Kjo e liderit të marrë (pazzo) është legjendë kokëfortë, që ushqehet jo me fakte, por me pritmëritë e njerëzve.
Ka kohë që qarkullon ndër shqiptarë për Berishën, sikurse në kontekste të tjera për Ramën. Në mjedise më intelektuale, e njëjta hipotezë përsiatet për Enver Hoxhën e viteve 1970-1980.
Natyrisht sëmundjet mendore janë realitet i hidhur, për ata që i vuajnë dhe familjet e tyre; por sëmundjet mendore të tërheqin nga jeta, nuk të nxjerrin në krye të shtetit.
Çfarë kanë parasysh njerëzit, kur thonë që Berisha është i marrë dhe kur e “provojnë” këtë me fakte, kanë parasysh jo aq sëmundjen, sesa defektin në karakter, ose sociopatinë – të përkufizuar si çrregullim antisocial të personalitetit.
Një numër i madh liderësh, anembanë botës, njihen si paranojakë (paranoidë): të sunduar nga dyshimet për të tjerët dhe mosbesimi; vigjilentë ndaj mjedisit rrethues, gjithnjë në kërkim të provave për dyshimet dhe paragjykimet e tyre, gjithnjë të vëmendshëm ndaj një rreziku, më shumë imagjinar se real; hakmarrës dhe intolerantë ndaj gabimeve.
Megjithatë, siç e ka thënë dikur Kissinger-i, edhe paranojakët kanë armiq; dhe në nivele të larta të politikës, diagnoza për çrregullim paranoid të personalitetit nuk vlen shumë.
Liderët kanë patologjitë e tyre, zakonisht tipike; një njeri introvert dhe melankolik vështirë se mund të përfundojë në krye të shtetit; karriera politike është e tillë që shoqërohet me seleksion të fortë të llojeve të personalitetit; që të udhëheqësh lypen disa virtyte të cilat vijnë me kosto të lartë, dhe një nga kostot është patologjia e personalitetit.
Gjëra që dihen; gjëra që nuk ngrenë peshë. Ngërçi në politikën shqiptare nuk mund të shpjegohet me argumente dhe arsyetime psikiatrike.
Të gjithë e shohim, bie fjala, Berishën të sillet në mënyrë jonormale; disa nga exploits e tij në publik, sidomos gjatë dhe pas ngjarjeve të 21 janarit, kanë qenë vërtet të trishtuara. Të gjithë kemi thënë me vete: bëni diçka për këtë njeri, një kamomil, ca pika valerianë, fundja shushunja…
Megjithatë, të këmbëngulësh për sëmundjen mendore të liderit – qoftë ky Berisha ose Rama – është, në rastin më të mirë, të parapëlqesh një shpjegim naiv ose folklorik të krizës në politikën shqiptare.
Më vlerë do të kishte premisa se nuk janë liderët të sëmurë mendërisht, por politika vetë.
Dhe ja pse: kur Berisha del në publik dhe duket sikur e humb kontrollin, logjikën dhe bon sens-in, kjo nuk është pasojë e ndonjë patologjie të personalitetit të tij, por vetëm tregues i këtij çrregullimi.
Të gjithë e kemi potencialin “për t’u çmendur”; çfarë na e mban mendjen në vend, veç neurohormoneve dhe hipofizës, është edhe e sidomos ndërveprimi me të tjerët, ndjenja e turpit dhe e frikës, ndjenja e nderit dhe e fjalës së dhënë.
Shëndetin mendor ia detyrojmë Tjetrit.
Sociopati, me përkufizim, e ka të vështirë të vendosë marrëdhënie normale me botën përreth, prandaj devijon në forma të ndryshme.
Shto këtu edhe se një lider që shfaq shenja të sociopatisë nuk është e thënë se është doemos sociopat, në kuptimin psikatrik të fjalës; mund të ndodhë, dhe ka ndodhur me siguri, që lideri politik po vuan, paradoksalisht, pasojat e pushtetit të tij absolut, ose mungesën e shtrëngimeve sociale.
Në fytyrën që i tregon publikut, lideri është po aq produkt i pushtetit që ka arritur, sa ç’është edhe reflektim i patologjive të tij mendore, ose i demonëve që e kanë poseduar tashmë. Liria ose shfrenimi, që vijnë me pushtetin jashtë çdo kontrolli, e lejojnë personalitetin patologjik të lulëzojë lirisht e të harliset përtej çdo rreziku për t’u krasitur nga të tjerët.
Të vërejmë, anembanë botës, liderët që, për meritë të tyre, mbështetje nga masa ose për shkak të formës autokratike të pushtetit, janë imponuar si trupëzime të autoritetit politik – të gjithë kanë tërhequr vëmendjen e psikiatrit brenda nesh: megalomani, paranojë, delir madhështie, agresion, protagonizëm. Dyshja mesdhetare Berlusconi/Kadafi e shembëllzon këtë dukuri më së miri: secili kloun në mënyrën e vet, megjithë prejardhjen politike të ndryshme dhe pangjashmërinë e institucioneve që drejtojnë.
Në demokraci, parimi i ndarjes së pushteteve dhe mekanizmi i checks & balances do menduar jo vetëm si garanci për demokracinë vetë, por edhe si një formë mjekimi për sociopatitë potenciale të liderëve të fortë, me personalitet imponues prej patriarku dhe energji të pashtershme.
Prandaj, të kërkosh t’i vësh diagnozën Berishës, ose kujtdo lideri tjetër autoritar, ndonjëherë autokratik, do të thotë se po e interpreton përmbys dinamikën e pushtetit politik.
Sa më autokratik është sistemi, aq më “i marrë” rrezikon të jetë autokrati në krye; patologjitë e tij personale mishërojnë patologjitë politike të sistemit vetë.
Persiatje te tilla nuk jane shume larg, fatkeqsisht, nga fjala e Berishes ne Kuvend ku ai nga “dashamiresia” per te emen e Edi Rames i fliste asaj per semundjet mendore te te birit.
Synimi kuptohet ishte per ta ulur piacen e diskutimit ne gjiriz; djali yt eshte i semure mendor dhe kesisoj s’merriton te jete kryeminister. Keto ulje kuptohet synojne anashkalimin e perballjeve me gjerat konkrete per te cilat politikanet jane pergjegjes, dhe te cilat jane ne interes ose dem te popullit.
Nga 1001 probleme reale qe ka politika dhe nga 1001 perversistete qe kane politikanet tane (te cilat duhen diskutuar dhe eventualisht, ne mos eleminuar, duhen neutralizuar nga politika shqiptare) te merresh me keto diskutime me duket pikerisht te biesh ne nivelin berishist te “ti duhet ti tregosh shqiptareve se djali yt eshte kuruar 10 vjet per skizofreni”, anipse jo nga poltrona e Kuvendit por e blogut/gazetave, dhe nga qasja “megjithate nuk jane aq te rendesishme”.
Me perjashtim qe vertet ju dhe ne te kemi pasur keqardhjen per Berishen/Ramen dhe njeheresh te kemi besuar qe shkaku i sjelljes se tyre ka qene mungesa e kamomilit ne dieten ditore…
xha – xha pavaresisht argumenteve qe ju me te drejten e zotit i ngrini, mua ky njeri me duket teresisht i cmendur. Me siguri qe une e kam gabim, se ndryshe nderkombetaret do ta kishin vene re dhe nuk do ta mbanin ne gjirin e tyre. Vecse ne qofshin edhe ata/ato te ………