GJEOGRAFI KUADRI

Lindita Çela, Shekulli përshkruante kapjen e organigramës së Policisë së Shtetit nga tropojanët: në 90 sektorë të 22 drejtorive të Policisë, gjenden së paku 50 drejtues me prejardhje nga ajo krahinë.

Këta burra i bashkon jo vetëm prejardhja, por edhe gjaku – “shumë prej tyre janë farefis”, thotë Çela.

Asocimi me kryeministrin e tanishëm Berisha, tropojan edhe ai, nuk mund të shmanget; edhe pse emërimet i ka miratuar ministri i Brendshëm Basha, i cili, veç të tjerash, ka dyfishuar organikën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga 300 në 600 punonjës.

Aferim, do të thoshnin pleqtë e motit.

Të ketë diçka që t’i tërheqë tropojanët në punët e ruajtjes së rendit, diçka që ndoshta lidhet me të drejtën për të mbajtur armë në publik, ose për t’u ngjallur frikë dhe respekt të tjerëve nëpërmjet uniformës dhe pranisë fizike?

Të ketë kjo të bëjë edhe me pasionin e tropojanit për rendin publik, ligjin, të drejtën dhe edukatën qytetare; ose vendosmërinë e tij për t’i thënë krimit JO; e për t’i parë kriminelët dhe shkelësit në bangon e të akuzuarve, ose prapa hekurave të burgut?

Nuk e përjashtojmë dot.

A ka ndonjë të keqe, në vetvete, që një krahinë të specializohet në një profesion të caktuar – p.sh. tropojanët në xhandarmëri, përmetarët në orkestra frymore, shkodranët në artin skenik, matjanët në distilimin e rakisë, gjirokastritët në mundjen greko-romake, kolonjarët në industrinë e parfumerisë, krutanët në arkitekturën monumentale?

Shumëkush do ta merrte këtë për fyerje. E megjithatë, po të pranojmë kapërcimin nga prejardhja krahinore në prejardhje etnike, do të pranojmë edhe krahasimin me irlandezët e East Coast, në ShBA, që specializohen të punojnë si policë ose zjarrfikës; ose hebrenjtë hasidikë, anembanë botës, në tregtinë e diamanteve; e kështu me radhë?

Argumenti im provizor do të ishte: nëse tropojanët e bëjnë mirë punën si policë dhe kryepolicë, le ta gëzojnë e trashëgojnë pronën e tyre institucionale.

Tek e fundit, askush nuk ankohet që policët në Shqipëri janë më të shumtën burra, më të shumtën brunë, më të shumtën myslimanë.

Natyrisht, argumenti nuk i qëndron kritikës; nëse tropojanët në krye të policisë lidhen mes tyre për nga origjina dhe gjaku, atëherë kjo e problematizon marrëdhënien e tyre me grupet kriminale nga Tropoja.

Të paktën.

I njëjti solidaritet që i ka mbledhur në atë institucion, do t’i pengojë për të luftuar të vetët, në rast të një përballjeje jo edhe aq hipotetike.

Që kuadrot e policisë e njohin njëri-tjetrin dhe kanë besim të plotë mes tyre, kjo i shërben punës dhe institucionit vetë; por që kjo njohje dhe ky besim mund të realizohen vetëm ose kryesisht në baza krahinore dhe farefisnore dëshmon natyrën ende tribale të disa segmenteve tepër të dukshme të shoqërisë shqiptare.

Njerëzit, veçanërisht ata në poste të larta, kanë nevojë të njohin njëri-tjetrin. Në Perëndim ky lloj solidariteti zakonisht përftohet mes elitave që vijnë nga shkolla të caktuara, të destinuara për t’i dhënë shtetit një teknokraci të udhëheqjes: p.sh. Ivy League në ShBA.

Disa do të objektojnë se ky është vazhdim i kriterit aristokratik me mjete të tjera; ose karneval i meritokracisë; por e vërteta është se një miqësi, një mirëkuptim, një mirëbesim, madje edhe një bashkëfajësi e përftuar nëpërmjet eksperiencës së përbashkët, në shkollë (dhe në organizimet satelite, si vëllazëritë, etj.) kanë epërsi të padiskutueshme përkundrejt tribalizmit dhe lidhjeve të gjakut.

Arsyeja nuk do shumë mend: shkolla jo vetëm të afron me kolegët e ardhshëm, por edhe ndihmon për të bashkërenduar vizionin dhe përpunuar një gjuhë, stil dhe metodë të përbashkët, në drejtimin e punëve publike. Përkundrazi, farefisnia dhe dialekti ushqejnë drejtpërdrejt kujdesin për interesin reciprok të grupit, pavarësisht nga perspektiva dhe rezultatet e punës.

Tek e fundit, gjithnjë është fjala për një akt balancimi: i qytetarisë me prejardhjen krahinore; ose, për ta thënë me një term irritues për një kategori veshësh, i qytetarisë me katundarinë.

Katundari, në kuptimin që po e përdor unë termin, e përdor prejardhjen krahinore si sinjal solidariteti dhe kriter seleksioni moral: ti je tropojan (elbasanlli/ lezhian/ sarandiot/ kurveleshas/ kavajas/ mokrar), prandaj unë, që jam gjithashtu tropojan (elbasanlli/ lezhian/ sarandiot/ kurveleshas/ kavajas/ mokrar), do të jem miku yt dhe do të të dal në krah e zot në çdo rrethanë; meqë, tek e fundit, bota ndahet në tropojanë dhe në jotropojanë (etj.), dhe është fati ynë që e kemi kuptuar këtë dhe e praktikojmë në të përditshmen; derisa të sundojmë botën mbarë.

Tropojani (etj.) përftohet kështu si një bashkësi karakteristikash jo vetëm dialektore dhe kulturore, por edhe morale, shpirtërore dhe intelektuale – çka kufizon me supersticionin dhe të menduarit magjik, ose folklorin.

Ndonjëherë pyes veten se si do t’i kisha zgjedhur bashkëpunëtorët e mi, po të kisha një post drejtues dhe të më jepej dorë e lirë në përzgjedhje. Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë, por idenë që këta bashkëpunëtorë t’i qëmtoja nga Tirana e konsideroj qesharake.

Të them se do t’i kisha zgjedhur ekskluzivisht sipas meritës, do të gënjeja; përveç meritës, ka edhe cilësi të tjera që vijnë në vështrim – drejtuesi ka nevojë për bashkëpunëtorë të besuar. Brenda hierarkive, sidomos politike dhe administrative, t’i zësh tjetrit besë është të paktën po aq e rëndësishme sa edhe aftësitë e tij profesionale dhe intelektuale.

Prandaj do të kisha zgjedhur bashkëpunëtorë që i njoh ngaqë kam qenë me ta në shkollë, ose nëpërmjet kontakteve profesionale që kam pasur; edhe pse shkolla e lartë që kam bërë nuk ka qenë aspak elitare, përkundrazi; ka qenë e kërcënuar nga katundaria, ditë e natë, nga poshtë dhe nga lart.

Ndoshta kjo mënyrë të menduari ka lidhje edhe me faktin se njerëz si unë, ose që i shohin gjërat në këtë mënyrë, mbeten shumë larg posteve drejtuese të shtetit, të paktën të shtetit shqiptar.

Pyetja mund të shtrohej edhe kështu: a mund të shpresojnë qytetarët në Shqipëri për një shtet që të jetë cilësisht i ndryshëm nga mafia? Një shtet që të mos konstituohet si bashkësi arrivistësh dhe batakçinjsh, të cilët veç synojnë të pasurohen duke shkelur ligjin dhe duke e përdorur prerogativën shtetërore për dhunë që të shantazhojnë dhe plaçkitin?

Pyetje e vështirë; dhe kriteret tribale në përzgjedhjen e kuadrit nuk premtojnë ndonjë përgjigje sadopak ngushëlluese.

Nuk ka komente

  1. Shume interesante kjo analizë XhaXha.
    Për atë pyetjen unë them se qytetarët mund të shpresojnë sa të duan, por shansi i realizimit të një shprese të tillë ka vite që po i afrohet me shpejtësi zeros absolute; as mos prit të ndryshojë anytime soon, të paktën sa të jenë në krye këta të sotmit.
    Jam i bindur se po ta pyesë ndonjë gazetar Berishën se si e komenton këtë dukuri (tropojanizimin), ky do të bëjë be e rrufe që kjo është thjesht koincidencë, bile mishërim i meritokracisë në veprim.
    Ndërkaq do të qe me interes të krahasohej kjo me regjimet e mëparshme. Me sa di unë, Zogu nuk e kish mbushur administratën me matjanë, bile kishte tërhequr shumë toskë në të; për Enverin nuk e kam shumë të qartë, e di që kishte simpati për jugorët, po jo veçanërisht për gjirokastritët, e në çdo rast jo në këtë farë feje.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: