gjuhësore u gjen vend fjalëve, në vend që t’i dëbojë në mënyrë jodiskriminative.

  5. Për mendimin tim, gabimi fillon qysh në momentin kur pretendohet të shqiptarizohet gjuha, të “përkthehen toponimet”, të kemi një fjalë shqiptare për çfarëdolloj sendi/fenomeni/dukurie. Është disi e çuditshme që diskutime të tilla lindin në një moment historik si ky i yni.

    Ne po jetojmë në një nga ato periudhat ku gjuha shqipe përdhunohet çdo ditë në nivele të ashtuquajtura elitash. Mjafton që secili prej nesh të dëgjojë një orë mësimi në universitet, ose një fjalim të një politikani, për mos të kalur te shkrimet e botës juridike (avokatë, noterë, gjyqtarë), për të kuptuar se ku ka arritur shqipja, pa qenë nevoja që dikush nga jashtë të na pushtonte e impononte fjalë të huaja.

    Më vjen për të qeshur kur mendoj se edhe fashizmi në Itali (dhe për shumë aspekte edhe në Shqipëri) e konsideronte si diçka parësore pastërtinë e italishtes, dhe prej atëhere lindën fjalë të çuditshme (autorimessa për të thënë garage; automobile për të thënë macchina; etj etj). Si çdo gjë e imponuar dhe artificiale ato sot quhen si fjalë italishte të vdekura, dhe të shikojnë si me të tallur nëse i përdor.

  6. Interesante per tu permendur ketu eshte fakti se vete elitat osmane duke dashur te farketonin identitetin turk ne fillim shekulli e post perandori osmane, filluan te ‘turqizojne’ fjale me origjine arabe e perse, por edhe fjale me origjine nga perendimi (psh ne turqisht kompjuterit i thone bilgisayar, nje perkthim i fjale per fjale i ordinator-it ne frengjisht, ie. numerues/rendites dijesh). Nje gjuhetar osman duke kritikuar kete levizje puritane te ketyre ‘turqizuesve’ te gjuhes pat thene se po ti heqesh turqishtes fjalet perse dhe arabe, ato qe ngelen jane vetem 300 fjale qe shkojne nga kali tek tenda duke qene se ne origjine turqit ishin nomadike.

    Ps. E di njeri qe fjala ‘nejse’ eshte turqisht? Keshtu po aq vetetimthi sa fjala penxhere apo divan?

  7. Prokopi i Cesareas, ne Historine e luftrave te Justinianit flet se ne epoken e tij, nje sere vendesh ne Ballkan kishin filluar te banoheshin ne menyre te perhershme nga sllavet. Ai jep tekstualisht nje numer te konsiderueshem vendesh me emra sllave. KJo zone korespondon me Serbine qendrore dhe me veriun e Bullgarise. Po te kihet parasysh se sllavet ne kohen e Prokopit s`kishin shume qe ishin dukur ne skene, dhe qe brenda kesaj kohe te shkurter ata kishin arritur ne menyre efektive ta nderronin toponomine deri ne ate piken sa edhe historiani e pa te nevojshme ti regjistronte, kjo tregon se ndryshimi i emrave ka qene nje modus operandi, efketiviteti i se ciles mund te spjegohet vetem me shkaterrimin e status quo-se se ekonomi dhe politike ne terren, nga te ardhurit e rinj.
    Qendresa a fundit ne Ballkan nga Bizanti u be me perpjekjen per krijimin e nje vije fortifikimesh te tipit Maginot, ne kufirin e ri me slave.
    Nje nga qendrat kufitare me te fortifikuarat e me te medhate ishte Smirnum, apo Mitrovica e sotme. Ajo u mor nga slave ne 582, dhe qe nga ai moment Ballkani, deri ne Peloponez dhe vete Konstantinopoje u besh sheshi i lodrave te sllaveve.

    Por shkaterrimi i satus quo-se ne ekonomi dhe politike, do te jete shoqeruar patjeter edhe me shkaterrimin e status quo-se ne fe.
    Ballkani/ Iliria/ Greqia ishin te krishtere. Sllavet e viteve 550 ishin pagane. Dhe mbeten pagane deri ne kohen e Konstantinit dhe Methodius-it, ne vitet 860.
    Pra plot 300 vjet Ballkani/Iliria ishin nen pagane. Por qe arberit do t`i kene mbijetuar asimilimit te cdoanshem , kjo mund te shihet sidomos ne fjalorin dhe ritualin e katolicizmit shqiptar, dhe jo vetem. Me njeren kembe ne epoken e para shk 6 dhe me tjetren mbas shekullit te 9, ata duhet te jene pjese e te njejtit trup. S`me duket se ka spjegim tjeter.

    Qe albanici u bene nje element i pamenjanueshem ne mesjete, mund te arrihet ne kete perfundim nga vete fakti qe Car Dushani, nje sundues shume i sukseshme, i permend ata si popull kushtetues i mbreterise (perandorise) se tij – duke e quajtur veten perandor te serbve, greve, bullgareve dhe shqiptareve.

    Here pas here shqiptaret, cuditerish dhe kunder cdo lloj shanci e garancie, kane qene ne gjendje te dalin ne siperfaqe, madje edhe si protagonist.
    Edhe e sotmja, eshte vala e radhes ( perfshire ketu edhe procesin e nderrimit te emrave)

  8. “Prokopi i Cezarese” i themi ne ketej “nahija” jone kronikanit te Justinianit! Nejse, po regjistri ligjerimor i shqipes ben pjese ne listen e vyer te trashegimise sone kulturore jomateriale. Cdo shoqeri vendos vete cfare do te ruaje, te transmetoje (disiplinoje) nga kjo lloj trashegimie e saj per brezat e ardhshem dhe me duket se cdo prurje nga gjuhe te tjera te cilat kane lidhje me periudha te caktuara historike te vendit jane vecse pasuri!

  9. Xhaxha, me sa kuptoj une, ne pergjithesi te jap te drejte ne kete ekspozene tende, por kam frike se here pas here e tejkaloni.Se pari, kete kujdesin tuaj per barbarizmat nuk e kam hasur ne asnje nga studjuesit e gjuhes qe kam pasur rastin te lexoj.Sigurisht ky nuk eshte argument, sepse ti mund te kesh te drejte perkunder te gjitheve, thjesht me ben pershtypje.

    Ne rastin e “penxhere” besoj se mund ta klasifikojme ne fjalet e rralla tashme, qe ne perspektive ka fatin te humbase gradualisht por perfundimisht.Nga ana tjeter nuk shikoj ndonje nuance kuptimore qe na shtrengon ta ruajme, pervec asaj historike, por kjo eshte shume pak per te mbijetuar ne te folmen vulgare. Po sjell nje shembell tjeter : “ dhaskal” , jo dhe aq shume kohe me pare perdorej krahas me “ mesues” por me nje kuptim perkeqesues, t’i thoshje nje mesuesi dhaskal , ishte ta fyeje.Sot eshte nje fjale e harruar, megjithese kishte nje nuance te vecante dhe u harrua pa ndonje urdher nga lart. Me tej akoma, “ meleq”, “xhebrail”…ishin fjale nga me normalet ne kohen e gjyshes sime , sot “meleq” eshte bere “ engjell”, megjithese edhe ky vete eshte po ashtu nje huazim.Por ketu vihet re nje tendence perkunder huazimeve turke, sllave po ashtu edhe greke per arsye te njohura,por jashtegjuhesore.Huazimet perendimore jane shume me te mirepritura. Ajo qe dua ate them , eshte se a do te kete ndonje shperblim energjia e harxhuar per ruajtjen e tyre , e kam fjalen per turqizmat .

    Duke u kthyer tek toponimet. Ashtu sic ka nje “ligj ekonomik” per fjalen , ka edhe per toponimet. Ne fakt ky eshte nje ligj i pergjithshem, eshte ligji i ekuilibrit,qe do te thote ligji i energjise minimale.Nje toponim qe nuk ia merr dot kuptimin kerkon me teper energji se sa nje qe eshte lehtesisht i kuptueshem.Psh, ‘Bistrica’ nuk i thote asgje perdoruesit shqipfoles dhe kerkon nje extraenergji per t’u orientuar. Kurse “Lumebardha’, me te cilen eshte zevendesuar tashme ‘Bistrica’ ne Kosove , i jep te kuptoje automatikisht se behet fjale per nje lume , se eshte me rrjedhje te shpejte pra malor, sepse eshte i bardhe , pra i shkumbezuar.Ne nje kuader afatgjate ligji i ekuilibrit do ta shtyje shqipfolesin detyrimisht drejt “Lumebardhe” sepse eshte nje ligj natyror , qe gjykimi njerezor edhe po ti behet barrikade, nuk e pengon dot. Po sjell nje prove per kete: sllavet malazese e therrasin vendin e tyre “Crna gora” kurse ne “Mali i Zi”, italianet “Montenegro”, kurse Serbine te gjithe e therrasin Serbi, edhe serbet, edhe shqiptaret, edhe italianet.Arsyeja eshte se ne rastin e pare kalku “Mali zi’ ka kuptim kurse ‘Serbi’ asnje per shipfolesin.. Folesi duke e shqiperuar ia ben me te lehte punen vetes.Kjo eshte nje tendence natyrore ndonse konsumon shume kohe , por dhe fjalet jane po ashtu jetegjata..

    Per toponimet sllave ne Shqiperi, dhe ne pergjithesi per gjithe toponimet e huaja,une e shoh me skepticizem mundesine e nderrimit masiv te tyre, por nuk shoh arsye per t’iu kundervene, nese ndonje apo disa mund te nderrohen me konsensin e banoreve , le te nderrohet.

    1. Fatma, unë jam për atë që gjuhës duhet t’i qasemi me shumë kujdes, dhe kryesisht me ndërhyrje të lehta mirëmbajtëse.

      Nuk them se duhet nxitur përdorimi i turqizmave; nëse kultura nuk ka më nevojë për to, gjuha do t’i mënjanojë vetvetiu.

      Përkundrazi, them se nuk duhet nxitur mënjanimi i tyre – diçka krejt tjetër. Ideja e pastrimit të gjuhës i përket një koncepti romantik, madje biologjik për gjuhën, që tashmë është diskredituar.

      Gjuha nuk është kopsht, që duhet mbajtur pastër nga bari i keq.

      Metafora e kopshtit vlen për ligjërimin vetëm; për shembull, në qindra mijëra fjalë që kam shkruar unë në këtë blog, vështirë se gjen ndonjë turqizëm. Jo se unë kam ndonjë alergji ndaj kësaj klase fjalësh, por sepse regjistri ku shkruaj unë – shqipja publicistike – nuk i pranon turqizmat.

      Përndryshe, unë nuk besoj fare në sinqeritetin e këtyre që kërkojnë zëvendësime toponimesh sot. Qofsha i gabuar, por shoh rrezikun e një populizmi provincial dhe fashist prapa kësaj orvatjeje – ose të një lloj ideologjie të cilën Ballkani e pjell vetvetiu.

      Sot zëvendësohen emrat, nesër mund të zëvendësohen banorët. Purizmi fillon me spastrime fjalësh, por mund të përfundojë me spastrime etnike. Le t’i mbajmë sytë hapur: nuk është hera e parë, në Shqipëri, që i sheh kalamajtë të luajnë me kallashë.

      P.S. Unë nuk besoj që motivimi leksikor është një plus, kur është fjala për toponimet. Madje mendoj të kundërtën. Energjia mendore që shpenzohet gjatë motivimit veç zhvendos vëmendjen. Çfarë lidhje ka midis Malit të Zi dhe një mali të zi? Absolutisht asnjë lidhje, përveçse ai emër i ka mbetur shtetit, për një arsye të pakuptueshme (me siguri ka një arsye, por shqiptari nuk e di këtë). Sa qindra mijëra herë kemi pyetur, veten ose të tjerët, se ç’do të thotë Mali i Zi? Gjithsesi, Mali i Zi nuk është mal i zi; as eksperienca e një mali të zi, nuk na bën të mendojmë për shtetin përkatës. Është vetëm një zhurmë leksikore, një bezdi, po aq e panevojshme sa edhe mundësia që, një njollë lagështie në mur, t’i ngjajë hartës së Shqipërisë.

    2. Po qe banoret e zonave ku sot ka sllavizma thjesht jane larguar ne mase qe andej dhe i jane drejtuar qyteteve tona te dashura, ose Tiranes, alias Sllapuzhanka? Si i behet qe nje njeri qe eshte larguar nga fshati i tij prej vjetesh te tera, kerkon te kthehet neser te pleqeroje aty, e ka krenuar veten me origjinen e tij, te ciles kerkon ti rikthehet? Jam nga Zagoria, por pse keshtu do larua Kreshnik Spahiu, do vdes ne Koder-Fshat? Po c’eshte kjo mo? Po me keto emra qe doni te vini ju sic na i solli ai patrioti me shat ne dore nuk tregon dot me nje perralle a derebardhe.

  10. Xhaxha,

    si ne rastet me pare edhe tani po kam probleme me primordializmin qe ndoshta te rreshket padashje kur shkruan per shqipen dhe shqiptaret. ne tekstin tuaj ju thoni:

    ” Një nga këto rrugë, ishte edhe arsimi dhe kultura, të cilat parakuptonin dhe kërkonin që gjuha shqipe të shkruhej dhe të mësohej në shkolla.

    Po si do të shkruhej gjuha shqipe? Dhe më tej akoma, si do të mësohej në shkolla?”

    me kupto qe nuk dua te bej diversion ketu, por, togfjalesh si gjuha shqipe qe perdorin nga gjuhetaret tane, e cila nenkupton, qe sometimes, somewhere ka ekzistuar nje “gjuha shqipe” e cila me pas u zaptua nga hasmi turk, me duket pak gjeneralizuese. perpara krijimit te shtetit kombetar shqiptar, ne 1920, dhe hapjes se arsimit masiv dhe per mendimin tim “shpikjes apo zhvillimit te gjuhes shqipe”, gjuha e arnauteve ka qene nje mish mash dialektesh dhe vernakular fisesh malesore, ishte nje vernakular aq i patrasuar sa eshte edhe gabelshja sot ne Ballkan. ka patur nje variacion dialektesh, qe e benin kete gjuhe ta pakuptueshme nga nje krahine ne tjetren dhe mendoj se Venizellosi ka qene korrekt kur ne Londer, ne 1913, gjuhen shqipe e quante myslymanishte. rendesia qe ne i japim Rilindjes sikur ajo ka zhvilluar gjuhen shqipe me duket e sforcuar. e pranoj qe per muxhahidinet e kohes se Rilindjes gjuha ishte elementi kryesor qe keto fise do i bente shqiptare dhe ata kane ditur ta lexojne vernakularin qe ata nisen te trasonin vete. megjithate gjuha qe ata shkruanin ne ate kohe, ne Shqiperi, eshte kuptuar nga shume pak vete dhe ka qene me shume nje hobi sic mund te jete sot gjuha esperanto sesa nje fenomen popullor. (shpresoj qe nuk po hiperbolizoj shume ketu)

    Ne lidhje me turqizmat jam dakort, qe turqizimi apo te jemi me te sakte shkencerisht OSMANIZIMI i kesaj gjuhe ishte me i forte ne qytet ku pati islamizim sesa ne male. une do te shtoja qe osmanizimi ishte me i forte ne vendet me perqendrime te medha muslimanesh sesa fjala bie mes fiseve katolike apo ortodokse te cilat kishin shume latinizma dhe helenizma.
    Por mendoj qe nuk ka patur vetem osmanizim, por ka patur edhe sllavizim, italianizim, grekerizim etj apo ndoshta ka patur “shqiptarizim” e osmanizim te gjuheve sllave, greke etj. Ja te ju tregoj nje shembull. Poezia qe do sjell me poshte eshte poezi came e shekullit te XIX. Tani lexojeni pak me lupe ne dore e me tregoni mua sec gjuhe eshte kjo? Greqisht? Turqisht apo arnavutce? Per autorin qe e ka bere kete poezi, ai eshte TURK dhe kete kenge ja dedikon turqve me iman (camo-turko-muslimaneve) edhe pse ne do ta shqiptarizojme me dhune e do themi qe eshte shqiptar.
    (poezia eshte ketu: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=1530 e po e sjell edhe ne fund te plote)

    Shqiptarizimi (apo perendimorizmi, de-islamizimi e de-arabizimi) qe i ndodhi gjuhes shqipe i ndodhi shume gjuhesh te popujve muslimane pas renies se Perandorise Osmane. Ishte nje vale perendimorizues e cila ne fund te fundit nenkuptonte nje kristianizim kulturor e cila ka precedente jo vetem ne Shqiperi por edhe ne vendet fqinje ne Ballkan dhe edhe ne Turqi. Shkrimi ketu:

    Reforma e Gjuhës Turke: Një sukses katastrofik
    http://www.turkishlanguage.co.uk/jarring.htm

    tregon lesh e line qe ben turqit me gjuhen e tyre ne kohe te Ataturkut duke huazuar fjale perendimore apo duke krijuar fjale pa lidhje. e njejta gje ndodhi edhe me ne ne Shqiperi. por mendoj qe te kuptojme mire se cfare ndodhi me gjuhen tone, gjeja e pare qe duhet te bejme eshte te shohim se kush ishin reformatoret. dhe ne rastin e Shqiperise, ne shumicen e rasteve ata ishin te krishtere, shume ishin vllehe-protestante te inspiruar nga cmendurite nacionaliste te perendimit ne keto kohe, qe duke larguar turqizmat, benin ne njefare menyre nje xhihad gjuhesor kunder gjuhes se islamizuar te fiseve shqiptare deri ne ate kohe.

    Qe te jua turqizoj pak muhabetin, me poshte po u sjell poezine Binamazi. Po se kuptuat dot, shkoni ne google dhe perdorni fjalorin turqisht shqip.

    selom e merhaba te gjitheve.

    Pa digjo ti, o binamàz*,
    Perëndija se ç’na bën vaz,
    të falemi, e bëri farz,
    gjer të ndërrojmë dun-jânë.
    Binamazi le ta dînjë,
    mbi dhe, nënë qiell mos rrînjë,
    hall për tjatrë Zot të bìnjë, që të kërkonjë dermànë.
    Faqe, duar nuk i lan, zëmërënë e ka katran,
    mënd, sitë hapët i mban, në xhëhnem kërkon meqànë.
    Ta dînj binamaz’ i mjeri, prej Allahut erdh haberi,
    do të ngordhinjë si derri, shubhelì e ka imanë.
    Zoti rob të jaradisi, një qind mijë lanet nisi,
    përmbi krije t’i kurdisi, për ditë ta bën xhezanë.
    Binamazi le ta dinjë, vitër tetëdhjetë mijë
    për çdo vaht në zjarr do rrinjë gjeram në krije, gjera mb’anë.
    Foli Perëndija vetë, dun-jâja s’isht e vërtetë,
    se njeri në të s’mbetetë, jabanà binë duânë.
    Binamàzë kush e bën mik, tek u nuk ishtë sadìk,
    bezbelì ishtë munafìk, miqësì do me shejtànë.
    Kush ishtë turk në dini-islam, binamazit s’i jep selam,
    ç’ha e pin gjith i ka harram që nuk bën itâàtnë.
    Në akshàm dhe në të gdhìrë, i binë azàb me zinxhìrë,
    more binamàz i ndìrë, të panûr e ke surràtnë!
    Këmbë, duar i ke tamam, i pafalë rri mudam,
    veç një herë zhdo bajram, jabanà ther dhe kurbanë.
    Qen e derra të padirë thonë: «Jemi më të mirë
    ngaha binamazi ndirë, ndose janë dhe hajvanë».
    Muezìni del e thrret, xhemâàti janë hasrét,
    Allahut i binë ibadét t’u binjë kabùll dun-jânë.
    Binamazi kur e digjon, prej xhamisë nukë vështon,
    me të shpejtë ngrihet e shkon, hiqetë vetë mënjanë.
    Duketë surati insàn Duketë surrat-i insan thotë: “Jam turk dhe me iman”;
    mu ndë vesh i hîn një shejtan që ja dëfton nasihàtnë.
    Binamazi kur të vdesë, do shastisi, do thërresë,
    gjuhë s’ka, çilë të piesë, t’i binjë telakin imanë.
    Vjen shejtani, kumbisetë, nanë, baba i bënetë,
    në hizmet përkujdesetë, në dorë i mban mastrapanë.
    Thuaj: «S’ishtë Perëndija, isht e rrëme turqëria¹»,
    këto fjalë zë të dija, rreh që t’i gremìsnjë imànë.
    Binamazi, hasm’ i Allahut edhe i Resul-Allahut,
    ju ka qepurë gjynahut, që qelbi gjithë dyn-jânë.
    S’isht ummeti i Muhamedit, s’e sheh derën e xhenetit,
    ishtë zënë prej lanetit, ujdisurë me shejtanë.
    Binamazi ishtë murdâr përmbi çdo nonjë gjunahqâr,
    besësë nuk i vë karâr, veçë po kërkon rehatnë.
    Ha si lopë, o i varfrë, namazë e lë të tërë,
    shtije brënda në zëmërë, s’do të paradhosiç xhanë!
    Le ta dinë dhe komshìtë, t’i presënë gjitonìtë,
    të mos t’i hanë faitë, surgjun, të rrinjë mënjanë!
    “Turk” njeri të mos t’i flasë, në shtëpi të mos te qasë,
    zëmërënë t’i pëlsasë, ta mundonjë din-dushmanë!
    Duartë pa larë kurrë, mjekërtë të pakrehurë,
    dreqi t’i ka ujdisurë, me të bashkë e ke belanë!
    E braktise jóllë e drejtë, që tha Perëndija vetë,
    faqezì në të dì jetë, kujto aresatmejdànë!
    Shtëpija pranë xhamisë, digjon ezanë turqërìa,
    në divan të Perëndisë, çish lloji do japç xhevapnë?
    Dhe në varr që të kêç hirë, ti të kanë për të grrirë,
    do të shpien në qafirë, të rriç me ta bashkë pranë.
    Binamazit kurrë sohbet dhe n’u nistë për ahiret,
    mos i ec në zijaret, në ishtë që do rizanë!
    Dhe në vdektë, xhenazenë turqitë mos t’i falënë,
    po ta kllasinë si qenë, se fajde nukë kanë!
    Edhe kur të martonetë, grua të mos t’i gjëndetë,
    dita natë të kthenetë, nd’ishtë që t’i japiç evlatnë.
    Vdekëla kur t’i qasetë, do t’i vinjë me të shpejtë,
    që të mos të kujtonetë të përtërinjë imanë.
    Dhe kush a ki, le ta dinjë, krushqi me të mos të binjë,
    në gjunah të madh do hinjë, që nuk ia ka takatnë!
    Ke në qafë vetëhenë, poq i bëre muhabetnë,
    hosh ta mirri posi qenë, binamaz juzìkarànë!
    Ju nxi surrati të mjerit me baltë posi derrit,
    z’bën fjalën e Pejgamberit, s’e ka kismet shefâàtnë.
    Kam umidh në Perëndinë, që të mbledh gjithë fuqinë,
    binamazit t’i qit sitë, ta verboj posi shejtanë.
    Zëmëra e zezë pisë ç’do të thêtë, ç’do të nisë
    dêj përpara Perëndisë, kur të gréhinjë divànë?
    Faqezi në të di jetë: «Ku do t’i fshéhiç tùrpetë?»,
    hiç nukë silloìsetë, të kujtonjë aresàtnë!
    Edhe sabah kur të bënetë, atît abdest s’i duhetë,
    brënda në stromë shtrihetë, ul krijet e heq jorganë.
    Se z’bën tahmin për të ngrirë, të shtrihetë i vjen mirë,
    në mahsherr e mbledh fiqirë, se tani kërkon rehatinë.
    Flë si derri dhe rohalit, hap dhe golënë, agsit,
    kur ngrihet, zë angarrit si gomari prill’ e màjnë.
    Dhe Jâ Allah i bën ferman, meleqëvet ua bën bejan
    për një të tilinë dushman, në xhehenem ja bën meqànë.
    Binamazë edhe qénë, të di një si një t’i kenë,
    në zijaret mos t’u venë, se të di murdarë janë.
    A nuk e shihni murdàrë, do binjë zijarét zijàdé,
    mbi munafikë isht’ i parë, gjithë bulukbàsh e kanë.
    Dhe kur ngrihetë në mëngjes, bukënë e ha pa abdést,
    shejtanëtë e vënë në mes, dhes çibuknë, pin duhanë.
    Inshallah do të pëlsasë, buka që hëngri ta vrasë,
    në xhehenem do të bërtasë, prej zjarrit e ka hërkànë!
    Binamaz, iman nukë ke, i vëllai shejtanit je,
    Perëndisë s’i bën sexhdê, të të sagllandisnjë imanë!
    Se namàzi ishtë sulltàn, themelosurë me Kuràn,
    turqitë i sjellënë imàn, gra e burra borxh e kanë.
    Binamazi ishtë zbuarë, prej Allahut larguarë,
    rùku-sexhdê pa punuarë, në Kuran “murdâr” ja thonë.
    Binamazi ishtë merbut dhe në besë ishtë hajdut,
    brënda në turq ishtë çifut dhe për munafik e kanë.
    Binamaz, as rri me edép, prej gjunahut më mos u qep,
    se Allahu të ka në gazép, prej zjarrit ta ka hërkànë.
    Në zjarr do rrîç natë, ditë, të të digjenë mëlshitë,
    për ùjë do biç pipìtë, ujëra prej qelbit janë.
    Zoti rahmetnë e ka grirë ngaha binamaz i ndirë,
    mu ndë vesh i kanë rirë shumë, një buluk shejtanë.
    Ti nuk e di hiç turqërinë, e bën inqâr drejtërinë,
    nukë trëmb Perëndinë që ta bën me zjarr xhezànë.
    Namazi gjunahn’ e bën fert dhe të vë brënda në xhenet,
    të shkoç rahat edhe lezet me hurî e me gilmànë.
    Binamazi i pa iman kurrë nukë këndon Kuran,
    i paqeder, i pafigan kërkon zévkën e sefânë.
    Çilido që të faletë, bën huzûr në të di jetë,
    varri me nûr i mbushetë, pa qeder e shkon siràtnë.
    Dej, ditën e kijametit bije në det të rahmetit
    dhe me hurî të xhenetit bën xhumbushnë dhe rahàtnë.
    Namazliu që faletë, punën e ka mbi të drejtë,
    binamazi shtërngonetë, mbi të rreh, zë inàtnë.
    Dhe shejtan’ i kaurîsë s’i bën sexhdê Perëndisë
    dhe tjerr të të ujdisë, në xhehenem ta zëç jatàknë.
    Bes’ e binamazit haràp në çdo ditë e binë azàp,
    e shkruan brënda në qitàp, hajde, të pjeç ulamànë!
    Binamaz, more i mjerë, pa digjo edhe një herë,
    në vënd t’ujit ti pîn verë, në dorë mban mastrapànë.
    Binamaz, murdari vetë, varri ti do të mblidhetë,
    gropë zjarri do bënetë, krrimbatë do të hanë.
    Dhe melekët i bezdìse me gjunahe që pohtìse,
    dogri për xhehenem u nise, mu ndë dorë mban fermànë.
    Binamaz, e bëre belì, imanë e ke shubhelì,
    andaj punon posi delì, turqërinë le më nj’anë!
    Edhe kur të të binë suàl, xhevapnë ta binë batall,
    shejtanë që ke në të gjallë, ata do keç terxhumànë.
    Binamaz, i tili zëndìk, nd’ ashiqare turk dhe sadìk,
    në të fshehurë munafìk, rri e pazaris imànë.
    Dhe në isht i martuarë, grua që paska marrë,
    nigjahu i ka shkuarë, fëmij’ e tî bàshto janë.
    Ezanë kurrë nuk e digjon, namazlinë nukë shikon,
    po për dun-jâ rri e punon, nukë sos dot masllahàtnë.
    Binamazi s’hin në xhenét, i dha Perëndia lanét
    në dun-jâ dhe në ahirét, të di bashkë me shejtànë.
    Preja miqësi, gjitonìnë, kurrë mos ha faìnë,
    shtoja edhe hasmërìnë, në ishtë që kërkon rizànë!
    Edhe «turk» të mos t’i thuaç, me zemër mos t’e duaç,
    në t’artë dore te paguaç, atë mos t’e sjelliç pranë!
    Ha si lopë dhe s’frrìhetë, në paç, jepi të ngosetë,
    se tjatrë s’i lipsetë, çish të dreqnjë tabiànë.
    Gaha veshi u shurdhua, gaha siri u verbua,
    gaha namazi u harrua, s’ishtë në qitape tanë.
    Dhe kush t’i japë nasihàt një mijë herë në sahat,
    atë punë e bën tabiàt, s’fal namaz e z’bën duànë.
    S’merr nasihàt dhe të vdesë dhe s’i ìpetë të pijesë
    ndonjë mesele ndë besë, qish lloji e ka davànë.
    Binamazi që s’faletë, mbi të liga do gjëndetë,
    siçilido që të jetë, për razî ta dinjë azàpnë.
    Haj fëmër, haj mashkull qoftë, gaha zjarri mos shpëtoftë,
    namazë në mos punoftë, ka lanetnë edhe belanë.
    Dhe kush t’u flasë të drejtë, hatëri fort u mbetetë,
    sklepi siri s’u ndahetë, në surrat nûr nukë kanë.
    Binamazi ishtë zullumqâr, te Perëndija fort gjunahqâr,
    Mez’hépin’ e ti bëri inqâr, që të katrë s’e duànë.
    Binamazi shumë i lik, në gjunahe më z’bën derìk,
    shejtani atë zuri mik, e do posi të vëllanë.
    Dhe shejtani e pa xhais munafikë të ujdis,
    binamazë të vë reiz, që t’e kenë si babanë.
    “Binamaz, në sî të alémit, shejtani të heq prej gjémit,
    more diréku i xhehënemit, kaluar e heq shejtànë”.
    Nuk më bën kabull as derri, të jem si i tili njerî,
    se grremìsem gaha ndéri dhe me zjarr e kam xhezànë.
    Në sabàh thërret ezàni: «Të grihetë turqistàni!».
    Ki qepetë prej jorgani, shtrihetë dhe bën rahatnë.
    Gjum’ i dérrave te zërë, xhenabét isht, i pëgërë
    fund e krie, kërm i tërë dhe duartë nuk i lanë.
    “Bukë kismet të dha Haku, punon si lùar çarku,
    hej, gjidi të plastë barku, pa kujton edhe nizânë!
    Mjekër të palara kurrë t’u kanë nakatosùrë,
    q’ishtë sunnét i bukurë në gjithë pejgamberànë.”
    Dhe fakiri, çarkaxhìu u mundua zavallìu,
    «shùqure» bëri te Rabiu, Zoti ja bëftë muràdnë!
    Këto fjalë që na solli, shqip me bejte që i foli,
    binamàzë e përcolli, zullumqâr posi shejtanë.
    Binamazi ka mbi krije punëra prej qelburìje,
    sa gjunàh i madh, ta dije, male, fusha nuk e mbajnë.
    Në të madh gaflét rri ti, more binamàz i zi,
    posi qeni ha edhe pi, hiç s’e kê për silloì.
    Dhe u shqip tani do flas dica bejte në këtë bàhs,
    binamàzë dua t’e ngas, e kam hasm din-dushmànë.
    Kush e lë namazë me kast, hof-allah s’i vjen atë çast, ?
    edhe prapë që t’i vinj’ rast, në mënde s’e ka kazànë.
    Ulemaja bënë xhumhûr: “Në qitap shkruan meshhûr,
    pa shubhe t’i thoni «kaur!»”; mbi këtë dhanë fetvànë:
    «Binamaz, mblidhe fiqìrrë, se ta diç që ti s’je mirë,
    në xhehënem ke për të rìrë, gjilpìtë do të të hanë!
    Ti Allahu të dha lanét, se ti kurrë s’bën ibâdét,
    Perëndinë z’bën shehadét dhe Muhammed Mustafanë».
    Dhe zabiti, në do fevàp, binamazit t’i binjë azàp,
    kundrë shkruan brënda në qitap, preps që te binjë ixhrânë.
    “Prej argjëndi, pesë dërhém, çdo hënë paguaj si qen,
    të bëneç rezil në alem, se myftiu e dha fetvanë.
    Binamàz, paguaj haràç posi kaûr, posi barbàç,
    as ato tamam mos i paç, të të vënë në hapsànë!
    Allahu të preftë ditë, të mundófçinë ùlqitë,
    të plaçinë të di sitë, as i hap, të shoç Kurànë!
    Binamaz, rri e bën huzûr, prej turqërìsë nuk ke nûr,
    shëmbëllen si nonjë kaûr, ti për turk e bën davânë!”.
    Bejtet turçe i fola shqip, Jà Rab, të ma biç nasìp,
    në namaz sahibì-tertìp sikundrë e ka ihtizânë.
    Dhe ju, turq, kur t’i mësoni, bëni gajret, mos përtoni,
    Fatihanë të këndoni² për Muhammet Hamzànë!

  11. Greqisht? Turqisht apo arnavutce?

    Ta thote vete auktori:

    Bejtet turçe i fola shqip,

    Po edhe sikur te mos ish’ ky varg vete-shpjegues, une do te te pyesja: Mirr tri djem, nje turk, nje grek e nje shqiptar. Lexojua vjershen,
    Kush nga keta do t’a njohe gjuhen e vjershes?
    Gjuha e tij eshte!

  12. ”’Sot zëvendësohen emrat, nesër mund të zëvendësohen banorët. Purizmi fillon me spastrime fjalësh, por mund të përfundojë me spastrime etnike. Le t’i mbajmë sytë hapur: nuk është hera e parë, në Shqipëri, që i sheh kalamajtë të luajnë me kallashë.””

    Xha xha ky sensi yt tragjik ka marre ngjyra komike ne kete çeshtjen e toponimeve, lufta jote me fantazmat nuk paska te sosur, take it easy i thone andej kah rri, me sinqeritet e pa keqdashje po ta them, jo per gje po as J. e as theollogos nuk te marrin seriozisht kur nxjerr dordolecin e spastrimeve etnike.

    Po e nis me argumente gjuhesore dhe e perfundon me shkelje syri ideologjike. Te humbet serioziteti i kritikes si gjuhetar per tu futur ne nje thes me Lubonjen .

    ””Per autorin qe e ka bere kete poezi, ai eshte TURK dhe kete kenge ja dedikon turqve me iman (camo-turko-muslimaneve) edhe pse ne do ta shqiptarizojme me dhune e do themi qe eshte shqiptar.”’

    Ca jane keta camo-turko-muslimanet ?
    Nuk te duket se po sforcohesh shume per te cilesuar nje kategori njerezish ?

    Ca gallate do jete po te pyesesh ndonje e te thote se eshte çamo-turko-musliman.

    Nuk e kupton or ti turk, se proçesi i turqizimit te shqiptareve ka lindur i deshtuar, ti do te ngjallesh diçka te ngordhur, po nuk je Jezu Krishti, edhe ai ngjalli ate qe kish lindur i gjalle, nuk na jepet ndonje ngjallje e atij qe lind i vdekur.

    Sa per ate TURK-un, si turk e dika mire shqipen, ben vaki edhe te jete ndonje shqiptar renegat, ndonje i klubit Ballaban Badera.

    1. Hyllin:

      Xha xha ky sensi yt tragjik ka marre ngjyra komike ne kete çeshtjen e toponimeve, lufta jote me fantazmat nuk paska te sosur, take it easy i thone andej kah rri, me sinqeritet e pa keqdashje po ta them, jo per gje po as J. e as theollogos nuk te marrin seriozisht kur nxjerr dordolecin e spastrimeve etnike.

      Meqenëse kalove në ad hominem, atëherë më ler të të pyes edhe unë: sa i sëmurë duhet të jesh, sa paranojak, sa i thjeshtuar nga pikëpamja cerebrale, sa monomaniak, sa i dëshpëruar, që të të bezdisin toponime “të huaja” të cilat kanë gati 1,000 vjet që përdoren?

      E kuptoj fare mirë çfarë i shtyn kosovarët në zëvendësimin e toponimeve sllave/serbe; por nuk e kuptoj ç’marrëzi i ushqen propozimet për të zëvendësuar toponimet sllave, në një zonë aq të larguar nga trojet e sotme të sllavëve dhe aq të shkëputur nga ndikimi sllav në përgjithësi dhe ku këto toponime nuk i njeh njeri për sllave as e mban mend njeri të ketë pasur sllavë ndër ato anë.

      Nga kjo lloj marrëzie mund të presësh gjithçka; sepse nuk pyet për arsye, as për bon sens, as për masë; është e tërbuar në thjeshtësinë e vet prej thnegle; dhe nëse nuk pjell spastrime etnike, së paku në Shqipëri, kjo vjen ngaqë ne shqiptarët, si rregull, dështojmë në përpjekjet tona kolektive, meqë nuk jemi në gjendje të organizohemi – çka është shumë shpesh gjë e mirë dhe për t’u përshëndetur; na mbron Zoti, do të thoshin plakat. Përndryshe, dëshira për budallallëqe madhore nuk është se na mungon.

    2. Ore Hyll, a nuk dini ju hyjet te flisni pa bere insinuata dhe ofendime personale? Apo doni qe te kthehemi ne turqit serisht, sic ishim per 500 vite me radhe?

  13. Ne fakt, kritika ime ishte e sinqerte dhe jo ad hominem, sepse ti e nis me kritike gjuhesore dhe pastaj perfundon ne çeshtje ideologjike, dmth ti po shfrytezon autoritetin ne gjuhesi per te thurur argumente te cilat te duhen per te mbeshtetur perfundimin e nxjerre me rruge ideologjike.
    Kjo eshte tipike e studiuesit te varur nga ideologjia, nuk ka pavaresi ne kritiken tende gjuhesore dhe nuk e kam vene re vetem une, thjesht marr guximin te ta them.

  14. Nese toponimet dihen si kane qene, le te rivendosen, mirepo ato qe dihen jane shume pak. Pjesa tjeter eshte c’rrenjosur dhe duhet hulumtim. Pastaj ka dicka, qe sado pro te jesh kesaj nisme, a mund te themi sot se po ti vendosim emrin Elbasanit, Albanopolis, e ringjallem njeriun Ilir ? Njeriu Ilir sot jeton i vecuar, i vetmuar neper ato male ku ka jetuar gjithmone, e mezi pret nje dite qe te kultivoj perseri kulturen, artin, letersine, tragjedine e cdo gje qe e ka karakterizuar. Tash ai njeri vec jeton per ekzistence, dhe po u vazhdua me kete mentalitet absurd do perfundojme me keq se Greket, qe jane katandisur ne gazin e Europes dhe Botes. Ata e kane mendjen tek ndryshime emrash e gjera absurde, dhe u pa se ku i dergoi. Shqiperia ka te tjera halle. Hulumtimi per te gjetur emertimet e vjetra duhet te behet nga ata qe dijne te merren me keto pune dhe qe e kane pasjon kete gje.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë