SIMPTOMA ËITHERS

Cili nga ne nuk ia ka parë emrin ambasadorit amerikan në Shqipëri Withers të shkruar si Ëithers?

Këtë version drejtshkrimor e ndesha sot në mëngjes te Gazeta Shqiptare; por Google më kthen rreth 5,000 hits, të cilat nuk janë pak.

Të gjithë ia dimë edhe arsyen këtij shtrembërimi të çuditshëm – i cili lidhet drejtpërdrejt me kujdesin e shkruesve kompjuterikë, për t’ia ruajtur shqipes alfabetin ashtu siç e deshën baballarët e gjuhës në Manastir – me ë-të dhe ç-të të paprekura.

Meqë tastiera e një kompjuteri të destinuar për tregun anglishtfolës nuk ka tast të posaçëm për ë-në, atëherë shumë prej nesh e shkruajnë këtë shkronjë si w, për ta zëvendësuar në fund, me një search & replace të thjeshtë.

Kjo metodë praktike vjen me një efekt anësor: zëvendësimi do të prekë të gjitha w-të e tekstit, duke mos lënë jashtë as ato që duhej të mbeteshin si w.

Kështu Withers përfundon si Ëithers, Washington si Ëashington (mbi 20,000 hite) dhe New York si Neë York (mbi 12,600 hite).

Edhe këtu gazetat shqiptare udhëheqin, meqë në redaksitë e tyre duket të ketë mbijetuar vullneti për ta shkruar shqipen me të 36 shkronjat e alfabetit.

Sa për të tjerët, këta kanë hequr dorë prej kohësh nga ë-të, prandaj janë vetvetiu të mbrojtur nga simptoma Ëithers – meqë çdo e keqe ka një të mirë.

Të gjithëve na shpëtojnë gabime të tilla; me siguri edhe mua në blog dhe gjetiu.

Megjithatë, mijërat e Ëithers-ëve dhe Ëashington-ëve në faqet e medias shqiptare tradhtojnë një të vërtetë të padëshiruar; dhe pikërisht që këto faqe, pasi shkruhen, nuk i lexon më njeri – asnjë redaktor, asnjë korrektor, asnjë kontrollor faktesh.

I jepen lexuesit të freskëta nga furra, si të ishin produkte gjenijsh intuitivë, ose Mozartësh të shtypit.

Pa folur pastaj për kontrollin drejtshkrimor automatik, të cilin Microsoft e ofron falas për shqipen; dhe që ndihmon, madje edhe atëherë kur autorët kanë gabuar.

Për fat të mirë, e shumta e shqipshkruesve ndjekin rregullën tradicionale të tejshkrimit të emrave të huaj; çka bën që ambasadori amerikan në Tiranë të dalë korrektësisht si Uidhers (Google jep rreth 228,000 hits për këtë).

Megjithatë, siç e kam sqaruar gjetiu, tejshkrimi tradicional i emrave të huaj sipas shqiptimit të tyre, veçanërisht i atyre me burim nga gjuhët madhore të Perëndimit, krijon disa probleme me organizimin e informacionit; sepse një motor kërkimi që urdhërohet të kërkojë për instanca të emrit Withers në Web nuk do të kujtohet të kërkojë edhe për Uidhers; dhe kështu do të humbë rreth 228,000 faqe shqiptare ku flitet për ambasadorin tonë.

Gjithsesi, Uidhers është për t’u parapëlqyer ndaj Ëithers.

Përndryshe, grafia e çuditshme e këtij emri më konfirmon se edhe kultura shqiptare tashmë ka hyrë në atë fazë ku shkruesit po ua kalojnë në numër lexuesve – dhe me lexues nuk kam parasysh vetëm redaktorët.

Shënim: për të kërkuar instanca të grafive Ëithers, Ëashington, Neë York etj. në Web, i kam shoqëruar këto trajta me një fjalë shqipe të rëndomtë, p.sh. është/eshte, që zor se do të ndeshet në faqe gjuhësh të tjera; për t’u siguruar se do të më kthehen rezultate vetëm nga faqe shqip – për fat të keq, Google nuk ma jep opsionin për të kërkuar vetëm në faqe shqip; në një kohë që eithers dhe ëithers i trajton si forma të së njëjtës fjalë. Gjithsesi ju lutem që komentet në vijim të mos përqendrohen në teknikat e përdorimit të motorëve të kërkimit në Internet.

Nuk ka komente

  1. Ka patur reagime edhe per kete ceshtje ne redaksi te caktuara. Gjuha si problem diplomatik mund te perkufizonim i nderuari zoteri, por fakti eshte se jo ne te gjitha rastet ndiqet ky model shkrimi. Kjo varet nga humori i korrektorit, libri qe ai ka perpara per konsultim, qe zakonisht eshte “Drejtshkrimi i gjuhes Shqipe”, por edhe mungesa e redaktoreve letrare ne gazetat shqiptare. Dua te them, qe redaktore ka, por kuptojeni drejt; gjithe ajo pergjegjesi per drejtimin politik te faqeve, per ca cikerrima do shqetesohen njerezit tani? Nga ana tjeter shumica e korrektoreve qe kam punuar jane shume te vjeter ne moshe, qe nga koha e Zerit te Popullit. Njerez shume te mire, te dashur, njohes te mire te medias, por qe sepse konfliktohen me njeri-tjetrin gjithnje per shqipen e shkruar. Megjithate per rastin ne fjale nuk mund te fajesosh shtypin edhe sepse te fajesosh eshte nje term qe nuk ka me asnje kuptim ne kete rast, por edhe sepse askush nuk e ndan mire punen e te shkruarit te fjaleve te huaja. “Evropa apo Europa”- ka qene nje shkrim i Klosit para ca koheve qe trajtonte kete problem.

    PS: Lidhur me kete punen e shkrimit, si mund te behet qe ketu te shkruajme me ‘Ë’ dhe me ‘C’ me mjekerr meqe une deri me tani nuk e kam gjetur dot zgjidhjen teknike per kete ?

    1. Kjo që trajtoj unë më lart nuk është çështje drejtshkrimi, as ka të bëjë drejtpërdrejt me mënyrën si shkruhen fjalët e huaja. Pyetja ime është: a i lexon njeri këto gjëra, pasi shkruhen, por para se të botohen? Nuk ka nevojë të kesh diplomë filologjike, që ta ndiesh gjëmbin Ëithers të të shpojë syrin.

      1. Po i lexojne. Gjithnje. Mungesa e pergjegjesise ne kete rast buron nga permbysja e hierarkise ne shtypin e shkruar qe tanime funksionon me parimin e normistit te faqes. Ose bojaxhiut te letres nese nuk ta mbush mendjen ajo e para.
        Pervec Gazetes Shqiptare qe perhere ka luajtur me lajmin, perpunimin, investigimin dhe abuzimin me te, thuajse te gjitha gazetat e tjera kane vendosur si prioritet te vetin rubriken e Koment&analize.

      2. Mbaj mend se kur isha nxënës në gjimnaz, profesori i matematikës na pat thënë se në librat e Bashkimit Sovjetik nuk ka gabime shtypi. Ata – tha – nuk lejojnë të shtypet një libër para se të përmirësohen të gjitha gabimet. Nuk e thoshte për ideologji, thjesht si një fakt. Nuk e di a ishte e vërtetë kjo.

        1. Kam jetuar, më pas punuar me njerëz që kishin kryer studimet në Bashkimin Sovjetik. Im atë, që ka studiuar gjithashtu atje, tregonte kujdes të jashtëzakonshëm për drejtshkrimin; mbaj mend që e bleu menjëherë librin e “rregullave” të 1972-shit dhe e përvetësoi para meje; madje ndonjëherë pyetjeve që më bënte nuk dija t’u përgjigjesha edhe pasi kisha përfunduar unë vetë studimet në filologji. Po ashtu, vite më pas, kur fillova punë në Institut të Gjuhësisë, habitesha gjithnjë me kujdesin që tregonte boss-i i atjeshëm, Androkli Kostallari (gjithashtu i diplomuar në BS), për cilësinë e materialeve të botuara. Kur pat shpëtuar një herë një gabim shtypi në parathënien e “Fjalorit” të vitit 1984, thamë se po i vinte fundi universit.

          Kam përshtypjen se për këtë brez fjala e shtypshkruar përfaqësonte shtetin dhe institucionet; çdo gabim interpretohej edhe si plasë ose e çarë në vetë murin e institucionit; në kuptimin që çdo gabim, sado i vogël dhe i parëndësishëm, shenjonte ipso facto mundësinë e gabimit; dhe që andej të rebelimit ndaj rregullave, ose të paktën subversionit. I njëjti Kostallar, megjithë statusin që kishte si akademik nga kryesorët, nuk nguronte të shfaqej në Institut në pikë të sabahut në dimër, për të kontrolluar nëse punonjësit vinin në punë në orar (në 7:00 am); kjo farë përpikmërie nuk ndikonte fare në rendimentin e punës, por konformimi ishte shenjë se institucioni po funksiononte sipas rregullave.

          Të mendosh që në atë kohë spell checkers nuk ekzistonin; megjithatë, një revistë Studime Filologjike e viteve 1970 është çuditërisht e pastër nga gabimet – drejtshkrimore, të shtypit, të radhitjes. E përsërit, vëmendja ndaj drejtshkrimit dhe rregullave e standardeve të tjera të ngjashme nuk tradhton pedantizëm, por respekt dhe nënshtrim ndaj autoritetit të pranuar, që shpreheshin nëpërmjet pjesëmarrjes në jetën sociale; por në rastin e materialeve të botuara, ndikonte edhe fakti që botues i të gjitha këtyre ishte vetë shteti, i cili shprehej drejtpërdrejt në konformimin e produkteve të botuara ndaj të gjitha rregullave të miratuara – mes të cilave edhe ato të drejtshkrimit.

          1. Kjo ndoshta do të jetë edhe arsyeja që dikur në të ardhmen epoka e diktaturës komuniste në Shqipëri të shikohet si një periudhë artë e lindjes së Republikës si formë shtetërore moderne e shqiptarëve dhe pakkush do të interesohet për terrorin ideologjik e fizik të asaj kohe, kur t’i duhet të përballet me katastrofën kulturore të shqiptarëve në periudhën e mëpasshme, që ne sot për arsye gjithnjë e më shumë konvencionale apo kronologjike dhe gjithnjë e më pak përmbajtësore e quajmë akoma “demokratike”. Komunistët e panë shtetin që në fillimin e ekzistencës së ideologjisë së tyre si mekanizmin e vetëm që mundësonte tejçimin e dhunës politike për sigurimin e dominimit të tyre. Shteti nga ana e tij funksionon dot në mënyrë eficiente – pavarësiht nëse është i përgjakshëm e diktatorial, apo është demokratik e liberal – vetëm kur i shfrytëzon në maksimum mundësitë formale të vetorganizimit të tij. Një aspekt formal i përsosmërisë së formave të organizimit shtetëror është pa dyshim gjuha. Shteti serioz ka një gjuhë të tijën të standardizuar, që mund të jetë edhe ajo e drunjëzuara, për të cilën është shkruar kaq shumë në këtë blog. Ai e ka atë, e trajton si vegël punë të komunikimit të vullnetit politik, e ruan dhe e zhvillon në mënyrë konsekuente në drejtim që i duhet dhe shikon në cenimin e gjuhës një rrezikim të drejtpërdrejtë të pushtetit të tij. Në një demokraci ndodh një gjë ngjashme. Forma e përkryer e shtetit sigurohet edhe falë një gjuhe institucionale, e cila ruhet me fanatizëm brenda një standardi, i cili kultivohet brenda një formati intelektual, i cili nga ana e vet është shprehje e një vullneti politik. Praktika juridike për shembull është platforma më e rëndësishme e gjuhës zyrtare të shkruar dhe të folur, ku gjithçka ndodh brenda një sistemi i mirë- e paracaktuar, sipas një vullneti të një kaste të disa “priftërinjve” të lartë, veçoria primare e të cilëve nuk është as më shumë e as më pak se vetëm formimi profesional i këtyre njerëzve. Thëne në mënyre diçka më direkt: në një demokraci funksionale apo diktaturë gjakatare, jo çdo hajvan mund të shprehet publikisht për t’u bërë kështu pjesë e standardit të gjuhës së folur, pasi hajvanëria është rreziku primar i formave perfekte shtetërore. Asnjë nga shoqëritë shqiptare sot nuk është e organizuar në atë formë, që t’i lindë vetvetiu nevoja e ruajtjes apo kultivimit të një standardi, pasi shqiptarët sot jetojnë vetëm në shtete të tyre, të organizuara në formë sharlatane. Në këto shtete, në të cilat nuk komunikohet asnjë vullnet politik në rrugë vertikale, nuk ekziston një platformë komunikimit intelektual për arsye thjeshtë burokratike – shtetërore, ku do të ruhej e pasurohej gjuha standarde. Në këtë kuptim, kur shqiptarëve do t’u duhet dikur të shikojnë pas në historinë e tyre për të gjetur atë pak substancë republikane, me një konsistencë reale që mund të ketë shërbyer më vonë si një bërthamë për zhvillime gjuhësore, do ta gjejnë dot atë me siguri vetëm në shekullin XX në ato 80 vjet të shteti shqiptar, kur u qeveris në mënyre efikase πer hir të një dogme apo besimi në Zot apo mbret. Natyrisht që një shqiptar i shekullit XXIII do të gjejë shqipen e kulluar të kohës tonë tek “Imperializmi dhe Revolucioni” dhe jo tek preambula e mizerabilitetit politik të këto 20 viteve të fundit. Natyrisht që shqipja e drunjëzuar më herët dhe e çdrunjëzuar më pas gjatë reflektimit të drunjëzimit është akoma edhe e vetmja shqipe reale, ndërkohë që shqipja demokratike nuk i kapërceu dot asnjëherë kufijtë e vetes, për të mbetur e zbehtë, pa mesazh, pa impulse për reflektime, pa kompaktësi – qoftë në kuptimin formal të fjalës, qoftë në atë konceptual, intelektual e substancial.

  2. Kot per kuriozitet: a ndodh e njejta gje ne shtypin rus dhe serbo-kroat sot? Me duket se kam pare disa raste te ngjashme, por nuk jam ne gjendje ti verifikoj. Nqs po atehere eshte politike gjuhesore sovjetike, dhe do isha kurioz te dija si raportoheshin emrat vetjake ne Rusine cariste ne krahasim me ate Sovjetike.

  3. Pyetja ime është: a i lexon njeri këto gjëra, pasi shkruhen, por para se të botohen?

    Pretendo po deshe pastaj per cilesine e permbajtjes se artikujve te ketyre gazetave.

    Apo qofte dhe elementet e tjere elementare gjuhesore, si p.sh. perdorimi pa kriter i fjaleve te huaja, apo dhe me te thjeshte si p.sh. paragrafet; s’besoj te jem i vetmi qe bezdisem kur lexoj nje artikull pa pike ndarje vizuale, nje shkrim pa paragrafe fare, ku germat jane si zhavorr i hedhur nga kamioni. A thua se hapesiren boshe midis paragrafeve e kane me tallon.

  4. Ate qe thuhet per Kostallarin e konfirmon edhe nje marredhenie pune me politikane – intelektuale te brezit te tij apo pak me te rinj ne moshe, te cilet ruajne ne shprehine e shkrimit thuajse te njejtin raport. Ta zeme Aleksander Meksi, Sabit Brokaj, apo Servet Pellumbi apo edhe historiani Arben Puto, e percjellin artikullin e tyre ne redaksi, pas nje qemtimi gjuhesor qe per parametrat e sotshem te “gazetarise” konsiderohet i tejkaluar. “Mos ja ver re se eshte komunist” – mund te degjosh ndonje shprehje te dikujt, qe natyrisht e lidh etiketen me nje norme pune qe nuk ekziston me. Por, e njejta gje nuk vihet re tek emrat e rinj te publicistikes te shumuar me teprice ne stinen pjellore te pluralizimit. Keta te fundit kane pergjegjesine e madhe se teksa i ofrojne opinionit nje optike te ngjarjeve, veterealizojne me ndihmen e madhe te shtypit dhe te kameres nje model komunikimi qe si nje nga premisat e veta ka edhe tekniken gjuhesore. Mund te flitet me siguri per nje diferencim gjuhesor brenda shqipes, bartes rishtare te se ciles jane bere Analistet qe pertej rolit te tyre si aneks i politikes, pasqyrojne edhe nje ndarje artificiale me nje fond leksikor qe braktiset ne emer te rotacionit snob me fjalen e huazuar dhe tanime jo me te Huaj. Ky tipar komunikimi qe synon te rrise imazhin dhe vleren e publicistit permes nje marketingu gjuhesor qe ka si lende te pare huazimin, ka krijuar nje mode e cila me kalimin e kohes u be hierarki. Te korrektosh nje shkrim me mjete gjuhesore klasike si ai i 1972, minimalisht te sjell ne nje perballje me Analistin, qe ne rastin me te paket uleret per cenim kuptimor te shkrimit. Po mire valle, si mundet te filtrosh mendimin modern me manualet e kohes se Baba Qemos ? Pyetja e ben fajtor komunistin e shkrete.
    Shenjterimi i ketij modeli qe e ka kthyer shtypin ne aerodrom te gjithfare uljesh te detyruara kursantesh apo specializantesh eshte ne fund te fundit nje tolerim qe buron nga etja per te pare Jashte. Nje dite prej ditesh dikush, me nuhatje biznesi kuptoi se gazeta mund te perdoret me mire si pistolete, sesa si organ informimi. Si te thuash ne rolin e nje arme ajo e luan aty per aty permasen e Pushtetit te Disate. Disa analiste te modes, apo pena te mprehta mjaftojne per te mbajtur gjalle vemendjen e publikut; e per hir te ketij operacioni te brendshem mund te shperfillet edhe cilesia e gazetarit qe puneson. Mbijne keshtu neper redaksi, studente enderrimtare qe studiojne per gazetari “se me pelqen shume”, por qe me vete pervec kesaj “me pelqen” sjellin me vete nje histori kaosi arsimor. Prioriteti eshte prioritet – analiza – se sikur mund te degjosh edhe ndonje shok ne kafe – ai qe shkruan aty te ju eshte analist shume i mire. Duam s’duam shtypi po shet analizat dhe jo lajmin – misioni i tij e ka kthyer informimin si kategori te nenrenditur te Denoncimit apo akuzes politike te artikuluara mjeshterisht nga penat e mprehta, qe kane legalizuar deri edhe nje gjendje te re gjuhesore. Le te shpresojme se “me sasine vjen dhe cilesia”. Ja ne politike kjo gje funskionoi; sharlataneve dhe majmuneve te viteve te para ua ka zene vendin nje njeri si Edi Rama qe shqipen e flet shume mire, por edhe e shkruan shume mire. I dyti cuditerisht vjen Vangjel Dule.

  5. Një pyetje jashtë teme kisha.

    Njeh gjë njeri ndonjë marifet, se si një përdorues i një tastiere apple, pa ju dashur të shkruaj rreshta të gjatë në gjuhë programuesish, të cilat vetëm një presje i ndan ndonjëherë nga komanda e fshirjes së gjithë diskut të fortë, ta modifikojë përkohësisht tastierën e vet në atë formë, që kur të shtypë një germë (“w” apo “#” p.sh.) të prodhojë automatikisht “ë”? Ka një mundësi për shndërrimin e tastierës në “shqip”, por që i kthen tastierat “qwertz” në tastiera “qwerty” dhe me këtë ndryshon edhe gjithë sistemin e pikësimit.

    Unë kam qenë një përdorues i rregullt i sistemit “w” – “ë”, deri sa m’u desh një ditë të përpunoja një tekst teknik rreth tre muaj të gjatë, në të cilin një pjese e mirë termave mbeteshin në gjuhën origjinale, e cila ishte e bollshme me “w”. Këtu falimentova, pasi një zëvendësim i mëvonshëm më shkaktonte kokëçarje të mëdha me fjalët origjinale. Shkrimi i çdo “ë” të veçantë me kombinim butonash në një tekst 300 faqe të gjatë shënoi për mua “fundin e kohëve të mira”, fillimin e ca neurozave të cilat edhe kur i llogarisja teorikisht, më rezultonin si potencialisht të pritshme jo më herët se një dekadë më vonë, pa folur për ankesa të tjera banale, kryesisht të karakterit ortopedik, të cilat mund të rreshtin pas ndonjë askeze jo nën nëntë muaj në breg të një lumi diku në Indinë qendrore.

    Te ketë lindur vallë ai burrë nëne shqiptar, i cili me tre marifete të kuptueshme për çdo të vdekshëm, ta zgjidhë kë problem?

    Falemnderit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin