DRITARE TË THYERA

Sugjerova, në një koment të shkrimit të mëparshëm, se një imponim i vetë-detyruar i etiketës, nga ana e politikanëve, në marrëdhëniet publike mes tyre, do të shpinte, vetvetiu dhe në vetvete, në një përshëndoshje të jetës politike dhe të debatit publik.

Politicus ma quajti naiv këtë sugjerim; në përgjithësi, politicus priret t’i quajë naive sugjerimet e mia në këtë fushë, duke u paraqitur si ujk i vjetër i kulisave të politikës – çka më duket më tepër role playing sesa deluzion i rëndomtë.

Megjithatë, kur e bëra atë sugjerim, kisha parasysh, ndër të tjera, edhe të ashtuquajturin “bast të Pascal-it” (Pascal’s Wager), në lidhje me ekzistencën e Zotit; ku ai i fton dyshuesit ose agnostikët të sillen e të veprojnë sikur Zoti të ekzistonte, meqë ashtu vetëm mund të fitojnë.

Një nga aplikimet praktike, të këtij basti, është edhe ftesa për t’iu lutur Zotit edhe kur nuk jemi të sigurt për ekzistencën e tij; sepse besimi do të na vijë me kohë, nëpërmjet praktikës.

Vitet e fundit, nëse nuk gabohem, edhe Papa Gjon Pali II e ka rekomanduar këtë taktikë të sjelljes publike, në një debat me intelektualë shekullaristë, duke u kërkuar këtyre një marrëveshje, sipas së cilës palët në jetën publike europiane të silleshin sikur Zoti të ekzistonte vërtet, çka do të përfshinte në komunikim edhe ateistët dhe agnostikët.

Edhe shoqata e mirënjohur Alcoholic Anonymous, e përdor rëndom formulën fake it until you make it (“bëj sikur, derisa të arrish vërtet”) me anëtarët e vet të rinj; për të treguar se te bindja mund të arrihet edhe nëpërmjet një sjelljeje ose rituali të caktuar.

Duke diskutuar këtë mekanizëm sui generis, në një pasazh ku përmenden edhe dy shembujt që solla më lart (basti i Pascal-it dhe parimi i Alcoholic Anonymous), Slavoj Zizek përmend edhe një anekdotë me fizikanin e madh Niels Bohr. Ky e kishte zakon të mbante një patkua kali të ngulur sipër derës së madhe të shtëpisë së vet; kur një vizitor i habitur e pyeti nëse besonte se patkoi vërtet sjell fat, Bohr-i iu përgjigj: “Jo, nuk besoj në besëtytni të tilla; por më kanë thënë se patkoi mbron kundër fatit të keq edhe po të mos i besosh.”

Përtej Zizekut dhe shembujve të tij (të sjella në kontekstin e një leximi të Lacan-it), kur vlerësoja etiketën ndërpersonale në diskutimet për temën tjetër, kisha parasysh edhe të mirënjohurën teori të “dritares së thyer” (Broken Window Theory): një teori kriminalistike, sipas së cilës edhe mirëmbajtja e thjeshtë e mjedisit urban parandalon vandalizmin dhe shkallëzimin drejt krimit më serioz.

Sipas kësaj teorie, për shembull, imponimi i rreptë dhe pakompromis i një politike relativisht minore, dhe pikërisht i ndalimit (dhe asgjësimit të menjëhershëm) të graffiti-ve në vagonat dhe stacionet e metrove ndihmon për të ulur, në mënyrë të ndjeshme, krimin në ato mjedise (rrahjet, vjedhjet, thyerjet, vandalizmin).

Ja si e ilustrojnë teorinë autorët e saj James Q. Wilson dhe George L. Kelling:

Le të konsiderojmë një ndërtesë që i ka disa dritare të thyera. Nëse dritaret nuk meremetohen, vandalët do të priren të thyejnë dritare të tjera. Herët a vonë, edhe do të shpërthejnë ndërtesën dhe, po të jetë kjo e zbrazët, do të vendosen aty ose do të ndezin zjarre aty brenda.

Ose le të konsiderojmë një trotuar, ku kanë hedhur plehra. Herët a vonë, po të mos i heqë kush plehrat, do të grumbullohen edhe më shumë plehra. Më në fund, njerëzit do të fillojnë t’i çojnë atje plehrat e tyre dhe vendi do të marrë pamjen e një zone të braktisur…

Është thënë se teoria e dritares së thyer ka gjetur zbatim të suksesshëm në praktikë, duke e ulur ndjeshëm krimin në zonat e mëdha metropolitane të ShBA. Një zgjatim i saj ishte edhe politika e tolerancës zero, e zbatuar nga administrata e kryetarit të bashkisë së New York-ut, Rudy Giuliani.

Të gjithë këta shembuj më bëjnë të mendoj se edhe thjesht adoptimi, me marrëveshje formale, i një etikete të stërholluar në marrëdhëniet publike mes politikanëve në Tiranë do të ndihmonte ndoshta në mënyrë vendimtare për ta përshëndoshur klimën politike atje.

Këto politika mund të tingëllojnë naive, por kanë funksionuar, sepse janë kuptuar dhe përkrahur nga njerëz që shqetësohen për të mirën publike; ndërsa luzma e “kopilëve”, që ka mbushur institucionet në Tiranë, nuk po arrijnë dot të ndërtojnë, rreth vetes, as edhe mjedisin publik më elementar, ku të ndihen të qytetëruar; edhe pse luftën kundër naivitetit duket ta kenë fituar tashmë.

 

Nuk ka komente

  1. Xhaxha,

    Po vazhdon te spekulosh me kete ceshtje dhe po me ben te dyshoj se nuk je perdorur pa dashje. Une vazhdoj te te them qe eshte naive te mendosh qe ndryshimi i etiketes do te zgjidhe problemet politike sepse : 1) problemet politike shqiptare jane me te thella se sa dimensioni i komunikimit dhe 2) sepse ajo qe ti e quan problemi ne fakt eshte aparenca e problemit duke qene se politikanet tane dine te komunikojne mes vedi. Perderisa kur u duhet ata dine te komunikojne mire me njeri tjetrin rrjedh logjikisht qe problemi kryesor per tu zgjidhur nuk mund te jete komunikimi. Kete ta thote cdo student i vitit te pare te shkencave politike ne Universitetin Kristal e ska nevoje per ujqer e ulkonja te reja e te vjetra.
    Meqe po permend studime ketu, lejome te te jap edhe une nje shembull marre nga libri “Mbi mesataren” i Malkolm Gladuell. (ang. Outliers)
    Aty Gladuell citon psikologun Geert Hofstedt i cili ka eksperimentuar pranueshmerine e pushtetit dhe autoritetit nder popuj te ndryshem. Qe ti bie shkurt Power Distance Index sic e quan Hofsted tregon statistikisht se popuj te ndryshem kane reagime te ndryshme ndaj politikave te njejta sepse kultura e pranimit te autoritetit ndryshon dukshem nga njeri tek tjetri. Deri ketu ne rregull. Por po ti hyjme pak me thelle ( sic hyn Gladuell) shohim disa ndryshime jo intuitive si psh midis Danimarkes me PDI te ulet(!!!!!!) -pra me kulture nderi te larte- dhe Suedise me PDI te ulet- pra me kulture ligji te larte. Gladuelli i hyn dhe me thelle dhe shpjegon edhe prejardhjen historiko-kulturore te ketyre ndryshimeve bazuar ne disa studime ne kete fushe po kjo ka pak rendesi ketu.

    Ne lidhje me argumentin tend mbi etiken politike, kjo te shton te pakten nje element i cili mund te jete vendimtar ne rrezimin e perfundimit qe ti nxjerr bazuar tek Pascali, Zhizheku et al. Domethene shkaku per mosfunksionimin e politikes shqiptare mund te jete niveli teper i ulet i PDI-se (Gladuell nuk e permend Shqiperine dhe une nuk e kam perpara studimin statistikor te Hofstedtit) e jo etika politike e komunikimit. Ti kete as merr mundimin ta cekesh, madje hiqesh i sigurte se “shkenca” ka provuar qe ti ke te drejte. Te siguroj qe po ti hysh me thelle te dalin edhe elemente te tjere politiko shoqerore qe ndikojne duke e bere tezen qe ti shtron (etika e komunikimit te Berishes=shkaku i mosfunksionimit te politikes shqiptare) nje perpjekje naive per ti hyre malit ne kembe. Nuk po spekuloj ne kete pike, keshtu si ty kane menduar “nderkombetaret” deri nga fillimi i viteve 2000 por jane zhgenjyer rendshem nga kjo qasje joproduktive. Po te lexosh kujtimet e te derguarve nderkombetare besoj se do bindesh edhe vete.
    Dhe e fundit por jo nga rendesia:deri me tani nuk te kam fyer personalisht (te pakten jo me vetedashje) dhe do te kerkoja per etike te mos e besh me me mua. Analizat psikologjike te miat i ben nje profesionist tek i cili do me ndjesh po kam shume me teper besim per keto ceshtje.

    1. Politicus shkruan:

      Perderisa kur u duhet ata [politikanët në Tiranë] dine te komunikojne mire me njeri tjetrin rrjedh logjikisht qe problemi kryesor per tu zgjidhur nuk mund te jete komunikimi. Kete ta thote çdo student i vitit te pare te shkencave politike ne Universitetin Kristal e s’ka nevoje per ujqer e ulkonja te reja e te vjetra.

      Vetëdisiplinimi mund të jetë një mënyrë për t’iu qasur zgjidhjes së problemit.

      [H]iqesh i sigurte se “shkenca” ka provuar qe ti ke te drejte

      Absolutisht jo; as hiqem i sigurt, as flas gjëkundi për shkencë. Sugjeroj disa gjëra, bëj disa analogji, jap shpjegime për rrugën që ndoqa në arsyetim.

      Thua se teza që unë shtroj qenka:

      etika e komunikimit te Berishes=shkaku i mosfunksionimit te politikes shqiptare

      Kjo do të ishte njëlloj sikur të thuhej se shkaku i alkoolizmit në SHBA është anëtarësimi i pamjaftueshëm në Alcoholic Anonymous.

      Në fakt unë mendoj se etika e komunikimit e Berishës kryeministër, e Topallit kryetare e parlamentit dhe e shumë deputetëve të të dyja krahëve të spektrit politik, siç e ndoqëm gjatë seancës së fundit të Parlamentit në Tiranë, veç dëshmon nivelin e ulët të këtyre njerëzve – nivelin e ulët intelektual, nivelin e ulët moral dhe nivelin e ulët kulturor. Nuk di ta shpjegoj ndryshe.

      Duke qenë niveli kaq i ulët, ndoshta vetëdisiplinimi do të shërbente, tërthorazi, për ta ngritur disi nivelin, deri në atë shkallë sa të kuptohet se gjuha e keqe në publik nuk i ndihmon aspak komunikimit dhe debatit politik; madje edhe atëherë kur është e kalkuluar.

      Thua:

      deri me tani nuk te kam fyer personalisht (te pakten jo me vetedashje) dhe do te kerkoja per etike te mos e besh me me mua.

      Më vjen keq nëse të kam fyer – por vetëm iu përgjigja, me të njëjtën monedhë, qortimeve të tua sa padronizuese, aq dhe të përsëritura, për naivitet.

      Politicus, klasa politike me Berishën në krye, së cilës ti i del në mbrojtje, ka dështuar në misionin e saj. Niveli i kësaj klase është më i ulëti që ka parë ndonjëherë shteti shqiptar, që nga themelimi i vet. Këta njerëz i kanë përdhosur të gjitha institucionet e shtetit, duke filluar nga Parlamenti e duke vazhduar me ekzekutivin dhe gjyqësorin. Unë besoj se e vetmja mënyrë si mund të flitet për ta është mënyra naive – e njëjtë me propozimin që bëri tani vonë Lubonja, për të ngritur një parlament paralel, ose diçka të tillë.

      Shkruan:

      Po vazhdon te spekulosh me kete ceshtje dhe po me ben te dyshoj se nuk je perdorur pa dashje.

      Kjo është gjuha e një operativi të PD-së. Nëse kishe synim të më fyeje, të siguroj se ia arrite qëllimit, duke më mohuar virtytin e mendimit të pavarur, qoftë edhe kur e kam gabim.

      1. Duke pranuar paraprakisht se ky po shnderrohet ( edhe per fajin tim) ne shkembim ShabanQosisht po rrekem edhe nje here. Ne pergjigjen e dyte qe i jep argumenteve te mia e moderon ndjeshem tezen dhe e ben shume me te pranueshme po gjithsesi me duhet te te ve ne dukje disa pasaktesi.

        Xhaxhai: Vetëdisiplinimi mund të jetë një mënyrë për t’iu qasur zgjidhjes së problemit.

        Shembull i moderimit te tezes nga ” meqenese flet ne ate menyre Berisha malok eshte patjeter i semure psikik me komplekse per Kristaqin artist” ne permiresimi i etikes komunikative MUND edhe te jete zgjidhja. Nese qendron e dyta, argumenti psikologjizant shnderrohet ne hipoteze te paprovuar e te panevojshme per kontekstin dhe i ngjason shume pislleqeve qe qarkullon ajo politike qe ti fajeson. Une edhe te thashe qe pikerisht ty nuk te shkon, ke aq shume per te kritikuar Berishen sa ske pse bie kaq poshte. Por kete e beja miqesisht pa kurrfare projekti per te te ndalur te drejten e fjales.
        Nderkohe une thashe qe permiresimi i ndjeshem i etikes mund te mbetet permiresim vetem teorik madje te dhashe edhe shembuj nga kujtimet e Vranitzkit (nuk e permenda me emer me siper)mbi 97en qe te provon se vrazhdesia e politikes nuk eshte shkaku por pasoja. Duke rregulluar pasojen, ke bere nje hap perpara po je prape ne batak ose do biesh ne batak per shkak te kushteve te tjera strukturore te politikes. Thashe edhe qe ketu ka vend per shume diskutim te metejshem qe ishte sinjal se intelekti yt mbi mesataren mund te vihej ne gjykimin tim ne perdorim shume me mire ne kete drejtim. Perseri vetem nje keshille miqesore pa dashur te orientoj gjesend.
        vazhdon: Duke qenë niveli kaq i ulët, ndoshta vetëdisiplinimi do të shërbente, tërthorazi, për ta ngritur disi nivelin, deri në atë shkallë sa të kuptohet se gjuha e keqe në publik nuk i ndihmon aspak komunikimit dhe debatit politik; madje edhe atëherë kur është e kalkuluar.
        Ne teori sherben, por te lutem shpjegoja pak kete politikanit te cilit nuk i beson dynjaja(humb zgjedhjet) sepse “ja futen ne Opinion ata te krahut tjeter”. Ai ta kthen etiken surratit sepse qellimi kryesor i tij eshte te zgjidhet, sepse vetem ashtu mund te kete ndikim ne “rregullimin” e gjendjes. Kjo ndodh kudo, jo vetem ne Shqiperi meqe ra llafi. Shembull me te qarte se te dha Theollogos me Edi Ramen nuk ka, i cili me gjithe formimin po Berishizohet perdite e me teper. Por ti vazhdon ta injorosh me vetedije veprimin e vrazhde politik i cili ka pasoja po aq te keqija ne mos me te keqija se komunikimi i vrazhde. Erion Velija nuk eshte me pak i rrezikshem se sa Edi Paloka per shkak se Paloka te shan si horr(eshte horr) e Velija frekuenton Ariana Hafingtonin(edhe ky eshte horr po ama flet si bilbil, tamam si Obama). Une e quaj horr nje njeri qe promovon publikisht pa ju dridhur qerpiku se eshte “konsulenti politik” i librit te Obames. Erjoni eshte sigurisht me “raffinato” se Paloka halldup e halabak, po i njejti brume jane. Nese propozon rafinimin gjuhesor te horrllekut, i.e. “vetem te flasin paster e bukur se te tjerat rregullohen pasandaj” kjo nuk eshte zgjidhje. Une vete jam per derrmimin e tij me te gjitha mjetet e mundshme. Smund ta besoj nderkohe qe ti mund te propozosh ate te paren.

        thua: Më vjen keq nëse të kam fyer – por vetëm iu përgjigja, me të njëjtën monedhë, qortimeve të tua sa padronizuese, aq dhe të përsëritura, për naivitet.

        Ne fakt te qortova per argument politikisht naiv dhe jo per naivitet, ndryshimin midis te cilave e kam degjuar shpeshhere te artikuluar me shume elegance edhe prej teje. Nese te ka fyer, sigurisht qe nuk ishte qellimi im dhe kerkoj ndjese. Nderkohe besoj se je i ndergjegjshem qe sapo perceptove cenim te personalitetit tend, me vetedije ( sic shkruan me siper) e anashkalove etiken qe te karakterizon ne kete forum dhe “u pergjigje me te njejten monedhe”. Bej si them une por jo si bej une?

        thua: Politicus, klasa politike me Berishën në krye, së cilës ti i del në mbrojtje, ka dështuar në misionin e saj. Niveli i kësaj klase është më i ulëti që ka parë ndonjëherë shteti shqiptar, që nga themelimi i vet. Këta njerëz i kanë përdhosur të gjitha institucionet e shtetit, duke filluar nga Parlamenti e duke vazhduar me ekzekutivin dhe gjyqësorin. Unë besoj se e vetmja mënyrë si mund të flitet për ta është mënyra naive – e njëjtë me propozimin që bëri tani vonë Lubonja, për të ngritur një parlament paralel, ose diçka të tillë.

        Kur thua qe une i dalkam ne mbrojtje Berishes (dhe klases politike te drejtuar nga ai) imagjino pak sikur une te te pergjigjesha : mashtron per te mbuluar urrejtjen patetike per Berishen e cila te ben ta ulesh etiken profesionale( te cilen e ke) deri sa te merresh me psikozat e tij. Ose me mire ende” ty te vjen inat se ste ka afruar njeri, madje as PS-ja e Rames qe e do aq shume”. Me siguri do te te dukej argument i nje operativi te PD-se( me te drejte) por une do te te thoja qe vetem tu pergjigja me te njejten monedhe.
        Sa per te qene te qarte ti dhe stalker, per mua Berisha eshte njeri nga problemet e politikes shqiptare, por jo i vetmi. Rama eshte po aq problem, madje me i rrezikshem sepse disa i genjen me etike komunikimi, per te cilen te rekomandoj edhe nje here Theollogosin me siper se une nuk e shpreh dot me mire. Nuk i dal ne mbrojtje askujt, aq me pak klases politike, rilexoje te lutem fjaline ne postimin me siper kur thoja” llumi ka mbuluar shoqerine tone…..”. Nese kishe ndonje dyshim po te rikonfirmoj qe e kisha per klasen politike e jo per shqiptaret. Problemi eshte se disa (nuk dua te te fus ty ne te njejten kategori) qorrohen aq shume nga pafuqia per tju kundervene atij qe e quajne maloku i pagdhendur (stalker e kam per Berishen ketu) qe na prishi Tiranen, sa bien ne bataqe te papara. Te mos harrojme qe edhe kur nuk ishte ne krye Berisha ishim ne batak. A mos po thua se sa erdhi Rama dolem nga bataku, i.e. ndryshoi Partia Socialiste(urraaaa) dhe tanime problemi i vetem eshte maloku me te tijte? Ose Taulant Balla(i cili ty ste ben pershtypje e as te ka bere kur ishte zv minister) na qenka me qytetar se Jozefina. Cta quaj kete une aman?
        Pastaj kur thua ka deshtuar klasa politike ( teresisht dakord edhe pse per arsye te ndryshme nga te tuat) edhe Rama ka deshtuar? Edhe ai klase politike eshte, ka kohe qe sben me art. Atehere i bie qe ti besh nje psikologjizante edhe atij apo jo. Per barazi trajtimi them por dhe per thellesi analitike te ceshtjes.
        Ja ta jap une spunton, tek Top Channel ke ca video te fushates se vitit 2000 ku Rama uleret si i cmendur(fitoi zgjedhjet hakshe ama duke i permendur Mustafajit qe fle me grate e shokeve ne debat te transmetuar drejtperdrejt nga televizioni publik), tamam si Berisha ne fushate a ne parlament. Ose merr klipet e prera te “takimeve me gazetaret” kur u drejtohet femrave gazetare (per hir te se vertetes ca palo gazetare) me fjalor Palokian. Te gjitha i ka ne dispozicion Muci se ai punon aty dhe arkiva eshte e hapur per te gjithe punonjesit. Nje klikim kompjuteri dhe ca durim sa te shkarkohen do. Do ishte sherbim publik ti publikonte ne Respublica madje dhe te hapte debat eterik per to. Por Rama kujdeset fort qe ta ruaje imazhin nga keto ‘vogelsira mediatike” dhe ka nje ekip te tere per kete pune, ne fakt mjaft te afte. Kurre nuk u shpeton ndonje nga batutat halabake te Rames ne takime me njerezit, sidomos me socialistet e thekur te cilet i do shume. Ore cfare nuk u thote po sdalin asnjehere ne televizor. Me pare dalin sekretet e Wikileaks se sa rrugacerite qe nxjerr nga goja Rama. Nje sms dhe zgjidhet ceshtja, shpeshhere u dergohet kaseta e gatshme edhe televizioneve mike. Madje stilin e kopjoi edhe Berisha ne fushaten e 2009, asgje gjenuine, cdo gje e prodhuar nga Sandri dhe e shperndare me kaseta. E ka ba Obama-tha. Ah se harrova, ka edhe nje diskutim publik me te fundit per buxhetin e Bashkise ne 2009 ku vertet niveli ra aq poshte sa njeri nga keshilltaret e LZHK-se qe me pas “u bind” nga Rama per te votuar buxhetin tha “cer rrim ne ketu mer jahu, une i teke raki me Dashin du me pi”, dhe aty Rama smund te fshihej se ishte direkt ne Ora news(news 24 kishte ne programacion Arratia e Peshkut te kuq te cilin e gjykoi me te rendesishem). Ne diskutim me nje nga “maloket e Sali Vicidolit” i cili i permendi ligjin per transparence te buxhetit Rama ngriti duart e i vuri para penisit sic bejne tifozat italiane kunder tifozeve kundershtare. Ka edhe shkembime me Ferdinand Ponin dhe me Njazi Kosovrastin gjate viteve te cilat nuk ndryshojne aspak nga batutat e Nanos ne KPDne famekeqe. Edhe ajo kasete egziston po nuk transmetohet se ndoshta i duhet Berishes per fushate. E keshtu me radhe…..
        A sperbejne keto material per diskutim te etikes se komunikimit? Pse te merremi me psikozen e Berishes vis-a-vis Kristaqit te ndjere?

        Ne mbyllje, propozimi i Lubes eshte qesharak per kedo qe kupton ABCne e sistemit nderkombetar. Ndryshe nga c’thote Lubonja, shteti komb eshte ende i forte dhe ata qe mund te vijne do vijne ose per te marre territor, ose per te marre ca dieta qyl sic ben OSBEja sot, e jo per te rregulluar zenkat e jevgjitkave tona(perseri nuk kam perjashtuar njeri, ne dac Juelen ne dac Ermonelen). Te presesh te te shpetoje Europi eshte baraz me vetevrasje te paralajmeruar. Per ta mbyllur me shqiptari: gomarin e nxjerr i zoti nga qulli o Xhaxha.

  2. Domethene shkaku per mosfunksionimin e politikes shqiptare mund te jete niveli teper i ulet i PDI-se

    Ne cdo studim politik qe kam lexuar, Shqiperia shenon shume lart ne PDI. Nderkohe mjafton nje person ne terren ne Shqiperi qe ta ‘asgjesoje’ komplet kete pohim, duke me bere te mendoj qe termi me i pershtatshem per shqiptaret (e Shqiperis) qenka jo me ‘ekstra-komunitare’ po ‘jashte-tokesore’.

    1. lapsusi im Qafir,

      Danimarka te larte, Suedia te ulet. Per rrjedhoje edhe Shqiperia te larte. Analogjia shpresoj qe ishte e qarte nderkohe.

      Ej per kuriozitet, une sjetoj ne Shqiperi keto kohe.

  3. Xhaxha, do doja edhe unë që ta nderoja këtë sofër me studime të larta filozofike (të lexuara vërdallë), por meqë kam kohë që s’kam kohë që të merrem me lexime, po i bije shkurt me atë se si e shikoj unë: keni të drejtë; po të jetosh mes kafshëve, herët a vonë do fillosh të veprosh si ato.

    Teoria e “xhamit të thyer”, ose, më mirë të them, e mentalitetit mbizotërues në Tiranë/Shqipëri, që, “hë mo, se kështu bëjnë të gjithë” nuk ka nevojë t’u spiegohet atyre që janë në Shqipëri… e them me keqardhje, por e kanë të pamundur ta konceptojnë si teori dhe aq më tepër që të reagojnë (qoftë edhe individualisht) për të ndryshuar gjërat.

    Banalizimi i së keqes, në kuptimin që e keqja është bërë diçka normale dhe e rëndomtë, është alarmant… sepse nuk konsiderohet i tillë vetëm nga “katunarët”, por edhe nga qytetarët dhe, ashtu siç e vini në dukje, këto fenomene i ndeshim edhe në rangjet më të larta të kulturës apo politikës (për një seancë tjetër parlamentare që më pati rastisur të shoh, pata shkruajtur edhe unë diçka http://edrus.shqipo.com/2010/03/20/spektakel-i-padenje/).

    Ky banalizim i së keqes, bën që edhe persona të cilët i do dhe i respekton për edukatën dhe kulturën e tyre, të bëhen nganjëherë harbutë (për sytë dhe mentalitetin e ne-ve që jetojmë në ambjente ku rregullat kanë rëndësinë e tyre dhe i raspektojmë… pikërisht, një personi të tillë, për pak i thyeva dorën dhe doja ta zbrisja nga makina, kur zgjati dorën që t’i binte borisë që të bënte atë që kishim përpara që të ecte pak më shpejt… 100mt larg spitalit.

    P.s: Po t’i heqim pjesën e drunjtë asaj “shqipes totalitare”, dmth ngurtësinë në leksik dhe të shikojmë rolin e saj në komunikim, do të shikojmë se… nuk qe edhe aq e gabuar.
    Roli i saj edukues (apo quajeni: i mbajtjes nën presion, apo kërcënues), me mbajtjen e saj me “xhama të pathyer”, bënte që TË GJITHË të përpiqeshin të mos thyenin xhama dhe të shikonim që, vështirë se kishte “disidentë” që të vepronin ndryshe nga sa predikohej.
    P.s2: megjithse s’kam kohë që të axhornohem, disa elementë rudimentalë të asaj çka kam studiuar nga filozofia dikur, më bëjnë që të shikoj akoma shkak-pasojën dhe të flisja për formë-përmbajtjen, duke i dhënë rëndësinë e saj formës (rasti i shkrimit tuaj dhe komenti im) dhe rolin që ajo luan mbi përmbajtjen, pa patur frikë që të etiketohemi si armiq të popullit (megjithse do dalin zëra të tillë gjithmonë… dhe shpresoj që Politikus të mos ma marrë sikur ta kem patur me të )

    1. aspak Edrus,

      megjithe namin si militant i PD-se, te siguroj se as jam i tille e aq me pak pres qe ketu te me lemohet egoja me mendime te njejta me te miat. Perkundrazi.
      Ndoshta kete here edhe bera gabim qe i thashe palles palle, sic e gjykoj une. Ndoshta ishte mungese etikete nga ana ime. Po ashtu e mendoj, asaj skam ci bej.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin