SHQIPE MAKINASH

Për arsye që dihen, gjuha e përdorur në lokalizimet e programeve Microsoft, veçanërisht Microsoft Windows, do të shërbejë detyrimisht si model për të gjitha përkthimet dhe lokalizimet në lëmin e teknologjisë së informacionit.

Shqipja e miratuar e Microsoft Windows është vendosur tashmë online, në këtë faqe të kërkueshme.

Përgjithësisht, hartuesit e terminologjisë dhe përkthyesit duket se kanë punuar profesionalisht. Çfarë u ka munguar, është pikërisht njohja e shqipes dhe besimi në mundësitë e saj.

Po e ilustroj këtë shqetësim me një term nga më të përdorurit në informatikë: set (si folje) dhe setting (si emër). Në përkthimet e mia jo Microsoft, unë gjithnjë e kam dhënë set si cilësoj, setting si cilësim, reset (folje) si ricilësoj dhe reset (emër) si ricilësim.

Për fat të keq, terminologjia shqipe e miratuar nga Microsoft ka ndjekur një rrugë tjetër: duke e përkthyer set si vendos, setting si parametër, reset (folje) si rivendos, dhe reset (emër) si rivendosje.

Shembull i qartë si mund të gabojë terminologjia dhe me ç’pasoja.

Folja vendos në shqipe është shumë e ngarkuar, me kuptime shpesh të hapërdara (ka, ndër të tjera, kuptimet “place” dhe “decide”). Sidoqoftë, në parim mund të zgjerohet edhe më kuptimisht, për ta pranuar edhe “set”, në kuptimin e përcaktimit të një vlere.

Mirëpo logjika do ta kërkonte, në këtë rast, që emri setting të jepej si vendosje, për të ruajtur lidhjet me set (“vendos”). Autorëve vendosje pas gjase nuk do t’u ketë pëlqyer, dhe kanë preferuar termin parametër, i cili përveçse thyen konsistencën leksikore, nuk është as i saktë kuptimisht, madje edhe në sferën e informatikës (të shihet kjo faqe).

Me fjalë të tjera, duke i dhënë teknicizmit ndërkombëtar parametër edhe kuptimet e setting, koncept nga më elementarët në mënyrën si ndërveprojnë përdoruesit me kompjuterin, autorët njëkohësisht ia kanë dëmtuar kuptimin dhe përdorimin vetë termit parametër, i cili është i rëndësishëm në programim.

Por ka edhe më. Sikur të mos u mjaftonte masakrimi i parametër, autorët kanë shkuar edhe më tej, duke e përkthyer set up (folje) si parametrizoj, dhe setup (emër) si parametrizim; edhe pse jam i sigurt se nuk ka shqiptar e shqipfolës që, kur e konfiguron një program (set up) e mendon këtë si parametrizim. Në fakt, parametrizim është një nga ato fjalë që duhen dëbuar pa ceremoni nga përdorimi jospecifik, ose nga ligjërata joteknike.

Natyrisht, kush e përkthen setup si parametrizim edhe do të pështjellohet e ndonjëherë do të harrojë dallimin midis instalimit dhe konfigurimit të një programi; që këtej, Windows Setup është përkthyer si Instaluesi i Windows, çka do t’i kallte tmerrin kujtdo që blen një kompjuter për herë të parë dhe vendos ta përdorë në shqipe.

Problemi kryesor këtu është mungesa e vizionit përfshirës, ose e një konceptimi sistemik të bashkësisë së termave. Duke e shkatërruar lidhjen leksikore midis set (vendos) dhe setting (parametër) autorët kanë dëmtuar, në mos asgjësuar, edhe lidhjen konceptuale mes këtyre dy termave, duke ua vështirësuar punën dhe të mësuarit përdoruesve. Shto këtu edhe mbingarkimin semantike të foljes vendos, dhe katrahurën kuptimore quasi esperantizuese me parametër dhe parametrizoj (madje edhe parametrizim, i parametrizuar), për të kuptuar se ekipit që ka punuar me tekstet e Microsoft Windows i ka munguar, herë-herë, ekspertiza profesionale dhe, veçanërisht, përvoja në lëmë të leksikut shqip dhe ndjenja gjuhësore, që fitohet vetëm me kontakt të gjatë e të shumëllojshëm me pasuritë e shqipes.

Çështja mund të tingëllojë si teknike në këtë fazë, por le të kemi parasysh perspektivën, sidomos rëndësinë që po vjen duke marrë ndërfaqja përdorues/makinë në jetën e përditshme të qytetarit të shekullit XXI. Ligjërata e Microsoft Windows është e destinuar të dalë nga kufijtë relativisht të përcaktuar mirë të PC-së, për t’u derdhur në ndërfaqen komunikuese të produkteve të tilla si lexues MP3, telefona celularë, tableta (të llojit iPad), lexues elektronikë, automatë shitjesh dhe informacioni dhe gjithfarë pajisjesh të tjera elektroshtëpiake.

Të gjithë duam që këto produkte të flasin shqipen normalisht, po aq normalisht sa ç’e flasin anglishten automatët bankarë dhe makinat larëse. Tek e fundit, ka pak gjasa, hë për hë, që këto makina të mësojnë fjalë dhe përdorime të reja nga njerëzit që japin e marrin me to, në një kohë që homo sapiens gjithnjë është shquar për aftësitë përshtatëse; prandaj askush prej nesh sot nuk do të uronte që nipat dhe mbesat nesër të vijnë e t’i flasin për parametrizime dhe rivendosje, sidomos në lëmin testamentar.

Nuk ka komente

  1. Ke kapur nje teme mjaft te veshtire xha xhai. Sepse shqipja ka boshlleqe te medha per sa i perket terminologjise teknike qe eshte futur ne perdorim gjate shume viteve e qe se pari kane lidhje me periudhen kur pati nje zhvillim te industrise. Kjo i perket viteve 1950-1980 e me pas. Gjeneratat e teknikeve qe filluan perdorimin e termave teknike u pergatiten ne shkolla te bllokut lindor, me vone ne perendim e ne varesi te kesaj kane futur edhe terminologjine e mesuar ne shtetin perkates. Keshtu ne tekniken e automjeteve dominon terminologjia e huazuar nga italianet (kambio, marsh, friksion, sotokarter etj.). Zhvillimi i metejshem sjell nevojen e termave te reja dhe elektronika e teknika e informatikes kane sjelle nje fushe te re te interpretimit te fjaleve qe perdorin.
    Ne rastin konkret set dhe vendos qofte e para ne anglisht sikurse edhe kjo e shqipes kane nje perdorim shume te gjere. Psh kane kuptim mekanik kur sendin e ve diku (mbi dollap, mbi tryeze etj) . Por kane edhe kuptim abstrakt: gjykata vendosi ….
    Keshtu eshte pak e veshtire te rendohen specialistet e fushes me fajin e mos gjetjes se fjaleve te pershtateshme per tu perdorur ne rastin qe permend. Psh teknikisht setup eshte plotesisht me vend te cilesohet parametrizim ne rastin kur ne nje rregullator elektronik vendosen vlerat teknike qe do te repektoje paisja ne proceduren e rregullimit. Keto vlera ia jep njeriu pra ai paracakton parametrat, keshtu me te drejte edhe parametrizim mund te quhet.
    Por kur setup kuptohet si instalim, pra kemi ne dore nje program (disk, floppy apo flashdrive) dhe ate ia kalojme kompjuterit: shqip e hedhim ne kompjuter (siç them mendimet i hodha ne leter), edhe vendosje mund ta quash sepse nje softver(program) qe nuk eshte ne kompjuter kalohet dhe ze vend ne nje vend tjeter pra ne diskun e tij.
    Ne fakt fjalet parametrizim dhe konfigurim (kush eshte homologja e kesaj ne shqip?) ngaterrohen lehte pasi jane fare prane ne fushen praktike.
    Konkluzioni:
    shqipja dhe jo vetem kjo, nuk mund ti pergjigjet me fjalet e saj origjinale kerkesave qe sjell zhvillimi ne daljen e terminologjive te reja, mbetet qe ato ti huazoje nga ndonje gjuhe tjeter (siç kane bere edhe perendimoret me fjalen robot). Tentativa e futjes se ndonje fjale te re origjinale ndesh veshtiresi te madhe per tu pranuar ne opinion. Si shembull do permendja biçikleten. As sot e kesaj dite nuk kam degjuar njeri ta quaje dyrrotak.
    E vetmja gje qe mund te behet ne kete drejtim, eshte qe kur te perdoret-huazohet nje term i ri, ai te standardizohet ne menyre qe edhe fjaloret ti japin te njejtin spjegim(interpretim).

  2. Deri më sot, përkthimet e bëra për Microsoft-in nuk kanë shërbyes si model për pjesën tjetër të fushës përkatëse, atë jashtë Microsoft-it. Sa për shembull:

    http://en.sq.open-tran.eu/suggest/settings

    Shembullin e dhashë jo për të diskutuar anën gjuhësore, teknike, por për të treguar praninë e një bote tjetër, jashtë-Microsoft-iane. (Programi që mban në këmbë vetë këtë blog është një nga produktet e saj).

    Urimi im është që të mos shërbejnë edhe më tej si model. Dhe që përpjekjet serioze për një shqipe kompjuterike të përditësuar dhe funksionale të mbeten jashtë hijes dhe financave të Microsoft-it.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin