Marifete etruske

Siç mund të merret më mend, qytetërimin etrusk në gadishullin Apenin e studion etruskologjia. Për një kohë të gjatë etruskët mbaheshin si një popull oriental, i ardhur nga Lindja, por tani dijetarët më seriozë shpesh mjaftohen t’i studiojnë mbishkrimet me metoda kombinatorike, d.m.th. përpiqen ta gjejnë kuptimin e fjalëve në kontekst, pa u kuturisur qorrazi në krahasime të çmendura me gjuhë të tjera. Mbishkrimet etruske janë shpesh fare të shkurtra, më të shumtat janë emra njerëzish në rrasa varresh, fjalët janë të ngjitura me njëra-tjetrën, dhe nuk ndjekin ndonjë kriter drejtshkrimor shumë të rreptë, kështuqë edhe mundimet interpretative kanë dhënë fare pak rezultate, megjithëse alfabeti i përdorur prej etruskëve është shumë i lehtë për t’u deshifruar. Nga ana tjetër, përshtypja mbizotëruese në qarqet akademike është se etruskët si popull nuk kanë lidhje me familjen indoevropiane, ku ndër të tjera bëjnë pjesë shqipja, latinishtja e greqishtja – se po të kishin ndonjë lidhje, kjo do të ishte zbuluar tashmë. Edhe kur është bërë ndonjë krahasim i fjalëve etruske me fjalë të greqishtes së vjetër, kjo ka ndodhur sepse greqishtja e vjetër është mund të merret si pikë referimi për ato kohë kur u shkrua etruskishtja, dhe jo sepse ka ndonjë afëri specifike midis të dy gjuhëve. Zaharia Majani, një historian frëng i specializuar në egjiptologji, pati idenë e papritur që ta lexojë etruskishten më ndihmën e shqipes, siç shihet nga dy librat e tij: “Etruskët Fillojnë të Flasin” dhe “Fundi i Misterit Etrusk” (ky i fundit i përkthyer edhe në shqip menjëherë, ndoshta më rekomandim të Enver Hoxhës, që i kishte pikë të dobët aventurat egjiptologjiko-masonike të autorëve frëngj). Ekskursionet etimologjike të Majanit janë vlerësuar si pa ndonjë themel shkencor, dhe nuk ka historian, arkeolog a gjuhëtar që t’i ketë marrë seriozisht, ndoshta me përjashtim të atyre që e thirrën Majanin në Shqipëri në fund të viteve 60 në mos gabohem, dhe e ndihmuan në “hulumtimet” e tij: pikërisht prof. Kostallari & Co. (siç e thotë Majani vetë në parathënie), por jo prof. Eqrem Çabej që me siguri me Majanin nuk do të denjonte të ulej as për të ngrënë drekë. Le të mos harrojmë që më pas lidhjet etrusko-shqiptarë – këto ekuivalente albanologjike të kuadraturës së rrethit – i ka “studiuar” edhe zonja Nermin Vlora Falaschi, me rezultate krejt të ndryshme nga ato të Majanit, sidoqë edhe kjo rregullisht e përdor shqipen si pikënisje e instrument. Metodat kërkimore të të dyve – Majanit dhe Vlorës – janë kaq fleksibël, sa këtej e tutje shqipja do të mund të përdorej për të interpretuar me sukses ç’mbishkrime të mistershme kanë mbetur në të katër anët e botës. [2000]

2 Komente

  1. Ndryshe nga te nderuarit shkencetare te akademive te tmerrshme boterore, prodhues te ketyre informacioneve. Une konsumatori i dijes pres me padurim te nxej se nga e ka prejardhjen gjuha e memedheut (apo atdheut, sipas deshires). Me gjithe tezat dhe lajthitjet akademike qe kane dale akoma nuk di origjinen e gjuhes qe flas. Mosnxenja e ketij boshlleku nuk shkakton ndonje tragjedi …po si te thuash krijon konfuzion. Shqipja ka ngelur jetime.Ne nje situate te tille ku c’do teze akademikesh franceze shqiptare apo gjermane hidhet poshte nga teza po aq akademike nga autore te tjere eshte krijuar nje konfuzion katastrofik. Se fundi kur rendom ndonje kurioz perendimor me ben pyetje te tilla si p.sh. “Nga e ka prejardhjen gjuha Albanec?” pergjigjem pa pike dyshimi vetem per ate qe di. Made in India! Imported in Europe.

  2. I hodha nje sy nje libri te Larissa Bonfantes me bashkautor Guliano Bonfante, njeri profesor ne Princeton e tjetra ne New York e ne fjalorin etrusk te tyre vura re 5 fjale me interes te vecante.

    ati – nena
    teta – teta
    nene- dado

    Mendoj se po te konsultonin pak shqipen mbase do i rendisnin kuptimet ne menyren e duhur, se ati i thone atit e jo nenes, nene i thone nenes e jo dados.

    Fjala e katert ishte zath-rum e i thonin nje-zet.
    Kjo nje-zet me kish torturuar gjate, sepse zet nuk ka kurrfare etimologjie por ama eshte shqip e vjeter dhe flet per nje sistem te vjeter ‘zetor’ . Njezet- dyzet-trezet e me radhe.

    Duket qarte qe ka origjine etruske .

    Ne vazhden e ngaterrimit te konceptit te fjales apo perkthimit te gabuar si tek treshja, nene,ati,teta ishte fjala e peste Hek apo hech.
    Kjo fjale nuk kishte kuptimin hek-heq por donte te thoshte dergoj, coj ose marr (?).
    Marr me dergoj ne fakt kane domethenie te ndryshme e marr mund ti afrohet deri diku kuptimit heq.

    Nese zath-rum e hek mund te jene te diskutueshme deri diku treshja familjare ka nje afersi te llahtarshme .

    Dicka te vertete ka , se ku ka ze nuk eshte pa gje, sesa te verteta ka, eshte ende e hapur per diskutim.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: