BURSA E VIKTIMAVE

Atë që po ndodh sot me të ashtuquajturën “luftë kundër terrorit”, në vazhdim të përpjekjeve të gjithfarë grupeve fondamentaliste, kryesisht me frymëzim islamist për goditje spektakulare në Perëndim, e kanë quajtur edhe “luftë asimetrike” ose me terma të tjerë herë të qëlluar dhe herë jo.

E megjithatë, rrëzimi i sapo-njoftuar një avioni bombardues rus nga forcat e armatosura turke, mund të jetë një nga ato instanca fare të pakta, në mos e para herë, kur kemi të bëjmë vërtet me përplasje ushtarake mirëfilli.

Përndryshe, çfarë kemi parë të ndodhë më parë me Al Kaedën dhe tani me DAESH-in (kështu po na thonë se duhet ta quajmë “Shtetin Islamik”), është shkëmbimi i ndërsjelltë i viktimave civile: terroristët godasin në zemër të metropoleve të Perëndimit: në New York, Londër, Madrid, Paris dhe gjetiu duke masakruar njerëz krejt të pafajshëm, në mënyrë që lajmi të dalë në faqet e para të gazetave dhe në kryetitujt e revistave televizive; dhe ushtritë e sofistikuara të Perëndimit pastaj bombardojnë, pak a shumë kuturu, në vendet ku supozohet se gjenden “militantë” të grupeve të terrorit.

Nga njëra anë terroristët godasin dhe rrëzojnë rrokaqiej me avionë pasagjerësh, hedhin në erë vagona metroje dhe grijnë me automatik drekëtarë në restorante; nga ana tjetër, Perëndimi përgjigjet me zjarr e me hekur, duke djegur e shkatërruar, sipas rastit, kope dhish, fabrika aspirinash, dasma rurale dhe spitale të Médecins sans frontières. Këtej eksploziv të lidhur në brez me gjalmë, andej dronë që drejtohen nga ekspertë të kafeinizuar të videolojërave. Madje Perëndimi, me Shtetet e Bashkuara në krye por me një koalicion që përfshinte edhe bijtë e shqipes, pushtoi krejt kot një shtet laik si Iraku, për t’i kallur zjarrin dhe shkaktuar atje një luftë civile që ka lënë qindra-mijëra viktima deri më sot, por edhe një truall pjellor për fondamentalizmin islamist.

Çfarë po ndodh pikërisht? Pas sulmeve të Parisit ka pasur thirrje për rikthim të dënimit kapital, madje edhe në Francë, por edhe në Shqipëri (shih këtu), ku dënimin me vdekje ka njerëz që duan ta zbatojnë edhe brenda familjeve dhe fisit; por, në fakt, lufta e tanishme “kundër terrorit” nuk është veçse një luftë që zhvillohet kryesisht duke ekzekutuar popullsi civile nga të dy palët – pleq, gra dhe fëmijë, studentë dhe të papunë dhe barinj dhe infermierë. Në këtë vështrim, dënimi me vdekje po zbatohet në masë, edhe pse pa ndërmjetësinë e gjyqësorit; dhe jo vetëm nga terroristët, që vijnë dhe vrasin qytetarë këndej, duke i grirë me automatik ose me shrapnel ose duke ua hedhur trenat dhe rrokaqiejt në erë ose duke ua shpërthyer avionët plot trupa të nxirë në plazhet e Detit të Kuq; por edhe nga Perëndimorët dhe tani vonë rusët, meqë bombat e avionëve dhe të dronëve mund të jenë vërtet inteligjente, por nuk janë kurrë aq inteligjente sa të dallojnë midis “të njomit” dhe “të thatit” e mbase as synojnë të jenë.

Kush ka pasur rastin të ndjekë serialin televiziv “Homeland” do ta mbajë mend si, një nga të ashtuquajturit masterminds të terrorizmit islamist anti-amerikan (Abu Nazir) u radikalizua që nga momenti kur djali i vogël i mbeti i vrarë gjatë një bombardimi amerikan nga ajri diku në Irak. Ky pastaj përfundoi në krye të një organizate që u orvat të godiste mu në zemër të administratës së ShBA, në D.C.

Dikur, këtyre vrasjeve verbërisht, ose për të dërguar një mesazh “të fortë”, u kanë pasë thënë raprezalje – e ndesh termin në faqet e historisë së Luftës Na-Çl, ku flitet për raprezalje të italianëve dhe gjermanëve kundër popullsive lokale që strehonin partizanë ose ilegalë; por dukuria nuk ka qenë e kufizuar vetëm në Shqipëri dhe as vetëm në kohë lufte (raprezalje ishin edhe pushkatimet në Tiranë pas atentatit me bombë kundër Ambasadës Sovjetike, në fillimvitet 1950).

Në kohërat kur terrori nuk ishte mediatizuar ende në shkallën që është mediatizuar sot, raprezaljet synonin ndëshkimin të komuniteteve, nëpërmjet ekzekutimit të një kampioni njerëzish të zgjedhur pak a shumë me rrugë rastësore; një nga ato instanca kur viktima nuk vritej si individ, por si pjesë e një mase anonime.

Publiku në Perëndim i merr njoftimet për operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme (dhe viktimat përkatëse) nga burime të mirë-kontrolluara; e megjithatë, dihet tashmë gjerësisht se ndërhyrjet nga ajri, bombardimet verbërisht në zona pa infrastrukturë, si ato ku thuhet se bazohen militantët e DAESH-it, nuk mund të kenë veçse efekt raprezaljesh, ose operacionesh që synojnë nga njëra anë të kënaqin nevojën për shpagim të popullsive të goditura nga terrori në Perëndim; dhe nga ana tjetër, të dobësojnë marrëdhëniet e terroristëve, realë a të supozuar, me lokalët. Pa çka se bombardimet vetëm sa radikalizojnë, pa folur pastaj për pasoja kolaterale, si dyndjet e refugjatëve, të cilët kërkojnë të largohen nga zonat e prekura prej këtij tmerri.

Brenda kësaj logjike, nuk duhet të habitet kush, kur dëgjon që edhe terroristët pastaj të pretendojnë se goditjet e tyre në zemër të metropoleve Perëndimore kanë edhe ato natyrë raprezaljesh, që synojnë efekte të ngjashme me ato të bombardimeve nga ajri dhe mitralimeve nga dronët.

Me këtë dua të them se, të vrarët në këtë “luftë kundër terrorit”, që teorikisht duhej të ndodhte midis forcave ushtarake dhe policore të Perëndimit nga njëra anë, dhe militantëve fondamentalistë islamikë nga ana tjetër, janë në masë të madhe, në mos kryesisht, civilë të cilët ekzekutohen jo për rolin që luajnë në skenën e luftimeve, por për të dhënë dhe shkëmbyer mesazhe; sakrifica simbolike, madje rituale, në emër të interesave dhe të idealeve përkatëse.

Dhe nëse është kështu, edhe kërkesa për rikthim të “dënimit me vdekje” tingëllon patetike; sepse njerëzit po dënohen me vdekje dhe po ekzekutohen edhe këtej edhe andej; pa çka se të pafajshëm; dhe pa çka se të paktën Perëndimorët, dhe të paktën sa për sy e faqe, mbase vërtet do të kishin dëshiruar që të hiqnin qafe vetëm “të fajshmit”.

Nga ana tjetër, terrori nuk vepron njëlloj; nëse shoqëritë Perëndimore kanë arritur një nivel të tillë të iluzionit të sigurisë sa nuk mund ta pranojnë që darkëtarët, në mes të Parisit, të grihen me automatik për të “përçuar një mesazh” dhe prandaj paralizohen përballë numrit dhe sidomos absurditetit të vrasjeve, përtej detit jeta e individit është më e pasigurtë, më e ekspozuar ndaj vdekjes së dhunshme, prandaj vështirë të shpresosh se militantët, përfshi këtu edhe ata që janë gati të hedhin veten në erë me eksploziv, mund të dekurajohen nga masakrat e bombardimeve; e kundërta ka më gjasë të ndodhë.

Që këtej edhe argumenti, i sjellë tashmë nga shumë anë, se bombardimet nga ajri nuk zgjidhin gjë; përveçse se krijojnë iluzionin se po bëhet diçka – njëlloj sikurse prania e ushtarëve me qen gjuhë-jashtë në stacionet e metrosë krijon iluzionin e një mjedisi safe for children; dhe njëlloj sikurse kontrollet e sigurisë në aeroporte, të cilat i kanë quajtur tashmë teatër të sigurisë, u ofrojnë udhëtarëve spektaklin e një rendi publik ku gjithçka punon si sahat (për ta thënë me Shvejkun).

Këtu do të shtoja edhe se terrori që vjen nga Lindja e Mesme nuk mund të likuidohet duke shkëmbyer numra të vrarësh e të plagosurish në bursën e viktimave simbolike, sikurse ka ndodhur deri më sot; dhe as duke shtuar shpenzimet ushtarake dhe të sigurisë, të cilat po i shterrojnë arkat e fondeve publike në Perëndim. Aq më e vërtetë është kjo, në rrethanat kur kostoja sociale-psikologjike e një viktime të terrorit në Perëndim mbetet shumëfish më e lartë se ajo e një viktime të ngjashme, diku në mes të shkretëtirës, së cilës as emrin nuk ia dimë dhe, edhe sikur t’ia dinim, nuk do t’ia shqiptonim dot. Këtë terroristët dhe nxitësit e financuesit e tyre e dinë, sikurse e dinë se kapitali i gjakimit të tyre është pikërisht kjo diferencë në kosto.

2 Komente

  1. Nje i cmendur qellon nje te mencur dhe i mencuri i kthehet , ky qellon – ai qellon, ky qellon – ai qellon e une nuk di me kush eshte i cmenduri e kush eshte i mencuri. Por nuk ka shume rendesi sepse di fundin , populli humb gjithmone, ata qe prodhojne arme fitojne.
    … Turqit u hakmorren me ruset per cisternat qe u dogjen.

  2. Meqe perdoret metaforen e burses, atehere i bie qe reagimi i Frengjeve eshte ekuivalenti i ‘quantitative easing’. Motoja e sotme eshte QE forever..sperkat gjithcka.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: