TË DREJTA DHE DETYRIME

1. Referenca dhe diferenca

Nëse do tentohej të bëhej një ndarje e kampeve në të cilët janë ndarë shqiptarët gjatë këtij momenti, kjo tentativë do të ishte e destinuar të dështojë po të mos merret parasysh se ndarja në kampe nuk është shfaqur realisht, por është për momentin thjesht konceptuale, apo për të cituar shprehjen që përdori para pak ditësh Andi Kananaj, “në dyert e mendjes.”

Gjithashtu duhet shtuar se mund të bëhen lloj lloj ndarjesh apo lloj lloj diferencimesh po të kemi parasysh se çdo ndasi, dallim apo diference bëhet në bazë pikash të ndryshme referimi. Thënë ndryshe, diferenca bazohet në referencë. Kështu për shembull, duke iu referuar elektoratit shqiptar, apo duke marrë votën si referencë, diferenca do ishte e shpërndarë në masë të madhe mes socialistëve dhe demokratëve, dhe në masë të vogël mes partive të tjera që përbëjnë parlamentin, apo partive edhe më të vogla por që vende në kuvend nuk kanë mundur të fitojnë.

Mirëpo siç vihet re, kjo referencë nuk është gjithëpërfshirëse, pasi lë jashtë një masë të madhe të spektrit të shoqërisë shqiptare e cila as nuk ka votuar, as nuk i intereson të votojë asnjë prej grupimeve elektorale të dhëna. Nëse qëllimi është matja e pulsit të shoqërisë shqiptare, së bashku me vesin e paevitueshëm të kategorizimit lind njëkohësisht edhe nevoja që referencat të jenë gjithëpërfshirëse.

Siç edhe e tradhton titulli me të parën, referencat në bazë të së cilave po bëhet kjo ndarje janë të drejtat dhe detyrimet qytetare, dhe kampet madhore në të cilat është ndarë shoqëria shqiptare në bazë këtyre referencash propozoj të konsiderohen Bojkotuesit nga një krah dhe Protestuesit nga krahu tjetër.

Fillimisht kjo është një ndarje sa abstrakte dhe e kulluar, por që merr kuptim në radhë të parë vetëm po të përcaktohen atributet përkatëse të secilës, si dhe ne radhë të dytë dallimet brenda secilit kamp në bazë të këtyre atributeve. Pra në radhë të parë dallimi mes bojkotit dhe protestës qëndron në faktin se me bojkot nënkuptohet distancimi publik dhe liria absolute si armë e detyrimit qytetar kundër çdo forme të abuzimit, shpërdorimit a mohimit të drejtësisë apo të të drejtave dhe lirive qytetare nga shteti, ndërkohë që me protestë nënkuptohet angazhimi publik dhe zbatimi i lirive negative si armë e detyrimit qytetar kundër këtyre formave të padrejtësisë.

2. Militantë dhe parimorë

a. Në bazë të mënyrës së shprehjes të lirive absolute dhe llojit të distancimit publik, bojkotuesit mund të ndahen në militantë dhe parimorë. Me militantë kihen parasysh militantët e të dyja krahëve politike, theksi i të cilëve janë liritë dhe të drejtat, të cilat secila palë beson se duhet t’i gëzojë, dhe detyrimet, të cilat secila palë beson se pala tjetër duhet t’i zbatojë. Në këtë mënyrë, militantët projektojnë qëllimet e veta negative tek tjetri, ndërkohë që qëllimet pozitive i shfaqin gjithmonë si të vetat.

Militanti beson se pala tjetër ka për detyrë të mos vjedhë votën, por harron që pala e vet u bë palë vetë me palën tjetër për të vjedhur këtë votë duke ushtruar të dyja palët lirinë absolute e koalicionit mes dy të mëdhenjve për të bojkotuar votën që u takon forcave elektorale më të vogla. Për militantin socialist, kodi zgjedhor i votuar prej tyre në bashkëpunim me demokratët shpreh të drejtën e tyre, ndërkohë që vjedhja e votave nga demokratët shpreh mungesën e zbatimit të detyrimeve që kanë forcat elektorale.

Militantët kane të drejtën ligjore të manipulojnë me votën nëpërmjet legjislativit, por kundërshtari i tyre ka për detyrim të mos e shprehë këtë të drejtë ligjore të manipulimit me votën. Fakti që janë socialistët që bojkotojnë parlamentin e nxjerrë nga votimet e 2008-ës është krejt rastësor. Do ishim në të njëjtin pozicion pati sikur të kishin dalë të fituar socialistët. Demokratët do bojkotonin parlamentin duke kërkuar që Rama të hapte kutitë, ndërkohë që ky i fundit do i kishte djegur. Shkurt, me këmbënguljen e vet tek kutitë, nuk bëri asgjë tjetër përveçse projektoi hajdutërinë e vet tek Berisha, duke u përpjekur të projektonte veten si luftëtar i votës së lirë.

Megjithatë, jo të gjithë militantët janë njësoj. Pavarësisht faktit se si socialistët që bojkotojnë rrugët institucionale të parlamentit, si demokratët që bojkotojnë hetimet e Prokurorisë, kryejnë formalisht të njëjtin gjest, këto gjeste nuk janë të barabarta. PS-ja është parti pjesë e legjislativit që bojkoton tërësinë e tij, PD-ja është ekzekutivi që bojkoton gjyqësorin. Bojkoti i parlamentit prej socialistëve është akt i dënueshëm politikisht, i demokratëve i dënueshëm juridikisht. Akti i parë është mungesë vizioni politik, akti i dytë është fashist.

Ç’mund të thuash për një kryeministër që beson se opozita donte të bënte një puç shteti duke dërguar militantët e vetë në një demonstratë? Asgjë më shumë nuk mund të thuhet përveç faktit se kryeministri beson se grushti i shtetit mund të kryhet duke dërguar militantë në një protestë. Edhe sikur Rama të ketë pasur të paguar në protestuesit e 21 janarit, nuk ka dalë asnjë fakt që të provojë që qëllimi i tij nuk ishte të ndërgjegjësonte Berishën për dorëheqje, por grushti i shtetit. Nga ana tjetër Berisha e ka treguar, si duke tentuar realisht një grusht shteti ne 98-ën, si duke i mveshur besimet e veta kundërshtarit, se beson realisht se grushti i shtetit mund të kryhet me militantë në rrugë.

Gjithsesi, për ta mbyllur me këta, ajo që është e rëndësishme për sa i përket militantëve është se janë bojkotues. Ajo çka quhet protestë e opozitës është realisht bojkotim i rrugëve institucionale, përkatësisht, parlamentit. Nga ana tjetër, ajo që quhet protestë e Berishës kundër dhunës është realisht bojkot i rrugëve institucionale, përkatësisht, krejt rendit kushtetues.

b. Në raport me militantët, bojkotuesit parimorë mund të konsiderohen si bojkotues të bojkotit, çka dhe nxjerr në pah shenjën falë së cilës ky grup dallohet nga të tjerët, dhe kjo është indiferenca. Indiferenca, edhe pse kunatë e çinteresimit kantian, duhet kuptuar këtu si verbëri ndaj çdo diference që mund të ekzistojë mes dy palësh që nuk janë absolutisht të pastra. Qëllimi i bojkotuesve parimorë kështu është bojkoti ndaj gjithçkaje të pisët, deri sa duke mos diferencuar shkallën e pisllëkut arrin deri tek paradoksi i bojkotit të bojkotit.

Bojkotuesit parimorë kështu, janë hapi i fundit i antitezës hegeliane, pa mundur gjithsesi të artikulojnë një sintezë të qartë përtej dallimit mes absolutes së kulluar dhe të veçantës së pistë. Këtu hyjnë në përgjithësi të gjithë artistët të cilët kanë mundur ta ruajnë shpirtin të pastër në këtë botë. Po ashtu të gjithë intelektualët, pavarësia e të cilëve artikulohet falë distancimit publik me të gjitha forcat e errëta. Pavarësisht faktit që kjo është një lloj qarku i shkurtër, ata e sigurojnë pastërtinë e tyre nga distancimi absolut me çdo të keqe pa përjashtim.

Ajo që ka rëndësi për ta, si për të gjithë, është që e drejta të mos mohohet, por dallimi me të tjerët është që detyrimi qytetar duhet shprehur duke bojkotuar çdo formë dhune, e duke u distancuar nga çdo padrejtësi. Kështu p.sh., nëse do ketë një protestë më datë 28 janar, ajo duhet bojkotuar pasi kjo është “protesta e opozitës,” një palë po njësoj e ligë dhe e ndyrë si dhe pozita. Pavarësisht faktit që ajo protestë mund të ketë edhe protestues që protestojnë për veten e vet, e jo për opozitën, fakti që në të do marrin pjesë edhe militantët e opozitës, e bën këtë protestë të bojkotueshme.

Nuk do zgjatem tepër me bojkotuesit parimorë. Nuk do bëja tjetër veç do përsërisja ato që thashë në Kritikë Peticioneve. Kur janë të sinqertë, këta nuk bëjnë gjë tjetër përveçse shprehin naivitetin e tyre se pastërtia ekziston si e tillë, e transhendentalisht, ata mund t’i përkasin. Por kujdes, se megjithëqë përpiqen të na ndërgjegjësojnë kundër manipulimit prej militantëve duke na këshilluar të bojkotojmë manifestimet e tyre, ndonjëherë parimorët janë edhe vetë militantë, sa të vetëdijshëm, e sa jo.

Gjë që edhe më kujton një nga ato mençuritë popullore, që nuk mbaj mend në i kam dëgjuar nga gjyshja apo i kam lexuar nëpër ndonjë libër përrallash. Kur një bashkëshort i ri shkoi tek rrobaqepësi për të ndërruar mëngën e fustanit të së shoqes pasi kjo ia kërkoi meqë në pazar ia kishte prekur mëngën me mëngë një burrë i huaj, rrobaqepësi i tha se patjetër që mund ta ndërronte mëngën. “Por në më dëgjofsh një këshillë,” vazhdoi, “lëre gruan fare, se o e ke budallaçkë, o e ke kurvë.”

Por nuk dua ta mbyll me këtë notë me parimorët. Shpesh herë këta janë edhe thjesht të mllefosur, paçka se arsyet e mllefit duhet t’i kërkojnë tek vetja e vet. Kur fliste për arsyet e mllefit, këtu e gati dyqind vjet më parë, Kierkegaard shpjegonte se shoqëria njerëzore kalonte në mënyrë të shkëmbyeshme nëpër dy faza, fazën e pasioneve, dhe fazën e racionalitetit, dhe kur faza e racionalitetit arrin një pikë boshe, ku gjithçka ka një shpjegim racional, një justifikim, një alibi, atëherë shfaqet edhe mllefi. Kështu, arsyeja e mllefit në këtë aspekt është vetë arsyeja. Ajo që ky kamp duhet të kuptojë, dhe është në gjendje ta kuptojë duke pasur parasysh statusin intelektual që meritojnë, është se duhet të dalin nga ky rreth vicioz arsyesh pa fund për bojkot, e të mos kenë frikë të hidhen në kampin tjetër.

3. Mllef dhe manifesto

Në shkrimin e tij Shtet prej Letre, Blendi Kajsiu shtron arsyet se pse shteti shqiptar arriti të destabilizohej deri në atë masë sa dhe mund të rrezikohej grushti i shtetit. Këto arsye janë fakti që 1) “pushteti në Shqipëri organizohet dhe ushtrohet në mënyrë klientokratike,” 2) duke qenë se në radhët e kësaj klientokracie është vetëm një grusht i vogël njerëzish dhe jo krejt shoqëria e gjerë, atëherë pushteti klientokratik është “i cekët,” i siguruar jo falë mbështetjes së gjerë, por falë indiferencës që ushqen, dhe 3) shoqëruar me një mungesë modelesh zhvillimi, kjo bën atë që shoqëria shqiptare të polarizohet në një rreth të ngushtë pasanikësh të cilëve u shërben shteti nga një krah, dhe një masë e gjërë e shoqërisë për të cilët shteti nuk ekziston përveçse për t’i zhvatur. Ky kontingjent njerëzish, është ai që sipas Kajsiut keqpërdoret nga partitë politike për të krijuar destabilizim, e për të siguruar fitore partiake.

Nuk kam asgjë kundër kësaj diagnoze të Kajsiut. Përkundrazi, është diagnozë e konfirmuar nga opinione të dyta, të treta, e me radhë, sa nga politologët shqiptarë analistët, intelektualët e me radhë. Problemi është që kësaj diagnoze i mungon një prognozë e plotë. Disa prognoza të paplota janë ofruar sa nga fakti që diagnozat janë ne vetvete një lloj prognoze, sa nga modelet e zhvillimit që herë pas here i ka sjellë në sytë e publikut vetë Kajsiu po aq sa edhe intelektualë të tjerë, e sa nga fatalizmi publik që shfaqet herë pas here përballë këtij mali.

Konsideroj protestues atë kamp që plotëson këtë prognozë me anë të angazhimit publik dhe shprehjes së lirive negative. Të parët janë manifestues, të dytët janë protestuesit e mllefosur. Për sa i përket protestuesve të mllefosur, ata janë ata njerëz që protestojnë kundër pafuqisë së tyre, të kushtëzuar sa nga fakti që nuk iu ka mbetur asgjë për të shitur për të siguruar mbijetesën përveç trupit të tyre, sa ata që protestojnë kundër trupit të sëmurë shoqëror duke e nxjerrë mllefin tek familjarët, fqinjët, etj.

Te mllefosurit janë ata që përballë aksidenteve në rrugë zhdëpin në dru fëmijët e tyre. Ata që përballë çmimit në ngritje të nevojave jetësore, energjisë, ujit, ushqimit, zihen me njëri tjetrin në radhë. Ata që përballë kaosit të shkaktuar nga ligji i pronave vrasin babanë e vëllanë. Ata që përballë pamundësisë për të jetuar larg Tiranës e përballë pamundësisë për të jetuar në Tiranë zgjedhin të jetojnë nëpër çadra plastmasi pranë kryeqytetit. Ata që përballë papunësisë e nxjerrin mllefin në pije e pastaj rrahin gratë e fëmijët. Ata që përballë së njëjtës papunësi i lënë gratë e fëmijët për vite me radhë për të punuar në mërgim. Ata që edhe pse punojnë nuk paguhen, apo ata që nuk u del pensioni, ata që nuk dinë ç’të bëjnë pasi përfundojnë shkollat, e nga gjithë këto pamundësi godasin shtetin me gurë, drurë e çadra. Ata malësorë që s’kanë as si t’i ushqejnë fëmijët e as një grusht të hekurt t’i bien këtij mali, por që nga mllefi shkojnë edhe të vdesin përpara shtetit. E po të njëjtët që protestën e tyre e shprehin duke vrarë veten përditë e përditë.

Manifestuesit janë mësuesit e vërtetë, dhe këta janë ata që deri më sot kanë munguar. Këta janë ata për të cilët të drejtat janë detyrime, dhe jo të rëna nga qielli. Këta janë ata që përkrah platformave politike e ideologjike, përkrah modeleve zhvillimore ekonomike, përkrah kërkesave për taksë progresive, barazi ligjore e sociale, duhet të angazhojnë të mllefosurit duke i ndërgjegjësuar. Dhe ky ndërgjegjësim arrihet kur këta mësues të munguar të angazhohen rreth premtimit, rreth detyrimit, se protesta nuk do të shkojë dëm më shumë ç’po iu shkon dëm jeta. Këta janë ata, angazhimi publik i të cilëve nuk mjaftohet thjesht duke dhënë diagnoza, por që premtojnë e përpiqen për prognozën më të mirë. Në fjalët e një mësuesi 52 vjeçar nga Egjipti, “Policia nuk mund të na vrasë, sepse të vdekur jemi.” E po njësoj, opozita nuk mund të na e vjedhë protestën, sepse të vjedhur na e ka. Dhe këto shkojnë bashkë, sepse duke ripërvetësuar protestën, ripërvetësojmë edhe jetën.

Nuk ka komente

  1. E vjedhur nga gene:

    “”[from Europe] gene – 27 Jan 2011 – 3:34pm – #

    Berisha ka filluar te leshoje dekorata te reja keto dite.

    “SHUL I BARAZLARGESISE”

    Shperblimet ne vlere monetare i cakton ministri i finances ne te njejtin dekret me ato te delatoreve (dikur 80 leksha).

    nxitoni o shula te berishes. 10 postime behesh kandidat

    RROFSHIN XHAMAT E KRYEMINISTRISE. POSHTE HORRAT QE VRANE VETEN NE BULEVARD!!!!!!!!!!!!!!!!!””””

    Hitet e dimrit nga mua:
    Oferta e genes përfshin dhe një CD falas, me hitet më të reja!

    – As këtej, as andej.

    – Ciu ciu (unë i ziu, të dal jashtë më zë shiu, të rri brenda më ha miu)

    – Kom vegël për g..p, jo nuk bohem mish për top.

    – Midis cicave të Çiljetës (me vargjet e pavdekshme: Në jetë do ngelem përherë mbetës, midis cicave të Çiljetës)

    – Mu në mes, si vrimë e bths.

    – Peticion (këndojnë pleqtë e Këlcyrës)

  2. ”’E po njësoj, opozita nuk mund të na e vjedhë protestën, sepse të vjedhur na e ka. Dhe këto shkojnë bashkë, sepse duke ripërvetësuar protestën, ripërvetësojmë edhe jetën.”’

    Nuk e mora vesh kete mbyllje, sepse ne çastin kur nje i paanshem del ne shesh kunder pozites behet opozite.
    Mund te behet i opozites politike duke i premtuar voten, mund te behet edhe i opozites civile, ne çdo rast ai eshte opozitar, nuk e do kete pozite.

    Dalja ne shesh ose miratimi qe i jepet daljes ne shesh, vetvetiu ate qe eshte opozitar ndaj gjithe sistemit e ben opozitar ndaj pozites.
    Ai qe amalgamon pozicionet e ndryshme eshte armiku i perbashket, jo perputhjet ideore, pra ne çastin kur shquhet Berisha si armiku i perbashket, ketu nuk ka me vend per primatin civil apo politik te te qenit opozitar, ky primat i takon atij qe ka fuqine me te madhe dhe aftesi organizative.

    Mua me duket se ti po diskuton primatin e forcave kunder Berishes dhe me vjen keq ta them po ky eshte zakon i mbapshte i atyre qe kane bindje te majta .

    Nje me bindje te djathta nuk gerryen llogoren e vet per çeshtje te tilla, duhet kohezion, primati i takon atij qe eshte me i forte, apo shqip ai qe tregohet me trim dhe mbaroi ajo pune, na pelqen s’na pelqen, rreth tij shtrengohen radhet, ai eshte gjenerali, eshte nje objektiv, duhet organizim, organizimi kerkon nje koke te padiskutueshme, ai urdheron ti do s’do duhet te bindesh.

    Po ashtu, me nje thjeshtesi arkaike mendimi, te paanshmit qe perballe 3 te ekzekutuarve ne shesh, nxjerrin argumentet e tipit, ky eshte njesoj, s’dua te jem mish per top, jam kunder dhunes, dashuria triumfon mbi urrejtjen etj, i permbledh tek kategoria e atyre qe s’kane kellqe dhe gjejne 1000 arsye per te thene, jo se mua s’ma mban, po se keshtu e ashtu.

    Thjeshtesia arkaike e mendimit te ben te kuptosh se Sala me ate te vrare donte ti shtinte friken opozitareve dhe njekohesisht te mbante asnjanesit jashte loje. Po ashtu gjuha kercenuese e ketyre diteve, ka vetem nje kuptim, te me kini frike te gjithe ju qe jeni kunder meje, se jam i forte.
    Pati edhe sukses kjo gjuhe, me shume se çe prisja.

    Une nuk besoj se shqiptaret jane kunder dhunes, sepse nuk di qe shqiptaret te jene bijte e luleve, por besoj se shqiptaret jane kunder vrasjes se atij qe eshte me duar ne xhepa, besoj se shqiptaret jane kunder vrasjes se te paarmatosurit, biles besoj se thelle-thelle edhe pedeistet me te flakte, nese do gjykojne si shqiptare, do thonin se shqiptari nuk e vret te paarmatosurin, vetem krimineli e vret te paarmatosurin.

    Une do t’u kujtoja ne veçanti atyre verioreve qe jane me shume saliste sesa shqiptare, nje ngjarje te vjeter.
    Kur Ali pasha qe kish rekrutuar mirditoret me ne krye Lleshin e zi, zuri rob burrat e Kardhiqit dhe dihet urrejtja e tij patologjike per Kardhiqin, i tha Lleshit te zi te ekzekutonte gjithe burrat, ky pak a shume iu pergjigj:
    Jepu atyre nga nje pushke dhe ne do grihemi me ta, po keshtu te paarmatosur, nuk ka burre qe rron me kete turp.

    Keshtu, une s’jam kunder dhunes, as si shqiptar as se duhet mohuar dhuna qe te jesh demokrat(dhuna ekziston ne demokraci) jam kunder vrasjes se te paarmatosurit, nuk vret shqiptari te paarmatosurin, ai qe e ben duhet akuzuar ne radhe te pare si antishqiptar, duhen asgjesuar ne radhe te pare moralisht keta kriminele.

  3. Për aq vlerë sa mund të ketë këshilla e një anonimi, këshilloj të mos u bihet qytetarëve me gurë.

    Sikur historia e këtij konflikti shoqëror dhe politik, që i përçan thellë shqiptarët kudo që ndodhen, të kishte nisur në vitin e ligjërimit të sotëm, kritikat ndaj qëndrimeve qytetare ndoshta mund të kishin qenë të drejta.

    Gjithë halli është se historia fillon gjetiu, shumë më thellë se ç’duam ta pranojmë. Për pasojë, për aq kohë sa do të injorohet kjo thellësi, për aq kohë do të vriten fakirë të rastit rrugëve të Shqipërisë.

    Beteja që po zhvillohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit nuk është as bejetë qytetare dhe as bejejë politike.

    Është beteja e rradhës midis dy fiseve, klaneve, fraksioneve të të njëjtës origjinë, të të njëjtës mendësi, të të njejtit identitet, të të njëjtit besim.

    Është bejetja e rradhës midis dy djemsh të të njëjtës nënë që e kanë marrë peng Shqipërinë dhe bashkë me të pjesën më vyer të saj, qytetarët.

    Pikërisht për këtë arsye qytatarët, edhe pse forcë e brishtë në vend, janë mobilizuar për t’u bërë thirrje njerëzve që të mos përfshihen, që të mos vriten për kauza që nuk janë të tyret.

    Peticioni që kritikohet me ngulm, thua se është ai fajtori i zizë së shqiptarëve, është një ndër shprehjet e kësaj qyetarie, por nuk është e vetmja thirrje qytatare në këto ditë zie.

    Sigurisht që peticioni nuk është i përkryer. Jep përshtypjen që është formuluar shpejt dhe krijon edhe ndjesinë që është formuluar nga njerëz pa përvojë të caktuar politike apo lëvizjesh të tilla shoqërore.

    Por vlerat themelore të peticionit janë qytetare, pikërisht sepse njerëzve u bëhet thirrje t’i qëndrojnë larg një beteje që nuk zhvillohet për ta, që nuk është e tyrja, por që ka nevojë për ta.

    Kjo betejë, e cila kërkon medoemos dhe me ngulm të përfshijë qytetarinë dhe populliin në kazuzën e saj, ka nevojë për gjak të pafajshëm që të perpetuohet.

    Perticioni paralajmëron, më saktë vë alarmin, që njerëzit të mos bien pré e këtij kurthi, e kësaj grope të zezë që u është hapur shqiptarëve për t’i dhënë gjak e dëshmorë një sistemi kriminal.

    Shumë nga ata njerëz që e kanë firmosur atë peticion i njoh personalisht. Dëshmoj se ata që njoh janë të gjithë, pa përjashtim, qytetarë të mirëfilltë në mendësi, kulturë dhe traditë.

    Janë njerëz me të cilët kam qenë në shkollë, njerëz me të cilët kam ndarë përditshmërinë time në qytetin tim të lindjes, në Tiranë.

    Janë të njëjtit njerëz që kanë rrëzuar diktaturën, qoftë me qëndrimin e tyre qytetar, rezistent ndaj saj, qoftë me angazhimin e tyre personal në protesta.

    Shumë prej tyre përfaqësojnë emrat anonimë të heronjve tanë të heshtur që i bënë ballë terroriit dhe shëmtisë së diktaturës me dinjitet dhe moral qytetar.

    Nuk janë njerëz që kanë lindur dje, as pardje. Por janë njerëz që u është vjedhur liria dhe drejtësia për të cilin qëndruan dhe u përpoqën, shpesh me çmim të lartë.

    Të gjithë këta e dinë mirë se ç’po bëjnë sepse e njohin detyrën e qytetarit, të cilën nuk e kanë mësuar nëpër manuale, por e trashëgojnë dhe e përsosin pa bujë brez pas brezi.

    T’u biesh me gurë qytarëve të Shqipërisë që bëjnë thirrje t’i rrihet larg shëmtisë, terrorit dhe krimit, është të anashkalosh krejtësisht problemet e pazgjidhura që të mbajnë peng shqiptarët dhe sidomos qytetarët.

    Shkurt, t’u biesh qytetarëve është të vrasësh pjesën më të mirë të shoqërisë e bashkë me të kapitalin më të vyer për të ardhmen.

    Arsyeja e shtuar se përse e mbroj peticionin qytetar dhe sidomos ata që e kanë nënshkruar atë, është neveria me të cilën kam përcjellë tentativën për ta imituar këtë lëvizje qytetare gjenuine nëpërmjet një tjetër peticioni të sponsorizuar nga një organizatë e dyshimte si Sorosi.

    Kjo organizatë, që ka dy dekada që e furnizon politikën kriminale shqiptare me politikanë dhe ministra, shpall një peticion të habitshëm të nesërmen e nismës qytetare, duke e dubluar dhe duke ia copëzuar atij vëmendjen publike.

    Nëse peticioni i parë thërret për refuzim të lidershipit politik aktual, i dyti përfundon me kërkesën për një rilegjitimim të tyre, përmes një të dërguari ndërkombëtar special, i cili do ta ulë këtë lidership edhe një herë, së bashku, në tavolinën e marrëveshjes e kështu ta perpetuojë agoninë e shqiptarëve deri në datën tjetër të shpërthimit.

    Përfundimisht, theksoj se asnjë qytetar këto ditë nuk i ka rënë askujt me gurë për zgjedhet dhe anën që kanë marrë.

    Më minimalja është që kjo të vlerësohet dhe të respektohet nga cilido që ka zgjedhur të bëhet palë në këtë betejë.

    Optimalja e do që palët që i kanë bërë zgjdhjet e tyre, t’u qëndrojnë larg gurëve ndaj qyetarëve për aq kohë sa këta të fundit nuk po i qëllojnë.

    1. “T’u biesh me gurë qytarëve të Shqipërisë që bëjnë thirrje t’i rrihet larg shëmtisë, terrorit dhe krimit, është të anashkalosh krejtësisht problemet e pazgjidhura që të mbajnë peng shqiptarët dhe sidomos qytetarët. ”

      Kete i thashe pak a shume Lulianit tek ajo tema peticion-diskredituese, se kritike s’mund ta quaj pasi s’ka kuptim te kritikish nje peticion ne internet qe kerkon paqe dhe qendrim larg kesaj loje te pergjakshme per pushtet.

      Ore po pse doni patjeter te futemi ne llogoren tuaj apo te atyre te tjereve? Kaq shume ju ka zene gjaku i 21 janarit sa nuk e konceptoni dot qe nje njeri mund te jete kunder te gjithe kesaj loje te shpifur?

      Tek e fundit, na lini ne te qete ne, merruni me veten, shtjelloni kauzen tuaj.

      Se po beni tamam politike ramiste tani; Rama s’ka as plan as program as gje, premtimi i tij per shqiptaret kur te behet kryeminister eshte …. Berisha.Vetem kete fjale di te thote.

      Kurse juve tani e gjetet objektivin tuaj te ri; ne qe s’pajtohemi te bejme lojen e ketyre mafiozeve.

      Kjo eshte vertet pa kuptim, diskreditimi i atyre qe jane kundra te dyve, kundra kesaj loje te shpifur qe po bejne keta.

      Kjo…mbase s’e kuptoni tani po do e kuptoni me vone kur tju ulen gjakrat…kjo ju ben qesharake.

    2. Epiriot, kam frike se me ke keqkuptuar, ashtu si edhe Xhibi, Alidea, apo ndonje tjeter. Qellimi i shkrimeve te mija, te pakten deri ne kete moment, nuk ka qene kurrsesi goditja me gure shoqerise civile. Perkundrazi, duke perjashtuar cdo mentalitet utopik mbi faktin se pastertia mund te ekzistoje tek shoqeria civile, une besoj se kam perjashtuar edhe pastertine time, e rrjedhimisht nuk me takon te hedh gura, as gurin e pare, e as te fundit.

      Nuk e di sa i qarte kam qene, por distancimin pa ekuivoke e shoh jo si angazhim, por si marredhenie negative me cdo pozicion. Kjo ka vleren e vet per sa i perket distancimit me politiken e ceket te spektaklit qe po luhet sa nga Berisha edhe nga Rama, sa nga nje pale, dhe nga tjetra, dhe une per kete kam qene mese i qarte besoj, si ne kete shkrim duke rene dakord me diagnozen e Kajsiut, dhe ne te meparshmin duke rene dakord me diagnozen e Lubonjes.

      Gjithsesi, kam frike se nuk mjafton. Nuk e di se sa do besohet ketu, por ta zeme se une e kam firmosur ate peticionin. Pyetja ime mbetet: Tani cfare? Dhe ketu nuk mjafton thjesht kauza e shfarrosjes se nje “demokracie” te bazuar tek spektakli, pasi kjo nuk eshte kauze pozitive, por negative, e artikuluar jo per te miren, por kunder te keqes.

      Ketu dhe duhet theksuar dicka tjeter. Qe “kauza te majta” apo “kauza te djathta” per te cilat flet Metal Boy me poshte, jane fraza qe e kane humbur kuptimin tashme, dhe kjo jo vetem ne Shqiperi, ku asnjeri krah nuk ka nje platforme ideologjike apo ekonomike, por edhe ne Evrope, apo kudo ne bote. Keto lloj kauzash, veshur me zhargon e me retorike, u sherbejne Rames e Berishes po aq sa edhe homologeve te spektaklit qe keta kane neper bote.

      Kauza eshte vetem nje, dhe kjo eshte kujdesi qe njeriu te mos vuaje per kafshaten, te mos shnderrohet ne thjesht kafshe. Asnje prej peticioneve, ne dac ai i miri, ne dac ai i keqi i Sorrosit, nuk e perqafon kete kauze: ajo cka keto peticione perqafojne, ajo cka ato bejne eksplicite, ajo cka ato artikulojne, eshte kundershtimi dhe vetem kundershtimi i kastes klientokratike te pushtetit, sa ne pozite dhe ne opozite.

      Ajo qe une po sugjeroj eshte kjo, qe qellimi i eksistences se vete shtetit eshte qe te perkujdeset ndaj klithmave kafsherore, ndaj mllefit qe vjen prej atij kontigjenti te margjinalizuar. Por ky nuk eshte vetem qellimi i ekzistences se vete shtetit, por edhe detyrimi i shoqerise civile, intelektualeve, e me rradhe, dhe per sa i perket ketij grupi, ky eshte detyrimi i shnderrimit te kesaj klithme ne gjuhe, i artikulimit dhe berjes eksplicite te nevojave jetesore qe kjo klithme ve ne dukje. Mirepo qe te kuptojme se per cfare po flasim e te mos biem pre, kjo strukture artikulimi dhe berjeje eksplicite e nevojave qe leshojne kete klithme e angulli te mllefosur kafsherore, nuk eshte struktura e peticionit, por e manifestos, e materializimit te nje fantazme qe eshte e tille sepse e margjinalizuar.

      Keshtu qe jo, une nuk po qelloj me gure shoqerine civile. Po e kritikoj, e ndoshta rrepte, sepse besoj qe ka vetem nje kauze, e cila nuk eshte distancimi nga pushteti me cdo kusht, por artikulimi i nevojave jetesore nga nje ane, plotesimi i te cilave edhe siguron legjitimitetin e pushtetit, si dhe angazhimi nga ana e shoqerise civile nga ana tjeter, se nuk do mjaftohet duke percaktuar legjitimitetin apo mungesen e legjitimitetit te pushtetit, por duke i dhene kurajo ketyre njerezve kafshe, apo “homo sacer” quaji po deshe te mos biesh ne kurthin e “diktatures se proletariatit,” qe mllefin ta shprehin ne dyert e shtetit pasi mllefi i tyre nuk do shkoje dem.

      Dhe ketu, shoqeria civile apo intelektualet, nuk mund te justifikohen se spektakli i pluralizmit eshte teper i forte e qe gjithsesi do fitojne Ramat e Berishat e klientokratet e tyre, pasi kunder ketyre, dhe vetem kunder ketyre, qe te mos me keqkuptosh, nese nuk zene mend, ne vend te peticionit, une po keshilloj guret.

      1. Ah, p.s., qe te mos kete keqkuptime te tjera, kur them “keshilloj guret,” ki parasysh qe keto gure nuk jane metaforike.

  4. ”’Optimalja e do që palët që i kanë bërë zgjdhjet e tyre, t’u qëndrojnë larg gurëve ndaj qyetarëve për aq kohë sa këta të fundit nuk po i qëllojnë.”’

    Bar ore te hane, por ama pas ekzekutimeve ne shesh mos mi shit ‘qualunquistet’ si shtylla kurrizore e sjelljes civile, keta perkundrazi s’kane asnje lidhje me shtyllen kurrizore, mund te akuzohen lirisht per oportunizem, egoizem, individualizem, largim te pajustifikueshem nga res pubblica dhe kontrata sociale.

    Kjo eshte sjellja e katundarit dhe e tregtarit, qe shohin cepin e vet te botes, persa kohe qe e kane te pashkelur.

  5. Lul, ke te drejte, dhe ndjehesh i vetmuar, me gjithe c’kuptim dhe komandim kane te bashkuarit ne perceptimin tend. E vetmja gje qe te pelqen ty te kesh ne bashkim eshte numer, sasi, por prap, do, te jesh vetem.
    Te jesh vetem nuk eshte dobesi, perkundrazi, por kur do te jesh vetem bashke mund te jete dicka tjeter. Ose s’ke nevoj per asgje e qe te te le vetem te frikohesh, ose seleksionimi/perjashtimi (nga bashkimi qe zgjedh) ben shume efekt tek individ qe vetem s’rrin dot.
    Vorbull, Lul le, vorbull.

  6. Kerkesa per rreshtim ne kete shkrim apo edhe te tjere vjen nga premisa te majta. Ndarja ne llogore perballe te keqes ne luften ne mos perfundimtare afer fundit kunder shfrytezuesve.

    Eshte nje hipokrizi qe kesaj te majte nuk i ka munguar kurre. Edhe pse e di shume mire qe ne cdo rast, gjendja e njerezve nuk ka per te ndryshuar me ndryshim emrash, kjo fare marksiste per inerci eshte e predispozuar te kerkoje rreshtim per kauza fallco.

    Problemi eshte se edhe e djathta kerkon te njejtin rreshtim nga pjesa qytetare, e parreshtuar ne kacafytjen per jete a vdekje ndermjet dy paleve politike me argumenta kunder dhunes politike, ligjshmerise, kunder zjarrit e flakes etj.

    Kjo mase e madhe njerezish, ben edhe difrencen. Keta nuk pranojne as abuzimin por as dhunen politike. Nuk mashtrohen nga te korruptuar (kupto: Edi Rama) qe kerkojne te luftojne korrupsionin. E dine shume mire qe rrjeti i klienteles eshte i shtrire mire ne te dyja partite etj.

    Ne pergjithesi kjo mase qytetare vlereson edhe mesazhet e nderkombetareve.

    Pra kjo mase ben ndryshimin si ne kutine e votimit si ne cdo aksion politik.

    Kur i eshte kerkuar, kjo mase qytetare ka qene gjiithmone ne vendin e duhur, ne rrezimin e komunizmit, ne 97 pasi ishte e prekur drejtperdrejt etj. por nuk mashtrohet lehte nga sharlatane e aventuriere. Ka edhe nje pervoje nga ajo qe ndodhi ne 97 etj.

    Dy partite kryesore perfaqesojne shume dhe perpiqen qe me argumentet e tyre te terheqin dhe kete mase qytetare, por ketu ka vend per nje organizim dhe perfaqesim te kesaj mase jashte dy poleve kryesore. Kosova e beri, ndersa ne Shqiperi eshte teper e veshtire.

    Megjithate kjo vetedije qytetare eshte ajo qe pikerisht duke mos u rreshtuar pas cdo sharlatani mbron interesin e pergjithshem. Eshte filtri i domosdoshem.

  7. ””Kjo eshte vertet pa kuptim, diskreditimi i atyre qe jane kundra te dyve, kundra kesaj loje te shpifur qe po bejne keta.

    Kjo…mbase s’e kuptoni tani po do e kuptoni me vone kur tju ulen gjakrat…kjo ju ben qesharake.””

    Ore xhib, me ke rreshqitur disa here ketu, ti je plotesisht i ndergjegjshem (se nuk te njoh per budalla) qe as Sala e as Rama nuk ikin me peticion, atehere kur ne praktike s’po ben asgje, kush perfiton nga mosangazhimi praktik, kush perfiton nga status-quoja ?

    Perfiton Sala, rrjedhimisht mosangazhimi praktik ben lojen e Sales. Prej ketej edhe kritika ndaj mosangazhimit praktik prej atyre qe jane kunder Sales.
    Nderkaq nuk ka asnje kritike(s’kam pare, po e gjete, sille si prove se jam kurioz) prej mbeshtetesve te Sales ndaj peticionit.

    Tani po te behet mbledhja 1+1=2 nuk eshte e veshtire te gjendet se nga cila ane fle qesharakja.

    Megjithate, pranoj se peticioni eshte nje strehim i vlefshem i te djathteve me mend, se ata te tjeret sot pasi degjuan Berishen kujtojne se ne puç kishte ardhur vertet Xhejms Bondi me çadra-pistolete e stilolapsa-pistolete.

    Ama ndersa eshte strehim i vlefshem i te djathteve me mend, nuk mund te pranohet si strehim me vlere per asnjanesit, keta nuk ka strehe qe i mban (perveç qualunquizmit).

  8. Do te ishte tejet naive nese gjendja ne Shqiperi te trajtohesh si perplasjet principesh idelologjike apo thjesht (mos) aplikim procedurash.
    As me shume dhe as me pak, e gjithe lufta politike, me fituesit apo humbesit e saj, ka te beje me shperndarjen apo rishperndarjen e interesave dhe influencace ekonomike, te niveleve, fushave dhe sektoreve te ndryshem.
    Konvulsioni i ketyre diteve te fundit eshte demonstrimi i radhes i konfliktit qe po zhvillohet ne gjirin e “fisnikerise” se re qe sapo ka dale nga gjiri plebejve, te cilet fare papritmas, nje mengjes u gdhine pa patricet e vjeter, klase e tyre drejtuese te 50 vjeteve te fundit. “Fisniket” e rinj, jane po aq dominues ne metode, dhe menyre sa dhe patricet e vjeter. Interesat e tyre ekonomike dhe oligarkike nuk jane ndryshe nga ato te paraardhesve te tyre. E tille eshte natyra e njeriut.
    E gjithe kjo paranteze eshte per te nxjerre ne pah se rendi social ne fund te fundit nuk ka ndryshuar. Te vegjelit jane dhe kane mbetur po ata qe kane qene. Kush ka ndryshuar eshte vetem fytyra dhe emrat e “patriceve”. Konfliktet sociale, ne llojin e tyre, mbeten po aq te mprehta sa perhere, por “plebenjte” do ta kene shume te veshtire te gjejne nje kampion te tyre te vertet.
    Sa me heret te kuptohet se ambicjet politike te “plebenjve” ( lexo “patriceve te rinj”) te pasur, jane te shtytura, te kultivuara, te perpunuara, te kushtezuara dhe te perkufizuara nga interesat ekonomike dhe oligarkike, aq me mire dhe thjeshte do te jete per te gjetur nje diskur social te vlefshme dhe pozitiv per Shqiperine.

  9. Ja dhe nje menyre sesi mund te shihet thirrja per bojkot per te dy palet:

    Nje rruge e gjate qe perfundimisht do te na bie me shkurt. Te gjithe ne Shqiperi, si ata qe perjetuan nderrimin e sistemeve si ata qe perjetuan vetem tranzicionin, bejne habi se pse po zgjat kaq shume. Nese mund te thjeshtezohej vetem ne nje fjali, pergjigja eshte kjo: Zgjodhem rrugen me te shkurter qe po na bie me gjate. Me fjale te tjera ne vend te kultivimit gradual te se mires ne po e gjejme veten pas dy dekadash duke zgjedhur perseri te keqen me te vogel. Te pakenaqurit e qeverisjes se Nanon ia dhane voten Berishes pavaresisht se ky qe nje nga pergjegjesit kryesor te ngjarjeve te 97-es. Pse? Sepse u kishte ardhur ne maje te hundes nga keqqeverisja e Nanos dhe u hodhen tek e keqja qe gjykuan me te vogel. Te njejten po u kerkohet te bejne edhe tani; te heqin te keqen me te madhe (Berishen) per te vene te keqen me te vogel (Ramen).

    A eshte zgjidhje kjo? Natyrisht qe jo dhe dekadat qe po kalojne po e tregojne kete me se miri. Zgjedhja e se keqes me te vogel nuk po funksionon. Sepse kur populli mbeshtet masivish te keqen me te vogel, ajo kthehet gradualisht ne te keqen me te madhe. Dhe ata qe sot bejne thirrje per mosperfshirje tek e keqja me e vogel duhen kuptuar si njerezit e lodhur nga te qenit top ping-pongu.

    Kur Rama qe ne kulmin e “arritjeve” te tij ne bashkine e Tiranes e kur Lubonja filloi t’i kundervihej, shumica me e madhe e qytetareve e shikonin si ufo (perfshire edhe mua). Ata shikonin tek idete e tij naivin dhe idealistin po njesoj sic shihen perkrahesit e peticionit sot. Dhe kjo per arsyen se ata mendonin se Rama qe nje e keqe me e vogel, se ai te pakten dy gjera me mire po i bente. Gjendja e Tiranes sot po tregon se sa e pangopur paska qene kjo e “keqja me e vogel”. Mbaj mend edhe nje artikull te Rudina Xhunges qe deri diku qendronte dhe qe i drejtohej Lubonjes. Thelbi ishte se kur punon duart natyrisht qe do te behen edhe pis. Por ceshtja eshte se a i kane keta persona duart pis ngaqe punojne apo bejne sikur punojne per te na justifikuar duart e tyre te pista. Une them se eshte kjo e dyta.

    Po ndalem ketu se Ipare ne komentin me lart e ka pershkruar me bukur riciklimin e te njejtes kaste patricesh me te njejtat principe. Eshte koha te thyhet ky riciklim. Pse jo me nje start me te ngadalte por qe do te jape rezultate shume here me te mira.

  10. Lulian,

    Unë ty nuk kam mundësi të të keqkuptoj sepse kam kohë që të ndjek dhe të vlerësoj. Shoh tek ty përgatitje, konstistencë dhe integritet, vlera të cilat i cilësoj të çmuara.

    Shkrimin tënd të parë krtitik për këtë temë nuk e kundërshtova sepse kritikën tënde e cilësova me vend, të drejtë.

    Megjithatë, një seri e tillë kritikash kundër një lëvizjeje të mirëfilltë qytetare druaj se është kundërproduktive.

    Fillimisht, që të biem dakort për termat e bisedës, sqaroj se unë flas për qytetarë dhe lëvizje qytetare të mirëfilltë, jo për konstrukte artificiale të tilla, si organizata ‘shoqërish civile’.

    Deri më sot, në territorin e republikës sonë, ‘shoqëria civile’ është provuar të jetë një fenomen i impotuar, i cili ndërhyn në sistem për ta komfortuar, legjitimuar dhe ndihmuar atë.

    Shkurt, për të mpirë iniciativat e mirëfillta qytetare që e kundërshtojnë sistemin, të cilat në mungesë të tij ndoshta do të kishin mundësuar mpiksjen e iniciativate endogjene shumë më herët.

    Sorosi, në këtë kontekst, është shembulli më emblematik i një organizate që pozon si ‘shoqëri civile’.

    Pranova me kënaqësi se peticioni në fjalë, gjithë sikurse edhe thirrjet për përmbajtje dhe mospërfshirje nga të tjerë zëra qytetarë nuk janë perfektë.

    Por përpara se të pranojmë se nuk janë perfektë, duhet të vlerësojmë faktin që janë, që gjëmojnë. Faktin që tashmë zërat po zgjohen, që ndërgjegjja qytetare është rritur, që dëshiron të ndërhyjë, të imponohet.

    Për këtë, fillimisht i detyrohemi me një falenderim të thellë – dhe fjala falenderim bart edhe fjalën nderim brenda – lëvizjeve të qëndresës qytetare në Kosovë, të cilat me këmbënguljen e tyre kanë ringjallëruar shpresën për dobinë e lëvizjeve të qëndresës qytetare edhe në shoqërinë tonë të asfiksuar.

    Por duhet kuptuar mirë se në territorin e republikës shpresa qytetare është goditur shumë rëndë, kryesisht sepse njerëzit që deri dje ishin bartës të saj, qenë të parët që e korruptuan egërsisht atë.

    Kjo eksperiencë e hidhur, në territorin e republikës, është një histori që përsëritet pafund prej dy dekadash.

    Qartësisht, eksperineca e Kosovës ka ndikuar dhe po ndikon në ringjalljen e lëvizjeve qytetare. Por jemi ende në fillimet e kësaj ringjalljeje.

    Të gjithë ata njerëz për të cilët dëshmova se i njoh, që e kanë firmosur atë peticion, Shqipëria i ka përzënë nga territori i saj prej vitesh, si një forcë e padëshiruar në ndërtimin e këtij sistemi.

    Këta njerëz filimisht kanë nevojë të shpresojnë, më pas të njihen, e përfundimisht të lidhen, të ndjehen pjesë e një bashkësie që beson në të njëjtën vlerë, përpara se të lëvizin në një drejtim të caktuar së bashku.

    Jemi pra, ende në fillime, jo në mes dhe aq më pak në fundin e një lëvizjeje me qëllime dhe program të qartë.

    Kundërtishtimi, distancimi, thirrjet për përmbajtje dhe mospërfshirje nuk duhen kuptuar si asnjëanësi, përkundrazi.

    Lypet të kuptohen si thirrje për një alternativë, e cila është dhe duhet të jetë në ndërtim, në formim e sipër.

    Kjo është arsyeja pse pikërisht tani nuk duhet t’u bihet me gurë këtyre njerëzve.

    Qëllimi im dhe i yti pra, janë të njëjtë – të njëjtë bart fjalën ‘një’ brenda – por nuk mendoj se u duhet rënë me gurë këtyre njerëzve për arsye se ata nuk kanë ende mundësi të t’i bien me gurë të vërtetë një sistemi, të cilin ndërkaq po e godasin me gurë virtualë.

    Thirrja jote për një figurë si Lubonja në krye të kësaj lëvizjeje është e drejtë.

    Por ndoshta hezitimi i Lubonjës për t’u përfshirë në protesta lidhet edhe me përvojën e tij të vitit ’97, kur u vu në ballë të një lëvizjeje të ngjashme popullore, e cila në fund u kanalizua ndryshe prej poltikanëve dhe bandave.

    Edhe atëherë kishte zgjedhje të vjedhura, perspektivë varfërimi, dhe përballë ishte Berisha.

    Nuk besoj se hezitimi i tij ka lidhje me mungesën e burrërisë. Që Lubonja është burrë nuk ka mbetur të provohet sot.

    Në ’97 duhej shumë më tepër burrëri se sot për të demonstruar sepse rrugëve ishte ushtria ‘që mbronte institucionet’. Paraushtarakët nuk e kursenin dajakun mbi politikanë e gazetarë. Më pas, filluan vrajset e përditshme.

    Të bërit politikë në Shqipëri si një forcë e tretë, alternative, është provuar të jetë shumë e vështirë. Strukturalisht gati e pamundur tashmë, pas traktatit të firmosur midis dy partive.

    Sikur të mos mjaftonte kjo, të bërit politikë si një forcë alternative ka dy dekada që provohet e rrezikshme.

    Nga ana tjetër, nuk besoj mund të presim pafundësisht nga Lubonja. Edhe 17 vite burgje komunizmi – pa u thyer, se ky është gjithë sekreti i ngjarjes – edhe t’u prijë protestave çdo dekadë.

    Lubonja e ka stërprovouar veten burrë dhe ç’është më e rëndësishmja e ka lënë një shembull frymëzimi. Më tepër se kaq, zor të kërkohet nga një njeri i vetëm.

    Edhe pse kam bindjen se Lubonja do ta ndihmonte qenësisht një lëvizje qytetare, sikurse e ka bërë rëndom deri më tash, druaj se kjo kohë ka nevojë për udhëheqës të tjerë, më të rinj në moshë dhe energji.

    Përfundimisht, nuk duhet harruar se, sipas konfigurimeve të tashme gjeopolitike, hapësira shqiptare përfaqëson vetëm një province të thellë dhe të largët.

    Si e tillë, vëmendja fare minimale dhe cinizmi me të cilin trajtohen problemet e shqiptarëve nga ‘ndërkombëtarët’ janë faktorë tejet thelbësorë, të cilët kanë ndihmuar në ngritjen e këtij sistemi.

    Të njëjtët faktorë duhen mbajtur parasysh edhe në formësimet e lëvizjeve alternative.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin